VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Medi Bici Anëtar
mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 26.11.2015, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: XHAFER GOXHA
TË PADITUR: ZYRA QËNDRORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME TIRANË
ZYRA VENDORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME SARANDË
NDËRHYRËS DYTËSOR: DHURATA BESHO
OBJEKTI:
Shfuqizimin e akteve administrative, urdhrit për refuzimin e regjistrimit
nr.908, datë 29.09.2010 të ZVRPP Sarandë
dhe urdhrit nr.99, datë 09.02.2012 të ZQRPP Tiranë.
Detyrimin e të paditurës ZVRPP Sarandë të bëjë regjistrimin e pasurisë
me sipërfaqe 119.50 ha kullotë dhe 20.36 ha pyll sipas
vendimit nr.32, datë 16.11.2000 të KKK Pronave, Prefektura e Qarkut Vlorë.
Baza Ligjore: Neni 32/a, 153, 154, 324-328 të K.Pr.Civile,
si dhe nenet 92, 163, 192, 199-208 të K.Civil,
ligji nr.7843, datë 13.07.1994 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme" i ndryshuar
si dhe nenet 115-121, 137/3 të K.Pr.Administrative.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, me vendimin nr.23-2013-142/107 datë 28.01.2013, ka vendosur:
“1. Pranimin pjesërisht të kërkesë padisë të paditësit Xhafer Goxha dhe Dhurata Besho( ndërhyrës dytësor).
2. Shfuqizimin e aktit administrativ urdhrit nr.99 datë 09.02.2012 të Zyrës Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.
3. Detyrimin e palës së paditur Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë të kryejë rregjistrimin e pasurisë me sipërfaqe 119,50 ha kullotë dhe 20.36 ha pyll sipas vendimit nr.32 datë 16.11.2000 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të ish Pronarëve të Prefekturës së Qarkut Vlorë, Rrethi Sarandë. 3. Pushimin e gjykimit të çështjes për pjesën tjetër të objektit të padisë.
4. Shpenzimet gjyqësore iu ngarkohen solidarisht të paditurave ZVRPP Sarandë dhe ZQRPP Tiranë”.
Gjykata e Apelit Gjirokastër, me vendimin nr.341 datë 18.06.2013, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit civil nr.142/107 datë 28.01.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë”.
Kundër vendimit nr.341 datë 18.06.2013 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, ka ushtruar rekurs, pala e paditur ZQRPP Tiranë, e cila kërkon ndryshimin e Vendimit nr.23-2013- 142(107), datë 28.01.2013, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë si dhe të vendimit nr.341, datë 18.06.2013 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër.
-
Me këtë vendim nuk jemi dakord pasi është i pa bazuar si në ligj ashtu edhe në prova dhe e kundërshtojmë.
-
Nga informacioni i marrë nga Z.V.R.P.P Sarandë nëpërmjet Projekt-Urdhrit nr.908 datë 16.11.2000 është konstatuar se vendimi nr.32 datë 16.11.2000 i K.K.K.Pronave Vlorë i ka kthyer pronën vetëm njërit prej bashkëpronarëve duke i kthyer kështu vetëm një pjesë të kësaj sipërfaqeje të përshkruar në këtë vendim të KKKPronave. Pra sipërfaqe e përmendur në vendimin e KKKPronave Vlorë përmendet një sipërfaqe që i përket trashëgimtarit ligjor të Shaban Goxhaj dhe kjo sipërfaqe ndodhet brenda një sipërfaqe më të madhe me bashkëpronar të tjerë.
-
Rregjistrimi i vendimit nr.32 datë 16.11.2000 i K.K.K.Pronave Vlorë në bazë të nenit 15 të ligjit nr.7843 datë 13.07.1994 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme" parashikohet se: çdo dokument që vërteton pronësinë e dy ose më shumë personave si dhe regjistrimi i tij në ZVRPP duhet të tregojë identitetin, pjesën takuese të secilit bashkëpronar kur kjo e fundit është e mundshme".
-
Gjithashtu dhe planvendosjet që shoqërojnë vendimin nr.32 datë 16.11.2000 e K.K.K.Pronave VIorë nuk përcaktojne saktë kufijtë dhe vendodhjen e kësaj prone duke dhënë vetëm kufij të përgjithshëm të bashkëpronësisë për çdo sipërfaqe kullote/pyll dhe duke mos e përcaktuar saktësisht ku ndodhet secila pjesë e pasurisë në planvendosjen bashkangjitur vendimit nr.32 datë 16.11.2000 të K.K.K.Pronave Vlorë.
-
Vendimi nr.32 datë 16.11.2000 i K.K.K.Pronave Vlorë nuk e shpreh saktë sipërfaqe dhe vendodhjen e saktë të pasurisë që i është kthyer trashëgimtarit të Shaban Goxhaj, për këtë në zbatim të Udhëzimit nr.01 datë 31.01.2007 të Këshillit të Ministrave, ZVRPP Sarandë nuk mund të vijojë regjistrimin e vendimit objekt gjykimi.
-
Ndodhur në këto kushte Z.Q.R.P.P ka vendosur në bazë të nenit 24/a dhe 38 të ligjit nr.7843 datë 13.07.1994 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme" të ndryshuar si dhe në Udhëzimin nr.01 datë 31.01.2007 të Këshillit të Ministrave, për refuzimin e kërkesës për regjistrimin e vendimit nr.32 datë 16.11.2000 të K.K.K.Pronave Vlorë.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Arjana Fullani, si dhe pasi bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore rezulton se, në datë 16.11.2000 Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish Pronarëve të Prefekturës së Qarkut Vlorë (më poshtë KKKP Qarku Vlorë) ka marrë në shqyrtim kërkesën e shtetasit Xhafer Goxha për kthimin e pronës (kullotë) të ish pronarit Shaban Goxha në Konispol të Rrethit Sarandë.
2. KKKP Qarku Vlorë bazuar në dosjen nr.42 datë 27.06.2000, ku rezultoi se Ali Goxhai është trashëgimtar i ish pronarit Shaban Goxhai dhe prona e tij ishte fiksuar ne vendimin nr.552 datë 10.01.1998 ndryshuar me vendimin nr.4 datë 01.04.1999 të Gjykatës së Rrethit Sarandë si dhe në librat e taksimit të vitit 1937 dhe 1943 ka vendosur: “1. T`i kthejë trashëgimtarit ligjor të ish pronarit Shaban Goxhai sipas aktit të trashegimise nr.389 datë 27.06.2000 sipërfaqen prej 139,86 ha nga e cila kullotë dhe pyll 20,36 ha sipas këtyre vendndodhjeve:
-Barmiho 97.22 pjesë në 1000 pjesë ose 9,23 ha kullotë
-Leko 185,32 pjesë në 1000 pjesë ose 12,97 ha kullotë
-Lumbardha lule 150 pjesë në 1000 pjesë ose 15,9 ha kullotë.
-Lumbardha Shehide 113,82 pjesë në 1000 pjesë ose 9 ha kullotë.
-Paganeja 52,87 pjesë në 1000 pjesë ose 10,72 ha nga e cila 10.25 ha kullotë dhe 0.47 ha pyll.
-Gropa e Aitoit 177.07 pjesë në 1000 pjesë ose 19.3 ha kullotë.
-Kuko 47.82 pjesë në 1000 pjesë ose 0.5 ha pyll.
-Their 23.30 pjesë në 1000 pjesë ose 0.74 ha kullotë.
-Kalenxe 45.82 pjesë në 1000 pjesë ose 4.62 ha nga e cila kullotë 2.84 ha dhe pyll
1.78 ha.
-Kalihora 45.45 pjesë në 1000 pjesë ose 7.49 ha nga e cila kullotë 6.02 ha dhe pyll 1.47 ha.
-Malihoraf Shehat 41.63 pjesë në 1000 pjesë ose 16.04 ha nga e cila kullotë 8.32 ha dhe pyll 7.22 ha.
-Fteropulla Shehat 228.87 pjesë në 1000 pjesë ose 22.89 ha nga e cila kullotë 14.88 ha dhe pyll 8.01 ha.
-Shenkoll i Vrinës 40.62 pjesë në 1000 pjesë ose 2.43 ha nga e cila kullotë 2.03 ha dhe pyll 0.4 ha.
2. Të njohë të drejtën e kompensimit në natyrë për trashëgimtarin ligjor të ish pronarit Shaban Goxhai për sipërfaqen prej 41 ha nga e cila 30 ha kullotë dhe 11 ha pyll, e cila në bazë të nenit 7/2 dhe 7/3 të ligjit nr.7699 datë 21.04.1993 nuk kthehet pasi ndodhet në zonë turistike apo zonë të mbrojtur.”
3. Ndërhyrësja dytësore Dhurata Besho me vendimin nr.1425, datë 17.12.2003 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë është njohur bashkëpronare në pronën e njohur me vendimin nr.32 datë 16.11.2000 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensinimit të Pronave ish Pronarëve të Prefekturës së Qarkut Vlorë.
4. Paditësi Xhafer Goxha pasi ishte pajisur me vendimin nr.32 datë 16.11.2000 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensinimit të Pronave ish Pronarëve të Prefekturës së Qarkut Vlorë me anë të të cilit ishte vendosur kthimi i sipërfaqes prej 139,86 ha trashegimtarit të vetëm ligjor të ish pronarit Shaban Goxha, i ishte drejtuar Zyrës Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë me kërkesë për regjistimin e këtij vendimi.
5. Me urdhrin nr.908 datë 29.09.2010 “Për refuzim regjistrimi” Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë, bazuar në nenet 24, 38 të ligjit nr.7843 datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” i ndryshuar në bazë të Udhëzimit numër 1 datë 31.01.2007 të Këshillit të Ministrave pika 5/e, 6 dhe 8 të tij dhe Rregullores “Për punën e Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme” ka vendosur: “Refuzimin e kërkesës nr.4926 aplikim datë 14.09.2011 të z.Ali Goxhaj për regjistrimin fillestar të vendimit nr.32 datë 16.11.2000 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit Sarandë.”
6. Kundër vendimit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë paditësi ka ushtruar ankim administrativ në Zyrën Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.
7. Me urdhërin nr.99 datë 09.02.2012, Zyra Qëndrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë ka vendosur: “Refuzimin e kërkesës së z.Ali Goxhaj për regjistrimin e pasurive të përfituara me vendimin nr.32 datë 16.11.2000 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish Pronarëve Sarandë.”, pasi ka arsyetuar se sipërfaqja e kthyer në emër të trashëgimtarëve ligjorë të ish pronarit z.Shaban Goxhaj rezulton të jetë pjesë e një sipërfaqeje totale e cila ka qënë në bashkëpronësi; KKKP-Prefektura Qarku Vlorë i ka kthyer pronën trashëgimtarit ligjor të ish pronarit Shaban Goxhaj e cila rezulton të jetë pjesë e një sipërfaqeje totale që ka qënë në bashkëpronësi, çka bie në kundërshtim me nenin 15 të ligjit 7843 datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, në të cilin parashikohet se: “Çdo dokument që vërteton pronësinë e dy ose më shumë personave si dhe regjistrimi i tij në Zyrën e Regjistrimit duhet të tregojë identitetin, pjesën e secilit bashkëpronar kur kjo është e mundshme” si dhe me dispozitat e K.Civil për bashkëpronësinë; Planvendosjet e pronës që shoqërojnë këtë vendim, nuk përcaktojnë saktë kufijtë dhe vendndodhjen e kësaj prone duke dhënë kufijtë e përgjithshëm të bashkëpronësisë për çdo sipërfaqe kullote dhe duke mos u përcaktuar konkretisht se ku ndodhet secila nga këto sipërfaqe në këto planvendosje; vendimi nr.32 datë 16.11.2000 nuk shpreh identitetin e të gjithë bashkëpronarëve.
8. Kundër vendimit të kryerregjistruesit, paditësi Xhafer Goxha mbështetur në nenin 38 të ligjit “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë duke kërkuar shfuqizimin e këtij akti administrativ si akt i marrë në kundërshtim me ligjin.
9. Gjykata e Rrethit Gjyqesor Sarandë, me vendimin nr.23-2013-142/107 datë 28.01.2013, ka vendosur: “1. Pranimin pjesërisht të kërkesë padisë të paditësit Xhafer Goxha dhe Dhurata Besho(ndërhyrës dytësor). 2. Shfuqizimin e aktit administrativ urdhrit nr.99 datë 09.02.2012 të Zyrës Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë. 3. Detyrimin e palës së paditur Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë të kryejë regjistrimin e pasurisë me sipërfaqe 119,50 ha kullotë dhe 20.36 ha pyll sipas vendimit nr.32 datë 16.11.2000 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të ish Pronarëve të Prefekturës së Qarkut Vlorë, Rrethi Sarandë. 3. Pushimin e gjykimit të çështjes për pjesën tjetër të objektit të padisë. 4. Shpenzimet gjyqësore iu ngarkohen solidarisht të paditurave ZVRPP Sarandë dhe ZQRPP Tiranë”.
9.1. Arsyetimi i Gjykatës: “Paditësi Xhafer Goxha i autorizuar me prokurë nga ati i tij Ali Goxha trashëgimtar i vetëm ligjor i ish pronarit Shaban Goxha legjitimohet në kërkimin e tij. Vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish Pronarëve të Prefekturës së Qarkut Vlorë nuk është ankimuar në organin më të lartë administrativ të kohës, Komisionin Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe në kuptim të nenit 19 të ligjit nr.9235 datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” përbën titull ekzekutiv të detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjitha organet shtetërore.
Gjykata çmon se urdhri nr.99 datë 09.02.2012 i kryerregjistruesit përbën akt administrativ individual në kuptim të nenit 106 të Kodit të Proçedurave Administrative. Gjithashtu, gjykata çmon se ky urdhër, përbën akt administrativ relativisht të pavlefshëm në kuptim të nenit 118 të Kodit të Procedurave Administrative.
Gjykata çmon se argumentat e parashtruar në këtë akt administrativ nga Zyra Qëndrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk gjëjnë mbështetje në ligj dhe nuk mund të përbëjnë shkaqe ligjore për refuzimin e kërkesës së paditësit Xhafer Goxha. Ish pronari Shaban Goxhai ishte një prej bashkëpronarëve të pronës në vendin e quajtur Konispol me një përqindje të caktuar dhe në bazë të akteve të pronësisë, komisioni ka vendosur t`i kthejë këtij ish pronari, si subjekt i shpronësuar pjesën e tij takuese, duke përcaktuar për kufij të pronës kufijtë e përgjithshëm të saj, përderisa prona nuk është pjesëtuar ende midis bashkëpronarëve.
Në fakt nuk mund të pretendohej në këtë fazë pjestimi i pronës mes bashkëpronarëve, përderisa ende nuk kishte përfunduar proçesi i njohjes dhe kthimit të saj të gjithë bashkëpronarëve me vendim të komisionit të pronave.
Organi administrativ mund të vërë në diskutim ligjshmërinë e një vendimi të një organi tjetër administrativ vetëm kur ndodhet përpara pavlefshmërisë absolute të aktit, sikurse është rasti kur akti administrativ është nxjerrë nga nje organ jo kompetent apo në kundërshtim të hapur me formën dhe proçedurën e kërkuar nga ligji. Në të gjitha rastet e tjera, përderisa akti administrativ nuk është shpallur i pavlefshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë ligjshmëria e tij nuk mund të vihet në diskutim.
Në fakt kryeregjistruesi duke çmuar se vendimi i KKKPronave Qarku Vlorë vjen në kundërshtim me nenin 15 të ligjit “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka analizuar bazueshmërinë në ligj të këtij vendimi, pa patur ai në fakt kompetencën për të bërë një gjë të tillë.
Urdhri nr.99 datë 09.02.2012 i Zyrës Qëndrore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë në kuptim të nenit 118 të Kodit të Proçedurave Administrative përbën akt administrativ relativisht të pavlefshëm që bie në kundërshtim me ligjin, nenin 192 dhe nenin 193 te Kodit Civil dhe si i tillë shfuqizohet nga gjykata”.
10. Gjykata e Apelit Gjirokastër, me vendimin nr.341 datë 18.06.2013, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit civil nr.142/107 datë 28.01.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë”.
10.1. Arsyetimi i gjykatës:“ I njëjtë me të faktit”
11. Kundër vendimit nr.341 datë 18.06.2013 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, ka ushtruar rekurs, pala e paditur ZQRPP Tiranë, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.23-2013- 142(107), datë 28.01.2013, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë si dhe të vendimit nr.341, datë 18.06.2013 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
12. Dispozitat e ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
12.1 Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
13. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile në të cilat është parashikuar:
13.1 Neni 79/a: “Avokatura e Shtetit ushtron përfaqësimin në rastet e parashikuara me ligj. Gjykata, që shqyrton çështje për të cilat me ligj përfaqësimi dhe mbrojtja kryhet nga Avokatura e Shtetit, urdhëron njoftimin e akteve kësaj të fundit, me qëllim që ajo të ketë mundësi të marrë pjesë në gjykim”.
13.2 Neni 467: “Gjykata e apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e dërgon çështjen për rigjykim kur: d) nuk është formuar drejt ndërgjyqësia;
14. Dispozitat e ligjit nr.7843, datë 13.07.1994 “Për rregjistrimin e pasurive të paluajtshme”.
15. Vendimi Unifikues nr.13 datë 24.03.2004 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON SE:
16. Vendimi nr.23-2013- 142(107) datë 28.01.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe vendimi nr.341 datë 18.06.2013 i Gjykatës së Apelit Gjirokastër janë dhënë në zbatim të gabuar të ligjit procedural dhe për këto arsye duhet të prishen.
17. Kolegji Administrativ, pas shqyrtimit të akteve procedurale që ndodhen në dosjen gjyqësore, vlerëson se gjykimi është zhvilluar në shkelje të rëndë të ligjit procedural, në kushtet kur të dy gjykatat nuk kanë njoftuar avokatin e shtetit për të marrë pjesë në gjykimin e çështjes. Prandaj, për këtë motiv thelbësor, vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Gjirokastër dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë duhet të prishen e çështja të rishqyrtohet nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër.
18. Kolegji Administrativ vëren se me anë të padisë, paditësi Xhafer Goxha ka thirrur në gjykim si të paditur Zyrën Vendore dhe Zyrën Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke pretenduar se duhet të rregjistrohet në regjistrat e pasurive të paluajtshme pasurinë e paluajtshme me sipërfaqe 119.50 ha kullotë dhe 20.36 ha pyll sipas vendimit nr.32, datë 16.11.2000 të KKK Pronave ish Pronarëve, Prefektura e Qarkut Vlorë. Në këtë kuptim, në çështjen objekt gjykimi, veçanërisht për shkakun se kërkohet të regjistrohet një pasuri e paluajtshme që figuron se nga pronësi shtetërore i është kthyer ish pronarëve dhe palë është një organ shtetëror, është i pranishëm interesi që ka shteti për të mbrojtur pozitën e organit shtetëror të thirrur në gjykim. Prezenca e Avokatisë së Shtetit në gjykim vlerësohet si e domosdoshme për sa kohë palë në mosmarrëveshjen që gjykohej është ZVRPP Sarandë dhe ZQRPP Tiranë, në kushtet kur ligji procedural urdhëron në mënyrë të detyrueshme thirrjen e saj nga gjykata.
19. Në logjikë të sa më sipër, Kolegji çmon se gjykatat e faktit në shqyrtimin e kësaj çështje, nuk kane zbatuar nenin 79/a të Kodit të Procedurës Civile, në të cilin është parashikuar se: Avokatura e Shtetit ushtron përfaqësimin ne rastet e parashikuara me ligj. Gjykata që shqyrton çështje, të cilat me ligj përfaqësimi dhe mbrojtja kryhet nga Avokatura e Shtetit, urdhëron njoftimin e akteve kësaj të fundit, me qëllim që ajo të ketë mundësi të marrë pjesë në gjykim" dhe Ligjin nr.10018, datë 13.11.2008 “Për avokaturën e shtetit”, neni 5/b ku thuhet: “Avokatura e Shtetit kryen funksionet e mëposhtme b) përfaqëson dhe mbron interesat pasurore të shtetit shqiptar pranë gjykatave kombëtare, ndërkombëtare dhe të huaja, pa autorizim të posaçëm të të përfaqësuarit në çështjet gjyqësore, në të cilat një organ i administratës shtetërore ose Republika e Shqipërisë është palë.”
20. Në analizë të ligjit nr.10018/2008 “Për Avokaturën e Shtetit”, në të cilin parashikohet se përfaqësimi dhe mbrojtja e pronës dhe interesave publike nga ana e Avokaturës së Shtetit, është një përfaqësim dhe mbrojtje e detyrueshme dhe gjykatat e faktit sipas nenit 79/a të K.Pr.C-së, kanë detyrimin që t’i njoftojnë aktet Avokaturës së Shtetit me qëllim që kjo e fundit jo vetëm të ketë mundësi të marrë pjesë në gjykim, por edhe të realizojë mbrojtjen e interesave të shtetit. Ky përfaqësim në gjyq kryhet pa autorizim të posaçëm të të përfaqësuarit. Ky qëndrim gjen mbështetje në Vendimin Unifikues nr.13, datë 24.03.2004 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, gjithashtu edhe në disa vendime të Gjykatës Kushtetuese (shih vendimin nr.27, datë 27.07.2009 të Gjykatës Kushtetuese; vendim nr.42 datë 29.09.2011 të Gjykatës Kushtetuese).
21. Pra, respektimi ose jo i kësaj dispozite procedurale (neni 79/a i KPC) nuk është në diskrecionin e gjykatës, por është një normë me natyrë urdhëruese/detyruese. Në këtë kuptim, gjykata ka detyrimin që të njoftojë avokatin e shtetit për të marrë pjesë në gjykim dhe vetëm në këtë mënyrë gjykata ka përmbushur detyrimin e saj ligjor, ndërkohë vlerësimin e përgjegjësinë për të garantuar pjesëmarrjen në gjykim e ka vetë avokati i shtetit.
22. Duke u kthyer në çështjen objekt shqyrtimi, konstatohet se si gjykata e rrethit gjyqësor, por edhe gjykata e apelit kanë shkelur rëndë ligjin procedural duke mos i garantuar palës shtetërore mbrojtjen sipas kushteve dhe mënyrës që parashikon shprehimisht ligji. Të dyja këto gjykata nuk kanë njoftuar Avokaturën e Shtetit, mungesa e të cilës ka ndikuar në mosndërtimin e drejtë të ndërgjyqësisë për çështjen objekt gjykimi.
23. Mbështetur sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin ne përfundimin se mosndërtimi i drejtë i ndërgjyqësisë përbën një shkelje të rëndë procedurale, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në dhënien e vendimit. Gabimet në procedim, si formimi i gabuar i ndërgjyqësisë, të cilat parashikohen në nenin 467/d të K.Pr.Civile, i cili ka gjetur pasqyrim në nenin 54 të ligjit nr.49/2012, shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht, pikërisht për shkak të efektit të drejtpërdrejtë që ato kanë në vendimin e dhënë.
24. Në këtë kontekst, Kolegji Administrativ konkludon se vendimi i shkallës së parë dhe ai i apelit janë marrë nëpërmjet një procesi jo të rregullt ligjor, për shkak të mosnjoftimit të Avokaturës së Shtetit nga gjykata, sipas kërkesave të nenit 79/a të K.Pr.C, përbëjnë shkak të mjaftueshëm për prishjen e vendimeve të dhëna nga të dy gjykatat e faktit, duke e dërguar çështjen për rigjykim në Gjykatën e Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër.
25. Gjykata e Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër është kompetente nga pikëpamja lëndore dhe tokësore për gjykimin e çështjes bazuar në vendimin unifikues nr.3, datë 06.12.2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe Dekretit të Presidentit të Republikës nr.7818, datë 16.11.2012.
26. Kolegji Administrativ vlerëson të mos marrë në analizë pretendimet e ngritura në rekurs për shkelje të tjera ligjit nga gjykatat e faktit në shqyrtimin gjyqësor dhe në zgjidhjen e çështjes, pretendime të cilat, sipas diskrecionit dhe disponimit të palëve, mund të paraqiten prej tyre përpara Gjykatës Administrative së Shkallës së Parë Gjirokastër që do të rishqyrtojë çështjen.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O SI
Prishjen e vendimit nr.341 datë 18.06.2013 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe të vendimit nr.23-2013- 142(107) datë 28.01.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër.
Tiranë, më 26.11.2015
Nr. 31001-01499-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4529 i Vendimit (658)
Do'stlaringiz bilan baham: |