PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63, të Ligjit nr.49, datë 03.05.2012 të “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”.
V E N D O S I Lënien në fuqi të vendimit nr.1500, datë 25.06.2013, të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Tiranë, më 25.11.2015
MENDIM PAKICE
Unë gjyqtari Medi BICI jam kundër vendimit nr.636, datë 25.11.2015 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, që i përket çështjes administrative nr.03389/2013 me palë: paditëse Dega e Shoqërisë së Huaj “Porr Bau GmbH” dhe të paditur Drejtoria e Apelimit Tatimor Tiranë (Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj), etj, me objekt anullimin e njoftim vlerësimit tatimor, prandaj në përputhje me nenin 307/2 të K.Pr.Civile paraqes me shkrim mendimin tim kundër që ti bashkëngjitet vendimit të mësipërm.
Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes në Gjykatën e Lartë ka rezultuar si më poshtë:
Pala paditëse, Dega e Shoqërisë së Huaj “Porr Bau GmbH”, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesëpadi, duke kërkuar anullimin e Njoftim Vlerësimit për Detyrimet Tatimore nr.20132/4 prot, datë 09.01.2012 të Drejtorisë Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj, si dhe anullimin e vendimit nr.2524/5 prot, datë 06.06.2012, të Drejtorisë së Apelimit Tatimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë.
Pala paditëse rezulton e regjistruar pranë QKR në formën ligjore të degës së shoqërisë së huaj dhe objekt të aktivitetit të saj punime në fushën e inxhinierisë civile dhe biznese të lidhura me të, në territorin e Shqipërisë, përfshi këtu punime rrugore dhe hekurudhore, tunele, ndërtim i centraleve të prodhimit të energjisë dhe punime të lidhura me to, inxhinieri hidraulike, ndërtim kanali dhe kanalizime, punime ndërtimi nëntokësore, ndërtimin e linjave te shërbimeve komunale dhe ndërtimin urave.
Me datë 04.11.2011, pranë palës paditëse është ushtruar kontroll nga organet tatimore, me objekt identifikimin e pasurive të paluajtshme, për të cilat shoqëria ka përfituar furnizime shërbimesh nga persona jorezidentë për periudhën 01.01.2010-31.10.2011, në zbatim të ligjit për TVSH-në dhe për procedurat tatimore.
Në përfundim të kontrollit, pala e paditur Drejtoria Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj, ka përpiluar Raport Kontrollin, sipas të cilit ka rezultuar se paditësi, gjatë periudhës 2010-2011, ka kryer punime për zbatimin e projektit të ndërtimit të Hidrocentralit të Ashtës, sipas kontratës së datës 18.12.2009 me Shoqërinë “Energji Ashta” Shpk.
Pala paditëse ka përfituar shërbime të ofruara nga subjektet jo-rezidente në Shqipëri përfshirë dhe Shoqërinë “Porr Bau GmbH” Austri. Sipas Raport Kontrollit të palës së paditur, për të gjitha shërbimet e përfituara nga subjektet jorezidente në Shqipëri, pala paditëse ka zbatuar skemën e autofaturimit (reverse change) në zbatim të ligjit për TVSH-në, neni 15, pika 5.
Të gjitha autofaturat janë raportuar njëkohësisht në blerje dhe shitje të tatueshme në librat përkatës dhe rubrikat në FDP-të respektive. Sipas Raport Kontrollit, për të gjitha shërbimet e dokumentuara, subjektet që kanë kryer shërbime nuk kanë emëruar përfaqësuesin e tyre tatimor në Shqipëri për efekt TVSH-je në zbatim të kërkesave të ligjit për TVSH-në, neni 15 pika 2, neni 55 si dhe Udhëzimit të M.F nr.17/2008 dalë në zbatim të ligjit. Sipas Raport Kontrollit, në mungesë të përmbushjes së këtij detyrimi, përfituesi i shërbimit, pra paditësi, ka detyrimin që të kryej rolin e përfaqësuesit tatimor në Shqipëri, duke paguar TVSH-në.
Pala paditëse, pasi është njoftuar mbi Raport Kontrollin, ka paraqitur kundërshtimet e saj, pranë Drejtorisë së Kontrollit Tatimor, ndërsa pala e paditur ka nxjerrë aktin administrativ, Njoftim-Vlerësimin Tatimor nr.20132/4 prot, datë 09.01.2012, sipas së cilit janë përcaktuar detyrimet tatimore për TVSH-në e palës paditëse Dega e “Porr Bau GmbH” plus gjobë për moslëshim të faturës tatimore, gjithsej në vlerën 353.287.176 lekë.
Pala paditëse, duke mos qenë dakord me këtë akt administrativ të nxjerrë nga i padituri, ka ndjekur rrugën ligjore të ankimit administrativ, duke u ankuar brenda afateve ligjore në Drejtorinë e Apelimit Tatimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë, e cila ka lënë në fuqi vendimin e mësipërm, prandaj ajo i është drejtuar gjykatës për zgjidhjen e çështjes në rrugë gjyqësore.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.12643, datë 20.12.2012 ka vendosur:
Rrëzimin e padisë si të pambështetur në ligj e në prova.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1500, datë 25.06.2013, ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit nr.12643, datë 20.12.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe duke e gjykuar çështjen në fakt: Pranimin e padisë. Anullimin e njoftimit të vlerësimit për detyrimet tatimore nr.20132/4 prot, datë 09.01.2012 të Drejtorisë Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe vendimit nr.2524/5 prot, datë 06.06.2012, të Drejtorisë së Apelimit Tatimor, pranë Drejtorisë i Përgjithshme të Tatimeve Tiranë.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.636, datë 25.11.2015 ka vendosur: Lënien në fuqi të vendimit nr.1500, datë 25.06.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Ndryshe nga qëndrimi i shumicës, pakica vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë duhej të prishej nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u lënë në fuqi vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në nenin 15/2 të ligjit nr.7928, datë 27.04.1995 “Për TVSH” dhe Udhëzimin nr.17, datë 13.05.2005 të Ministrit të Financave është parashikuar se, në rastin kur kemi të bëjmë me pasuri të paluajtshme, shërbimi që kryhet nga shoqëria e huaj që nuk ka qendrën e saj në Shqipëri lidhet me vendin ku ndodhet pasuria e paluajtshme, e cila në rastin në gjykim është në territorin e Rrethit Shkodër, prandaj detyrimet tatimore për këtë rast duhet ti paguante shoqëria bijë (dega), e cila ishte regjistruar si subjekt i të drejtës tregtare shqiptare që është përfaqësuesi tatimor dhe përfituesi i furnizimeve që bënte shoqëria e huaj mëmë me qendër në Austri, ose kjo e fundit duhet të caktonte një përfaqësues të saj në Republikën e Shqipërisë, i cili ishte personi që duhet të bënte pagimin e TVSH-së.
Gjykata e apelit ka arritur në përfundimin se, pala paditëse mund ta bënte pagimin e TVSH-së edhe me anë të autofaturimit, të parashikuar nga neni 15/5 i ligjit nr.7928, datë 27.04.1995 “Për TVSH” (rasti i furnizimit me bimë mjekësore). Pakica vlerëson se ajo që bën ndryshimin ndërmjet pikave 2 dhe 5 të nenit 15 të ligjit të mësipërm është koncepti “pasuri e paluajtshme”, që do të thotë se, nëse furnizimi nga shoqëria e huaj mëmë për shoqërinë bijë, si subjekt i të drejtës tregtare shqiptare ka të bëjë me mallra që do të instalohen ose përdoren në një pasuri të paluajtshme, atëhere shoqëria e huaj mëmë nuk mund të bëjë autofaturim të TVSH-së, por detyrimin tatimor për të duhet ta paguajë një përfaqësues i caktuar prej saj në Shqipëri, ose shoqëria e huaj bijë që është subjekt i të drejtës tregtare shqiptare dhe përfituese direkte e furnizimit.
Ndryshe qëndron puna në rastin e furnizimit me bimë mjekësore, të cilat nuk lidhen me ndonjë pasuri të paluajtshme në Shqipëri. Në këtë rast shoqëria e huaj që nuk e ka qendrën e saj në Shqipëri mund ta paguajë detyrimin tatimor për TVSH-në me anë të autofaturimit, konform nenit 15/5 të ligjit nr.7928/1995 (Ky është rasti i autofaturimit).
Duhet theksuar se ndryshe nga gjykata e shkallës së parë, gjykata e apelit e ka zgjidhur çështjen pa u referuar në asnjë dispozitë konkrete ligjore që ka të bëjë me ligjin material. Dispozitat e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nuk parashikojnë ndonjë rregullim që të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes konkrete, ndërsa vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian me qendër në Luksemburg, i përmendur edhe nga pala paditëse, në ndryshim nga një vendim i Gjykatës së Drejtave të Njeriut me qendër në Strasburg nuk është pjesë e të drejtës tonë të brendshme, sepse Gjykata e Luksemburgut nuk ka juridiksion mbi të drejtën e brendshme të Republikës së Shqipërisë, pasi kjo e fundit nuk është akoma pjesë e Bashkimit Europian.
Për këto që u thanë më sipër, pakica vlerëson se, vendimi i gjykatës së apelit është i pabazuar në ligj, prandaj si i tillë ai duhej të prishej, duke u lënë në fuqi vendimi i gjykatës së shkallës parë, prandaj vota ime është kundër vendimit nr.636, datë 25.11.2015 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë.
Medi Bici
Nr. 11118-02963-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015- 4636 i Vendimit (637)
VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Evelina Qirjako Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Medi Bici Anëtar
në seancën gjyqësore të datës 25.11.2015 mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.02963/2012, që u përket palëve:
PADITËS SHOQËRIA “M.G.B” SH.P.K., në mungesë
I PADITUR INSPEKTORATI NDËRTIMOR E URBANISTIK BASHKIA TIRANË, në mungesë
PERSONI I TRETË KOMUNA DAJT, në mungesë
OBJEKTI:
Anullimin e vendimit për prishjen e objektit nr.4269, date 30.04.2010
dhe te procesverbalit nr.005416 te marre nga INU Bashkia Tirane
dhe pagimi i demit te shkaktuar nga veprimet e kundraligjshme te palës paditur.
Ligjërimin e masës për sigurimin e padisë të marrë
nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin e dt. 18/05/2010.
Baza ligjore: Nenet 31,154, 202, 206, 324, 325, 329 të K.Pr.Civile,
neni 640 i K.Civil,
Ligji 9780, dt.16/07/2007 “Për Inspektimin në ndërtim”,
neni 116/b i ligjit 8485, dt.12/05/1999 K.Pr.Administrative”, l
igji 7697, dt.07/04/1993 “Për kundravajtjet administrative”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.1325, datë 24.02.2011, ka vendosur:
Pranimin e padisë së ngritur nga pala paditëse shoqëria “M.G.B” shpk.
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit për prishjen e objektit nr.4269, date. 30. 04 2010 të INU Bashkia Tiranë dhe të procesverbalit nr.005416 të dalë nga INU Bashkia Tirane, si akte administrative të nxjerra në kapërcim të kompetencave nga ky organ.
Pushimin e gjykimit të çështjes të ngritur nga pala paditëse shoqëria “ M.G.B” shpk në lidhje me objektin e padisë “Pagimi i demit te shkaktuar nga veprimet e kundraligjshme te palës paditur “, për shkak se pala paditëse hoqi dorë nga ky kërkim.
Ligjërimin e masës së sigurimit të padisë të marrë me vendimin nr.8863, dt.18/05/2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë lënë në fuqi me vendimin nr.nr.455, dt. 26/10/2010 të Gjykatës së Apelit Tiranë sipas n.212/1 të K.Pr.Civile.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë Brenda 15 ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e shpalljes së këtij vendimi për palën paditëse dhe për INU Bashkia Tiranë, ndërsa për personin e tretë Komuna Dajt brenda këtij afati por nga marrja dijeni.
U shpall sot më dt.24/02/2011 në Tiranë.”.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.1352, date 31.05.2012 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.1325, date 24.02.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kundër këtij vendimi ka ushtruar rekurs Bashkia Tiranë që kërkon prishjen e vendimeve të gjykatave me te ulta dhe rrëzimin e padisë dhe parashtron shkaqet si me poshtë vijon:
- Të dyja gjykatat kanë zbatuar gabim ligjin;
- Ndërtimi i palës paditëse është brenda vijës kufizuese të ndërtimit të Bashkisë së Tiranës të miratuar me vendimin nr.3, datë 18.12.2004 të KRRTRSH; dhe aktet e lëshuara nga Komuna Dajt janë absolutisht të pavlefshme pasi nuk ka patur kompetencë territoriale për të nxjerrë ato;
- Vendimet e INU Bashkia Tiranë janë akte të vlefshme në formë dhe përmbajtje dhe janë nxjerrë në zbatim të ligjit; këto akte nuk janë absolutisht të pavlefshme dhe as relativisht të pavlefshme;
- Duke qenë se aktet me të cilat paditësi ka kryer ndërtimin janë akte në kundërshtim me ligjin dhe INU Tiranë vepron në zonën e ndërtimit, aktet për shembje objekti janë të vlefshme dhe nuk asnjë shkak për cenimin e tyre;
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Evelina Qirjako dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga aktet e dosjes gjyqësore rezulton se shoqëria “M.G.B” sh.p.k. është person juridik, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, themeluar që në vitin 2007 me numër unik të identifikimit K 91323004 Q me seli ne Dajt Linzë, Lagja Qesarak Tiranë, me përfaqësues ligjor Z.Robert Bano. Kjo shoqëri ka si objekt, ushtrimin e veprimtarisë ne fushën e ndërtimeve civile të gjitha llojeve ,zbatime, projektime, prodhime materiale inerte, gurë, qeramikë, elemente betoni etj. Në vijim të ushtrimit të aktivitetit të saj, pala paditëse është pajisur me lejen e ndërtimit nr.204, dt.11.02.2010 nga KRRT e Komunës Dajt, konkretisht për ndërtimin e një godine banimi dhe shërbime 5kt + papafingo + 2kt bodrum ndodhur në Lagjen Qesarakë, Komuna Dajt në pronë të shtetasve Vera Tola, Xhemal Bajraktari, Ylli Hidri e Naim Muca, nga ku rezulton se investitor dhe subjekt ndërtues është pala paditëse. Sipërfaqja e sheshit në të cilën do të ndërtohet objekti është 2050 m2 dhe sip. e ndërtimit është 959 m2.
2. Rezulton se në bazë të vendimit nr.4269, date 30. 04 .2010 pala e paditur Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Bashkia Tiranë ka vendosur që në bazë të nenit 5/a, d të Ligjit nr.9780, datë 16/07/2007 “Për inspektimin e ndërtimit” dhe të nenit 3,45,48,76/9,1 të ligjit 8405, dt.17/09/1998 “Për Urbanistikës” të “Prishë objektin 3 kat karabina ndaj kundravajtësit M.G.B shpk”. Për këtë fakt është mbajtur dhe procesverbali nr.005416, dt.20.04.2010 ku është përcaktuar se punimet e ndërtimit janë pa leje nga KRRT-ja e Bashkisë Tiranë.
3. Duke mos qenë dakord me sa më sipër, pala paditëse i është drejtuar gjykatës me kërkesë padinë me objekt Anullimin e vendimit për prishjen e objektit nr.4269, date. 30. 04 2010 dhe te procesverbalit nr.005416 te marre nga INU Bashkia Tirane dhe pagimi i demit te shkaktuar nga veprimet e kundraligjshme te palës paditur; Sigurimin e padisë.
4. Pala paditëse ka pretenduar se ky është një akt absolutisht i pavlefshëm sipas nenit 116/b të K.Pr. Administrative, pasi është nxjerrë në kapërcim të kompetencave të palës së paditur INU pranë Bashkisë Tiranë; ndërtimi që po kryhet nga pala paditëse është me leje ndërtimi në territorin administrativ tokësor të Komunës Dajt; kjo Komune ne dhënien e kësaj leje është bazuar ne Vendimin e KRRTRSH-se për studimin pjesor të ndërtimeve në Komunën Dajt; Këshilli i Rregullimit të Territorit te Këshillit të Qarkut Tirane, me vendimin nr.48 dt.27.06.2008, ka vendosur të miratoje kërkesën e Komunës Dajt, për miratimin e Studimit Urbanistik te Lagjes Qesarake me sipërfaqe prej rreth 131 ha. Ne zbatim te ligjit “Për Urbanistiken” nr.8405, datë 17.09.1998, neni 9, kjo kërkese ka kaluar për miratim ne K.RR.T.R.SH., e cila e ka shqyrtuar dhe ka vendosur miratimin e saj ne vitin 2009.
5. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.1325, date 24.02.2011 ka vendosur:
“Pranimin e padisë së ngritur nga pala paditëse shoqëria “M.G.B” shpk.
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit për prishjen e objektit nr.4269, date 30.042010 të INU Bashkia Tiranë dhe të procesverbalit nr.005416 të dalë nga INU Bashkia Tirane, si akte administrative të nxjerra në kapërcim të kompetencave nga ky organ.
Pushimin e gjykimit të çështjes të ngritur nga pala paditëse shoqëria “ M.G.B” shpk në lidhje me objektin e padisë “Pagimi i demit te shkaktuar nga veprimet e kundraligjshme te palës paditur “, për shkak se pala paditëse hoqi dorë nga ky kërkim.
Ligjërimin e masës së sigurimit të padisë të marrë me vendimin nr.8863, dt.18/05/2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë lënë në fuqi me vendimin nr.nr.455 , dt. 26/10/2010 të Gjykatës së Apelit Tiranë sipas n.212/1 të K.Pr.Civile.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë Brenda 15 ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e shpalljes së këtij vendimi për palën paditëse dhe për INU Bashkia Tiranë, ndërsa për personin e tretë Komuna Dajt brenda këtij afati por nga marrja dijeni.
U shpall sot më dt.24/02/2011 në Tiranë.”.
5/1. Kjo Gjykatë ka arsyetuar se ...Ligji i aplikueshëm për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje është Ligji nr.9780, dt.16/07/2007 “Për Inspektimin e Ndërtimit ”, nenet 14, 15, 116/b të K.Pr.Administrative, ligjit 8405, dt.17/09/1998 “Për Urbanistikën”.... Referuar n.5/a, d të ligjit nr.9780, dt.16/07/2007 “Për inspektimin e ndërtimit” citohet se “ INU i Bashkisë/Komunës merr masa e mëposhtme : – Vendos përmbushjen e detyrimeve ligjore në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës dhe, - Prishjen e ndërtimit të paligjshëm”.Lind Pyetja A jemi përpara një ndërtimi të paligjshëm që po realizon pala paditëse ? Referuar nenit .3, 45, 48, 76/ pika 1 të ligjit 8405, dt.17/09/1998 “Për Urbanistikës”, baza ligjore ndër të tjera që pala e paditur e ka përdorur në “Vendimin për prishje” , vetëm në n.76/1 është cituar se “Ndërtimet e bëra pa leje janë të kundraligjshme. Ndalohet hipotekimi dhe regjistrimi i tyre në regjistrat e pasurive të paluajtshme”. Në rastin konkret, paditësi shoqëria “M.G.B” shpk po ndërton një godinë banimi dhe shërbime 5kt + papafingo + 2kt bodrum ndodhur në Lagjen Qesarakë, në bazë të lejes së ndërtimit dhe të sheshit të ndërtimit nr.204, dt.11/02/2010 nga KRRT e Komunës Dajt , çka do të thotë se nuk është një objekt i kundraligjshëm. Vendimi nr.4269, datë 30.04.2010 për “Prishje objekti” është një akt administrativ i nxjerrë nga një organ i njohur nga ligji por, jashtë kompetencave lëndore dhe tokësore të saj, e për rrjedhojë akti administrative, vendimi për “Prishje objekti” me nr.4269, datë 30.04.2010 është një akt absolutisht i pavlefshëm sipas n.116/b të K.Pr.Administrative , e për rrjedhojë ai nuk sjell asnjë pasojë juridike. Është jashtë kompetencës territoriale për arsye se: Subjekti ndërtues ka paraqitur si provë në gjykim lejen e ndërtimi të miratuar nga KRRT-ja e Komunës Dajt (vendimi nr.176, datë 20.11.2010). Leja e ndërtimit e Komunës Dajt është dhënë për ndërtimin e një objekti brenda vijës territoriale të fshatit Linzë, Komuna Dajt Tiranë . Ky konkluzion del Sipas studimit urbanistik të miratuar nga Këshilli i Qarkut Tiranë me vendimin nr.48, dt.27/06/2008 për lagjen Qesarak, Fshati Linzë dhe vendimit nr.11, dt.14/07/2009 të KRRTRSH-së sheshi 2050 m2 i përket fshatit Linzë, Komuna Dajt Tiranë , cituar dhe në aktin e ekspertimi teknik marrë si provë në gjykim ( si dhe në pyetjen e bërë ekspertit në seancë gjyqësore shih faqen 17 të proces-verbalit gjyqësor). Këshilli i Rregullimit te Territorit te Këshilli i Qarkut Tirane, me vendimin nr.48 dt.27.06.2008, ka vendosur te miratoje kërkesën e Komunës Dajt, për miratimin e Studimit Urbanistik te Lagjes Qesarake me sipërfaqe prej rreth 131 ha. Në zbatim të ligjit “Për Urbanistiken” nr.8405 dt.17.09.1998, neni 9, kjo kërkese ka kaluar për miratim ne K.RR.T.R.SH., e cila e ka shqyrtuar dhe ka vendosur miratimin e saj me vendimin nr.11, dt.14/07/2009, provë e cila u kërkua nga gjykata por , në bazë të shkresës së dt.05/10/2010, me nr.380/1 Prot nga Agjensia e Planifikimit dhe Studimit të Territorit na është kthyer përgjigje se ky Vendimi nuk është firmosur nga Kryetari i KRRTRSh-se, dhe në arkivën e AKPT-së nuk ka kopje. Konkretisht , neni 2 i ligji nr.9780, datë 16.7.2007 “Për Inspektimin e Ndërtimit” parashikon se objekt i këtij ligji është përcaktimi i organeve për inspektimin ndërtimor e urbanistik, i organizimit, i rregullave të funksionimit dhe i përgjegjësive të tyre... Përsa i përket pretendimet të paditur INU Bashkia Tiranë se vendimi “Për prishje objekti” me nr.4269, dt.30/04/2010 është Brenda vijës kufizuese të ndërtimit të Bashkisë së Tiranës të miratuar me vendimin nr.3, datë 18.12.2004 të KRRTRSH, ky pretendim nuk gjen mbështetje ligjore për arsyet që u përmendën lart. Përsa i përket pretendimit të palës paditëse në lidhje me objektin e padisë “Pagimi i demit te shkaktuar nga veprimet e kundraligjshme te palës paditur” në konkluzionin përfundimtar pala paditësi kërkoi të heqë dorë nga ky kërkim, konform n.201/1,299/b të K.Pr.Civile, ç’ka do të thotë se ky kërkim duhet të pushohet...
6. Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.1352, date 31.05.2012 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.1325, date 24.02.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
6/1. Kjo gjykate ka përdorur të njëjtin arsyetim si gjykata e faktit.
7. Kundër këtij vendimi ka ushtruar rekurs pala e paditur, Bashkia Tiranë që kërkon prishjen e vendimeve të gjykatave me te ulta dhe rrëzimin e padisë për ato shkaqe që pasqyrohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
8. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala e paditur përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” për të cenuar vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili ka lëne ne fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
9. Ky Kolegj në referim të akteve të administruara në dosjen gjyqësore, që janë marrë në shqyrtim dhe janë analizuar nga gjykatat më të ulëta, vlerëson se si Gjykata e Apelit Tiranë ashtu dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë në kundërshtim me kërkesat e normave procedurale nuk kanë kryer “një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjin” (neni 14 i K.Pr.Civile) nuk i kanë dhënë përgjigje pretendimeve dhe kërkimeve të palëve në proces; nuk kanë bërë një analizë tërësore dhe objektive të provave (neni 126 i K.Pr.Civile) dhe si rezultat nuk e kanë zgjidhur “mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej tyre“ (neni 16 i K.Pr.Civile).
10. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë referuar natyrës juridike të mosmarrëveshjes si dhe shkakut ligjor te paditësit vlerëson se jemi përpara një padie për kundërshtimin e aktit administrativ si absolutisht të pavlefshëm. Paditësi ne ketë gjykim kundërshton aktin administrativ nr.4269, date 30. 04 .2010 të palës së paditur INU Bashkia Tiranë me anë të cilit është vendosur: “Prishja e objektit 3 kat karabina ndaj kundravajtësit M.G.B shpk”, me pretendimin se ky akt është nxjerre nga një organ administrativ jashtë kompetencave te tij. Sipas saj ndërtimi që po kryhet është me leje ndërtimi dhënë nga Komuna Dajt; për nxjerrjen e këtij vendimi, kjo Komune është bazuar ne Vendimin e KRRTRSH-se për studimin pjesor të ndërtimeve në Komunën Dajt; Këshilli i Rregullimit te Territorit te Këshilli i Qarkut Tirane, me vendimin nr.48 dt.27.06.2008, ka vendosur te miratoje kërkesën e Komunës Dajt, për miratimin e Studimit Urbanistik te Lagjes Qesarake me sipërfaqe prej rreth 131 ha; ne zbatim te ligjit “Për Urbanistiken” nr.8405, datë 17.09.1998, neni 9, kjo kërkese ka kaluar për miratim ne K.RR.T.R.SH., e cila e ka shqyrtuar dhe ka vendosur miratimin e saj që ne vitin 2009. Ndërkohe sipas pretendimeve te palës së paditur ky objekt është i kundërligjshëm dhe konsiderohet një ndërtim pa leje, pasi ai është ndërtuar brenda vijës kufizuese të ndërtimit qe i përket Bashkisë së Tiranës të miratuar me vendimin nr.3, datë 18.12.2004 të KRRTRSH dhe leja e ndërtimit lëshuar nga Komuna Dajt për këtë objekt është absolutisht e pavlefshme, në kushtet që kjo Komunë nuk ka pasur kompetencë territoriale dhe funksionale për të miratuar lejen e ndërtimit në favor të palës paditëse.
11. Ky Kolegj çmon fillimisht të sqarojë se referuar të drejtës tonë administrative (neni 116/b i K.Pr.Administrative), është e vërtetë që akti i nxjerrë nga një organ administrativ në kapërcim të kompetencave të tij është absolutisht i pavlefshëm, por për të vlerësuar nëse jemi përpara një situate të tille, është detyrim për gjykatën të hetojë dhe sqarojë faktin se ku qëndron mungesa e kompetencës së organit administrative për një vendimmarrje të caktuar.
12. Mosmarrëveshja objekt shqyrtimi në thelb ka të bëjë me ligjshmërinë e ndërtimit qe po kryen paditësi si dhe kompetencave qe ka ana e paditur për kontrollin e kësaj ligjshmërie. Në kuptim të nenit 45 të Ligjit nr.8405/1998, çdo subjekt, person fizik e juridik, vendas ose i huaj që do të ndërtojë në territorin e Republikës së Shqipërisë duhet të pajiset me leje ndërtimi. I njëjti ligj parashikon shprehimisht dhe tagrat e organeve kompetente për dhënien e lejeve të ndërtimit. Çdo organ i pushtetit vendor është kompetent për dhënien e lejeve të shesheve të ndërtimit dhe lejeve të ndërtimit për çdo ndërtim që kryhet brenda territorit nën juridiksionin e tyre, duke respektuar studimet urbanistike, master-planet, planet e rregulluese vendore të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit te Territorit, KRRT të Këshillit të Qarkut ose KRRT e Bashkisë apo Komunës (neni 3 dhe 4 i Ligjit nr.8405/1998). Në nenin 3 të Ligjit nr.8405/1998 thuhet shprehimisht se: “Organet e qeverisjes vendore janë administruese të territorit që ndodhet nën juridiksionin e tyre, në përputhje me kompetencat e përcaktuara me ligj. Me qëllim që të përmirësohen kushtet e jetesës, të administrohet territori mbi baza ligjore, të sigurohet mbrojtja e mjedisit, të ruhet ekuilibri në zhvillimin e zonave urbane dhe rurale dhe të përmirësohen kushtet ekzistuese, organet e qeverisjes vendore harmonizojnë vendimet e tyre, duke respektuar reciprokisht autonominë lokale”.
13. Në analizë të sa më sipër rezulton qe ligji specifik rregullon si kompetencën lëndore në veprimtarinë e ndërtimit, pra çfarë lloj vendimmarrje kanë organet kompetente, ashtu dhe kompetencën tokësore për këtë lloj veprimtarie, (e thënë më qartë me një shembull: nëse KRRT e Këshillit të Qarkut Tiranë, ka kompetencë lëndore për të miratuar një studim urbanistik që shtrihet në territorin e disa komunave që janë në kufi me tjetrën, secila Komunë ka të drejtë të japë lejet e ndërtimit për çdo ndërtim që do zhvillohet në territorin që administratën ajo duke u bazuar në studimin e miratuar prej KRRT së Qarkut. Kufijtë administrativo territoriale nën juridiksionin e çdo njësie te pushtetit vendor përcaktohen shprehimisht me ligj, (neni 108/2 i Kushtetutës së R.Shqipërisë). Konkretisht, kufijtë administrativë territoriale të Komunës Dajt përcaktohen në Ligjin nr.8653, date 31.07.2000 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. Në varësi të sqarimit të faktit se cili është organi kompetent për të dhënë lejen e ndërtimit, do të jetë e qartë se cili nga inspektoratet ndërtimore ka kompetencë për kontrollin e ndërtimit dhe për të kuptuar nëse akti administrativ nr.4269, date 30. 04 .2010 i palës së paditur INU Bashkia Tiranë është apo jo absolutisht i pavlefshëm.
14. Kjo për arsye se ne Ligjin nr.9780, datë 16.07.2007 “Për Inspektimin e Ndërtimit” në nenin 3 parashikohet shprehimisht se:
“Kontrolli e zbatimi i ligjshmërisë dhe i standardeve teknike në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës kryhet nga:
1.1. Inspektorati ndërtimor e urbanistik i bashkisë/komunës.
2.2. Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar.
Inspektorati ndërtimor e urbanistik ngrihet në nivel qarku, në përputhje me nenet 6, 7 dhe 18 të këtij ligji”. Pra bashkia dhe komuna kane secila inspektoratin e vet (që do thotë se Bashkia Tiranë dhe Komuna Dajt kanë secila një organ te posaçëm për inspektimin e ndërtimit). Përgjegjësitë dhe detyrat e këtyre Inspektorateve jepen në nenin 4 dhe 5 të njëjtit ligj, ku shprehimisht thuhet: “Neni 4 - Pranë çdo bashkie/komune ngrihet inspektorati ndërtimor e urbanistik, i cili, nëpërmjet kryeinspektorit e inspektorëve, ushtron përgjegjësinë e kontrollit dhe zbatimit të ligjshmërisë e të standardeve teknike në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës dhe ato të parashikuara shprehimisht në ligje të tjera, brenda territorit administrativ të bashkisë/komunës...”. “Neni 5 - Gjatë ushtrimit të përgjegjësive të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji, inspektorati ndërtimor e urbanistik i bashkisë/komunës merr masat e mëposhtme:
a) vendos përmbushjen e detyrimeve ligjore në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës;
b) vendos gjoba sipas llojit të shkeljeve të dispozitave ligjore në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës; ...
ç) vendos pezullimin e punimeve në ndërtim në rastin kur një afat kohor paraprak është i nevojshëm për marrjen e vendimit për përmbushjen e detyrimeve ligjore në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës;
d) vendos prishjen e ndërtimit të kundërligjshëm; etj”.
Pra në kuptim të sa më sipër, detyrat e inspektorateve të ndërtimit janë të lidhura me një territor të caktuar.
15. Rezulton nga aktet që ndodhen në dosjen gjyqësore dhe që janë marrë në shqyrtim nga gjykatat më të ulta, që këto të fundit pa realizuar një hetim te plote dhe te gjithanshëm, duke u bazuar në një akt ekspertimi që përmban kundërshti në tekstin dhe përmbajtjen e tij dhe që nuk sqaron shume çështje te cilat paraqiten me poshtë ne ketë vendim, kane marre te mirëqene faktin qe ndërtimi është brenda territorit të Komunës Dajt dhe kjo e fundit ka qene kompetente për dhënien e akteve ligjore për realizimin e ndërtimit.
16. Pavarësisht se Gjykata e Larte si gjykate ligji nuk merret me analizën e provave ajo nuk mund te qëndroje indiferente kur konstaton se prova baze mbi të cilën janë mbështetur gjykatat me te ulta është e paqarte, konfuze dhe kontradiktore. Sa me sipër bën qe vendimet e këtyre gjykatave te jene te pambështetura ne prova duke mos respektuar në ketë mënyre nenin 18 të K.Pr.Civile. Rezulton se eksperti ne përgjigjen e pyetjes se pare që i ka drejtuar gjykata është përgjigjur se ndërtimi i palës paditëse është kryer ne territorin e fshatit Linzë që i përket Komunës Dajt; ndërsa në përgjigjen e pyetjes së dytë eksperti shprehet se ndërtimi është brenda vijës kufizuese të qytetit Tiranë sipas vendimit të KRRTRSH nr.3/2004, (fq. 53 e dosjes gjyqësore);
17. Pra përveçse nga akti i ekspertimit nuk del saktë se kujt i takon territori ku është kryer ndërtimi i palës paditëse, për të caktuar kompetencën territoriale të organit që ka të drejtë të japë lejet e ndërtimit për palën paditëse, ky akt ka dukshëm një kontradiktë në përgjigjet që jep eksperti, çka tregon qartë mungesën e një hetimi të plotë e të gjithanshëm që duhej të kishin kryer gjykatat në respektim të dispozitave procedurale. Të dyja gjykatat, në çështjen objekt gjykimi, kishin gjithashtu detyrim që në bazë të nenit 224 të K.Pr.Civile të kërkonin të dhëna nga organet kompetente në lidhje me çështjet që trajtohen më sipër, me qëllim zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të çështjes. Nuk rezulton që gjykatat më të ulëta të kenë administruar në dosjen gjyqësore vendimin nr.3, datë 18.12.2004 të KRRTRSH apo vendimin e Këshillit të Rregullimit te Territorit te Këshillit të Qarkut Tirane nr.48 dt.27.06.2008.
18. Ne analize te sa me sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon se nga ana e te dyja gjykatave me te ulëta nuk është hetuar dhe nuk i është dhëne përgjigje disa çështjeve thelbësore që do të ndikonin ne zgjidhjen përfundimtare dhe te drejte të konfliktit midis palëve ndërgjyqese si: (i) ndërtimi i palës paditëse shtrihet në territorin administrativ nën juridiksionin e Komunës Dajt apo Bashkisë Tiranë; (ii) Çfarë përfaqëson vija kufizuese e ndërtimit e miratuar me vendimin nr.3, datë 18.12.2004 të KRRTRSH? Kush ka kompetencë territoriale të japë leje ndërtimi brenda kësaj vije kufizuese? iii) a është ndërtimi i palës paditëse brenda kësaj vije kufizuese apo jashtë saj? iv) a pozicionet ndërtimi i palës paditëse brenda studimit Urbanistik te Lagjes Qesarake me sipërfaqe prej rreth 131 ha miratuar me kërkesë të Komunës Dajt me vendimin e Këshillit të Rregullimit te Territorit te Këshillit të Qarkut Tirane nr.48, dt. 27.06.2008? Ky Kolegj vlerëson si të domosdoshme hetimin dhe sqarimin e çështjeve të mësipërme, si dhe çështje te tjera te cilat mund ti ngrejë vete gjykata e apelit administrativ apo palët , ne mënyre qe te përcaktohej qarte dhe përfundimisht nëse janë apo jo te vlefshme lejet e dhëna në favor të paditësit nga ana e KRRT Komuna Dajt, (vendim nr.204, dt.11/02/2010 i KRRT e Komunës Dajt) dhe nëse është apo jo kompetente ana e paditur qe te ushtrohen kompetencat e saj .
19. Për sa me sipër ky Kolegj vlerëson se hetimi dhe përgjigjet që duhet t’i jepen çështjeve që parashtrohen më sipër në këtë vendim janë determinante në zgjidhjen e konfliktit mes palëve si dhe ne aplikimin e drejte te Ligjit nr.8405/1998 dhe dispozitave ligjore për inspektimin e ndërtimit. Vetëm pasi te jete hetuar dhe vërtetuar sa më sipër do te analizohet nëse jemi apo jo përpara kushteve te nenit 116/b të K.Pr.Administrative për të konstatuar absolutisht të pavlefshëm vendimin e INU Bashkia Tiranë nr.4269, date 30.04.2010 për prishjen e objektit të palës paditëse.
20. Përfundimisht për një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare të çështjes, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet prishur dhe në referim të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe Dekretit nr.7818, datë 16.11.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, çështja duhet të dërgohet për rigjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
21. Në rigjykim, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë duhet të përsërisë hetimin gjyqësor ne baze te nenit 465 te K.Pr.Civile ku parashikohet “Ne shqyrtimin e çështjes ne gjykatën e apelit mbahen parasysh për aq sa janë te zbatueshme dispozitat mbi procedurën e gjykimit ne shkalle te pare”, ne mënyre qe t’i japë përgjigje kërkimeve te palës paditëse dhe prapësimeve të palës së paditur të ngritura në këtë gjykim (neni 225 i K.Pr.Civile) si dhe të sqarojë pyetjet që ngrihen në pikën 18 të këtij vendimi. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon se sqarimi i këtyre çështjeve, si dhe te tjerave që mund t’i lindin Gjykatës së Apelit Administrativ do të ndihmonte gjykatën në zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të mosmarrëveshjes objekt gjykimi. Gjithashtu, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, në bazë të nenit 224 të K.Pr.Civile duhet të kërkojë të dhëna nga organet kompetente në lidhje me çështjet që trajtohen më sipër, me qëllim zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të çështjes.
22. Kjo Gjykatë do t’u bëjë të qartë palëve që është detyrë e secilës prej tyre, që në përputhje me ligjin të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Palët ashtu siç kanë të drejta kanë dhe detyrime që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara me ligj. Gjykata duhet të lejojë palët që të paraqesin prova shkresore me anën e të cilave ato të provojnë pretendimet e tyre bazuar në nenin 12 dhe 19 të K.Pr.Civile dhe t’i lejojë palët që t’ia nënshtrojnë këto prova hetimit e debatit gjyqësor. Kryerja e veprimeve të përmendura më sipër si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive lidhur me zgjidhjen e çështjes.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O SI
Prishjen e vendimit nr.1352, datë 31.05.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 25.11.2015
Nr. 31001-00643-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3909 i Vendimit (638)
Do'stlaringiz bilan baham: |