V Ë R E N -
Rrethanat e çështjes:
1. Paditësi, Dega e Shoqërisë së Huaj Porr Bau GmbH”, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me padi duke paditur Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Tirane, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe Drejtorinë e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë se Përgjithshme të Tatimeve Tiranë, me objekt: “Anullimin e Njoftim Vlerësimit për Detyrimet Tatimore nr.20132/4 prot, datë 09.01.2012 të Drejtorisë Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj. Si dhe anullimin e Vendimit nr.2524/5 prot, date 06.06.2012, te Drejtorisë t Apelimit Tatimor, pranë Drejtorisë se Përgjithshme te Tatimeve Tirane”, sipas Neneve 153-156, 324 e ne vazhdim te Kodit te Procedurës Civile te Republikës se Shqipërisë, Neneve 49, 50, 68, 69, p, 83, 106-109 etj, 124 te ligjit nr.9920, dt.19.05.2008 dhe Udhëzimit të Ministrit te Financave nr.24, dt.02.09.2008, i ndryshuar. Nenet 15, 36, 5 të ligjit nr.7928, dt.27.04.1995, i ndryshuar dhe Udhëzimit të Ministrit Financave nr.17, dt.13.05.2008 i ndryshuar. Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, ndërmjet Republikës se Shqipërisë dhe Komuniteteve Europiane dhe shteteve te tyre anëtare, ratifikuar me ligjin nr.9590, dt.27.07.2006 (MSA), Marrëveshjes për Shmangien e Tatimit të dyfishte mbi të ardhurat dhe Kapitalin midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës se Austrisë.
Pala paditëse rezulton e regjistruar në QKR në formën ligjore Degë e Shoqërisë se Huaj dhe me objekt të aktivitetit të saj “Punime në fushën e inxhinierisë civile dhe biznese të lidhura me të në territorin e Shqipërisë, përfshi punime rrugore dhe hekurudhore, tunele, ndërtim i centraleve te prodhimit te energjisë dhe punime te lidhura me to, inxhinieri hidraulike, ndërtim kanali dhe kanalizime, punime ndërtimi nëntokësore, ndërtimin e linjave te shërbimeve komunale dhe ndërtimin urave.”
Bazuar në autorizimin për kryerje kontrolli tatimor (Vizitë fiskale) nr.20132 prot, datë 04.11.2011, pranë paditësit është ushtruar kontroll nga organet tatimore, me objekt identifikimin e pasurive të paluajtshme për të cilat shoqëria ka përfituar furnizime shërbimesh nga persona jorezidentë për periudhën 01.01.2010-31.10.2011, në zbatim të ligjit për TVSH dhe për procedurat tatimore.
Në përfundim të kontrollit pala e paditur Drejtoria Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj, ka përpiluar Raport Kontrollin, sipas të cilit ka rezultuar se paditësi, gjate periudhës 2010-2011, ka kryer punime për zbatimin e projektit të ndërtimit të hidrocentralit të Ashtës, sipas kontratës së datës 18.12.2009 me shoqërinë “Energji Ashta”.
Për këtë qëllim pala paditëse ka përfituar shërbime të ofruara nga subjektet jo-rezidente ne Shqipëri përfshire dhe shoqërinë “Porr Bau GmbH” Austri. Sipas Raport Kontrollit të palës së paditur, për të gjitha shërbimet e përfituara nga subjektet jorezidente në Shqipëri, pala paditëse ka zbatuar skemën e autofaturimit (reverse change) në zbatim të ligjit për TVSH, neni 15, pika 5. Të gjitha autofaturat janë raportuar njëkohësisht në blerje dhe shitje të tatueshme në librat përkatës dhe rubrikat në FDP-të respektive. Po sipas Raport Kontrollit, për të gjitha shërbimet e dokumentuara, subjektet që kanë kryer shërbime nuk kanë emëruar përfaqësuesin e tyre tatimor në Shqipëri për efekt tvsh-je në zbatim të kërkesave të ligjit për TVSH, neni 15 pika 2, neni 55 si dhe Udhëzimit të MF nr.17/2008 dalë në zbatim të ligjit. Sipas raport kontrollit, në mungesë të përmbushjes së këtij detyrimi, përfituesi i shërbimit, pra paditësi, ka detyrimin që të kryejë rolin e përfaqësuesit tatimor në Shqipëri duke paguar TVSH-në.
Pala paditëse pasi është njoftuar mbi Raport kontrollin, ka paraqitur kundërshtimet pranë Drejtorisë së Kontrollit Tatimor. Në vijim pala e paditur ka nxjerre Aktin Administrativ, Njoftim-Vlerësimi tatimor nr.20132/4 prot, date 09.01.2012, sipas së cilit janë përcaktuar detyrimet tatimore TVSH te paditësit Dega e “Porr Bau GmbH” plus gjobë për moslëshim fature tatimore, gjithsej ne vlerën 353.287.176 Lekë.
Paditësi duke mos qenë dakord me këtë akt administrativ të nxjerrë nga i padituri, ka ndjekur rrugën ligjore të ankimit administrativ, duke u ankuar brenda afateve ligjore ne Drejtorinë e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë.
Pala e paditur Drejtoria e Apelimit Tatimor me Vendimin nr.2524/5 prot, datë 06.06.2012, ka lënë në fuqi Njoftim Vlerësimin e mësipërm të Njësisë së Tatimpaguese të Mëdhenj Tiranë.
Në këto kushte paditësi i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me padinë objekt gjykimi.
-
Vendimi dhe arsyetimi i gjykatës:
2. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tirane, me vendimin nr.12643, datë 20.12.2012 ka vendosur:
Rrëzimin e padisë si të pambështetur në ligj e në prova
Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës paditëse.
Kundër vendimit ka paraqitur ankim pala paditëse Dega e Shoqërisë së Huaj “Porr Bau GmbH”, duke kërkuar ndryshimin e vendimit dhe pranimin e padisë.
3. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1500, datë 25.06.2013, ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit nr.12643, datë 20.12.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe duke e gjykuar çështjen në fakt:
Pranimin e padisë. Anullimin e njoftimit të vlerësimit për detyrimet tatimore nr.20132/4 prot, datë 09.01.2012, të Drejtorisë Rajonale Tatimore, Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj dhe të vendimit nr.2524/5 prot, datë 06.06.2012, të Drejtorisë së Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë i Përgjithshme të Tatimeve Tiranë.
Me arsyetimin:
Gjykata e Apelit Tiranë çmon se vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë duhet te ndryshohet për këto arsye:
Me padinë objekt gjykimi pala paditëse kërkon anullimin e aktit administrativ Njoftim Vlerësimin Tatimor nr.20132/4 prot, date 09.01.2012, të Drejtorisë Rajonale Tatimore të Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë, si dhe anullimin e vendimit të Drejtorisë së Apelimit Tatimor nr.2524/5 prot, datë 06.06.2012.
U provua në gjykim se nga organet tatimore është ushtruar kontroll pranë paditësit, për periudhën 01.01.2010-31.10.2011, lidhur me zbatimin e ligjit për TVSH. Në përfundim të kontrollit pala e paditur DRT NJTM, ka nxjerre një Akt njoftim-vlerësim tatimor nr.20132/4 prot, date 09.01.2012, sipas së cilit janë përcaktuar detyrimet tatimore te paditësit Dega e “Porr Bau GmbH” ne vlerën 353.287.176 Lekë. Sipas Njoftim vlerësimit paditësi nuk ka respektuar nenin 15/2 dhe nenin 55, të Ligjit për TVSH- në sipas të cilit shoqëritë jo rezidente që kanë ofruar shërbime për pasuri të paluajtshme në Shqipëri me paditësin kanë pasur detyrimin që të caktojnë një përfaqësues tatimor në Shqipëri. Në mungesë të përmbushjes së këtij detyrimi, përfituesi i shërbimit, pra paditësi, ka detyrimin që të kryejë rolin e përfaqësuesit tatimor në Shqipëri duke paguar TVSH-në.
U provua së paditësi ka ankimuar aktin administrativ në Drejtorinë e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tirane, e cila në përfundim të shqyrtimit të ankesës, me Vendimin nr.2524/5 prot, datë 06.06.2012 ka lënë në fuqi Njoftim Vlerësimin e mësipërm të Njësisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë.
Në mbështetje të pretendimeve të palëve, provave të marra në gjykim dhe dispozitave ligjore në fuqi, Gjykata e Apelit Tiranë çmon se padia e paditësit është e mbështetur në prova dhe në ligj dhe duhet te pranohet për këto arsye:
Gjykata e Apelit Tiranë vëren se në rastin konkret, pala paditëse është vlerësuar nga ana e palëve të paditura si shkelëse e nenit 15/2, të ligjit nr.7928, date 27.04.1995 “Për TVSH-në” ku parashikohet se “Furnizimi i shërbimeve në lidhje me pasurinë e paluajtshme kryhet atje ku gjendet pasuria e paluajtshme.” Objekti që ka marrë përsipër të ndërtojë pala paditëse ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe gjatë viteve 2010-2011, pala paditëse ka përfituar shërbime për këtë objekt nga subjekte jo-rezidente.
Rrjedhimisht furnizimet janë konsideruar nga administrata tatimore si shërbime të dhëna në Shqipëri, për të cilat zbatohet legjislacioni shqiptar, sipas të cilit shërbimet e dhëna në lidhje me pasurinë e paluajtshme do të jepen nga persona që kanë regjistruar paraprakisht përfaqësuesin tatimor, për efekt të pagimit të TVSH-së. Pra pala paditëse është ndëshkuar për shkak të moscaktimit të përfaqësuesit tatimor nga ana e ofruesit të këtyre shërbimeve e cila është një subjekt jo rezident në territorin e RSH, dhe në bazë të nenit 55, të ligjit për TVSH, në mungesë të emërimit të një përfaqësuesi tatimor të gjitha detyrimet dhe penalitetet për to paguhen nga përfituesi vendas i furnizimit.
Gjykata e Apelit Tiranë çmon se pala paditëse e ka zbatuar drejt skemën e autofaturimit në zbatim të nenit 15 pika 5 të ligjit 7928/1995"Për TVSH-në" , i ndryshuar, si dhe Udhëzimit nr.17, datë 13.05.2008 të Ministrit të Financave dalë në zbatim të ligjit. Kështu sipas udhëzimit nr.17, datë 13.05.2008 të Ministrisë së Financave, dalë në zbatim të ligjit. Kështu sipas udhëzimit nr.17, datë 13.05.2008, të Ministrit të Financave, përcaktimi i vendit të furnizimit të shërbimeve ka rëndësi për faktin që ai ka impakt në aplikimin e TVSH në raportet tregtare ndërkombëtare. Për të analizuar vendin e kryerjes së shërbimeve analiza bëhet e veçantë rast pas rasti. Rregullat mbi përcaktimin e vendit për furnizimin e shërbimeve janë të përcaktuara në nenin 15, të ligjit për TVSH, paragrafet 1-5.
Sipas këtij udhëzimi, paragrafi 1 përcakton një vend bazë dhe në parim sipas tij, vendi është atje ku shërbimet jepen, pra ku ndodhin realisht, kryhen nga furnizuesit. Ky rregull mund të përdoret atëherë kur në paragrafët 2-5 nuk është rregulluar asgjë e veçantë. Për këtë arsye, për përcaktimin e vendit për një furnizim shërbimi duhen kontrolluar fillimisht pararagrafet 2-5 njëherazi. Vetëm nëqoftëse këto përcaktime nuk mund të përdoren atëherë zbatohet përcaktimi i vendit sipas pikës 1.
Pra nëpërmjet këtij akti nënligjor është parashikuar rregulli (pika 1 e nenit 15) dhe përjashtimet (pikat 2-5 të nenit 15) në funksion të përcaktimit të vendit për një furnizim shërbimi.
Në rastin konkret kemi të bëjmë me një shërbim të ofruar nga një jo-rezident, dhe të përfituar nga një rezident (paditësi) lidhur me një pasuri të paluajtshme që ndodhet në Shqipëri.
Gjykata e Apelit Tiranë çmon se administrata tatimore nuk e ka kryer verifikimin një për një dhe njëherësh të kushteve të parashikuara në pikat 2-5 të nenit 15 të ligjit për TVSH, pasi duke iu referuar si kriter vetëm vendndodhjes së pasurisë së paluajtshme (pika 2), nuk ka pasur në vëmendje pikën 5, sipas së cilës rezidenti (paditësi) që ka përfituar shërbimin nga jo-rezidenti konsiderohet sikur të ketë bërë furnizimin në Shqipëri si pjesë të veprimtarisë së tij.
Paditësi duke marrë parasysh faktin se ofruesi i shërbimit (jo-rezidenti) nuk e kishte caktuar një përfaqësues tatimor në Shqipëri, ka përdorur për efekt të llogaritjes së TVSH-së, sistemin e autofaturimit, vlefshmëria e të cilit nuk është vënë në diskutim nga pala e paditur.
Në raport kontrollin që shoqëron vlerësimin tatimor si për periudhën fiskale 2010 ashtu edhe për periudhën 2011, pala e paditur është shprehur se “Dega Porr” për të gjitha shërbimet të kryera nga jo-rezidentë ka zbatuar skemën e autofaturimit... të gjitha faturat janë raportuar njëkohësisht në blerje dhe shitje të tatueshme në librat përkatës dhe rubrikat e FDPve respektive”. Sipas kërkesave të pikës 5, të nenit 15, të ligjit për TVSH, kjo do të thotë se Dega Porr ka deklaruar në mënyrë të saktë TVSH në lidhje me blerjet nga jo-rezidentët.
Në Udhëzimin e Ministrit të Financave nr.17, datë 13.05.2008, situata konkrete është pasqyruar edhe në shembullin e pikës 6.2, sipas të cilit në rastin kur persona jorezidentë furnizojnë në Shqipëri shërbime të cilat janë subjekt i TVSH dhe këta persona nuk kanë vend fiks biznesi në Shqipëri, atëherë është përfituesi i shërbimit, nëpërmjet skemës së autofaturimit që merr përsipër pagimin e TVSH-së.
Aplikimi i kësaj skeme nuk sjell asnjë efekt në sasinë e mbledhjes së të ardhurave nga TVSH-ja, në krahasim me rastin e emërimit të një përfaqësuesi tatimor nga personi jorezident, pra nuk ka efekt në detyrimin përfundimtar të subjektit “Dega Porr” ndaj organeve tatimore.
Pra sa më lart, Gjykata e Apelit Tiranë çmon se paditësi ka aplikuar drejt skemën e autofaturimit sipas ligjit. Në rastin kur aplikohet pika 5, e nenit 15, të ligjit për TVSH, nëpërmjet skemës së autofaturimit, personi i tatueshëm për shërbimet e marra nga jo-rezidentët që nuk kanë vend të veprimtarisë ekonomike në Shqipëri është vetë përfituesi i shërbimit.
Në këtë rast pika 1 e nenit 15, nuk aplikohet sepse përndryshe do të duhej të faturohej dy herë për të njëjtin shërbim dhe të paguhej dy herë i njëjti detyrim tatimor.
Në këtë rast paditësi si përfitues i shërbimit, i cili është regjistruar si subjekt i TVSH, e ka përmbushur detyrimin për faturimin e të gjithë shërbimeve të kryera nga jo- rezidentët, siç kanë pohuar edhe vetë palët e paditura. Në këtë kuptim organet tatimore kanë vepruar në kundërshtim me ligjin në përllogaritjen e detyrimit tatimor dhe gjobitjen e tatimpaguesit, pasi nuk jemi as para rastit të moslëshimit të faturës tatimore me TVSH (fatura tatimore është lëshuar në mënyrë të rregullt nga përfituesi i shërbimit që është paditësi) dhe as mosdeklarim, sepse deklarimi është bërë në mënyrë të rregullt. Prandaj aplikimi i nenit 124 të ligjit nr.9920/2008 “Për procedurat Tatimore në RSH”, është i pabazuar dhe në kundërshtim me provat dhe faktet e rezultuara gjatë këtij gjykimi.
Gjithashtu vlen të theksohet se fakti që përfituesi i shërbimit (paditësi) është degë e ofruesit të shërbimit jo-rezident, degë e cila është regjistruar rregullisht sipas legjislacionit shqiptar, e përjashton ofruesin e shërbimit jo-rezident nga detyrimi për të emëruar një përfaqësues tatimor në RSH.
Gjykata e Apelit Tiranë çmon se organet tatimore nuk e kanë vlerësuar drejt mekanizmin e autofaturimit të aplikuar nga pala paditëse, pasi ka rezultuar e provuar se përfituesi i shërbimeve, paditësi në këtë gjykim, ka paguar të gjitha detyrimet edhe në emër të jorezidentit nëpërmjet autofaturimit dhe nuk ka lindur asnjë detyrim tatimor shtesë për shkak të aplikimit të kësaj skeme.
Në këto kushte pala e paditur me aktet administrative objekt gjykimi ka penalizuar padrejtësisht palën paditëse, duke nxjerrë aktet administrative në mënyrë abuzive dhe në kundërshtim me ligjin.
E rëndësishme këtu, është fakti që, sipas pohimeve dhe të vetë palës së paditur dhe Avokaturës së Shtetit, rezultoi i provuar fakti që aplikimi i autofaturimit, i parashikuar në nenin 15 pika 5 të ligjit për TVSH, si dhe aplikimi i faturimit te TVSH duke patur një përfaqësues tatimor të regjistruar, nuk sjell shmangien e shoqërisë nga pagesa e detyrimit të TVSH-së.
Pra me pak fjalë, si në aplikimin e autofaturimit ashtu dhe emërimin e një përfaqësuesi tatimor, nuk ka shmangie të pagimit të detyrimit të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe shteti nuk ka asnjë humbje financiare.
Pikërisht shkresa e Ministrisë së Financave nr.1401 prot., datë 24.06.2012, parashikon qartë këtë fakt kur shprehet se, në rastin kur një person jo rezident kryen aktivitetin e tij ekonomik në Shqipëri nëpërmjet një Selie të Përhershme në Shqipëri, konkretisht degë, atëherë ky person nuk ka detyrimin e caktimit të një përfaqësuesi tatimor për efekt TVSH për shërbimet që i kryen degës në funksion të aktivitetit të tij ekonomik.
Gjithashtu nga shpjegimet e palëve të paditura në gjykim, rezultoi se i vetmi efekt që ka aplikimi i skemës së autofaturimit në krahasim me emërimin e një përfaqësuesi tatimor, është efekti kohë, që do të thotë se, me aplikimin e skemës së autofaturimit nuk shmangej pagimi i TVSH, por kjo e fundit do të derdhej më vonë në kohë në buxhetin e shtetit.
Ndërsa prezenca e një përfaqësuesi tatimor bën që TVSH të derdhet menjëherë në buxhetin e shtetit. Pra del qartë se aplikimi i skemës së autofaturimit nuk ka efekt në detyrimin përfundimtar të subjektit “Dega Porr" ndaj organeve tatimore.
Prandaj kërkesa për emërimin e një përfaqësuesi tatimor apo aplikimi i penaliteteve për moslëshim apo mosdeklarim të faturës tatimore nuk është i drejtë në rastin konkret kur shoqëria përfituese e shërbimit ka aplikuar vetëfaturimin, pasi subjekti tatimpagues do të penalizohej në mënyrë të padrejtë për një detyrimin tatimor për TVSH që është deklaruar, në masë të plotë, duke sjellë si pasojë ngarkimin e këtij subjekti dy herë të njëjtin detyrim tatimor. Si rrjedhim Gjykata e Apelit Tiranë çmon këto akte duhet te anullohen.
Për sa më lart Gjykata e Apelit Tiranë çmon se për shkaqet e parashtruara në ankim nga pala paditëse, vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duhet të ndryshohet duke u pranuar padia e palës paditëse.
III. Ligji i zbatueshëm:
4. Nenet 153-156, 324 e në vazhdim të Kodit të Procedurës Civile të Republikës se Shqipërisë, Nenet 49, 50, 68, 69, 75, 83, 106-109 etj, 124, të ligjit nr.9920, dt.19.05.2008 dhe Udhëzimi i Ministrit të Financave nr.24, dt.02.09.2008 i ndryshuar. Nenet 15, 36, 55 të ligjit nr.7928, dt.27.04.1995 i ndryshuar dhe Udhëzimit të Ministrit të Financave nr.17, dt.13.05.2008, i ndryshuar.
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
5. Vendimi nr.1500, datë 25.06.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet lënë në fuqi, si një vendim i mbështetur ligjërisht.
6. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, është gjykata kompetente për shqyrtimin e kësaj çështjeje gjyqësore. Në pikën a), të nenit 7, të Ligjit nr.49/2012, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” përcaktohet se janë në kompetencë të gjykatës administrative …….. “mosmarrëveshjet që lindin nga aktet administrative individuale, aktet nënligjore normative dhe kontratat administrative publike, të nxjerra gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative nga organi publik”.
7. Nga shqyrtimi i akteve të dosjes gjyqësore, rezulton se, “Nga organet tatimore është ushtruar kontroll pranë paditësit, për periudhën 01.01.2010-31.10.2011, lidhur me zbatimin e ligjit për TVSH. Në përfundim të kontrollit pala e paditur DRT NJTM, ka nxjerre një Akt njoftim-vlerësim tatimor nr.20132/4 prot. datë 09.01.2012, sipas së cilit janë përcaktuar detyrimet tatimore te paditësit Dega e “Porr Bau GmbH” në vlerën 353.287.176 Lekë. Sipas Njoftim vlerësimit paditësi nuk ka respektuar nenin 15/2 dhe nenin 55, të Ligjit për TVSH- ne sipas të cilit shoqëritë jo rezidente që kanë ofruar shërbime për pasuri te paluajtshme në Shqipëri me paditësin kanë pasur detyrimin që të caktojnë një përfaqësues tatimor në Shqipëri. Në mungesë të përmbushjes së këtij detyrimi, përfituesi i shërbimit, pra paditësi, ka detyrimin që të kryejë rolin e përfaqësuesit tatimor në Shqipëri duke paguar TVSH-në. Paditësi ka ankimuar aktin administrativ në Drejtorinë e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë, e cila në përfundim të shqyrtimit të ankesës, me Vendimin nr.2524/5 prot. date 06.06.2012, ka lënë në fuqi Njoftim Vlerësimin e mësipërm të Njësisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë”.
8. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, konstaton se pala paditëse është vlerësuar nga ana e palëve të paditura si shkelëse e nenit 15/2 të ligjit nr.7928, datë 27.04.1995 “Për TVSH-ne” ku parashikohet se “Furnizimi i shërbimeve në lidhje me pasurinë e paluajtshme kryhet atje ku gjendet pasuria e paluajtshme”. Objekti që ka marrë përsipër të ndërtojë pala paditëse ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe gjatë viteve 2010-2011, pala paditëse ka përfituar shërbime për këtë objekt nga subjekte jo-rezidente. Rrjedhimisht furnizimet janë konsideruar nga administrata tatimore si shërbime të dhëna në Shqipëri, për të cilat zbatohet legjislacioni shqiptar, sipas të cilit shërbimet e dhëna në lidhje me pasurinë e paluajtshme do të jepen nga persona që kanë regjistruar paraprakisht përfaqësuesin tatimor, për efekt të pagimit të TVSH-së. Pra pala paditëse është ndëshkuar për shkak të moscaktimit të përfaqësuesit tatimor nga ana e ofruesit të këtyre shërbimeve e cila është një subjekt jo rezident në territorin e RSH, dhe në bazë të nenit 55 të ligjit për TVSH, në mungesë të emërimit të një përfaqësuesi tatimor të gjitha detyrimet dhe penalitetet për to paguhen nga përfituesi vendas i furnizimit.
9. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon se pala paditëse e ka zbatuar drejt skemën e autofaturimit në zbatim të nenit 15, pika 5, të ligjit 7928/1995 “Për TVSH-në” , i ndryshuar, si dhe Udhëzimit nr.17, datë 13.05.2008 të Ministrit të Financave dalë në zbatim të ligjit. Kështu sipas udhëzimit nr.17, datë 13.05.2008 të Ministrisë së Financave, përcaktimi i vendit të furnizimit të shërbimeve, ka rëndësi për faktin që ai ka impakt në aplikimin e TVSH në raportet tregtare ndërkombëtare. Për të analizuar vendin e kryerjes së shërbimeve, analiza behet e veçantë rast pas rasti. Rregullat mbi përcaktimin e vendit për furnizimin e shërbimeve, janë të përcaktuara në nenin 15, të ligjit për TVSH, paragrafet 1-5. Sipas këtij udhëzimi, paragrafi 1, përcakton një vend bazë dhe në parim sipas tij, vendi është atje ku shërbimet jepen, pra ku ndodhin realisht, kryhen nga furnizuesit. Ky rregull mund të përdoret atëherë kur në paragrafet 2-5, nuk është rregulluar asgjë e veçantë. Për këtë arsye, për përcaktimin e vendit për një furnizim shërbimi, duhen kontrolluar fillimisht paragrafet 2-5, njëherazi. Vetëm nëqoftëse këto përcaktime, nuk mund të përdoren, atëherë zbatohet përcaktimi i vendit sipas pikës 1. Pra nëpërmjet këtij akti nënligjor është parashikuar rregulli (pika 1 e nenit 15) dhe përjashtimet (pikat 2-5 të nenit 15) në funksion të përcaktimit të vendit për një furnizim shërbimi. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një shërbim të ofruar nga një jo-rezident, dhe të përfituar nga një rezident (paditësi) lidhur me një pasuri të paluajtshme që ndodhet në Shqipëri.
10. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon se administrata tatimore nuk e ka kryer verifikimin një për një dhe njëherësh të kushteve të parashikuara në pikat 2-5, të nenit 15, të ligjit për TVSH, pasi duke iu referuar si kriter vetëm vendndodhjes së pasurisë së paluajtshme (pika 2), nuk ka pasur në vëmendje pikën 5, sipas së cilës rezidenti (paditësi) që ka përfituar shërbimin nga jo-rezidenti konsiderohet sikur të ketë bërë furnizimin në Shqipëri, si pjesë të veprimtarisë së tij. Paditësi duke marrë parasysh faktin se ofruesi i shërbimit (jo-rezidenti) nuk e kishte caktuar një përfaqësues tatimor në Shqipëri, ka përdorur për efekt të llogaritjes së TVSH-së sistemin e autofaturimit, vlefshmëria e të cilit nuk është vënë në diskutim nga pala e paditur. Në raport kontrollin që shoqëron vlerësimin tatimor, si për periudhën fiskale 2010 ashtu edhe për periudhën 2011, pala e paditur është shprehur se “Dega Porr” për të gjitha shërbimet të kryera nga jo-rezidentë ka zbatuar skemën e autofaturimit... të gjitha faturat janë raportuar njëkohësisht në blerje dhe shitje të tatueshme në librat përkatës dhe rubrikat e FDP-ve respektive”. Sipas kërkesave të pikës 5, të nenit 15, të ligjit për TVSH, kjo do të thotë se Dega Porr ka deklaruar në mënyrë të saktë TVSH në lidhje me blerjet nga jo-rezidentët.
Në Udhëzimin e Ministrit të Financave nr.17, datë 13.05.2008 situata konkrete është pasqyruar edhe në shembullin e pikës 6.2, sipas të cilit në rastin kur persona jorezidentë furnizojnë në Shqipëri shërbime të cilat janë subjekt i TVSH dhe këta persona nuk kanë vend fiks biznesi në Shqipëri, atëherë është përfituesi i shërbimit, nëpërmjet skemës së autofaturimit që merr përsipër pagimin e TVSH-së. Aplikimi i kësaj skeme nuk sjell asnjë efekt në sasinë e mbledhjes së të ardhurave nga TVSH-ja, në krahasim me rastin e emërimit të një përfaqësuesi tatimor nga personi jorezident, pra nuk ka efekt në detyrimin përfundimtar të subjektit “Dega Porr” ndaj organeve tatimore.
11. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë sa më lart, çmon se paditësi ka aplikuar drejt skemën e autofaturimit sipas ligjit. Në rastin kur aplikohet pika 5, e nenit 15, të ligjit për TVSH, nëpërmjet skemës së autofaturimit, personi i tatueshëm për shërbimet e marra nga jo-rezidentët, që nuk kanë vend të veprimtarisë ekonomike në Shqipëri, është vetë përfituesi i shërbimit. Në këtë rast pika 1, e nenit 15, nuk aplikohet sepse përndryshe do të duhej të faturohej dy herë për të njëjtin shërbim dhe të paguhej dy herë i njëjti detyrim tatimor. Në këtë rast paditësi si përfitues i shërbimit, i cili është regjistruar si subjekt i TVSH, e ka përmbushur detyrimin për faturimin e të gjithë shërbimeve të kryera nga jo-rezidentët, siç kanë pohuar edhe vetë palët e paditura. Në këtë kuptim organet tatimore kanë vepruar në kundërshtim me ligjin në përllogaritjen e detyrimit tatimor dhe gjobitjen e tatimpaguesit, pasi nuk jemi as para rastit të moslëshimit të faturës tatimore me TVSH (fatura tatimore është lëshuar në mënyrë të rregullt nga përfituesi i shërbimit që është paditësi) dhe as mosdeklarim, sepse deklarimi është bërë në mënyrë të rregullt. Prandaj aplikimi i nenit 124, të ligjit nr.9920/2008 “Për procedurat Tatimore në RSH”, është i pabazuar dhe në kundërshtim me provat dhe faktet e rezultuara gjatë këtij gjykimi.
12. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë referuar nenit 55, të ligjit për TVSH konstaton se përcaktohet qartë se “Kur një person është person i tatueshëm për qëllimet e këtij ligji por nuk ka një vend të veprimtarisë ekonomike, ....në Shqipëri, Ministria e Financave ka të drejtë t’i kërkojë atij të emërojë një person tjetër si përfaqësuesin e tij tatimor.” Pra rezulton qartë se në rastin konkret, subjekti jorezident ofrues i shërbimit në Shqipëri, ka një vend të veprimtarisë ekonomike në Shqipëri nëpërmjet Degës së saj (që është paditësi) dhe Ministria e Financave, e cila është organi kompentent për të përcaktuar se kur duhet caktuar një përfaqësues tatimor, është shprehur qartë se në rastin e paditësit nuk ka lindur nevoja e emërimit të një përfaqësuesi tatimor.
13. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon të drejtë pretendimin e palës paditëse se për sa kohë që sipas legjislacionit shqiptar tatimor dega e një shoqërie shqiptare nuk nevojitet ti lëshojë faturë shoqërisë (selisë së saj qendrore), nuk mundet që pala e paditur të kërkojë detyrimin sipas të cilit dega e një shoqërie të huaj duhet t’i lëshojë faturë selisë qendrore të kësaj shoqërie, kjo pasi vendosja e një e detyrimi të tillë do të binte në kundërshtim edhe me detyrimet që Shqipëria ka marrë në bazë të një marrëveshje Ndërkombëtare siç është ajo e Stabilizim Asocimit (MSA) me Bashkimin Evropian, sipas së cilës me hyrjen në fuqi të saj, Shqipëria garanton trajtim jo më pak të favorshëm të veprimtarisë së filialeve dhe degëve të shoqërive komunitare të vendosura në Shqipëri, në krahasim me trajtimin e akorduar degëve të shoqërive vendase. Në bazë të nenit 116, të Kushtetutës, MSA-ja si marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj, ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të. Prandaj autoritetet tatimore nuk mund ti kërkojnë një degë të një shoqërie të huaj që të lëshojë faturë për shoqërinë (selinë qendrore) për sa kohë që këtë detyrim nuk e kërkojnë njëlloj edhe për një shoqëri vendase.
14. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon se organet tatimore nuk e kanë vlerësuar drejt mekanizmin e autofaturimit të aplikuar nga pala paditëse, pasi ka rezultuar e provuar se përfituesi i shërbimeve, paditësi në këtë gjykim, ka paguar të gjitha detyrimet edhe në emër të jorezidentit nëpërmjet autofaturimit dhe nuk ka lindur asnjë detyrim tatimor shtesë për shkak të aplikimit të kësaj skeme. Në këto kushte pala e paditur me aktet administrative objekt gjykimi, ka penalizuar padrejtësisht palën paditëse, duke nxjerrë aktet administrative në mënyrë abuzive dhe në kundërshtim me ligjin. E rëndësishme këtu, është fakti që, sipas pohimeve dhe të vetë palës së paditur dhe Avokaturës së Shtetit, rezultoi i provuar fakti që aplikimi i autofaturimit, i parashikuar në nenin 15 pika 5 të ligjit për TVSH, si dhe aplikimi i faturimit te TVSH duke patur një përfaqësues tatimor të regjistruar, nuk sjell shmangien e shoqërisë nga pagesa e detyrimit të TVSH-së. Pra me pak fjalë, si në aplikimin e autofaturimit, ashtu dhe emërimin e një përfaqësuesi tatimor, nuk ka shmangie të pagimit të detyrimit të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe shteti nuk ka asnjë humbje financiare. Pikërisht shkresa e Ministrisë së Financave nr.1401 prot., datë 24.06.2012, parashikon qartë këtë fakt kur shprehet se, në rastin kur një person jo rezident kryen aktivitetin e tij ekonomik në Shqipëri nëpërmjet një Selie të Përhershme në Shqipëri, konkretisht degë, atëherë ky person nuk ka detyrimin e caktimit të një përfaqësuesi tatimor për efekt TVSH për shërbimet që i kryen degës në funksion të aktivitetit të tij ekonomik.
15. Nisur nga sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon dhe arrin në përfundimin se vendimi nr.1500, datë 25.06.2013, i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet lënë në fuqi.
Do'stlaringiz bilan baham: |