20. Në këto rrethana, Kolegji Administrativ vlerëson se ishte detyrim i gjykatave, në respektim të nenit 14 të K.Pr.Civile, të hetonin nëse: pala paditëse Shpëtim Gjyriqi ka punuar para se të arrestohej, apo ka qenë i papunë, është trajtuar me ndihmë sociale, gjëndja ekonomike, etj. Vetëm pasi të verifikonin dhe hetonin në lidhje me rrethanat e mësipërme, gjykatat mund të shpreheshin në lidhje me masën e kompensimit që do i takonte paditësit, në zbatim të nenit 5 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005 “Për Kompensimin për Burgim të Padrejtë”.
21. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, parashikimet e nenit 5 të ligjit nr.9381/2005 duhet të vlerësoheshin nga gjykatat më të ulta së bashku dhe në harmoni të plotë, sepse parashikimet e pikës 2 nenit 5 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005, përbëjnë kufirin maksimal të kompensimit për burgim të padrejtë, i cili u jepet personave që kanë të ardhura ditore të barabarta ose që i kalojnë këto kufij maksimal, të parashikuar nga ligji. Por kjo nuk do të thotë që të gjithë personat që vuajnë paraburgim/burgim të padrejtë duhet të trajtohen me maksimumin e dëmshpërblimit që jep dispozita, pasi dhe dëmi për të gjithë personat që vuajnë paraburgim/burgim të padrejtë nuk është i njëjtë. Në këtë kontekst gjykatat në përcaktimin e masës së dëmshpërblimit duhet të vlerësonin drejtë të gjitha kriteret e parashikuara në ligj dhe jo ti veçojnë e ndajnë ato nga njëra-tjetra.
22. Përsa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon se vendimi i Gjykatës së Apelit Shkodër duhet prishur dhe në zbatim të vendimit unifikues nr.03/2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, çështja duhet të dërgohet për rishqyrtim, pranë Gjykatës Administrative të Apelit, e cila aktualisht është kompetente në lëndë për gjykimin e kësaj çështje administrative.
23. Në rishqyrtimin e çështjes, Gjykata Administrative e Apelit, duhet të zhvillojë një hetim të plotë e të gjithanshëm gjyqësor të çështjes, në përputhje me kërkesat e nenit 14 të K.Pr.Civile, duke hetuar në lidhje me kriteret që parashikon pika 1 e nenit 5 të ligjit nr.9381, datë 28.04.2005, siç janë të ardhurat nga paga, fitimi nga veprimtari tregtare, pensionet e përfituara, gjëndjen ekonomike dhe familjare dhe më pas të caktojë dëmshpërblimin.
24. Duke arsyetuar si më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, arrin në përfundimin se rekurset e paraqitura nga pala e paditur Dega e Thesarit Tropojë dhe personi i tretë Prokuroria e Apelit Shkodër janë të bazuara në ligj, prandaj ato duhet të pranohen dhe për rrjedhojë vendimi i gjykatës së apelit duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim, pranë Gjykatës Administrative të Apelit.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63/c të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”;
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.246, datë 27.05.2013 të Gjykatës së Apelit Shkodër dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit.
Tiranë, më 26.11.2015
Nr. 11241-02505-00-2013 Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4472 Vendimi (653)
VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Në datën 26.11.2015 mori në shqyrtim në Dhomën e Këshillimit çështjen administrative me nr.11241-02505-00-2013 akti që iu përket palëve:
PADITËS: ALBAN KOÇI
I PADITUR: DREJTORIA E PËRGJITHSHME E DOGANAVE, TIRANË
OBJEKTI:
Detyrimin nga i padituri për dëmshpërblim
për zgjidhjen e menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës
në masën 12 paga mujore, për mosrespektim të afatit të njoftimit me 3 paga mujore,
2 paga mujore për mosrespektim të procedurës,
dhe shpërblimin për vjetërsi në punë në masën 3 paga mujore,
shpërblimin për leje vjetore në masën 1 pagë mujore,
pagën dhe shtesën mbi pagë për ditët e papaguara të pushimit;
rikthimin në vendin e mëparshëm të punës.
Baza Ligjore: Nenet 19, 21, 143, 144, 145, 153 e 155 e vijues të Kodit Punës;
nenet 153, 310 e vijues të Kodit Procedurës Civile,
nenet 13, 14 e vijues të Kodit Doganor;
Dispozitat Zbatuese të Kodit Doganor,
miratuar me VKM-në nr.205, datë 13.04.1999.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.4234, datë 27.04.2012 ka vendosur:
Rrëzimin e kërkesëpadisë, si të pabazuar në ligj dhe në prova.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.477, datë 26.02.2013 ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit nr.4234, datë 27.04.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në këtë mënyrë:
Detyrimin e palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të dëmshpërblejë paditësin Alban Koçi për zgjidhjen e menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës me pagën e 9 muajve punë.
Detyrimin e palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të dëmshpërblejë paditësin Alban Koçi për mosrespektim të afatit të njoftimit për zgjidhjen e kontratës së punës me pagën e 3 muajve punë.
Detyrimin e palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të dëmshpërblejë paditësin Alban Koçi për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës me pagën e 2 muajve punë.
Detyrimin e palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ti shpërblejë paditësit Alban Koçi vjetërsinë në punë në masën e 3 muajve pagë.
Detyrimin e palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ti paguaj paditësit Alban Koçi pagën për lejen vjetore të pakryer të vitit 2011 në proporcion me periudhën e punës për këtë vit (janar-gusht).
Rrëzimin e padisë për pjesën tjetër.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të ketë paraqitur rekurs pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Tiranë, e cila kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.477, datë 26.02.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe rrëzimin e kërkesëpadisë.
Shkaqet që pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Tiranë paraqet në rekurs, janë:
-
Pretendimi i paditësit se ndërprerja e marrëdhënieve të punës është kryer në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe të justifikuara nga punëdhënësi i tij, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, është i pambështetur në ligj dhe prova.
-
Pretendimi i paditësit për ndërprerje të marrëdhënieve të punës pa shkaqe të justifikuara nuk qëndron ligjërisht. Paditësi Alban Koçi ka shkaktuar punëdhënësit të tij Drejtoria e Përgjithshme Doganave dëme të mëdha ekonomike në fushën e mbledhjes së të ardhurave kombëtare. Në nenin 153/2 të Kodit Punës parashikohet shprehimisht se: Vlerësohen si shkaqe të justifikuara të gjitha rrethanat e rënda që nuk lejojnë sipas parimit të mirëbesimit ti kërkohet atij që e ka zgjidhur kontratën, vazhdimin e marrëdhënieve të punës.
-
Të ndodhur para shkakut të justifikuar (që është shkelja e rëndë disiplinore nga paditësi, duke i shkaktuar dëm ekonomik punëdhënësit të tij Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave), citojmë nenin 153/1, 3 të Kodit Punës ku thuhet: Kontrata e punës zgjidhet menjëherë në çdo kohë për shkaqe të justifikuara, kur punëmarrësi ka shkelur detyrimet me faj.
-
Pretendimi i palës paditëse për dëmshpërblim në paga për mosrespektim të afatit të njoftimit dhe të procedurës për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, është i pambështetur në ligj. Procedurat e përcaktuara në nenet 143 dhe 144 të Kodit Punës rregullojnë marrëdhëniet e punës mes punëdhënësit dhe punëmarrësit në ato raste kur marrëdhënia e punës ndërpritet për shkak se mungon vullneti i punëdhënësit që kjo marrëdhënie juridike të vazhdoje së sjelluri pasoja juridike dhe në mënyrë të njëanshme të kërkoje shuarjen e saj. Ligjvënësi ka patur parasysh mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësit dhe dëmshpërblimin e tij në të tilla raste.
-
Nuk mund të ngarkohet pala e paditur me këtë detyrim, pasi nuk ndodhemi në ato kushte juridike dhe ligjore që parashikojnë nenet 143 dhe 144 të Kodit Punës. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është një nga dy institucionet e sistemit fiskal në Republikën e Shqipërisë që realizojnë mbledhjen e të ardhurave kombëtare. Edhe pse administrata e saj nuk e gëzon statusin për nëpunësin civil, ajo ka ndjekur ecurinë disiplinore të punonjësve të saj në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.
-
Procedurat për marrjen e masës disiplinore janë zbatuar në përputhje me ligjin nr.8449, datë 27.01.1999 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, si dhe VKM-ja nr.686, datë 02.11.2005 “Për disa ndryshime në VKM-në nr.205, datë 13.03.1999 “Për Dispozitat Zbatuese”.
-
Në nenin 16/6 të Kodit Doganor, “Në bazë të dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi në fushën e doganave, Drejtori i Përgjithshëm merr masa disiplinore për rastet e shkeljeve të këtij neni.”
-
Sipas shkresës të Komitetit Disiplinor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave: është zhvilluar seanca dëgjimore e punonjësit përgjegjës për shkeljen, janë shqyrtuar materialet shkresore në cilësinë e provave, etj.
-
Paditësi nuk provoi dëmin që i është shkaktuar në mënyrë të jashtëligjshme dhe me faj nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
-
Pretendimi i palës paditëse për kthim në vendin e punës, është në kundërshtim me të gjitha ligjet e aktet nënligjore të cilat trajtojnë pozicionin e administratës doganore, me konkretisht vendimet unifikuese nr.08 dhe nr.10, datë 12.09.2007, ku Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë në arritur në përfundimin se, ligji nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit Civil”, nuk shtrihet mbi punonjësit e administratës doganore.
-
Gjithashtu, nëpërmjet vendimit unifikues nr.31, datë 14.04.2003, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë arsyetojnë se: me anë të ankimit në gjykatë punonjësit e administratës publike që kanë detyra të caktuara shërbimi ndaj shtetit, për shkak të të cilave veprojnë si përfaqësues të shtetit për i mbrojtjen e interesave të tij nuk mund të realizojnë gjyqësisht rikthimin në detyrën që kanë pasur, edhe në qoftë se provohet se janë larguar prej saj pa shkaqe të përligjura.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi çështjen në tërësi, në Dhomën e Këshillimit, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 19.09.2013 është regjistruar çështja administrative nr.11241-02505-00-2013 regj. them, që u përket palëve ndërgjyqse: paditës Alban Koçi dhe e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave Tiranë, me objekt: Detyrimin e të paditurit për dëmshpërblim për zgjidhjen e menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës në masën e 12 pagave mujore, etj..
2. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.477, datë 26.02.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë, është marrë në zbatim të gabuar të ligjit material, prandaj si i tillë ai duhet të prishet, duke u vendosur lënia në fuqi e vendimit nr.4234, datë 27.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
I. Rrethanat e çështjes:
3. Paditësi Alban Koçi ka qenë në marrëdhënie pune, pranë palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Marrëdhëniet e punës mes palëve ndërgjyqëse kanë filluar me datë 31.10.2005. Gjatë kësaj periudhe, paditësi ka punuar në disa detyra të ndryshme, fillimisht shofer, më pas sekretar/arkivist/magazinier dhe nga data 31.01.2011, në detyrën e inspektorit në Sektorin e Antikontrabandës Tokësore në Drejtorinë e Antikontrabandës dhe Rikuperimit të Borxhit me Forcë në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
4. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, nëpërmjet Aktit/Urdhërit nr.6941/7 prot, datë 21.07.2011 ka vendosur, ndër të tjerë, edhe pezullimin nga detyra të paditësit Alban Koçi, në kushtet kur edhe ndaj tij ishte paraqitur një kallëzim penal nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, lidhur me një ngjarje të ndodhur me datë 12.03.2011, kallëzim mbi të cilin Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë kishte regjistruar një procedim penal, ndër të tjerë, edhe kundër paditësit Alban Koçi, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
5. Ndërsa ka qenë i pezulluar nga detyra dhe hetimi penal vazhdonte, mbi Informacionin e Zv. Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, sipas Aktit nr.6941/10 prot, datë 19.08.2011, ka filluar një procedurë disiplinore për largimin nga puna të paditësit Alban Koçi, lidhur me përmbushjen nga ai të detyrës në rastin e ngjarjes së datës 12.03.2011, e cila ishte objekt i hetimit penal nga organi i prokurorisë.
6. Mbi bazën e këtij informacioni, që Drejtori i Përgjithshëm i Doganave ia ka kaluar për shqyrtim Komitetit Disiplinor, ky i fundit ka njoftuar, ndër të tjerë, edhe paditësin Alban Koçi, për takimin që ai do të zhvillonte me datë 26.08.2011, ku do të trajtohej Informacioni i Zv. Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave.
7. Rezulton se, me datë 26.08.2011, të jetë realizuar takimi i Komitetit Disiplinor, ku është trajtuar dhe Informacioni i Zv. Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, takim gjatë të cilit, në cilësinë e personit që kishte dijeni për ngjarjen e datës 12.03.2011, është dëgjuar një nga hetuesit e Drejtorisë së Hetimit (Besnik Tarja), i cili ka parashtruar disa fakte që lidheshin me ngjarjen e datës 12.03.2011, ku nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit (Drejtorisë së Policisë se Qarkut Tiranë) ishte konstatuar kryerja nga subjekti “Pro Gips” i veprës penale të “kontrabandës me mallra të tjerë” nëpërmjet kalimit pa deklaruar në pikën doganore të mallrave të tjerë (veshmbathje), ngjarje në të cilën, për dokumentimin e veprës penale, kishte marrë pjesë edhe ai.
8. Në këtë shqyrtim është dëgjuar si dëshmitar edhe përgjegjësi i turnit i Qendrës Operative në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave (Besnik Limaj), që ka qenë me shërbim në datën 12.03.2011, i cili ka dëshmuar përsa kishte dijeni për veprimet e kryera në rastin e subjektit “Pro Gips”, ndërkohë që nga Komiteti Disiplinor është lënë si detyrë të shihej tabulati i telefonisë celulare të këtij punonjësi lidhur me thirrjet hyrëse dhe dalëse të tij me grupin e Antikontrabandës në fjalë.
9. Megjithatë, del që Komiteti Disiplinor të ketë përfunduar shqyrtimin në këtë seancë dëgjimore, ku në përfundim, me shkresën nr.14046/4 prot, datë 29.08.2011, i ka propozuar Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave marrjen e masës disiplinore “largim nga puna” ndaj 3 inspektorëve të Grupit 13 të Antikontrabandës Tokësore, mes të cilëve, edhe ndaj paditësit Alban Koçi.
10. Mbi bazën e propozimit të Komitetit Disiplinor, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, me vendimin nr.14046/5 prot, datë 29.08.2011, bazuar në pikën 18.1.4, germa “e”, të VKM-së nr.686, datë 02.11.2005, ka vendosur largimin nga puna të paditësit Alban Koçi, me motivacionin për kryerjen e shkeljes disiplinore të “thyerjes së Dispozitave Zbatuese të Kodit Doganor, Urdhërave dhe Urdhëresave në zbatim të tij”. Sipas këtij vendimi, marrëdhëniet financiare me paditësin ndërpriteshin me datë 04.09.2011.
11. Pala paditëse, duke pretenduar se ky largim nga puna nuk është bërë konform neneve 143, 144, 145, 155 e vijues të Kodit Punës së Republikës së Shqipërisë i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi.
II. Vendimet dhe arsyetimi i gjykatave:
12. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.4234, datë 27.04.2012 ka vendosur:
Rrëzimin e kërkesëpadisë, si të pabazuar në ligj dhe në prova.
13. Gjykata e rrethit gjyqësor ndër të tjera arsyeton se:
....Në dosjen gjyqësore janë depozituar si prova shkresore, shkresa nr.6941/10 prot, datë 19.08.2011, e Kryetarit të Komitetit Disiplinor, shkresat nr.5545, datë 18.03.2011 dhe 14046/4 prot, datë 29.08.2011, të Drejtorit të Përgjithshëm, Flamur Gjymishka, në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më datë 12.03.2011, në Degën Doganore Tiranë, ku nga kontrolli i realizuar nga Krimi Ekonomik dhe një grup i Antikontrabandës, kanë rezultuar diferenca të mëdha në sasi dhe natyrë malli. Kontrolli fizik i mëparshëm ishte kryer nga doganieri Fitim Mezini dhe grupi i Antikontrabandës, i përbërë nga inspektorët Lulzim Kullolli, Alban Koçi dhe Ramazan Hoxha. Në këtë kuptim, gjykata çmon se ekzistojnë shkaqe të justifikuara për zgjidhjen e menjëhershme të kontratës së punës nga punëdhënësi dhe e konsideron shkeljen e detyrimeve kontraktuale nga punëmarrësi Alban Koçi me faj të rëndë. Fakti që ky shtetas nuk është konsideruar fajtor penalisht, nuk e shkarkon atë nga përgjegjësia civile.
Në këtë kuptim, dhe duke iu referuar nenit 153/1 të Kodit Punës, zgjidhja e kontratës së punës konsiderohet me efekt të menjëhershëm e pajustifikuar dhe punëmarrësi e humbet të drejtën e dëmshpërblimit për afatin e njoftimit.
Duke qenë në këto kushte, meqenëse zgjidhja e kontratës së punës është e menjëhershme dhe për shkaqe të justifikuara, paditësi nuk legjitimohet në kërkimin e tij për dëmshpërblim për 12 muaj pagë. Përsa i përket kërkimit të paditësit për dëmshpërblim për vjetërsi në punë, gjykata çmon se nuk është i drejtë dhe ligjor. Meqenëse u vërtetua se paditësi është larguar nga puna në mënyrë të menjëhershme dhe për shkaqe të justifikuara, në bazë të nenit 145/1 të Kodit Punës, punëmarrësi në këtë rast humb edhe të drejtën e shpërblimit për vjetërsi në punë.
Së fundmi edhe përsa i përket kërkimit të paditësit për dëmshpërblim për lejen vjetore të pakryer, si dhe për pagën dhe shtesën mbi pagë për ditët e pushimit për 3 vitet e fundit, ky kërkim nuk duhet të pranohet, pasi gjykata çmon se është i pabazuar në prova......
14. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.477, datë 26.02.2013 ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit nr.4234, datë 27.04.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në këtë mënyrë:
Detyrimin e palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të dëmshpërblejë paditësin Alban Koçi për zgjidhjen e menjëhershme të pajustifikuar të kontratës se punës me pagën e 9 muajve pune.
Detyrimin e palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të dëmshpërblejë paditësin Alban Koçi për mosrespektim të afatit të njoftimit për zgjidhjen e kontratës se punës me pagën e 3 muajve pune.
Detyrimin e palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të dëmshpërblejë paditësin Alban Koçi për mosrespektim të procedurës se zgjidhjes se kontratës së punës me pagën e 2 muajve pune.
Detyrimin e palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ti shpërblejë paditësit Alban Koçi vjetërsinë në punë në masën e 3 muajve pagë.
Detyrimin e palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ti paguaj paditësit Alban Koçi pagën për lejen vjetore të pakryer të vitit 2011 në proporcion me periudhe e punës për këtë vit janar - gusht.
(Rrëzimin e padisë për pjesën tjetër).
15. Gjykata e apelit ndër të tjera arsyeton se:
.... Pala e paditur nuk ka respektuar as procedurën e zgjidhjes së kontratës së punës të rregulluar nga neni 144 i Kodit Punës, ashtu sikundër as procedurën disiplinore të rregulluar me një akt nënligjor, VKM-në nr.686, datë 02.11.2005, dalë në zbatim të Kodit Doganor, kur lidhur me këtë të fundit, ndryshe nga sa pala e paditur ka pretenduar dhe gjykata e shkallës së parë ka pranuar pa ndonjë arsyetim, nga pala e paditur nuk ka respektuar këtë procedurë në rrethanat kur nuk rezulton që inicimi i procedimit disiplinor të jetë iniciuar nga eprori i tij direkt si rezultat i të dhënave të rezultuara nga një hetim i bërë prej tij, aq më tepër kur, sipas shkresës nr.6941/4 prot, datë 11.07.2011, Drejtori i Antikontrabandës i ka konfirmuar Komitetit Disiplinor se Drejtoria e Antikontrabandës nuk disponon asnjë dokument lidhur me kontrollin e subjektit “Pro Gips” nga grupi i Antikontrabandës, duke sugjeruar nga ana tjetër se, në kushtet kur rasti ishte në hetim në organin e prokurorisë, duhet të priteshin konstatimet dhe vendimmarrja e këtij organi, mbi bazën e të cilave kjo drejtori do të shprehej për përgjegjësinë e punonjësve të Antikontrabandës. Po kështu, nuk rezulton që paditësi të jetë njoftuar për informacionin që ka vënë në lëvizje procedurën disiplinore dhe, aq me tepër, t’i jetë bërë e ditur shkelja disiplinore për të cilën ai akuzohej, ç’ka përbëjnë cënim të të drejtës për t’u mbrojtur. Në këto kushte, gjykata e apelit çmon se, bazuar në nenin 144/5 të Kodit Punës, pala e paditur duhet të dëmshpërblejë paditësin me pagën e 2 muajve punë, për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës.
....Ndryshe nga sa gjykata e shkallës së parë ka konkluduar, gjykata e apelit vlerëson të bazuar pretendimin e ngritur në ankim, duke çmuar se zgjidhja e menjëhershme e kontratës se punës në rastin konkret ka qenë pa shkaqe të justifikuara, në rrethanat kur pala e paditur nuk ka provuar në gjykim që paditësi të ketë kryer shkeljen disiplinore të atribuuar atij, atë të “thyerjes së dispozitave të Kodit Doganor dhe dispozitave zbatuese, urdhërat dhe urdhëresat në zbatim të tij”, parashikuar nga pika 16.1, germa “a”, të VKM-së nr.686, datë 02.11.2005, që sipas legjislacionit doganor përbën shkak për marrjen e masave disiplinore ndaj punonjësve të administratës doganore, përfshirë dhe largimin e tyre nga puna. Përkundrazi, gjatë gjykimit është provuar se paditësi, ditën që bëhet fjalë të ketë ndodhur shkelja disiplinore (data 12.03.2011), ka kryer rregullisht detyrën në vendin e caktuar të shërbimit (aksin Tiranë-Milot), ndërkohë që, për shkak të kohës së mbërritjes në Degën e Doganës Tiranë, nuk ka marrë pjesë në kontrollin fizik të mallit të subjektit “Pro Gips”, siç në mënyrë të pabazuar ka pretenduar pala e paditur. Fakti që doganieri i kontrollit fizik i Degës se Doganës Tiranë, ka raportuar para autoriteteve doganore përkatëse se në kontrollin e kryer nga ai të subjektit “Pro Gips” kanë qenë të pranishëm edhe punonjësit e Antikontrabandës, nuk mund të provojë që këta punonjës kanë qenë të pranishëm në këtë kontroll, përsa kohë akti i kontrollit nuk është i nënshkruar nga këta punonjës, si dhe përsa kohë nuk ka asnjë provë tjetër që të vërtetojë praninë e punonjësve të Antikontrabandës në momentin e kryerjes së kontrollit fizik të mallit të subjektit “Pro Gips”. Për rrjedhojë, në kushtet kur kontrata e punës së paditësit është zgjidhur nga pala e paditur, si dhe kur nuk provohet shkaku për të cilën pala e paditur ka bërë zgjidhjen e kontratës, atëhere në rastin konkret ndodhemi para zgjidhjes së menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës së paditësit.
Sipas vërtetimit nr.16964/2 prot, datë 17.10.2011, paditësi ka kryer 15 ditë nga leja e zakonshme e vitit 2011, përgjatë periudhës 18.07.2011 - 02.08.2011, është një pretendim i papranueshëm ......gjykata e apelit çmon se, bazuar në nenin 94 të Kodit Punës, pala e paditur duhet të detyrohet t’i paguaj atij pagën për lejen vjetore të pakryer për vitin 2011 në proporcion me periudhën e punës së paditësit përgjatë këtij viti kalendarik (janar-gusht).
Çmohet i pabazuar në ligj kërkimi i padisë për konstatimin e pavlefshmërisë së aktit administrativ, vendimit nr.14046/5, datë 29.08.2011, të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, mbasi marrëdhënia që ka ekzistuar mes palëve ndërgjyqëse është marrëdhënie juridike pune dhe jo marrëdhënie administrative, ku për pasojë, akti në fjalë është një akt i nxjerr nga titullari i një institucioni të administratës shtetërore, por në kuadër të një marrëdhënie juridike pune, duke mos qenë kështu para një akti administrativ në kuptim të ligjit (Kodit të Procedurave Administrative), i kundërshtueshëm si i tillë gjyqësisht.
Po kështu, çmohet i pabazuar në ligj edhe kërkimi i padisë për kthimin në vendin e mëparshëm të punës. Gjithashtu, çmohet i pabazuar në prova kërkimi i padisë për pagimin e pagës dhe shtesës mbi pagë, për punën e kryer në ditët e pushimit dhe të papaguara për 3 vitet e fundit.....
III. Ligji i zbatueshëm:
16. Neni 143 i Kodit Punës parashikon se:
1) Pas kohës së marrjes në provë, për të zgjidhur kontratën me periudhë të pacaktuar, palët duhet të respektojnë një afat njoftimi prej një muaji, gjatë vitit të parë të punës, prej dy muajsh për dy deri në pesë vjet pune, prej tre muajsh për më shumë se pesë vjet pune.
2) Këto afate mund të ndryshohen me marrëveshje me shkrim ose në kontratën kolektive të punës. Kur punëmarrësi ka kryer deri në gjashtë muaj pune, afati i njoftimit nuk mund të jetë më pak se dy javë. Afati i njoftimit është jo më pak se 1 muaj kur punëmarrësi ka kryer më shumë se gjashtë muaj pune.
3) Afati i njoftimit për zgjidhjen e kontratës zgjatet, sipas rastit, deri në fund të javës ose deri në fund të muajit. Zbatohet i njëjti rregull kur afati i njoftimit pezullohet gjatë periudhës së paaftësisë për punë, shtatzënisë ose pushimeve të dhëna nga punëdhënësi.
4) Kur njëra nga palët e zgjidh kontratën pa respektuar afatin e njoftimit, zgjidhja trajtohet si zgjidhje e kontratës me efekt të menjëhershëm.
17. Neni 144 i Kodit Punës parashikon se:
1) Pas kohës së marrjes në provë, kur punëdhënësi mendon të zgjidhë kontratën e punës, ai duhet të njoftojë me shkrim punëmarrësin të paktën 72 orë para takimit dhe të bisedoj me të.
2) Punëdhënësi, gjatë kësaj bisede, i parashtron punëmarrësit arsyet e vendimit të parashikuar për t’u marrë dhe i jep atij mundësi për t’u shprehur.
3) Zgjidhja njoftohet me shkrim, brenda një afati nga 48 orë deri në një javë pas takimit.
4) Kjo procedurë zbatohet edhe në rastet e zgjidhjes së menjëhershme të kontratës.
5) Punëdhënësi, që nuk respekton procedurën e përcaktuar në këtë nen, detyrohet t’i japë punëmarrësit një dëmshpërblim prej dy muajsh pagë, që i shtohet dëmshpërblimeve të tjera të mundshme. Zgjidhja e kontratës në kundërshtim me këtë dispozitë mbetet e vlefshme.
5/1. I takon punëdhënësit të vërtetojë që procedura e përcaktuar nga ky nen është respektuar.
6) Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastet e pushimeve kolektive nga puna.
18. Neni 145 i Kodit Punës parashikon se:
1) Punëmarrësi përfiton shpërblim për vjetërsi, kur kontrata është zgjidhur nga punëdhënësi dhe marrëdhëniet e punës kanë zgjatur jo më pak se tre vjet. Punëmarrësi e humb të drejtën e shpërblimit për vjetërsi, nëse është pushuar me efekt të menjëhershëm, për shkaqe të arsyeshme.
2) Shpërblimi për vjetërsi është të paktën sa paga e një 15 ditëshi, mbi çdo vit pune të plotë, që llogaritet në bazë të pagës që ekziston në përfundim të marrëdhënieve të punës. Kur paga është e ndryshueshme, shpërblimi llogaritet mbi mesataren e pagës të vitit paraardhës dhe indeksohet.
3) Shpërblimit për vjetërsi i shtohet shpërblimi që jepet në rastin e zgjidhjes së kontratës pa shkaqe të arsyeshme ose të zgjidhjes me efekt të menjëhershëm pa shkaqe të arsyeshme.
19. Neni 152 i Kodit Punës parashikon se:
Në përfundim të marrëdhënieve të punës që kanë zgjatur jo më pak se tre vjet, punëmarrësi përfiton shpërblim për vjetërsinë si në rastin e zgjidhjes së kontratës me afat të pacaktuar nga punëdhënësi.
20. Neni 153 i Kodit Punës parashikon se:
1) Punëdhënësi e punëmarrësi, në çdo kohë, mund të zgjidhin menjëherë kontratën për shkaqe të justifikuara.
2) Vlerësohen si shkaqe të justifikuara të gjitha rrethanat e rënda që nuk lejojnë, sipas parimit të mirëbesimit, t’i kërkohet atij që ka zgjidhur kontratën, vazhdimin e marrëdhënieve të punës.
3) Gjykata vendos nëse ekzistojnë shkaqe të justifikuara për zgjidhjen e menjëhershme të kontratës. Konsiderohen shkaqe të justifikuara rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të rëndë, si edhe rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të lehtë, në mënyrë të përsëritur, me gjithë paralajmërimin me shkrim të punëdhënësit.
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
21. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave Tiranë, përmban shkaqe nga ato që parashikohen në ligj dhe për rrjedhojë vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të prishet, duke u lënë në fuqi vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
22. Nga citimi i nenit 153 të Kodit Punës evidentohet se: Punëdhënësi e punëmarrësi, në çdo kohë, mund të zgjidhin menjëherë kontratën për shkaqe të justifikuara. Vlerësohen si shkaqe të justifikuara të gjitha rrethanat e rënda që nuk lejojnë, sipas parimit të mirëbesimit, t’i kërkohet atij që ka zgjidhur kontratën, vazhdimin e marrëdhënieve të punës.... Konsiderohen shkaqe të justifikuara rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të rëndë, si edhe rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të lehtë, në mënyrë të përsëritur, me gjithë paralajmërimin me shkrim të punëdhënësit.
23. Në rastin objekt gjykimi Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë se: ..... ekzistojnë shkaqe të justifikuara për zgjidhjen e menjëhershme të kontratës së punës nga punëdhënësi dhe e konsideron shkeljen e detyrimeve kontraktuale nga punëmarrësi Alban Koçi me faj të rëndë. Fakti që ky shtetas nuk është konsideruar fajtor penalisht, nuk e shkarkon atë nga përgjegjësia civile...., është i drejtë dhe i bazuar në ligj, sepse shkeljet e paditësit gjatë kryerjes së detyrës përbëjnë shkelje kontraktuale me faj të rëndë, të kryera nga ana e punëmarrësit, të parashikuara nga neni 153/3 i Kodit Punës. Kjo dispozitë ligjore i lë në vlerësim të gjykatës rastet e shkeljes së detyrimeve kontraktuale me faj të rëndë/apo të lehtë në mënyrë të përsëritur të kryera nga ana e punëmarrësit, prandaj gjykata e shkallës së parë në zbatim të drejtë të ligjit ka arritur në konkluzionin se shkeljet e paditësit janë kryer me faj të rëndë, pasi prej tij nuk janë kryer detyrat kryesore funksionale të ngarkuara nga ligji dhe aktet nën ligjore të dala në zbatim të tij, i cili ka qenë kontrolli dhe parandalimi i kontrabandës, duke i sjellë një dëm të konsiderueshëm palës së paditur.
24. Gjykata e apelit nuk arsyeton nëse shkaku i largimit të paditësit nga puna është i justifikuar, apo i pa justifikuar, por mjaftohet vetëm me konstatimin e faktit se pala e paditur nuk ka zbatuar afatin e njoftimit, të parashikuar nga neni 143 i Kodit Punës dhe procedurën e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës. Duhet të theksohet se, në rastin e zgjidhjes së menjëhershme të kontratës së punës ajo që duhet të shikohet në fillim është fakti se, nëse punëdhënësi e ka zgjidhur kontratën e punës në mënyrë të menjëhershme dhe për shkaqe të justifikuara, të parashikuar nga neni 153 i Kodit Punës, apo për shkaqe të pajustifikuara, të parashikuara nga neni 155 i Kodit Punës. Kur konstatohet që punëdhënësi e ka zgjidhur kontratën për shkaqe të justifikuara, parashikuara nga neni 153 i Kodit Punës, atëhere afati i njoftimit shikohet vetëm për ta bërë zgjidhjen të menjëhershme ose jo dhe nëse ky afat njoftimi nuk është respektuar nga ana e punëdhënësit, atëhere zgjidhja e kontratës së punës do të konsiderohet si një zgjidhje e menjëhershme e kontratës së punës për shkaqe të justifikuara, e bërë nga punëdhënësi, parashikuar nga neni 153 i Kodit Punës dhe në këtë rast punëdhënësi përjashtohet nga përgjegjësia për ti paguar dëmshpërblimin palës tjetër.
25. Nga kjo del që afati i njoftimit nuk është element që e bën zgjidhjen e kontratës së punës të justifikuar ose të pajustifikuar. Ajo që bën dallimin ndërmjet dy zgjidhjeve të kontratës së punës nga punëdhënësi është fakti se, nëse në ngarkim të punëmarrësit ekzistojnë shkaqet e justifikuara, të parashikuara nga neni 153 i Kodit Punës, që në rastin në gjykim ekzistojnë, pasi pala paditëse nuk ka kryer detyrën e tij funksionale të ngarkuar me ligj, prandaj përfundimet që ka arritur gjykata e shkallës së parë janë të bazuara në ligj.
26. Gjykata e apelit arsyeton se pala e paditur nuk ka zbatuar procedurën e pushimit nga puna të parashikuar nga neni 144 i Kodit Punës. Arsyetimi që bën kjo gjykatë është e pabazuar në ligj, sepse për punonjësit e doganave zbatohet një procedurë e ndryshme nga ajo që parashikon Kodi i Punës, të cilën punëdhënësi në këtë rast e ka zbatuar, sepse paditësi është dëgjuar nga Komiteti Hetimor, i cili ka hetuar shkeljen konkrete, duke marrë edhe provat e nevojshme, duke arritur në përfundimin se nga punonjësve të Antikontrabandës ka patur shkelje në kontrollin e një subjekti, i cili ka bërë kontrabandë me mallra të tjera, ku kanë rezultuar diferenca të konsiderueshme, prandaj paditësit nuk i takon as dëmshpërblimi, i parashikuar nga neni 144 i Kodit Punës. Fakti se paditësi nuk është ngarkuar me përgjegjësi penale nuk ka rëndësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së punës, pasi paditësi në cilësinë e punëmarrësit nuk ka kryer detyrën funksionale të ngarkuar, duke i shkaktuar punëdhënësit të tij një dëm të konsiderueshëm ekonomik, prandaj ky i fundit me të drejtë ka zgjidhur kontratën e punës, në përputhje të plotë me kërkesat e nenit 153 të Kodit Punës.
27. Meqenëse kontrata e punës është zgjidhur me efekt të menjëhershëm dhe për shkaqe të justifikuara nga ana e punëdhënësit, në bazë të nenit 153 të Kodit Punës, atëhere në bazë të nenit 145 të Kodit Punës, paditësi Alban Koçi humbet të drejtën e shpërblimit për vjetërsinë në punë, të parashikuar nga neni 152 i Kodit Punës, për zgjidhjen e menjëhershme e kontratës së punës.
28. Për të gjitha këto që u thanë më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, rekursi i paraqitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është i bazuar në ligj, prandaj si i tillë ai duhet të pranohet dhe për rrjedhojë vendimi i gjykatës së apelit duhet të prishet, duke u lënë në fuqi vendimi i gjykatës së shkallës së parë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63 pika “b” të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”.
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.477, datë 26.02.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.4234, datë 27.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Tiranë, më 26.11.2015
Nr. 90400-02592-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-4407 i Vendimit (654)
Do'stlaringiz bilan baham: |