VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 23.03.2016, mori në shqyrtim çështjen civile me nr.23000-00703-00-2016 akti, që u përket palëve:
PADITËSE: BRUNILDA DACI
I PADITUR: BASHKIM SEFERI
OBJEKTI:
Lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.
Baza Ligjore: Ligji nr.9669, datë 18.12.2006,
“Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.5061 akti, datë 25.01.20016, ka vendosur:
“Juridiksionin e Gjykatave Shqiptare, konkretisht të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Tiranë për gjykimin e kësaj çështjeje civile për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes me nr.5061 Akti, datë 18.01.2016.”
Kundër vendimit ka ushtruar ankim i padituri Bashkim Seferi, i cili parashtron këto shkaqe:
-
Neni 37 i K.Pr.Civile përcakton:“Juridiksioni i gjykatave shqiptare për personat fizikë dhe juridikë të huaj rregullohet me ligj. Juridiksioni i gjykatave shqiptare nuk mund ti kalohet me marrëveshje një juridiksioni të huaj, përveç kur gjykimi ka lidhje me një detyrim ndërmjet të huajve ose ndërmjet një të huaji e një shtetasi shqiptar, ose personi juridik pa banim ose qëndrim në Shqipëri, si dhe kur këto përjashtime janë parashikuar në marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë. ”
-
Pra si dhe rrjedhojë e mosrespektimit të ligjit të posaçëm : Ligj nr.10428, datë 02.06.2011 “Për të drejtën ndërkombëtare private ”.
-
Rezulton (nga te dhënat gjeneralitetet) si në kërkesë padi, ashtu dhe dokumente shkresore (dokument identifikimi) se Pala e paditur Bashkim Seferi është i huaj lindur në Preshevë, shteti Serbi, dhe ka shtetësi angleze, banues në Angli, ne adresën: 20 denison Road, Feltham Midlesex, TË 13 Angli. I padituri, nuk ka vendqëndrim apo vendbanim të përkohshëm në shtetin shqiptar.
-
Pra, për rastin ne shqyrtim, sipas subjektit ndërgjyqës i paditur, evidentohet se marrëdhënia civile e krijuar nga palët ndërgjyqëse është një marrëdhënie civile me elementë të huaj.
-
Juridiksioni i gjykatave shqiptare në çështjet me elementë të huaj, për personat fizikë dhe juridike të huaj rregullohet me ligj, nga marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipërisë dhe/ose nga marrëveshjet midis palëve.
-
Për rrjedhojë, në bazë të nenit të sipërcituar (37 K. Pr. C.), për përcaktimin i juridiksionit, i referohemi Ligjit nr.10428, datë 02.06.2011 “Për të drejtën ndërkombëtare private”, i cili, ndër të tjera, përmban norma të karakterit material por edhe procedural.
-
Është pikërisht neni 1/1/b) i Ligjit nr.10428, datë 02.06.2011, i cili parashikon edhe juridiksionin dhe rregullat procedurale të gjykatave shqiptare për marrëdhëniet juridike civile, të cilat kanë elementë të huaj.
-
Shtetasi i huaj (qoftë person fizik apo juridik) në pozitën procedurale të palës së paditur, si parim përgjithshëm nuk mund të jetë subjekt i juridiksionit shqiptar.
-
Ligji nr.10428, datë 02.06.2011, kreu IX - juridiksioni i gjykatave shqiptare për shqyrtimin e çështjeve me elemente të huaja, parashikohen: Neni 71 - “Rregulli i përgjithshëm i juridiksionit ndërkombëtar. Gjykatat shqiptare kanë juridiksion në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve juridiko-civile me elementë të huaja, nëse pala e paditur ka vendqëndrimin e zakonshëm në Republikën e Shqipërisë, përveçse kur rregullat e këtij kreu parashikojnë ndryshe ”
-
Sipas ligjit nr.10428, datë 02.06.2011, lidhur me juridiksionin, gjykatat shqiptare kanë juridiksion .. vetëm në gjykimin e çështjeve që lidhen me martesën kur: (i) njëri nga bashkëshortët është ose ka qenë në kohën e lidhjes së martesës shtetas shqiptar; (ii) bashkëshorti, kundër të cilit është ngritur padia, apo paditësi, në rastin për zgjidhjen e martesës, ka vendqëndrimin e tij të zakonshëm në Republikën e Shqipërisë (neni 75, pika 1/a, 1/b të Ligjit 428/2011).
-
Gjykata shqiptare, nuk mund të ketë juridiksion, kur objekti i mosmarrëveshjes, lidhet me kërkime për mbrojtjen në rast të ushtrimit të dhunës, nëpërmjet forcës shtrënguese të gjykatës vendim gjyqësor urdhër mbrojtje)” sipas ligjit nr.9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës marrëdhëniet familjare”.
-
Gjykata nuk e ka përcaktuar drejt natyrën juridike të mosmarrëveshjes, ajo nuk ka bërë një identifikim të sakte te elementeve/ose kritereve ligjore, të cilat përcaktojnë një parakusht procedural siç është verifikimi i juridiksionit.
-
Përfundimisht kërkojmë prishjen e vendimit e nxjerr çështjen jashtë juridiksionit gjyqësor.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Artan Broci, dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
I. Rrethanat e faktit
Gjatë hetimit gjyqësor nga pohimet e vetë palëve ndërgjyqëse, rezultoi se i padituri Bashkim Seferi është bashkëshorti i paditëses Brunilda Daci. Martesa e tyre ligjore është bërë në Londër. Paditësja dhe i padituri nga martesa e tyre kanë një fëmijë Leon Seferi i datëlindjes 27.02.2014. Paditësja Brunilda Daci ka që prej dhjetë vitesh që jeton në Angli në Londër pasi aty ka kryer studimet e larta. Ndërsa i padituri Bashkim Seferi ka prej moshës 13 vjeç që jeton në Angli dhe ka shtetësi angleze, janë njohur me paditësen, kanë bashkëjetuar dhe më pas janë martuar në shtetin anglez në datë 18.02.2013.
Deri në datën 24 Dhjetor të vitit 2015 të dy bashkëshortët Brunilda Daci dhe Bashkim Seferi kanë jetuar në Londër, Angli. Në datë 24 Dhjetor të dy bashkëshortët kanë ardhur në Shqipëri së bashku me fëmijën e tyre, pasi paditësja Brunilda kishte përvjetorin e vdekjes së babait të saj.
Paditësja në shpjegimet e saj në seancën e gjykimit të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, ka sqaruar se i padituri shpesh ka ushtruar dhunë psikologjike, fizike dhe ekonomike ndaj saj, si gjatë shtatzënisë edhe pas lindjes së fëmijës së mitur. Paditësja ka sqaruar para gjykatës së format e dhunës psikologjike ndaj saj janë ofendimet me zë të lartë me fjalë fyese të rënda edhe në prezencë të motrës së saj e cila jeton në Angli. Madje sipas paditëses në datë 23 Dhjetor të vitit 2015 dhuna dhe fjalët e rënda avancuan edhe më tej në dhunë fizike ndaj saj, pasi i padituri e ka qëlluar me shpullë, më pas ka dalë nga shtëpia dhe nëpërmjet telefonit ka vazhduar ta kërcënojë dhe dhunojë psikologjikisht. Paditësja është frikësuar shumë për jetën dhe shëndetin e saj dhe të fëmijës së saj të mitur, por ka patur edhe frikë që ta denoncojë në polici. Në të njëjtën ditë paditësja parashtroi se ka parë që edhe fëmija i tyre kishte problem shëndetësor dhe ka shkuar në spital me taksi, por edhe aty i padituri pasi ka ardhur e ka dhunuar në prezencë të mjekut pediatër, duke e goditur me shishen e paracetamolit të fëmijës në fytyrë. Më tej në të njëjtën ditë paditësja shpjegon se i padituri e ka dhunuar edhe në makinë kur po ktheheshin në shtëpi, e ka goditur me grushta në kokë, i ka shkulur flokët.
Paditësja ka shpjeguar në gjykate se i padituri ka ushtruar dhunë edhe në prezencë të motrës së saj, (e cila ka qenë duke folur në video me nënën e tyre), e cila ka njoftuar edhe policinë angleze, të cilët erdhën në shtëpinë e tyre dhe i morën në pyetje atë dhe motrën e saj, por paditësja ndjehej shumë e frikësuar për të ardhmen e saj e të fëmijës së saj dhe nuk e ka denoncuar të paditurin. Edhe pas mbërritjes në Shqipëri, paditësja parashtroi se i padituri e ka dhunuar, duke e ofenduar edhe në aeroportin e Rinasit . Pas kësaj dite paditësja ka shkuar në banesën e nënës së saj në Tiranë, ndërsa i padituri ka shkuar në Shkodër në vdekjen e një të afërmi të tij.
I padituri Bashkim Seferi u paraqit ne seance dhe deklaroi se kjo kërkesë padi duhet rrëzuar, pasi të gjithë pretendimet e paditëses janë të pavërteta. I padituri lexoi në gjykim nga telefoni i tij celular email-in e dërguar prej tij, ku nuk ka treguar asnjë shenjë dhune, por vetëm informacion ku e vë në dijeni se ka ngritur kërkesë padi në gjykatën angleze, pasi fëmija i tyre ka lindur në Angli dhe nuk mund të privohet e të qëndrojë në Shqipëri.
I padituri insistoi në gjykim se e gjithë kërkesë padia nuk ka asnjë bazë të vërtetë. Çdo çift ka probleme, sipas tij, por caktimi i masave të tilla të menjëhershme merret kur ekziston një rrezik konkret.
Në lidhje me provën që u paraqit në gjykim email-i nuk përmban asnjë provë, dhe kjo nuk tregon dhe nuk provon asgjë në lidhje me dhunën që pretendon pala paditëse. Pala e paditur ka ardhur në Shqipëri vetëm për fëmijën e tij, pasi kërkon të takojë fëmijën.
Madje i padituri sqaroi në gjykim se disa minuta para se të hynim në gjykim pala paditëse i ka shkruar atij një sms, ku i ka kërkuar që ulemi dhe flasim me qetësi dhe po të ishte në kushtet e një dhune apo kërcënimi nuk do të ishte e mundur komunikimi me të.
I padituri deklaroi se është një shtetas anglez, ka shkuar ne Angli në moshën 13 vjeç dhe nuk ka patur asnjëherë asnjë precedent penal. Janë martuar me paditësen, kanë një djalë dhe nuk ka ushtruar asnjëherë dhune ndaj saj. Nëse do të kishte dhunuar paditësen, ajo kishte mundësi që ta denonconte në organet kompetente.
Ndërkohë gjykata ka vlerësuar si frikën edhe shqetësimin e paditëses në lidhje me sigurinë, shëndetin apo mirëqenien e saj, ka vlerësuar faktin që ajo ndjehet e frikësuar nga veprimet e të paditurit Bashkim Seferi, e në këto kushte me vendimin nr.5061 akti datë 20.01.2016 ka vendosur: Pranimin e pjesshëm të kërkesë-padisë. Lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes në favor të paditëses Brunilda Daci, duke përcaktuar këto masa:Urdhërohet qe i padituri Bashkim Seferi, të mos kryejë dhe të mos kërcënojë se do të kryejnë asnjë vepër të dhunës ndaj paditëses Brunilda Daci. Urdhërohet që i padituri Bashkim Seferi, të mos cenojnë, ngacmojnë, apo komunikojnë dhunshëm me paditësen Brunilda Daci dhe të mos i afrohet asaj në distancën prei 500 metrash. Urdhërohet i padituri Bashkim Seferi, të mos afrohet e të mos lejohet të hyjë e të qëndrojë në banesën e prindërve të paditëses Brunilda Daci e ndodhur në Tiranë në Rrugën “Muhamet Gjollesha”, p. 154, h. 7, ap. 3. Të lejohet i padituri Bashkim Seferi të takojë fëmijën e tij të mitur Leon Seferi i datëlindjes 27.02.2014 dy herë në javë çdo të enjte dhe të djelë nga ora 10.00 deri në orën 15.00 në prezencë të familjarëve të paditëses, duke e marrë dhe kthyer fëmijën në banesën e sipërcituar të palës paditëse. Rrëzimin e padisë për pjesën tjetër të saj. Ky urdhër i menjëhershëm përbën titull ekzekutiv dhe do të zbatohet nga data e dhënies së këtij vendimi deri në marrjen formë të prerë të urdhrit të mbrojtjes. Seanca gjyqësore vër vërtetimin e urdhrit të mbrojtjes zhvillohet më datë 25.01.2016 ora 11.30.
Në seancën e datës 25.01.2016 për vërtetimin e urdhrit të mbrojtjes, gjykata dëgjoi shpjegimet e paditëses e cila kërkoi vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes lëshuar me vendimin nr.5061, datë 20.01.2016, të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërsa pala e paditur Bashkim Seferi nëpërmjet përfaqësuesit të tij kërkoi nxjerrjen nga juridiksioni gjyqësor i gjykatave shqiptare të kësaj çështjeje civile.
Kjo për arsye se: i padituri dhe paditësja nuk rezultojnë të martuar në Republikën e Shqipërisë. Në vendimin e saj gjykata shprehet se palët janë të martuar, pa u administruar në proces asnjë provë e këtij fakti;
I padituri Bashkim Seferi është shtetas i Mbretërisë së Bashkuar me banim në Londër Angli, po ashtu edhe fëmija i tyre Leon Seferi i datëlindjes 27.02.2014 është shtetas i Mbretërisë së Bashkuar me banim në Londër Angli dhe nuk figuron askund në Republikën e Shqipërisë, duke mos pasur shtetësi shqiptare; Në lidhje me këtë pretendim të palës së paditur, për mungesën e juridiksionit gjyqësor të gjykatave shqiptare për gjykimin e kësaj çështjeje civile, pala paditëse pretendoi se rastet e dhunës nuk kanë qenë vetëm në Angli, por edhe në Shqipëri, madje në datë 24 Dhjetor në Aeroportin e Rinasit. Për këtë rast paditësja ka denoncuar në datën 31.12.2015 në Komisariatin e Policisë nr.2 në Tiranë, i cili ka qenë fakt penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.5061 akti, datë 25.01.20016, ka vendosur: “Juridiksionin e Gjykatave Shqiptare, konkretisht të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Tiranë për gjykimin e kësaj çështjeje civile për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes me nr.5061 Akti datë 18.01.2016.”
Gjykata ndër të tjera: “...për sa më lart në lidhje me këtë pretendim të palës së paditur për mungesën e juridiksionit gjyqësor të gjykatave shqiptare për gjykimin e kësaj çështjeje civile, gjykata i referohet disa dispozitave referuese përkatëse të Ligjit nr.9669, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, konkretisht qëllimit të këtij ligji,objektit të tij dhe rrethit te subjekteve që përfshin.
1-Nisur nga këto parashikime ligjore gjykata konstaton se gjatë këtij gjykimi është pranuar dhe pohuar gjyqësish nga vetë i padituri Bashkim Seferi se janë bashkëshortë me paditësen Brunilda Daci. Vetë i padituri ka pohuar se martesa e tyre është lidhur në Angli, madje në Gjykatën Angleze ai ka ngritur edhe një padi këto ditë ku ka parashtruar disa kërkesa për fëmijën e tij Leon Seferi.
Fakti që kjo martesë nuk është e depozituar në regjistrat e Gjendjes Civile në Shqipëri nuk e pengon ligjërisht zhvillimin e këtij procesi, pasi fakti që të dy ndërgjyqësat janë bashkëshortë nuk është mohuar nga ndërgjyqësat.
Edhe sikur të mos jenë bashkëshortë, mbetet i padiskutueshëm fakti që të dy ndërgjyqësat kanë bashkëjetuar me njëri tjetrin deri në datë 24 Dhjetor 2015. Paditësja dhe i padituri prindërit e fëmijës Leon Seferi i datëlindjes 27.02.2014.
2-Gjykata vlerëson se ka juridiksion për gjykimin e kësaj çështjeje nisur edhe nga qëllimi i këtij ligji për parandalimin dhe reduktimin e dhunës në familje në të gjithë format e saj, kështu gjykatat civile shqiptare munden të vendosin masa mbrojtëse për shtetasit shqiptare viktima të dhunës në familje përmes një procesi të shpejtë, të përballueshëm e të thjeshtë. Në këto kushte në këtë ligj nuk ka të parashikuar asnjë ndalesë për të mos u gjykuar në gjykatat shqiptare një kërkesë padi për lëshim urdhër mbrojtje nga një shtetas shqiptar nëse personi që ka abuzuar është shtetas i huaj.
Bazuar në sa më lart, gjykata konkludon se jemi në kushtet kur gjykatat shqiptare, konkretisht Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka juridiksion për gjykimin e çështjes, për rrjedhojë nuk duhet të pranohet kërkesa e të paditurit Bashkim Seferi për nxjerrjen e çështjes nga juridiksioni gjyqësor i gjykatave shqiptare.”
Kundër vendimit ka ushtruar ankim pala e paditur Bashkim Seferi, i cili parashtron si shkaqe, ato të sipërpërmendura.
II. Ligji i zbatueshëm
Neni 42/2 i Kushtetutës: “Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”.
Neni 116 i Kushtetutës: “1. Aktet normative që kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë: a) Kushtetuta; b) marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara; c) ligjet; ç) aktet normative të Këshillit të Ministrave.
2. Aktet që nxirren nga organet e pushtetit vendor kanë fuqi vetëm brenda juridiksionit territorial që ushtrojnë këto organe.
3. Aktet normative të ministrave dhe të organeve drejtuese të institucioneve të tjera qendrore kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë brenda sferës së juridiksionit të tyre”.
Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, në të cilat është parashikuar:
Neni 16§1 i K.Pr.Civile:“Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
Neni 59 i K.Pr.Civile: “Gjykata në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit, qoftë edhe kryesisht, merr në shqyrtim nëse çështja që shqyrton, bën pjesë në juridiksionin gjyqësor apo atë administrativ. Kundër vendimit të dhënë për një rast të tillë, mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën e Lartë.”
III. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim e në vlerësim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimit, pretendimeve të palës ankuese, si dhe pjesës arsyetuese të vendimit gjyqësor, arrin në përfundimin se në marrjen e vendimit nr.5061 Akti datë 25.01.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë janë respektuar dispozitat e ligjit procedural civil duke bërë një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, si dhe duke e zgjidhur atë në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi (neni 16 i K.Pr.Civile).
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka përcaktuar drejt natyrën juridike të mosmarrëveshjes, dhe të ketë bërë një identifikim të elementeve dhe/ose kritereve ligjore që për rastin konkret shërbejnë për përcaktimin e një parakushti të rëndësishëm procedural siç është ai i verifikimit të juridiksionit të kësaj gjykate.
Në këtë kuptim doktrinat shkencore të së drejtës procedurale civile1 dhe penale europiane kanë krijuar institutin perpetuatio iuridictionis, për të konceptuar dhe regjuar juridikisht çështjet primare dhe fillestare se si konstituohet gjyqtari natyral dhe se si ruhet permanenca dhe vazhdimësia e pandërprerë e kësaj figure gjyqësore garanci për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të çdo subjekti të së drejtës, konkretisht çështjes së juridiksionit dhe kompetencës së gjyqtarit natyral2, çështje të cilat nga ana tjetër janë edhe prezumimet procedurale kryesore dhe absolute të vlefshmërisë së procesit gjyqësor.
Në nenin 59, të Kodit të Procedurës Civile parashikohet shprehimisht se: “Gjykata në çdo fazë dhe shkallë gjykimi, qoftë edhe kryesisht, merr në shqyrtim nëse çështja që shqyrton, bën pjesë në juridiksionin gjyqësor...(...) ”Në analizë të dispozitës së mësipërme konstatohet se çdo lloj gjykate dhe në çdo shkallë gjykimi ka të drejtë të marrë në shqyrtim, të analizojë dhe të vendosë në lidhje me juridiksionin e çështjes objekt gjykimi. Kjo e drejtë e gjykatës për të vepruar edhe kryesisht është e lidhur drejtpërsëdrejti me zbatimin dhe respektimin e parimit të një procesi të rregullt ligjor. Kolegji Civil konstaton se, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka zbatuar drejtë dispozitat procedurale lidhur me juridiksionin gjyqësor të gjykatës shqiptare duke zhvilluar një proces të rregullt ligjor në mbështetje të nenit 42/1 të Kushtetutës dhe nenit 6/1 të K.E.D.NJ.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në analizë dhe vlerësim të akteve të dosjes gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të parashtruara në këto akte, si dhe vendimit të gjykatës, konkludon se mosmarrëveshja objekt shqyrtimi i përket juridiksionit gjyqësor.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson Ligji “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” përbën një ligj të posaçëm, i cili ka për qëllim parandalimin dhe reduktimin e dhunë në familje në të gjitha format e saj, me anë të masave të përshtatshme ligjore, si dhe garantimin e mbrojtjes me masa ligjore të pjesëtarëve të familjes, të cilët janë viktima të dhunës në familje, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar. (neni 1 i ligjit).
Gjykata vlerëson se lëshimi i urdhrit të mbrojtjes, i cili përfshin disa prej masave ligjore të përshtatshme në përputhje me veçoritë e çdo rasti konkret, ka për qëllim garantimin dhe ofrimin e mbrojtjes të personit që është viktimë e njërës apo disa prej formave të dhunës kundrejt veprimeve apo mosveprimeve të dhunuesit, të cilat klasifikohen si “dhunë” në kuptim të nenit 3, pika 1 e ligjit “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”. Por në mënyrë që urdhri i mbrojtjes, si një masë mbrojtëse dhe garantuese e mirëqenies dhe integriteti fizik, moral dhe psikologjik të personit që është viktimë e dhunës, të jetë në përputhje me ligjin, Gjykata vlerëson nëse është e domosdoshme ekzistenca e disa kushteve, të cilat duhet të plotësohen njëkohësisht.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson gjithashtu se, në këtë rast kemi të bëjmë me një mosmarrëveshje që buron nga një ligj i posaçëm i cili vepron në Republikën e Shqipërisë me qëllim reduktimin e çdo forme dhune në marrëdhëniet e posaçme familjare që kryhet në territorin e Republikës së Shqipërisë, pa e lidhur me vendbanimin që mund të ketë pala paditëse ose e paditur.
Subjektet që legjitimohen janë përcaktuar në nenin 3 të ligjit nr.9669, datë 18.12.2006, “Përkufizime”, ku në pikën 4 është përcaktuar shprehimisht se kush quhet Viktimë- është personi mbi të cilin është ushtruar dhuna e përcaktuar në nenin 1 të tij, dhe kështu në pikën 5 të po këtij neni është bërë përcaktimi i Dhunuesit- si personi i paditur për ushtrimin e dhunës në marrëdhëniet familjare përpara organeve kompetente”, duke mos e lidhur këtë subjekt me shtetësinë dhe duke i ofruar një mbrojtje të njëjtë si shtetasve shqiptarë ashtu edhe të huaj në lidhje me qëllimin për të cilin është miratuar ky ligj. Për këto arsye shkaqet e ankimit të veçantë të ngritura nga pala e paditur nuk qëndrojnë dhe juridiksion për gjykimin e kësaj çështje ka Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Për sa më sipër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, arrin në konkluzionin se vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është i mbështetur në ligj dhe për këtë arsye duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 59 dhe 485 të Kodit të Procedurës Civile
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.5061 Akti, datë 25.01.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Tiranë, më 23.03.2016
Nr. 11243-00817-00-2016 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-834 i Vendimit (101)
Do'stlaringiz bilan baham: |