VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Medi Bici Anëtar
mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 26.11.2015, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: PETRIT DELIALLISI
E PADITUR: BASHKIA SHIJAK
OBJEKTI:
Konstatimin e pavleshmërisë së shkresës së njoftimit
nr.509 Prot, datë 30.06.2010 të Bashkisë Shijak,
si akt i dalë në kundërshtim me ligjin.
Detyrimin e palës së paditur të paguajë pagën për një vit,
shpërblimin për periudhën e njoftimit dhe shpërblimin për vjetërsi në punë.
Baza Ligjore: Nenet 118, 119 e vijues K.Pr.Administrative;
Nenet 146, 145, 143 e vijues të Kodit Punës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me vendimin nr.359, datë 10.02.2011, ka vendosur:
“Rrëzimin e kërkesë padisë së paditësit Petrit Deliallisi, si të pabazuar në prova dhe në ligj”.
Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.10-2013-847(407), datë 27.05.2013, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.359, datë 10.02.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës për sa i përket kërkimit për konstatimin e pavleshmërisë së shkresës nr.509 Prot datë 30.06.2010 të Bashkisë Shijak. Ndryshimin e këtij vendimi në pjesën tjetër si më poshtë: Detyrimin e palës së paditur të paguajë pagën e 12 muajve si dëmshpërblim për zgjidhjen e kontratës së punës pa shkaqe të arsyeshme. Pagën e 2(dy) muajve për mosrespektim të afatit të njoftimit. Në masën ½ të pagës mujore për çdo vit, për periudhën e vjetërsisë së punës nga data 07.02.2008 deri në 01.07.2010 pranë Bashkisë Shijak”.
Kundër vendimit nr.10-2013-847(407), datë 27.05.2013 të Gjykatës së Apelit Durrës, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Bashkia Shijak, e cila kërkon prishjen e vendimit nr.407 datë 27.05.2013 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe lënien në fuqi të vendimit nr.359 datë 10.02.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme.
-
Në gjykimin e kësaj mosmarrëveshjeje për shkak të marrëdhënieve të punës, është e rëndësishme të cilësohet drejt nga ana juridike nëse jemi para një marrëdhënie pune me afat ose pa afat.
-
Ne rastin konkret jemi para një kontrate pune me afat të caktuar, atëhere përfundimi i kësaj marrëdhënie pune bëhet në kushtet e kërkuara nga neni 149/1 i K.Punës. Me mbarimin e afatit 6 mujor të përcaktuar në kontratën e punës së paditësit ka mbaruar edhe vetë afati i kontratës individuale të punës së tij, atëhere marrëdhënia e punës ndërmjet palëve ndërgjyqese ka përfunduar normalisht për këtë shkak, neni 149/1 i KPunës.
-
Çdo pretendim i paditësit, i parashikuar qoftë edhe sipas nenit 146 të K.Punës (zgjidhja e kontratës pa shkaqe të arsyeshme) për të cilat nuk ka asnjë shkak apo provë për ta vërtetuar atë, duke pasur për bazë pikën 2 të këtij neni, në të cilin thuhet: "Nëse kontrata zgjidhet pa shkaqe të arsyeshme, punëmarresi ka të drejtë të ngrejë padi në gjykatë brenda 180 ditëve nga dita e përfundimit të afatit të njoftimit" afate për paditesin të cilat kanë përfunduar nëse do të, pretendohej një gjë e tillë.
-
Nga Gjykata e Apelit Durrës është bërë një interpretim i gabuar i ligjit, ku arsyeton se ndodhemi përpara zgjidhjes së kontratës së punës pa shkaqe të arsyeshme dhe se nuk është njoftuar më parë pala paditëse për bisedime.
-
Në rastin konkret kemi përfundim të marrëdhënieve të punës, të cilat kanë qënë me afat të caktuar, pra jemi në kushtet e nenit 149/1 të KPunës dhe jo në kushtet e neneve 143,145, 144, 155 të KPunës si pretendohet nga kjo gjykatë.
Kundër rekursit të palës së paditur ka paraqitur kundër-rekur pala paditëse.
-
Pala e paditur në kundërshtim me kërkesat e pikës 1 të nenit 21 të K.Punës ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme kontratën e punës së paditësit, nga ajo me afat të pacaktuar në atë me afat të caktuar.
-
Pala e paditur nuk ka respektuar kërkesat lidhur me kohëzgjatjen e kontratës së punës parashikuar nga pika 2 e nenit 140 të K.Punës.
-
Pala e paditur nuk ka zbatuar kërkesat që rrjedhin nga pikat l dhe 3 të nenit 143 të K.Punës lidhur me afatet e njoftimit pas kohës së marrjes në provë.
-
Pala e paditur nuk ka zbatuar detyrimet që rrjedhin nga neni 144 i K.Punës lidhur me zgjidhjen e kontratës së punës nga punëdhënësi.
-
Mosrespektimi i këtyre kërkesave të çon në zgjidhjen e njëanshme pa shkaqe të aresyeshme të kontratës së punës parashikuar nga neni 146 i K.Punës.
-
Në rekursin e saj pala e paditur/rekursuese nuk ka paraqitur asnjë nga shkaqet që parashikohen të ngrihen nëpërmjet rekursit në Gjykatën e Lartë parashikuar nga neni 472 i K.Pr.Civile.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Arjana Fullani, si dhe pasi bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, paditësi Petrit Deliallisi, ka punuar pranë palës së paditur Bashkisë Shijak me detyrë inspektor ndërtimi, nga data 07.02.2008 deri më datë 01.07.2010.
2. Marrëdhëniet e punës së paditësit me palën e paditur janë rregulluar me kontratë individuale pune, me afat. Kontrata e fundit e lidhur mes palëve ndërgjyqëse ka qënë me afat gjashtë mujor, kontratë e cila ka filluar në datë 03.01.2010 dhe ka përfunduar në datë 30.06.2010.
3. Me shkresën nr.509 Prot datë 30.06.2010, Bashkia Shijak ka njoftuar për paditësin ndërprerjen e marrëdhënies së punës sipas kësaj përmbajtjeje: “Bazuar në K.Punës të R.SH. neni 153/1,2 i Ligjit nr.7961 datë 12.07.1995 e nenit 149, i Ligjit nr.8652 datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Qeverisjes Vendore” neni 44, ju njoftojmë se për arsye të rënda financiare në të cilat ndodhet Bashkia Shijak dhe në kushtet e shkaqeve tërësisht të arsyeshme do të pezullojmë kontratën e punës dhe marrëdhëniet financiare mes nesh për një afat të shkurtër deri në një moment të dytë me rilidhjen e saj, ky njoftim bëhet më datë 30.06.2010”.
4. Në librezen e punës së paraqitur nga paditësi rezultoi që marrëdhëniet e punës janë ndërprerë më datë 01.07.2010. Në këtë librezë është shënuar shkak i ndërprerjes së marrdhënieve të punës, mbarimi i kotratës së punës.
5. Paditësi Petrit Deliallisi nuk e ka pranuar këtë njoftim dhe i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës me padinë objekt gjykimi duke pretenduar se zgjidhja e marrëdhënies së punës është bërë në mënyrë të menjëhershme e të pajustifikuar.
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me vendimin nr.359, datë 10.02.2011, ka vendosur: “Rrëzimin e kërkesë padisë së paditësit Petrit Deliallisi, si të pabazuar në prova dhe në ligj”.
6.1. Arsyetimi i Gjykatës: “Në rastin konkret nuk jemi përpara zgjidhjes së kontratës së punës përpara përfundimit të kontratës së punës me afat të caktuar. Sipas vendimit 33, të vitit 2007 të Gjykatës Kushtetuese, Kontrata me kohëzgjatje të caktuar përfundon në fund të kohës së parashikuar në të. Paditësi ka kërkuar nga gjykata konstatimin e pavlefshmërisë shkresës "Njoftim. nr.509 datë 30.06.2010, duke e bazuar këtë kërkim në nenet 118 dhe 119 të Kodit të Procedurës Administrative, të cilat kanë të bëjnë me aktet relativisht të pavlefshme që janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin. Gjykata në këtë rast konstaton se jemi përpara një marrdhënie pune, njoftimi ka të bëjë me ndërprerjen e marrdhënies së punës, prandaj mosmarrëveshja duhet të trajtohet sipas Kodit të Punës”.
7. Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.10-2013-847(407), datë 27.05.2013, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.359, datë 10.02.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës për sa i përket kërkimit për konstatimin e pavleshmërisë së shkresës nr.509 Prot datë 30.06.2010 të Bashkisë Shijak. Ndryshimin e këtij vendimi në pjesën tjetër si më poshtë: Detyrimin e palës së paditur të paguajë pagën e 12 muajve si dëmshpërblim për zgjidhjen e kontratës së punës pa shkaqe të arsyeshme. Pagën e 2(dy) muajve për mosrespektim të afatit të njoftimit. Në masën ½ të pagës mujore për çdo vit, për periudhën e vjetërsisë së punës nga data 07.02.2008 deri në 01.07.2010 pranë Bashkisë Shijak”.
7.1 Arsyetimi i gjykatës: “Gjykata e Apelit konstaton se padia me objekt për pagimin e 12 muajve si dëmshperblim për zgjidhjen e kontratës së punës pa shkaqe të arsyeshme, pagimin e 2 (dy) muajve për mos respektim të afatit të njoftimit dhe në masën e ½ të pagës mujore për çdo vit për periudhën e vjetërsisë së punës pranë Bashkisë Shijak nga data 07.02.2008 deri në datë 01.07.2010 duhet të pranohet duke ndryshuar vendimin e gjykatës për këtë pjesë. Shkaqet e zgjidhjes së kontratës së punës nuk përfaqësojnë shkaqe të justifikuara apo rrethana të rënda që nuk lejojnë vazhdimin e kontratës së punës. Shkaku i zgjidhjes së kontratës së punës për arsye të rënda financiare të Bashkisë Shijak, nuk është shkak i arsyeshëm për zgjidhjen e kontratës së punës pasi nuk është parashikuar si në kontratën individuale të punës dhe në dispozitatat e K.Punës. Siç u provua edhe gjatë gjykimit të çështjes, pala e paditur ka zgjidhur kontratën e punës pa respektuar kërkesat e nenit 143 të K.Punës për sa i takon afatit të njoftimit dhe nenit 144 të K.Punes sa i takon procedurës që në pikën 4 përcaktohet se duhet të zbatohet edhe në rastin e zgjidhjes së menjëhershme të konttratës së punës. Përsa i përket kërkimit për pavleshmërinë e shkresës “Njoftim” nr.509 datë 30.06.2010 konstatohet se kjo shkresë nuk përbën akt administrativ i cili mund të goditet në bazë të K.Pr.Administrative. Kjo shkresë është një akt i zakonshëm për njoftimin e paditësit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, kështu ajo goditet si akt që ka sjellë pasojë në fushën e marrëdhënies së punës”.
8. Kundër vendimit nr.10-2013-847(407), datë 27.05.2013 të Gjykatës së Apelit Durrës, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Bashkia Shijak, e cila kërkon prishjen e vendimit nr.407 datë 27.05.2013 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe lënien në fuqi të vendimit nr.359 datë 10.02.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
9. Ligji nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
9.1. Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
9.2. Neni 17/2: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
10. Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë
10.1. Neni 149: “1) Kontrata me afat të caktuar përfundon në fund të kohës së parashikuar, pa zgjidhje paraprake.
2) Kur, mbas përfundimit të afatit të caktuar, kontrata zgjatet në heshtje tej këtij afati, ajo konsiderohet si kontratë me afat të pacaktuar”.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
11. Se rekursi i paraqitur nga pala e paditur Bashkia Shijak, përmban shkaqe ligjore që motivojnë cënimin e vendimit nr.10-2013-847(407), datë 27.05.2013 të Gjykatës së Apelit Durrës.
12. Në shqyrtim të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve të parashtruara në këto akte, vendimit të gjykatës dhe parashtrimeve të rekursit, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se Gjykata e Apelit Durrës ka gabuar në zbatimin e ligjit material në zgjidhjen e mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi dhe si pasojë vendimi i saj duhet të prishet dhe të lihet në fuqi vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
13. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të gjykatave të faktit.
14. Kolegji Administrativ çmon se Gjykata e Apelit Administrativ ka interpretuar dhe zbatuar gabim ligjin material kur i ka njohur paditësit dëmshpërblim prej 12(dymbëdhjetë) muajve si dëmshpërblim për zgjidhjen e kontratës së punës pa shkaqe të arsyeshme, pagën e 2(dy) muajve për mosrespektim të afatit të njoftimit dhe shpërblim për vjetërsinë në punë.
15. Gjykata e Apelit Durrës nuk e ka pasur të qartë natyrën e çështjes në gjykim. Nga provat e marra nga gjykatat e faktit rezulton se mes palëve ndërgjyqëse, në momentin e përfundimit të mardhënieve të punës, ka qënë lidhur kontratë pune me afat 6 mujor, me datë përfundimi datën 30.06.2010. Në rastin konkret jemi përpara një marrdhënie pune me afat të caktuar e rregulluar me kontratën e punës datë 03.01.2010. Marrëdhëniet e punës provohet se kanë përfunduar në datën 30.06.2010. Kjo kontratë nuk rezulton të jetë zgjidhur nga pala e paditur përpara përfundimit të afatit kontraktor pavarësisht se pala e paditur me shkresën nr.509, datë 30.06.2010 është shprehur për pezullim të marrëdhënies së punës deri në një moment të dytë për rilidhjen e saj.
16. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, konstatoi se mardhëneit e punës ndërmjet palëve ndërgjyqëse rregullohen me kontratë pune me afat të caktuar. Për rregullimin ligjor të kontratës me afat të caktuar Kodi i Punës parashikon rregullime të posaçme në nenet 149-152 të tij. Në nenin 149 të K.Punës parashikohet se kontrata me afat të caktuar përfundon në fund të kohës së parashikuar, pa zgjidhje paraprake. Pra nuk është e nevojshme të deklarohet zgjidhja e kontratës pasi përfundon në mënyrë të natyrshme në përfundim të afatit dhe nuk zbatohen sanksionet që parashikohen për zgjidhjen e mardhënies së punës me afat të pacaktuar në mënyrë të menjëhershme.
17. Kolegji Administrativ çmon se nuk jemi përpara zgjatjes në heshtje të mardhënies së punës sipas nenit 149/2 të K.Punës pasi marrëdhënia e punës nuk ka zgjatur anjë ditë më tepër se afati i caktuar në kontratë. Gjithashtu nuk jemi as në kushtet e nenit 151 të K.Punës, i cili përcakton se: “Kur ndërmjet palëve kanë qenë lidhur disa kontrata të njëpasnjëshme me afat të caktuar, për jo më pak se tre vjet, mosripërtëritja e kontratës së fundit nga punëdhënësi vlerësohet si zgjidhje e kontratës me afat të pacaktuar”. Në rastin konkret marrëdhënia e punës ka zgjatur më pak se tre vjet(2 vjet e 5 muaj).
18. Në mënyrë të gabuar Gjykata e Apelit Durrës i njeh paditësit të drejtën e shpërblimit për zgjidhje për shkaqe të paarsyeshme të kontratës së punës, në kuptim të nenit 146 të K.Punës, por nuk e shpjegon shkakun e zgjidhjes së paarsyeshme në kushtet kur nuk ka fare zgjidhje kontrate pune pune por përfundim të afatit të kontratës. Për rrjedhim punëmarrësi nuk mund të pretendojë dhe përfitojë dëmshpërblime për mosrespektim të afatit dhe/ose të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës. Në rastet kur kontrata zgjidhet para afatit, pa shkaqe të arsyeshme ose të justifikuara, punëmarrësi përfiton pagat që i takojnë deri në përfundim të afatit të kontratës.
19. Kolegji çmon se është i gabuar disponimi i Gjykatës së Apelit Durrës që i ka njohur paditësit të drejtën e shpërblimit për vjetërsi. Ky lloj dëmshpërblimi është i lidhur me ekzistencën e tre kushteve ligjore per të legjitimuar paditësin në këtë kërkim, të cilët duhet të plotësohen në mënyrë kumulative: Së pari: Kontrata e punës është zgjidhur nga punëdhënësi/pala e paditur; Së dyti: Zgjidhja e kontratës së punës e bërë nga punëdhënësi nuk ka karakterin e një zgjidhjeje të menjëhershme për një shkak të justifikuar; Së treti: Marrëdhëniet e punës së paditësit me palën e paditur kanë zgjatur më shumë se tre vjet.
20. Për sa më sipër u arsyetua, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës është marrë në interpretim të gabuar të ligjit material dhe si rrjedhojë ky vendim duhen ndryshuar, dhe të lihet në fuqi vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durës që ka vendosur për rrëzimin e padisë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në mbështetje të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I:
Prishjen e vendimit nr.10-2013-847(407) datë 27.05.2013 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe lënien në fuqi të vendimit nr.359 datë 10.02.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Tiranë, më 26.11.2015
MOSKOMPETENCA CIVILE
Nr. 31003-02236-00-2015 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-4090 i Vendimit
VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
në dhomë këshillimi, më datë 05.11.2015, mori në shqyrtim çështjen nr.02236/2015 që u përket palëve:
PADITËS: EMIL FUNDO
KLEMENTINA FUNDO
ELISAVETA POÇARI (FUNDO)
NIKOLIN FUNDO
I PADITUR: AGJENCIA E KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE (AKKP) TIRANË
OBJEKTI:
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute te aktit administrativ
urdhrit nr.433, datë 26.12.2014 të Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP Tiranë.
Detyrimin e AKKP Tiranë të ekzekutojë vendimin gjyqësor
nr.1812, datë 12.04.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë
lënë në fuqi me vendimin nr.890, datë 13.04.2012
për të cilin është nxjerrë urdhri i ekzekutimit
me vendimin nr.7657, datë 22.06.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë,
sipas akteve të përmbaruesit gjyqësor në kuadër të këtij ekzekutimi.
Baza Ligjore: Neni 42, 142 i Kushtetutës;
neni 6 i KEDNj;
K.Pr.A; K.Pr.C; ligji nr.49/2012; K.PrC.
Gjykata e Administrative e Shkallës së Parë Korçë me vendimin nr.303 (444), datë 21.09.2015 ka vendosur:
Deklarimin e moskompetencës lëndore të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë për të gjykuar çështjen nr.(538)-00031 regj.them, datë 25.05.2015 .
Dërgimin e çështjes Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kundër vendimit nr.303 (444), datë 21.09.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë kanë paraqitur ankim të veçantë paditësit, duke kërkuar prishjen e vendimit nr.303 (444), datë 21.09.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë dhe kthimin e akteve pranë kësaj gjykate për vazhdimin e gjykimit, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
Gjykata ka gabuar kur ka vlerësuar që padia është e natyrës civile. Padia ka dy kërkime. Njëri është kundërshtimi i aktit administrativ, urdhrit nr.443, datë 26.12.2014 të AKKP dhe për pasojë ka natyrë administrative. Ndërsa tjetri është i natyrës civile që ka të bëjë me ndryshimin e vlerës së kompensimit dhe është pasojë e vullnetit të shprehur nga organi administrativ përmes aktit të kundërshtuar.
Këto kërkime janë të ndërvarura dhe në kuptim të vendimit Unifikues nr.4, datë 10.12.2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë duhet të gjykohen nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Xhezair Zaganjori, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Me vendimin nr.1118, datë 20.10.1995 të KKK Pronave të Ish pronarëve pranë Bashkisë Korçë është vendosur të kompensohen trashëgimtarët e ish pronarit Dhimitrulla Mulla për truallin e zënë me sipërfaqe 166,5 m2 të ndodhur në qytetin e Korçës në një nga mënyrat që parashikon ligjit nr.7698, datë 15.4.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”.
2. Paditësit (si trashëgimtarët e subjektit të shpronësuar) i janë drejtuar me kërkesë palës së paditur për t’i kompensuar sipas vendimit të mësipërm. Me vendimin nr.409, datë 16.11.2009 AKKP ka vendosur mosmiratimin e kërkesës së paditësve për kompensim financiar në të holla të sipërfaqes prej 166,5 m2.
3. Paditësit duke mos qenë dakord me këtë vendim i janë drejtuar me padi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ku kanë kërkuar anulimin e vendimit nr.408 datë 16.11.2009 të AKKP, si dhe detyrimin e saj për të kryer kompensimin financiar të paditësve për sipërfaqen e truallit prej 166,5 m2 sipas vendimit nr.1118, datë 20.10.1995 të KKK Pronave ish pronarëve pranë Bashkisë Korçë.
4. Me vendimin nr.2812, datë 12.04.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është vendosur pranimi i padisë dhe anulimi i vendimit nr.408, datë 16.11.2009 të AKKP dhe detyrimin e saj për te kryer kompensimin financiar të paditësve për sipërfaqen prej 166,5 m2 e njohur me vendimin nr.1118, datë 20.10.1995 të KKKP ish pronarëve pranë Bashkisë Korçë. Ky vendim ka marrë formë të prerë me datë 13.04.2012 me vendimin nr.890 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
5. Me vendimin nr.7657 regj. them., datë 22.06.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është vendosur lëshimi i urdhrit të ekzekutimit për vendimin nr.2812, datë 12.04.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të formës së prerë.
6. Në kushtet kur pala e paditur AKKP nuk ka kryer ekzekutimin vullnetarisht të titullit ekzekutiv, vendimit nr.2812, datë 12.04.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të nxjerrë vendimin për përcaktimin e vlerës së kompensimit financiar të paditësve, ata kanë bërë kërkesë pranë Zyrës Përmbarimore Private Albius për ekzekutimin e këtij titulli ekzekutiv. Zyra përmbarimore ka filluar procedurat për ekzekutimin e detyrueshëm të këtij titulli ekzekutiv duke përcaktuar me ekspert privat vlerën e kompensimit financiar në shumën 4,495,500 lekë. Me urdhrin nr.531, datë 19.02.2013 të Zyrës Përmbarimore për përmbushjen e kompensimit financiar të mësipërme, ka vendosur sekuestro konservative në llogarinë e thesarit të palës së paditur .
7. Ndërkohë me urdhrin nr.443, datë 26.12.2004 të Drejtores së Përgjithshme të AKKP-së është urdhëruar kalimi i shumës prej 1.421.410.5 lekë si detyrim për kompensimin financiar të pronës së kreditorit Dhimitrulla Mulla.
8. Në kushtet e mësipërme pala paditëse ka kundërshtuar në gjykatë urdhërin nr.443, datë 16.12.2004 të Drejtores së Përgjithshme të AKKP-së, si absolutisht të pavlefshëm duke kërkuar përmbushjen e detyrimit për dhënien e vlerës së kompensimit të llogaritur, sipas urdhrit te ekzekutimit, nga zyra përmbarimore.
9. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë, ka vendosur me vendimin nr.303 (444), datë 21.09.2015 të deklarojë moskompetencën lëndore të saj për gjykimin e çështjes dhe dërgimin e saj për kompetencë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sipas Gjykatës Administrative mosmarrëveshja objekt konflikti është e natyrës civile, pasi buron nga vendimi i AKPP nr.443, datë 16.12.20014 me të cilin është përcaktuar vlera e kompensimit të paditësve si trashëgimtarë të ish pronarit për sipërfaqen e truallit prej 166,5 m2 të ndodhur në qytetin e Korçës. Në kuptim të neneve 18, 13 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe vendimit Unifikues nr.4, datë 10.12.2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë ku thuhet se “kur në objektin e gjykimit kundërshtohet vendimi i KKKP dhe AKKP-së, kjo çështje do të konsiderohet mosmarrëveshje civile dhe do të shqyrtohet nga gjykata që ka kompetencë gjykimin e mosmarrëveshjes civile”, gjykata administrative ka vlerësuar se çështja objekt gjykimi është e natyrës civile. Gjykata Administrative, në bazë të nenit 18 të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” i ndryshuar ka theksuar se kompetente për ta shqyrtuar çështjen është Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ka vendosur dërgimin e akteve pranë kësaj gjykate.
10. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë (më tej Kolegji) pasi analizoi aktet në dosje, vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë, pretendimet në ankim të palës paditëse, vlerëson se vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë duhet lënë në fuqi me ndryshimin që kompetenca lëndore dhe tokësore për gjykimin e çështjes objekt gjykim i përket Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë,
11. Kolegji thekson se në vendimin Unifikues nr.4 datë 10.12.2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë parashikohet se “kur në objektin e gjykimi kundërshtohet vendimi i KKKP apo AKKP kjo çështje do të konsiderohet si mosmarrëveshje civile dhe do të shqyrtohet nga gjykata që ka kompetencë gjykimin e mosmarrëveshjes civile.”
12. Në rastin objekt gjykimi mosmarrëveshja ka të bëjë me kundërshtimin e urdhrit nr.443, datë 26.12.2004 të Drejtores së Përgjithshme të AKKP-së në lidhje me vlerën e përcaktuar për kompensim financiar në mbështetje të detyrimit ligjor dhe atij gjyqësor për kompensimin e paditësve si trashëgimtarët e ish pronarit Dhimitrulla Mulla për truallin e zënë me sipërfaqe 166,5 m2 të ndodhur në qytetin e Korçës, në mbështetje të vendimit nr.1118, datë 20.10.1995 të KKK Pronave të ish pronarëve pranë Bashkisë Korçë.
13. Sa më sipër mosmarrëveshja objekt gjykimi konsiderohet civile dhe kompetenca lëndore i takon gjykatës civile dhe jo asaj administrative.
14. Nga ana tjetër në ndryshim nga ajo që ka vendosur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë, Kolegji thekson se kompetenca tokësore për shqyrtimin e çështjes i takon Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Korçë dhe jo Tiranë. Konkretisht vendimi Unifikues nr.4, datë 10.12.2013 në pikën 69 trajton problemin e kompetencës territoriale të çështjeve që kanë për objekt kundërshtimin e vendimeve të KKKP dhe AKKP. Në të parashikohet se: “Kolegjet e Bashkuara lidhur me pyetjen e dytë Unifikues i referohen edhe praktikës gjyqësore të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, për rastet lidhur me konfliktet e kompetencës territoriale në çështjet me objekt kundërshtim të vendimit të K.K.K.Pronave apo të A.K.K.Pronave. Në këto gjykime Kolegji Civil, në përcaktimin e kompetencës tokësore për shqyrtimin e këtyre çështjeve në varësi të natyrës së këtij gjykimi, objektit dhe shkakut ligjor të padisë, ka vendosur se duhet të zbatohen parashikimet e nenit 45 të Kodit të Procedurës Civile lidhur me kompetencën tokësore: “Paditë për të drejta reale mbi sende të paluajtshme, për pjesëtimin e sendeve të përbashkëta dhe për posedimin ngrihen në gjykatën e vendit ku ndodhen sendet ose pjesa më e madhe e tyre….” dhe jo parashikimet e nenit 327 të K.Pr.Civile, që thotë se: “Padia kundër një akti administrativ shqyrtohet nga seksioni përkatës i gjykatës, në zonën e së cilës ka qendrën organi administrativ, ndaj të cilit drejtohet padia” (Përmenden disa nga vendimet: nr.429, datë 06.10.2011; nr.314, datë 14.06.2012; nr.397, datë 20.09.2012; nr.2179, datë 03.10.2013).”
15. Sa më sipër Kolegji thekson se gjykata kompetente për shqyrtimin e çështjes objekt gjykimi, nga pikëpamja tokësore nuk është Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, por Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, ku ndodhet sendi i paluajtshëm objekt gjykimi, për të cilin KKKP Bashkia Korçë është shprehur me vendimin nr.1118, datë 20.10.1995, duke vendosur që t’i njihet pronësia trashëgimtarëve të Dhimitrulla Mulla për truallin e zënë me sipërfaqe 166,5 m2 të ndodhur në qytetin e Korçës dhe është disponuar për kompensim e tij sipas ligjit.
16. Sa më sipër, Kolegji vlerëson se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka kompetencën lëndore dhe tokësore për gjykimin çështjes objekt gjykimi. Për pasojë çështja duhet të dërgohet pranë saj për të zhvilluar gjykimin.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në mbështetje të Nenit 7 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.303 (444), datë 21.09.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë me ndryshimin: dërgimin e çështjes për kompetencë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.
Tiranë, më 05.11.2015
Nr. 11241-03275-00-2015 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-4136 i Vendimit
Do'stlaringiz bilan baham: |