VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Në datën 26.11.2015 mori në shqyrtim në Dhomën e Këshillimit çështjen administrative me nr.31001-02193-00-2013 akti që iu përket palëve:
PADITËS: SHOQËRIA TREGTARE “DILO KONSTRUKSION” SHPK
I PADITUR: DREJTORIA E PËRGJITHSHME E PARANDALIMIT DHE PASTRIMIT TË PARAVE
OBJEKTI:
Shfuqizimin e aktit administrativ nr.6795 prot, datë 08.12.2009
të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave.
Pezullimin e zbatimit të aktit administrativ të sipërcituar.
Baza Ligjore: Nenet 324, 325 e 329 të Kodit Procedurës Civile;
ligji nr.9917, datë 19.5.2008
“Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.5399, datë 28.05.2012 ka vendosur:
Pranimin pjesërisht të padisë.
Anullimin e pjesshëm të vendimit nr.6795 prot, datë 08.12.2009 të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave në pikën “1” të tij, për dënimin e Shoqërisë “Dilo Konstruksion” Shpk me 4.450.000 (katër milion e katërqind e pesëdhjetë mijë) lekë gjobë, përsa i përket masës së dënimit, duke e ndryshuar atë në masën 3.255.969 lekë.
Rrëzimin e padisë për pjesën tjetër të këtij vendimi.
Rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të aktit administrativ.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.911, datë 18.04.2013, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.5399, datë 28.05.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të ketë paraqitur rekurs pala paditëse Shoqëria “Dilo Konstruksion” Shpk, e cila kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.5399, datë 28.05.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe vendimit nr.911, datë 18.04.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe pranimin e kërkesëpadisë sipas objektit të saj, duke shfuqizuar aktin administrativ të palës së paditur nr.6795, datë 08.12.2009.
Shkaqet që pala paditëse Shoqëria “Dilo Konstruksion” Shpk paraqet në rekurs, janë:
-
Gjykata ka gabuar në vendimin e saj, pasi akti administrativ objekt gjykimi, ka dalë në kundërshtim me kërkesat e neneve 107, 108 dhe 109/1 të Kodit Procedurave Administrative, si akt i paarsyetuar.
-
Konstatimi i rasteve të mosraportimit nuk shoqërohet me identifikimin për çdo shkelje konkrete edhe të ndëshkimit administrativ të arsyetuar.
-
Akti objekt gjykimi është kontradiktor me rrethanat dhe faktet, duke rënë në kundërshtim edhe me nenin 27 të ligjit nr.9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit”, ku përcaktohet qartë mënyra e gjobitjes për çdo shkelje.
-
Akti administrativ ka dalë në kundërshtim me nenin 12 të ligjit nr.9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit”, sipas të cilit, raportimi i subjektit për transaksionet kërkohet kur ka dyshime se prona është produkt i veprës penale, ose ka për qëllim të përdoret për financimin e terrorizmit. Në rastin e shoqërisë paditëse nuk ka pasur asnjë dyshim të tillë.
-
Në konsideratë të Udhëzimit nr.12, datë 05.02.2009 të dalë në zbatim të ligjit nr.9917, datë 19.05.2008, pala paditëse nuk ka pasur afat të përcaktuar për periudhën për raportim para daljes së udhëzimit dhe se inspektimi duhej tu referohej rasteve që i përkisnin periudhës pas hyrjes në fuqi të këtij akti nënligjor. Argumenti lidhet edhe me formularët specifik, të cilët përcaktoheshin nga ky udhëzim.
-
Vetë thelbi i pretendimeve të palës së paditur lidhur me shkeljen e kërkesave të ligjit nga subjekti nuk qëndron, pasi të gjitha rastet e pretenduara janë bërë nëpërmjet transfertave bankare.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të ketë paraqitur rekurs edhe Avokatura e Shtetit, e cila kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.5399, datë 28.05.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe vendimit nr.911, datë 18.04.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe rrëzimin e kërkesëpadisë.
Shkaqet që Avokatura e Shtetit paraqet në rekurs, janë:
-
Kundërvajtjet administrative të evidentuara nga akti i inspektimit pranë palës paditëse janë parashikime ligjore të parashikuara nga ligji nr.9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit” dhe konkretisht në nenin 11, pika 1, germat “a” dhe “b” dhe në nenin 12, pika 2, germat “a” dhe “b”.
-
Konkretisht inspektimi ka konstatuar shkeljet që lidhen me mungesën e disponimit të një rregulloreje apo procedurave të brendshme për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
-
Moscaktimin e personave përgjegjës për ndjekjen e problemeve të parandalimit të pastrimit të parave. Mosraportimin tek autoriteti përgjegjës i transaksioneve jo në para fizike, në një shumë të barabartë në vlerë me ose më të madhe se 6.000.000 lekë ose kundërvlerën në monedha të tjera të huaja, të kryera si një transaksion i vetëm ose si transaksione të lidhura me njëri-tjetrin. Mosraportimi tek autoriteti përgjegjës i transaksioneve në para fizike në një vlerë të barabartë ose me të madhe se 1.500.000 lekë ose kundërvlerën në monedha të tjera të huaja (dy raste të evidentuara).
-
Sipas nenit 27 të ligjit, shkeljet e kryera shoqërohen me sanksione sipas pikës 5, germa “b” dhe pikës 6, germa “b” të kësaj dispozite dhe nga ana e palës së paditur, është aplikuar dënimi minimal i parashikuar nga marzhi ligjor për subjektet juridike.
-
Për shkelje të nenit 12 të ligjit nr.9917/2008, marzhi i dënimit parashikohet nga 10% deri në 50% të shumës së transaksioneve dhe se në rastin konkret, subjekti është ndëshkuar për mosraportim të transaksionit të shtetasve J.D, A.Sh, A.Xh, N.M dhe P.K, për të cilët, shuma totale e transaksioneve shkon në masën 225.674 Euro, ose e barabartë me 29.500.000 lekë. Masa e gjobës për mosraportim, në shkelje të nenit 12 të ligjit nr.9917/2008, është vendosur 10% të shumës pra 2.950.000 lekë.
-
Për shkelje të nenit 11 (mosmarrje të masave parandaluese), ligji nr.9917/2008 parashikon marzh dënimi nga 1.000.000 lekë në minimum deri në 3.000.000 lekë dhe se masa e gjobës për mosmarrje të masave parandaluese është përcaktuar ndaj subjektit në masën 1.500.000 lekë.
-
Autoriteti përgjegjës ka respektuar plotësisht procedurën e posaçme për efekte të njoftimit të palës për ecurinë e shqyrtimit administrative, si dhe me nxjerrjen e aktit administrativ, i cili është individual dhe ka krijuar pasoja për palën.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi në tërësi çështjen, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 31.07.2013 është regjistruar çështja administrative nr.31001-02193-00-2013 regj. them, që u përket palëve ndërgjyqëse: paditëse Shoqëria Tregtare “Dilo Konstruksion” Shpk dhe e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, me objekt: Shfuqizimin e aktit administrativ nr.6795 prot, datë 08.12.2009 të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave. Pezullimin e zbatimit të aktit administrativ të sipërcituar.
2. Vendimi nr.911, datë 18.04.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë është marrë në shkelje të ligjit procedural, prandaj si i tillë ai duhet të prishet nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë dhe të vendoset pushimi i gjykimit të çështjes.
I. Rrethanat e çështjes:
3. Pala paditëse Shoqëria Tregtare “Dilo Konstruksion” Shpk, rezulton të jetë person juridik i të drejtës shqiptare, me objekt të veprimtarisë se saj realizim i punimeve të ndërtimit të çdo lloji, ndërtime civile dhe ekonomike, ndërtim rrugësh, kanash, ura, ujësjellës, vepra arti të çdo lloji, etj.
4. Me shkresën nr.6452, datë 13.11.2009 të palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, pala paditëse është njoftuar se pranë saj do të ushtrohej kontroll në datat 19-20 Nëntor 2009, sipas një “Programi pune për inspektim” për periudhën 10 shtator 2009-10 nëntor 2009. Objekt i kontrollit do të ishte respektimi i kuadrit ligjor për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit.
5. Pasi ka përfunduar kontrolli, nga përfaqësuesit e palës se paditur është përpiluar Akt Inspektimi në të cilin janë konstatuar një sërë shkeljesh që kanë të bëjnë me:
Nuk disponojnë rregullore apo procedura të brendshme për parandalimin e pastrimit të parave.
Nuk janë caktuar personat përgjegjës për ndjekjen e problemeve të parandalimit të pastrimit të parave.
Për veprimet me klientët në para fizike, në një vlerë të barabartë ose më të madhe se 1,5 milion lekë ose kundërvlerën në monedha të tjera të huaja, të cilat duhet të raportohen nga personi përgjegjës pranë Autoritetit Përgjegjës, janë vërejtur se gjatë kësaj periudhe paraqiten shtatë raste, që duhet të ishin raportuar, dhe konkretisht janë këto transaksione:
-
për klientin H.R, i cili ka paguar shumën prej 12.880 Euro me datën 07.10.2008;
-
për klienten J.D, e cila ka paguar shumën prej 39.200 Euro me datën 15.06.2009;
-
për klientin A.Sh, i cili ka paguar shumën prej 20.000 Euro me datën 17.07.2009;
-
për klientin A.Ç, i cili ka paguar shumën prej 28.000 Euro me datën 29.10.2008;
-
për klienten L.M, e cila ka paguar shumën prej 35.000 Euro me datën 10.09.2008;
-
për klientin A.Xh, i cili ka paguar shumën prej 17.625 Euro me datën 17.08.2009;
-
për klienten N.M, e cila ka paguar shumën prej 14.500 Euro me datën 17.06.2009;
6. Lidhur me veprimet e klientëve, jo në para fizike në një shumë të barabartë në vlerë me/ose më të madhe se 6 milion lekë ose kundërvlerën në monedha të tjera të huaja, të kryera si një transaksion i vetëm ose si transaksione të lidhura me njëri-tjetrin, të cilat duhet të raportohen nga personi përgjegjës pranë Autoritetit Përgjegjës, është vërejtur se gjatë periudhës së kontrollit, paraqiten dy raste dhe konkretisht:
-
Shtetasja N.Q ka paguar shumën 55.000 Euro më datën 17.09.2008;
-
Shtetasi P.K ka paguar shumën 134.310 Euro më datën 22.09.2009;
7. Në përfundim të kontrollit, pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave ka njoftuar palën e paditur Shoqëria Tregtare “Dilo Konstruksion” Shpk, se në datën 4 dhjetor 2009, do të shqyrtojë shkeljet-kundërvajtje administrative të konstatuara në aktin e inspektimit, shqyrtim i cili është realizuar.
8. Në përfundim të shqyrtimit të shkeljeve me shkresën nr.6795, datë 28.12.2009, pala e paditur ka njoftuar palën paditëse rreth vendimit për masën administrative të marrë ndaj saj: Dënimin e Shoqërisë “Dilo Konstruksion” Shpk me 4.450.000 lekë gjobë për kundërvajtjet administrative të përshkruar më sipër, duke argumentuar se, është aplikuar gjobë në masën 2.950.000 lekë, lidhur me shkeljet për mosraportimit dhe 1.500.000 lekë për mosmarrjen e masave parandaluese.
9. Pala paditëse Shoqëria Tregtare “Dilo Konstruksion” Shpk, duke mos qenë dakord me vendimin e sipërcituar, i është drejtuar gjykatës me kërkesëpadinë objekt gjykimi.
II. Vendimet dhe arsyetimi i gjykatave:
10. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.5399, datë 28.05.2012 ka vendosur:
Pranimin pjesërisht të padisë.
Anullimin e pjesshëm të vendimit nr.6795 prot, datë 08.12.2009 të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave në pikën “1” të tij, për dënimin e Shoqërisë “Dilo Konstruksion” Shpk me 4.450.000 (katër milion e katërqind e pesëdhjetë mijë) lekë gjobë, përsa i përket masës së dënimit, duke e ndryshuar atë në masën 3.255.969 lekë.
Rrëzimin e padisë për pjesën tjetër të këtij vendimi.
Rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të aktit administrativ.
11. Gjykata e rrethit gjyqësor ndër të tjera arsyeton se:
....Gjykata evidenton se “Dilo Konstruksion” Shpk, është subjekt i ligjit nr.9917/2008 sipas nenit 3, germa “k” nënndarja (iii) e tij, (subjektet që merren me ndërtime) dhe si i tillë i nënshtrohet të gjitha detyrimeve që ky ligj parashikon.
Gjykata vlerëson gjithashtu se pala paditëse, ka pasur detyrimin e vazhdueshëm për të marrë masa të karakterit organizativ dhe parandalues, siç janë të tilla parashikimet e nenit 11 të ligjit nr.9917/2008 në pikën 1, germat “a” dhe “b”, lidhur me: hartimin e një rregulloreje apo udhëzimi të brendshëm për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit dhe caktimin e një personi përgjegjës për ndjekjen e problemeve të sipërcituara (shkaqe të evidentuara në aktin e konstatimit dhe më pas në aktin administrativ të dënimit me gjobë). Këto detyrime që burojnë direkt nga ligji, nuk rezulton të jenë përmbushur nga pala paditëse në kohën e kryerjes së inspektimit nga pala e paditur.
Gjykata vlerëson gjithashtu se subjekti paditës, në zbatim të nenit 12, pika 2, germat “a” dhe “b” të ligjit 9917/2008, ka pasur detyrimin për raportim pranë autoritetit përgjegjës të të gjithë transaksioneve në para fizike, në një vlerë të barabartë ose më të madhe se 1.500.000 (një milion e pesëqind mijë) lekë ose kundërvlerën në monedha të tjera të huaja, dhe të gjitha transaksionet jo në para fizike, në një shumë të barabartë në vlerë me ose më të madhe se 6.000.000 (gjashtë milionë) lekë ose kundërvlerën në monedha të tjera të huaja, të kryera si një transaksion i vetëm ose si transaksione të lidhura me njëri-tjetrin.
Pretendimi i palës paditëse se transaksionet e evidentuara nga kontrolli nuk provohet të jenë të dyshimta, nuk ka asnjë rëndësi për efekt të mbartjes së detyrimit për deklarimin e tyre nga subjekti. Sipas nenit 12 të ligjit nr.9917/2008, Gjykata është e mendimit se paragrafi i dytë, i cili parashikon rastet raportuese lidhur me transaksionet në para fizike ose jo, nuk kërkon praninë e ndonjë dyshimi për qëllimin e transaksionit, por vetëm raportimin për efekt të kalimit të pragut ligjor që ka të bëjë me vlerën e transaksionit. Këtë përcaktim, jep edhe Udhëzimi nr.12 ,datë 05.02.2009 i Ministrit të Financave në nenin 8, pika 3.
Natyra e kryerjes së transaksionit në para fizike ose jo në para fizike si dhe kalimi i vlerës minimum e detyrueshme për deklarim, provohet të jenë kryer, në kushtet kur nuk u kundërshtuan nga pala paditëse. Lidhur me pretendimin e palës paditëse se: këto veprime janë pasqyruar në bankat respektive, gjykata në analizë të të dhënave të nxjerra nga Banka e Tiranës dhe Alpha Bank, arrin në përfundimin se: për efekte të kërkesave të ligjit, nuk ka rendësi nëse veprimet financiare (pjesërisht apo tërësore) janë pasqyruar në bankë në kushtet kur kreditimi i shoqërisë ndërtuese, kërkon depozitimin e shumave të tilla në institucione bankare për efekte që më së pari i shërbejnë shoqërisë.
Rezultoi e provuar se shoqëria paditëse ndaj klientëve ka lëshuar shtatë mandatë arkëtimi për efekte të njohjes së pagesës së shumave dhe ka lidhur dy kontrata sipërmarrje për shumat e konstatuara, në të tilla kushte ajo ka pasur detyrimin e raportimit, pranë Drejtorisë së Pastrimit të Parave.
Rezulton se pala paditëse ka shkelur detyrimin ligjor për zbatimin e masave parandaluese sipas nenit 11 të ligjit nr.9917/2008 dhe sipas nenit 27 të këtij ligji, kjo përbën kundërvajtje administrative. Sipas pikës 5, germa “b” të dispozitës së sipërcituar, subjekti juridik (siç është i tillë subjekti paditës) për shkak të shkeljes së nenit 11, është gjobitur në masën prej 1.500.000 lekë, sipas sqarimeve me shkrim të përfaqësuesit të palës së paditur Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit dhe Pastrimit të Parave.
Dispozita e sipërcituar që klasifikon shkeljet e mësipërme ligjore si kundërvajtje administrative dhe përcakton edhe marzhet e dënimit administrativ, referon tek ligji nr.7697, datë 04.07.1993 “Për kundërvajtjet administrative”, i ndryshuar, dhe po të tillë referim, bën edhe Udhëzimi nr.12 datë 05.02.2009 i Ministrit të Financave, në nenin 12 të tij.
Gjykata mban parasysh se ligji i aplikueshëm në kohën e kryerjes së inspektimit pranë palës paditëse, ka qenë ligji nr.7697, datë 04.07.1993 “Për kundërvajtjet administrative”, i ndryshuar, i cili në nenin 14 të tij ka parashikuar se: Shqyrtimi i kundërvajtjes administrative bëhet brenda 15 ditëve nga data e konstatimit të saj, por jo më vonë se 2 muaj pas kryerjes.
Ky afat ligjor, për efekt të pasojave ndëshkimore të kundërvajtjes së konsumuar (efekti disiplinues i ligjit) ka natyrë prekluzive, duke evidentuar edhe qëllimin e prekluzivitetit në këtë rast, i cili, synon të përjashtojë nga efektet ndëshkimore të ligjit të përgjithshëm apo specifik subjektin kundërvajtës, nëse afati i konstatimit ka kaluar. Ky është edhe kuptimi i prekluzivitetit, i cili është institut i të drejtës materiale civile dhe përbën në thelb mundësinë e ushtrimit të një të drejte brenda një afati prekluziv.
Në kushtet kur ligji specifik nr.9917/2008 nuk ka parashikuar asnjë përcaktim që të superojë rregullimet e ligjit të përgjithshëm të aplikueshëm nr.7697/1993, dhe ky i fundit, nuk parashikon ndonjë përjashtim i shprehur për këtë kategori kundërvajtjesh, neni 14 gjendet i zbatueshëm për efekt të pasojave të kundërvajtjeve të konsumuara. Gjykata shtron për diskutim çështjen nëse: kanë rënë në dekadencë dhe si të tilla nuk gjenden të dënueshme kundërvajtjet e konstatuara nga pala e paditur?
Nga analiza e rasteve të evidentuara në aktin e inspektimit, rezulton se janë kundërvajtje të rëna në dekadencë sipas vetë përcaktimit të nenit 14 të ligjit veprues në kohë për kundërvajtjet administrative, të gjitha transaksionet e listuara, përveç transaksionit të datës 22.09.2009 me shtetasin P.K. Me përjashtim të këtij rasti, të gjitha transaksionet e tjera të padeklaruara, nuk mund të sjellin pasoja ndëshkuese për subjektin.
Në vijim të logjikës së sipërcituar, gjykata vlerëson se gjoba e aplikuar nga pala e paditur në aplikim të nenit 12 të ligjit, duhet të anullohet pjesërisht. Gjykata nuk i hyn në këtë rast vlerësimit të masës së gjobës së aplikuar nga pala e paditur, e cila është llogaritur si shumë e masës prej 10% të disa prej transaksioneve të përzgjedhura prej saj, e finalizuar në vlerën 2. 950.000 lekë.
Për sa kohë kjo vlerë nuk tejkalon marzhin e dënimit, pala paditëse nuk mund të ankohet pse gjoba e vendosur prej tij në masën 10 % të detyrimit, nuk ka përfshirë të gjitha rastet ( pra në pasojë të kësaj logjike, pse pala e paditur nuk ka vendosur një masë më të lartë të gjobës).
Në kushtet e pranueshmërisë pjesore të gjobës së venë për shkak të disa prej transaksioneve të papaguara, gjykata vëren se kontrata me shtetasin P.K, është një ndër vlerat e llogaritura dhe sipas të njëjtës formulë të ndjekur nga pala e paditur (masa e konvertimit) vlera e transaksionit e paraportuara prej 134.310 euro do të konvertohej me vlerën 17.559.690 lekë, 10 % e të cilës do të ishte shuma prej 1.755.969 lekë. Vetëm kjo masë detyrimi nga pjesa e gjobës prej 2.950.000 lekë, qëndron.
Në përmbledhje të shumës për shkelje të nenit 11 pikat “a” dhe “b” prej 1.500.000 lekë dhe për shkelje pjesore të nenit 12 pikat “a” dhe “b” prej 1.755.969 lekë, gjykata vlerëson se totali i dënimit administrativ me gjobë që detyrohet të paguajë pala paditëse është 3.255.969 lekë, duke u anuluar pjesa e mbetur e gjobës....
12. Gjykata e Apelit Tiranë, me të njëjtin arsyetim me vendimin nr.911, datë 18.04.2013, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.5399, datë 28.05.2012 të Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Tiranë.
III. Ligji i zbatueshëm:
13. Neni 450 i K.Pr.Civile parashikon se:
Gjykata që ka dhënë vendimin nuk e pranon ankimin kur:
Është paraqitur jashtë afatit;
Nuk ndreqen të metat në afatin e caktuar. Në këto raste zbatohen rregullat e përcaktuara në nenin 157 të këtij Kodi;
Është bërë ndaj një vendimi ndaj të cilit nuk lejohet ankim;
Është bërë nga një person që nuk legjitimohet të bëjë ankim;
Është hequr dorë nga ankimi.
Mospranimi i ankimit mund të deklarohet në çdo shkallë gjykimi.
14. Neni 18/1 i ligjit nr.7697, datë 07.04.1993 “Për Kundravajtjet Administrative” parashikon se:
Kundër vendimit të dënimit nga organi administrativ mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve nga dita e shpalljes ose njoftimit në gjykatën e rrethit ku është kryer kundravajtja, vendimi i së cilës është i formës së prerë.
15. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin nr.11, datë 02.10.2009, ndërmjet të tjerave shprehen se:
Në rastet e kundravajtjeve administrative, subjekti ka të drejtën të ngrejë padi në gjykatën e shkallës së parë kundër çdo lloj dënimi administrativ të dhënë nga një organ administrativ, pavarësisht nëse kjo e drejtë është parashikuar ose jo shprehimisht nga ligji i veçantë.
Vendimi i dhënë nga gjykata e shkallës së parë që ka shqyrtuar kundravajtjen administrative është i formës së prerë dhe i pa ankimueshëm, përveç kur ligji i veçantë parashikon shprehimisht të drejtën për ndjekjen e rrugës së zakonshme të ankimit ndaj këtij vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë.
Ndërsa në rastet kur vendimi i dënimit administrativ është dhënë nga vetë gjykata e shkallës së parë, pala ndërgjyqëse ka të drejtën e ushtrimit të ankimit kundër këtij vendimi në gjykatën më të lartë në rrugë të zakonshme.
16. Neni 48/2 i ligjit nr.10279/2010 parashikon se:
.....Për të gjitha vendimet për kundërvajtjet administrative, që parashikojnë dënime administrative me gjobë, për të cilat kanë përfunduar procedurat e shqyrtimit administrativ përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe për to nuk ka filluar procedura e shqyrtimit gjyqësor, zbatohen dispozitat e kreut III të këtij ligji......
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
17. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë është marrë në zbatim të gabuar të ligjit procedural, prandaj ka arsye ligjore që ky vendim të cënohet.
18. Në rastin në shqyrtim gjykata e apelit ishte e detyruar që të zbatonte kërkesat e nenit 450 të K.Pr.Civile, i cili parashikon se: Gjykata që ka dhënë vendimin nuk e pranon ankimin kur është bërë ndaj një vendimi ndaj të cilit nuk lejohet ankim.........
19. Pala e paditur e ka gjobitur palën paditëse me datën 08.12.2009, ndërsa padia është regjistruar në gjykatën e shkallës së parë me datë 15.12.2009. Ligji nr.10279/2010 “Për Kundërvajtjet administrative” ka hyrë në fuqi me datë 14.07.2014 dhe seanca përgatitore është zhvilluar në datë 11.03.2010, prandaj për këtë çështje konsiderohet se ka filluar procedura e shqyrtimit gjyqësor, sepse para se të hynte në fuqi ligji i ri për kundërvajtjet administrative, gjykata e shkallës së parë ka bërë njoftimet e palëve dhe gjyqtari i vetëm është shprehur me vendim për caktimin e seancës përgatitore.
20. Meqenëse nuk ndodhemi përpara zbatimit kërkesave të nenit 48/2 të ligjit nr.10279/2010, atëhere Kolegji Administrativ vlerëson se, për këtë çështje duhet të zbatohen kërkesat e ligjit nr.7697, datë 07.04.1993 “Për Kundravajtjet Administrative”, i cili në nenin 18/1 parashikon se: Kundër vendimit të dënimit nga organi administrativ mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve nga dita e shpalljes ose njoftimit në gjykatën e rrethit ku është kryer kundravajtja, vendimi i së cilës është i formës së prerë, prandaj gjykata e apelit nuk mund ta shqyrtonte çështjen në shkallë të dytë, pasi vendimi i gjykatës së shkallës së parë ishte i formës së prerë.
21. Ky është qëndrimi që mbajnë Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin nr.11, datë 02.10.2009, në të cilin ndërmjet të tjerave thuhet se: Në rastet e kundravajtjeve administrative, subjekti ka të drejtën të ngrejë padi në gjykatën e shkallës së parë kundër çdo lloj dënimi administrativ të dhënë nga një organ administrativ, pavarësisht nëse kjo e drejtë është parashikuar ose jo shprehimisht nga ligji i veçantë.
Vendimi i dhënë nga gjykata e shkallës së parë që ka shqyrtuar kundravajtjen administrative është i formës së prerë dhe i pa ankimueshëm, përveç kur ligji i veçantë parashikon shprehimisht të drejtën për ndjekjen e rrugës së zakonshme të ankimit ndaj këtij vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë.
Ndërsa në rastet kur vendimi i dënimit administrativ është dhënë nga vetë gjykata e shkallës së parë, pala ndërgjyqëse ka të drejtën e ushtrimit të ankimit kundër këtij vendimi në gjykatën më të lartë në rrugë të zakonshme....
22. I ndodhur në këto rrethana, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, vendimi Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të prishet dhe të pushohet gjykimi i çështjes, pasi vendimi i dhënë nga gjykata e shkallës së parë është një vendim i pa ankimueshëm.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63/ç të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative”...
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.911, datë 18.04.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe pushimin gjykimit të çështjes.
Tiranë, më 26.11.2015
Nr. 11243-02181-00-2013 Regj.Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4479 Vendimi (649)
Do'stlaringiz bilan baham: |