II. Vendimet e gjykatave dhe arsyetimi i tyre:
10. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.678, datë 05.03.2012 ka vendosur:
Pranimin e kërkesëpadisë.
Detyrimin e palës së paditur Ministria e Financave, Dega e Thesarit Vlorë të kompensojnë për burgim të padrejtë paditësin Artan Veliu në masën 1.947.000 (një milion nëntëqind dyzet e shtatë) lekë.
11. Gjykata e rrethit gjyqësor ndër të tjera arsyeton:
Në rastin konkret gjykata vëren se, sipas vendimit nr.333, datë 20.09.2006 të Gjykatës së Apelit Vlorë, nuk rezulton që, i pandehuri Artan Veliu (paditës në këtë gjykim) të ketë ndërmarrë veprime që kanë shkaktuar tërësisht apo pjesërisht marrjen e një vendimi të gabuar, për kufizimin e lirisë së tij personale. Gjithashtu, bazuar në këtë vendim nuk rezulton që, paditësi të ketë ndërmarrë veprime që kanë shkaktuar tërësisht apo pjesërisht mos zbulimin në kohë të së vërtetës, lidhur me ngjarjen në fjalë. Përkundrazi, që në fillim të procedimit penal ndaj tij, paditësi ka mohuar kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohet.
Sa më sipër, bazuar në nenin 4 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005 gjykata vëren se, paditësi nuk përjashtohet nga e drejta për kompensim për burgim të padrejtë.
Përsa i përket periudhës së burgimit të padrejtë që ka vuajtur paditësi Artan Veliu, në bazë të së cilës do të llogaritet edhe masa e kompensimit në lekë, gjykata vëren se, paditësi Artan Veliu ka qëndruar në paraburgim nga data 01.10.2004 deri në datë 20.09.2006 pra 720 ditë, paraburgim. Ndërkohë paditësi në kërkesën e tij drejtuar gjykatës kërkon shpërblimin për 649 ditë në vlerën 1.947.000 lekë.
Neni 6 i Kodit të Procedurës Civile përcakton se: “Gjykata që gjykon mosmarrëveshjen duhet të shprehet mbi gjithçka që kërkohet dhe vetëm për atë që kërkohet”. Në respektim të kësaj dispozite, gjykata nuk mund të shprehet tej asaj që kërkon pala kërkuese në objektin e kërkimit.
Sa më sipër, bazuar në nenet 4, 5 dhe 6 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005, gjykata çmon se, paditësi duhet të përfitojnë dëmshpërblim për burgim të padrejtë si më poshtë vijon :
649 ditë x 3.000 lekë/ditë = 1.947.000 (njëmilion e nëntëqind e dyzet e shtatë) lekë.
Në këto kushte, bazuar në ligjin nr.9381, datë 28.04.2005 “Për kompensimin për burgim të padrejtë”, gjykata arrin në përfundimin se, paditësi ka të drejtë të dëmshpërblehet nga pala e paditur Ministria e Financave Dega e Thesarit Vlorë, si kompensim për burgim të padrejtë në shumën e përcaktuar si më sipër.
12. Gjykata e Apelit Vlorë, me të njëjtin arsyetim me vendimin nr.512, datë 17.07.2013, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.678, datë 05.03.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
III. Ligji i zbatueshëm:
13. Në nenin 44 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikohet se:
Kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore.
14. Në nenin 9 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet se:
Personave që procedohen në kundërshtim me ligjin ose dënohen pa të drejtë u kthehen të drejtat dhe shpërblehen për dëmin e pësuar...
15. Në nenin 268 të Kodit të Procedurës Penale, është parashikuar se: Ai që është deklaruar i pafajshëm me vendim të formës së prerë ka të drejtën e kompensimit për paraburgimin e vuajtur, me përjashtim të rasteve kur është provuar që vendimi i gabuar ose moszbulimi në kohën e duhur i faktit të panjohur është shkaktuar tërësisht ose pjesërisht prej tij. Kjo dispozitë, zbatohet edhe në favor të personit për të cilin është vendosur pushimi i çështjes nga gjykata.
16. Në nenin 5 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005 “Për Kompensimin e Burgimit të Padrejtë”, është parashikuar se:
1. Kompensimi për burgim të padrejtë caktohet nga gjykata, duke mbajtur parasysh:
a) të ardhurat nga paga për të punësuarit në sektorin publik ose në sektorin privat, deri një muaj para burgimit;
b) fitimin e realizuar nga veprimtaritë tregtare dhe fitimprurëse gjatë tri viteve të fundit para burgimit;
c) pensionet e përfituara para ose gjatë paraburgimit;
ç) pagën minimale në shkallë vendi për ata që kanë qenë pa punë, të paktën një muaj para datës së burgimit;
d) rrethana të tjera, të lidhura me gjendjen ekonomike e familjare të të burgosurit;
dh) të ardhurat nga puna në burg.
2. Kompensimi caktohet deri në 2.000 (dy mijë) lekë për një ditë burgim dhe 3.000 (tre mijë) lekë për një ditë paraburgim.
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
17. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala e paditur Ministria e Financave Tiranë përmban shkaqe ligjore nga ato të parashikuara në nenin 58 të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, të cilat e bëjnë të cënueshëm vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë.
18. Paditësi Artan Veliu ka kërkuar me anë të padisë objekt shqyrtimi, detyrimin e palës së paditur për t’i kompensuar dëmin e shkaktuar si pasojë e burgimit të padrejtë. Kërkimet e tij, paditësi i ka mbështetur në nenet 268 dhe 269 të K.Pr. Penale, si dhe në ligjin nr.9381, datë 28.04.2005 “Për Kompensimin e Burgimit të Padrejtë”.
19. Kolegji Administrativ i Gjykatës se Lartë çmon se paditësi legjitimohet në kërkimin e tij për kompensimin e burgimit që ai ka vuajtur padrejtësisht. Kjo e drejtë e tij sanksionohet nga neni 44 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i cili shprehimisht thotë: Kushdo ka të drejtë të rehabilitohet dhe/ose të zhdëmtohet në përputhje me ligjin, në rast se është dëmtuar për shkak të një akti, veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore, si dhe neni 9 i K.Pr.Penale, i cili parashikon se: personave që procedohen në kundërshtim me ligjin ose dënohen pa të drejtë u kthehen të drejtat dhe shpërblehen për dëmin e pësuar...
20. E drejta e kompensimit për burgim të padrejtë gjen rregullim të posaçëm në ligjin nr.9381, datë 28.04.2005 “Për Kompensimin e Burgimit të Padrejtë”. Ky ligj ka për objekt të tij pikërisht rregullimin e rasteve të përfitimit dhe të kompensimit për burgim të padrejtë, përfshirë edhe masën e mënyrën e llogaritjes së tij, si dhe procedurat për kërkimin, pagesën dhe kompensimin për burgim të padrejtë.
21. Masa e kompensimit për burgim të padrejtë gjen rregullim në nenin 5 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005 në të cilin jepen kriteret që duhen mbajtur parasysh për këtë lloj dëmshpërblimi. Gjykatat më të ulta kanë përcaktuar masën e kompensimit për burgim të padrejtë që i takon paditësit vetëm duke iu referuar pikës 2 të nenit 5 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005, ku shprehimisht thuhet: Kompensimi caktohet deri në 2.000 lekë për një ditë burgim dhe 3.000 lekë për një ditë paraburgim, pa iu referuar pikës 1 të njëjtin nen ku parashikohet shprehimisht që: Kompensimi për burgim të padrejtë caktohet nga gjykata, duke mbajtur parasysh: a) të ardhurat nga paga për të punësuarit në sektorin publik ose në sektorin privat, deri një muaj para burgimit; b) fitimin e realizuar nga veprimtaritë tregtare dhe fitimprurëse gjatë tri viteve të fundit paraburgimit; c) pensionet e përfituara para ose gjatë paraburgimit; ç) pagën minimale në shkallë vendi për ata që kanë qenë pa punë, të paktën një muaj para datës së burgimit; d) rrethana të tjera, të lidhura me gjendjen ekonomike e familjare të burgosurit; dh) të ardhurat nga puna në burg.....
22. Në analizë të sa më sipër, zgjidhja që gjykatat i kanë dhënë mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi gjyqësor është në kundërshtim me ligjin nr.9381, datë 28.04.2005. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se në rastin konkret, gjykatat më të ulta duhet të merrnin në analizë dhe konsideratë gjithë përmbajtjen dhe parashikimet që ligjvënësi ka bërë në nenin 5 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005, dhe jo vetëm një parashikim siç është ai i maksimumit të shpërblimit parashikuar nga pika 2 e të njëjtës dispozitë. Nëse do të ishte e mjaftueshme kjo, ligjvënësi nuk kishte pse të parashikonte dhe të përcaktonte në mënyrë eksplicite disa kritere (siç janë ato në nenin 5/1), të cilat janë komulative, të domosdoshme dhe që shërbejnë për përcaktimin e dëmshpërblimit.
Do'stlaringiz bilan baham: |