VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
në datën 26.11.2015, në dhomë këshillimi, mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.00425/2013 akti, që u përket palëve:
PADITËS: GËZIM PUNAVIJA
PALË E PADITUR: DREJTORIA RAJONALE E SIGURIMEVE SHOQËRORE TIRANË
OBJEKTI:
Detyrimin e palës së paditur që të bëjë rillogaritjen e pensionit te parakohshëm
për paditësin, sipas ligjit nr.9210, datë 23.03.2004,
“Për statusin e Ushtarakut te forcave te Armatosura në Republikën e Shqipërisë
dhe ligjit nr.9418 date 20.05.2005 “Për Sigurimin shoqëror Suplementar
te Ushtarakut të Forcave Te armatosura ne Republikën e Shqipërisë”,
duke e njohur atë si masë përfundimtare të pensionit deri sa
të mbushë moshën për pension te plote pleqëri.
Detyrimin e palës së paditur të bëjë kthimin e diferencave të papaguara
si rezultat i llogaritjes së gabuar të pensionit të parakohshëm për Gëzim Punavija,
nga data 01.09.2007 derisa vendimi të marre formë te prerë .
Baza Ligjore: Nenet 32, 153, e vijues te K.Pr.Civile, ligjit nr.8087 datë 13.03.1996
“Për Sigurimin Shoqëror Suplementar te Ushtarakeve
të Forcave të Armatosura t Republikës së Shqipërisë,
neni 6, shkronja a dhe b të ligjit nr.9210 datë 23.03.2004
“Për statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me Vendimin nr.522, datë 27.01.2012, ka vendosur:
Pranimin pjesërisht të padisë.
Detyrimin e palës së paditur, Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, që t’i rillogarisë pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi paditësit Gëzim Punavija, në përputhje me përcaktimet e Nenit 35, pika “1” të Ligjit nr.9210, datë 23.03.2004 “Për Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”,si dhe në përputhje me përcaktimet e Neneve 13 dhe 14 të Ligjit nr.9418, datë 20.05.2005 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar në këtë mënyrë :
a) 50% të pagës referuese mbi të cilin është derdhur kontributi.
b) Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2% të pagës referuese;
Detyrimin e Palës së Paditur Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë që ti paguajë diferencat e dala si rezultat i rillogaritjes së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të paditësit Gëzim Punavija për periudhën nga data 01.09.2007 deri më datë 30.06.2009 në shumën 841.039 (tetëqind e dyzet e një mijë e nëntëqind e tridhjetë e nëntë ) lekë
Rrëzimin e padisë së paditësit Gëzim Punavija për pjesën e kërkimit për detyrimin e palës së paditur Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë për ti paguar diferencat e dala si rezultat i rillogaritjes së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nga data 01.07.2009 dhe në vazhdim.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2130, datë 19.09.2012, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.522, datë 27.01.2012 të Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.2130 datë 19.09.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Vendimi i Gjykatës së Apelit si dhe ai i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, eshte i pambështetur ne ligjin material si dhe ne provat shkresore.
-
Llogaritja e masës se pensionit eshte kryer ne përputhje me nenin 11 te ligjit nr.8087 date 13.03.1996 (ndryshuar ) i cili përcakton se ushtaraket e shërbimit aktiv te qe kane dale ne rezervë pas datës 3.07.1991, deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërisë sipas ligjit 7703/1993, përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur te plotësojnë vjetërsinë e shërbimit ushtarak ne masën 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat dhe të kenë mbushur moshën 42 vjet –gratë dhe 47 vjet burrat.”
-
Përllogaritja e pensionit është dhënë në përputhje me vendimin 9/2007 të Gjykatës Kushtetuese i cili ka shfuqizuar 1, 7, a dhe b dhe 9 te ligjit 9481/2006, ligj ky i cili përcakton masën e pensionit te parakohshëm te ushtarakeve, shprehet se: për ushtaraket te cilët dalin në pension të parakohshëm deri në datën e hyrjes ne fuqi te ligjit te ri, kjo pagese shkon deri në masën e pensionit maksimal te pleqërisë në shkallë vendi e barabartë me dyfishin e pensionit bazë .
-
Pensioni i paditësit duhet ti nënshtrohet rillogaritjes ne përputhje me përcaktimin e nenit 29 te ligjit 10142 /2009 dhe aktet normative qe kane dal për zbatimin e tij.
-
Sa i përket pagimit ët diferencave qe rezultojnë nga data 01.09.2007 për një periudhë më të madhe se 5 vjeçare, theksojmë se e drejta për të kundërshtuar përllogaritjen e masës së pensionit, paditësi mund ta ushtroje ne çdo kohe, por e drejta për të kërkuar pagimin e një detyrimi monetar të papaguar ka një afat parashkrimi prej 3 vitesh, afat i cili rezulton të ketë kaluar dhe si rezultat është parashkruar.
-
Marrëdhënia juridike e krijuar nga njëra pale që mbart detyrimin për njohje dhe caktimin e pagesës së pensionit si institucion publik nuk është përgjegjësi që rrjedh nga kontrata por klasifikohet si dëm jashtëkontraktor. Neni 17 i ligjit 8510 datë 15.07.1999 “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërorë parashikon një afat 3 vjeçar për kërkimin e shpërblimit të dëmit të shkaktuara nga organet e administratës shtetërore.
-
Bëjmë me dije gjykatën se që nga data 01.09.2007 e deri me sot paditësi nuk i është drejtuar asnjë organi administrativ apo gjyqësor ku të pretendoje për te drejtën e tij te shkelur , si rrjedhoje e drejta e tij për te ngritur padi është parashkruar .
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Evelina Qirjako, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Rezulton se paditësi Gëzim Punavija ka shërbyer si oficer aktiv në Repartet e Ministrisë së Mbrojtjes, ku së fundmi ka pasur gradën “Nënkolonel” deri më datë 01.09.2005, datë në të cilën rezulton që të ketë dalë në rezervë me Urdhërin nr.407, datë 02.07.2005 të Ministrit të Mbrojtjes. Sa me sipër provohet nga përmbajtja e vërtetimit për pagën referuese për efekt të përfitimeve nga sigurimet suplementare, të lëshuar nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, i datës 09.03.2009, si dhe nga përmbajtja e vërtetimit të vjetërsisë së shërbimit si ushtarak i shërbimit aktiv të përhershëm, të lëshuar nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, i datës 09.03.2009.
2. Nga përmbajtja e vërtetimit rezulton se paga referuese e paditësit ka qenë 71.600 leke. Nga përmbajtja e vërtetimit të vjetërsisë së shërbimit si ushtarak i shërbimit aktiv të përhershëm, të lëshuar nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, i datës 09.03.2009 rezulton që paditësi Gëzim Punavija ka patur një vjetërsi të përgjithshme si ushtarak në Forcat e Armatosura, një periudhë prej 28 (njëzet e tetë) vite e 3 (tre) muaj e 1 (një) ditë .
3. Rezulton se, në zbatim të Vendimit Për Caktim Pensioni nr.5085, datë 27.03.2009 të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, paditësi Gëzim Punavija, nga data 01.09.2007, është trajtuar me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, në masën 17,300 lekë në muaj ( pas rritjeve te indeksuara ka arritur ne vlerën 19.648 Leke.)
4. Nga llogaritja e kryer nga ana e palës se Paditur DRSSH Tiranë, lidhur me pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi të paditësit Gëzim Punavija, ka rezultuar se pensioni i tij do te ishte në shumën 17,300 lekë, shumë kjo e cila përbëhej nga: Llogaritja qe eshte bere në bazë të Nenit 11/a të Ligjit nr.8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar me Ligjin nr.8521, datë 30.07.1999, 50 % e pagës referuese, mbi të cilën është derdhur kontributi për 15 vite, në masën 35.800 (tridhjete e pesëmijë e tetëqind) lekë, (71.600 x 50%); në bazë të Nenit 11/b të ligjit të sipërcituar, masa e pensionit shtohet me 2 % të pagës referuese, mbi 15 vjet pune. Referuar vjetërsisë së shërbimit prej 30 vitesh (15x2), shumës prej 50 % të pagës referuese rezulton t’i jetë shtuar edhe 30 %, e barabartë me shumën prej 18.616 (tetëmbëdhjetëmijë e gjashtëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekë, (71.600 x 26%).
5. Pala e paditur, ka arsyetuar se paditësi Gëzim Punavija nuk mund të paguhej më shumë se vlera maksimale e pensionit të pleqërisë në shkallë vendi, për këtë arsye vlera e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të paditësit Gëzim Punavija, në datën 01.09.2007, datë në të cilën i kishte lindur e drejta për të përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ishte vlerësuar në shumën 17.300 lekë.
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me Vendimin nr.522, datë 27.01.2012, ka vendosur:
-
Pranimin pjesërisht të padisë.
-
Detyrimin e palës së paditur, Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, që t’i rillogarisë pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi paditësit Gëzim Punavija, në përputhje me përcaktimet e Nenit 35, pika “1” të Ligjit nr.9210, datë 23.03.2004 “Për Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”,si dhe në përputhje me përcaktimet e Neneve 13 dhe 14 të Ligjit nr.9418, datë 20.05.2005 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar në këtë mënyrë :
a) 50% të pagës referuese mbi të cilin është derdhur kontributi.
b) Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2% të pagës referuese;
-
Detyrimin e Palës së Paditur Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë që ti paguajë diferencat e dala si rezultat i rillogaritjes së pensionit të parakohshme për vjetërsi shërbimi të paditësit Gëzim Punavija për periudhën nga data 01.09.2007 deri më datë 30.06.2009 në shumën 841.039 (tetëqind e dyzet e një mijë e nëntëqind e tridhjetë e nëntë) lekë.
-
Rrëzimin e padisë së paditësit Gëzim Punavija për pjesën e kërkimit për detyrimin e palës së paditur Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë për ti paguar diferencat e dala si rezultat i rillogaritjes së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nga data 01.07.2009 dhe në vazhdim.
6/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se:
Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi paditësit Gëzim Punavija nuk rezultonte që t’i ishte llogaritur në përputhje me kërkesat e Nenit 35, pika “1” të Ligjit nr.9210, datë 23.03.2004“Për Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, si dhe në përputhje me kërkesat e Nenit 14 të Ligjit nr.9418, datë 20.05.2005, në kushtet kur pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi që duhet të merrte paditësi Gëzim Punavija, në zbatim të dispozitës të ligjit të sipërcituar, duhet të ishte në shumën 54.416 (pesëdhjetë e katër mije e katërqind e gjashtëmbëdhjetë) lekë,ndërkohë që paditësi Gëzim Punavija kishte përfituar si pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 17.300 (shtatëmbëdhjetëmijë e treqind)
-
Nga përllogaritjet qe ka bere eksperti del se diferencat që rezultonin si rezultat i mosllogaritjes së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të paditësit Gëzim Punavija nga data 01.09.2007, deri më datë 30.06.2009, ishin në shumën 841.939 (tetëqind e dyzet e njëmijë e nëntëqind e tridhjete e nënte) lekë, duke iu referuar për këtë qëllim edhe rritjeve që i ishin bërë pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.
-
Ana e paditur ka gabuar kur ka llogaritur pensionin e paditësit dhe ka marre ne zbatim dispozitat e Ligjit nr.8087, date 13.03.1996 kur ky ligj ishte shfuqizuar me Ligjin nr.9210, date 23.03.2004. Po kështu sipas Nenit 33/2 te Ligjit nr.9418, date 20.05.2005 “Per sigurimet Suplementare te Ushtarakut te Forcave te Armatosura te RSH” del se “Ligji nr.8087, datë 13.03.1996 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë, të Ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit”, i ndryshuar dhe aktet e dala në zbatim të tij, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji nuk do të zbatohen për ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që përfitojnë sipas këtij ligji”.
-
Caktimi si pension i parakohshëm për vjetërsi shërbimi, në masën 17.300 (shtatëmbëdhjetëmijë e treqind) lekë për paditësin Gëzim Punavija, nga ana e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, me pretendimin se paditësi Gëzim Punavija nuk mund të paguhej më shumë se vlera maksimale e pensionit të pleqërisë në shkallë vendi, me te drejte, eshte i pabazuar, në kushtet kur një përcaktim i tillë ligjor ishte shfuqizuar në kohën kur paditësit i ka lindur e drejta e përfitimit te pensionit.
-
Nga ana e palës së paditur nuk rezulton që të jenë zbatuar përcaktimet e Nenit 35, pika “1” të Ligjit nr.9210, datë 23.03.2004 “Për Statusin e Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, si dhe përcaktimet e Neneve 13 dhe 14 të Ligjit nr.9418, datë 20.05.2005 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.
7. Gjykata e Apelit Tirane, me vendimin nr.2130 datë 19.09.2012, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.522, datë 27.01.2012 të Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Tiranë.
7/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar njësoj si Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
8. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.2130 datë 19.09.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë, duke parashtruar shkaqet që citohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
9. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon se, vendimi nr.2130 datë 19.09.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë, është marrë pjesërisht në zbatim të gabuar të ligjit procedurial dhe atij material, e për rrjedhojë, ai duhet të prishet dhe çështja duhet të dërgohet për rigjykim, pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
10. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, të dyja gjykatat më të ulëta në zgjidhjen e çështjes objekt gjykimi, kanë kuptuar dhe interpretuar pjesërisht drejtë dispozitat e ligjës materiale të detyrueshme për t’u zbatuar në zgjidhjen e konfliktit objekt gjykimi dhe për rrjedhojë rezulton qe nuk është zgjidhur përfundimisht konflikti mes palëve .
11. Referuar natyrës juridike të mosmarrëveshjes, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, çështja objekt shqyrtimi përbën një mosmarrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore të krijuar si pasojë e nxjerrjes së akteve administrative të sipërcituara nga ana e paditur. Rezulton se, kërkimet e paditësit në këtë gjykim janë për: “ a) rillogaritjen e pensionit te parakohshëm për paditësin, sipas ligjit 9210, date 23.03.2004, për statusin e Ushtarakut te forcave te Armatosura ne RSh dhe ligjit 948 date 20.05.2005 “Per Sigurimin shoqëror Suplementar te Ushtarakut te Forcave Te armatosura ne RSH, duke e njohur atë si mase përfundimtare te pensionit deri sa te mbushe moshën për pension te plote pleqërie; si dhe b) Detyrimin e palës së paditur të bëjë kthimin e diferencave te papaguara si rezultat i llogaritjes së gabuar të pensionit të parakohshëm, nga data 01.09.2007 derisa vendimi të marrë formë të prerë Pra, paditësi kërkon të përfitojë pensionin e parakohshëm të ushtarakut sipas dispozitave të ligjit të kohës kur i ka lindur kjo e drejtë, masë e cila sipas pretendimeve te paditësit duhet te jete përfundimtare dhe duhet ti paguhet në vazhdimësi edhe pas hyrjes në fuqi të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, si dhe kërkon diferencat e papaguara për periudhën e aplikimit te ligjeve të ndryshme të kohës. Konflikti midis palëve ndërgjyqëse, qëndron në faktin se si do të llogaritet ky pension para hyrjes në fuqi të ligjit të sipërcituar dhe pas hyrjes në fuqi të tij, sa do te jete ai, cila skemë do te zbatohet dhe se sa janë diferencat e pretenduara nga paditësi.
12. Referuar akteve të administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se, paditësit i ka lindur e drejta për t’u trajtuar me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në Forcat e Armatosura, në datën 01.09.2007. Me vendimin nr.5, datë 01.01.1999, DRSSH Tiranë i ka lidhur paditësit pension të parakohshëm në masën prej 17,300 lekë në muaj, të barabartë me pensionin maksimal të pleqërisë në shkallë vendi, i indeksuar sipas viteve. Paditësi me padinë objekt shqyrtimi, ka pretenduar se pala e paditur, e i ka përllogaritur gabim masën e pensionit të parakohshëm, duke i dhënë atij një masë më të vogël nga ajo që parashikonin dispozitat ligjore në fuqi në momentin kur paditësit i ka lindur kjo e drejtë.
13. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon se, në çështjen objekt gjykimi, të dyja gjykatat më të ulëta kanë interpretuar pjesërisht drejtë dispozitat materiale të zbatueshme për zgjidhjen e konflikteve të shtruar për zgjidhje para gjykatës. Paditësit i ka lindur e drejta për përfitim pensioni të parakohshëm të ushtarakut, në datën 01.09.2007, kohë në të cilën, si ligj i zbatueshëm, ka qenë ai nr.9210, date 23.03.2004, “Per statusin e Ushtarakut te forcave te Armatosura ne Republikën e Shqipërisë” efektet e të cilit shtriheshin në kohën në të cilën paditësit i ka lindur e drejta për pension suplementar. Në nenin 35 të këtij ligji të ndryshuar, i titulluar “E drejta për Pension të parakohshëm”, parashikohej se kush ishin subjektet që do të përfitonin nga ky ligj si dhe formula e përcaktimit të pensionit të parakohshëm. Konkretisht në këtë dispozitë parashikohej se: “Oficeret, nënoficerët dhe ushtaret me pagese/profesioniste, me vjetërsi shërbimi ne Forcat e Armatosura 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë, gëzojnë te drejtën e pensionit te parakohshëm për vjetërsi shërbimi ne masën 50 për qind te pagës mujore deri ne plotësimin e kushteve për përfitimin e pensionit te pleqërisë. Për çdo vit tjetër shërbimi mbi kufirin e mësipërm ushtarakut i jepet një shtese pensioni ne masën 2 për qind te pagës mujore. Gjithashtu ligji nr.9418 datë 20.05.2005 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të forcave Te armatosura Të Republikës së Shqipërisë ne nenin 13 dhe 14 te tij parashikon se : Masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se katërfishi i pensionit bazë, sipas përcaktimit të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë"
14. Në analizë të dispozitës ligjore të sipërcituar, rezulton se, pensioni i parakohshëm, paditësit, duhej ti përllogaritej sa shumatorja e: (i) 50% e pagës referuese që ka marrë paditësi, dhe (ii) 2% të pagës referuese, për çdo vit vjetërsi shërbimi mbi 15 vjet. Pra, subjekti paditës, duhej të përfitonte pension në masën që përcaktohej nga formula që parashikonte ligji i zbatueshëm në datën 01.09.2007, dhe jo domosdoshmërisht, sa ka qenë masa e pensionit maksimal në shkallë vendi në këtë datë. Ky ka qenë vullneti i shprehur nga ligjvënësi në atë moment dhe pala e paditur, si dhe çdo organ tjetër shtetëror është e detyruar që ta zbatonte atë. Pikërisht nga ky zbatim i gabuar i ligjës që ka bërë ana e paditur, paditësi nuk ka arritur qe të marre masën e pensionit që atij i takon sipas ligjës duke bërë që të lindë një diferencë ndërmjet pensionit që ai ka marrë de facto me pensionin që ai duhet të merrte. Në këto kushte Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë e gjen me vend dhe të bazuar në ligj arsyetimin e përdorur nga gjykatat më të ulëta në vendimet e tyre kur ato thonë se i padituri DRSSH Tirane duhet ti paguaje paditësit Gëzim Punavija diferencën e pensionit të papaguar, nga data 01.09.2007 kur i ka lindur e drejta për pension te parakohshëm për vjetërsi shërbimi deri në datën 30.06.2009 kur ka hyrë në fuqi ligji 10142 date 15.05.2009 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura në masën 841.939 (tetëqind e dyzet e njëmijë e nëntëqind e tridhjete e nënte) lekë.
15. Por ndërsa ky arsyetim i mësipërm i gjykatës është i drejtë, ky kolegj e gjen të pabazuar pjesërisht pjesën e parë te vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë i cili është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit kur ai thotë se ana e paditur duhet ti paguaje paditësit masën e pensionit :
a) 50% të pagës referuese mbi të cilin është derdhur kontributi.
b) Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2% të pagës referuese;
Ne interpretim te këtij vendimi dhe arsyetimit te përdorur nga gjykatat me te ulta rezulton se kjo masë pensioni do te ishte ne vazhdimësi ( pasi ky është dhe kërkimi i paditësit që të përcaktohet njëherë e mire masa e pensionit të tij të parakohshëm ) edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 dhe do të ishte përfundimtar e pakufizuar apo e cënuar në kohë nga dalja e ligjeve te tjera. Pikërisht kjo pjesë e këtij vendimi ( moskufizimi në kohë ) konsiderohet nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë si e pabazuar ne ligj.
16. Gjatë kohës së gjykimit të kësaj çështjeje pranë gjykatave më të ulëta, ka hyrë në fuqi Ligji nr.10142, datë 15.05.2009 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura, të punonjësve të policisë së shtetit, të gardës së republikës, të shërbimit informativ të shtetit, të policisë së burgjeve, të policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, nëpërmjet të cilit janë shfuqizuar Ligji nr.8087,datë 13.03.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar me Ligjin nr.8251 datë 30.07.1999 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8087, datë 13.03.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë".
17. Sipas nenit 29 të ligjit të sipërcituar, i titulluar “Rillogaritja e të drejtave të njohura”, pika 2 e tij, parashikohet se: “2. Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare, të caktuara në përputhje me ligjet nr.8087, datë 13.3.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar dhe nr.8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit", si edhe ato të caktuara me vendime të gjykatave, pavarësisht nga mosha e vjetërsia në punë, në çastin e fillimit të së drejtës, do të rillogariten. Rillogaritja bëhet sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe në bazë të pagave referuese, në çastin që i ka lindur e drejta për përfitim. Mbi këtë masë përfitimi të rivlerësuar zbatohen koeficientet e rritjes apo të indeksimit të pensionit, sipas vendimeve të veçanta të Këshillit të Ministrave, nga çasti i lindjes së të drejtës dhe deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Masa e pensionit, e rivlerësuar si më lart, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose e pensionit suplementar.” Pra, ky ligj ka parashikuar qartazi që të gjitha pensionet e përfituara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë objekt rishqyrtimi dhe rivlerësimi i tyre do të kryhet sipas parashikimeve të këtij ligji, fakt i cili është marrë në konsideratë nga ana e të dyja gjykatave, por nuk është analizuar zbatimi i tij në lidhje me këtë mosmarrëveshje.
18. Në analizë të dispozitës së mësipërme dhe në referim të akteve të dosjes gjyqësore, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, pavarësisht se paditësit i është njohur nga gjykatat përfitimi i të drejtës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi sipas ligjit nr.9210, date 23.03.2004, “Per statusin e Ushtarakut te Forcave të Armatosura ne Republikën e Shqipërisë dhe ligjit nr.9418 date 20.05.2005 “Per Sigurimin shoqëror Suplementar te Ushtarakut te Forcave Te armatosura ne Republikën e Shqipërisë”, masa e pensionit të parakohshëm të pleqërisë për paditësin me hyrjen ne fuqi te ligjit 10142, datë 15.05.2009 duhet rillogaritur, duke marrë në konsideratë, jo vetëm parashikimet e ligjeve të kohës kur i ka lindur kjo e drejtë (referuar gjithë periudhës që ato kanë qenë në fuqi), por edhe parashikimet e Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura, të punonjësve të policisë së shtetit, të gardës së republikës, të shërbimit informativ të shtetit, të policisë së burgjeve, të policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në Republikën e Shqipërisë” që është në fuqi dhe që rregullon këtë të drejtë (me të gjitha ndryshimet), duke i filluar efektet nga momenti që ai ka hyrë në fuqi.
19. Ky Kolegj, vlerëson të theksojë se, e drejta për sigurime shoqërorë në pleqëri është e drejtë themelore e njeriut, e parashikuar posaçërisht nga Kushtetuta në nenin 52, dhe që i garantohet personit kur përmbush kushte të caktuara sipas ligjit. Por, nëse sigurimi shoqëror bazë është një e drejtë kushtetuese ekonomiko-sociale dhe si e tillë lidhet me detyrimin e shtetit për të qenë aktiv, e për t’u garantuar shtetasve sigurimin e mjeteve të përshtatshme për nevoja jetësore në rastet e fatkeqësive, sëmundjeve, invaliditetit, pleqërisë dhe papunësisë së padëshiruar, ndryshimi i skemës së përfitimeve suplementare mbetet në diskrecion të politikave dhe mundësive të ekzekutivit, kurse prekja e skemës së sigurimeve shoqërore bazë nuk duhet kurrsesi të pësojë ndryshime të tilla, që të përkeqësojë ndjeshëm jetën e shtetasve që përfitojnë këtë sigurim.
20. Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr.2 datë 18.02.2013, ka mbajtur këtë qëndrim “..megjithëse skema e re e llogaritjes së masës së sigurimit suplementar ka sjellë uljen e të ardhurave për përfituesit, kjo ndërhyrje është në përpjesëtim të drejtë me qëllimin që e ka diktuar atë. Siç u tha më lart, qëllimi që kërkon të arrijë ekzekutivi/ligjvënësi me anë të rregullimit të ri është mbajtja e skemës së sigurimeve brenda parimeve bazë të saj, pra të raporteve të drejta dhe të arsyeshme midis masës së sigurimit të parakohshëm dhe pagës mesatare neto nga puna. Diferencimet që ekzistonin para kësaj ndërhyrjeje cënonin parimet dhe rregullat në fushën e pagave dhe të tatimit mbi të ardhurat personale si dhe shkaktonin një detyrim të papërballueshëm për buxhetin e shtetit duke e rrezikuar atë seriozisht. Gjykata konstaton se masa e pensionit e përllogaritur sipas formulës së re mbështetet në mundësitë reale buxhetore, ajo siguron respektimin e parimeve të funksionimit të skemave suplementare, si dhe ruajtjen e raporteve të arsyeshme midis pensionit suplementar të ushtarakëve, atij të pleqërisë dhe pagës neto nga puna”. Në këtë kuptim, rillogaritja e pensionit të parakohshëm për paditësin, nga ana e palës së paditur, është një detyrim i përcaktuar me ligj dhe nuk mund të konsiderohet cënim i të drejtës së tij të përfituar më parë, me Ligjin nr.8087, datë 13.03.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
21. Në nenin 14, prg.1 të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, parashikohen kriteret për llogaritjen e pensionit të parakohshëm për personat që kanë plotësuar kushtet ligjore për këtë lloj përfitimi, si vijon: “1. Pensioni i parakohshëm për personat, që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese”. Në nenin 4 të ligjit të sipërcituar, i ndryshuar jepet definicioni rreth pagës referuese, në të cilin parashikohet se: “1. Përfitimet, që jepen nga ky ligj, llogariten në bazë të pagës referuese. 2. Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë apo funksion në datën e lindjes së të drejtës së një përfitimi. Për efekt të llogaritjes së përfitimeve: a) Paga referuese neto është paga që rezulton pas zbritjes, nga paga referuese, të kontributit të detyrueshëm të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor plus tatimin mbi të ardhurat personale plus kontributin suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga. b) Paga mesatare referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese sipas periudhave të qëndrimit në atë gradë apo funksion. c) Paga mesatare referuese neto është paga e barabartë me pagën referuese mesatare, pasi i zbritet shuma e kontributit të sigurimit shoqëror shëndetësor, tatimit mbi të ardhurat dhe kontributit suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga. Pagat referuese të njësuara, rregullat e llogaritjes së pagës referuese neto dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese neto, për të gjithë karrierën, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave". Parashikimet e këtij neni lidhen ngushtësisht me zbatimin dhe aplikimin e nenit 29 të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, ku në paragrafin e dytë të tij është konkluduar se, rillogaritja e pensionit të parakohshëm duhet të kryhet duke ju referuar nocionit të pagës referuese. Për këtë arsye, gjykatat në shqyrtimin e kësaj çështje, duhet të mbajnë në konsideratë këto parashikime ligjore.
22. Bazuar ne analizën e bërë me lart në këtë vendim, Ky kolegj, çmon se, gjykatat më të ulëta kanë vepruar pjesërisht në kundërshtim me dispozitat materiale për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje. Edhe pse kanë vendosur drejtë persa i përket ligjit te zbatueshëm për përfitimin e pensionit te parakohshëm për paditësin (pra nga data e lindjes së të drejtës së pensionit 01.09.2007- deri në datën e hyrjes ne fuqi të ligjit 10142/2009)si dhe diferencat qe ai duhet te marrë gjatë kësaj periudhe nga zbatimi i gabuar i skemës së pensionit, të dyja gjykatat më të ulëta, nuk kanë marrë në analizë dhe nuk janë shprehur se sa do te jetë masa e pensionit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji , cilat janë kriteret dhe skema që do të zbatohen sipas kritereve të tij duke mos i dhënë përgjigje përfundimtare kërkimit të parë të paditësit .Këto gjykatë nuk kanë marrë parasysh konkluzionin e arritur nga Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj nr.2 datë 18.02.2013, e cila ndryshoi qëndrimin që po kjo gjykatë ka mbajtur me vendimin nr.33, datë 24.062010.
23. Qëndrimi i mbajtur nga gjykatat me te ulta vjen në kundërshtim është me Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë nr.3/2013 e cila në një çështje të ngjashme është shprehur se gjykata, në të tilla raste është e detyruar ti japë përgjigje konkrete kërkimeve të paditësit dhe jo thjesht të urdhërojë zbatimin e ligjit nga pala e paditur DRSSH, në kushtet kur paditësi ka kërkuar detyrimin për pagim pensioni nga një datë e caktuar dhe ne vazhdimësi.
24. Për sa më sipër, ky Kolegj, çmon se Gjykata e Apelit Tiranë, ndonëse i ka pasur të gjitha mundësitë ligjore që të konstatonte të metat e gjykimit në shkallë të parë dhe t’i ndreqte ato, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat proceduriale dhe materiale për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje, duke anashkaluar sqarimin plotësisht të rrethanave ligjore që lidhen me gjykimin e çështjes, si dhe nuk ka analizuar dhe kthyer përgjigje pretendimeve të paraqitura nga palët në proces, pra, çfarë impakti do të ketë rillogaritja e pensionit të paditësit në përputhje me përcaktimet e ligjit të zbatueshëm, Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, i cili rregullon mosmarrëveshjen objekt shqyrtimi, si dhe akteve nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij. Për këtë arsye, vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për t’u rishqyrtuar në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë vetëm për ti dhënë përgjigje këtij kërkimi .
25. Kjo gjykatë, duhet të përsërisë hetimin gjyqësor në bazë të nenit 465 të K.Pr.Civile ku parashikohet se “Në shqyrtimin e çështjes në gjykatën e apelit mbahen parasysh për aq sa janë të zbatueshme dispozitat mbi procedurën e gjykimit në shkallë të parë”, dhe të caktojë kryesisht ekspertë të specializuar, për të llogaritur masën e pensionit që i takon paditësit nga data e hyrjes ne fuqi te Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar. Gjykata Administrative e Apelit Tiranë për një hetim më të plotë dhe të gjithanshëm, mund të caktojë dhe detyra të tjera, duke marrë në konsideratë edhe kërkesat e palëve në proçes.
26. Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, në shqyrtimin dhe zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje, për aq sa janë të zbatueshme dhe pa cënuar interesat dhe të drejtat e palëve në proces, duhet të ketë parasysh edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr.9/2007, nr.33/2010 dhe nr.2/2013, të cilat rregullojnë këtë veprimtari dhe ndihmojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes objekt gjykimi, në përputhje me ligjin. Në rigjykim, kjo gjykatë duhet t’u bëjë të qartë palëve që është detyrë e secilës prej tyre, që në përputhje me ligjin të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Palët ashtu siç kanë të drejtat kanë dhe detyrimet që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara.
27. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon se, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, duhet të lejojë të dyja palët që të paraqesin prova shkresore me anën e të cilave ato të provojnë pretendimet e tyre, bazuar në nenin 12 dhe 19 të K.Pr.Civile dhe t’i lejojë ato, që t’ia nënshtrojnë hetimit e debatit gjyqësor. Ky Kolegj, çmon gjithashtu se, kryerja e veprimeve të përmendura më sipër, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive, lidhur me zgjidhjen e çështjes objekt shqyrtimi.
28. Për sa më sipër, ky Kolegj, çmon se, ka vend për pranimin e rekursit të depozituar nga palës së paditur në këtë gjykim, pasi vendimi nr.2130 datë 19.09.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, është marrë pjesërisht të drejtë të ligjit material dhe për këtë arsye, ky vendim duhet prishur dhe çështja të kthehet për rigjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, duke orientuar këtë të fundit, që gjatë gjykimit të saj, të zgjidhi çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, që rregullojnë këtë mosmarrëveshje
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.2130 datë 19.09.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë më 26.11.2015
Nr. 11243-00465-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4570 i Vendimit (642)
Do'stlaringiz bilan baham: |