23. Në këto rrethana, Kolegji Administrativ vlerëson se ishte detyrim i gjykatave, në respektim të nenit 14 të K.Pr.Civile, të hetonin nëse: pala paditëse Artan Veliu ka punuar para se të arrestohej, apo ka qenë i papunë, është trajtuar me ndihmë sociale, etj. Vetëm pasi të verifikonin dhe hetonin në lidhje me rrethanat e mësipërme, gjykatat mund të shpreheshin në lidhje me masën e kompensimit që do i takonte paditësit, në zbatim të nenit 5 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005 “Për Kompensimin për Burgim të Padrejtë”.
24. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, parashikimet e nenit 5 të ligjit nr.9381/2005 duhet të vlerësoheshin nga gjykatat më të ulta së bashku dhe në harmoni të plotë, sepse parashikimet e pikës 2 nenit 5 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005, përbëjnë kufirin maksimal të kompensimit për burgim të padrejtë, i cili u jepet personave që kanë të ardhura ditore të barabarta ose që i kalojnë këto kufij maksimal të parashikuar nga ligji. Por kjo nuk do të thotë që të gjithë personat që vuajnë paraburgim/burgim të padrejtë duhet të trajtohen me maksimumin e dëmshpërblimit që jep dispozita, pasi dhe dëmi për të gjithë personat që vuajnë paraburgim/burgim të padrejtë nuk është i njëjtë. Në këtë kontekst gjykatat në përcaktimin e masës së dëmshpërblimit duhet të vlerësonin drejtë të gjitha kriteret e parashikuara në ligj dhe jo t’i veçojnë e ndajnë ato nga njëra-tjetra.
25. Përsa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon se vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë duhet prishur dhe në zbatim të vendimit unifikues nr.03/2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, çështja duhet të dërgohet për rishqyrtim, pranë Gjykatës Administrative të Apelit, sepse Gjykata e Lartë, si gjykatë ligji, nuk merr prova, gjë që duhet ta bëjnë gjykatat e tjera të niveleve më të ulta, (nuk mund të përcaktojë masën e kompensimit për burgim të padrejtë që mund të përfitojë paditësi), por ajo vetëm evidenton shkeljet që kanë lejuar gjykatat, qoftë të normave procedurale dhe atyre materiale, duke kërkuar respektimin e tyre.
26. Në rishqyrtimin e çështjes, Gjykata Administrative e Apelit, duhet të zhvillojë një hetim të plotë e të gjithanshëm gjyqësor të çështjes, në përputhje me kërkesat e nenit 14 të K.Pr.Civile, duke hetuar në lidhje me kriteret që parashikon pika 1 e nenit 5 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005, siç janë të ardhurat nga paga, fitimi nga veprimtari tregtare, pensionet e përfituara, gjëndjen ekonomike dhe familjare dhe më pas të caktojë dëmshpërblimin.
27. Duke arsyetuar si më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, arrin në përfundimin se rekursi i paraqitur nga pala e paditur Ministria e Financave Tiranë është i bazuar në ligj, prandaj ai duhet të pranohet dhe për rrjedhojë vendimi i gjykatës së apelit duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim, pranë Gjykatës Administrative të Apelit.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63/c të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”;
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.512, datë 17.07.2013 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit.
Tiranë, më 26.11.2015
Nr. 11243-02630-00-2013 Regj.Themeltar
Nr. 00-2015-4439 Vendimi (651)
VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Në datën 26.11.2015 mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit çështjen administrative me nr.11243-02630-00-2013 akti që iu përket palëve:
PADITËS: GURALI DIKELLARI
I PADITUR: DEGA E THESARIT POGRADEC
PERSONI I TRETË: PROKURORIA POGRADEC
OBJEKTI:
Detyrimin e palës së paditur të më kompensojë në shumën 285.000 lekë,
si kompensim për 95 ditë paraburgim të padrejtë.
Baza Ligjore: Neni 32 i K.Pr.Civile,
neni 5/5 i Konventës Europiane
Për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut,
neni 44 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë,
nenet 9, 268, 269 të KPr.Penale, ligji nr.9381, datë 28.04.2005
“Për kompensimin e burgimit të padrejtë”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin nr.404-261, datë 19.04.2013 ka vendosur:
Pranimin e padisë.
Detyrimin e palës së paditur Dega e Thesarit Pogradec të dëmshpërbleje paditësin Gurali Dikellari në shumën 285.000 (dyqind e tetëdhjetë e pesë mijë) lekë, si kompensim për burgim të padrejtë.
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.395, datë 12.07.2013, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.404-261, datë 19.04.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec që u përket palëve Gurali Dikellari e Dega e Thesarit Pogradec me objekt kompensim për burgim të padrejtë.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të ketë paraqitur rekurs pala e paditur Dega e Thesarit Pogradec, e cila kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.404-261, datë 19.04.2013, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, dhe vendimit nr.395, datë 12.07.2013, të Gjykatës së Apelit Korçë, duke vendosur kompensimin e paditësit për burgim të padrejtë në bazë të pagës minimale përcaktuar në VKM që ka qenë në fuqi 1 muaj para arrestimit.
Shkaqet që pala e paditur Dega e Thesarit Pogradec paraqet në rekurs, janë:
-
Vendimet e gjykatave që i kanë njohur paditësit të drejtën për përfitimin e kompensimit sipas shumës së caktuar, në zbatim të nenit 472/a të Kodit të Procedurës Civile, janë marrë në zbatim të gabuar të ligjit material dhe procedural dhe si të tilla, në zbatim të nenit 485/d të Kodit të Procedurës Civile, ato duhet të ndryshojnë.
-
Në lidhje me rrethanat që përbën shkak për përjashtim nga e drejta e kompensimit është detyrë e organit të akuzës, pasi është organi, i cili gjatë shqyrtimit penal të çështjes është me në kontakt me çështjen.
-
Ligji përcakton: Kompensimi caktohet deri në 2.000 lekë për një ditë burgim dhe 3.000 lekë për një ditë paraburgim. Interpretimi i pikës 2 të nenit 5 të ligjit nr.9381, “Për kompensimin e burgimit të padrejtë” nuk duhet bërë në favor të përcaktimit të një vlere fikse si kompensim për paraburgimin e vuajtur.
-
Masa e kompensimit varion sipas veçorive të rastit konkret. Neni 5/1 i ligjit, ka përcaktuar kriteret që gjykata duhet të vlerësojë në përcaktimin e masës së kompensimit.
-
Personi që pretendon kompensimin është i detyruar të provojë ekzistencën e dëmit të pësuar, se vetëm në këtë mënyrë mund të ndodhë një shpërblim i drejtë. Paditësi duhej të paraqiste në cilësinë e provës dokumente që të tregojë se ka qenë në marrëdhënie pune dhe ka paguar sigurimet shoqërore apo shëndetësore, dhe duke paraqitur këto si prova ai ndodhet në kushtet e pikës d, të nenit 5 të ligjit nr.9831, që përcakton pagën minimale si kriter në vlerësimi për caktimin e dëmshpërblimit në këtë rast papunësie. Mos paraqitja e dokumenteve sjell pamundësinë e provimit të te ardhurave që kishte paditësi në momentin e arrestimit për të gjykuar me pas për shpërblimin e dëmit pasuror si kompensim.
-
Ligjvënësi ka përcaktuar shprehimisht marrjen parasysh të të ardhurave nga paga kur punonjësi ka qenë i punësuar apo pagën minimale kur ai ka qenë i papunë.
-
Është absurd fakti që në vendim është caktuar masa maksimale e shpërblimit vetëm mbi disa prova jo të njohura nga ligji ku nuk jepen të dhëna mbi vlerat monetare të shpenzuara, pa u shoqëruar me vërtetimin nga sigurimet shoqërore, pra dokument zyrtar provues ku mbështetet gjykata për ti dhënë paditësit një vlerë kaq të madhe.
-
Paditësi nuk e ka shoqëruar pretendimin për dëmshpërblim me vërtetim nga zyra e sigurimeve shoqërore, as ndonjë vërtetim tjetër, si rrjedhim nuk rezulton ligjërisht e provuar se ai ka qenë në marrëdhënie pune apo i vetëpunësuar në sektorin privat, për më tepër që paditësi në kërkesëpadi dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk ka paraqitur prova të tjera të vlefshme se që të tregonte se sa të ardhura ka pasur në momentin e burgimit dhe si e tillë nuk mund të provojë dëmin pasuror që ka pësuar.
-
Vendimi mbi kompensimin kur mungon mundësia për t’iu drejtuar një të dhëne të saktë dhe që të mund të përdoren elemente konkrete provues në lidhje me secilin nga përbërësit e kompensimit duhet sidoqoftë të bazohet mbi prova të sakta ose mbi një kriter aritmetik.
-
Vendimi i gjykatës së shkallës së parë dhe apelit në këtë rast është i pabazuar në ligjin e posaçëm.
-
Sipas nenit 126 të K.Pr. Civile, gjykata në vendimin përfundimtar duhet të japë një analizë të provave mbi bazën e të cilave zgjidh pasojat.
-
Nëse paditësi do të paraqiste si provë në gjykim vërtetimin nga sigurimet shoqërore atëherë masa e kompensimit caktohej nga gjykata, duke pasur parasysh të ardhurat nga paga për të punësuarit në sektorin publik apo atë privat, deri një muaj para burgimit (neni 5, pika a e ligjit nr.9381, datë 28.04.2005, “Për kompensim për burgim të padrejtë”.
-
Si rrjedhim nuk rezulton ligjërisht e provuar se sa të ardhura ka marrë, kur ka qenë i lirë, si e tillë nuk mund të provojë dëmin pasuror që ka pësuar.
-
Nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec dhe Gjykata e Apelit Korçë nuk është hetuar dhe provuar fakti i vlerës së të ardhurave nga një marrëdhënie pune në sektorin privat/shtetëror të paktën një muaj përpara burgimit, qoftë me një vërtetim page, por vetëm dokumenti për derdhjen e kontributeve, pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Pogradec deri në një muaj para burgimit të tij. Ky është detyrim i parashikuar në ligjin nr.7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Nuk është depozituar asnjë vërtetim mbi pagën e shoqëruar me vërtetimin për pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore me qellim që të vërtetohej sa të ardhura kishte paditësi një muaj para burgimit.
-
Ligji ka qenë taksativ në kërkimin e këtyre dokumenteve, të cilat duhet të provojnë të ardhurat në momentin e arrestimit në intervalin deri në një muaj para.
-
Megjithëse dhe në mungesë të provave, gjykata prapë ka lënë në fuqi vendimin për dëmshpërblim me 3.000 lekë në ditë.
-
Provat e paraqitura nga paditësi (recetë pa rimbursim, fletëdalje spitali, anamneza etj) nuk përbëjnë rrethana të njohura nga ligji për të konkluduar në lidhje me masën e kompensimit. Ligji njeh të ardhurat nga punësimi ose pagën minimale për të papunët si reference për të caktuar masën e kompensimit. Gjykata ka interpretuar gabim parashikimet e ligjit të posaçëm.
-
Në vendim del e qartë se nuk u provua me dokument zyrtare që paditësi të ketë patur të ardhura nga paga një muaj para burgimit, të ketë realizuar fitim nga veprimtari tregtare fitim prurëse apo të siguronte të ardhura nga ndonjë pension apo të ardhura nga ndonjë formë tjetër. Dhe fill pas këtij arsyetimi, gjykata i ka akorduar si dëmshpërblim maksimal në vlerën prej 3.000 lekë.
-
Për këtë arsye gjykata në përcaktimin e masës së kompensimit duhet t'i referohej pikës d, të nenit 5/1 të ligjit nr.9381, “Për kompensimin e burgimit të padrejtë” ku është parashikuar: “që masa e kompensimit caktohet nga gjykata, duke pasur parasysh pagën minimale në shkallë vendi për atë që ka qenë i papunë, të paktën një muaj para burgimit”.
-
Në bazë të vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë nr.3, datë 27.03.2003 midis kompensimit për burgim të padrejte për dëmet pasurore që ai ka pësuar dhe shpërblimit të dëmit si institut i se drejtës civile nga ana tjetër nuk mund të vihet shenja e barazimit, si rrjedhim kërkesat për kompensim për burgim të padrejtë që hyjnë në juridiksionin e gjykatave civile i nënshtrohen një rregullimi tjetër ligjor, konkretisht janë rregulluar me ligjin nr.9381, datë 28.04.2005, dhe jo atij të parashikuar nga nenet 640 të K. Civil në lidhje me shpërblimin e dëmit.
-
Në lidhje me shpenzimet gjyqësore, detyrimi për t’i ngarkuar të paditurit të gjithë masën e shpenzimeve gjyqësore është në kundërshtim me ligjin. Gjykata kur i ka ngarkuar këto shpenzime gjyqësore Degës së Thesarit Pogradec nuk ka vepruar në përputhje me nenin 106 të K.Pr.Civile. Në bazë të kësaj dispozite shpenzimet gjyqësore, i ngarkohen të paditurit në masën e pranimit të padisë nga gjykata. Gjykata e ka pranuar pjesërisht padinë e paditësit dhe ndërkohë ka ngarkuar palët e paditura me pagimin e gjithë shumës së shpenzimeve gjyqësore.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Medi Bici dhe e bisedoi çështjen në tërësi, në dhomën e këshillimit, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 24.09.2013 është regjistruar çështja administrative nr.11243-02630-00-2013 regj. them, që u përket palëve ndërgjyqëse: paditës Gurali Dikellari, e paditur Dega e Thesarit Pogradec dhe person i tretë Prokuroria Pogradec, me objekt: Detyrimin e palës së paditur të më kompensojë në shumën 285.000 lekë, si kompensim për 95 ditë paraburgim të padrejtë.
2. Vendimi nr.395, datë 12.07.2013 i Gjykatës së Apelit Korçë është rrjedhojë e një hetimi jo të plotë dhe të gjithanshëm gjyqësor, i cili është në kundërshtim me kërkesat e nenit 14 të K.Pr.Civile, prandaj si i tillë ai duhet të prishet nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim, pranë Gjykatës Administrative të Apelit.
I. Rrethanat e çështjes:
3. Në referim të dokumentacionit ligjor të administruar në dosje rezulton se me vendimin nr.128, datë 22.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec është vendosur masa e sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit Gurali Dikellari, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje” parashikuar nga neni 76 i K. Penal.
4. Me vendimin nr.29, datë 23.03.2012 të po kësaj gjykate është vendosur zëvendësimi i masës së sigurimit ndaj shtetasit Gurali Dikellari nga “Arrest në burg” në “detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”.
5. Me vendimin datë 04.09.2012 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec është vendosur pushimi i hetimeve ndaj shtetasit Gurali Dikellari për shkak se nuk provohet që ky shtetas të ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohej.
6. Në këto kushte, paditësi i është drejtuar gjykatës me një kërkesë për kompensim për burgim të padrejtë, duke pretenduar shumën prej 285.000 lekë, pasi ka qëndruar padrejtësisht për një periudhë 95 ditë në paraburgim.
II. Vendimet e gjykatave dhe arsyetimi i tyre:
7. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin nr.404-261, datë 19.04.2013 ka vendosur:
Pranimin e padisë.
Detyrimin e palës së paditur Dega e Thesarit Pogradec të dëmshpërblejë paditësin Gurali Dikellari në shumën 285.000 (dyqind e tetëdhjetë e pesë mijë) lekë, si kompensim për burgim të padrejtë.
8. Gjykata e rrethit gjyqësor ndër të tjera arsyeton:
Në rastin konkret, në kuptim të nenit 268/1 i KPr.Penale dhe nenit 4/1 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005, nuk rezulton që vendimi i gabuar ose mos zbulimi në kohën e duhur i faktit të panjohur, të jetë shkaktuar tërësisht ose pjesërisht prej paditësit Gurali Dikellari.
Kërkesën për kompensimin për burgim të padrejtë paditësi Gurali Dikellari e ka ngritur brenda afatit 3 vjeçar nga koha e lindjes të së drejtës. Në këto kushte paditësi Gurali Dikellari legjitimohet në ngritjen e kësaj padie.
Për caktimin e masës së kompensimit për burgim të padrejtë, gjykata ka parasysh kërkesat e nenit 5 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005 “Për kompensimin e burgimit të padrejtë”.
Mbi këtë bazë, gjykata çmon se në rastin konkret, në zbatim të nenit 5/2 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005, masa e kompensimit që duhet të caktohet ndaj paditësit Gurali Dikellari për periudhën e paraburgimit të vuajtur padrejtësisht, të jetë në shumën 3.000 (tre mijë) lekë për një ditë paraburgim.
Gjatë gjykimit si pala e paditur ashtu edhe personi i tretë pretenduan se paditësi Gurali Dikellari duhet të kompensohet për burgim të padrejtë, duke marrë parasysh vetëm pagën minimale në shkallë vendi.
Ky pretendim i palës së paditur dhe i personit të tretë është pjesërisht bazuar në ligj. Në përcaktimin e masës së kompensimit për burgim të padrejtë ndaj paditësit Gurali Dikellari, gjykata nuk duhet të marrë parasysh vetëm masën e pagës minimale në shkallë vendi sepse ky është vetëm njëri nga kriteret e përcaktuara nga ligji në nenin 5/1, pika “ç” të tij, por duhet të marrë parasysh edhe kriteret e tjera të përcaktuara nga ligji në nenin 5/1 të tij, si rrethanat e tjera që lidhen me gjendjen ekonomike, familjare, shëndetësore të paditësit të përmendura me sipër.
9. Gjykata e Apelit Korçë, me të njëjtin arsyetim me vendimin nr.395, datë 12.07.2013, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.404-261, datë 19.04.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec që u përket palëve Gurali Dikellari e Dega e Thesarit Pogradec, me objekt kompensim për burgim të padrejtë.
Do'stlaringiz bilan baham: |