VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Edmond Islamaj Kryesues
Guxim Zenelaj Anëtar
Shkëlzen Selimi Anëtar
Artan Zeneli Anëtar
Tom Ndreca Anëtar
në seancën gjyqësore të datës 16.03.2016, mori në shqyrtim çështjen penale që i përket:
KËRKUES: PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË PËR KRIME TË RËNDA
I GJYKUAR: ALBANO FERAIZI
A K U Z U A R:
Për kryerjen e veprës penale të
“Trafikimit të narkotikëve”,
kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë,
parashikuar nga N.283/a/2-22 të K.Penal.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin nr.50, datë 22.04.2014 ka vendosur:
Deklarimin fajtor të pandehurit Albano Feraizi për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, mbetur në tentativë, parashikuar si vepër penale nga neni 283/a/l-22 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 8 vjet burgim.
Në baze të nenit 406/1 të Kodit të Pr.Penale, i pandehuri Albano Feraizi dënohet përfundimisht me 5 vjet e 4 muaj burgim.
Gjykata e apelit për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin nr.58, datë 17.06.2014 ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit nr.50, datë 22.04.2014 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, si më poshtë:
Deklarimin fajtor të pandehurit Albano Feraizi për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe në bazë të neneve 283/a-2 dhe 22 të K.Penal, dënimin e tij me 11 vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.P.Penale, dënimin e tij përfundimtar me 7 vjet e 4 muaj burgim.
Lënien në fuqi të vendimit të apeluar për pjesën tjetër të tij.
Kundër vendimi të gjykatës së apelit për Krimet e Rënda ka paraqitur rekurs i gjykuari Albano Feraizi, nëpërmjet mbrojtësit të tij, i cili kërkon prishjen e këtij vendimi dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së shkallës së parë për Krimet e Rënda, duke parashtruar këto pretendime:
-
Vendimi është marrë në kundërshtim me ligjin dhe provat e administruara në gjykim.
-
I pandehuri si në hetim dhe në gjykim ka deklaruar se, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike është detyruar të trafikojë lëndë narkotike pra të realizojë të ardhura në mënyrë të dënueshme nga ligji dhe këtë e ka realizuar i vetëm.
-
Gjykata ka rënduar pozitën duke aluduar se vepra është kryer në bashkëpunim ndërkohë që nuk ka asnjë telefonatë, sms, përgjim apo filmim që të lidh të pandehurin me persona të tjerë.
-
Gjykata pranon bashkëpunimin, por nuk argumenton se ku qëndron ky bashkëpunim.
-
Nga organi i akuzës nuk u provua ekzistenca e marrëveshjes ndërmjet të pandehurit dhe bashkëpunëtorëve të tij si element i domosdoshëm i bashkëpunimit. Po ashtu edhe gjykata nuk përcakton rolin e bashkëpunëtorëve në veprën e kryer nga i pandehuri.
-
Edhe Gjykata e Lartë nëpërmjet disa vendimeve ka pranuar se deklarimi fajtor vetëm me një provë të pa harmonizuara me prova apo indicje të tjera sikurse e kërkon ligji, do të ishte gabim dhe do ti hapte rrugë arbitraritetit dhe shkeljes së të drejtave të individit.
KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Shkëlzen Selimi, prokurorin Arqilea Koça, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së apelit; në mungesë të përfaqësuesit të të gjykuarit Albano Feraizi; dhe si shqyrtoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Se vendimi nr.58, datë 17.06.2014 i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda gjendet i pabazuar në ligj dhe në prova përsa i përket cilësimit ligjor dhe si i tillë do të prishet, duke u lënë në fuqi vendimi nr.50, datë 22.04.2014 i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.
-
Rrethanat e faktit
-
I gjykuari Albano Feraizi është banor i qytetit të Tiranës. I gjykuari Albano Feraizi, në periudhën para kryerjes së veprës penale ka qenë i papunë. Gjatë kësaj kohe, ai kishte blerë një autobus transporti udhëtarësh nga kompania ALB TRANS sh.p.k. me para të marra hua nga tezja e tij, shtytësja E. Stërmasi. Me këtë autobus ai do të kryente një udhëtim turistik në Romë, për llogari të shoqërisë turistike SKY TUR dhe Partisë së të Drejtave të Mohuara e Re, me disa gra aktiviste të kësaj force politike, me rastin e Festës së 8 Marsit. Me këtë agjenci kishin kontaktuar drejtuesit e Partisë së të Drejtave të Mohuara, nëpërmjet shtetases N. Dervishi, nëna e punonjëses së agjencisë Rudina Sinani
-
Më datë 07.03.2013 rreth orës 22:30, gjatë kontrollit të ushtruar në pikën e kalimit kufitar në portin e Durrësit, në mjetin autobus, të markës Renault, me targë TR 9564 L që drejtohej nga i gjykuari Albano Feraizi, janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale 268 (dyqind e gjashtëdhjetetetë) pako me bimë të dyshuara si narkotike me peshë 422.8 (katërqind e njëzetedy pikë tetë) kg, të fshehur në pjesën e brendshme të dyshemesë, ku vendosen sediljet.
-
Para se të niset për udhëtim, i gjykuari ka siguruar një sasi të madhe lënde narkotike, të cilën sipas deklarimeve të tij, e kishte blerë tek një person që e kishte takuar në pazarin e ri të Tiranës tek tregu i mobileve të përdorura. I gjykuari, këtë lëndë narkotike ka patur qëllim ta trafikojë në Itali, me qëllim shitjen e saj në tregun italian. Lëndën narkotike i gjykuari e ka fshehur poshtë sediljeve të autobusit duke e sistemuar e duke bërë ndërhyrjet e nevojshme në këtë vend.
-
Pasi ka kryer veprimet e nevojshme, i gjykuari është nisur për udhëtim me datën 07.03.2014 në mbrëmje, për në portin e Durrësit ku do të imbarkohej në tragetin e linjës Durrës-Bari. Pasi ka hyrë në port dhe pasi pasagjeret kishin kaluar në këmbë dhe ishin akomoduar nëpër dhomat respektive të tragetit, autobusi i është nënshtruar kontrollit të zakonshëm, gjatë të cilit u gjet dhe sekuestrua lënda narkotike.
-
Sipas akteve të ekspertimit kimik nr.4225, datë 22.4.2013 dhe nr.2645, datë 11.3.2013 provohet se materialet bimore të pakove të sekuestruara në automjet, janë Cannabis, produkt herbal i bimës Cannabis Sativa, sipas referencave që gjenden në klasifikimin e lëndëve narkotike në ligjin nr.7975, datë 26.7.1995 “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”.
-
Menjëherë është bërë arrestimi në flagrancë i të gjykuarit Albano Feraizi, sipas procesverbalit “Për arrestimin në flagrancë” të datës 08.03.2014 ora 05:30, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të lëndës narkotike” të kryer në bashkëpunim e të mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 283/a/2 e 22 i K.Penal.
-
Me vendim “Për ndarjen e procedimit penal” datë 19.02.2014, është vendosur ndarja e procedimit penal në ngarkim të pandehurit Albano Feraizi nga procedimi penal nr.48, duke e numërtuar atë me numrin 48/1.
-
Prokuroria e Krimeve të Rënda, në kuadër të procedimit penal nr.48/1 të vitit 2013, ka dërguar për gjykim të pandehurin Albano për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 283/a/2 - 22 të K.Penal.
-
I gjykuari Albano Feraizi ka pranuar kryerjen e veprës penale, dhe ka kërkuar nëpërmjet përfaqësuesit të tij, ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale, duke u dënuar për veprën penale të parashikuar nga N.283/a/1 -22 të K.Penal dhe caktimin e një mase dënimi sa më të butë ose pezullimin e ekzekutimit të tij.
-
Procedurat gjyqësore
-
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin nr.50, datë 22.04.2014 ka vendosur:
-
Deklarimin fajtor të pandehurit Albano Feraizi për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, mbetur në tentativë, parashikuar si vepër penale nga neni 283/a/l-22 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 8 vjet burgim.
-
Në baze të nenit 406/1 të Kodit të Pr.Penale, i pandehuri Albano Feraizi dënohet përfundimisht me 5 vjet e 4 muaj burgim.
-
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin nr.58, datë 17.06.2014 ka vendosur:
-
Ndryshimin e vendimit nr.50, datë 22.04.2014 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, si më poshtë:
-
Deklarimin fajtor të pandehurit Albano Feraizi për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në bashkëpunim, mbetur në tentative dhe në bazë të neneve 283/a-2 dhe 22 të K.Penal, dënimin e tij me 11 vjet burgim.
-
Në aplikim të nenit 406 të K.P.Penale, dënimin e tij përfundimtar me 7 vjet e 4 muaj burgim.
-
Lënien në fuqi të vendimit të apeluar për pjesën tjetër të tij.
-
Kundër vendimi të gjykatës së apelit për Krimet e Rënda ka paraqitur rekurs i gjykuari Albano Feraizi, nëpërmjet mbrojtësit të tij, i cili kërkon prishjen e këtij vendimi dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së shkallës së parë për Krimet e Rënda, duke parashtruar pretendimet e pasqyruara në pjesën hyrëse të vendimit.
-
Arsyetimi ligjor i vendimit të ankimuar
-
Gjykata e apelit për krime të rënda e ka gjetur të gabuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë në lidhje me cilësimin juridik të veprës penale, dhe ndër të tjera arsyeton se: “...i pandehuri ka deklaruar se i janë dorëzuar 400 kg hashash tek autobuzi...i pandehuri së bashku me të paktën një person tjetër të paidentifikuar, ka gjetur e siguruar në posedim, lëndën narkotike, për ta transportuar jashtë kufirit shtetëror...I pandehuri dinte se kishte një sasi lënde narkotike por jo sasinë e saktë të saj arsyeshëm deduktohet se dhe vendosjen e lëndës në autobus nuk e ka realizuar vetë dhe këtu dalin në pah veprimet bashkëpunuese të tij me një person tjetër...”
-
Në lidhje me rekursin e paraqitur nga i gjykuari
-
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se pretendimet e paraqitura në rekursin e të gjykuarit përsa i përket cilësimit ligjor të veprës penale janë të bazuara në ligj, (neni 432 i K.Pr.Penale) dhe si i tillë do të pranohet, dhe vendimi i gjykatës së apelit për krime të rënda duhet të prishet duke u lënë në fuqi vendimi i gjykatës së shkallës së parë për të gjykuarin Albano Feraizi.
Në lidhje me pretendimin për kryerjen e veprës penale i vetëm.
-
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e gjen të bazuar këtë pretendim. Gjykata e apelit për krime të rënda ka zbatuar gabim ligjin procedural penal në lidhje me çmuarjen e provave N.152 K.Pr.Penale1, duke arritur në konkluzion jo të drejtë përsa i përket kualifikimit ligjor të faktit penal të ndodhur në lidhje me veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim, të mbetur të tentativë, ç’ka ka bërë që vendimi i saj të jetë i cenueshëm për këtë pjesë.
-
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë konkludon se ndryshimi i kualifikimit nga gjykata e apelit i veprimeve të të gjykuarit Albano Feraizi nga “Trafikim i narkotikëve”, mbetur në tentativë, parashikuar nga N.283/a/1 -22 i K.Penal2, në veprën penale të “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, të parashikuar nga N.283/a/2-22 i K.Penal3, pra duke përfshirë rrethanën cilësuese të bashkëpunimit është në zbatim të gabuar të ligjit procedural e material penal.
-
Në bazë të provave të shqyrtuara rezulton e provuar se i gjykuari Albano Feraizi kishte blerë një autobus transporti udhëtarësh nga kompania ALB TRANS sh.p.k. me para të marra hua nga tezja e tij, shtetësja E. S. Me këtë autobus ai do të kryente një udhëtim turistik në Romë, për llogari të shoqërisë turistike SKY TUR dhe Partisë së të Drejtave të Mohuara e Re, me disa gra aktiviste të kësaj force politike, me rastin e Festës së 8 Marsit. Pasi ka siguruar lëndën narkotike të paketuar në 268 (dyqind e gjashtëdhjetë e tetë) pako me peshë 422.8 (katërqind e njëzetedy pikë tetë) kg, e ka fshehur në pjesën e brendshme të dyshemesë, ku vendosen sediljet (siç ka rezultuar procesverbali i sekuestrimit dhe peshimit datë 08.03.2013; nga akti i ekspertimit kimik nr.4225, datë 22.4.2013 dhe nr.2645, datë 11.3.2013).
-
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e gjen të pabazuar në ligj e në provat e administruara argumentimin e gjykatës së apelit se: “...i pandehuri së bashku me të paktën një person tjetër të paidentifikuar, ka gjetur e siguruar në posedim, lëndën narkotike, për ta transportuar jashtë kufirit shtetëror...I pandehuri dinte se kishte një sasi lënde narkotike por jo sasinë e saktë të saj arsyeshëm deduktohet se dhe vendosjen e lëndës në autobus nuk e ka realizuar vetë dhe këtu dalin në pah veprimet bashkëpunuese të tij me një person tjetër...”
-
Këto përfundime të gjykatës së apelit se vepra penale është kryer në bashkëpunim, por në rrethanat që organi i akuzës, nuk arriti jo vetëm të identifikojë bashkëpunëtorët e pretenduar, por as të argumentojë rolin e tyre në bashkëpunim, e për rrjedhojë nuk mundi të provojë as marrëveshjen mes të gjykuarit Albano Feraizi dhe bashkëpunëtorëve të pretenduar, vlerësohen nga ky Kolegj si të pambështetura në provat e administruara.
-
Dyshimet e ngritura për bashkëpunim me person të paidentifikuar, nuk u arritën të ngriheshin në nivel provueshmërie. Duke ju referuar materialeve të administruara në gjykimin e çështjes, rezulton se asnjë provë, si ato shkresore, si dokumenta, tabulate, procesverbale, këqyrje, gjithashtu edhe ato të deklarimeve të personave që kanë dijeni për rrethana hetimi nuk reflektojnë të dhëna për “bashkëpunëtor” të mundshëm të të gjykuarit në kryerjen e veprës penale; nuk tregojnë se si ka ndodhur bashkëpunimi midis të gjykuarit dhe personit të paidentifikuar cila është marrëveshja midis bashkëpuntorëve; cili ka qenë roli dhe veprimet e tyre; për më tepër cili ka qenë bashkëpuntori dhe roli i tij në trafikimin e lëndës narkotike.
-
Nga të gjitha këto prova rezulton që i pandehuri ka vepruar si i vetëm në sigurimin e lëndës narkotike të cilën e ka blerë tek një person i paidentifikuar, ashtu dhe nëpërmjet përpjekjes për të bërë transportimin e saj duke blerë një autobus me para të marra hua dhe duke gjetur një mundësi për të bërë një udhëtim turistik me këtë autobus. Nga sa u parashtrua më sipër marrëveshja rezulton vetëm për qëllimin e blerjes së lëndës narkotike, por nuk rezulton asnjë e dhënë për ndihmën në trafikimin e lëndës narkotike. Edhe hipoteza e gjykatës së apelit dhe organit të akuzës për ndihmën e një personi të paidentifikuar në realizimin e transportit dhe modifikimit të mjetit, vlerësohet nga ky kolegj se nuk u arrit të ngrihej në nivel provueshmërie. Vetë i gjykuari Albano Feraizi ka qenë marangoz përpara dhe kështu ka pasur aftësitë për të krijuar modifikimin e për të fshehur lëndën narkotike në mjet.
-
Kolegjet e Bashkuara në vendimin nr.4 datë 15.04.2011, kanë unifikuar praktikën gjyqësore në lidhje me bashkëpunimin në kryerjen e veprës penale duke përcaktuar se: “Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vlerësojnë se që të ndodhemi në kushtet e bashkëpunimit duhet të bashkekzistojnë si kushte sine qua non:
-
dy ose më shumë subjekte (pluralitet personash);
-
realizimi i faktit kriminal në të gjithë elementet e tij materiale;
-
dhënia e një kontributi rilevant në kryerjen e veprës penale nga secili prej bashkëpunëtorëve;
-
ana subjektive, të paktën në formën e saj minimale, që është dijenia e të paktën njërit prej bashkëpunëtorëve për të bashkëpunuar me të tjerët në kryerjen e faktit kriminal.”
-
Kolegji Penal e gjen të drejtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë në lidhje me cilësimin ligjor dhe vlerëson se akuza nuk arriti të ngrinte përtej dyshimit, bashkëpunimin në kryerjen e veprës penale. E vetme, e palidhur me prova të tjera apo indicie të rëndësishme, të sakta dhe në përputhje me njëra-tjetrën, prova që paraqet deklarimi i të gjykuarit se lëndën narkotike e ka siguruar tek një person i paidentifikuar në Tiranë, nuk mjafton për të provuar bashkëpunimin e të gjykuarit Albano Feraizi, dhe rolin të secilit bashkëpunëtor në kryerjen e veprës penale të trafikimit, në formën e eksportimit.
-
Ky Kolegj, po ashtu si gjykata e shkallës së parë nuk mund të pranojë “bashkëpunimin” mes të gjykuarit Albano Feraizi dhe personit të paidentifikuar, i cili e ka ndihmuar në gjetjen, transportimin dhe fshehjen e lëndës narkotike, por krijohet vetëm dyshimin për ekzistencën e tyre. Në kushtet kur, këto indicie, nuk përputhen me prova të tjera, direkte ose indirekte, ato nuk përmbushin standardin e kërkuar nga ligji procedurial penal shqiptar dhe nga praktika e Gjykatës së Strasburgut, që të provojnë fajësinë, “tej çdo dyshimi të arsyeshëm”. Në bazë të nenit 4 të Kodit të Procedurës Penale1, këto indicie, sipas parimit “In dubbio pro reo”, si dyshime, vlerësohen në favor të të gjykuarit, duke rrëzuar pretendimin e akuzës për ekzistencën e bashkëpunimit. Në këto kushte, ajo që mund të provohet jashtë çdo dyshimi, është se i gjykuari Albano Feraizi, e ka konsumuar veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, në formën e eksportimit të lëndës Cannabis sativa, në drejtim të Italisë të mbetur në tentativë, por jo në kushtet e bashkëpunimit.
-
Në lidhje me zgjidhjen e çështjes
-
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arrin në konkluzionin se vendimi i gjykatës së apelit për krime të rënda nr.58, datë 17.06.2014, i cili i ka ndryshuar kualifikimin e veprimeve të kundraligjshme të gjykuarit Albano Feraizi, nga “Trafikim i narkotikëve”, mbetur në tentativë, parashikuar nga N.283/a/1 i K.Penal, në veprën penale të “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, të parashikuar nga N.283/a/2 i K.Penal, pra duke e plotësuar me rrethanën cilësuese të bashkëpunimit është i gabuar dhe i pabazuar në ligjin material dhe procedural penal dhe si i tillë duhet të prishet dhe të lihet në fuqi vendimi i gjykatës së shkallës së parë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 441/1, gërma “d” të K.Pr.Penale,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.58, datë 17.06.2014 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.50, datë 22.04.2014 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.
Tiranë, më 16.03.2016
Nr. 53107-01022-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-433 i Vendimit (44)
Do'stlaringiz bilan baham: |