VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej :
Ardian Nuni Kryesues
Aleksandër Muskaj Anëtar
Mirela Fana Anëtare
në datën 10.03.2016 shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen civile me palë :
PADITËS: SHOQËRIA “BANKA ITALIANE PËR ZHVILLIM” SH.A, sot “VENETO BANK” SH.A (në mungesë).
I PADITUR: SHOQËRIA “SIGAL” SH.A, sot “SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA” SH.A përfaqësuar nga Arsen Cekaj.
PERSON I TRETË: SHOQËRIA “BI INVESTMENTS” SH.P.K (në mungesë).
OBJEKTI:
Detyrim i palës së paditur për të përmbushur detyrimin
e rrjedhur nga garancia për sigurim kontrate si dhe interesat bankare
deri në momentin e ekzekutimit efektiv të vendimit.
Sigurim i objektit të padisë duke u vendosur sekuestro e llogarive bankare
“Sigal” sh.a në çdo bankë të nivelit të dytë deri në masën 350.000 Euro.
Baza Ligjore: Neni 202 dhe 206 të K.Pr.Civile.
Neni 585 vijues i Kodit Civil.
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.7038, datë 19.09.2011 ka vendosur:
“Rrëzimin e padisë si të pabazuar në ligj e në prova.”
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.2004, datë 23.07.2012 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të Vendimit nr.7038, datë 19.09.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kundër këtij vendimi ka bërë rekurs ne datën 17.08.2012 paditësi “Banka Italiane për Zhvillim” (sot “Veneto Bank”) duke kërkuar: “Prishjen e vendimit nr.2004, datë 23.07.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe të vendimit nr.7038, datë 19.09.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe pranimin e padisë”.
Më datë 02.06.2013 pala paditëse shoqëria Veneto Bank sh.p.k ka paraqitur deklaratën noteriale nr.534 Rep., nr.298 Kol datë 06.02.2013 duke kërkuar: “Heqjen dorë nga rekursi”.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATЁS SЁ LARTЁ
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Aleksandër Muskaj; në mungesë të palëve pjesëmarrëse, si shqyrtoi në tërësi çështjen,
V Ё R E N
I. RRETHANAT E FAKTIT
-
Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, nga aktet e dosjes gjyqësore i rezultojnë të pranuara nga gjykatat e faktit rrethanat si vijon:
-
“Banka Italiane për Zhvillim” sh.a, sot “Veneto Bank”, është një ndër institucionet financiare që zhvillojnë aktivitetin e tyre në Republikën e Shqipërisë në sistemin bankar.
-
Pala paditëse “Veneto Bank” sh.a ka hyrë në një marrëdhënie financiare me personin e tretë (ndërhyrës dytësor) shoqërinë “BI Investments” sh.p.k. Shoqëria “BI Investments” sh.p.k nga ana e saj ka patur një marrëdhënie kontraktuale nënsipërmarrjeje me shoqërinë “Impresa Construzioni Giusepe Maltauro” s.p.a. filiali Shqipëri, shoqëri e cila kishte marrë përsipër ndërtimin e rrugës nacionale Lushnjë - Fier.
-
Konkretisht objekti i kontratës së nënsipërmarrjes ka qenë realizimi nga ana e shoqërisë “BI Investments” sh.p.k. të punimeve të specializuara të furnizimit, transportit, shtrimit dhe rulimit të konglomerateve bituminoze në këtë segment rrugor, pra shtrimi dhe asfaltimi i këtij segmenti rrugor. Vlera e kësaj kontrate ka qenë e përllogaritur në shumën 3. 5000. 000 Euro.
-
Me qëllim garantimin e palëve për përmbushjen korrekte të detyrimeve kontraktuale palët kanë rënë dakord që personi i tretë (ndërhyrës dytësor) shoqëria “BI Investments” sh.p.k. të garantojë këtë kontratë nënsipërmarrjeje duke lidhur një kontratë garancie bankare (Kontratë Bankare për Lëshimin e Instrumentave Financiare) me paditësin shoqërinë“Veneto Bank” sh.a., e cila do të lëshonte një Kredi për Garanci Bankare (Kontratë Bankare për Lëshimin e Instrumentave Financiare) të barabartë me 10 % të vlerës së kontratës së nënsipërmarrjes së lidhur midis shoqërisë “BI Investments” sh.p.k. dhe shoqërisë “Impresa Construzioni Giusepe Maltauro” s.p.a. filiali Shqiptar dhe konkretisht garanci bankare në vlerën 350. 000 Euro.
-
Për sa më sipër, sipas kësaj kontrate shoqëria ‘‘Bi Investments ’‘ sh.p.k. merrte në formë kredie me interesat dhe kushtet përkatëse shumën 350.000 Euro nga shoqëria “Veneto Bank” për të garantuar kontratën e nënsipërmarrjes.
-
Gjithashtu, me qëllim garantimin e instrumentit financiar të lëshuar nga shoqëria “Veneto Bank” sh.a. sipas kontratës së garancisë bankare me shoqërinë “BI Investments” sh.p.k, kjo e fundit ka patur detyrimin të nënshkruante një kontratë ‘‘ Garanci për Sigurim Kontrate” e konkretisht për kontratën që shoqëria “BI Investments” sh.p.k. kishte lidhur me paditësin “Veneto Bank” sh.a. e cila bënte garantimin e kontratës së nënsipërmarrjes, që kishte lidhur shoqëria “BI Investments” sh.p.k me shoqërinë “Impresa Construzioni Giusepe Maltauro” s.p.a. filiali Shqipëri. Këtë kontratë garancie shoqëria “BI Investments” e ka lidhur me palën e paditur shoqëria “Sigal Uniqa Group Austria” sh.a. duke u lëshuar me këtë rast Çertifikata e Garancisë për Sigurim Kontratë.
-
Kjo çertifikatë garancie për sigurim kontratë është lëshuar me nr.16/0101/0018126 me afat vlefshmërie deri më datë 30.11.2007, më të drejtë rinovimi dhe ka garantuar kontratat e kredisë për garanci nr.1748 Rep. nr.487/2 Kol. datë 29.03.2007, dhe nr.248 Rep. nr.157 Kol, datë 23.01.2008.
-
Më pas, janë lëshuar çertifikata për garanci për sigurim kontratë nr.16/0101/025461, nr.16/0101/026063, nr.16/0101/027179 me afat vlefshmërie nga data 15.05.2008 deri në datë 20.12.2008, të cilat kanë garantuar kontratën e kredisë për garanci bankare nr.4001 Rep. nr.1825 Kol. datë 26.06.2008, e vlefshme kjo kontratë e fundit deri në datë 30.11.2008. Në vijimësi janë lëshuar çertifikatat për garanci sigurim kontrate nr.16/0101/027179 me afat vlefshmërie 30.11.2008 deri në 15.02.2009 dhe me nr.16/0101/0271 (shtojca 1) me afat datë 15.02.2009 deri në datë 15.08.2009. Ndërkohë rezulton se këto çertifikata garancie të fundit efektivisht nuk kanë siguruar asnjë kontratë kredie për garanci vlefshmëria e fundit e së cilës ka qënë deri në datë 30.11.2008.
-
Sipas kushteve të këtyre çertifikatave të garancisë shoqëria “Sigal Uniqa Group Austria” ka marrë përsipër të paguajë “Veneto Bank” sh.a. sapo të bëjë kërkesën e parë me shkrim dhe pa qenë nevoja të bëjë argumentim të kërkesës, çdo shumë të papaguar nga shoqëria “BI Investments” sh.p.k, sipas kontratës për lëshimin e instrumentave financiare brenda kufirit të garancisë + interesat e shumës së garantuar.
-
Sipas kushteve të garancisë së lëshuar shoqërisë “Impresa Construzioni Giuseppe Maltauro” s.p.a. filiali Shqipëri, nga “Veneto Bank”sh.a kjo e fundit impenjohej që me kërkesën e parë dhe të pakushtëzuar të shoqërisë “Impresa Construzioni Giusepe Maltauro” s.p.a. filiali Shqipëri, t’i paguante asaj shumën e përcaktuar në garanci. Po kështu sipas kontratës që pala paditëse ka patur me shoqërinë “BI Investments” sh.p.k. në rast se paditësi do t’i paguante shoqërisë “Impresa Construzioni Giuseppe Maltauro” s.p.a. filiali Shqipëri, garancinë, shoqëria “BI Investments” sh.p.k. duhet të shlyente shumën e paguar prej paditësit brenda 3 ditëve nga marrja e kërkesës nga paditësi (Neni 4 i kontratës). Ka rezultuar se shoqëria “Impresa Construzioni Giuseppe Maltauro” s.p.a. filiali Shqipëri, për shkaqe të pavarura nga ky gjykim i ka kërkuar më datë 30.01.2009 paditësit pagimin e shumës së garancisë në masën 350. 000 Euro, e cila iu pagua kësaj shoqërie në datë 17.02.2009.
-
Ndërkohë për efekt të çertifikatave të garancisë për sigurim kontratë pala paditëse me shkresën datë 12.08.2009 dhe me pas datë 15.08.2009 i ka kërkuar palës së paditur që të paguajë shumën e garantuar për sigurimin e kontratës në masën 350.000 Euro. Nga pala e paditur është kthyer përgjigje me shkresën nr.2453 Prot, datë 15. 08.2009, sipas së cilës kjo vlerë nuk do të paguhet pasi çertifikata e garancisë rezulton e përfunduar nisur nga fakti se shoqëria “BI Investments” sh.p.k. e ka realizuar kontratën e saj të nënsipërmarrjes dhe në këtë mënyrë detyrimi që buron nga garancia ka përfunduar. Ndodhur në këto kushte, pala paditëse i është drejtuar gjykatës për të kërkuar gjyqësisht pagimin e kësaj shumë nga i padituri si dhe të interesave bankare, komisioneve, gjobave për shkak të vonesës në pagimin e saj.
-
Palë paditëse me kërkesë padinë mbi argumentet e mësipërme ka kërkuar detyrimin e palës së paditur për të përmbushur detyrimin e rrjedhur nga garancia për sigurim kontratë si dhe interesat bankare deri në momentin e ekzekutimit efektiv të vendimit duke pretenduar se marrëdhënia juridike civile që ekziston midis paditësit dhe të paditurit është një formë sui generis e dorëzanisë, dorëzani kjo, që lidhet me detyrimin që shoqëria “BI Investments” sh.p.k. ka ndaj paditësit shoqërisë “Veneto Bank” sh.a. për kontratën e kredisë për garanci bankare.
-
Në këtë mënyrë pretendimi se shoqëria “BI Investments” sh.p.k. e ka përmbushur detyrimin e saj ndaj shoqërisë “Impresa Construzioni Giuseppe Maltauro” s.p.a. filiali Shqipëri, nuk ka lidhje me këtë dorëzani, pasi për këtë marrëdhënie ka dalë dorëzanës shoqëria ‘‘BIS Banka” sh.a. e cila nga ana e saj e ka përmbushur detyrimin ndaj shoqërisë “Impresa Construzioni Giusepe Maltauro” s.p.a. filiali Shqipëri.
-
Më tej, pala paditëse në referim të përmbajtjes së çertifikatës së garancisë për sigurim kontrate ka marrë përsipër me paraqitjen e kërkesës së parë me shkrim pagimin e garancisë pa kërkuar arsye apo argumenta në lidhje me kërkesën.
-
Pavarësisht pretendimit për përmbushjen e kontratës së nënsipërmarrjes midis shoqërisë “BI Investments” sh.p.k dhe shoqërisë “Impresa Construzioni Giuseppe Maltauro” s.p.a. filiali Shqipëri, ky fakt nuk lidhet me marrëdhënien midis paditësit dhe të paditurit pasi detyrimi kryesor midis tyre nga e cila buronte dorëzania ishte marrëdhënia e kredisë dhe jo kontrata e nënsipërmarrjes.
-
Pretendimi se dorëzania lidhej vetëm me një detyrim efektiv i cili duhet të jetë konkret dhe i vlefshëm nuk qëndron, pasi kontrata e fundit e garancisë për kredi e lidhur midis paditësit dhe personit të tretë ka qenë e vlefshme deri në datë 30. 11. 2008 me të drejtën e rinovimit të saj.
-
Kështu, personi i tretë nuk ka shlyer kredinë e marrë si garanci për përmbushjen e detyrimit edhe pas kësaj date dhe në këtë mënyrë ky detyrim kryesor ekziston ende dhe rrjedhimisht edhe dorëzania është e vlefshme dhe nuk është shuar ende.
-
Sa më sipër, krahas këtij detyrimi kjo palë kërkoi edhe interesat për shkak të vonesës së shlyerjes së kësaj vlerë nga datë 17.02.2009 kur është bërë i kërkueshëm ky detyrim deri në ditën e dorëzimit të aktit dhe kamatat ditore deri në ditën e ekzekutimit të detyrimit. Për këtë kërkim gjykata në referim të nenit 224/a e vijues të K.Pr.Civile mori si provë aktin e ekspertimit të kryer nga eksperte Ana Osmani në të cilën përcakohet si interes, komision dhe gjobë për shkak të vonesës shuma 51. 162, 93 Euro dhe kamata ditore në masën 72, 37 euro/ ditë.
II. PROCEDURAT GJYQËSORE
-
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.7038, datë 19.09.2011 ka vendosur:
“Rrëzimin e padisë si të pabazuar në ligj e në prova.”
-
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.2004, datë 23.07.2012 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të Vendimit nr.7038, datë 19.09.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
-
Kundër këtij vendimi ka bërë rekurs ne datën 17.08.2012 paditësi “Banka Italiane për Zhvillim” (sot “Veneto Bank”) duke kërkuar: “Prishjen e vendimit nr.2004, datë 23.07.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe të vendimit nr.7038, datë 19.09.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe pranimin e padisë”. Në shkaqet e rekursit të pretenduara prej paditësit veçohen:
-
Në anën tjetër pala e paditur dhe personi i tretë pretendon se pagimi i shumës varej nga përmbushja e rregullt sipas tyre e kontratës nga BI Investment ndaj Maltauro. Pra në këtë version detyrimi kryesor, për të cilin ishte lëshuar dorëzania, nuk është më kredia e dhënë nga paditësi BI Investment, por kontrata e sipërmarrjes që BI Investment kishte me Maltauro. Të dy këto prapësime janë kontradiktore me njëra tjetrën dhe në vetvete përjashtojnë njëra tjetrën, duke qenë se ato janë sajuar me qëllimin e vetëm që SIGAL të mos paguajë atë që kishte marrë përsipër.
-
Realisht logjika e drejtë juridike është ajo sipas të cilës (paragrafi 9) që përputhet edhe vete me tekstin e garancisë, SIGAL kishte garantuar Veneto Bank (ish BIS Banka), se detyrimet e kontratës së kredisë nëse nuk paguheshin nga BI Investment do të paguheshin nga SIGAL. Situata praktikisht ishte e tillë:
-
Maltauro kur lidhi kontratën me BI Investment i kërkonte asaj një garanci financiare në masen 10% të vlerës së Kontratës, nga një institucion financiar i besuar, që paguhej me kërkesën e parë,
-
BI Investment iu drejtua Veneto Bank, por nuk kishte para për ta përfituar këtë garanci, ose nuk dëshironte të ekspozohej me mjetet e veta, dhe kërkoi kredi në mënyrë që shuma e kërkuar garanci të ishte gjithnjë e disponueshme për Maltauron;
-
Në mënyrë që Veneto Bank të ishte e garantuar që kredia e marrë nga BI Investment do të paguhej, kërkoi garanci dhe BI Investment këtë garanci ja dha nepërmjet SIGAL që angazhohej, se do të paguante me kërkesën e parë dhe pa kërkuar arsye; (ndryshe nga sa ndodhi më pas, në emër të miqësisë së mirë me BI Investment);
-
BI Investment mori në dorë një letër garancie nga SIGAL dhe ja dorëzoi Veneto Bank, e cila i dha në dorë një letër të njëjtë që BI Investment ja dorëzoi Maltauros; këto letra praktikisht janë instrumenta financiarë dhe ato i japin mbajtësit të drejtën që të paguhen menjëherë nga lëshuesi...
-
…Për shkak të lëshimit të kësaj garancie dhe të lidhjes se kontratës së kredisë për garanci bankare paditësi (Veneto Bank) i kishte kërkuar edhe ai shoqërisë BI Investment një mjet garancie dhe kishte marre nga i padituri (SIGAL) disa garanci për sigurim kontrate të rinovuara disa herë duke qënë e fundit e vlefshme për periudhën 15.02.2009-15.08.2009 për shumën 350 000 Euro. Pra, paratë për te mbuluar garancinë që paditësi (sot Veneto Bank sh.a.) i kishte lëshuar Maltauros, i ishin dhënë borxh BI Investment nga paditësi dhe në momentin që paditësi pagoi garancinë ndaj Maltauro, e pagoi me këto para dhe nga ky moment BI Investment nuk kishte me çfarë ta paguante borxhin ndaj paditësit, ashtu siç nuk e ka paguar edhe sot. Për këtë shkak duke patur në dorë garancinë e të paditurit ende të vlefshme paditësi kishte të drejte të kërkonte pagimin të cilin i padituri duhet ta kryente pa kërkuar shpjegime dhe pa bërë komente.
-
Në gjykimin e zhvilluar paditësi thirri në gjykim, pavarësisht se nuk ishin kriteret e ; vendosura me ligj (neni 192 të KPC), shoqërinë BI Investment shpk, me cilësinë e personit të tretë, pavarësisht se nuk e kishte çështjen të përbashkët me të, por përkundrazi ato teorikisht janë në konflikt me njëra tjetrën, pasi në rast se padia pranohet, paditësit i lind e drejta e regresit ndaj personit të tretë.
-
Të dyja këto palë kërkuan që padia të rrëzohet duke prapësuar thelbësisht se: Ky është një aspekt shume i rëndësishëm i këtyre garancive, sepse kush i lëshon ato heq dorë nga e drejta për të prapësuar në lidhje me detyrimin kryesor dhe për këtë shkak bëhet i sigurt se do të paguajë menjëherë. Këto prapësime i padituri, i beri me bindje te plote gjatë Gjykimit dhe Gjykata i mori ne konsiderate pothuajse te gjitha.
-
Më datë 02.06.2013 pala paditëse shoqëria Veneto Bank sh.p.k ka paraqitur deklaratën noteriale nr.534 Rep., nr.298 Kol datë 06.02.2013 duke kërkuar: “ Heqjen dorë nga rekursi”.
III. ARSYETIMI LIGJOR I VENDIMIT TË ANKIMUAR.
-
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.7038, datë 19.09.2011 ndër të tjera ka arsyetuar se: “… (omissis) … Përpos këtij arsyetimi të gjykatës rezultoi nga hetimi gjyqësor se kjo kontrate garancie për kredi e cila përbën detyrimin kryesor ka qenë lidhur midis paditësit dhe personit të tretë në mënyrë të vazhdueshme me intervale kohore vlefshmërie, ku vlefshmëria e fundit e saj ka qenë deri në dt.30.11.2008. Pikërisht këtë kontratë garancie kjo palë e ka shoqëruar edhe me çertifikatën e garancisë për sigurim kontratë për periudhën respektive. Me pas provohet se edhe pse nga pala e paditur janë lëshuar çertifikatat respektive të administruara në dosje, rezulton se midis palës paditëse dhe personit të tretë nuk ka patur asnjë lloj marrëdhënie tjetër kontraktuale formale të lidhur pas datës 30.11.2008 për kredi për garanci. Në këtë mënyrë këto çertifikata të cilat sipas personit të tretë janë lëshuar paraprakisht pasi kanë qenë të nevojshme si kusht garantues për lidhjen e kësaj kontrate, pas datës 30.11.2008 nuk garantonin tashme asnjë kontratë kredie për garanci. Vlefshmëria e këtyre çertifikatave dhe të drejtat dhe detyrimet që buronin prej saj për palët, merrnin fuqi ligjore në momentin që nënshkruhej kontrata e garancisë për sigurim kredie, ç’ka efektivisht në rastin e kërkimit për çertifikatën e garancisë nr.16/0101/027179, provohet se nuk është lidhur si e tillë. Në këtë kuptim pretendimi i palës paditëse për të kërkuar vlerën e çertifikatës së garancisë për sigurim kontrate nr.16/0101/027179 në shumën 350. 000 Euro nuk gjen mbështetje ligjore për sa kohë që nuk ka një detyrim kryesor që kjo çertifikatë garanton…”.
-
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.2004, datë 23.07.2012 ndër të tjera arsyeton se: “… (omissis) … Mbi këtë analize, Gjykata e Apelit Tirane, vlerëson se marrëdhënia mes paditësit dhe siguruesit te paditur nuk rezulton te jete është një marrëdhënie dorëzanie e mirëfillte. Nga ana tjetër, kjo marrëdhënie duke qene një marrëdhënia atipike, afron me shume me një kontrate ne dobi te të tretit...
...Kolegji gjyqësor i gjykatës se apelit çmon se ne rastin konkret marrëdhënia juridike e palëve ndergjyqëse ndryshe nga sa pretendohet nga pala paditëse është një prej mënyrave të sigurimit në përmbushjen e detyrimit, pra, nuk duhet të konsiderohet si një marrëdhënie dorëzanie e mirëfillte, por do te konsiderohet si një marrëdhënie qe afron me shume me një kontratë në dobi të të tretit, qe është “dorëzania” e shprehur kjo në një formë të veçantë të saj...
...Kontrata e garancie duhet të jetë shoqëruar me çertifikatën e garancisë për sigurim kontrate për periudhën respektive. Provohet se midis palës paditëse dhe personit të tretë nuk ka patur asnjë lloj marrëdhënie tjetër kontraktuale formale të lidhur pas datës 30.11.2008 për kredi për garanci...
....Nëse pala kredimarrëse (personi i tretë) nuk ka shlyer kredinë sipas palës paditëse atehërë është e drejtë e kësaj të fundit të kërkoj kthimin e kësaj shume kredie gjyqësisht, por jo të pretendojë se ipso jure ky detyrim duhet të përmbushet nga dorëzanësi i cili tashmë nuk ekziston me ligjerisht.
Neni 588 i K.Civil përcakton se:”Dorëzania nuk është e vlefshme në qoftë se nuk është i vlefshëm detyrimi kryesor…”.
IV. NË LIDHJE ME REKURSIN E USHTRUAR
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, ndodhemi përpara kushteve ligjore kur duhet të vendoset pushimi i shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Lartë.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mban në vëmendje dispozitat e neneve 442/b, 490 të K.Pr.Civile, në lidhje me zgjidhjen e drejtë të çështjes.
-
Në nenin 442/b të Kodit Civil përcaktohet se: “Rekursi është akti me të cilin palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proces parashtrojnë kundërshtimet e tyre ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë ose të gjykatës së apelit në Gjykatën e Lartë, sipas rregullave të përcaktuara në këtë Kod.”.
-
Në nenin 490 të Kodit të Procedurës Civile përcaktohet se: “Pala mund të heqë dorë nga rekursi derisa nuk është filluar relatimi në seancë gjyqësore. Heqja dorë nga rekursi bëhet me shkrim e nënshkruar nga vetë pala ose avokati i saj i pajisur me prokurë për këtë qëllim....”.
-
Duke interpretuar dispozitat e Kodit të Procedurës Civile në tërësinë e tyre shihet qartë se, i gjithë procesi gjyqësor civil përshkohet për gjatë gjithë fazave të tij, prej parimit të disponibilitet.
-
Parimi i disponibilitetit është një parim bazë i së drejtës procedurale civile. Ky parim shprehet në disa drejtime dhe në faza të ndryshme të procesit gjyqësor, ai gjen reflektimin e tij edhe në dispozitat që trajtojnë rekursin, ku ligji procedural iu jep mundësi palëve, që të heqin dorë nga rekursi, duke përcaktuar edhe efektin që passjell kjo e fundit.
-
Gjykata e Lartë nuk mund të vazhdojë gjykimin në kushtet kur personit, i cili e ka vënë atë në lëvizje i mungon vullneti për ta vazhduar atë më tej.
-
Gjykata vetëm tregon kujdes që, në zbatim të ligjit, të sigurohet që vullneti i palës të mos jetë i vesuar dhe heqja dore nga rekursi të parashtrohet në përputhje me rregullat e parashikuara në ligj.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë konstaton se, pranë Gjykatës së Lartë, më datën 10.03.2016, në seancë gjyqësore është depozituar kërkesa për heqje dorë nga rekursi e nënshkruar nga paditësi Veneto Bank sh.a . Kërkesa për heqjen dorë nga rekursi është redaktuar përpara noterit.
-
Sa më sipër Kolegji çmon te theksojë se, deklarata noteriale e realizuar përpara noterit përfshihet në kategorinë e akteve publike dhe se përbën provë të plotë në lidhje me faktet që kanë ngjarë në prani të noterit.
-
Detyrë e noterit referuar edhe ligjit për noterinë është që të vërtetojë identitetin e palës, si dhe faktin që, vullneti i paraqitur është një vullnet i lirë.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë e vlerëson kërkesën për heqje dorë nga rekursi në pajtim me kushtet e parashikuara nga neni 490 i Kodit të Procedurës Civile, që përcakton se: “Pala mund të heqë dorë nga rekursi derisa nuk është filluar relatimi në seancë gjyqësore. Heqja dorë nga rekursi bëhet me shkrim e nënshkruar nga vetë pala ose avokati i saj i pajisur me prokurë për këtë qëllim...”.
-
Ky Kolegj vëren se, kërkesa me shkrim për heqje dore nga rekursi, e nënshkruar nga vetë pala paditëse, e redaktuar përpara noterit, e paraqitur përpara se të fillojë relatimi i çështjes në seancë gjyqësore, përbën heqje dorë të kësaj pale nga rekursi i paraqitur kundër vendimit nr.2004, datë 23.07.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
-
Lidhur me sa më sipër, Gjykata e Lartë konstaton se, në rastet që i paraqitet një kërkesë për heqje dorë nga rekursi, atëherë gjykatës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të konstatojë faktin dhe të vendosë si pas objektit të kërkesës, pasi zhvillimi apo jo i procesit gjyqësor, lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me konceptin e disponibilitetit.
-
Në këto rrethana, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, në kuptim të dispozitave të sipërcituara, duhet të vendoset pushimi i shqyrtimit të çështjes në këtë Gjykatë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, bazuar në përcaktimet e nenit 490 dhe 491 të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Pushimin e shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Lartë.
Tiranë, më 10.03.2016
Nr. 11243-01277-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-726 i Vendimit (80)
Do'stlaringiz bilan baham: |