VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës se Lartë i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtar
Medi Bici Anëtar
në datën 26.11.2015, në dhomë këshillimi, mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.00465/2013 akti, që u përket palëve:
PADITËS: HAIR ARAPAJ
BABUL BEHAJ
PALË E PADITUR: DREJTORIA RAJONALE E SIGURIMEVE SHOQËRORE VLORË
OBJEKTI:
Kundërshtimin e vendimit të rillogaritjes së pensionit të parakohshëm
për paditësin Hair Xhemal Arapaj si veprim antikushtetues,
vendim i cili i është njoftuar me shkresën nr.40/1, datë 26.01.2012.
Kundërshtimin e vendimit të rillogaritjes së pensionit të parakohshëm
për paditësin Babul Veli Behaj si veprim antikushtetues,
vendim i cili i është njoftuar me shkresën nr.41, datë 26.01.2012.
Detyrimin e palës së paditur të bëjë rillogaritjen
si dhe ndryshimin e masës së pensionit
si dhe dhënien e diferencave nga data 01.07.2009 e në vazhdim.
Baza Ligjore: Ligji nr.9210, datë 23.03.2004
“Për statusin e ushtarakut të forcave të armatosura në Republikën e Shqipërisë”,
neni 32/c i K.Pr.Civile; neni 324/a e vijues të K.Pr.Civile,
Ligji nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”;
Ligji nr.10142, datë 15.05.2009; vendimi nr.33 i Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.2116, datë 06.07.2012 ka vendosur:
-Pranimin e kërkesë-padisë.
-Detyrimin e palës së paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Vlorë të anullojë aktet administrative të lidhjes dhe rillogaritjes së pensionit për paditësat, respektivisht: për paditësin Babul Behaj vendimin për caktim pensioni nr.1065, datë 01.09.2009 dhe vendimin për rishqyrtim pensioni nr.1065, datë 07.12.2011; Për paditësin Hair Arapaj anullimin e vendimit nr.Për lidhjen e pensionit nr.551, datë 27.05.2009 dhe vendimin për rishqyrtimin e të ardhurave sipas ligjit 10142, duke detyruar të paditurin të lidhë pension të parakohshëm sipas ligjit, duke llogaritur masën e pensionit nga data e lindjes së të drejtës dhe në vijim, duke i paguar diferencën e papaguar të pensionit të llogaritur sipas ligjit për të gjithë periudhën, nga data e lidhjes së tij deri në muajin Korrik 2012 për paditësin Babul Behaj është 7.669.144 lekë (shtatëmilion e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e dyzet e katër) dhe për paditësin Hair Arapaj shuma është 8.046.498 lekë (tetë milion e dyzet e gjashtë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e tetë).
-Detyrimin e të paditurit të ndërpresë në mënyrë të menjëhërshme ndalesat që po kryhen në pensionin e tyre që prej muajit janar të vitit 2012 e në vijim, pasi i ka shpallur debitor me këto akte të paligjshme.
-Shpenzimet gjyqësore palës së paditur.
Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.951, datë 30.10.2012, ka vendosur:
-Lënien në fuqi të vendimit nr.2116, datë 04.07.2012 të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.
Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur DRSSH Vlorë, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.951, datë 30.10.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe vendimit nr.2116, datë 06.07.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, si dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
DRSSH Vlorë zbaton Ligjin nr.10142, datë 15.05.2009, i cili ka hyrë në fuqi në datën 01.07.2009, konkretisht nenin 29 të tij.
-
Në kushtet kur pensioni i parakohshëm është caktuar dhe është paguar deri në datën 31 dhjetor 2011, nuk mund të rilidhet dhe të ripaguhet deri në këtë datë.
-
Me nenin 31 të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, janë shfuqizuar të gjitha dispozitat ligjore të Ligjit 8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar.
-
Padia në objekt nuk kërkon ndryshimin e masës fillestare të pensionit të parakoshhëm, por paditësat kërkojnë mosrillogaritje të pensionit të parakohshëm referuar nenit 29 të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009.
-
Neni 14 me të cilin janë rillogaritur pensionet e parakohshme për paditësat, është shfuqizuar si antikushtetues me vendimin nr.33, datë 24.06.2010 të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye, rillogaritja duhet të bëhet sipas dispozitave të përcaktuara në aktin normativ nr.5, datë 10.11.2010.
-
Gjykata nuk e ka parë të arsyeshme caktimin e një eksperti kontabël dhe DRSSH Vlorë i kundërshton rillogaritjet e kryera nga gjykata. Pensionete parakohshme përcaktohet nga specialistët e DRSSH dhe nëse subjektet nuk janë dakord, i kundërshtojnë ato në gjykatë.
-
Në llogaritjen e masës së pensionit të parakoshëm për vjetërsi shërbimi, DRSSH Vlorë është mbështetur në VKM nr.793, datë 24.09.2010, i cili ka dalë për zbatimin e Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, në të cilin është parashikuar se: “Deri në reflektimin ligjor të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përfitimet dhe efektet financiare që rrjedhin prej tyre, llogariten dhe zbatohen sipas ligjit nr.10 142, datë 15.5.2009, pa ndryshime”.
-
Në nënin 29 të ligjit të sipërcituar, është parashikuar se të gjitha pensionete parakohshme të fituara para hyrjes në fuqi të këtij ligji do të rillogariten, sipas dispozitave të këtij ligji.
-
DRSSH Vlorë ka zbatuar Ligjin nr.10142, datë 15.05.2009, në momentin e përcaktimit të pensionit fillestar, pasi me këtë ligj u shfuqizuar të gjitha ligjet e tjera, si dhe për faktin se në nenin 29 të tij, u përcaktua saktësisht që të gjitha pensionet e fituara me parë edhe ato me vendime gjykate, do të rillogariteshin.
-
DRSSH Vlorë rillogariti pensionin ne bazë të ligjit të ri dhe lejoi që paditësit të paguheshin me ligjin e vjetër deri ne datën 31.12.2011, duke i nxjerrë paditësit debitorë për periudhën nga 01.09.2009.
-
Nga momenti që paditësave ju është caktuar pensioni fillestar i parakohshëm për vjetërsi shërbimi e deri në datën 01.09.2009 janë tërhequr shumat në zbatim të ligjit në kohën e të cilave paditësave ju kishte lindur e drejta e përfitimit.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Evelina Qirjako, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se, paditësit Hair Arapaj dhe Babul Behaj kanë qenë ushtarakë aktiv të Forcave të Armatosura, të cilët, nëpërmjet Urdhrit nr.1000, datë 04.08.2006 të Ministrit të Mbrojtjes, kanë dalë në lirim (si pasojë e reformës në ushtri) duke mbajtur të dy gradën “Major”. Efektet e nxjerrjes së paditësave në lirim kanë filluar nga data 01.09.2006.
2. Pas lirimit nga detyra, paditësit janë trajtuar me pagë kalimtare për një periudhë 2-vjeçare, duke e përfituar këtë pagesë nga data 01.09.2006 deri në datën 30.08.2008.
3. Pas përfundimit të pagesës kalimtare në vitin 2008, paditësit Hair Arapaj dhe Babul Behaj i janë drejtuar Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Vlorë, me kërkesë për të përfituar të drejtën e pensionit suplementar për vjetërsi shërbimi, në kushtet kur kishin mbi 15 vjet shërbim në ushtri, si dhe nuk kishin mbushur moshën për të përfituar pension pleqërie.
4. Me vendimin nr.551, datë 27.05.2009 të D.R.S.SH. Vlorë, është konstatuar se paditësi Hair Xhemal Arapaj ka pasur një periudhë sigurimi prej 23 vjet e 9 muaj dhe për këtë arsye, i është njohur e drejta e pensionit të parakohshëm në masën 19.030 lekë/muaj, me të drejtë fillimi pagese nga data 01.09.2008 deri në datën 10.03.2024, bazuar në dispozitat e Ligjit nr.8087, datë 13.03.1996, “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Si pagë referuese është marrë paga prej 55.900 lekë.
5. Me vendimin nr.1065, datë 01.09.2009 të D.R.S.SH. Vlorë, është konstatuar se paditësi Babul Veli Behaj ka pasur një periudhë sigurimi prej 23 vjet e 5 muaj dhe për këtë arsye, i është njohur e drejta e pensionit të parakohshëm në masën 19.030 lekë/muaj, me të drejtë fillimi pagese nga data 01.09.2008 deri në datën 10.01.2024, bazuar në dispozitat e të Ligjit nr.8087, datë 13.03.1996, “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Si pagë referuese është marrë paga prej 55.900 lekë.
6. Me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, nga ana e DRSSH Vlorë është kryer rivlerësimi i pensionit për paditësin Hair Xhemal Arapaj, nëpërmjet vendimit për rishqyrtimin e të ardhurave, duke i përcaktuar atij pensionin e parakohshëm në masën prej 15.679 lekë, me të drejtë pagese nga data 01.07.2009 deri në datën 10.03.2024, ndërsa për paditësin Babul Veli Behaj nga ana e DRSSH Vlorë, është kryer rivlerësimi i pensionit nëpërmjet vendimit për rishqyrtimin e të ardhurave, duke i përcaktuar atij pensionin e parakohshëm në masën prej 13.873 lekë, me të drejtë pagese nga data 01.07.2009 deri në datën 10.01.2024.
7. Në vitin 2011, të dy paditësit i janë drejtuar me shkrim DRSSH Vlorë, nëpërmjet të cilës kanë pretenduar se, masa e pensionit të parakohshëm ju është llogaritur gabim referuar akteve ligjore që kanë qenë në fuqi në momentin e fitimit të kësaj të drejte, e konkretisht në datë 01.09.2008, si dhe masa e këtij pensioni edhe pse ju është llogaritur gabim, ju është zvogëluar në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, në momentin që ju është rillogaritur.
8. Me shkresën nr.40/1 prot., datë 26.01.2012, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Vlorë i ka kthyer përgjigje paditësit Hair Xhemal Arapaj, duke i sqaruar se: “...Është bërë rillogaritja e pensionit në bazë të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 dhe aktit normativ nr.5, datë 10.11.2010. sipas rillogaritjes pensioni ndryshohet nga data 01.07.2009. Z. Hair pensioni në datën 01.07.2009 ishte 19.791 lekë, ndërsa nga rillogaritja pensioni bëhet 16.179 lekë. Personi është debitor për shumën 112.348 lekë. ...”.
9. Me shkresën nr.41/1 prot., datë 26.01.2012, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Vlorë i ka kthyer përgjigje paditësit Babul Veli Behaj, duke i sqaruar se: “...Është bërë rillogaritja e pensionit në bazë të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 dhe aktit normativ nr.5, datë 10.11.2010. sipas rillogaritjes pensioni ndryshohet nga data 01.07.2009. Z. Hair pensioni në datën 01.07.2009 ishte 19.791 lekë, ndërsa nga rillogaritja pensioni bëhet 14.373 lekë. Personi është debitor për shumën 162.372 lekë. ...”.
10. Pala paditëse, duke mos qenë dakord me përgjigjen e dhënë nga DRSSH Vlorë, në datën 22.02.2012 i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë me padinë me objekt të sipërcituar në këtë vendim, duke pretenduar se, DRSSH Vlorë i ka llogaritur gabim pensionin e parakohshëm në kundërshtim me sa parashikojnë dispozitat ligjore në fuqi në momentin që i ka lindur kjo e drejtë, konkretisht Ligjit nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të forcave të armatosura në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, pagimin e diferencave si rezultat i llogaritjes gabim të pensionit të parakohshëm, si dhe heqjen e detyrimeve të cilat i janë njohur në kundërshtim me ligjin.
11. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.2116, datë 06.07.2012 ka vendosur:
-Pranimin e kërkesë-padisë.
-Detyrimin e palës së paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Vlorë të anullojë aktet administrative të lidhjes dhe rillogaritjes së pensionit për paditësat, respektivisht: për paditësin Babul Behaj vendimin për caktim pensioni nr.1065, datë 01.09.2009 dhe vendimin për rishqyrtim pensioni nr.1065, datë 07.12.2011; Për paditësin Hair Arapaj anullimin e vendimit nr.Për lidhjen e pensionit nr.551, datë 27.05.2009 dhe vendimin për rishqyrtimin e të ardhurave sipas ligjit 10142, duke detyruar të paditurin të lidhë pension të parakohshëm sipas ligjit, duke llogaritur masën e pensionit nga data e lindjes së të drejtës dhe në vijim, duke i paguar diferencën e papaguar të pensionit të llogaritur sipas ligjit për të gjithë periudhën, nga data e lidhjes së tij deri në muajin Korrik 2012 për paditësin Babul Behaj është 7.669.144 lekë (shtatëmilion e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e dyzet e katër) dhe për paditësin Hair Arapaj shuma është 8.046.498 lekë (tetë milion e dyzet e gjashtë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e tetë).
-Detyrimin e të paditurit të ndërpresë në mënyrë të menjëhërshme ndalesat që po kryhen në pensionin e tyre që prej muajit janar të vitit 2012 e në vijim, pasi i ka shpallur debitor me këto akte të paligjshme.
-Shpenzimet gjyqësore palës së paditur.
11/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “....paditësave ju ka lindur e drejta për tu trajtuar me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe ligji i aplikueshëm në këtë rast, është ligji 8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura ...”, neni 11.m ... Gjykata në bazë të parimeve të së drejtës lidhur me veprimin në kohë të ligjit material, çmon se ligji i zbatueshëm për rregullimin e një marrëdhënie juridike është ligji që është në fuqi në kohën e lindjes së kësaj marrëdhënie. Për sa më lartë, gjykata çmon se, kriteret dhe masa e përfitimit të pensionit, procedurat administrative dhe cdo element tjetër i marrëdhënies juridike të lindur mes paditësave dhe palës së paditur në fushën e sigurimit shoqëror suplementar do të rregullohet nga ligji nr.8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar....Nga ky arsyetim rezulton sepaditësit Hair Arapaj, i cili ka 24 vjet e 11 muaj (15+9) vjetërsi shërbimi si ushtarak, përveç shumës prej 50% të pagës referuese për shkak të vjetërsisë në shërbim, i takon edhe një shtesë prej 18% që i korrespondon vlerës rej 2% në vit për 9 vjet, kurse për paditësin tjetër Babul Behaj i cili ka 23 vjet e 5 muaj (15+8) vjetërsi shërbimi si ushtarak, përveç shumës prej 50% të pagës referuese për shkak të vjetërsisë në shërbim, i takon edhe një shtesë prej 16% që i korrespondon vlerës prej 2% në vit për 8 vite mbi 15-vjet.....Përsa i përket pretendimit të palës së paditur për parashkrim të të drejtës së paditësave për kërkimin e pagimit të diferencave nga data 01.09.2009 me argumentimin se është një e drejtë e parashkruar me kalimin e afatit 3 vjeçar, në referim kjo të Ligjit nr.8510, datë 15.07.1999 “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore”, neni 17, gjykata çmon se është një pretendim i pabazuar. ...për më tepër nuk kanë kaluar 3 vjet nga lindja e të drejtës së kërkimit të paditësave. Në lidhje me ligjishmërinë e mënyrës së rillogaritjes së këtij pensioni, paditësit i janë drejtuar rrugës gjyqësore....Siç konstatohet, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ka vendosur detyrimin e institucionit të sigurimeve shoqërore për aplikim të nenit 29 të ligjit të lartëpërmendur, vetëm nëse kjo rillogaritje përmirëson situatën e përfituesve....”.
12. Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.951, datë 30.10.2012, ka vendosur:
-Lënien në fuqi të vendimit nr.2116, datë 04.07.2012 të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.
12/1. Kjo gjykatë ka përdorur të njëjtin arsyetim, si edhe gjykata e rrethit gjyqësor.
13. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur DRSSH Vlorë, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.951, datë 30.10.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe vendimit nr.2116, datë 06.07.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, si dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar ato shkaqe që citohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
14. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon se, vendimi nr.951, datë 30.10.2012 i Gjykatës së Apelit Vlorë, është marrë në mosrespektim të ligjit procedurial dhe atij material, e për rrjedhojë, ai duhet të prishet dhe çështja duhet të dërgohet për rigjykim, pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
15. Referuar natyrës juridike të mosmarrëveshjes, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, çështja objekt shqyrtimi përbën një mosmarrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore si pasojë e akteve administrative të lëshuara nga ana e paditur. Rezulton se, kërkimet e paditësave në këtë gjykim janë: “1) Kundërshtimin e vendimit të rillogaritjes së pensionit të parakohshëm për paditëin Hair Xhemal Arapaj si veprim antikushtetues, vendim i cili i është njoftuar me shkresën nr.40/1, datë 26.01.2012. 2)Kundërshtimin e vendimit të rillogaritjes së pensionit të parakohshëm për paditëin Babul Veli Behaj si veprim antikushtetues, vendim i cili i është njoftuar me shkresën nr.41, datë 26.01.2012. 3) Detyrimin e palës së paditur të bëjë rillogaritjen si dhe ndryshimin e masës së pensionit si dhe dhënien e diferencave nga data 01.07.2009 e në vazhdim”.
16. Në shqyrtim të shkakut ligjor të kërkimeve të paditësave, objektit të gjykimit si dhe të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, të cilat i janë nënshtruar hetimit dhe debatit gjyqësor në gjykatat më të ulëta, rezulton se në thelb, paditësat në këtë gjykim, kanë ngritur dy pretendime: a) rillogaritjen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi si ish-ushtarakë, pasi u janë llogaritur gabim përsa i përket formulës që parashikon ligji i zbatueshëm në momentin që ju ka lindur kjo e drejtë, pra nga data 01.09.2008, si dhe pagimin e këtyre diferencave të papaguara, nga kjo datë e në vijim; si dhe b) detyrimin e palës së paditur që t’u paguajë të plotë pensionin e rillogaritur në vijim, sipas kritereve të ligjit që ka qenë në fuqi në momentin kur ju ka lindur kjo e drejtë. Pra, paditësit në këtë gjykim, kërkojnë që të përfitojnë pensionin e parakohshëm të ushtarakut sipas dispozitave të ligjit të kohës kur ju ka lindur kjo e drejtë, masë e cila duhet ti paguhet në vazhdimësi edhe pas hyrjes në fuqi të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009. Konflikti midis palëve ndërgjyqëse, qëndron në faktin se si do të llogaritet ky pension para hyrjes në fuqi të ligjit të sipërcituar dhe pas hyrjes në fuqi të tij.
17. Referuar akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, të cilat i janë nënshtruar hetimit dhe debatit gjyqësor në gjykatat më të ulëta, rezulton e provuar se, paditësave Hair Xhemal Arapaj dhe Babul Veli Behaj, ju ka lindur e drejta për t’u trajtuar me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në Forcat e Armatosura, në datën 01.09.2008. Me vendimin nr.551, datë 27.05.2009, DRSSH Vlorë i ka lidhur paditësit Hair Xhemal Arapaj pension të parakohshëm në masën prej 19.030 lekë në muaj, ndërsa me vendimin nr.1065, datë 01.09.2009, D.R.S.SH. Vlorë i ka lidhur edhe paditësit Babul Veli Behaj, pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi po në masën prej 19.030 lekë/muaj. Të dy paditësat kanë pretenduar se, ana e paditur e ka llogaritur gabim masën e pensionit, duke ju dhënë atyre një masë më të vogël nga ajo që parashikonin dispozitat ligjore në fuqi, në momentin që atyre ju ka lindur kjo e drejtë.
18. Paditësat me padinë objekt shqyrtimi, kanë pretenduar që, pala e paditur, përveçse ju ka llogaritur gabim masën e pensionit të parakohshëm, referuar dispozitave ligjore në fuqi në momentin kur atyre ju ka lindur kjo e drejtë, ka cënuar edhe parimin e sigurisë juridike të një të drejtë të fituar më parë, pasi referuar vendimit nr.33, datë 24.06.2010 të Gjykatës Kushtetuese, pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi vërtetë duhet të rillogariten sipas nenit 29 të Ligjit 10142, datë 15.05.2009, por kjo masë e pensioni nuk duhet të jetë më e vogël nga ajo që subjekti ka përfituar më parë. Pra, gjendja e subjekteve përfitues nuk duhet të cënohet negativisht nga përllogaritja e pensionit të parakohshëm. Për këtë arsye, pala paditëse ka ngritur pretendimin se, rillogaritja e pensionit në referim të nenit 29 të Ligjit 10142, datë 15.05.2009 është kryer në kundërshtim me ligjin, pasi jo vetëm që është zvogëluar në raport me masën fillestare që këto subjekte duhet të përfitonin nga momenti i daljes në pension, por pas datës 30.06.2009, kjo masë pensioni ju është zvogëluar edhe më shumë në raport me masën e pensionit që kishte përfituar deri në momentin e rilliogaritjes së tij (për subjektin Hair Xhemal Arapaj, pensionin e parakohshëm i rillogaritur është përcaktuar në masën prej 15.679 lekë nga 19.030 lekë që i ishte caktuar fillimisht dhe është përfituar prej tij, ndërsa për paditësin Babul Veli Behaj ky pension është rillogaritur në masën prej 13.873 lekë nga 19.030 lekë që i ishte caktuar fillimisht dhe është përfituar prej tij).
19. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon se, në çështjen objekt gjykimi, të dyja gjykatat më të ulëta kanë interpretuar pjesërisht gabim dispozitat materiale të zbatueshme për zgjidhjen e konfliktit, të shtruar për zgjidhje para gjykatës. Paditësave ju ka lindur e drejta për përfitim pensioni të parakohshëm të ushtarakut, në datën 01.09.2008, kohë në të cilën, si ligj i zbatueshëm, ka qenë ai me nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, e konkretisht neni 35 i tij i titulluar “E drejta për pension të parakohshëm”, në të cilin parashikohet se: “1. Oficerët, nënoficerët dhe ushtarët me pagesë/profesionistë, me vjetërsi shërbimi në Forcat e Armatosura 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë, gëzojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50 për qind të pagës mujore deri në plotësimin e kushteve për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Për çdo vit tjetër shërbimi mbi kufirin e mësipërm ushtarakut i jepet një shtesë pensioni në masën 2 për qind të pagës mujore. 3. Kriteret dhe kushtet e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi përcaktohen në ligjin "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror", i ndryshuar”.
20. Në analizë të dispozitës ligjore të sipërcituar, rezulton se, pensioni i parakohshëm, paditësave, duhej t’u llogaritej si shuma e: (i) 50% e pagës mujore që kanë marrë paditësat (e cila sipas pretendimeve rezulton të ketë qenë në masën prej 55.900 lekë), dhe (ii) 2% të pagës mujore, për çdo vit vjetërsi shërbimi mbi 15 vjet. Pra, subjektet paditës, duhej të përfitonin pension në masën që përcaktohej nga formula që parashikonte ligji i zbatueshëm në kohën e daljes në pension të tyre. Ky ka qenë vullneti i shprehur nga ligjvënësi në atë moment dhe pala e paditur, si dhe çdo organ tjetër shtetëror është e detyruar që ta zbatonte atë.
21. Rezulton që, gjatë kohës së gjykimit të kësaj çështjeje pranë gjykatave më të ulëta, ka hyrë në fuqi Ligji nr.10142, datë 15.05.2009 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura, të punonjësve të policisë së shtetit, të gardës së republikës, të shërbimit informativ të shtetit, të policisë së burgjeve, të policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, nëpërmjet të cilit janë shfuqizuar Ligji nr.8087, datë 13.03.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me ndryshime; pika 1 dhe 2 e nenit 35 të Ligjit nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Republikën e Shqipërisë”, si dhe Ligji nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
22. Sipas nenit 29 të ligjit të sipërcituar, i titulluar “Rillogaritja e të drejtave të njohura”, pika 2 e tij, parashikohet se: “2. Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare, të caktuara në përputhje me ligjet nr.8087, datë 13.3.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar dhe nr.8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit", si edhe ato të caktuara me vendime të gjykatave, pavarësisht nga mosha e vjetërsia në punë, në çastin e fillimit të së drejtës, do të rillogariten. Rillogaritja bëhet sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe në bazë të pagave referuese, në çastin që i ka lindur e drejta për përfitim. Mbi këtë masë përfitimi të rivlerësuar zbatohen koeficientet e rritjes apo të indeksimit të pensionit, sipas vendimeve të veçanta të Këshillit të Ministrave, nga çasti i lindjes së të drejtës dhe deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Masa e pensionit, e rivlerësuar si më lart, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose e pensionit suplementar.” Pra, ky ligj ka parashikuar qartazi që të gjitha pensionet e përfituara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë objekt rishqyrtimi dhe rivlerësimi i tyre do të kryhet sipas parashikimeve të këtij ligji, fakt i cili nuk është marrë në konsideratë nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
23. Në analizë të dispozitës së mësipërme dhe në referim të akteve të dosjes gjyqësore, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, pavarësisht se paditësat në këtë gjykim, e kanë përfituar të drejtën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi sipas Ligjit nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut në forcat e armatosura në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjeve të tjera të zbatueshëm, masa e pensionit të parakohshëm të pleqërisë për ta duhet rillogaritur, duke marrë në konsideratë jo vetëm parashikimet e ligjeve të kohës kur ju ka lindur kjo e drejtë (referuar gjithë periudhës që ato kanë qenë në fuqi), por edhe parashikimeve të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura, të punonjësve të policisë së shtetit, të gardës së republikës, të shërbimit informativ të shtetit, të policisë së burgjeve, të policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në Republikën e Shqipërisë” që është në fuqi dhe që rregullon këtë të drejtë (me të gjitha ndryshimet), duke i filluar efektet nga momenti që ai ka hyrë në fuqi.
24. Ky Kolegj, vlerëson të theksojë se, e drejta për sigurime shoqërorë në pleqëri është e drejtë themelore e njeriut, e parashikuar posaçërisht nga Kushtetuta në nenin 52, dhe që i garantohet personit kur përmbush kushte të caktuara sipas ligjit. Por, nëse sigurimi shoqëror bazë është një e drejtë kushtetuese ekonomiko-sociale dhe si e tillë lidhet me detyrimin e shtetit për të qenë aktiv, e për t’u garantuar shtetasve sigurimin e mjeteve të përshtatshme për nevoja jetësore në rastet e fatkeqësive, sëmundjeve, invaliditetit, pleqërisë dhe papunësisë së padëshiruar, ndryshimi i skemës së përfitimeve suplementare mbetet në diskrecion të politikave dhe mundësive të ekzekutivit, kurse prekja e skemës së sigurimeve shoqërore bazë nuk duhet kurrsesi të pësojë ndryshime të tilla, që të përkeqësojë ndjeshëm jetën e shtetasve që përfitojnë këtë sigurim.
25. Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr.2 datë 18.02.2013, ka mbajtur këtë qëndrim “..megjithëse skema e re e llogaritjes së masës së sigurimit suplementar ka sjellë uljen e të ardhurave për përfituesit, kjo ndërhyrje është në përpjesëtim të drejtë me qëllimin që e ka diktuar atë. Siç u tha më lart, qëllimi që kërkon të arrijë ekzekutivi/ligjvënësi me anë të rregullimit të ri është mbajtja e skemës së sigurimeve brenda parimeve bazë të saj, pra të raporteve të drejta dhe të arsyeshme midis masës së sigurimit të parakohshëm dhe pagës mesatare neto nga puna. Diferencimet që ekzistonin para kësaj ndërhyrjeje cenonin parimet dhe rregullat në fushën e pagave dhe të tatimit mbi të ardhurat personale si dhe shkaktonin një detyrim të papërballueshëm për buxhetin e shtetit duke e rrezikuar atë seriozisht. Gjykata konstaton se masa e pensionit e përllogaritur sipas formulës së re mbështetet në mundësitë reale buxhetore, ajo siguron respektimin e parimeve të funksionimit të skemave suplementare, si dhe ruajtjen e raporteve të arsyeshme midis pensionit suplementar të ushtarakëve, atij të pleqërisë dhe pagës neto nga puna”. Në këtë kuptim, rillogaritja e pensionit të parakohshëm për paditësat nga ana e palës së paditur, është një detyrim i përcaktuar me ligj dhe nuk mund të konsiderohet cënim i të drejtës së tyre të fituar më parë, me Ligjin nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Republikën e Shqipërisë”, si dhe me ligjet e tjera të zbatueshme.
26. Në nenin 14, prg.1 të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, parashikohen kriteret për llogaritjen e pensionit të parakohshëm për personat që kanë plotësuar kushtet ligjore për këtë lloj përfitimi, si vijon: “1. Pensioni i parakohshëm për personat, që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese”. Në nenin 4 të ligjit të sipërcituar, i ndryshuar jepet definicioni rreth pagës referuese, në të cilin parashikohet se: “1. Përfitimet, që jepen nga ky ligj, l logariten në bazë të pagës referuese. 2. Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë apo funksion në datën e lindjes së të drejtës së një përfitimi. Për efekt të llogaritjes së përfitimeve: a) Paga referuese neto është paga që rezulton pas zbritjes, nga paga referuese, të kontributit të detyrueshëm të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor plus tatimin mbi të ardhurat personale plus kontributin suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga. b) Paga mesatare referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese sipas periudhave të qëndrimit në atë gradë apo funksion. c) Paga mesatare referuese neto është paga e barabartë me pagën referuese mesatare, pasi i zbritet shuma e kontributit të sigurimit shoqëror shëndetësor, tatimit mbi të ardhurat dhe kontributit suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga. Pagat referuese të njësuara, rregullat e llogaritjes së pagës referuese neto dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese neto, për të gjithë karrierën, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave". Parashikimet e këtij neni lidhen ngushtësisht me zbatimin dhe aplikimin e nenit 29 të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, ku në paragrafin e dytë të tij është konkluduar se, rillogaritja e pensionit të parakohshëm duhet të kryhet duke ju referuar nocionit të pagës referuese. Për këtë arsye, gjykatat në shqyrtimin e kësaj çështje, duhet të mbajnë në konsideratë këto parashikime ligjore.
27. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, konstaton se, gjykatat më të ulëta nuk kanë hetuar dhe nuk kanë analizuar në përputhje me kërkesat e ligjit material, kërkimet e palës paditëse, pra nëse pensioni i rillogaritur sipas Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, është zbatuar drejtë nga ana e paditur në këtë gjykim apo jo dhe nëse kjo rillogaritje është kryer saktësisht sipas parashikimeve të këtij ligji si dhe akteve nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij. Rezulton se, paditësat në këtë gjykim, kanë pasur pretendime në lidhje me llogaritjen e masës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, si para hyrjes në fuqi të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, ashtu edhe më pas dhe për këtë arsye, kanë kërkuar gjyqësisht që t’u paguhen diferencat nga data 01.09.2008 kohë në të cilën i ka lindur e drejta e në vijim, pra edhe pasi ka hyrë në fuqi ligji i ri.
28. Siç u tha edhe më lartë në këtë vendim, konflikti mes palëve në lidhje me llogaritjen e masës së pensionit të parakohshëm, ka vazhduar edhe pas hyrjes në fuqi të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, zbatimi i të cilit nga ana e DRSSH Vlorë, ka sjellë uljen e masës së pensionit të parakohshëm për paditësat, në një masë edhe më të vogël nga ajo që këta të fundit kanë marrë faktikisht. Për këtë arsye, pala paditëse ka pretenduar se, nga ana e palës së paditur është zbatuar gabim ligji, duke i rillogaritur gabim masën e pensionit të parakohshëm, edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri.
29. Për sa më sipër, ky Kolegj, çmon se, gjykatat më të ulëta kanë vepruar pjesërisht në kundërshtim me dispozitat materiale për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje, për arsye se kanë detyruar palën e paditur, që t’u paguajë paditësave edhe pas datës 30.06.2009 (kohë në të cilën ka hyrë në fuqi Ligji nr.10142, datë 15.05.2009), të njëjtën masë pensioni që ai duhet të përfitonte sipas formulës që parashikonte ligji që ka qenë në fuqi në momentin e lindjes së kësaj të drejte. Pra, të dy gjykatat më të ulëta në shqyrtimin e kësaj çështje, nuk kanë marrë parasysh konkluzionin e arritur nga Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj nr.2 datë 18.02.2013, e cila ndryshoi qëndrimin që po kjo gjykatë ka mbajtur me vendimin nr.33, datë 24.062010. Gjithashtu, të dyja gjykatat më të ulëta, nuk kanë marrë në analizë dhe nuk janë shprehur në lidhje me masën e pensionit të rillogaritur sipas kritereve të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, nëpërmjet aktit të rishqyrtimin e të ardhurave nga ana e DRSSH Vlorë, duke mos i dhënë përgjigje pretendimeve të palës paditëse për shkaqet që ajo ngre për rillogaritjen e këtij pensioni.
30. Për sa më sipër, ky Kolegj, çmon se Gjykata e Apelit Vlorë, ndonëse i ka pasur të gjitha mundësitë ligjore që të konstatonte të metat e gjykimit në shkallë të parë dhe t’i ndreqte ato, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat proceduriale dhe materiale për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje, duke anashkaluar sqarimin plotësisht të rrethanave ligjore që lidhen me gjykimin e çështjes, si dhe nuk ka analizuar dhe kthyer përgjigje pretendimeve të paraqitura nga palët në proces. Për këtë arsye, vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë, duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për t’u rishqyrtuar në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
31. Kjo gjykatë, duhet të përsërisë hetimin gjyqësor në bazë të nenit 465 të K.Pr.Civile ku parashikohet se “Në shqyrtimin e çështjes në gjykatën e apelit mbahen parasysh për aq sa janë të zbatueshme dispozitat mbi procedurën e gjykimit në shkallë të parë”, dhe të caktojë kryesisht ekspertë të specializuar, për të llogaritur masën e pensionit që i takon paditësit dhe detyrimin e palës së paditur ndaj paditësit. Në kushtet kur kërkimet e paditësave në këtë proces, lidhen me pretendime për llogaritjen e saktë të pensionit të parakohshëm nga data 01.09.2008 e në vijim, si dhe duke u nisur nga fakti që legjislacioni i zbatueshëm ka pësuar ndryshime në vite, kjo Gjykatë duhet t’u japë përgjigje pyetjeve të tilla si: i) Sa është masa e pensionit të parakohshëm që duhet të përfitonte paditësi në përputhje me Ligjin nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, si dhe ligjeve të tjera të zbatueshme deri sa hyri në fuqi Ligji nr.10142, datë 15.05.2009? ii) Sa është diferenca midis masës së pensionit që i takon paditësit, referuar zbatimit të ligjeve në kohë dhe asaj që ai ka përfituar efektivisht sipas vendimit të dhënë nga DRSSH Tiranë, nga data që i ka lindur kjo e drejtë deri në datën që ka hyrë në fuqi Ligji nr.10142, datë 15.05.2009? iii) Sa është masa e pensionit e rillogaritur për paditësin sipas Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, nga data që ky ligj ka hyrë në fuqi? iv) A është përcaktuar saktë nga ana e paditur që, masa e pensionit që duhet të përfitojë paditësi Hair Xhemal Arapaj pas datës 30.06.2009 është 15.679 lekë, ndërsa paditësi Babul Veli Behaj është 13.873 lekë? Gjykata Administrative e Apelit Tiranë për një hetim më të plotë dhe të gjithanshëm, mund të caktojë dhe detyra të tjera, duke marrë në konsideratë edhe kërkesat e palëve në proçes.
32. Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, në shqyrtimin dhe zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje, për aq sa janë të zbatueshme dhe pa cënuar interesat dhe të drejtat e palëve në proces, duhet të ketë parasysh edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr.9/2007, nr.33/2010 dhe nr.2/2013, të cilat rregullojnë këtë veprimtari dhe ndihmojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes objekt gjykimi, në përputhje me ligjin. Në rigjykim, kjo gjykatë duhet t’u bëjë të qartë palëve që është detyrë e secilës prej tyre, që në përputhje me ligjin të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Palët ashtu siç kanë të drejtat kanë dhe detyrimet që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara.
33. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon se, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, duhet të lejojë të dyja palët që të paraqesin prova shkresore me anën e të cilave ato të provojnë pretendimet e tyre, bazuar në nenin 12 dhe 19 të K.Pr.Civile dhe t’i lejojë ato, që t’ia nënshtrojnë hetimit e debatit gjyqësor. Ky Kolegj, çmon gjithashtu se, kryerja e veprimeve të përmendura më sipër, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive, lidhur me zgjidhjen e çështjes objekt shqyrtimi.
34. Për sa më sipër, ky Kolegj, çmon se, ka vend për pranimin e rekursit të depozituar nga palës së paditur në këtë gjykim, pasi vendimi nr.951, datë 30.10.2012 i Gjykatës së Apelit Vlorë, është marrë në zbatim të gabuar të ligjit material dhe për këtë arsye, ky vendim duhet prishur dhe çështja të kthehet për rigjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, duke orientuar këtë të fundit, që gjatë gjykimit të saj, të zgjidhi çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, që rregullojnë këtë mosmarrëveshje.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.951, datë 30.10.2012 i Gjykatës së Apelit Vlorë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë më 26.11.2015
Nr. 11243-01876-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-4575 i Vendimit (643)
Do'stlaringiz bilan baham: |