VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Ardian Nuni Kryesues
Aleksandër Muskaj Anëtar
Mirela Fana Anëtare
në datën 10.03.2016 shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen civile me palë :
PADITËS: ILIAZ BEGA (në mungesë).
I PADITUR: ALBERT XHUTI (në mungesë).
OBJEKTI:
Kthim shume, detyrimin e të paditurit të më kthejë
shumën prej 10.000 Euro dhe 244.000 lekë.
Baza Ligjore: Neni 32 dhe 154 të K.Pr.Civile,
Neni 608 e vijues i K.Civil.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.5069, datë 13.06.2011 ka vendosur:
“Pranimin e kërkesë –padisë.
Detyrimin e palës së paditur Albert Xhuti që të dëmshpërbleje paditësin Iliaz Bega duke i kthyer shumën prej 10 000 (dhjetë) mijë Euro dhe 244.000 (dyqind e dyzet e katër) mijë lekë.
Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Tirane në Gjykatën e Apelit Tiranë, brenda 15 ditëve duke filluar ky afat nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit.”.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.1995/3705 datë 20.07.2012, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.5069, datë 13.06.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.”.
Kundër këtij vendimi në datë 08.08.2012 ka paraqitur rekurs i padituri Albert Xhuti duke kërkuar: “Prishjen e vendimit nr.1995, datë 20.07.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë si dhe të vendimit nr.94, datë 20.02.2006 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë duke vendosur pushimin e gjykimit” .
KOLEGJI CIVIL I GJYKATЁS SЁ LARTЁ
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Aleksandër Muskaj; në mungesë të palëve pjesëmarrëse, si shqyrtoi në tërësi çështjen,
V Ё R E N
Se vendimi nr.1995/3705 datë 20.07.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit material dhe procedural civil dhe si rrjedhojë do të prishet dhe çështja do të kthehet për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues.
I. RRETHANAT E FAKTIT
1. Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, nga aktet e dosjes gjyqësore i rezultojnë të pranuara nga gjykatat e faktit rrethanat si vijon :
2. Paditësi në vitin 2007 është akuzuar për veprën penale të vrasjes dhe dënuar me vendim të formës së prerë me 25 vjet burg. I padituri për shkak të njohjes me paditësin gjatë gjykimit të çështjes në Gjykatën e Larte mbi bazën e një rekursi të të pandehurit paditës, i ka ofruar një bashkëpunim me qëllim që t’i ulte vitet e dënimit me burg. Nga hetimi gjyqësor nuk rezultoi se i padituri Albert Xhuti të ketë pasur ndonjë detyrë në sistemin e drejtësisë dhe as ndonjë tagër për të vepruar si përfaqësues i paditësit Iliaz Bega i cili po vuante dëmin. Gjithashtu nuk rezultoi që i padituri Albert Xhuti të ketë arsim juridik apo ndonjë licence avokati.
-
Në këtë gjykim u provua nga pohimet e palëve dhe nga dëshmitarët e pyetur si dhe nga provat shkresore se i padituri Albert Xhuti duke e bindur paditësin Iliaz Bega se ai do ta ndihmonte për t’i ulur dënimin me burgim i ka kërkuar dhe marrë një shumë parash prej 10.000 euro dhe 244. 000 lekë. Këto shuma u provuan nga dëshmitaret Nezike Bega (bashkëshortja e paditësit) dhe Luan Klosi. I padituri Albert Xhuti gjatë gjykimit e pranoi pjesërisht faktin e pretenduar nga paditësi dhe sipas tij i ka marre një shume prej 5000 euro dhe disa lekë me qëllim që ti gjente avokat paditësit që ti vinte në ndihmë.
-
Nga pohimet e palëve por edhe nga provat shkresore ne dosje rezulton të jetë provuar se i padituri Albert Xhuti nëpërmjet shpërdorimit të besimit të paditësit Iliaz Bega dhe familjarëve të tij i ka marrë në mënyrë të kundërligjshme nëpërmjet mashtrimit shumat prej 10 000 euro dhe 244 000 lekë. Ky fakt rezultoi i provuar nga vendimi penal nr.1285, dt. 28.07.2010, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë i cili ka marrë formë të prerë dhe sipas tij i padituri është deklaruar fajtor dhe dënuar me 8 muaj burgim për veprën penale të “mashtrimit” parashikuar nga neni 143/1 i K.Penal. Sipas këtij vendimi gjyqësor provohet fakti i pretenduar nga paditësi i përshkruar më lart.
-
Dëshmitarja Nezike Bega deklaroi para gjykatës që me porosi të paditësit Iliaz Bega i ka dhenë të paditurit shumat prej 244. 000 lekë që në fillim për shpenzimet lidhur me premtimin që i kishte bëri Alberti për ta liruar Iliazin, pastaj i ka dhënë dhe dy herë nga 5000 euro ku në rastin e dytë ka qenë prezent dhe dëshmitari Luan Klosi. Edhe dëshmitari Luan Klosi deklaroi para gjykatës që ka qenë prezent kur i ka dhenë shumën prej 5000 euro dhe është në dijeni edhe për pagesat e tjera. Paditësi duke i konsideruar të kundërligjshme veprimet e të paditurit me të cilat i ka përvetësuar shumat prej 10 000 euro dhe 244.000 lekë në bazë të nenit 608 të K.Civil i është drejtuar Gjykatës duke kërkuar të dëmshpërblehet nga i padituri në vlerën e dëmit të shkaktuar.
II. PROCEDURAT GJYQËSORE.
-
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.5069, datë 13.06.2011 ka vendosur: “Pranimin e kërkesë –padisë. Detyrimin e palës së paditur Albert Xhuti që të dëmshpërbleje paditësin Iliaz Bega duke i kthyer shumën prej 10 000 (dhjetë) mijë Euro dhe 244.000 (dyqind e dyzet e katër) mijë lekë. Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Tirane në Gjykatën e Apelit Tiranë, brenda 15 ditëve duke filluar ky afat nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit.”.
-
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.1995/3705 datë 20.07.2012, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.5069, datë 13.06.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.”.
-
Kundër këtij vendimi në datë 08.08.2012 ka paraqitur rekurs i padituri Albert Xhuti duke kërkuar: “Prishje e vendimit nr.1995, datë 20.07.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë si dhe të vendimit nr.94, datë 20.02.2006 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë duke vendosur pushimin e gjykimit”. Në shkaqet e rekursit veçohen:
-
Paditësi nuk ka legjitimitet aktiv në këtë proces gjyqësor, nuk është formuar drejt ndërgjyqësia.
-
Paditësi Iliaz Bega në këndvështrim të nenit 32 të K. Pr. Civile nuk ka dhe nuk mbron një interes të ligjshëm në këtë proces gjyqësor, pra paditësi nuk ka legjitimitet aktiv për sa kërkon në rrugë gjyqësore sepse më datë 25.07.2006 është arrestuar dhe nga kjo datë deri në ditën e sotme ndodhet në burg pasi është dënuar me vendimin nr.227, datë 15.02.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për pasojë rezulton se ai nuk i ka dhënë Albert Xhutit dhe nuk ka patur asnjë mundësi për të dhënë shumën e pretenduar.
-
Paditësi Iliaz Bega nuk ka legjitimitet aktiv në këtë proces gjyqësor, pra ndërgjyqësia nuk është formuar drejt. Nëse shumën e pretenduar ja kanë dhënë familjarët e paditësit të drejtën e padisë e kanë ata që kanë dhënë shumën e pretenduar dhe jo paditësi i cili që nga data 25.07.2006 ndodhet në burg.
-
Në asnjë provë shkresore të administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk rezulton i provuar pretendimi i paditësit se ka dhënë shumën e kërkuar në objektin e padisë, për pasojë të dy vendimet gjyqësore janë në kundërshtim me nenin 29 të K.Pr.Civile.
-
Në të dy vendimet gjyqësore, Gjykata në kundërshtim me nenin 14 të K.Pr.Civile nuk ka zhvilluar një hetim të plotë dhe të gjithanshëm duke mbajtur qëndrim të njëanshëm në favor të palës paditëse.
-
Gjykata nuk ka vlerësuar drejt dhe në mënyrë të paanshme deklarimin e shtetasit Luan Klosi i cili konfirmojë pohimin e bërë nga ana ime se Naziko Bega më ka dhënë shumën prej 5000 euro, shumë të cilën e unë e kam shpenzuar lidhur me përgatitjen e akteve procedurale për në Gjykatën e Lartë si dhe plotësimin e dokumentacionit përkatës të cilin e kemi paraqitur tek Presidenti i Republikës.
-
Kjo ndihmë e kërkuar nga familjarët e paditësit është formalizuar me uljen e 10 (dhjetë) viteve burgim, fakt ky i provuar me Dekretin nr.6516, datë 22.04.2010 botuar në Fletoren Zyrtare nr.47, datë 25.04.2010 sipas të cilit me numër rendor 195 të dënuarit Iliaz Bega i falen 10 (dhjetë) vite burgim.
-
Paditësi pasi përfitojë uljen e 10 viteve burgim, fillojë proceset gjyqësore kundra meje duke kërkuar shuma të cilat ai nuk më ka dhënë.
-
Arsyetimi i vendimit nga Gjykata se: “I padituri për shkak të njohjes me paditësin gjatë gjykimit të çështjes në Gjykatën e Lartë mbi bazën e një rekursi të të pandehurit paditës, i ka ofruar një bashkëpunim me qëllim që t’i ulte vitet e dënimit me burg” nuk bazohet në provat e shqyrtuara dhe të administruara gjatë procesit gjyqësor, është i njëanshëm sepse nuk ju kam ofruar ndihmë unë, por janë familjarët e paditësit Iliaz Bega të cilët i kanë kërkuar ndihmë, lidhur me plotësim e dokumentacionit përkatës dhe ndjekja e procedurës për faljen është një shërbimi i cili paguhet.
-
Arsyetimi i vendimit nga Gjykata se: “Nga pohimet e palëve por edhe nga provat shkresore në dosje rezulton të jetë provuar se i padituri Albert Xhuti nëpërmjet shpërdorimit të besimit të paditësit Iliaz Bega dhe familjarëve të tij i ka marrë në mënyrë të kundërligjshme nëpërmjet mashtrimit shumat prej 10 000 euro dhe 244 000 lekë nuk bazohet në provat e shqyrtuara dhe të administruara gjatë procesit gjyqësor, është i njëanshëm dhe në kundërshtim me faktet e shqyrtuara gjatë procesit gjyqësor.
-
Vendimi bazohet në prova të marra në kundërshtim me nenin 235 të Kodit të Procedurës Civile. Gjykata ka lejuar pyetjen me cilësinë e dëshmitarit të shtetases Naziko Bega duke vepruar në kundërshtim me nenin 235 të K.Pr.Civile, dispozite kjo që përcakton se:“Nuk mund të pyetën si dëshmitarë: - bashkëshortët ende të pandarë, fëmijët, prindërit, gjyshërit ose kushërinj, në vijë të drejtë ose të tërthortë deri në shkallë të dytë, përveç kur çështja ka lidhje me probleme personale e familjare..”.
III. ARSYETIMI LIGJOR I VENDIMIT TË ANKIMUAR
-
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.5069, datë 13.06.2011 ka argumentuar: “...(omissis)... Neni 608 të K.Civil i cili parashikon se: “Personi që, në mënyrë të paligjshme dhe me faj, i shkakton tjetrit një dëm në personin ose në pasurinë e tij, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar. Personi që ka shkaktuar dëmin nuk përgjigjet kur provon se nuk ka faj. Dëmi quhet i paligjshëm kur është rrjedhim i shkeljes ose i cënimit të interesave dhe i të drejtave të tjetrit, që mbrohen nga rendi juridik ose nga zakonet e mira”. Në rastin objekt gjykimi, duke pasur parasysh përfundimet e nxjerra nga procesi penal në ngarkim të të paditurit Albert Xhuti dhe provat e tjera të analizuara më lart rezulton e provuar se i padituri i ka shkaktuar paditësit një dëm në vlerën prej 10 000 euro dhe 244 000 lekë me anë të mashtrimit pra me veprime të kundërligjshme. Në këto kushte pretendimi i paditësit Iliaz Bega konsiderohet nga gjykata i bazuar në ligj e në prova dhe si i tillë duhet të pranohet…(…).”.
-
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.1995/3705 datë 20.07.2012, ka argumentuar se: “...(omissis)...Gjykata e Apelit çmon se paditësi duke i konsideruar të kundërligjshme veprimet e të paditurit me të cilat i ka përvetësuar shumat prej 10 000 euro dhe 244 000 lekë në bazë të nenit 608 të K.Civil i është drejtuar Gjykatës duke kërkuar të dëmshpërblehet nga i padituri në vlerën e dëmit të shkaktuar sipas nenin 608 të K. Civil. Gjykata e Apelit çmon se, duke pasur parasysh përfundimet e nxjerra nga procesi penal në ngarkim të të paditurit Albert Xhuti dhe provat e tjera të analizuara më lart rezulton e provuar se i padituri i ka shkaktuar paditësit një dëm në vlerën prej 10.000 euro dhe 244.000 lekë me anë te mashtrimit pra me veprime të kundërligjshme. Në këto rrethana Gjykata e Apelit e çmon te bazuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tirane, ndaj si i tillë ai duhet te lihet ne fuqi, pasi pala e paditur para gjykatës nuk ka provuar ekzistencën e rrethanave dhe fakteve të mësipërme të paraqitura në ankim dhe nuk i ka krijuar bindjen se vendimi duhet të ndryshohet. Nisur nga analiza e rrethanave te mësipërme ankimi i bërë në Gjykatën e Apelit si mjet mbrojtës ndaj vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tirane gjendet i pabazuar, ndaj dhe vendimi i kësaj gjykate duhet të lihet në fuqi.”
IV. NË LIDHJE ME REKURSIN E USHTRUAR
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala e paditur përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile që, motivojnë cenimin e vendimit nr.1995/3705 datë 20.07.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se, hetimi i plotë dhe i gjithanshëm i çështjes në përputhje me ligjin (neni 14 i K.Pr.Civile) është parim themeltar i gjykimit civil dhe përbën një detyrim për gjykatat në të gjitha shkallët e gjykimit. Gjykatat e shkallës së parë dhe ato të apelit janë gjykata të faktit dhe të ligjit, në ndryshim nga Gjykata e Lartë, e cila është gjykatë ligji. Duke qenë të tilla, në gjykimin në shkallë të parë dhe në apel nuk ka asnjë pengesë madje është detyrim, që gjykata të lejojë palët të paraqesin kërkimet e prapësimet, provat ku i mbështetin ato dhe të arrijnë në përfundimet përkatëse për zgjidhjen e çështjes, duke çmuar e vlerësuar provat sipas ligjit që është i zbatueshëm për gjykatën.
-
Në ndryshim nga dy gjykatat më të ulëta, Gjykata e Lartë ka për objekt vetëm zbatimin e ligjit material e procedural nga ana e tyre, por pa patur të drejtën të zhvillojë hetimin gjyqësor në drejtim të marrjes së provave, apo vlerësimit e çmimit të atyre që janë vënë në bisedim nga gjykatat më të ulëta.
-
Gjykata e Lartë nuk mund të përsërisë vetë tërësisht a pjesërisht hetimin gjyqësor, për shkakun e thjeshtë se, duke qenë vetëm gjykatë ligji, nuk i lejohet të marrë prova të reja apo të lejojë palët të debatojnë mbi provat, duke hetuar e çmuar ndryshe provat e debatuara në gjykimin në apel e shkallë të parë.
-
Nga ana e Gjykatës së Apelit nuk është kryer një hetim i mjaftueshëm gjyqësor në lidhje me llojin e marrëdhënies së krijuar mes palëve ndërgjyqëse, si dhe me legjitimimin e tyre në proces.
-
Pala paditëse i është drejtuar gjykatës duke pretenduar kthimin e shumës, 10.000 Euro dhe 244.000 lekë, shumë të cilën ai ia ka ofruar palës së paditur me qëllim që t’i ulte vitet e dënimit me burg. Gjykatat nuk kanë hetuar se, cili ka qenë shkaku për të cilin paditësi ka paguar shumën e të hollave, nëse kjo shumë është paguar për të ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në vendimmarrjen e gjykatave, ky është një veprim i paligjshëm dhe penalisht i dënueshëm dhe prej tij nuk mund të burojnë interesa të ligjshëm.
-
Neni 608 të K.Civil i cili parashikon se: “Personi që, në mënyrë të paligjshme dhe me faj, i shkakton tjetrit një dëm në personin ose në pasurinë e tij, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar. Personi që ka shkaktuar dëmin nuk përgjigjet kur provon se nuk ka faj. Dëmi quhet i paligjshëm kur është rrjedhim i shkeljes ose i cënimit të interesave dhe i të drejtave të tjetrit, që mbrohen nga rendi juridik ose nga zakonet e mira”.
-
Në nenin 32 të K.Pr.Civile ligjvënësi ka përcaktuar: “Padia ngrihet vetëm kur personi ka interes të ligjshëm në njohjen ose rrëzimin e një pretendimi”. Ky është përkufizimi i përgjithshëm i bërë në legjislacionin tonë procedural përsa i përket interesit të ligjshëm, ose mundësisë për të vepruar në procesin gjyqësor.
-
Ky interes i ligjshëm qëndron në faktin se, midis palës paditëse dhe palës së paditur, ekziston një marrëdhënie juridike lidhur me të drejtën subjektive të pretenduar, për mbrojtjen e së cilës iniciohet procesi gjyqësor. Në këto rrethana, palët pjesëmarrëse në një proces gjyqësor legjitimohen realisht për shkak se, ato janë pjesëmarrës në marrëdhënien juridike civile, nëpërmjet së cilës iniciohet procesi gjyqësor, legjitimim, i cili në doktrinë njihet si legjitimim real (legitimatio ad causam).
-
Në interpretim të kundërt (argumentum ad contrario), personi që nuk ka një interes të ligjshëm nuk mund të ngrejë padi.
-
Interpretimi i termit “interes i ligjshem”, i përdorur nga ligjvënësi në nenin 32 të K.Pr.Civile, nuk është dhënë nga ligji, por kuptimi i tij bëhet i mundur nga doktrina. “Interesi”, mbi të gjitha, është përfitimi personal që do të kishte mbajtesi i së drejtës subjektive të pretenduar të shkelur (paditësi), duke kërkuar me anë të gjykatës njohjen ose rivendosjen e kësaj të drejte të shkelur, ose të mohuar nga pala tjetër (pala e paditur). Nga ana tjetër është e nevojshme që, “interesi i ligjshem” për të ngritur padi në një proces gjyqësor, duhet të jetë i pandarë nga fakti që, pa ndihmën e forcës shtrënguese të shtetit (gjykatës), paditësi do të pësonte një dëm.
-
Në vijim të sa më sipër, padia për të njohur ose për të rivendosur një të drejte të shkelur, ose të mohuar, mund të ngrihet vetëm nga personi që i përket e drejta e shkelur, ose e mohuar nga një i tretë (legjitimi aktiv).
-
Nga rrethanat e faktit rezulton se, me vendimin penal nr.1285, datë 28.07.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili ka marrë formë të prerë dhe sipas tij, i padituri Albert Xhuti është deklaruar fajtor dhe dënuar me 8 muaj burgim për veprën penale të “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143/1 i K.Penal.
-
Sa më sipër në lidhje me efektet e vendimit penal në procesin civil, në referim të nenit 70 të Kodit të Procedurës Penale, rezulton i provuar fakti penal i mashtrimit dhe se ai është kryer nga i gjykuari, në rastin konkret i padituri Albert Xhuti.
-
Kolegji vlerëson të theksojë se, nga gjykata e apelit duhet të hetohet se cili ka qënë qëllimi për shkak të të cilit paditësi ka paguar shumën e të hollave, duke pasur në konsideratë parimin se, nga një veprim i paligjshëm nuk mund të vijnë efekte të ligjshme.
-
Për arsyet e parashtruara më sipër Kolegji Civil vlerëson se, Vendimi nr.1995/3705 datë 20.07.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë, është rrjedhojë e një hetimi të pamjaftueshëm gjyqësor e për pasojë do të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, bazuar në përcaktimet e nenit 485, shkronja (c) të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.1995/3705, datë 20.07.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 10.03.2016
Nr. 11243-00294-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016 - 724 i Vendimit (78)
Do'stlaringiz bilan baham: |