VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga :
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Medi Bici Anëtar
Në datën 26.11.2015 mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit çështjen administrative me nr.90400-02592-00-2012 akti që ju përket palëve :
KËRKUES: SHOQËRIA TREGTARE “P.PLASA” SHPK
PERSON I TRETË: DEGA E DOGANËS KAPSHTICË.
OBJEKTI:
Sqarim, interpretim vendimi nr.2397, datë 10.09.2009
të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Korçë.
Baza Ligjore: Neni 314 i K.Pr.Civile.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin nr.41-2012-1066 (4/1249), datë 06.03.2012 ka vendosur:
Pranimin e kërkesëpadisë së kërkuesit “P.Plasa” shpk me objekt sqarim dhe interpretim vendimi.
Sqarimin dhe interpretimin e vendimit gjyqësor 41-2009-3946 (2397), datë 10.09.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë. Lënë në fuqi me vendimin nr.60, datë 24.02.2010 të Gjykatës së Apelit Korçë si më poshtë:
Shfuqizimin e vendimeve nr.73-73/1,2,3,4,5,6,7,8,9,10,11,12,13, datë 19.11.2008 të Degës së Doganës Kapshticë të dhënë ndaj palës paditëse Shoqëria Tregtare “P.Plasa” shpk duke detyruar autoritetet doganore ti kthej shoqërisë tregtare “ P.Plasa “ shpk shumën prej 1 136 068 lekë të depozituar prej saj si parapagim i detyrimit doganor, gjobave dhe interesave.
Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.24, datë 27.06.2012 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.4/1249 prot.datë 06.03.2012 të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Korçë.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Korçë, ka ushtruar rekurs pala e paditur, Dega e Doganës Kapshticë, e cila kërkon prishjen e vendimeve dhe vendosjen e rrëzimit të padisë, duke parashtruar këto shkaqe;
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë në vendimin e vet nr.2397, datë 10.09.2009 është shprehur vetëm për çka është kërkuar nga paditësi në padinë e paraqitur për gjykim.
-
Nëse kjo gjykatë do të shprehej në dispozitivin e vendimit për të cilin kërkohet të saktësohet, për kthimin e shumës së përcaktuar në këto vendime të Degës së Doganës Kapshticë, jo vetëm do të kishte shkelur rëndë parimin procedurial të mësipërm, por do të shprehej për më shumë nga çfarë kërkonte të arrinte paditësi me padinë e paraqitur për gjykim.
-
Kërkesa e paditësit për sqarim dhe interpretim mbështetet në nenin 314 të K.Pr.Civile i cili kërkon dy kushte që vendimi të jetë i errët dhe të kërkohet nga palët dhe në rastin konkret vendimi nuk është i errët dhe gjykata është shprehur për atë çfarë është kërkuar.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Ardian Dvorani dhe diskutoi çështjen në tërësi në dhomën e këshillimit ,
V Ë R E N
Vendimi nr.24, datë 27.06.2012 i Gjykatës se Apelit Korçë dhe vendimi nr.41-2012-1066 (4/1249), datë 06.03.2012 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë duhet të prishen dhe të vendoset pushimi i gjykimit.
Përsa i përket rrethanave të faktit rezulton se Autoritet Doganore me shkresën nr.552 prot.datë 20.11.2008 e kanë shpallur shoqërinë “Plasa” shpk debitore ndaj Degës së Doganës Kapshticë, në shumën 1 136 068 lekë në bazë të vendimeve nr.73-73/13, datë 19.11.2008.Ky vendim i është njoftuar palës debitore në datë 24.11.2008 e cila pasi ka ezauruar ankimin administrativ i është drejtuar me kërkesëpadi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e saj nr.2397, datë 10.09.2009 ka vendosur pranimin e padisë, duke shfuqizuar vendimet nr.73-73/1-13, datë 19.11.2008 të Degës së Doganës Kapshticë. Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Korçë me vendimin nr.60, datë 24.02.2010.
Ndonëse me vendimet e mësipërme shoqërisë “ Plasa” shpk iu pranua padia, bazuar në nenin 314 të K.Pr.Civile paraqiti kërkesë para Gjykatës që kishte dhënë vendimin nr.2397, datë 10.09.2009 me objekt sqarimin dhe interpretimin e vendimit me pretendimin se gjykata ka pranuar pavlefshmërinë e vendimeve dhe kthimin e palëve në gjendjen e mëparshme, çka do të thotë se shumat e parapaguara duhet ti kthehen, mirëpo në dispozitivin e vendimit gjykata nuk është shprehur për këtë element.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, në vendimin e dhënë prej saj, ka pranuar kërkesën e Shoqërisë Tregtare “P.Plasa” shpk duke shtuar në dipozitiv atë që kërkonte kërkuesi; detyrimin e Degës Doganës Kapshticë t’i kthejë shoqërisë tregtare “P.Plasa” shpk shumën prej 1 136 068 lekë të depozituara prej saj si parapagim i detyrimit doganor (gjobave dhe interesave).
Gjykata e Apelit Korçë, e vënë në lëvizje mbi ankimin e personit të tretë, Dega e Doganës Kapshticë, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, duke konfirmuar arsyetimet e parashtruara në vendimin e dhënë nga kjo gjykatë.
Kundër vendimit të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Korçë, ka paraqitur rekurs në Gjykatë të Lartë, personi i tretë, Dega e Doganës Korçë, ku në thelb pretendohet se gjykata ishte shprehur për çfarë ishte kërkuar nga kërkuesi (ish palë paditëse) dhe se kërkesa e paraqitur nuk është e mbështetur në nenin 314 të K.Pr.Civile.
Kolegji Administrativ i Gjykatës Lartë çmon se vendimi i gjykatës së apelit dhe i gjykatës së rrethit duhet të prishen dhe të pushohet gjykimi në Gjykatë të Lartë.
Siç rezulton Dega e Doganës Kapshticë kundër vendimit të themelit të Gjykatës së Apelit Korçë nr.60, datë 24.02.2010 kishte ushtruar rekurs dhe gjatë kohës që çështja në shqyrtim ka qënë në pritje për shqyrtimin e rekursit është shqyrtuar më parë rekursi i themelit dhe me vendimin 00-2014-1982 (199) është vendosur prishja e vendimit nr.60, datë 24.02.2010 të Gjykatës së Apelit Korçë dhe vendimit nr.41-2009-3946 (2397) të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.
Në kushtet kur vendimi ndaj të cilit kërkohet sqarimi dhe interpretimi i vendimit nuk është më pasi është prishur me vendimin e Gjykatës së Lartë, nuk ka se çfarë të sqarohet dhe interpretohet, ky Kolegj vlerëson se ndodhemi në kushtet që çështja duhet të pushohet.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 gërma “ç” të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “ Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative “
V E N D O S I
Prishjen e vendimit të Gjykatës Apelit Korçë nr.24, datë 27.06.2012 dhe vendimin e Gjykatës Rrethit Gjyqësor Korçë nr.41-2012-1066 (4/1249), datë 06.03.2012 dhe pushimin e gjykimit.
Tiranë, më 26.11.2015
Nr. 31001-03211-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4377 i Vendimit (655)
Do'stlaringiz bilan baham: |