VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Evelina Qirjako Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Medi Bici Anëtar
Mori në shqyrtim në seancë gjyqësore të datës 24.11.2015, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: SHOQËRIA “BREGU” SH.A
I PADITUR: DREJTORIA RAJONALE TATIMORE KORÇË
DREJTORIA E APELIMIT TATIMOR
OBJEKTI I PADISË:
Shfuqizimi i Njoftim Vlerësimit për detyrimet tatimore,
nr. 12942 prot., datë 28.05.2010 të Drejtorisë Rajonale Tatimore Korçë.
Shfuqizimi i i vendimit nr.9545 datë 27.09.2010
të Drejtorisë se Apelimit Tatimor i cili lë në fuqi
Njoftim Vlerësimin për detyrimet tatimore,
nr. 12942 prot., datë 28.05.2010 të Drejtorisë Rajonale Tatimore Korçë.
Baza Ligjore: Neni 324 e vijues të Kodit të Procedurës Civile,
neni 109 i ligjit nr.9920 datë 19.05.2008
“Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”;
Udhëzimi nr.24 datë 02.09.2008 i Ministrit të Financave;
nenet 18, 20, 27, 27/1 të ligjit nr.9728 datë 27.04.1995
“Për tatimin mbi vlerën e shtuar”;
Udhëzimi nr.17 datë 13.05.2008 i Ministrit të Financave në zbatim të tij;
ligji nr.7703 datë 11.05.1993
“Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”;
ligji nr.770 datë 13.10.1994
“Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin nr.41-2012-836 (500) datë 21.2.2012 vendosi:
“Pranimin e padisë së palës paditëse shoqëria “Bregu” sh.a në lidhje me kërkimin drejtuar palës së paditur Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë, duke anuluar aktin administrativ “Njoftim Vlerësimi për Detyrimet Tatimore“nr. 12942 prot, datë 28.05.2010 të nxjerrë nga Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë për subjektin “Bregu” Sh.a, lënë në fuqi me vendimin nr.9545 datë 27.09.2010 të Drejtorisë së Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve dhe duke detyruar Drejtorinë Rajonale Tatimore Korçë të bëjë rimbursimet përkatëse. Rrëzimin e kërkimit: ”Shfuqizimi i vendimit nr.9545 datë 27.09.2010 të Drejtorisë së Apelimit Tatimor i cili lë në fuqi Njoftim Vlerësimin për Detyrimet Tatimore nr.12942 prot., datë 28.05.2010 të Drejtorisë Rajonale Tatimore Korçë” drejtuar palës së paditur Drejtoria e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Shpenzimet gjyqësore në masën 12.000 (dymbëdhjetë mijë) lekë të parapaguara nga pala paditëse “Bregu” sh.a i ngarkohen palës së paditur Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë”.
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.472 datë 25.6.2012 vendosi:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.500 datë 21.02.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë”.
Kundër vendimit nr.472 datë 25.6.2012 të Gjykatës së Apelit Korçë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë cila kërkon ndryshimin e vendimeve, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Kontrata e lidhur midis palëve e ka të parashikuar shprehimisht rastet për të cilat do të aplikohet legjislacioni fiskal shqiptar.
-
Në nenin 4 të kontratë është përcaktuar se TVSH do të paguhet në bazë të legjislacioni shqiptar.
-
Referuar nenit 47 kur zërat e punës shoqërohen në sasi këto duhet të jenë fikse për të cilat kontaktori ka paraqitur një çmim të përgjithshëm dhe duhet të paguhen në mënyrë të pavarur nga sasitë e punimeve të zbatuara.
-
Shoqëria ka bërë situacione mujore dhe mbi këto situacione është bërë edhe kontrolli tatimor.
-
Gjykatat gabojnë kur shprehen se shoqëria nuk i ka shitur materialet. Ky fakt nuk është pretenduar nga pala e paditur, pasi për palën e paditur përsa kohë këto materiale nuk gjenden konsiderohen shitje pa faturë .
-
Vendimi nuk është i mbështetur përsa i përket llogaritjes së sigurimeve shoqërore pasi sipas akt marrëveshjes në pikën 2, faqja 3 përcaktohet se do të merren në konsideratë pagat reale sipas listëpagesave të subjektit por në asnjë rast subjekti ndërtues nuk mund të llogarisë më pak fond page dhe sigurime se 963 lekë për sipërfaqe ndërtimi për qytetin e Korçës. Ky fakt parashikohet edhe në VKM nr.173 datë 29.03.2006.
-
Inspektori e ka bazuar raportin e tij në bazë të listëpagesave të deklaruara nga subjekti dhe akteve ligjore në fuqi të cilat e detyrojnë subjektin që të mos paguajnë kontribute më pak se ajo që referon akt marrëveshja.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Arjana Fullani, përfaqësuesen e palës paditëse shoqërisë “Bregu” sh.p.k, Avokate Erinda Ballanca e cila kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatë së Apelit Korçë, përfaqësuesen e Avokaturës së Shtetit Znj. Lorana Kasapi, e cila kërkoi ndryshimin e vendimeve dhe rrëzimin e padisë, në mungesë të palëve të paditura, si dhe diskutoi çështjen në tërësi
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, pala paditëse shoqëria “Bregu” sh.a është shoqëri aksionare, me seli në qytetin e Korçës, me objekt të veprimtarisë së saj “ndërtime civile, industriale, turistike, bujqësore, punime restaurimi, ndërtim rruge, kanalizime, etj...”.
2. Në datën 28.08.2007 midis Komisionit Evropian në cilësinë e autoritetit kontraktor dhe shoqërisë “Bregu” sh.a në cilësinë e kontraktorit është lidhur kontrata e punës nr.2007/143-631 me objekt: “Ndërtimi i qendrës se riintegrimit të të miturve Kavajë, Shqipëri”. Përfitues i projektit është shteti Shqiptar i përfaqësuar nga Ministria Shqiptare e Drejtësisë. Gjithashtu palët kanë përcaktuar edhe çmimin e kontratës (pa TVSH/taksa te tjera) 1,737,567.83 euro. ...TVSH-ja do te paguhet në përputhje me rregullat, ligjet shtetërore dhe marrëveshjet kombëtare të cilat lidhen me ekzekutimin e programit. TVSH-ja dhe taksat e tjera nuk do te paguhen nga fondet e Komisionit Evropian.
3. Pranë palës paditëse “Bregu” sh.a është ushtruar kontroll tatimor nga Drejtoria Rajonale tatimore Korçë. Programi i kontrollit në këtë rast ka konsistuar në : kontrolli për TVSH-në dhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe TAP: për periudhën tatimore Janar 2008- Nëntor 2009.
4. Në përfundim të këtij kontrolli, është hartuar dhe raport kontrolli përfundimtar i datës 20.05.2010, ku Inspektorët e Drejtorisë Rajonale Korçë, bazuar në dokumentacionin e nxjerrë nga shoqëria “Bregu” sh.a, kanë konkluduar se kjo shoqëri duhet të paguajë një detyrim në total prej 2.942.273 lekë.
5. Raport Kontrolli datë 20.05.2010 ka dalë në bazë të procesverbaleve nr.1, datë 19.04.2010, nr.2, datë 19.04.2010, nr.3, datë 19.04.2010; nr.4, datë 19.04.2010; nr.5, datë 19.04.2010 të hartuara nga inspektori i kontrollit. Sipas procesverbalit nr.1, datë 19.04.2010 të mbajtur ne lidhje me kontrollin e T.V.SH-së dhe sigurimeve për periudhën 01.01.2008 deri ne 31.12.2008 rezulton se: “subjekti për vitin 2008 ka diferenca materiale në zërat që përzgjodhën, diference e cila del si rezultat i diferencës midis gjendjes në fillim të vitit, blerjeve gjate vitit dhe situacionit të punimeve. Zërat që dolën me diference do të konsiderohen si shitje nga ana e subjektit, që përbën kundërvajtje administrative sipas nenit 124 të ligjit nr.9920. date 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Sipas procesverbalit nr.2, datë 19.04.2011 të mbajtur në lidhje me kontrollin e T.V.SH-se dhe sigurimet për periudhën 01.01.2009 deri ne 30.11.2009 rezulton se: “...subjekti për periudhën janar- nëntor 2009 ka diferenca materiale në zëra, diferencë e cila del si rezultat i diferencës midis gjendjes në fillim të vitit, blerjeve gjatë vitit dhe situacionit të punimeve. Si rezultat i këtij veprimi subjekti ka kryer punime sipas situacionit. Subjekti ka diferenca materiale të cilat do të konsiderohen si shitje...”. Sipas procesverbalit nr.4, datë 19.04.2010 mbajtur në lidhje me kontrollin e T.V.SH-së dhe sigurimeve për periudhën 01.01.2008 deri në 30.12.2009 rezulton se: “Për periudhën e tatueshme sipas deklarimeve të subjektit janë në vlerë 110790318 lekë dhe TVSH në vlerë 22158064 lekë nga te cilat: shitje te tatueshme të kryera nga veprimtaria e ndërtimit për këtë periudhe në vlerë 103413505 lekë, me TVSh në vlerë 20682701 lekë; shitje nga lokali në vlerë prej 7376813 me TVSh 14755363 lekë. Nga kontrolli i faturave tatimore të shitjes rezulton se për vitin 2009 shitjet e tatueshme të deklaruara në FDF nuk janë të njëjta me ato sipas faturave tatimore të lëshuara nga subjekti...”. Sipas procesverbalit nr.5, datë 19.04.2010 që pasqyron rezultatet e kontrollit te ushtruar pranë “Bregu”sh.a për T.V.SH- në dhe sigurimet për periudhën 01.01.2008 deri në 30.11.2009 rezulton: “subjekti përveç objekteve të ndërtuara me tenderim të financuara nga të tretë ka ndërtuar dhe banese kolektive të financuar nga burimet e veta punimet e së cilës janë realizuar 100% dhe për këtë ju be analiza e detyrimeve minimale mbështetur në aktmarrëveshjen ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Shoqatës së Ndërtueseve të Shqipërisë me nr.prot.2116, date 25.05.2004. Për sa më sipër, subjekti “Bregu” sh.a për analizën e bërë duke u mbështetur në ligjin nr.9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, nenin 114 të tij, ka kryer kundërvajtje administrative. Për sa më sipër janë marrë të ardhurat për objektet me qëllim shpërndarjen e TVSh-së të paguar për secilin objekt. Kjo metode është përdorur duke patur parasysh se punimet janë të gjitha në ndërtim dhe pagesat nuk janë të ndara për çdo objekt por bashkërisht për të gjithë aktivitetin e tij. Pra, nisur nga % e të ardhurave për çdo objekt shpërndahet TVSh-ja e paguar sipas objekteve”.
6. Sa më sipër Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë ka nxjerrë njoftim vlerësimi për detyrimet tatimore nr.12942 datë 28.05.2010 sipas të cilit shoqëria ka një detyrim:” T.V.SH: tatimi 664.293 lekë, kamatëvonesë 45.505 lekë, gjoba 840.757 lekë. Tatim Fitimi: gjoba 437.342 lekë. Sigurime Shoqërore: tatimi 654.577 leke, kamatëvonesë 39.700 leke, gjoba 327.288 leke”.
7. Më tej pala paditëse ka ushtruar ankim ndaj njoftim vlerësimi tatimor nr.12942 datë 28.05.2010 në Drejtorinë e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
8. Më vendimin nr.9545 datë 27.09.2010 Drejtoria e Apelimit Tatimor ka vendosur: “Lënien në fuqi të aktit administrativ objekt ankimi, njoftim vlerësimi për detyrimet nr.12942 datë 28.05.2010, nxjerrë nga Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë, bazuar në rezultatet e raportit të kontrollit për detyrimet tatimore të ankimuara gjobat, gjithsej për shumën lekë, për TVSH-në, tatimin mbi fitimin dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore ”.
9. Ndodhur në këto kushte pala paditëse, shoqëria “Bregu” sh.a i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi.
10. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin nr.41-2012-836 (500) datë 21.2.2012 vendosi:” Pranimin e padisë së palës paditëse shoqëria “Bregu” sh.a në lidhje me kërkimin drejtuar palës së paditur Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë, duke anuluar aktin administrativ “Njoftim Vlerësimi për Detyrimet Tatimore“nr. 12942 prot, datë 28.05.2010 të nxjerrë nga Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë për subjektin “Bregu” Sh.a, lënë në fuqi me vendimin nr.9545, datë 27.09.2010 të Drejtorisë së Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve dhe duke detyruar Drejtorinë Rajonale Tatimore Korçë të bëjë rimbursimet përkatëse.
Rrëzimin e kërkimit: ”Shfuqizimi i vendimit nr.9545, datë 27.09.2010 të Drejtorisë së Apelimit Tatimor i cili lë në fuqi Njoftim Vlerësimin për Detyrimet Tatimore nr.12942 prot, datë 28.05.2010 të Drejtorisë Rajonale Tatimore Korçë” drejtuar palës së paditur Drejtoria e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Shpenzimet gjyqësore në masën 12.000 (dymbëdhjetë mijë) lekë të parapaguara nga pala paditëse “Bregu” sh.a i ngarkohen palës së paditur Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë”.
10.1 Arsyetimi i Gjykatës: “Në lidhje me këtë moment, Gjykata çmon se pala paditëse nuk duhet të thërriste në cilësinë e te paditurit Drejtorinë e Apelimit Tatimor, pasi kjo drejtori nuk ka personalitet juridik me vete por është një Drejtori pjese e strukturës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe për rrjedhim nuk mund të jetë mbajtëse e të drejtave apo detyrimeve juridiko- civile në mënyrë të pavarur. Në rastin në gjykim patur parasysh llojin e kontratës së punës nr.2007/143-631, datë 27.08.2007 të nënshkruar midis palës paditëse “Bregu” sh.a në cilësinë e kontraktorit, Komisioni Evropian në cilësinë e autoritetit kontraktor dhe Ministrisë Shqiptare të Drejtësisë në cilësinë e përfituesit të projektit, “Ndërtimi i qendrës së riintegrimit të të miturve Kavajë” që është një kontrate e llojit Lump- Sum (me çelësa në dorë) dhe me çmim fiks (parashikuar në nenin 4 te kontratës dhe nenin 47, pika 1, germa a) të kushteve të përgjithshme të saj dhe nenin 18.5 të kushteve të veçanta të kontratës, ndërsa rregullimet në ligjin shqiptar për këtë lloj kontrate janë të parashikuar në piken 2 dhe 8 të nenit 3 dhe në nenin 28 të ligjit nr.9643, date 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar) vlera e tatueshme mbi të cilin duhet të aplikohet T.V.Sh-ja është çmimi fiks i kontratës, pasi furnizimi me te cilin “furnizohet” autoriteti kontraktor është ndërtesa “çelësat e të cilës duhet t’i dorëzohen në dorë atij” kundrejt shumës totale që ai ofron të paguaje për këtë “furnizim” në momentin e nënshkrimit të kontratës, pavarësisht kostos reale të ndërtimit në përfundim të saj. Meqenëse sipas kontratës, çmimi ishte i pandryshueshëm, edhe situacionet përkatëse të hartuara dhe lëshuara nga “Bregu” sh.a për efekt faturimi nuk pasqyrojnë gjendjen për punimet faktike të kryera, por ato janë përpiluar dhe paraqitur vetëm për efekt të “fazave të përfunduara të punimeve” – term i kontratës, që i korrespondon një përqindje e caktuar e çmimit të kontratës, pavarësisht nga sasitë e punimeve të zbatuara de facto dhe sasitë e materialeve të përdoruara, pasi këto situacione nuk mund të parashikonin një çmim të ndryshëm nga ai qe i korrespondon përqindjes së çmimit të kontratës. Shuma totale e paguar nga autoriteti kontraktor, e cila duhet të konsiderohet si vlere e tatueshme mbi bazën e të cilës do te llogaritet T.V.SH-ja, në kuptim të nenit 27 pika 1 të ligjit nr.7928, date 27.04.1995 “Për Tatimin mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar është ajo që është e parashikuar në kontrate dhe pala paditëse nuk mund të penalizohet për diferencën midis vlerës së blerjeve të kryera nga shoqëria për kryerjen e punimeve të ndërtimit dhe vlerës së vendosur në situacionin e punimeve vetëm për efekt të pagesës së çmimit fiks të përcaktuar në Kontratë. Me të drejtë vlera e tatueshme nga “Bregu” sh.a për llogaritjen e T.V.SH-se është vetëdeklaruar në bazë të kushteve të Kontratës 2007/143-631 të llojit Lump-Sum dhe T.V.SH-ja është paguar sipas nenit 27 pika 1 të ligjit nr.7928, datë 27.04.1995 “Për Tatimin mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar, mbi vlerën totale që i është paguar kësaj shoqërie nga autoriteti kontraktor, Komisioni Evropian, për furnizimin dhe për më tepër, në zbatim të nenit 43.1 të kushteve të veçanta të kontratës, T.VSH-ja i është rimbursuar shoqërisë “Bregu” sh.a nga përfaqësuesi i përfituesit shteti shqiptar, Ministria e Drejtësisë. Gjykata çmon se është i drejtë pretendimi i palës paditëse se T.V.SH nuk duhet të llogaritet duke u bazuar në vlerën e situacioneve të punimeve. Pala e paditur i qëndroi përfundimit të raportit përfundimtar të kontrollit se mospërputhja midis faturave të blerjeve dhe situacionit të punimeve, pra sasitë shtesë të materialeve të përdorura të konsiderohen si shitje pa fature tatimore. Gjykata çmon se ne llogaritjen e kontributit të sigurimeve për “Bregu” sh.a pala e paditur Drejtoria Rajonale Korçë duhet të marrë parasysh jo me kuotën për metër katror sipërfaqe sipas aktmarrëveshjes por, përqindjen e kontributeve të sigurimeve të parashikuara në ligjin e kohës së periudhës kur lind detyrimi për pagimin e tyre. Si rregull, zbatohet ligji (norma me fuqi me të lartë juridike) përveçse kur norma më e ulet parashikon më shumë të drejta për palën. Në rastin në gjykim, aplikimi i kuotës së marrëveshjes se lidhur midis Shoqatës së Ndërtueseve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve prej 963 lekë/ m2 sipërfaqe, pa u pasqyruar ndryshimet e ligjit, kur ne fakt sjell një situate të disfavorshme për tatimpaguesin, është në kundërshtim me parimet e së drejtës. Gjykata, çmon se me sjelljen e saj pala paditëse “Bregu” sh.a nuk ka konsumuar kundërvajtjen administrative të parashikuar në nenin 114 i ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar parashikon si kundërvajtje administrative dhe penalizon tatimpaguesin i cili nuk paguan brenda afatit ligjor shumën e detyrimit tatimor. Në këtë rast pala paditëse e ka paguar në afat detyrimin tatimor, sipas vetëvlerësimit dhe vetëdeklarimit të tij si tatimpagues, që është një nga parimet thelbësore të administrimit tatimor (neni 12 pika 2 ligjit nr.9920, date 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar) dhe fakti qe pala e paditur ka bërë një vlerësim tatimor që i ka ngarkuar tatimpaguesit detyrime tatimore shtesë, nuk do të thotë se detyrimi tatimor nga pala paditëse nuk është paguar brenda afatit ligjor. Nenin 114 i ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar penalizon rastin kur tatimpaguesi nuk paguan shumën e pretenduar prej tij si detyrim tatimor, brenda afatit ligjor për kryerjen e pagesës dhe jo rastin kur tatimpaguesi nuk ka paguar si detyrim tatimor pikërisht shumën e cila rezulton me vonë pas vlerësimit tatimor të bërë nga administrata tatimore.”.
11. Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.472 datë 25.6.2012 vendosi: “Lënien në fuqi të vendimit nr.500 datë 21.02.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë”.
11.1 Arsyetimi i gjykatës:“ I njëjtë me atë të faktit”.
12. Kundër vendimit nr.472 datë 25.6.2012 të Gjykatës së Apelit Korçë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë e cila kërkon ndryshimin e vendimeve, duke parashtruar shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
13. Dispozitat e ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
13.1 Neni 1/2: Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe.
13.2 Neni 17/2: Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
14. Se rekursi i paraqitur nga pala e paditur Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë, nuk përmban shkaqe ligjore që të motivojnë cenimin e vendimit nr.472 datë 25.6.2012 të Gjykatës së Apelit Korçë, për rrjedhojë ky vendim duhet të lihet në fuqi.
15. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, pretendimeve e prapësimeve të palëve, të vendimeve të gjykatave të faktit dhe shkaqeve të rekursit, vlerëson se arsyetimi dhe përfundimi i arritur nga Gjykata e Apelit Korçë është rrjedhojë e respektimit dhe zbatimit të drejtë të ligjit material dhe procedural.
16. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të gjykatave të faktit.
17. Në vlerësim të natyrës juridike të mosmarrëveshjes, shkakut të lindjes së saj, Kolegji Administrativ, çmon se çështja objekt shqyrtimi përbën mosmarrëveshje administrative, dhe nga pikëpamja lëndore, në referim të nenit 7 të ligjit nr.49/2012, ky Kolegj është kompetent për shqyrtimin e kësaj mosmarrëveshje.
18. Referuar padisë objekt gjykimi, konstatohet se në thelb të kërkimit të saj pala paditëse ka kërkuar gjyqësisht shfuqizimin e aktit administrativ të lëshuar nga Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë në lidhje me detyrimet tatimore shtesë të ngarkuara shoqërisë “Bregu” sh.a për TVSH-në dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
19. Sikurse pranohet nga gjykata e faktit, pala e paditur ka pretenduar se nga ana e palës paditëse shoqërisë “Bregu”sh.a, TVSh-ja në lidhje me ndërtimin e qendrës se riintegrimit të të miturve Kavajë, nuk është paguar sipas ligjit për TVSH-në dhe gjithashtu sigurimet shoqërore nuk janë paguar sipas marrëveshjes së arritur midis Ministrisë së Financave dhe Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë.
20. Gjykatat e Rrethit Gjyqësor Korçë ka pranuar padinë e paditësit duke arsyetuar se:” Në rastin në gjykim patur parasysh llojin e kontratës së punës nr.2007/143-631, datë 27.08.2007 të nënshkruar midis palës paditëse “Bregu” sh.a në cilësinë e kontraktorit, Komisioni Evropian në cilësinë e autoritetit kontraktor dhe Ministrisë Shqiptare të Drejtësisë në cilësinë e përfituesit të projektit, “Ndërtimi i qendrës së riintegrimit të të miturve Kavajë” që është një kontrate e llojit Lump- Sum (me çelësa në dorë) dhe me çmim fiks (parashikuar në nenin 4 të kontratës dhe nenin 47, pika 1, germa a) të kushteve të përgjithshme të saj dhe nenin 18.5 të kushteve të veçanta të kontratës, ndërsa rregullimet në ligjin shqiptar për këtë lloj kontrate janë të parashikuar në piken 2 dhe 8 të nenit 3 dhe në nenin 28 të ligjit nr.9643, date 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar)”, vendim i cili është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Korçë.
21. Kolegji Administrativ në realizimin e funksionit të tij rishikues për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të gjykatave të faktit, vlerëson se qëndrimi i mbajtur nga të dyja gjykatat e faktit, gjen mbështetje si në prova dhe në ligj. Në një gjendje të tillë të rrethanave të faktit sikurse i kanë pranuar dhe gjykatat e faktit, si dhe arsyeve mbi të cilat është ngritur padia, ndryshe nga sa pretendohet në rekurs, ky Kolegj e vlerëson të drejtë qëndrimin e gjykatave të faktit lidhur me interpretimin dhe zbatimin e ligjit mbi mosmarrëveshjen objekt gjykimi.
22. Ky Kolegj vlerëson të theksojë se në zgjidhjen e çështjes objekt shqyrtimi më të drejtë gjykata e faktit kanë marrë në analizë, legjislacionin në fuqi në fushën e tatimeve dhe prokurimit publik si dhe parashikimet e kontratës së punës së lidhur ndërmjet shoqërisë “Bregu” sh.a dhe Komisionit Evropian për ndërtimin e qendrës së riintegrimit të të miturve, Kavajë.
23. Sa më sipër vlen të evidentohet se sikurse me të drejtë është pranuar nga Gjykata e Apelit Korçë se vlera e tatueshme mbi të cilin duhet të aplikohet T.V.Sh-ja është çmimi fiks i kontratës, pasi furnizimi me te cilin “furnizohet” autoriteti kontraktor është ndërtesa kundrejt shumës totale që ai ofron të paguaje për këtë “furnizim” sipas kontratës të lidhur më parë midis palëve.
24. Ky Kolegj, e vlerëson të drejtë arsyetimin e gjykatës së apelit, pasi në nenin 4 të kontratës të lidhur midis palëve shprehimisht është parashikuar se: ”TVSH-ja do të paguhet në përputhje me rregullat, ligjet shtetërore dhe marrëveshjet kombëtare të cilat lidhen me ekzekutimin e programit”. Në përmbushje të detyrimit të mësipërm kontraktor në përputhje me nenin 27/1 të ligjit nr.7928/1995 i cili përcakton se vlera e tatueshme e furnizimit të tatueshëm është shuma totale e paguar për atë furnizim, ka paguar rregullisht TVSH-në sipas çmimit total të kontratës, i cili gjithashtu ishte i pandryshueshëm.
25. Në këtë kuptim, Kolegji vlerëson se Gjykata e Apelit ka vendosur drejtë, kur ka arsyetuar se në kushtet kur TVSH-ja është paguar sipas parashikimeve ligjore dhe kontraktore të detyrueshme për palën paditëse ajo nuk mund të ngarkohet me detyrime shtesë nga ana e organeve tatimore.
26. Gjithashtu, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson, se Gjykata e Apelit ka vlerësuar drejtë kur e ka rrëzuar pretendimin e palës së paditur DRT Korçë se sigurimet shoqërore dhe shëndetësore duhet të paguheshin sipas marrëveshjes së arritur midis Shoqatës së Ndërtuesve dhe Ministrisë së Financave. Gjykatat e faktit kanë hetuar dhe ka rezultuar se shoqëria “Bregu”sh.a, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi ka paguar sigurimet shoqërore të detyrueshme duke mos shmangur apo deklaruar me vonesë pranë organeve tatimore deklaratat që përpilohen për këtë qëllim. Aplikimi nga pala e paditur të çmimeve të përcaktuara në akt marrëveshje në mënyrë të njëanshme pa përcaktuar dhe argumentuar kriterin e aplikimit me të drejtë është vlerësuar i gabuar nga gjykata kur vetë tatimpaguesi nuk ka shmangur asnjë lloj detyrimi por ka paguar kontributet e sigurimeve shoqërore sipas parashikimeve ligjore në fuqi duke zbatuar legjislacionin përkatës për këtë qëllim.
27. Në këto kushte, Ky Kolegj e gjen të gabuar aplikimin nga pala e paditur të nenit 114 të ligjit nr.9920/2008 “Për procedurat tatimore në RSH”, i cili dënon me gjobë ata tatimpagues të cilët nuk paguajnë në kohë shumën e detyrimit tatimor të papaguar. Pala paditëse në asnjë rast nuk ndodhet përpara parashikimeve të këtij neni pasi nga ana e saj janë përmbushur detyrimet tatimore duke i paguar ato në kohë brenda afateve ligjore. Pretendimet e palës së paditur për mospagim në kohë të detyrimit tatimor me arsyetimin se nuk janë paguar sipas akt marrëveshjes, Kolegji e gjen të pabazuar dhe të pambështetur ligjërisht, pasi nuk gjen mbështetje në dispozitat e ligjit për procedurat tatimore.
28. Në analizë të sa më sipër si dhe duke e parë çështjen në tërësi, Kolegji Administrativ arrin në përfundimin se gjykatat e faktit kanë zhvilluar një hetim të plotë dhe të gjithanshëm duke i dhënë përgjigje të gjithë pretendimeve të palëve ndërgjyqësve, përgjigje të cilat ky Kolegj i vlerëson si të drejta dhe të bazuara në ligj dhe në këto kushte vendimi i Gjykatës së Apelit Korçë duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.472 datë 25.6.2012 të Gjykatës së Apelit Korçë.
Tiranë, më 24.11.2015
MENDIMI I PAKICËS
Si gjyqtar në pakicë kam qëndrimin se Kolegji Administrativ nuk duhet të kishte vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.472 datë 25.06.2012 të Gjykatës së Apelit Korçë, por duhet të dispononte ndryshimin e vendimit nr.41-2012-836 (500) datë 21.02.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe të vendimit nr.472 datë 25.06.2012 të Gjykatës së Apelit Korçë duke e rrëzuar padinë.
Shumica e Kolegjit Administrativ, ka arsyetuar se kontrata e lidhur ndërmjet palës paditëse Bregu sha në cilësinë e kontraktorit, Komisionit Evropian në cilësinë e autoritetit kontraktor dhe Ministrisë së Drejtësisë në cilësinë e përfituesit të projektit është një kontratë e llojit “Lump-Sum” (me çelësa në dorë) dhe me çmim fiks. Vlera e tatueshme mbi të cilën zbatohet detyrimi për pagimin e TVSH-së nga pala paditëse Bregu sha është ai mbi çmimin fiks të kontratës. Kjo për shkak se furnizimi është ndërtesa e përfunduar kundrejt pagesës së çmimit të parashikuar në kontratë. Në nenin 4 të kontratës parashikohet se TVSH-ja do të paguhet në përputhje me rregullat, ligjet dhe marrëveshjet kombëtare të cilat lidhen me ekzekutimin e kontratës. Pala paditëse Bregu sha, në zbatim të nenit 27/1 të ligjit nr.7928/1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” ka paguar rregullisht TVSH-në mbi shumën totale të çmimit fiks të paguar nga pala kontraktore Komisioni Evropian për furnizimin e përmbushur rregullisht, pra për realizimin e punimeve të ndërtimit sipas projektit dhe kundrejt çmimit total të kontratës, i cili është i pandryshueshëm.
Për rrjedhojë, pala paditëse Bregu sha, nuk mund të ngarkohet me detyrime shtesë nga ana e palës së paditur Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë, përfshirë edhe detyrime të tjera shtesë mbi sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, sipas mënyrave të tjera të parashikuara nga ligji. Pala paditëse Bregu sha ka paraqitur pa vonesë deklarimet dhe ka paguar detyrimet për sigurimet shoqërore të detyrueshme në zbatim të ligjit.
Si gjyqtar në pakicë, kam mendimin se, vendimet e gjykatave të faktit dhe qëndrimi i shumicës së Kolegjit Administrativ, janë bazuar në interpretime të gabuara të ligjit. Ato e pranojnë padinë dhe pretendimin e palës paditëse Bregu sha me arsyetimin se, pala e paditur Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë nuk mund të rikarakterizonte transaksionin objekt gjykimi, për shkak se kontrata për të cilën është ushtruar kontrolli ka qenë e llojit “Lump Sum” (me çelësa në dorë). Për rrjedhojë, organi tatimor nuk pse të bëjë rikarakterizim të transaksionit. Çmimi për realizimin e kontratës do të paguhej sipas çmimit të rënë dakort në total dhe jo sipas situacioneve për zëra të veçantë punimesh. Po kështu edhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit do të paguheshin duke pasur për bazë vlerën e tyre sipas marrëveshjes së rënë dakord mes palëve kontraktore, palës paditëse Bregu sha dhe Komisionit Evropian.
Si gjyqtar në pakicë, nisur nga interpretimi i drejtë i ligjit të zbatueshëm, ligjit nr.7928/1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, ligjit nr.9920/2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë“, legjislacionit për sigurimet shoqërore dhe atij për sigurimet shëndetësore etj., kam mendimin se një arsyetim i tillë është i gabuar.
Çmimi i pagueshëm nga pala kontraktore Komisioni Evropian, pikësëpari, përfaqëson shumën që do ti paguhet shoqërisë ndërtuese, palës paditëse Bregu sha, duke përfshirë në të edhe fitimin e realizuar nga ky subjekt. Për të realizuar detyrimet e marra përsipër me kontratën e lidhur me Komisionin Evropian për realizimin e projektit ndërtimor, pala paditëse Bregu sha, si shoqëri ndërtuese, ka qenë e detyruar të blinte në treg materialet e nevojshme, si edhe shërbimet e punëtorisë.
Materialet ndërtimore dhe shërbimet e punësimit të blera nga pala paditëse Bregu sha, si shoqëri ndërtuese, i shiten, me një çmim të caktuar, nëpërmjet palës kontraktore Komisioni Evropian, përfituesit të projektit, Ministrisë së Drejtësisë. Në këto kushte, pala paditëse Bregu sha, si shoqëri ndërtuese, është e detyruar të justifikojë se si i ka përdorur dhe ku i ka vendosur materialet e blera prej saj për realizmin e projektit. Pikërisht, për këtë arsye, pala e paditur Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë, ka ushtruar kontrollin tatimor dhe ka konstatuar që, ndërmjet materialeve me të cilat pala paditëse Bregu sha është furnizuar dhe vëllimit të punimeve të kryera në projekt ka diferenca, të cilat, nuk mund të justifikohen më faktin se kontrata e lidhur me palën kontraktore Komisioni Evropian ka qenë e llojit “Lump Sum” (me çelësa në dorë).
Pala paditëse Bregu sha, sipas ligjit, ka detyrimin për t’i provuar organit tatimor, se ai i ka destinuar e përdorur materialet dhe shërbimin e punëtorisë së blerë prej tij në treg në punimet e ndërtimit për realizimin e objektit të kontraktuar. Ky detyrim është edhe më evident në kushtet kur detyrimi për shlyerjen e TVSH-së ka qenë i parashikuar si kosto lokale, pra si një tatim i cili duhet të paguhet jo nga fondi i destinuar për realizimin e projektit nga Komisioni Evropian, por nga fondet e institucionit buxhetor lokal përfitues. Në këtë kuptim, TVSH-ja nuk mund të llogaritet si një vlerë e pagueshme mbi bazën e totalit të shumës “Lump Sum” të parashikuar sipas kontratës, kjo edhe për shkakun se, sikurse parashtrohet më sipër, kjo shumë e pagueshme e kontratës përfshin edhe fitimin e palës paditëse Bregu sha në realizimin e punimeve ndërtimore të projektit.
Mangësia apo mungesa e dokumentacionit justifikues që do të provonin se të gjitha materialet dhe shërbimet e punëtorisë që ka blerë pala paditëse Bregu sha kanë shkuar në realizmin e projektit, sipas legjislacionit tatimor, sjellin vetvetiu në rikarakterizimin e transaksionit nga pala e paditur Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë.
Kontrata e lidhur ndërmjet palës paditëse Bregu sha dhe Komisionit Evropian nuk është dokumenti i cili provon edhe përdorimin e materialeve të blera në destinacionin e kontraktuar, për shkak se, sipas ligjit shqiptar, në fushën e ndërtimeve është situacioni i punimeve dhe fatura përkatëse tatimore që provojnë se ku kanë shkuar materialet e furnizuara. Edhe fakti se kontrata është llojit “Lump Sum” nuk presupozon që palës përfituese apo palës investitore të projektit nuk do ti depozitohen faturat dhe situacionet për materialet e përdorura në projekt. Çështja e çmimit të pagueshëm sipas kontratës “Lump Sum” është çështje e palëve dhe nuk përbën një dokument tatimor të njohur si i tillë nga ligji dhe që të shërbeje në këtë mënyrë edhe si dokument justifikues për efekte tatimore për të provuar se ku kanë shkuar materialet e ndërtimit të blera për atë projekt.
Edhe për sa i përket zërit të pagesës së sigurimeve për të punësuarit, sipas kontratës “Lump Sum” të lidhur ndërmjet palës paditëse Bregu sha dhe Komisionit Evropian, është rënë dakord për një çmim sigurimesh në vlerën prej 938 lekë për metër katror. Por, kjo vlerë është kostoja e sigurimit për të punësuarit e rënë dakord ndërmjet këtyre palëve në kontratë. Në këtë kuptim, vendosja e kësaj vlere në kontratën “Lump Sum” nuk duhet të kuptohet se në të njëjtën vlerë do të jetë domosdoshmërisht edhe detyrimi i palës paditëse Bregu sha për sigurimet shoqërore e shëndetësore.
Në zbatim të legjislacionit fiskal dhe të sigurimeve, pala paditëse Bregu sha, si çdo subjekt tjetër tatimor, është e detyruar që të paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore mbi bazën e pagës që ai u paguan realisht të punësuarve të tij, jo në një masë më të vogël dhe, veçanërisht, jo në një masë më të vogël se kontributi i llogaritur mbi pagën minimale të vendosur nga Këshilli i Ministrave. Sikurse për materialet e furnizuara dhe të përdorura në projekt, edhe shuma e parashikuar në kontratën “Lump Sum” për sigurime shoqërore e shëndetësore, ka për qëllim të përcaktojë shumën që pala kontraktore investitore Komisioni Evropian ka rënë dakord t’i paguajë për këtë zë të kostos palës paditëse Bregu sha si shoqëria sipërmarrëse për kryerjen e punimeve. Por, në asnjë rast, kjo shumë e rënë dakord mes palëve kontraktore, nuk mund të kuptohet se përbën edhe shumën e detyrimeve për sigurime shëndetësore e shoqërore që realisht duhet të paguhet nga pala paditëse Bregu sha për efekt të legjislacionit tatimor dhe të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
Prandaj, si gjyqtar në pakicë, kam mendimin se shumica e Kolegjit Administrativ nuk e ka interpretuar dhe zbatuar drejt ligjin kur ka disponuar lënien në fuqi të vendimit nr.472 datë 25.06.2012 të Gjykatës së Apelit Korçë, por duhet të vendoste ndryshimin e vendimit nr.41-2012-836 (500) datë 21.02.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe të vendimit nr.472 datë 25.06.2012 të Gjykatës së Apelit Korçë duke e rrëzuar padinë.
Ardian Dvorani
Nr. 31001-03389-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 3910 i Vendimit (636)
Do'stlaringiz bilan baham: |