Deklarata e kryetarit të PD Lulzim Basha:
“Presioni mafioz që Edi Rama dhe Saimir Tahiri po ushtrojnë prej dy ditësh ndaj drejtësisë zbulon para cdokujt me dy pare mend se kush janë urdhëruesit e megaskandalit të përgjimit.
Fillimisht Tahiri e pastaj Rama vazhduan sërish sot si njerëz të kapur në krim të sulmojnë gjyqësorin dhe gjyqtarin që dje e lartësonin si njeriu i denjë i drejtësisë kur liroi babain e Tahirit.
Asnjë ditë të vetme nuk e kemi parë Ministrin e Brendshëm dhe Kryeministrin te perdorin këtë gjuhe të ashpër me krimin. Asnjë ditë të vetme në këto 3 vjet nuk e kemi degjuar as Ramen e as Tahirin ti quajnë vrasës me pagese Shullazin, Habilajt apo Balilin.
Tani jane hedhur perpjete sikur i ka pickuar gjarpri. Jane hedhur përpjetë jo per drejtesi por vetëm për të mbrojtur tajaren e tyre qe po bie me yrysh ne llucen e megaskandalit te pergjimeve.
Ketij krimi shtetëror Edi Rama dhe Saimir Tahiri i kanë shtuar ndërkaq edhe krimin kushtetues të shantazhimit të drejtësisë.
Çdo shqiptar e ka kuptuar tashmë. Janë në panik nga ajo që mund të zbulojë hetimi. Janë te tmerruar se drejtësia do të zbardhë rolin dhe pergjegjesit e tyre në megaskandalin e përgjimit.
Prandaj po kërcënojnë si asnjëherë më parë. Po i quajnë gjyqtarët vrasës me pagesë e prokurorët e keqja e vendit. I janë vërsulur KLD dhe po përdorin gjuhë talebanësh kundër çdokujt që mund t’u nxjerrë në shesh të palarat. Kane nisur bandat me shuka eurosh e me pisqolla ne brez për të shantazhuar gjykatesit e per te sprapsur hetimin. Kërcënimin mafioz e shohin si të vetmen rrugë për t’i shpëtuar drejtësisë.
Prokuroret dhe gjyqtaret qe po hetojne kete megaafere duhet ta dine se kane ne dore fatin e nje demokracie te tere. Se stepja apo sprapsja nga presioni është muzgu i demokracise dhe agimi i tiranise se shtetit mafioz. Ata kane mbështetjen e çdo shqiptari te ndershëm dhe duhet ta çojne deri ne fund këtë hetim, te bejne transparence, te vendosin ligjin.
Largimi i menjëhershëm i Saimir Tahirit nga detyra është parakusht për zbardhjen e plotë dhe te pandikuar të krimit shtetëror të përgjimit të paligjshëm e të cenimit të sigurisë kombëtare. Çdo orë në detyrë e tij është pengim i hetimit, është pengim i drejtësisë, është një turp i madh për vendin”.
Video/ Nëna përleshet me burrin që tentoi t’i rrëmbejë vajzën në supermarket
Në SHBA, burri shfaqet duke tërhequr vajzën zvarrë në tokë në përpjekje për ta rrëmbyer. Ngjarja ndodhi në Citrus County të shtetit të Floridas.
Pamjet e një kamere regjistruese më poshtë tregojnë momentin kur një burrë është përpjekur për të rrëmbyer, një vajzë të vogël 13 vjeçe, brenda në supermarket, duke e tërhequr zvarrë nga duart e nënës.
Policia tha se, i dyshuari quhet Craig Bonello, 30 vjeç, pasi e arrestoi atë jashtë dyqanit dhe bllokoi makinën e tij, shkruan “The Independent”.
Siç shihet në video, Bonello shfaqet duke u përpjekur të marrë me forcë vajzën 13 vjeçe. Por, nëna e saj përleshet dhe nuk lejon që ai t’ia marrë vajzën dhe përfundimisht, bën që Bonello të ikë.
Por, policia ndërkohë ishte vënë në alarm për këtë situatë nga menaxheri i dyqanit që dëgjoi thirrjet për ndihmë dhe e arrestoi.
Policia tha se, Bonello është arrestuar dhe vënë nën akuzë për rrëmbimin e fëmijëve dhe për abuzimin e fëmijëve.
“Ne i jemi mirënjohës, kurajos së të dyve, nënës së fëmijës dhe oficerit në detyrë Jonathan Behnen. Fatmirësisht, fëmija shpëtoi dhe pa asnjë lëndim nga ky incident. Dhe natyrisht, tani ai person do të shkojë pas hekurave dhe nuk do të jetë më në gjendje tani afër për ta bërë përsëri”.
Bonello ishte arrestuar disa herë para kësaj, më së fundi në shkurt të 2016-ës për shkelje.
Foto/ “Gjenerali” i trafikut të emigrantëve nga Afrika në BE “njeriu i gabuar”
Miqtë e një burri të ekstraduar në Itali të martën për kontrabandën e emigrantëve, thanë se, policia ka arrestuar njeriun e gabuar, njofton BBC.
Prokurorët besojnë se Mered Medhanie, i njohur si Gjenerali, është “zemra” e operacionit për të nisur nga emigrantët nga Afrika në Europë.
Një zyrtar Eritreas tha se, Mered u mbajt në Sudan në maj dhe u dërgua në Romë të martën.
Por miqtë e këtij njeriu, sipas BBC, thanë se, ishte bërë një gabim me identitetin dhe se ai ishte i pafajshëm. Sipas tyre, ai quhej Mered Tesfamariam.
Një zëdhënës i Agjencisë Kombëtare të Krimeve në Britani, i përfshirë në operacion, tha për AFP-në, se kishin bashkëpunuar me partnerët e tyre.
“Ky është një operacion bashkëpunimi shumë kompleks dhe është shumë shpejt për të spekuluar me këto pretendime”.
Një zyrtar i lartë i Policisë Italiane tha për BBC se, ai nuk ishte në dijeni të ndonjë hetimi për identitetin e të dyshuarit. BBC nënkuptoi se, policia italiane ende beson se ka kapur personin e duhur.
Bylykbashi– socialistëve: Turp të votoni 60 nene të reformës pa i lexuar kurrë
Deputeti demokrat Oerd Bylkbashi iu ka drejtuar një thirrje deputetëve socialistë “që nun ua ka zënë sytë Rilindja”, të mos votojnë draftin e Reformës në Drejtësi pa e lexuar asnjëhërë atë.
“Reformatorët janë të lexuar, – tha Bylykbashi, duke tentuar t’i thërrasë ndërgjegjës së kolegëve, – kanë ide dhe ato i vënë në zbatim. Por po të mos lexosh as draftin e Reformës….
Në një fjalim që mbajti Kryeministri, tha ndër të tjera diça ogurzezë: “ Është bindja ime e hershme që në një vend që qeveriset keq është e kotë t’i drejtohesh gjyqtarit dhe prokurorit.”
Kërkojeni këtë frazë në fjalim dhe ju socialistë, që nuk ua ka zënë sytë, Rilindja. Është mesazh ogurzi se kupton cili është vizioni i këtij Kryeministri për drejtësinë.
Bindja e tij është se në një vend që qeveriset keq, ai është drejtësia. Po jemi në një vend ku njeriu burgoset për 50 cm mur, ndërsa ai dhe Kokëdhima ndërtojnë pallate.
Pra, e pranon se në një vend që qeveriset keq, pra, e pranon këtë që qeveris keq, se është ai që do të japë drejtësinë.
Ai është obsesiv dhe do t’i shkojë deri në fund. E vendosi ta përmbytë Tiranën me pallate, e bën. E vendosi të shkatërrojë tërë sistemin e drejtësisë dhe këtë e bën. Se kjo nuk është pastrim nga të korruptuarit, por është shkatërrim, antishtet.
E ka thënë zotëria që në 2013-ën se nuk keni punë me drejtësinë, se jam unë. Një drejtësi në dorën e një kryeministri që qeveris keq.
Është turp i madh që ju deputetë kërkon të votoni ndryshimet kushtetuese, mbi 60 nene, pa i lexuar kurrë. Reforma bëhet me gjithpërfshirje, jo kështu.
Çfarë po kërkon Kryeministri? Të bëjë reformë në drejtësi apo ta dështojë? Me këtë që po thotë se do ta votojë kur votat nuk i ka, ose do bëjë korrupsionin politik ose nuk i ka këto vota, 94 vota, dhe reforma do të shtyhet edhe për një vit. Ky sistem do të dështojë brenda dhjetë vitesh, nuk do të funksionojë.
Shqiptarit nuk i intereson se kush janë institucionet e drejtësisë, por ai kërkon që në gjykatë të shërbehet shpejt dhe me drejtësi. Kush i di anakronimet e gjithë atyre institucioneve?
Këtu po kërkohet një sistem i komplikuar, ku gjysma e gjyqësorit të zgjidhet nga politika. Po ku është shmangia nga politika këtu?!”
PD: Panairi i Tahirit, mungon pajisja e përgjimit, Shullazi, Habilajt, Balili...
Partia Demokratike ka denoncuar sot bilancin e lidhjeve kriminale të Saimir Tahirit. Sekretari i Aksionit Qytetar, Ervin Salianji, ishte sot pranë panairit që ai ka ngritur në qendër të Tiranës, ku Tahiri shfaqet prej disa ditësh duke sulmuar institucionet.
“Për ditë me radhë Panairi i Policisë që shihni këtu, nuk arriti që të ekspozonte sukseset personale të Ministrit Sajmir Tahiri. Nuk u ekspozua gjatë panairit të policisë suksesi i Ministrit Tahiri, që është mbulimi i gjithë Shqipërinë nga droga.
Nuk u arrit të ekspozohej makina e famshme “AA003GB” e kushërinjve të ministrit e cila transportonte drogë e nuk ndalej nga policia.
Nuk u arrit të ekspozohej suksesi i ministrit Tahiri për të nxjerrë jashtë kufijve të Shqipërisë Arben Frrokun, vrasësin e komisar Lamajt, nuk u arrit të ekspozohej mënyra se si ministri Tahiri arriti të nxirrte jashtë shtetit dhe ndihmoi të arratisej Balilin, apo Eskobarin e Ballkanit, baroni i drogës siç njihej për mediat ndërkombëtare.
Nuk arriti të ekspozohej as kriminaliteti i lartë në vend, as gjobat dhe represioni që policia e shtetit ushtron ndaj qytetarëve”, tha Salianji.
Sekretari i Aksionit politik dënoi sulmet e Tahirit ndaj hetimit që ka nisur për përgjimin, dhe mbrojtjen që ai dhe Rama po i bëjnë krimit.
“Për 2 ditë me radhë u arrit që ky panair të kthehej në frengji, nga ku Ministri filloi të sulmonte pas asnjë kulturë institucionale, pa asnjë parim të qeverisjes së mirë, gjykatës dhe prokurorë të cilët e kanë vendosur sot ministrin Tahiri si të akuzuarin kryesor për pajisjen e përgjimit e cila edhe ajo nuk u ekspozua në këtë panair.
Ndaj Edi Rama dhe Sajmir Tahiri nuk e duan reformën në drejtësi sepse në rastin më të parë, në momentin më të parë që u vu në provë për ti hapur rrugë drejtësisë, për ti lënë që drejtësia të thotë fjalën e fundit ashtu siç e parashikon Kushtetuta dhe Ligji, Edi Rama dhe ministri i vet i akuzuar sot për përgjimin e ambasadorëve, të mediave, të krerëve më të lartë të shtetit, për një skandal me përmasa të mëdha shtetërore, pengon hetimin, pengon drejtësinë, i bën kërcënime mafioze gjykatësve”,- u shpreh Salianji.
Mazhoranca braktis Kuvendin, nisen për të parë futbollin në Francë
Pasi kryeministri Edi Rama e tha publikisht se do të braktiste Kuvendin sepse do të ishte në Francë për të ndjekur futbollin, veprimin e tij e ndoqën edhe shumë ministra e deputetë të mazhorancës.
Të gjithë kanë braktisur punimet e Kuvendit dhe janë drejtuar për në Rinas, ku kanë marrë avionët për të shkuar në Francë që të ndjekin ndeshjet e kampionatit Europian të Futbollit “Francë 2016”.
U përfol për skandalin seksual, Ermira Mehmeti i jep lamtumirën politikës
Ermira Mehmeti, deputetja e BDI në Maqedoni, përfundimisht largohet nga politika dhe nga partia shqiptare në pushtet, shkruan “Lajmpress”.
Portali nga Shkupi nga “burime të sigurta” mëson se, pas dy javësh Ermira Mehmeti do të emërohet notere në rajonin e qytetit të Shkupit.
Vendimi do të merret nga ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi, i cili do ta nënshkruajë vendimin që deputetja aktuale, Ermira Mehmeti të marrë vendimin për notere dhe të hapë zyrën e saj në Shkup.
Ermira Mehmeti është e njohur në opinion që nga viti 2002. Një kohë të gjatë ka punuar si këshilltare e liderit partiak Ali Ahmetit dhe e ish-zëvendëskryeministrit Musa Xhaferi.
Më pas u bë deputete në Parlamentin e Maqedonisë dhe ishte angazhuar në pozitat më të larta në parti.
"Kërcënohet me kallash mbesa e Ardjan Çapjës dhe vogëlushi 1 vjeç e gjysmë"
Denoncim i para pak minutave nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ai ka postuar në statusin e tij në facebook se mbesa e Ardjan Çapjës është kërcënuar nga një polic me tyte kallashi në kokën e fëmijes 1.5 vjeç!
"Duke e denuar me force dhe preraz cdo sulm ndaj uniformave blu, gjithashtu denoj me ashpersi nje terror policesk qe nuk kursen as vogelushet njevjeçar.I bej thirrje prokurorise se Elbasanit te verifikoje kete akuze teper te rende dhe te vendosi par ligjit me vendosmerine me te madhe autorin katil te ketij akti çnjerzor!",- u shpreh Berisha.
Ai ka postuar edhe mesazhin e dërguar nga denoncuesja.
"Pershendetje ! Jam mbesa Ardjan Capes
Ju lutem na ndihmoni Po na kercenojn me tyten e kallashit ne kok Mua dhe femijen tim Fmija 1 vjec e gjys. Un ja, femer me gjuajten me tyten e kallashit ne dor
Un filmova momentin kur po qellonin dajen tim Fejzulla Capja nderkoh i vun kallashin ne kok femijes tim 1 vjecar do jua vras fmin nese nuk na jep filmimin Po kalojm tmerr".
Foto+Video/ Mbyllet panairi, ngrihet në fluturim helikopteri legjendë
Është në fluturim prej më se 30-vjetësh në shërbim fillimisht të Gardës së Republikës dhe më pas të Ministrisë së Brendëshme të Shqipërisë.
Legjenda e helikopterëve të policisë shqiptare, mjet protagonist i disa filmave dhe ikona e shqiponjave ajrore të Policisë së Shtetit, “Aérospatiale Ecureuil AS350B”, ka shpërthyer sërish me uturimën e helikave të tij në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Helikopteri i cili ka ardhur në Shqipëri nga Franca në vitin 1984 bashkë me dy të tjerë të të njejtit tip dhe më të famshmin “Bell” qeveritar i cili ra vite më parë në detin Adriatik bashkë me ekuipazhin e tij në një udhëtim emergjence drejt Italisë, ishte pjesë e një flote të lehtë helikopterësh që shteti shqiptar i asaj kohe i bleu kryesisht për shërbime qeveritare dhe policore.
Por edhe pse i ka kalur më shumë se 30 vjet shërbim “Ecureuil” vijon të tregojë elegancën dhe qëndrueshmërinë e tij në ajër, si dhe interesin e kureshtarëve në tokë.
Shikoni videon:
Kryetari i Gjykatës së Apelit Tiranë godet me grusht shoferin
Shoferi i administratës së Gjykatës së Apelit në Tiranë është goditur me grusht nga kryetari i kësaj gjykate, Hysni Demiraj. Lajmin e njofton policia përmes një mesazhi të shpërndarë për mediat:
“Sot më datë 09.06.2016 rreth orës 11:00 në Komisariatin e Policisë nr 1 Tiranë është paraqitur shtetasi K. M., 25 vjeç, lindur në Vlore dhe banues në Tiranë, i cili kallezon se ka qënë i punesuar me detyrë shofer i administratës pranë Gjykatës së Apelit Tiranë dhe sot rreth ores 09:30 duke qënë në ambientet e Gjykatës së Apelit Tiranë, është konfliktuar për shkak të marrëdhënies së punës që ka pasur dhe pretendon se është goditur me grusht nga Kryetari i Gjykates së Apelit Tiranë shtetasi Hysni Demiraj, 54 vjeç, lindur në Tropoje dhe banues në Gjirokastër, rezident në Tiranë”.
Tiranë, Kreu i Gjykatës së Apelit sqaron incidentin me shoferin: S’e kam qëlluar me grusht
Kryetari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Hysni Demiraj, ka sqaruar incidentin me shoferin e gjykatës.
Ky i fundit bëri kallëzim në polici me pretendimin se është qëlluar me grusht nga kreu i gjykatës. Përmes një njoftimi për mediat, Demiraj thotë se, 25-vjeçari K.M. është nipi i ish-kreut të Apelit, Alaudin Malaj, të cilin e ka akuzuar se ka punësuar njerëz të afërt të tij në gjykatë.
“Nuk do të fokusohem gjatë te kjo ngjarje, pasi nuk ka asnjë incident me nipin e Malajt, por me vetë Malajn. Nipi i tij, ka qenë me vendim i pushuar nga puna dhe marrëdhëniet e punës kanë qenë të shkëputura”, tha kreu i Apelit Tiranë, Hysni Demiraj, duke hedhur poshtë akuzën se ka qëlluar me grusht 25-vjeçarin.
Skandali i përgjimeve/ Çfarë po përgatit SHISH dhe Prokuroria?
Në vijim të hetimeve mbi pajisjen “IMSI Catcher” për dyshimet se zyrtarë të Policisë së Shtetit kanë shpërdoruar detyrën, prokurori i përgjithshëm ka thirrur në një takim të beftë kreun e Shërbimit Informativ Visho Ajazi Lika, kryeprokurorin e Tiranes Petrit Fusha dhe kryeprokurorin e Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj.
Takimi ka zgjatur një orë dhe për shkaqe të sekretit hetimor nuk hidhet dritë mbi se çfarë kanë diskutuar zyrtarët e lartë. Por domethënëse shihet prania në këtë takim përveç kreut të shërbimit sekret edhe e kreut të Krimeve të Rënda, Hajdarmataj.
Ndërkohë, grupi hetimor - thanë burimet - po përgatit shkresën për të kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, pas deklaratës së drejtorit të pezulluar të policisë, Çako, i cili ka shpjeguar se në një rast pajisja është përdorur për të përgjuar Vladimir Gjutën.
Ne kemi informacione - thanë burimet - se kjo pajisje është futur në paraburgim me një automjet nga i dyshuari Entiol Xhelilaj e për këtë asrye do të kërkohen librat hyrës e dalës në të gjitha burgjet, sikurse mbahen të sekuestruar edhe librat e hyrje-daljeve edhe në repartin e GOS në Tiranë.
Gjatë ditës, prokuroria i dërgoi Gjykatës së Tiranës kërkesat për verifikim të masave të shpallura në mungsë ndaj Artion Dukës, shef i forcave operaionale dhe Entiol Xhelilaj, shef përgjimesh në këtë sektor.
Të dy ata janë nën masën e arrestit të shtëpisë, masa e verifikimit është caktuar për t’u zhvilluar të premten në orën 12. Drejtori i përgjithshëm i policisë, aktualisht i pezullaur, ka apeluar vendimin në Gjykatën e Apelit përmes avokatit Maks Haxhia.
Çako, thotë prokuroria, ka dhënë dy versione kontradiktore, njëra më datë 9 maj dhe tjetra më 12 maj. Në fillim në shpjegimet me shkrim kryepolici ka deklaruar se pajisja nuk përdorej për përgjime, por për verifikimet e IMEI-t të telefonave, ndërkohë që më pas ai ka shpjeguar se pajisja është përdorur për çështje trajnimi.
Rezulton e provuar, thotë prokuroria, se kjo pajisje nuk i është nënshtruar regjimit doganor, ndërkohë që është shmangur prokurori i përgjithshëm pasi nuk është vënë në dijeni për përdorimin e saj.
Po sipas prokurorisë, sipas ligjit për informacionin e klasifikuar, dy oficerët e Forcave Operacionale, të cilët e kanë përdorur atë, nuk kanë patur çertifikata nga DSEK, një çertifikatë që jepet për informacionin e klasifikuar./tch/
Intervista/ De Biasi rrëfen vështirësitë dhe suksesin me Shqipërinë
Kualifikimi historik i Shqipërisë ka zgjuar vëmendjen e shumë medieve të mëdha ndërkombëtare për të realizuar intervista me lojtarët dhe trajnerin italian, De Biasi.
Së fundmi është uebi i informacionit sportiv ‘Worldsoccer’ e cila ka realizuar një intervistë me De Biasin.
Strategu italian ka folur për momentet e vështira që ka kaluar tek Kombëtarja kuqezi si dhe për suksesin në ‘Euro 2016’, shkruan Syri.net.
Intervista e plotë e De Biasit:
U bënë gati 5 vjet që keni marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare dhe tani që jeni në ‘Euro 2016’, ju jeni një hero. A e prisnit ndonjëherë këtë?
“Nuk është normale që një vend i vogël si Shqipëria po shkon në finalet e një Kampionati Europian. Kur erdha këtu takova një grup lojtarësh shumë të vjetër dhe mendova që kjo kombëtare kishte nevojë për ndryshime rrënjësore. Gjatë dy viteve të para kam eksperimentuar me shumë lojtarë.
Kam pasur shumë udhëtime për t’i mbushur mendjen lojtarëve që t’i bashkohen Kombëtares kuqezi. Kjo ishte një punë me të vërtetë shumë e vështirë. Së bashku me asistent trajnerin tim unë kam kryer më shumë se 50 udhëtime në vende të ndryshme të Europës dhe botës duke bërë për vete 22 prej tyre”.
Kur kemi ardhur askush nuk ka pritur kaq shumë. Tani të gjithë flasin për lojtarët dhe emocionet e reja që i kanë lindur shqiptarët duke i bërë të ndihen krenarë. Sa e vështirë është ta menaxhosh këtë situatë?
“Është e rëndësishme për të ndryshuar mentalitetin e popullit, gazetarëve dhe lojtarëve. Kur isha ke Torino klubi po përballeshe me një krizë të thellë financiare.
Në fillim të sezonin presidenti më vendoste objektiv mesin e tabelës dhe kur ne arrinim atë objektiv atëherë ai thoshte që duhet të bëjmë më mirë. Ky është mentaliteti në futboll pasi kërkon gjithmonë më të mirën”.
Çfarë do të jetë sukses për ju në Francë?
“Mund të them që suksesi tashmë që u kualifikuam është arritur por ne dëshirojmë që të bëjmë surprizën”.
Si e parashikoni të ardhmen, a janë këta lojtarë që do ta vazhdojnë këtë traditë të kualifikohen në kompeticione të ndryshme europiane dhe botërore siç është psh ‘Rusi 2018’?
“Ne kemi një grup shumë të mirë lojtarësh por për fat të keq në eliminatoret e Kupës së Botës kemi rënë në një grup ferri pasi bëjnë pjesë: Spanja, Italia, Izraeli, Maqedonia dhe Lihtenshtajni. Do bëjmë më të mirën e mundshme pasi Shqipëria është një vend shumë i vogël dhe i varfër. Një pakicë ka shumë para ndërsa pjesa më e madhe është e varfër”,- përfundoi De Biasi.
Kjo është treshja e gjyqtarëve të Apelit që do të vendosë për pezullimin e Çakos
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako do të dalë para Gjykatës së Apelit për të kërkuar shfuqizim të vendimit të Gjuykatës së Shkallës së Parë, që e pezulloi nga detyra për llogari të hetimit që Prokuroria po kryen për skandalin e përgjimeve.
Mësohet se trupa e gjyqtarëve që do të gjykojë këtë çështje janë: Marie Qirjazi relatore, Ervin Metalla e Fiqirete Mullai anëtarë të trupës gjyqësore.
Pezullimi i Çakos ka nxitur debate të ashpra në radhët e mazhorancës, e cila ka sulmuar prokurorinë dhe gjyqtarin Arjan Aliaj.
Lidhur me këtë çështje edhe sot në Kuvend kishte tension mes opozitës dhe mazhorancës.
Përgjimet/ Veliaj i jep Prokurorisë pamjet që fundosin Tahirin
Prokurorët sekuestrojnë serverin qëndror të kamerave të sigurisë në ambientet e Forcave të Posaçme Operacionale të policisë së shtetit, drejtuesi i të cilës është arrestuar dhe ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
“ABC NEWS” ka mësuar se pavarësisht pretendimit të drejtuesve të këtij reparti, se kamerat e sigurisë nuk punojnë, hetuesit e prokurorisë kanë sekuestruar serverin pasi dyshohet se është ndërhyrë për fshirjen e tyre.
Ky repart është nga më të monitoruarit, pasi agjentët e tyre, merren me vëzhgimin, ndjekjen, arrestimin e personave të kërkuar dhe që janë trajnuar sipas policisë me aparaturën e përgjimit IMSI catcher.
Por pavarësisht pretendimeve se kamerat nuk punonin, hetuesit e prokruorisë kanë sekuestruar serverin duke e dërguar pranë laboratoit të policisë shkencore për ta ekzaminuar. Sipas prokurorisë, janë librat e regjistrit të hyrje-daljeve në repart, ato që provojnë se brenda këtij institucioni që ndodhet në zonën e njohur si “21 dhjetori” makina ku ndodhet e instaluar pajsija e përgjimit IMSI catcher figuron që ka hyrë në të paktën dy raste.
Nga kaqyrja e këtyre librave, rezulton se mjeti ku ndodhet pajisja është drejtuar nga shefi i IT-së së këtij reparti, tashmë i arrestuar dhe izoluar me masën e sigurisë “arrest shtëpie”, Ention Xhelilaj.
Si provë mbështetëse e këtyre librave të hyrje-daljeve, prokurorët kanë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë së Bashkisë së Tiranës, ku është identifikuar makina që kalon në rrugën ku ndodhet reparti i Forcave të Posaçme Operacionale.
Këto pamje, janë fiksuar pikërisht më datën 13 maj rreth orës 12:00 kur oficerët e policisë kanë shkuar për të sekeustruar makinën ku ndodhet pajisja e përgjimit. Por, ajo është larguar nga ambientet 10 minuta pasi hetuesit kanë shkuar në ndërtesë dhe ishin në pritje të drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit Haki Çako që të firmoste sekuestrimin.
Nga ana tjetër, ajo që për hetuesit hedh poshtë pretendimet e policisë se ekspertët italianë gjatë gjithë kohës kanë qenë të pranishëm në momentin e trajnimit, hidhet posht nga sistemi TIMS i policisë së shtetit. Burimet thonë se nga verifikimet e kryera, rezulton se nga marsi, kur pajisja ka hyrë në Shqipëri e deri në momentin që ajo është bërë publike në media, ka rezultuar se në disa raste eskpertët Italian janë kthyer në Itali duke lënë pajisjen në ambientet e repartit të forcave të posaçme të operacionales.
SIpas prokurorisë, ajo që ka ngritur më shumë pikëpyetje, se kjo pajise është përdorur për përgjime të paligjshme, është fakti se sa herë ka hyrë në territorin shqiptar kjo pajisje, ajo është deklaruar në dogana, policia e shtetit ka njoftuar prokurorin e përgjithshëm dhe më pas prokurorëve konkret për veprime hetimore. Rasti i fundit ishte gjatë periudhës së vitit 2013-2014 kur në Shqipëri kishte çdo ditë shpërthime eksplozivi.
Prekëse/ Nëna e 6 fëmijëve vdes nga kanceri, ja veprimi i shoqes
Një grua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka pranuar të adoptojë gjashtë fëmijët e mikes së saj e cila vuante nga sëmundja e kancerit.
Stephanie Culley së bashku me bashkëshortin e saj Donnie po presin që të finalizojnë procedurat e adoptimit për fëmijët e mikes së saj Beth Laitkep, e cila vuante nga sëmundja e pashërueshme.
Nëna e gjashtë fëmijëve me dy baballarë të ndryshëm jetonte e vetme, pasi ata ishin larguar ndërsa gruaja vuante nga kanceri.
“Kur mjekët na thanë që nuk ka shërim për Beth, bashkë me të vendosa për të adoptuar të gjithë fëmijët, dhe ata e kanë pranuar këtë gjë”, ka treguar Stephanie për mediat amerikane, shkruan noa.al.
Beth u nda nga jeta më 19 maj të këtij viti, ndërsa tashmë familja e Stephanie dhe Donnie numëron në familjen e saj nëntë fëmijë nga mosha dy deri 15 vjeç.
Historia e dy mikeshave të ngushta në Alton të Virginia-s po bën xhiron e botës.
Video/ Aksident në Levan-Fier, shihni ku përfundon makina
Një automjet është aksidentuar këtë të enjte në aksin Levan-Fier pasi ka dalë nga rruga.
Nga aksidenti fatmirësisht nuk janë shënuar viktima.
Kanë qënë kalimtarë të rastësishëm që i kanë dhënë ndihmë shoferit i cili ka qënë me një tjetër person në makinë.
Policia ka nisur hetimet për të gjetur shkakun e këtij aksidenti.
Përgjimet/ Italianët: Pajisja, për trajnim. Lokalizon, s’përgjon telefona
Me një letër zyrtare, të firmosur nga drejtuesit e lartë të policisë italiane, Ministria e Brendshme e shtetit fqinj i është përgjigjur interesit të prokurorisë shqiptare në lidhje me pajisjen “IMSI Catcher”.
Ne dokumentin zyrtar të firmosur nga oficeri i lartë i policisë italiane, Gianpaolo Zambonini, informohen autoritetet shqiptare se pajisja, e modelit “Vortex Air” është prodhuar nga shoqëria franceze “Erkom”, e dërguar në Itali nga shoqëria “Italarms”, është përdorur nga shërbimi i policisë shkencore për aktivitetet formuese dhe stërvitore të policise shqiptare, në kuadër të bashkëpunimit kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafikut të qënieve njerëzore.
Në dokumentin zyrtar të Ministrisë së Brendshme italiane thuhet se kjo pajisje është në gjendje të lidhet dhe të lokalizojë telefonat celulare nëpërmjet antenave të saj.
Në fazën e parë, pajisja gjen antenat radiomobile në zonën e operimit, identifikon për çdo përdorues telefonik teknologjinë radio që përdorin, 2G, 3G apo 4G dhe më pas përzgjidhen ato që do të kalojnë në fazën e dyë.
Kjo fazë bën konfigurimin e pajisjes dhe mbledh të dhënat e telefonit nga IMEI, si dhe bën lokalizimin. Hapësira në të cilën vepron kjo pajisje është nga 400 deri në 900 metra.
Në letrën zyrtare të Ministrisë së Brendshme italiane, pasi jepen detajet se çfarë bën kjo pajisje, drejtuesit e policisë së vendit fqinj sqarojnë se kjo pajisje, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit përdoret në trajnime në salla por edhe në stërvitje në terren.
Operatorët e përzgjedhur nga autoritetet lokale, thuhet se kanë mundur të përvetësojnë elementët e teorisë së rrjeteve radiomobile dhe në konfigurimin e instrumentit. Ata janë stërvitur në dy fazat teknike.
Ndërkohë thuhet se sistemi nuk është në gjendje të realizojë aktivitete të tjera teknike, përveç atyre të përshkruara, në veçanti nuk është në gjendje të bëjë përgjime në audio, në SMS dhe ne Data./TCH/
Fotoja e kryeministrit Rama që po çmend grekët
Një foto e publikuar në rrjetin social Facebook, e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, ka shkaktuar zemëratë në mediat greke.
Rama priti shefi e diplomacisë greke në sallën e hartave në Kryeministri. Në foto duket harta e vjetër e trojeve shqiptare, ndërsa është marrë si një provokim, pasi kufiri tek hartat e vjetra në Kryeministri, përfshin edhe territore greke.
“Cili ishte reagimi i ministrit grek? Absolutisht asgjë! E dinte që do të fotografohej? Sigurisht që po!”,- shkruan ndër të tjera portali grek “Epirus Post”.
“Nuk e dinte z.Kotzias se çfarë harte ishte ajo?Nuk u befasua që rajonet greke janë përfshirë në hartë? Pse nuk reagoi? Përse nuk e pyeti Kryeministrin shqiptar për hartën në vend që të buzëqeshte për fotografinë? Së fundi, a ka politikë të jashtme në këtë vend? A ka diplomaci greke? Populli grek kërkon shpjegime”,- shkruan “Newsbomb.gr”./tvklan.al/
Gratë me celular në timon
Do'stlaringiz bilan baham: |