VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Evelina Qirjako Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Medi Bici Anëtar
me datë 25.11.2015 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen administrative, që iu përket palëve ndërgjyqëse të mëposhtme:
PADITËS: SHOQËRIA “IMPRESA COSTRUZIONI GIUSEPPE MALTAURO” S.P.A, përfaqësuar në gjyq nga Av. Olion Kaso.
I PADITUR: MINISTRIA TRANSPORTIT DHE INFRASTRUKTURËS (ish-M.P.P.T.T), përfaqësuar në gjyq nga Av. Shtetit Abaz Deda.
AUTORITETI RRUGOR SHQIPTAR (ish-D.P.Rrugëve), përfaqësuar në gjyq nga Av. Shtetit Abaz Deda.
Me pjesëmarrjen e Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit, përfaqësuar në gjyq nga Av. Shtetit Abaz Deda.
OBJEKTI:
Detyrimin e palës së paditur të shpërblejë paditësin për dëmin e pësuar,
humbjet pasurore, si dhe fitimin e munguar, në kuadrin e ndërtimit
dhe rehabilitimit të Rrugës Lushnjë-Fier, në vlerën 10.479.678,64 euro
plus interesat e llogaritura mbi këtë shumë.
Baza Ligjore: Nenet 420, 422, 455, 476, 479, 480 e vijues, 608 e vijues,
640, 655 e vijues, 686 dhe 92/a dhe vijues, 690 e vijues, 80 e vijues
dhe 850 e vijues të K.Civil,
ligji nr.7971, datë 26.07.1995 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar,
neni 674, paragrafi i parë, 675 të K.Civil
dhe nenet 16, 31, 32, 153 e vijues të K.Pr.Civile,
K.Civil i R.SH, miratuar me ligjin nr.7850, datë 29.07.1994,
ligji nr.8438, datë 28.12.1998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.3169, datë 03.04.2012 ka vendosur:
Pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë.
Detyrimin e palës së paditur Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit t’i paguajë palës paditëse Shoqëria “Impresa Costruzioni Giuseppe MALTAURO” S.p.a shumën prej 6.079.536 Euro.
Rrëzimin e kërkesëpadisë për pjesën tjetër të saj.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2611, datë 06.11.2012, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.3169, datë 03.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të ketë paraqitur rekurs Avokatura e Shtetit, e cila kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.2611, datë 06.11.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit nr.3169, datë 03.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe rrëzimin e kërkesëpadisë.
Shkaqet që Avokatura e Shtetit paraqet në rekurs, janë:
-
Vendimet e gjykatave janë të pambështetura në prova dhe në ligj.
-
Siç konstatohet nga dispozitivi i vendimit gjykata ia ka ngarkuar detyrimin për shpërblimin e dëmit dhe fitimin e munguar vetëm MPPT pavarësisht faktit se edhe nëse do të ekzistonte një detyrim ai duhej të ishte detyrim solidar për të dy subjektet e paditura, MPPT dhe DPRR.
-
Trupi gjykues në qëndrimin haptas të njëanshëm të mbajtur gjatë gjithë procesit në mungesë profesionalizmi apo mos dashjes për të qenë aktiv lejoi në mënyrë të qëllimshme dhe të paprecedentë kryerjen e ekspertimit nga grupi i ekspertëve, duke pasur në dispozicion vetëm provat e palës paditëse dhe duke mos u vënë në dispozicion provat e palës së paditur pavarësisht se kjo e fundit i kishte depozituar ato në seancë gjyqësore.
-
Gjatë gjykimit të kësaj çështjeje nga ana e DPRR është kërkuar përjashtimi i ekspertëve për njëanshmëri. Edhe pse u provua gjatë gjykimit se akti i ekspertimit ishte në kundërshtim me kontratën e lidhur ndërmjet palëve, kushtet dhe afatet e përcaktuara në të, ekspertët kanë përcaktuar si kohëzgjatje të kontratës një afat të ndryshëm nga ai i përcaktuar ndërmjet palëve. Për këtë arsye gjykata për të siguruar një gjykim të paanshëm të çështjes duhet të kishte pranuar kërkesën e DPRR për një ekspertim të ri.
-
Në lidhje me ditët joproduktive, nënvizojmë faktin se ditët e vonesave kanë ardhur për faj të njëanshëm të palës sipërmarrëse dhe pala porositëse nuk mund të mbajë përgjegjësi për to. Largësia e madhe e marrjes së materialeve duhet të merrej parasysh që në fillim prej sipërmarrësit, pasi në dokumentacionin paraprak të tenderit ishin sanksionuar kushtet paraprake të ofertës nga Autoriteti Kontraktor.
-
Nuk mund të pretendojë pala paditëse kosto shtesë për kushtet e papërshtatshme natyrore me shi dhe për ditët pasardhëse që nuk mund të punohej për shkak të lagështirës së krijuar në trasenë e punimeve.
-
Akti i ekspertimit ka deformuar realitetin, duke anashkaluar gjithë faktorët objektiv dhe subjektiv që çuan në ditët jo produktive dhe kostot shtesë për paditësin. Ekspertët e thirrur nga gjykata janë mjaftuar thjeshtë me përllogaritjet matematikore, duke iu referuar kërkimit të paditësit pa trajtuar faktorët objektiv dhe subjektiv që sollën ditët jo produktive dhe kostot shtesë. Qëndrimi i tyre është haptazi i njëanshëm, karshi provave dhe si i tillë nuk duhet te merret në konsideratë.
-
Pala paditëse nuk paraqiti asnjë provë nga ana teknike ku të mbështesë pretendimet se projekti i rrugës ka qenë tërësisht i papërshtatshëm dhe i pazbatueshëm dhe se variantet e miratuara janë ato që me insistim janë kërkuar të zbatohen nga pala paditëse.
-
Vonesat në stabilizimin me çimento të përzier për shtresën përfundimtare të rrugës, kanë ardhur për shkak të mungesës së organizimit të punës të palës paditëse. Modifikimet e bëra e të pranuara nga të dyja palët, nuk kanë qenë të domosdoshme deri në atë pikë sa të mendohet se pa to objekti nuk mund të ndërtohej, pasi rruga mund të ndërtohej edhe bazuar në projektin origjinal dhe vonesat në ekzekutimin e këtyre modifikimeve janë pasojë e veprimeve të palës paditëse sipërmarrëse.
-
Vonesat që shkaktoi paditësi në përgatitjen e hollësishme të raportit të propozuar, kurrsesi nuk mund t’i ngarkohen palës së paditur, për më tepër se teknikisht puna për ndërtimin e urave ishte tërësisht e pavarur. Urat nuk janë bërë pengesë për realizimin e punimeve të tjera të veprës edhe pse mund të jetë miratuar me vonesë.
-
Lidhur me pretendimin e palës paditëse për drenazhimin e trafikndarësit, se vonesa e miratimit i ka sjellë kosto shtesë, nuk qëndron për arsye se këtë propozimin për ndryshim në kontratë e solli pala paditëse dhe jo pala e paditur.
-
Pala paditëse ka patur mungesë organizimi në kantier për shkak se kishte llogaritur që materialet do të prodhoheshin në kantier, por për shkak të dështimit në këtë drejtim u detyrua që materialet ti sillte agregat nga importi.
-
Lidhur me pretendimin e mungesës së procedurave të shpronësimit dhe pengesa të tjera, është i pabazuar për arsye se shpronësimet nuk kanë shkaktuar mangësi dhe shtyrje në kryerjen e punimeve kontraktore. Në procedurën e shpronësimeve ka patur probleme për shkak të mangësive në dokumentacion nga qytetarët por jo në të gjithë gjatësinë e rrugës dhe jo me shtratin e rrugës ku ishin punimet bazë, por jashtë rrugës dhe kanë të bëjnë më shumë me infrastrukturën e veprës. Fenomeni i “shpronësimeve” është ekzagjeruar së tepërmi për të fshehur problemet e vërteta që ka pasur kontraktori në lidhje me organizimin e punimeve dhe marrëdhëniet problematike me nënkontraktorët.
-
Lidhur me kostot për shkak të rritjes së çmimeve të parashikuara në përputhje me nenin 862 të K.Civil, ky pretendim nuk qëndron për arsye se kjo dispozitë mund të gjente zbatim vetëm në rast se nuk do të ishte parashikuar në kontratë ndonjë klauzolë në lidhje me këtë kërkim të paditësit. Sipas kontratës është parashikuar shprehimisht se nuk mund të ketë rishikim të çmimeve nga palët.
-
Në kontratat e shërbimit publik nuk mund të kërkohet fitimi i munguar.
-
Lidhur me shpërblimin e dëmit për kosto shtesë për ribërjen e disa pjesëve të rrugës dhe ndreqjen e pjesëve të dëmtuara, ky pretendim është i pabazuar në ligj për arsye se në bazë të kontratës neni 12 dhe neni 53.2 i Kushtet e Përgjithshme të Kontratës, administrata tenderuese nuk i detyrohet për kostot që ka patur sipërmarrësi në kryerjen e këtyre punimeve.
-
Në lidhje me kostot shtesë për shkak të kredisë bankare, sqarojmë se nuk provohet që kredia e marrë të ketë pasur për qëllim aktivitetin e saj në lidhje me objektin e gjykimit.
-
Pala paditëse nuk provoi në gjykim pretendimin e saj se pala e paditur me veprimet e saj të kundërligjshme dhe me faj i ka shkaktuar dëm dhe nuk provoi lidhjen shkakësore ndërmjet dëmit të shkaktuar dhe veprimit të paligjshëm.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Medi Bici; përfaqësuesin e Avokaturës së Shtetit Abaz Deda, i cili kërkoi ndryshimin e vendimeve dhe rrëzimin e kërkesëpadisë; përfaqësuesin e palës paditëse Av. Oljon Kaso, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së apelit, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 29.01.2013 është regjistruar çështja administrative nr.11243-00239-00-2013 regj. them, që u përket palëve ndërgjyqëse: paditëse Shoqëria “Impresa Costruzioni Giuseppe Maltauro” S.p.a dhe të paditur Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës e Autoriteti Rrugor Shqiptar, me objekt: Detyrimin e palës së paditur të shpërblejë paditësin për dëmin e pësuar, humbjet pasurore, si dhe fitimin e munguar, në kuadrin e ndërtimit dhe rehabilitimit të Rrugës Lushnjë-Fier, në vlerën 10.479.678,64 Euro plus interesat e llogaritura mbi këtë shumë.
2. Vendimi nr.2611, datë 06.11.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë është rrjedhojë e një hetimi jo të plotë dhe të gjithanshëm gjyqësor, i cili është në kundërshtim me kërkesat e nenit 14 të K.Pr.Civile, prandaj si i tillë ai duhet të prishet nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim, pranë Gjykatës Administrative të Apelit.
I. Rrethanat e çështjes:
3. Shoqëria “Impresa Costruzioni Giuseppe Maltauro” S.p.a është një shoqëri aksionere italiane, e regjistruar si person juridik me datë 19.02.1996, fakt ky që rezulton i provuar nga çertifikata e regjistrimit e datës 09.09.2009 e Dhomës së Tregëtisë Industrisë Artizanale dhe Agrikulturës Viçenza Itali, me objekt të aktivitetit të saj tregëtar, ndërtimin, restaurimin, mirëmbajtjen e rrugëve, autostradave, urave, linjave hekurudhore, etj. Kohëzgjatja e aktivitetit të saj është deri në datë 31.12.2050. Si shoqëri, ajo ka patur nën kontrollin e saj (duke zotëruar aksionet e kuotat) edhe shoqëritë: “Delma” Sh.a, dhe “Impresa Ingg. Gagliardi-Chiodoni-Bianchi” Sh.p.k. Që prej datës 01.01.2008 këto dy shoqëri janë shkrirë dhe janë përthithur nëpërmjet korporatizimit nga Shoqëria “Impresa Costruzioni Giuseppe Maltauro” S.p.a.
4. Me ligjin nr.9342, datë 10.02.2005 është ratifikuar marrëveshja financiare e lidhur me datë 25.02.2004 ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, për financimin e programit për ndërtimin e segmentit rrugor Lushnjë-Fier dhe mbikëqyrjen e punimeve për dy segmente rrugore Lushnjë-Fier e Fier-Vlorë, financim ky në vlerën 24.350.000, 00 Euro i dhënë në formën e një kredie financiare.
5. Sipas dokumentacionit të garës, procedura e prokurimit për ndërtimin e segmentit të sipërcituar është drejtuar nga Ministria e Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit dhe është zhvilluar bazuar në Manualin e Procedurave të miratuar nga Komisioni Europian “Kontratat e shërbimeve, furnizimeve dhe punëve në kuadrin e bashkëpunimit Komunitar (shtetet e B.E-së) me vendet e treta (vendet jashtë B.E-së)”, me datën 23.12.2002.
6. Me datë 20.12.2004, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit e Republikës së Shqipërisë ka shpallur tenderin për realizimin e punimeve publike për ndërtimin dhe përmirësimin e segmentit rrugor Lushnjë-Fier prej rreth 22 km, pjesë e Korridorit të VIII, mbarë Europian. Ky projekt është financuar nga kredia e dhënë nga Qeveria Italiane për Qeverinë Shqiptare, e përmendur më sipër. Duke qenë kjo një kredi e dhënë nga ana e Qeverisë Italiane me një qëllim të posaçëm, dokumentacioni i tenderit ka kufizuar pjesëmarrjen në garë vetëm të shoqërive italiane apo grupimeve të tyre.
7. Fondi limit i shpallur nga pala e paditur ka qenë 22.300.000 Euro dhe është bazuar në projektin ekzekutiv të kryer nga Studio “Lotti & Accosiati”, projekt i cili është aprovuar nga të gjitha entet kompetente shqiptare (siç tregohet edhe në faqen e parë të kontratës së lidhur midis palëve) dhe është përfshirë në dokumentacionin e tenderit.
8. Pas përfundimit të procedurave të prokurimit, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i ngritur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, ka shpallur fitues të garës bashkimin provizor të Shoqërive “Impresa Costruzioni Giuseppe Maltauro” S.p.a dhe “Delma” S.p.a.
9. Në datën 01.11.2005 ndërmjet Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të Republikës së Shqipërisë si porositës, dhe bashkimit provizor të Shoqërive “Impresa Costruzioni Giuseppe Maltauro” S.p.a dhe “Delma” S.p.a si sipërmarrës, është lidhur Kontrata e Shërbimit për Sipërmarrje Punimesh, me objekt kryerjen e punimeve për realizimin e veprave të nevojshme për shtimin e rrugës Lushnjë-Fier, me një gjatësi prej rreth 22 km1.
10. Në nenin 4 është përcaktuar vlera e kontratës prej 17.545.255, 32 Euro, nga e cila 557.000 Euro është detyrimi i sigurimit (ose 3.2787 %). Në pikën 2 të të cilit përcaktohet se kontrata është hartuar me përpikëri dhe nuk është subjekt i asnjë revizioni çmimesh.
11. Sipas nenit 7 të kontratës marrja në dorëzim e punimeve do të bëhej brenda 180 ditëve nga dita e nënshkrimit (datë 01.11.2005) dhe kohëzgjatja parashikohej të ishte 24 muaj nga data e procesverbalit të marrjes në dorëzim të punimeve. Referuar shkresës së datës 24.03.2006 të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, data e fillimit të punimeve është përcaktuar me datë 27.03.2006. Si rrjedhojë, dita e përfundimit të kontratës është me datë 26.03.2008.
12. Palët kanë përcaktuar në kontratë të drejtat dhe detyrimet përkatëse, kushtet e zgjidhjes së kontratës, penalitetet e mundshme në rast vonesash, zgjidhjet për mosmarrëveshjet. Procedura e ndjekur në këtë prokurim publik është standarde, sipas kritereve të vendosura nga Manuali i Procedurave të Komisionit Evropian.
13. Nga palët janë nënshkruar më pas si pjesë integrale e kësaj kontrate edhe pesë adendume (Shtojcë-Kontratat) dhe 17 Variante Teknike të shoqëruara me shpjegimet përkatëse, të cilat kanë qenë rrjedhojë e rrethanave të mëvonshme që dolën gjatë ekzekutimit të kontratës fillestare.
14. Më konkretisht amendimet kontraktuale janë si më poshtë: Amendimi kontraktual nr.1, përcakton:
Me propozim të Autoritetit Kontraktorit “Maltauro” S.p.a dhe miratim të Administratës Tenderuese (MPPTT dhe DPRR) janë bërë ndryshime në variantin fillestar të kontratës në këto zëra punimesh:
-
Ndryshimi teknik nr.1, parashikon:
Stabilizimi me gëlqere i terrenit natyral, duke zëvendësuar punimet e parashikuara nga aneksi B1 dhe B3. Ky ndryshim teknik është nënshkruar dhe miratuar rregullisht nga kontraktuesi Maltauro S.p.a dhe nga DPRR, si autoriteti kontraktor.
Nga varianti fillestar palët kanë bërë modifikime, duke zëvendësuar shtresën e bazamentit të parashikuar për tu ndërtuar me bazament guri, duke e zëvendësuar atë me stabilizant gëlqere.
Brenda këtij modifikimi janë përfshirë analiza e çmimeve të reja, shënime të përgjithshme teknike, mbi normat për të aplikuar, vizatimet shpjeguese mbi zonat ku do të kryhen punimet e reja, si dhe dokumentacioni teknik i vënë në dispozicion nga kontraktori.
-
Ndryshimi teknik nr.2, parashikon:
Zëvendësimi i tumbinove të parashikuara në kontratën fillestare me tumbino llamarine sipas standardeve të reja në këto lloj punimesh.
Në përputhje me nenin 33 “Ndryshime dhe modifikime” të kontratës fillestare Autoriteti Tenderues autorizon shoqërinë të zëvendësojë tumbinot e parashikuara në kontratën fillestare me tumbino llamarine. Vlera ekonomike e këtij ndryshimi është vlerësuar sipas tabelës në fq. 4 të aneksit nr.1. Ky ndryshim nuk çon në shtyrjen e afateve të parashikuara nga kontrata fillestare për realizimin e punimeve.
Diferenca e çmimeve nga zërat e rinj të punimeve është 9.342,77 Euro.
Ky ndryshim teknik është nënshkruar rregullisht nga palët e kontratës dhe nga drejtuesi i punimeve pa kontestime.
15. Amendamenti Kontraktual nr.2, përfshin variantet e ndryshimeve teknike si vijon:
-
Ndryshimi teknik nr.3. “Ndryshime te veçanta teknike”.
Është një ndryshim që disiplinon dhe vë rregull në disa mospërputhje të veçanta. Ky variant nuk sjell ndryshim të kostove sipas shënimit në amendimin e kontratës dhe është nënshkruar rregullisht nga palët me vullnet të lirë e të pavesuar.
Konkretisht në volumin 3 të Kapitullit teknik pjesa “specifika të përgjithshme teknike” fq. 21 tab. 3.1 parashikohet ndryshimi në analizat granulometrike të materialit sipas metodave Proctor dhe CBR, të cilat janë ekuivalente në vlera ekonomike, por ka ndryshime vetëm në metodologjinë e realizimit të provës. Ky ndryshim nuk çon në zgjatjen e afatit të parashikuar në kontratë dhe është nënshkruar rregullisht nga të gjitha palët.
-
Ndryshimi teknik nr.4. “Realizimi mbrojtjes së tubit të gazit në km 1 +110 krahu B”.
Për të mbrojtur tubin e gazit në km 1 + 110 që nuk ishte parashikuar në kontratë, në krahun B të autostradës me propozim të kontraktorit është parashikuar të futet një tub tjetër për të mbrojtur atë ekzistuesin, në bazë të normave të sigurisë, të parashikuara për këtë lloj strukture.
Ky ndryshim nuk çon në zgjatjen e afatit kohor të parashikuar në kontratë për realizimin e punimeve shtesë. Autoriteti tenderues e ka aprovuar propozimin teknik për zëvendësimin e tumbinove. Kostoja ekonomike shtesë e këtij ndryshimi është vlerësuar rreth 40.009,57 Euro. Ky amendim është nënshkruar rregullisht nga palët pa kontestime.
-
Ndryshimi teknik nr.5. “Ndryshimi pjesës fundore të krahut B të autostradës dhe eliminimi i Rrethrrotullimit të Fierit”.
Fundi projektit Lushnjë-Fier nuk përputhej me fillimin e projektit Vlorë-Fier.
Duke qenë se projektuesi i Rrugës Fier-Vlorë ka studiuar një rrugëkalim më të mirë që impononte një ndryshim të pikës fillestare të Rrugës Lushnjë-Fier, si rrjedhim bëri që të ndryshonte pjesa fundore e segmentit të kësaj rruge. Njëkohësisht rreth-rrotullimi Fierit bën pjesë tek projekti Fier-Vlorë dhe është anulluar nga projekti Lushnjë-Fier.
Vlera ekonomike e këtij ndryshimi është vlerësuar në shumën 165.629,95 Euro.
Ky ndryshim nuk shkakton zgjatjen e afatit kohor parashikuar në kontratë për realizimin e punimeve.
DPRr e ka aprovuar propozimin teknik të ndryshimit të pjesës fundore të pjesë B dhe eliminimin e rreth-rrotullimit të Fierit me vendimin e datës 12.10.2006.
-
Ndryshimi teknik nr.6. “Struktura shtesë”.
Gjatë realizimit të punimeve ka pasur disa kërkesa nga autoritetet vendore që kërkuan struktura shtesë që nuk ishin parashikuar në projekt, të cilat lehtësonin kalimin në disa fshatra ku kalonte rruga ose përqark tyre. Këto kërkesa janë marrë në konsideratë nga drejtuesit e punimeve, i cili ia propozoi Autoritetit Tenderues që e aprovoi. Zyrtarizimi i këtij amendimi ishte i domosdoshëm.
Ndryshimi ekonomik i këtij amendimi është vlerësuar me kosto shtesë 151.306,80 Euro më shumë nga ai fillestar.
Shtesa e shpenzimeve prej 151.306,80 Euro është mbuluar nga kursimi në amendamentin nr.1 që ishte në vlerë 153.453,21 Euro, duke ngelur ende një kursim në vlerë prej 2146, 41 Euro. (Kjo është parashikuar shprehimisht në germën b të amendamentit nr.2 , në fq. 2 të tij.). Ky amendim është përgatitur në përputhje me nenin 33.8 të “Kushteve të Përgjithshme të Kontratës” dhe është nënshkruar pa kontestime nga palët kontraktore.
16. Amendamenti Kontraktual nr.3, përfshin ndryshimet teknike si vijon:
-
Ndryshimi teknik nr.7. “Ndryshimi i dyshemesë së rrugës me prezantimin e përzierjes me çimento”.
Ky është një ndryshim që me shpenzime të pakta shtesë ofron një jetëgjatësi më të madhe të rrugës nga ajo e llogaritur në fillim të saj, 3 herë më jetëgjatë nga varianti i llogaritur në projektin fillestar. Vlera ekonomike e këtij ndryshimi është vlerësuar 189.457,78 Euro dhe çka është e rëndësishme nuk shkakton kohëzgjatje të kontratës për realizimin e punimeve.
DPRR e ka aprovuar propozim teknik të Autoritetit kontraktor “Maltauro” Spa me vendimin dt 27.03.2007. Ky ndryshim është miratuar rregullisht nga palët.
-
Ndryshimi teknik nr.8. “Ndryshimi i nivelimit vertikal të rrugës në krahun B”.
U verifikua gjatë punimeve se, duke ulur nivelimin në një pjesë të krahut B eliminohen shpenzimet shtesë që lidhen me kushtet jo të mira të terrenit që do të kërkonin studime shtesë të punimeve gjeoteknike, të cilat nuk ishin parashikuar në projekt. Duke ulur nivelimin kishte një kursim të madh në kontratë. Vlera ekonomike e këtij ndryshimi është vlerësuar në shumën 418.201,11 Euro. Ky ndryshim është parashikuar të sjellë zgjatje të afatit kohor të kontratës.
DPRR, pasi ka marrë propozimin nga drejtuesi i punimeve për të ndryshuar nivelimin e një pjese të krahut dhe si rrjedhim të disa strukturave ka aprovuar propozimin me vendimin e datës 20.04.2007. Ky ndryshim kontrate është nënshkruar rregullisht nga palët kontraktore.
-
Ndryshimi teknik nr.9. “Struktura të ndryshme shtesë”.
Gjatë realizimit të projektit lindi nevoja për ndryshime pas kërkesave të autoriteteve lokale, që kërkuan përmirësimin e projektit.
Ndryshimi ekonomik i këtij amendimi sipas pikave më sipër 7, 8, 9 është vlerësuar në vlerën 79.021, 87 Euro. (Kursimi shpenzimeve në krahasim me vlerën fillestare).
Amendimi aktual është bërë konform nenit 33.8 “Kushte të Përgjithshme të Kontratës”.
Ky amendim sipas pikës “c” është nënshkruar rregullisht nga palët kontraktore.
Vlera ekonomike e këtij ndryshimi është vlerësuar në shumën 149.721,46 Euro. Ky ndryshim nuk shkakton zgjatje të afatit kohor të kontratës për realizimin e punimeve. DPRR, pasi ka marrë propozimin e autoriteteve lokale dhe të drejtuesve të punimeve ka aprovuar strukturën shtesë me vendimin e datë 12.12.2006 dhe 20.04.2007.
Amendimi është nënshkruar rregullisht nga palët.
17. Amendamenti Kontraktual nr.4, përfshin si vijon:
Sipas pikës 5 të këtij amendimi të kontratës, kohëzgjatja e zbatimit të punimeve shtyhet për 90 ditë kalendarike të pandërprera nga ajo fillestare, duke shtyrë përfundimin e punimeve për në datën 24 Qershor të vitit 2008.
Amendimi i kontratës është bërë në përputhje me nenin 33.8 të “Kushteve të Përgjithshme të kontratës fillestare” pas propozimit që ka bërë kontraktori.
Në datën 14 shtator 2007 Kontraktori ka rikujtuar pikën 50 të “kushteve të kontratës” dhe kërkonte rishikim kushtesh në një sërë pikash, kryesisht për zgjatjen e afatit të punimeve për 202 ditë, të azhornuara më vonë në 235 ditë.
Propozimi Autoritetit kontraktor Maltauro Spa është studiuar nga supervizori punimeve dhe më pas i ka kaluar për miratim administratës, e cila referuar artikullit 50.4 të Kushteve të Përgjithshme të Kontratës ka vendosur ti japë atij 90 ditë afat shtyrje në kohë nga afati fillestar. Rrjedhimisht dita e fundit e kontratës për përfundimin e punimeve ishte data 24 Qershor 2008.
Amendimi kontratës është miratuar nga palët dhe është nënshkruar rregullisht prej tyre.
18. Amendamenti Kontraktual nr.5, përcakton si vijon:
Me propozim të palës së paditur (Administratës Tenderuese) palët nënshkruan këtë amendim të që parashikon këto klauzola shtesë:
Punime ndërtimi të aksit rrugor Lushnjë-Fier, në lidhje me Fly Over ose të quajtura ndryshe kryqëzimet funksionale (ose “ura mbikalimi”), të parashikuara në projektin e rrugëve dytësore, të cilat në një moment të dytë qeveria shqiptare do ti bëjë funksionale.
Mbikalimet rrugore dytësore janë 3 dhe korrespondojnë me;
-
km 1+ 915 (fshati Savër-Lushnjë),
-
km 1 + 547 (kryqëzimi tek Pushimi shoferit),
-
km 9 + 365 (fshati Rrapës)
Është parashikuar gjithashtu ndërtimi i 5 mbikalimeve të këmbësorëve, të cilat do të bëheshin funksionale menjëherë dhe do të shfrytëzoheshin nga popullata lokale për të shmangur rrezikun që shkaktonte kalimi përmes autostradës.
Ndryshimin e kohëzgjatjes së kontratës me shtyrjen e mbarimit të punimeve 24 muaj + 11 muaj, duke filluar nga 27 Mars 2006, por vetëm me 8 muaj kosto shtesë të përgjithshme të paguar.
Varianti ekonomik i prodhuar nga mendimi fundit, por edhe nga 3 variantet e mëparshme (që përbëjnë në total 5 amendimet e kontratës fillestare) është vlerësuar ne shumën 2.166.479,44 + 87.167,22 + 88.942,97 = 2.342.589,63 Euro (tejkalim shpenzimesh në krahasim me shumën fillestare të kontratës).
Qëndrojnë të pandryshuara kushtet e tjera të kontratës.
Ky amendim është bërë në përputhje me pikën 33.7 dhe 33.8 të Kushteve të Përgjithshme të Kontratës dhe është nënshkruar rregullisht pa vërejtje nga palët.
Në këtë amendament kontrate sipas pikës 33.7 në lidhje me detyrimin e pestë i është kushtuar kujdes i veçantë punëve vijuese shtesë që janë;
-
Lidhja me km 0 (zero) deri në rotondon ekzistuese të Lushnjës, rezultoi me një kosto shtesë ndërlidhje me vlerë 88.942,97 Euro.
-
Punë të ndryshme shtesë.
Në këto punime shtesë janë të përmbledhura në 3 mbikalimet e cituara më sipër si dhe të një sërë punimesh që kanë lindur të nevojshme, por që nuk ishin parashikuar në projektin fillestar.
Punimet shtesë janë përqendruar në realizimin e ndërlidhjes mes krahut B dhe C përfshirë edhe spostimin e linjës elektrike, të kabullit të fibrës optike në krahun A me pronar Albtelekom, ndërhyrje në sigurinë e veprës, si dhe ndërtimi e bazamenteve me beton në të cilat janë vendosur Guardrail-et në afërsi të strukturave me beton.
Vlera e të gjitha këtyre punimeve shtesë të parashikuara është e barasvlefshme me 2.166.479,44 Euro.
-
Kompensimi i kostove të përgjithshme.
Punimet shtesë të parashikuara më sipër duhet të realizohen brenda fundit të Shkurtit të vitit 2009 dhe duhet të përfundonin së bashku me guardarelat. Kontraktuesit i jepet një kompensim i kostove të përgjithshme sipas përmbledhjes mujore për periudhën Korrik 2008-Shkurt 2009 për një total prej 8 muajsh shtesë. Kostoja e përgjithshme e kompensimit rezulton të jetë 87.167,22 Euro. Totali i përgjithshëm që kontraktori përfiton është 2.342.589 Euro.
Do'stlaringiz bilan baham: |