III. Ligji i zbatueshëm:
13. Në nenin 44 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikohet se:
Kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore.
14. Në nenin 9 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet se:
Personave që procedohen në kundërshtim me ligjin ose dënohen pa të drejtë u kthehen të drejtat dhe shpërblehen për dëmin e pësuar...
15. Në nenin 268 të Kodit të Procedurës Penale, është parashikuar se: Ai që është deklaruar i pafajshëm me vendim të formës së prerë ka të drejtën e kompensimit për paraburgimin e vuajtur, me përjashtim të rasteve kur është provuar që vendimi i gabuar ose moszbulimi në kohën e duhur i faktit të panjohur është shkaktuar tërësisht ose pjesërisht prej tij. Kjo dispozitë, zbatohet edhe në favor të personit për të cilin është vendosur pushimi i çështjes nga gjykata.
16. Në nenin 269 të Kodit të Procedurës Penale, është parashikuar se: 1. Kërkesa për kompensim duhet të bëhet, ndryshe nuk pranohet, brenda tre vjetëve nga data në të cilën vendimi i pafajësisë ose i pushimit të çështjes ka marrë formë të prerë. 2. Masa e kompensimit dhe mënyra e llogaritjes, si dhe rastet e kompensimit për arrestin në shtëpi caktohen me ligj të veçantë.
17. Në nenin 5 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005 “Për Kompensimin e Burgimit të Padrejtë”, është parashikuar se:
1. Kompensimi për burgim të padrejtë caktohet nga gjykata, duke mbajtur parasysh:
a) të ardhurat nga paga për të punësuarit në sektorin publik ose në sektorin privat, deri një muaj para burgimit;
b) fitimin e realizuar nga veprimtaritë tregtare dhe fitimprurëse gjatë tri viteve të fundit para burgimit;
c) pensionet e përfituara para ose gjatë paraburgimit;
ç) pagën minimale në shkallë vendi për ata që kanë qenë pa punë, të paktën një muaj para datës së burgimit;
d) rrethana të tjera, të lidhura me gjendjen ekonomike e familjare të të burgosurit;
dh) të ardhurat nga puna në burg.
2. Kompensimi caktohet deri në 2.000 (dy mijë) lekë për një ditë burgim dhe 3.000 (tre mijë) lekë për një ditë paraburgim.
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
18. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga Avokatura e Shtetit përmban shkaqe ligjore nga ato të parashikuara në nenin 58 të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, të cilat e bëjnë të cënueshëm vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë.
19. Paditësi Alfred Xhepa ka kërkuar me anë të padisë objekt shqyrtimi, detyrimin e palës së paditur për ti kompensuar dëmin e shkaktuar si pasojë e burgimit të padrejtë. Kërkimet e tij, paditësi i ka mbështetur në nenet 268 dhe 269 të K.Pr. Penale, si dhe në ligjin nr.9381, datë 28.04.2005 “Për Kompensimin e Burgimit të Padrejtë”.
20. Kolegji Administrativ i Gjykatës se Lartë çmon se paditësi legjitimohet në kërkimin e tij për kompensimin e burgimit që ai ka vuajtur padrejtësisht. Kjo e drejtë e tij sanksionohet nga neni 44 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i cili shprehimisht thotë: Kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore, si dhe neni 9 i K.Pr. Penale, i cili parashikon se: personave që procedohen në kundërshtim me ligjin ose dënohen pa të drejtë u kthehen të drejtat dhe shpërblehen për dëmin e pësuar...
21. E drejta e kompensimit për burgim të padrejtë gjen rregullim të posaçëm në ligjin nr.9381, datë 28.04.2005 “Për Kompensimin e Burgimit të Padrejtë”. Ky ligj ka për objekt të tij pikërisht rregullimin e rasteve të përfitimit dhe kompensimit për burgim të padrejtë, përfshirë dhe masën e mënyrën e llogaritjes së tij, si dhe procedurat për kërkimin, pagesën dhe kompensimin për burgim të padrejtë.
22. Masa e kompensimit për burgim të padrejtë gjen rregullim në nenin 5 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005 në të cilin jepen kriteret që duhen mbajtur parasysh për këtë lloj dëmshpërblimi. Gjykata e apelit e ka përcaktuar masën e kompensimit për burgim të padrejtë që i takon paditësit vetëm duke iu referuar pikës 2 të nenit 5 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005, ku shprehimisht thuhet: Kompensimi caktohet deri në 2.000 lekë për një ditë burgim dhe 3.000 lekë për një ditë paraburgim, pa iu referuar pikës 1 të njëjtin nen ku parashikohet shprehimisht që: Kompensimi për burgim të padrejtë caktohet nga gjykata, duke mbajtur parasysh: a) të ardhurat nga paga për të punësuarit në sektorin publik ose në sektorin privat, deri një muaj para burgimit; b) fitimin e realizuar nga veprimtaritë tregtare dhe fitimprurëse gjatë tri viteve të fundit paraburgimit; c) pensionet e përfituara para ose gjatë paraburgimit; ç) pagën minimale në shkallë vendi për ata që kanë qenë pa punë, të paktën një muaj para datës së burgimit; d) rrethana të tjera, të lidhura me gjendjen ekonomike e familjare të burgosurit; dh) të ardhurat nga puna në burg.....
23. Në analizë të sa më sipër, zgjidhja që gjykata e apelit i ka dhënë mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi gjyqësor është në kundërshtim me ligjin nr.9381, datë 28.04.2005. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se në rastin konkret, gjykatat më të ulta duhet të merrnin në analizë dhe konsideratë gjithë përmbajtjen dhe parashikimet që ligjvënësi ka bërë në nenin 5 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005, dhe jo vetëm një parashikim siç është ai i maksimumit të shpërblimit parashikuar nga pika 2 e të njëjtës dispozitë, siç ka vepruar gjykata e apelit. Nëse do të ishte e mjaftueshme kjo, ligjvënësi nuk kishte përse të parashikonte dhe të përcaktonte në mënyrë eksplicite disa kritere (siç janë ato në nenin 5/1), të cilat janë komulative, të domosdoshme dhe që shërbejnë për përcaktimin e dëmshpërblimit.
Do'stlaringiz bilan baham: |