VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
në datën 26.11.2015, në dhomë këshillimi, mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.00308/2012 akti, që u përket palëve:
PADITËS: BILBIL MYKAJ
PALË E PADITUR: DREJTORIA RAJONALE E SIGURIMEVE SHOQËRORE TIRANË
OBJEKTI:
Detyrimin e palës së paditur
Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë për:
Të ndryshuar vendimin e përcaktimit të masës së pensionit të parakoshëm
për vjetërsi shërbimi, përcaktuar masën e tij sipas nenit 11, gërma a dhe b
të Ushtarakeve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”,
i ndryshyuar nga data e caktimit te pensionit e në vijim;
Të indeksuar masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi
në përputhje me nenin 18 të Ligjit nr.8087, datë 13.03.1996
“Për sigurimin shoqëror të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura të R.Shqipërisë”,
i ndryshuar që nga data e caktimit të masës së pensionit e në vazhdim
dhe njohur atë si masë përfundimtare nga data 01.07.2009 e në vijim;
Të paguar diferencat e krijuara midis masës së pensionit sipas Ligjit nr.8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura
të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe pensionit të paguar
nga data e caktimit të pensionit të parakohshëm e në vijim.
Baza Ligjore: Nenet 31, 32, 153 dhe 154 të K.Pr.Civile.
Kushtetuta e R.Sh, nenet 4/1, 42/1 dhe 44 të Ligjit nr.7703, datë 11.5.1993
“Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”,
neni 6 i Ligjit nr.8087, datë 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar
të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, neni 11 i ndryshuar; Ligji nr.9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura
të Republikës së Shqipërisë”, nenet 35 dhe 49;
Ligji nr.10142, datë 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar
të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të policisë së shtetit,
të policisë së burgjeve; të policisë së mbrotjes nga zjarri dhe shpëtimit
dhe të punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm të Republikës së Shqipërisë”,
nenet 24 dhe 29;
Vendimi me nr.33, datë 24.06.2010 i Gjykates Kushtetuese;
Vendimi nr.60, datë 18.01.2005; nr.19, datë 28.01.2005;
nr.00-2010-1109, datë 22.10.2010; nr.00-2010-1020, datë 01.10.2010;
nr.00-2010-1212, datë 19.11.2010 të Gjykatës së Lartë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.1330, datë 16.02.2012 ka vendosur:
-Pranimin e padisë së paditësit Bilbil Mykaj.
-Detyrimin e palës së paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë të rillogarisë pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi që nga data 01.01.1999, të indeksuar.
-Detyrimin e palës së paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë ti paguajë paditësit diferencën midis masës së rillogaritur të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe asaj të paguar nga përfitimi i pensionit, duke përfshirë dhe masën e indeksimeve të përvitshme.
-Shpenzimet gjyqësore të evidentuara në masën 12.000 lekë, janë në ngarkim të palës së paditur.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2250, datë 02.10.2012, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit civil nr.1330, datë 16.02.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.2250, datë 02.10.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe të vendimit nr.1330, datë 16.02.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe rrëzimin e kërkesë padisë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Gjykata ka gabuar në vendimin e saj, pasi ka interpretuar gabim dispozitat e ligjit mbi të cilin pala paditëse ka përfituar pensionin e parakohshëm.
-
Pensioni i parakohshem i ushtarakut të dalë në lirim përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë është një % fikse (50 %) për një minimum shërbimi (15 vjet) dhe pjesa e dytë që është një shtesë në përqindje për çdo vit më shumë shërbimi.
-
Pensioni i parakohshëm (pra shuma e të dy pjesëve) kufizohet nga një shumë absolute.
-
Përgjithësisht kjo mënyrë kufizimi nga sipër masës së përfitimit, ekziston jo vetëm në ligjin e sigurimeve shoqërore të detyrueshme por edhe në ligjet e tjera të sigurimeve shoqërore suplementare.
-
Gjithashtu mbi këtë fakt lidhur me masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nr.9, datë 26.02.2007, në të cilin ndër të tjera thuhet: “...Por përsa i përket maksimumit të kësaj pagese ligji i ri bën ndryshime esenciale në raport me ligjin nr.9418, datë 20.05.2005. Ndërsa me ligjin nr.e mëparshëm pagesa e pensionit shkonte deri në katërfishin e pensionit bazë në shkallë vendi me ligjin e ri ulet pagesa e pensionit të parakohshëm për ushtarakët e dalë në pension deri në datën e hyrjes në fuqi për statusin. Për këta ushtarakë kjo pagesë shkon deri në masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi, e barabartë me dyfishin e pensionit bazë”. Pra, edhe vetë Gjykata Kushtetuese në vendimin e sipërcituar është shprehur mbi masën maksimale të pensionit të parakohshëm për ushtarakët.
-
Theksojmë se në paragrafin e parë të nenit 2 të Ligjit nr.8087, datë 13.03.1996 i ndryshuar, parashikohet shprehimisht: “Përfitimet nga ky ligj financohen dhe garantohen nga Buxheti i Shtetit”. Në kuptim të këtij neni, në rast se ISSH do të kishte zbatuar në mënyrë të gabuar ligjin, atëherë do të abuzonte me fondet e buxhetit të shtetit.
-
Ligji nr.8087, datë 11.03.1996, i ndryshuar, është shfuqizuar me Ligjin nr.9418, datë 20.05.2005 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave tëArmatosura të RSH”, në nenin 32 të ligjit të sipërcituar thuhet: “Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 3, 4, 13, 14, 16 e 31/1 brenda 1 muaji nga data e hyrjes në fuqi të ligjit”. Neni 14 parashikon masën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.
-
Nga ana e KM nuk u nxorr asnjë akt nënligjor që të ngarkonte institucionin tonë për zbatimin e ligjit.
-
Paditësi kërkon aplikimin e një skeme pa kufizime në masën e pensionit, në kushtet kur ligji që ka qenë në fuqi në kohën kur ka dalë në pension të parakohshëm parashikon kufizime. Statusi i ushtarakut nuk mund të përcaktojë rregullat dhe mënyrën e përllogaritjes, pasi për këtë llogaritje në momentin e lindjes së të drejtës është zbatuar si duhet neni 11 i Ligjit nr.8087, datë 11.03.1996, i ndryshuar me Ligjin nr.8521, datë 30.07.1999.
-
Ligji nr.8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror”, i ndryshuar me Ligjin nr.8521 datë 30.07.1999, është shfuqizuar me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, si dhe është vendosur rillogaritja e të gjitha pensioneve.
-
Për këtë arsye, paditësi nuk mund të kërkojë rillogaritje të pensionit përsa kohë ky proces do të kryhet administrativisht nga ana e DRSSH Tiranë.
-
Përsa i përket pretendimit të paditësit për indeksimin sipas shportës, të cilin e bazon në Ligjin nr.9377, datë 20.05.2005, në nenin 20 parashikohet se: “Pensionet e pleqërisë, familjare dhe ato të invaliditetit indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimit të mallrave dhe shërbimeve të përzgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. KM cakton çdo vit listen e mallrave të zgjedhur mbi të cilën llogaritet indeksi, metoda e llogaritjes dhe data e llogaritjes”. Këto koefiçentë zbatohen vetëm për efekt të llogaritjes fillestare të pensioneve të pleqërisë, në zbatim të Ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në R.Sh”, ndërsa paditësi nuk është subjekt i këtij ligji.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Evelina Qirjako, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se, paditësi Bilbil Mykaj ka qenë oficer i shërbimit aktiv të përhershëm ushtarak që nga viti 1971 deri në datën 01.01.1994, kur me urdhërin nr.3240, datë 24.12.1993 të Ministrit të Mbrojtjes është nxjerrë në rezervë, duke shërbyer si ushtarak (oficer) i shërbimit aktiv për një periudhë prej 23 vjet.
2. Paditësi duke qenë se kishte vjetërsi shërbimi si ushtarak, si dhe nuk kishte mbushur moshën për të përfituar pension pleqërie, i është drejtuar palës së paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë për të përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.
3. Me vendimin nr.608, datë 17.06.2000, DRSSH Tiranë i ka caktuar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi paditësit Bilbil Mykaj, me afat të fillimit të pagimit të tij nga data 01.01.1999 deri në datën 10.02.2010, në masën prej 8000 lekë në muaj. Si pagë referuese është marrë paga prej 14.669 lekë në muaj. Mbi këtë masë, janë aplikuar rritjet dhe është bërë indeksimi sipas VKM-ve respektive.
4. Pala paditëse i është drejtuar palës së paditur me kërkesën nr.6984 prot, datë 24.07.2008, duke pretenduar se DRSSH Tiranë nuk i ka përllogaritur saktë pensionin e parakohshëm.
5. Me shkresën nr.6984/1 prot., 28.07.2008, pala e paditur i ka kthyer përgjigje palës paditëse, duke i sqaruar se: “...Ju keni përfituar pension të parakohshëm ushtarak sipas ligjit nr.8087. Bazuar në ligjin 8087, datë 03.07.1996 përfitojnë pension të parakohshëm ushtarak sipas nenit 11, ku citohet: Ushtarakët e shërbimit aktiv të përkohshëm që kanë dalë në rezervë e lirim pas datës 03.07.1991 deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie sipas ligjit 7703, datë 11.05.1993 përfitojnë pension të parakohshëm ushtarak. Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi do të jetë: a. 50% të pagës referuese mbi të cilën është derdhur kontributi; b. Për çdo vit të vjetërsisë së shërbimit mbi përcaktimin e mësipërm masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi...”.
6. Me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të policisë së shtetit, të policisë së burgjeve; të policisë së mbrotjes nga zjarri dhe shpëtimit dhe të punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm të Republikës së Shqipërisë”, pala paditëse i është drejtuar sërisht anës së paditur me shkresën nr.11498/1 prot., datë 16.01.2012, duke pretenduar se nuk i është rillogaritur pensioni sipas parashikimeve të ligjit të ri.
7. Me shkresen nr.11498/1 prot. datë 16.01.2012, DRSSH Tiranë i ka kthyer përgjigje palës paditëse duke i sqaruar se: “.... Ju është caktuar, llogaritur dhe keni përfituar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në mbështetje të ligjit nr.8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Masa fillestare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në datën 01.01.1999, datë e lindjes së të drejtës për këtë përfitim sipas këtij ligji ka qenë .... 8000 lekë/muaj. Masa e këtij pensioni më datën 30.06.2009 ___16.926 lekë/muaj Në mbështetje të nenit 29, pika 2 të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk ju është rillogaritur, sepse nuk kanë ardhur pagat nga Ministria e Mbrojtjes për të bërë rillogaritjen. ...”.
8. Në këto kushte, pala paditëse duke mos qenë dakord me përgjigjen e marrë nga DRSSH Tiranë, në datën 25.11.2011 i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me padinë me objekt të sipërcituar, duke pretenduar se, DRSSH Tiranë i ka përllogaritur gabim pensionin e parakohshëm në kundërshtim me sa parashikojnë dispozitat ligjore në fuqi, si dhe detyrimin e saj për ti paguar diferencat e papaguara së bashku me indeksimin e tyre sipas parashikimeve të VKM-ve përkatëse.
9. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.1330, datë 16.02.2012 ka vendosur:
-Pranimin e padisë së paditësit Bilbil Mykaj.
-Detyrimin e palës së paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë të rillogarisë pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi që nga data 01.01.1999, të indeksuar.
-Detyrimin e palës së paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë ti paguajë paditësit diferencën midis masës së rillogaritur të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe asaj të paguar nga përfitimi i pensionit, duke përfshirë dhe masën e indeksimeve të përvitshme.
-Shpenzimet gjyqësore të evidentuara në masën 12.000 lekë, janë në ngarkim të palës së paditur.
9/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “....Sipas nenit 6 të ligjit 8521/1999: përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit ushtarak në masën 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat, dhe kur kanë mbushur moshën 44 vjeç gratë dhe 47 vjeç burrat. Rezulton nga të dhënat dokumentare në dosjen e paditësit Bilbil Mykaj se ai ka 23 vite shërbimi dhe se është i datëlindjes 10.02.1952, pra në kohën e përfitimit të pensionit në vitin 1999, ka plotësuar kërkesat e ligjit.... Gjykata konstaton se, kjo skemë nuk është respektuar në rastin e paditësit dhe nëse do të respektohej, ai do të përfitonte 50 % të pagës referuese prej 45600 lekë, si edhe 2% për 8 vite vjetërsi shërbimi të tij, (50%+16%) pra gjithsej 66% të pagës referuese prej 14.669 lekë, e cila, sipas llogaritjes në vetë fletëpërllogaritjen e kryer nga DRSSH do të ishte 9682 lekë. Në fakt, masa e pensionit të lidhur paditësit është më pak, ndërsa pengesa ligjore e parashikuar nga germa “b” e nenit 6 të ligjit 8521/1999 në nivel të pensionit maksimal te pleqërisë ne shkallë vendi, nuk u provua nga pala e paditur të ishte sa shtesat e aplikuara për 8 vite vjetërsi shërbimi pas 15 viteve të para. Gjykata konstaton në vijim se, pikërisht kjo paqartesi, u shfuqizua me ligjin nr.9210 datë 23.3.2004 “Për statusin e ushtarakut të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë”, neni 49 i tij.... Gjykata vlerëson se qëndrimi i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë mbi rillogaritjen e pensionit të parakohshëm në zbatim të ligjit nr.10142 datë 15.5.2009 ...., neni 29, pika 2 e tij, nuk interferon në të drejtën e tij për të kërkuar zbatimin korrekt të ligjit në kohën e përfitimit të pensionit të parakohshëm që është data 01.01.1999. ...Në kushtet kur pensioni konsiderohet si mbrojtje financiare e detyrueshme e shtetit ndaj individit përfitues dhe në vlerësim të garancisë në nivel kushtetues të nenit 29 të ligjit 10142/2009 për mospërkeqësimin e të drejtës së masës së fituar të pensionit, paditësi legjitimohet ti kërkojë autoritetit të sigurimeve shoqërore pagimin e diferencës midis masës së përfituar nga rillogaritja e pensionit në vlerën e 66 % të pagës referuese të indeksuar, dhe asaj të paguar ndaj tij efektivisht. Për sa më sipër, gjykata çmon se padia e paditësit Bilbil Mykaj është e mbështetur në ligj dhe në prova, dhe si e tillë duhet të pranohet, duke u detyruar pala e paditur ti rillogarisë dhe paguajë atij diferencën e papaguar nga pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi, - i cili është në masën 66% të pagës referuese, - që nga koha e përfitimit të këtij pensioni....”.
10. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2250, datë 02.10.2012, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit civil nr.1330, datë 16.02.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
10/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “...gjykata çmon se padia e paditësit Bilbil Mykaj është e mbështetur në ligj dhe në prova, dhe si e tillë duhet të pranohet, duke u detyruar pala e paditur ti rillogarisë dhe paguajë atij diferencën e papaguar nga pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi, i cili është në masën 66% të pagës referuese, që nga koha e përfitimit të këtij pensioni. Ky është dhe qëndrimi i Gjykatës së Apelit Tiranë i mbajtur në vendimin nr.175, datë 29.01.2008, nr.899, datë 08.05.2008 dhe nr.1549, datë 01.10.2008, që kanë ndryshuar vendimet e gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë respektivisht nr.7030, datë 07.12.2006, nr.684, datë 06.02.2007 dhe nr.3085, datë 26.04.2007, si dhe vendimet nr.60, datë 18.01.2005 dhe nr.19, datë 28.01.2005 të Gjykatës së Lartë Tiranë, e cila ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur kundër vendimit nr.173, datë 16.07.2004 të Gjykatës së Apelit Shkodër që ka lënë në fuqi vendimin nr.55, datë 30.03.2004 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, kjo e fundit ka vendosur refuzimin e kërkesës së Dr. Rajonale Kukës për pezulimin e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë nr.55, datë 30.03.2004, kërkesë e cila nuk është pranuar si e pabazuar në ligj...”.
11. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.2250, datë 02.10.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe të vendimit nr.1330, datë 16.02.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe rrëzimin e kërkesë padisë, duke parashtruar ato shkaqe që citohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
12. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon se, vendimi nr.2250, datë 02.10.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë, është marrë në zbatim të gabuar të ligjit procedurial dhe atij material, e për rrjedhojë, ai duhet të prishet dhe çështja duhet të dërgohet për rigjykim, pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
13. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, të dyja gjykatat më të ulëta në zgjidhjen e çështjes objekt gjykimi, nuk kanë kuptuar dhe interpretuar drejtë dizpozitat e ligjës materiale të detyrueshme për t’u zbatuar në zgjidhjen e konfliktit dhe për rrjedhojë nuk e kanë zgjidhur atë në përputhje me ligjin.
14. Referuar natyrës juridike të mosmarrëveshjes, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, çështja objekt shqyrtimi përbën një mosmarrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore të krijuar si pasojë e nxjerrjes së akteve administrative të sipërcituara nga ana e paditur. Rezulton se, kërkimet e paditësit në këtë gjykim janë: “Detyrimin e palës së paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë për: a) të ndryshuar vendimin e përcaktimit të masës së pensionit të parakoshëm për vjetërsi shërbimi, përcaktuar masën e tij sipas nenit 11, gërma a dhe b të Ushtarakeve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar nga data e caktimit te pensionit e në vijim; b) të indeksuar masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në përputhje me nenin 18 të Ligjit nr.8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar që nga data e caktimit të masës së pensionit e në vazhdim dhe njohur atë si masë përfundimtare nga data 01.07.2009 e në vijim; c) të paguar diferencat e krijuara midis masës së pensionit sipas Ligjit nr.8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe pensionit të paguar nga data e caktimit të pensionit të parakohshëm e në vijim”.
15. Në shqyrtim të shkakut ligjor të kërkimeve të paditësit, objektit të gjykimit si dhe të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, të cilat i janë nënshtruar hetimit dhe debatit gjyqësor në gjykatat më të ulëta, rezulton se, paditësi në këtë gjykim kërkon të përfitojë pensionin e parakohshëm të ushtarakut dhe konflikti midis palëve ndërgjyqëse, qëndron në faktin sesi do të llogaritet ky pension. Rezulton se, paditësit i ka lindur e drejta për t’u trajtuar me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në Forcat e Armatosura, në datën 01.01.1999. Me vendimin nr.608, datë 17.06.2000, DRSSH Tiranë i ka lidhur paditësit pension të parakohshëm në masën prej 8.000 lekë në muaj, të barabartë me pensionin maksimal të pleqërisë në shkallë vendi. Por paditësi pretendon se, pala e paditur e ka përllogaritur gabim masën e pensionit, duke i dhënë atij një masë më të vogël nga ajo që parashikonin dispozitat ligjore në fuqi, në momentin kur paditësit i ka lindur kjo e drejtë.
16. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon se, në çështjen objekt gjykimi, të dyja gjykatat më të ulëta kanë interpretuar pjesërisht gabim dispozitat materiale të zbatueshme për zgjidhjen e konfliktit, të shtruar për zgjidhje para gjykatës. Paditësit i ka lindur e drejta për përfitim pensioni të parakohshëm të ushtarakut, në datën 01.01.1999, kohë në të cilën, si ligj i zbatueshëm, ka qenë ai me nr.8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar me Ligjin nr.8251 datë 30.07.1999, efektet e të cilit shtriheshin në kohën në të cilën paditësit i ka lindur e drejta për pension suplementar. Në nenin 11 të këtij ligji të ndryshuar, i titulluar “Pension i parakohshëm për vjetërsi shërbimi”, parashikohej se kush ishin subjektet që do të përfitonin nga ky ligj si dhe formula e përcaktimit të pensionit të parakohshëm. Konkretisht në këtë dispozitë parashikohej se: “Ushtarakët e shërbimit aktiv te përhershëm, që kanë dalë në rezervë e në lirim pas datës 03.07.1991 deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie, sipas ligjit nr.7703, date 11.05. 1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit si ushtarak në masën 12 vjet për gratë dhe 15 vjet për burrat dhe të kenë mbushur moshën: gratë 42 vjeç dhe burrat 47 vjeç. Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi do të jetë: a) 50 për qind të pagës referuese mbi të cilën është derdhur kontributi; b) Për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese, por jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi....”.
17. Në analizë të dispozitës ligjore të sipërcituar, rezulton se, pensioni i parakohshëm, paditësit, duhej t’i përllogaritej sa shumatorja e: (i) 50% e pagës referuese që ka marrë paditësi (e cila sipas pretendimeve rezulton të ketë qenë në masën prej 13.665 lekë), dhe (ii) 2% të pagës referuese, për çdo vit vjetërsi shërbimi mbi 15 vjet. Pra, subjekti paditës, duhej të përfitonte pension në masën që përcaktohet nga formula që parashikonte ligji i zbatueshëm në datën 01.01.1999, dhe jo domosdoshmërisht, sa ka qenë masa e pensionit maksimal në shkallë vendi në këtë datë. Ky ka qenë vullneti i shprehur nga ligjvënësi në atë moment dhe pala e paditur, si dhe çdo organ tjetër shtetëror është e detyruar që ta zbatonte atë.
18. Rezulton që, gjatë kohës së gjykimit të kësaj çështjeje pranë gjykatave më të ulëta, ka hyrë në fuqi Ligji nr.10142, datë 15.05.2009 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura, të punonjësve të policisë së shtetit, të gardës së republikës, të shërbimit informativ të shtetit, të policisë së burgjeve, të policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, nëpërmjet të cilit janë shfuqizuar Ligji nr.8087, datë 13.03.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar me Ligjin nr.8251 datë 30.07.1999 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8087, datë 13.03.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë".
19. Sipas nenit 29 të ligjit të sipërcituar, i titulluar “Rillogaritja e të drejtave të njohura”, pika 2 e tij, parashikohet se: “2. Pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare, të caktuara në përputhje me ligjet nr.8087, datë 13.3.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar dhe nr.8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit", si edhe ato të caktuara me vendime të gjykatave, pavarësisht nga mosha e vjetërsia në punë, në çastin e fillimit të së drejtës, do të rillogariten. Rillogaritja bëhet sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe në bazë të pagave referuese, në çastin që i ka lindur e drejta për përfitim. Mbi këtë masë përfitimi të rivlerësuar zbatohen koeficientet e rritjes apo të indeksimit të pensionit, sipas vendimeve të veçanta të Këshillit të Ministrave, nga çasti i lindjes së të drejtës dhe deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Masa e pensionit, e rivlerësuar si më lart, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, vlerësohet si shumë përfundimtare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi ose e pensionit suplementar.” Pra, ky ligj ka parashikuar qartazi që të gjitha pensionet e përfituara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë objekt rishqyrtimi dhe rivlerësimi i tyre do të kryhet sipas parashikimeve të këtij ligji, fakt i cili është marrë në konsideratë nga ana e të dyja gjykatave, por nuk është analizuar zbatimi i tij në lidhje me këtë mosmarrëveshje.
20. Në analizë të dispozitës së mësipërme dhe në referim të akteve të dosjes gjyqësore, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, pavarësisht se paditësi e ka përfituar të drejtën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi sipas Ligjit nr.8087, datë 13.03.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar me Ligjin nr.8251 datë 30.07.1999 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8087, datë 13.03.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", masa e pensionit të parakohshëm të pleqërisë për paditësin duhet rillogaritur, duke marrë në konsideratë, jo vetëm parashikimet e ligjeve të kohës kur i ka lindur kjo e drejtë (referuar gjithë periudhës që ato kanë qenë në fuqi), por edhe parashikimet e ligjit të fundit që është në fuqi dhe që rregullon këtë të drejtë (me të gjitha ndryshimet), duke i filluar efektet nga momenti që ai ka hyrë në fuqi.
21. Ky Kolegj, vlerëson të theksojë se, e drejta për sigurime shoqërorë në pleqëri është e drejtë themelore e njeriut, e parashikuar posaçërisht nga Kushtetuta në nenin 52, dhe që i garantohet personit kur përmbush kushte të caktuara sipas ligjit. Por, nëse sigurimi shoqëror bazë është një e drejtë kushtetuese ekonomiko-sociale dhe si e tillë lidhet me detyrimin e shtetit për të qenë aktiv, e për t’u garantuar shtetasve sigurimin e mjeteve të përshtatshme për nevoja jetësore në rastet e fatkeqësive, sëmundjeve, invaliditetit, pleqërisë dhe papunësisë së padëshiruar, ndryshimi i skemës së përfitimeve suplementare mbetet në diskrecion të politikave dhe mundësive të ekzekutivit, kurse prekja e skemës së sigurimeve shoqërore bazë nuk duhet kurrsesi të pësojë ndryshime të tilla, që të përkeqësojë ndjeshëm jetën e shtetasve që përfitojnë këtë sigurim.
22. Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr.2 datë 18.02.2013, ka mbajtur këtë qëndrim “..megjithëse skema e re e llogaritjes së masës së sigurimit suplementar ka sjellë uljen e të ardhurave për përfituesit, kjo ndërhyrje është në përpjesëtim të drejtë me qëllimin që e ka diktuar atë. Siç u tha më lart, qëllimi që kërkon të arrijë ekzekutivi/ligjvënësi me anë të rregullimit të ri është mbajtja e skemës së sigurimeve brenda parimeve bazë të saj, pra të raporteve të drejta dhe të arsyeshme midis masës së sigurimit të parakohshëm dhe pagës mesatare neto nga puna. Diferencimet që ekzistonin para kësaj ndërhyrjeje cenonin parimet dhe rregullat në fushën e pagave dhe të tatimit mbi të ardhurat personale si dhe shkaktonin një detyrim të papërballueshëm për buxhetin e shtetit duke e rrezikuar atë seriozisht. Gjykata konstaton se masa e pensionit e përllogaritur sipas formulës së re mbështetet në mundësitë reale buxhetore, ajo siguron respektimin e parimeve të funksionimit të skemave suplementare, si dhe ruajtjen e raporteve të arsyeshme midis pensionit suplementar të ushtarakëve, atij të pleqërisë dhe pagës neto nga puna”. Në këtë kuptim, rillogaritja e pensionit të parakohshëm për paditësin, nga ana e palës së paditur, është një detyrim i përcaktuar me ligj dhe nuk mund të konsiderohet cënim i të drejtës së tij të përfituar më parë, me Ligjin nr.8087, datë 13.03.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
23. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin unifikues nr.3/2013 në një mosmarrëveshje të ngjashme me çështjen objekt shqyrtimi, janë shprehur se gjykata, në të tilla raste është e detyruar ti japë përgjigje konkrete kërkimeve të paditësit dhe jo thjesht të urdhërojë zbatimin e ligjit nga pala e paditur DRSSH, në kushtet kur paditësi ka kërkuar detyrimin për pagim pensioni nga një datë e caktuar.
24. Në nenin 14, prg.1 të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, parashikohen kriteret për llogaritjen e pensionit të parakohshëm për personat që kanë plotësuar kushtet ligjore për këtë lloj përfitimi, si vijon: “1. Pensioni i parakohshëm për personat, që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese”. Në nenin 4 të ligjit të sipërcituar, i ndryshuar jepet definicioni rreth pagës referuese, në të cilin parashikohet se: “1. Përfitimet, që jepen nga ky ligj, l logariten në bazë të pagës referuese. 2. Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë apo funksion në datën e lindjes së të drejtës së një përfitimi. Për efekt të llogaritjes së përfitimeve: a) Paga referuese neto është paga që rezulton pas zbritjes, nga paga referuese, të kontributit të detyrueshëm të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor plus tatimin mbi të ardhurat personale plus kontributin suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga. b) Paga mesatare referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese sipas periudhave të qëndrimit në atë gradë apo funksion. c) Paga mesatare referuese neto është paga e barabartë me pagën referuese mesatare, pasi i zbritet shuma e kontributit të sigurimit shoqëror shëndetësor, tatimit mbi të ardhurat dhe kontributit suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga. Pagat referuese të njësuara, rregullat e llogaritjes së pagës referuese neto dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese neto, për të gjithë karrierën, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave". Parashikimet e këtij neni lidhen ngushtësisht me zbatimin dhe aplikimin e nenit 29 të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, ku në paragrafin e dytë të tij është konkluduar se, rillogaritja e pensionit të parakohshëm duhet të kryhet duke ju referuar nocionit të pagës referuese. Për këtë arsye, gjykatat në shqyrtimin e kësaj çështje, duhet të mbajnë në konsideratë këto parashikime ligjore.
25. Për sa më sipër, duke qenë se gjykatat më të ulëta kanë vepruar pjesërsiht në kundërshtim me dispozitat proceduriale dhe materiale për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje, për arsye se nuk kanë përcaktuar detyrimin konkret të palës së paditur ndaj paditësit dhe nuk kanë marrë në analizë mosmarrëveshjen objekt shqyrtimi edhe në referim të Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për t’u rishqyrtuar në Gjykatën Administrative të Apelit.
26. Kjo gjykatë, duhet të përsërisë hetimin gjyqësor në bazë të nenit 465 të K.Pr.Civile ku parashikohet se “Në shqyrtimin e çështjes në gjykatën e apelit mbahen parasysh për aq sa janë të zbatueshme dispozitat mbi procedurën e gjykimit në shkallë të parë”, dhe të caktojë kryesisht ekspertë të specializuar, për të llogaritur masën e pensionit që i takon paditësit dhe detyrimin e palës së paditur ndaj paditësit. Në kushtet kur kërkimet e paditësit në këtë proces, lidhen me pretendime për llogaritjen e saktë të pensionit të parakohshëm nga data 01.01.1999 e në vijim, si dhe duke u nisur nga fakti që legjislacioni i zbatueshëm, ka pësuar ndryshime në vite, kjo Gjykatë duhet t’u japë përgjigje pyetjeve të tilla si: i) Sa është masa e pensionit të parakohshëm që duhet të përfitonte paditësi në përputhje me Ligjin 8087, datë 13.03.1996, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar me Ligjin nr.8251 datë 30.07.1999 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8087, datë 13.03.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë" deri sa hyri në fuqi Ligji nr.10142, datë 15.05.2009? ii) Sa është diferenca midis masës së pensionit që i takon paditësit referuar zbatimit të ligjit në kohë dhe asaj që ai ka përfituar efektivisht sipas vendimit të dhënë nga DRSSH Tiranë, nga data që i ka lindur kjo e drejtë (pra nga data 01.01.1999) deri në datën që ka hyrë në fuqi Ligji nr.10142, datë 15.05.2009? iii) Sa është masa e pensionit e rillogaritur për paditësin sipas Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, nga data që ky ligj ka hyrë në fuqi? Gjykata Administrative e Apelit Tiranë për një hetim më të plotë dhe të gjithanshëm, mund të caktojë dhe detyra të tjera, duke marrë në konsideratë edhe kërkesat e palëve në proces.
27. Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, në shqyrtimin dhe zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje, për aq sa janë të zbatueshme dhe pa cënuar interesat dhe të drejtat e palëve në proces, duhet të ketë parasysh edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr.9/2007, nr.33/2010 dhe nr.2/2013, të cilat rregullojnë këtë veprimtari dhe ndihmojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes objekt gjykimi, në përputhje me ligjin. Në rigjykim, kjo gjykatë duhet t’u bëjë të qartë palëve që është detyrë e secilës prej tyre, që në përputhje me ligjin të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Palët ashtu siç kanë të drejtat kanë dhe detyrimet që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara.
28. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon se, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, duhet të lejojë të dyja palët që të paraqesin prova shkresore me anën e të cilave ato të provojnë pretendimet e tyre, bazuar në nenin 12 dhe 19 të K.Pr.Civile dhe t’i lejojë ato, që t’ia nënshtrojnë hetimit e debatit gjyqësor. Ky Kolegj, çmon gjithashtu se, kryerja e veprimeve të përmendura më sipër, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive, lidhur me zgjidhjen e çështjes objekt shqyrtimi.
29. Për sa më sipër, ky Kolegj, çmon se, ka vend për pranimin e rekursit të depozituar nga palës së paditur në këtë gjykim, pasi vendimi nr.2250, datë 02.10.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, është marrë në zbatim të gabuar të ligjit material dhe për këtë arsye, ky vendim duhet prishur dhe çështja të kthehet për rigjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, duke orientuar këtë të fundit që gjatë gjykimit të saj, të zgjidhi çështjen objekt shqyrtimi, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, që rregullojnë këtë mosmarrëveshje.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.2250, datë 02.10.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë më 26.11.2015
Nr. 11243-00495-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-4595 i Vendimit (645)
Do'stlaringiz bilan baham: |