VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrative i Gjykatës se Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Medi Bici Anëtar
Në datën 26.11.2015 mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit çështjen Administrative me nr.31003-2316-2015 akti që ju përket palëve :
PADITËS: REXHEP LLESHI
E PADITUR: UZINA MEKANIKE GRAMSH
OBJEKTI:
1. Detyrimin e palës së paditur të më dëmshpërblejë
për pushimin e pajustifikuar nga puna,
Dëmshpërblim për vjetërsi.
2. Dëmshpërblim për mosrespektim
të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës.
Baza Ligjore: Neni 143, 144, 145, 153 dhe 155 i K.Punës
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr.780(13-2015-3518), datë 11.06.2015 ka vendosur:
Moskompetencën lëndore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Dërgimin e akteve Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Durrës.
Gjykata Administrative e Shkalles se Pare Durrës, ka ngritur çështjen ne lidhje me mosmarrëveshjen për kompetencën midis Gjykates Administrative e Shkallës së Parë Durrës dhe Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Elbasan për gjykimin e çështjes me nr.00890-1326 akti date regjistrimi 26.06.2015, duke përcaktuar si Gjykate kompetente, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SE LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Ardian Dvorani dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Vendimi nr.780 (13-2015-3518), datë 11/06/2015 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për shpalljen e moskompetencës të kësaj gjykate dhe dërgimin e çëshjes në Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative Durrës, është i mbështetur në ligj, si i till duhet të lihet në fuqi dhe çështja t’i dërgohet për shqyrtim Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Durrës, si gjykatë kompetente nga pikëpamja lëndore.
Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore rezulton se, paditësi Rexhep Lleshi ka qenë në marrëdhënie pune me palën e paditur Uzina Mekanike Gramsh,nga data 08.11.1978 deri në dt.11.02.2015, me detyrën e Magazinier i Armatimit në Linjën e Shkatërrimit të Armatimit.
Me urdhrin nr.7,date 06/02/2015 pala e paditur ka vendosur shkarkimin e paditësit Rexhep Lleshi dhe ndërprerjen e marrëdhenieve financiare në datë 11.02.2015.
Në këto kushte paditësi i është drejtuar gjykatës, me padinë objekt gjykimi, duke pretenduar, se pala e paditur ka zgjidhur kontratën e punës në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar dhe nuk ka respektuar ligjin, për këto shkaqe kërkon shperblimin e demit për shkak të heqjes nga puna pa shkak ligjor, mbështetur në Neni 143,144,145,153 dhe 155 i K.Punës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr.780(13-2015-3518), datë 11.06.2015 ka vendosur:
“Moskompetencën lëndore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Dërgimin e akteve Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Durrës.”
Në këtë vendim, gjykata arsyeton se, meqënëse është mosmarrëveshje që lidhet me marrëdhëniet e punës, ku i padituri (punëdhënësi) është organ i administratës publike, pra është ndërrmarje shtetërore e cila rregullohet nga ligji për Ndërrmarrjet Shtetërore nr.7582 datë 13.07.1992 dhe nuk është shoqëri tregëtare ku veprimtaria e kësaj të fundit rregullohet nga ligji për shoqëritë tregëtare.
Në këto rrethana i padituri është person juridik publik dhe pikërisht mënyra e financimit dhe organizimit të këtij personi juridik çon në dallimin nga shoqëritë private.
Në bazë të nenit 2/6,7/ç,10/1 nenit 15/a,ç dhe nenit 17/g të ligjit nr.49/2012, duhet dërguar aktet Gjykatës kompetente të Shkallës së Parë Administrative Durrës, që ka kompetencën lëndore për shqyrtimin e kësaj çështje.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës, në ngritjen e çështjes lidhur me mosmarrëveshjen për kompetencën lëndore, pretendon se i padituri nuk është organ i administratës publike në kuptim të nenit 2 të ligjit nr.49/2012, datë 03/05/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”.
Në bazë të nenit 7/ç të ligjit nr.49/2012, datë 03/05/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative” përcakton se: “Gjykatat Administrative janë kompetente për mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës kur punëdhënësi është organ i administratës publike”.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë pasi analizoi aktet e ndodhura në dosje, si dhe vendimet gjyqësore, vlerëson se vendimi nr.780 (13-2015-3518), datë 11/06/2015 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, është marrë në zbatim të ligjit dhe për pasojë duhet të lihet në fuqi dhe çështja t’i dërgohet për shqyrtim Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Durrës për këto shkaqe:
Çështja objekt shqyrtimi është në kompetencë lëndore të Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Durrës, pasi mosmarrëveshja në shqyrtim është mosmarrëveshje në fushën e marrëdhënieve të punës, mes palëve ndërgjyqëse.
Në rastin konkret i padituri nuk është shoqëri tregëtare dhe është institucion në varësi të Ministrisë së Mbrojtjës, pra është organ i administratës publike.
Në bazë të nenit 7 /ç të ligjit nr.49/2012, datë.03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, Gjykatat administrative janë kompetente për : “mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës, kur punëdhënësi është organ i administratës publike”.
Kuptimin e organit të administratës publike e gjejmë në nenin 2 pika 6 e ligjit nr.49/2012, ku përkufizohet “Organ publik” është çdo organ i pushtetit qëndror, i cili kryen funksione administrative, çdo organ i enteve publike, në masën që ato kryejnë funksione administrative; çdo organ i pushtetit vendor që kryen funksione administrative; çdo organ i Forcave të Armatosura, çdo struktur tjetër, punojësit e së cilës gëzojnë statusin e ushtarakut, për aq kohë sa këto kryejnë funksione administrative, si dhe çdo person fizik ose juridik, të cilit i është dhënë me ligj, akt nën ligjor ose çdo lloj forme tjetër, të parashikuar nga legjislacioni në fuqi, e drejta e ushtrimit të funksionit publik”.
Punëdhënësi nuk është shoqëri tregtare por është ndërmarrje shtetërore e cila rregullohet nga ligji për Ndërmarrjet Shtetërore nr.7582 datë 13.07.1992 dhe ka për objekt “Prodhime ushtarake, armatime të këmbsorisë, demilitarizimi municionesh e armatimi”.
Sipas përkufizimit të dispozitës së sipër cituar rezulton se, Uzina Mekanike Gramsh është organ i administratës publike. Për rrjedhojë mosmarrëveshja në shqyrtim hynë në kompetencë të gjykatës administrative.
Për sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.780 (13-2015-3518), datë 11/06/2015 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, i cili ka shpallur moskompetencën lëndore për gjykimin e kësaj çështje, duke e dërguar në Gjykatën kompetente, e cila është Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës është i drejtë dhe duhet të lihet në fuqi dhe çështja të dërgohet për vazhdimin e gjykimit pranë gjykatës kompetente.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 7-13 të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.780 (13-2015-3518), datë 11/06/2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Tiranë, më 26.11.2015
Nr. 11243-03149-00-2015 Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-4245 i Vendimit
Do'stlaringiz bilan baham: |