VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 23.03.2016, mori në shqyrtim çështjen civile që u përket palëve:
PADITËS: L. T., në mungesë,
E PADITUR: A. T., në mungesë,
OBJEKTI:
Zgjidhje martese, lënien e fëmijës për rritje dhe edukim paditësit,
caktimin e detyrimit ushqimor dhe mënyrën e takimit me fëmijën.
Baza Ligjore: Nenet 132 e vijues, 192 e vijues të K. Familjes.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.1982, datë 02.03.2012, ka vendosur:
“Pranimin e kërkesë padisë.
Zgjidhjen e martesës midis paditësit L. T. dhe të paditurës A. T.
E paditura A. T. pas zgjidhjes së martesës do të mbajë mbiemrin që ka pasur para lidhjes së martesës “G.”.
Lënien e fëmijës B. T. i dtl. 15.01.2007 për rritje dhe edukim paditësit L. T.
Detyrimin e të paditurës A. T. të paguajë detyrimin ushqimor në favor të fëmijës së saj B. T. në masën 20.000 (njëzet mijë) lekë në muaj.
Ky detyrim fillon nga dita e ngritjes së kërkesë padisë datë 04.11.2010.
E paditura A. T. ka të drejtë të takojë dhe të mbajë fëmijën e saj B. T. çdo të shtunë nga ora 17:00 deri në orën 12.00 të ditës së djelë si dhe për periudhën e pushimeve verore 16-31 gusht të çdo viti.
Një kopje e këtij vendimi, pasi të marr formë të prerë, t’i dërgohet për veprim Zyrës së Gjendjes Civile, Njësia Bashkiake nr.9, Tiranë.
Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 15 ditësh në Gjykatën e Apelit Tiranë, afat i cili fillon nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit, për palën në mungesë ky afat fillon nga dita e njoftimit të vendimit.”.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1570, datë 03.07.2013, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.1982, datë 02.03.2012, të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë përsa i përket zgjidhjes së martesës ndërmjet paditësit L. T. dhe të paditurës A. T.
Prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim, përsa i përket rregullimit të pasojave nga zgjidhja e martesës mes palëve ndërgjyqëse për fëmijën B. T.”.
Kundër këtij vendimi në datë 24.07.2013, ka paraqitur rekurs e paditura A. T. (G.), duke kërkuar: “Pranimin e dispozitivit të vendimit civil të huaj me nr.946/11 RG 4336/10 nr.Kol 4189/11 të Gjykatës së Bolzano-s, seksioni i dytë civil Itali datë 18.10.2011. Në shkaqet e rekursit veçohen:
-
Me të dy vendimet e gjykatave nuk jemi dakord. Shkaqet për paraqitjen e rekursit lidhen me zbatimin e gabuar të ligjit civil si dhe për shkelje të rënda procedurale që kanë ndikuar në dhënien e vendimit. Nga hetimi gjyqësor i kësaj çështje u konstatua se padia është e pabazuar si në ligj ashtu edhe në prova.
-
Që në fillimet e këtij gjykimi në shkallën e parë dhe në vazhdim në apel kemi insistuar se kjo çështje ka mbaruar dhe ka marrë formë të prerë përpara përfundimit të këtij gjykimi.
-
Kemi ushtuar edhe në gjykatën e apelit kërkesë për njohjen e vendimit të huaj , por nga ana e Gjykatës së Apelit, duke qenë se në gjykatën e Tiranës ishte regjistruar një çështje civile me këtë objekt , nuk u regjistrua dhe nuk u gjykua.
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk i është përmbajtur objektit të padisë së ngritur nga paditësi L. T. dhe ka dalë jashtë saj kur i ka lënë për rritje dhe edukim fëmijën B. T. paditësit, në një kohë që nga ana e tij është kërkuar ndryshe.
-
Gjithashtu gjykata ka detyruar të paditurën të paguajë një pension ushqimor për fëmijën e saj që nga data e ngritjes së padisë në një kohë që për gjithë këtë periudhë e ka mbajtur dhe vazhdon ta mbajë vetë fëmijën.
-
Vendimi civil i huaj me nr.946/11 RG 4336/10 nr.Kol 4189/11 të Gjykatës së Bolzano-s, seksioni i dytë civil Itali datë 18.10.2011 ka vendosur: “Zgjidhjen e parevokueshme të martesës lidhur në Tiranë (Shqipëri) më datë 04.07.2000 midis A. G. dhe L. T. , martesë kjo e regjistruar në regjistrat e kateve të martesës së qytetit të Tiranës (Shqipëri) në numrin 50 të vitit 2000. Ia beson djalin e mitur të palëve, B. T. lindur në Merano (BZ) 15.01.2005, vetëm nënës A. G. (ish T.) duke vendosur që fëmija të jetojë me nënën dhe pranë saj të ketë rezidencën anagrafike dhe për të gjitha qëllimet e kontributit publik dhe të marrjes së çeqeve familjare, fëmija të konsiderohet në ngarkim të plotë të nënës së tij.
Gjykata detyron L. T. t’i paguajë A. G. (ish T.) si paradhënie dhe në datën 5 të çdo muaji shumën prej 300 euro, si kontribut për mbajtjen e fëmijës së mitur B. T. ..”.
-
Në gjykatën e Apelit u bë e mundur që të administrohet ligjërisht si ky vendim dhe të gjitha dokumentet e shoqëruese të këtij vendimi dhe në këto kushte gjykata duhet të vendoste sipas dispozitivit të këtij vendimi me formë ligjore të përfunduar dhe me rregullim pasojash të drejta dhe të sakta.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Admir Thanza; në mungesë të palëve ndërgjyqëse; si dhe pasi diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
-
Rrethanat e çështjes.
-
Gjykatat e faktit në gjykimin e çështjes kanë pranuar se palët ndërgjyqëse janë bashkëshortë midis tyre. Ata e kanë lidhur martesën ligjore më datë 04.07.2000, fakt ky që rezulton i provuar nga certifikata e martesës e lëshuar me datë 25.04.2012 ,nga Zyra e Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake nr.9 Tiranë, në bazë të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.
-
Si rrjedhojë e martesës bashkëshortore ka lindur dhe fëmija B., i datë lindjes 15.10.2005.
-
Sipas pretendimeve të palës paditëse L. T. ka rezultuar se marrëdhëniet midis bashkëshortëve si në fillimet e tyre ashtu dhe gjatë disa viteve martesë kanë qenë të mira, por me kalimin e kohës kanë nisur mosmarrëveshjet të cilat janë rrjedhojë e ndërhyrjes dhe presioneve të prindërve të palës së paditur.
-
Me lindjen e fëmijës, gjithnjë sipas paditësit, pati një përmirësim në marrëdhëniet bashkëshortore por më pas grindjet dhe mosmarrëveshjet vazhduan sa që marrëdhëniet bashkëshortore “de facto” përfunduan me largimin e të paditurës nga banesa së bashku me fëmijën.
-
Në këto rrethana paditësi i është drejtuar gjykatës së shkallës së parë me padinë sa sipër.
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.1982, datë 02.03.2012, ka vendosur:
“Pranimin e kërkesë padisë.
Zgjidhjen e martesës midis paditësit L. T. dhe të paditurës A. T.
E paditura A. T. pas zgjidhjes së martesës do të mbajë mbiemrin që ka pasur para lidhjes së martesës “G”.
Lënien e fëmijës B. T. i dtl.15.01.2007 për rritje dhe edukim paditësit L. T.
Detyrimin e të paditurës A. T. të paguajë detyrimin ushqimor në favor të fëmijës së saj B. T. në masën 20.000 (njëzet mijë) lekë në muaj.
Ky detyrim fillon nga dita e ngritjes së kërkesë padisë datë 04.11.2010.
E paditura A. T. ka të drejtë të takoj dhe të mbaj fëmijën e saj B. T. çdo të shtunë nga ora 17:00 deri në orën 12.00 të ditës së djelë si dhe për periudhën e pushimeve verore 16-31
Një kopje e këtij vendimi, pasi të marr formë të prerë, t’i dërgohet për veprim Zyrës së Gjendjes Civile, Njësia Bashkiake nr.9, Tiranë.
Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
6.1. Gjykata në këtë vendim ka arsyetuar se: “...omissis... Gjykata çmon se padia e paditësit L. T. për zgjidhjen e martesës me të paditurën A. T. duhet të pranohet.
Në lidhje me përcaktimin e mënyrës së ushtrimit të përgjegjësisë prindërore për rritjen dhe edukimin e fëmijës së mitur, Gjykata konform nenit 155 të K.Familjes, për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes, duke pasur parasysh interesin më të lartë të fëmijëve, mori mendimin e specializuar të një psikologu....Në këto kushte, Gjykata duke u nisur nga interesi më i lartë i fëmijës, pasi analizoi provat e marra gjatë gjykimit, mori mendimin e psikologes dhe të palës, çmon se më e mira për fëmijën do të ishte lënia e tije për rritje dhe edukim paditësit L. T. duke pasur e paditura të drejtën e takimeve të shpeshta për të mos humbur marrëdhëniet me fëmijët e saj.
Sipas nenit 158 të Kodit të Familjes, e paditura ka të drejtë të mbikëqyrë mbajtjen dhe edukimin e fëmijës e për pasojë të informohet…E drejta e vizitës dhe e banimit sipas kushteve të tij nuk mund ti refuzohen”. Nisur nga më sipër si dhe duke pasur parasysh dhe rëndësinë që ka figura e nënës në një rritje dhe zhvillim sa më optimal në zhvillimin e fëmijës si dhe në analizë edhe të vlerësimit psikologjik, Gjykata çmon që takimet e te paditurës me fëmijën e saj të jenë të shpeshta, konkretisht çdo të shtunë nga ora 17:00 deri në orën 12.00 të ditës së diele si dhe për periudhën e pushimeve verore 16-31 gusht të çdo viti.
Përsa i përket detyrimit të paditurës për kontributin ushqimor për fëmijën, sipas nenit 161 të Kodit të Familjes, Gjykata nga sa më sipër, çmon ta detyrojë atë të paguajë në favor të fëmijës së saj të mitur detyrimin ushqimor në masën 20.000 (njëzet mijë) lekë në muaj, detyrim i cili duhet të fillojë nga dita e ngritjes së padisë.(...)”.
-
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1570, datë 03.07.2013, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.1982, datë 02.03.2012, të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë përsa i përket zgjidhjes së martesës ndërmjet paditësit L. T. dhe të paditurës A. T.
Prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim, përsa i përket rregullimit të pasojave nga zgjidhja e martesës mes palëve ndërgjygjëse për fëmijën B. Toçi”.
7.1. Gjykata në këtë vendim ka arsyetuar se: “...omissis... ...Kolegji Civil i Gjykatës së Apelit Tiranë, çmon se përfundimet e arritura në Vendimin e Gjykatës së shkallës së parë janë të drejta vetëm përsa i përket zgjidhjes së martesës gjë për të cilën të dy palët nuk kanë ankim. Por nga ana tjetër është gabuar lidhur me disponimin e pasojave që rrjedhin nga zgjidhja e martesës dhe që lidhen me marrëdhëniet prindër-fëmijë......” Gjykata duhet të mbante parasysh kërkesat e Ligjit nr.10428, datë 02.06.2011 “Për të drejtën ndërkombëtare provat” dhe më pas kërkesat e ligjit italian dhe atij shqiptar që rregullojnë marrëdhëniet familjare.
Në vështrim të kërkesave të nenit 29 të ligjit në fjalë: “Marrëdhëniet ndërmjet prindërve dhe fëmijëve rregullohen nga ligji i shtetit ku fëmija ka vendqëndrimin e zakonshëm , ose ligji i shtetësisë së fëmijës, kur ai mund të jetë në interesin më të lartë të fëmijës.”
Në varësi me përcaktimin e ligjit që do të zbatohet në rastin konkret për rregullimin e pasojave që rrjedhin nga zgjidhja e martesës dhe që lidhen me marrëdhëniet prindër fëmijë gjykata në eventualitetin e zbatimit të ligjit shqiptar krahas shqyrtimit dhe analizës me kujdes që duhet të bëjë rreth praktikës dokumentare të administruar, përfshirë edhe atë gjatë shqyrtimit në shkallë të dytë në përputhje me kërkesat e nenit 155 të Kodit të Familjes, duhet rithirrjen e një specialisti psikolog.
Është ky specialist që mbas kontakteve me të dy palët në gjykim e fëmijën e mitur B. T. si dhe marrjes së të dhënave për gjendjen materiale dhe morale të familjes përfshirë kushtet ku jetojnë e ku është e përshtatshme të jetojë fëmija, do të japë mendimet e tij lidhur me mënyrën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore, të drejtës së vizitës ose të besuarit e fëmijës njërit ish- bashkëshort.
-
Kundër këtij vendimi, ka ushtruar rekurs e paditura A. T. (G.), me shkaqet e lartpërmendura.
-
Ligji i zbatueshëm.
-
Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile në të cilat është parashikuar:
9.1. Neni 14 i K.Pr.Civile: “Gjykata ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin.”
-
Neni 16§1 i K.Pr.Civile: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
-
Neni 467, shkronja “ë” i K.Pr.Civile: “lind nevoja për marrjen e një prove vendimtare, marrja e së cilës është e vështirë në shkallë të dytë, ose gjykata nuk është shprehur për të gjitha kërkesat e parashtruara nga palët në padi dhe që përbëjnë objektin e mosmarrëveshjes midis palëve ndërgjyqëse.”
-
Dispozitat e Kodit të Familjes në të cilat është parashikuar:
-
Neni 132 i K.Familjes: “Secili nga bashkëshortët mund të kërkojë zgjidhjen e martesës kur, për shkak të grindjeve të vazhdueshme, të keqtrajtimeve, fyerjeve të rënda, shkeljes së besnikërisë bashkëshortore, sëmundjes mendore të pashërueshme, dënimit penal të rëndë të bashkëshortit ose për çdo shkak tjetër që përbën shkelje të përsëritur të detyrimeve që rrjedhin nga martesa, jetesa e përbashkët bëhet e pamundur dhe martesa ka humbur qëllimin e saj për bashkëshortin paditës ose për të dy bashkëshortët.”
-
Neni 156 i K.Familjes: “Gjykata vendos për mënyrën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore ose për t’i besuar fëmijën një të treti, mbi bazën e kërkesës së njërës prej palëve...”
-
Neni 138 i K.Familjes: ”Në kërkesëpadinë për zgjidhjen e martesës mund të kërkohet edhe detyrimi i bashkëshortit tjetër për të përballuar shpenzimet për detyrimin për ushqim, edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, shpenzimet për jetesë të bashkëshortit nevojtar, në rastet e parashikuara në këtë Kod, si dhe likuidimin e regjimit pasuror martesor përkatës.”
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se:
-
Pala që ka regjistruar ankimin, konkretisht pala e paditur A. T. (G.) legjitimohet ratione personae t’i drejtohet Gjykatës së Lartë lidhur sa më sipër.
-
Ankimi është paraqitur brenda afatit ligjor, ndaj edhe legjitimohen ratione temporis. Gjithashtu rezulton se ankimi i është njoftuar palës tjetër ndërgjyqëse.
-
Në lidhje me thelbin (legjitimimi ratione materiae), Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala e paditur A. T. (G.) përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile që motivojnë cenimin e vendimit nr.1570, datë 03.07.2013, të Gjykatës së Apelit Tiranë me të cilin është vendosur ndërmjet të tjerash dhe prishja e vendimit dhe kthimi i çështjes për rigjykim, përsa i përket rregullimit të pasojave nga zgjidhja e martesës mes palëve ndërgjyqëse për fëmijën B. T.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim të akteve procedurale që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, pretendimeve e prapësimeve të palëve, vendimeve të gjykatave të faktit, shkaqeve të parashtruara në rekurs arrin në përfundimin se vendimi nr.1570, datë 03.07.2013, i Gjykatës së Apelit Tiranë është rrjedhojë e zbatimit jo të drejtë të ligjit procedural nenit 476 të Kodit të Procedurës Civile dhe për këtë shkak vendimi duhet të prishet dhe çështja ti kthehet për rishqyrtim asaj gjykate me tjetër trup gjykues.
-
Kolegji referuar shkaqeve të rekursit konstaton se e paditura ka pretenduar:
-Së pari, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk i është përmbajtur objektit të padisë duke dalë dhe jashtë tij, kur ka vendosur lënien për rritje dhe edukim të fëmijës B. T. paditësit, në të kundërt sa ka kërkuar në padi;
-Së dyti, Gjykata e Apelit Tiranë nuk ka marrë në konsideratë ekzistencën e vendimit civil nr.946/11, RG 4366/10, 4189/11 Kol., datë 18.10.2011, të Gjykatës së Bolzano-s, Itali, seksioni i dytë civil (i formës së prerë) me të cilin është disponuar më parë për të njëjtat kërkime si në çështjen e gjykuar. (shkaqet e rekursit janë të njëjta me ato të ankimit)
-
Lidhur me sa më sipër gjykata e apelit duke lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë për zgjidhjen e martesës ka vendosur prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim, përsa i përket rregullimit të pasojave nga zgjidhja e martesës mes palëve ndërgjygjëse për fëmijën B. T.
-
Gjykata ka arsyetuar se palët ndërgjyqëse së bashku me fëmijën e mitur janë me vendqëndrim në territorin e Republikës së Italisë, por dhe me nënshtetësi shqiptare dhe në të tilla rrethana gjykata e shkallës së parë duhej të vinte në diskutim dhe të merrte në analizë ligjin e zbatueshëm në lidhje me pasojat e zgjidhjes së martesës, duke mbajtur parasysh kërkesat e nenit 29 të ligjit nr.10428, datë 02.06.2011 “Për të drejtën ndërkombëtare private” në të cilin është parashikuar: “Marrëdhëniet ndërmjet prindërve dhe fëmijëve rregullohen nga ligji i shtetit, ku fëmija ka qëndrimin e zakonshëm, ose ligji i shtetësisë së fëmijës, kur ai mund të jetë në interesin më të lartë të fëmijës”.
-
Gjithashtu gjykata e apelit në rigjykim ka orientuar gjykatën e shkallës së parë për rithirrjen e një specialisti psikolog për të marrë të dhëna për gjendjen materiale dhe morale të familjes përfshirë, kushtet me të cilat jetojnë për të vendosur për lënien e fëmijës si dhe mënyrën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore.
-
Kolegji konstaton se gjykata e apelit vetëm ka prishur vendimin e gjykatës së rrethit pa e zgjidhur çështjen në themel. Referuar shkaqeve për të cilat gjykata e apelit ka vendosur kthimin e çështjes për rishqyrtim, Kolegji vlerëson se në rastin konkret gjykata e apelit duhej të zbatonte kërkesat e nenit 465 të K.Pr.Civile pasi si gjykatë sa ligji dhe fakti nuk kishte pengesë për të marrë në analizë dhe vendosur për ligjin e zbatueshëm si dhe në përsëritje pjesërisht të hetimit gjyqësor qoftë dhe kryesisht të rithirrte në seancë gjyqësore specialistin psikolog për të marrë të dhëna për gjendjen morale dhe materiale të familjes, duke zgjidhur kështu në themel edhe kërkimin në padi përsa i takon ushtrimit të të drejtës prindërore.
-
Sa më sipër u analizua, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se në vendimin e gjykatës së apelit konstatohen shkelje te procedurës te parashikuara nga neni 467 te K.Pr.Civile, pasi nuk konkurrojnë shkaqet e parashtruara në këtë dispozite që çështja te dërgohet për rigjykim në shkallë të parë.
-
Në këto rrethana Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se çështja duhet të kthehet për rigjykim në gjykatën e apelit, e cila për t’iu dhënë zgjidhje problemeve të mësipërme, në respektim së të drejtave të palëve dhe detyrimeve të tyre që rrjedhin nga procesi gjyqësor civil, ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin (neni 14) dhe, duke bërë një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen ta zgjidhë atë në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera të zbatueshme për zgjidhjen e çështjes. (neni 16).
-
Kryerja e veprimeve të mësipërme, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të dalin gjatë rigjykimit, do ta lejojnë gjykatën e apelit, që në përputhje me kërkesat e ligjit procedural e atij material të mund të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive, lidhur me zgjidhjen përfundimtare të çështjes duke hetuar dhe pretendimin e palës së paditur për zgjidhjen e konfliktit me vendimin civil nr.946/11, RG 4366/10, 4189/11 Kol., datë 18.10.2011 të Gjykatës së Bolzano-s, Itali, seksioni i dytë civil në mes të të njëjtave palë ndërgjyqëse për të njëjtin shkak dhe objekt .
-
Përfundimisht, sa më lart argumentuar, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë konkludon se vendimi nr.1570, datë 03.07.2013, i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet prishur dhe çështja t’i dërgohet për rishqyrtim asaj gjykate, me tjetër trup gjykues.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 485/c të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.1570, datë 03.07.2013, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 23.03.2016
Nr. 11243-01966-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-861 i Vendimit (98)
Do'stlaringiz bilan baham: |