VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej :
Ardian Nuni Kryesues
Aleksandër Muskaj Anëtar
Mirela Fana Anëtare
në datën 10.03.2016 shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen civile me palë :
PADITËS: DASHAMIR TAHIRI, përfaqësuar në gjyq nga av. Gramoz Çela.
I PADITUR: MUHARREM ROSA, (në mungesë).
OBJEKTI:
Lirim dhe dorëzim sendi, një shtëpi banimi me sipërfaqe 99 m2
dhe një truall 300 m2 të ndodhur në Selitë Tiranë.
Marrja e masës së përkohshme.
Baza Ligjore: Neni 296 e vijues i Kodit Civil,
Neni 31, 32, 154/a, 202, 206/b të Kodit të Procedurës Civile.
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.9200, datë 16.11.2011, ka vendosur :
“Rrëzimin e padisë.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës paditëse.”
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.2268, datë 03.10.2012 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.9200, datë 16.11.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.”
Kundër vendimit nr.2268, datë 03.10.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka paraqitur rekurs pala paditëse Dashamir Tahiri, duke kërkuar: “Ndryshimin e vendimit dhe pranimin e padisë.”.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATЁS SЁ LARTЁ
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Aleksandër Muskaj; dëgjoi përfaqësuesin e palës paditëse av.Gramoz Çela që kërkoi: Ndryshimin e vendimeve dhe pranimin e padisë...” , në mungesë të palëve të tjera ndërgjyqëse si shqyrtoi në tërësi çështjen,
V Ё R E N
Se, vendimi nr.2268, datë 03.10.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë është marrë në zbatim të gabuar të ligjit procedural civil e si i tillë duhet të prishet e çështja të dërgohet për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
I. RRETHANAT E FAKTIT.
-
Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, nga aktet e dosjes gjyqësore i rezultojnë të pranuara nga gjykatat e faktit rrethanat si vijon:
-
Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se paditësi paditësi Dashamir Tahiri, në bazë të Vendimit nr.3312, datë 23.04.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është një nga trashëgimtarët ligjor të të ndjerit Veip Tahiri.
-
Në bazë të certifikatës për vërtetim pronësie të lëshuar në datë 22.06.2010, paditësi rezulton të jetë bashkëpronar i një sipërfaqe trualli prej 300 m2 dhe 99 m2 ndërtim të ndodhur në Selitë, Tiranë, Zona Kadastrale nr.3292, me nr.Pasurie 47/2/17.
-
Në këtë pronë truall me sipërfaqe 300 m2, është pretenduar nga paditësi se është ndërtuar nga trashëgimlënësi i tij dhe më pas është bërë dhe regjistrimi në ZVRPP Tiranë, një banesë me sipërfaqe 99 m2 dhe rreth vitit 2000 – 2005 është zënë (poseduar) nga i padituri pa asnjë titull.
-
Për këtë, paditësi Dashamir Tahiri e ka bërë çështjen konflikt gjyqësorë duke iu drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesë – padinë me objekt lirim dhe dorëzim të banesës dhe truallit.
II. PROCEDURAT GJYQËSORE
-
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.9200, datë 16.11.2011, ka vendosur : “Rrëzimin e padisë. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës paditëse.”
-
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.2268, datë 03.10.2012 ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.9200, datë 16.11.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.”
-
Kundër vendimit nr.2268, datë 03.10.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka paraqitur rekurs pala paditëse Dashamir Tahiri, duke kërkuar: “Ndryshimin e vendimit dhe pranimin e padisë”. Në shkaqet e rekursit veçohen:
-
Gjykata e apelit nuk ka bërë asnjë hetim në lidhje me sa pretendohet në ankimin e paditësit. Ajo i ka marrë të mirëqena pretendimet e të paditurit dhe pa ju referuar në mënyrë të saktë provave ajo ka manifestuar njëanshmëri të theksuar në favor të palës së paditur, që provohet me pasqyrimin në vendim vetëm të akteve të palës së paditur, ndonëse nga hetimi ka rezultuar se pala e paditur nuk disponon asnjë vërtetim pronësie.
-
Gjykata e apelit nuk ka bërë asnjë arsyetim, ka kopjuar vetëm vendimin e shkallës së parë. Në të nuk jepet asnjë fjalë për pretendimet e paditësit, kur duhej të ishin analizuar dhe dhënë arsyet pse nuk janë marrë në konsideratë, gjë që e bën këtë vendim të paarsyetuar.
-
Pala paditëse ka provuar se është pronar i sendit që kërkon të rivendikojë, duke paraqitur certifikatë pronësie të shoqëruar nga harta treguese e pronës, lëshuar nga Z.V.R.P.P Tiranë. Pra pala paditëse ka provuar pronësinë në momentin e ngritjes së padisë.
-
Gjykata ka ngatërruar detyrimet e paditësit në një padi rivendikimi me ato të një padie posedimore. Paditësi duhet të provojë se pala e paditur është posedues i paligjshëm dhe në keqbesim dhe jo se si është zhveshur nga posedimi, si arsyeton gjykata. Nuk është provuar se i padituri ka posedimin nga pronari që do të thotë se ai është posedues i paligjshëm. Pala e paditur nuk ka paraqitur ndonjë dokument pronësie për të njëjtën pronë që të mund të konkurronte me paditësin, e gjykata të vlerësonte si e ka fituar pronësinë secila nga palët.
-
Gjykata, në kundërshtim me provat dhe faktet, ka arritur në konkluzionin e gabuar se paditësi nuk ka mundur të provojë identifikimin e saktë të pronës, ku nëpërmjet ekspertes ka identifikuar me certifikatën e pronësisë dhe hartën treguese të saj se ku vendoset prona e tij.
-
Gjykata i është referuar përciptazi aktit të ekspertimit nga i cili rezulton se: - shtëpia që posedon i padituri përbëhet nga dy prona të ndryshme të bashkuara në kohë të ndryshme; - në vendimin vërtetim fakti për pronën e të paditurit nuk jepet sipërfaqja e banesës dhe skica planimetrike është pa shkallë dhe e pafirmosur nga specialisti; - në dosje ka një plan rilevimi të gjendjes aktuale ku duket se pronat kanë mbivendosje; - prona (330 m2 truall +banesë) ndodhet në parcelën 47/2/17, të dy pronat kanë mbivendosje, ka dy numra pasurie për të njëjtën pronë; - në hartat treguese ka korrigjime numrash, për të paditurin nuk ka certifikatë me vërtetim pronësie i shoqëruar me hartën treguese.
-
Ndërkohë pala e paditur nuk ka asnjë dokument pronësie, vetëm vendime fakti, pa asnjë skicë planimetrike. Sipas ekspertes pala e paditur posedon 870 m2 truall dhe 70 m2 ndërtim, ndërkohë që në listën e trojeve të komunës i padituri figuron me vetëm 300 m2 truall dhe 36 m2 ndërtim (siç ka pranuar edhe vetë kjo palë gjatë gjykimit).
-
Vendimi i Gjykatës është mbështetur në një hetim jo të plotë, nuk i është referuar në mënyrë korrekte konkluzioneve të ekspertit duke arritur në vendimmarrje të gabuar. Nuk janë sqaruar disa paqartësi, si: në aktin e ekspertimit nuk ka dalë kufitar i të paditurit Veip Tahiri siç rezulton në vërtetimin e faktit të vitit 1992; nga ekspertimi mund të ishte kërkuar të sqarohej konfigurimi i pronave ndër vite; çfarë u bë prona e Veip Tahirit; të verifikohej koha e ndërtimeve të të paditurit; ku është kontrata e shitblerjes së pronësisë blerë nga i paditurit që përmendet në vërtetimin e faktit.
III. ARSYETIMI LIGJOR I VENDIMIT TË ANKIMUAR
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.9200, datë 16.11.2011, ndër të tjera ka arsyetuar se: “…(omissis)... “...Ne baze te nenit 8 dhe 12 te Kodit te Procedurës Civile, ... pala paditëse kishte detyrimin te provonte formën e lejuar nga ligji për fitimin e pronësisë dhe mënyrën e zhveshjes nga posedimi.
... kemi te bëjmë me një padi rivendikimi – rei vindicatio- e cila është një mjet i pronarit jo poseidues kundër poseiduesit jo pronare për kërkimin e sendit dhe te mirave materiale qe ai ka krijuar (cum omni causa).
Nga analiza e provave shkresore rezulton se trashëgimlënësi i paditësit Veip Tahiri ka ndërtuar një banesë një katëshe të ndodhur në Tiranë Rruga “Hamdi Cenoimeri”(ish fshati Sharre) e përbërë prej dy dhoma e një kuzhinë, verande, depo e WC, me oborr e portë me vete e kufizuar nga veriu me shtëpinë e Hajredin Zenelit, nga Jugu me shtëpinë e Remzi Veliut nga lindja me kodër dhe nga perëndimi me shtëpinë e Zeqir Zenelit (shiko vendim gjyqësor nr.9017 datë 07.11.1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me objekt Vërtetim fakti).
Më tej me kontratën e dhurimit nr.2004 Rep dhe nr.666 Kol datë 17.09.1997 rezulton se i ndjeri Veip Tahiri (me cilësinë e dhuruesit) i ka dhuruar Dashamir Tahirit (paditësit /pranues i dhurimit) gjysmën e pjesës të pandarë të shtëpisë si dhe oborrit të përshkruar në vendimin e sipërcituar.
Më tej edhe i padituri Muharrem Rosa ka vërtetuar gjyqësisht faktin juridik të ndërtimit të banesës së tij me vendim gjykate. Në bazë të vendimit nr.2542 datë 17.08.1992 të Gjykatës së Rrethit Tiranë me objekt vërtetim fakti është vendosur:”Pranimin e kërkesës së Muharem Rosa për njohjen e pronësisë mbi shtëpinë e ndërtuar në fshatin Sharrë të Tiranës të përbërë prej dy dhoma, një kuzhinë me aneks. Shtëpia kufizohet nga veriu me NB Selitë nga lindja me shtëpinë e Servet Tahirit nga perëndimi me parcelat e NB Selitë dhe nga jugu me shtëpinë e Veli Xhabaftit dhe Vehip Tahirit.” Me tej kjo prone eshte regjistruar ne regjistrat e hipotekes me nr.2896 date 12.09.1992.
Ne Vendimin e Gjykatës vërtetimin e faktit juridik të paditësit (trashëgimlënësit të tij) i padituri nuk rezulton të jetë kufitar i pronës ndërsa në vendimin e gjykatës Vërtetim fakti juridik të të paditurit Veip Tahiri (trashëgimlënësi i paditësit) rezulton të jetë kufitar nga jugu.
Nga tërësia e akteve rezulton se te dy palët ndërgjyqëse trashëgimlënësi i paditësit dhe i padituri rezultojnë të jenë te lista e pronareve të trojeve dhe shtëpive të miratuara nga Kryetari i Komunës të fshatit Selitë dhe konkretisht paditësi Veip Tahiri me nr.rendor 377 ka nr.e pasurise 47/2/17(sipërfaqe trualli 300m2 dhe 99m2 ndërtim) dhe i padituri Muharrem Rosa me nr.rendor 379 ka nr.pasurie 47/2/19 (sipërfaqe trualli 300m2 dhe 36m2 ndërtim).
... Nga akti ekspertimit date 01.04.2011 rezulton se i padituri Muharrem Rosa në bazë të akteve të depozituara dhe gjendjes së faktit ka zënë një sipërfaqe prej 870m2 nga 300m2 truall dhe ndërtim 70m2 nga 36m2 (ndërtimi i vjetër), pra kemi vetëm një ndërtim dhe jo dy ndërtime.
Nga sa me lart paditësi nuk ka mundur të provojë identifikimin e saktë të pronës të cilën pretendon se i ka humbur posedimin. Me qëllim pranimin e padisë së rivendikimit nga ligji kërkohet në mënyrë specifike provueshmëria e titullit të pronësisë mbi sendin e paluajtshme si edhe origjinën e saj (Probatio Diabolica) (ai prej të cilit e ka fituar (patur) tagrin), të kërkojë një send nominativisht të identifikueshëm si edhe të provojë humbjen e posedimit mbi sendin e kërkuar dhe se i padituri është posedues i paligjshëm (apo mbajtës i paligjshëm) i tij. Nga provat e paraqitura përfshirë edhe aktin e ekspertimit paditësi jo vetëm nuk ka mundur të provojë pronësinë mbi sendin të paluajtshëm, pasi edhe ky i fundit rezulton i papërcaktuar/identifikuar saktë në kufijtë e pretenduar, por njëkohësisht nuk ka provuar edhe humbjen e posedimit te tij dhe mbajtjen në mënyrë të paligjshëm të sendit nga i padituri ...”.
-
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.2268, datë 03.10.2012, ka arsyetuar në po të njëjtën mënyrë me Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë.
IV. NË LIDHJE ME REKURSIN E USHTRUAR
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala paditëse përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile që, motivojnë cënimin e vendimit nr.2268, datë 03.10.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson që, nga ana e palës paditëse me të drejtë parashtrohen shkaqe që lidhen me lejimin e shkeljeve të rënda procedurale në gjykim, sikurse janë ato me mos zhvillimin e një hetimi të plotë gjyqësor.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se hetimi i plotë dhe i gjithanshëm i çështjes në përputhje me ligjin (neni 14 i K. Pr. Civile) është parim themeltar i gjykimit civil dhe përbën një detyrim për gjykatat në të gjitha shkallët e gjykimit. Gjykatat e shkallës së parë dhe ato të apelit janë gjykata të faktit dhe të ligjit, në ndryshim nga Gjykata e Lartë, e cila është gjykatë ligji. Duke qenë të tilla, në gjykimin në shkallë të parë dhe në apel nuk ka asnjë pengesë, madje është detyrim që, gjykata të lejojë palët të paraqesin kërkimet e prapësimet, provat ku i mbështetin ato dhe të arrijnë në përfundimet përkatëse për zgjidhjen e çështjes, duke çmuar e vlerësuar provat sipas ligjit që është i zbatueshëm për gjykatën.
-
Në ndryshim nga dy gjykatat më të ulëta, Gjykata e Lartë ka për objekt vetëm zbatimin e ligjit material e procedural nga ana e tyre, por pa patur të drejtën të zhvillojë hetimin gjyqësor në drejtim të marrjes së provave, apo vlerësimit e çmimit të atyre që janë vënë në bisedim nga gjykatat më të ulëta.
-
Gjykata e Lartë nuk mund të përsërisë vetë tërësisht a pjesërisht hetimin gjyqësor, për shkakun e thjeshtë se, duke qenë vetëm gjykatë ligji, nuk i lejohet të marrë prova të reja apo të lejojë palët të debatojnë mbi provat, duke hetuar e çmuar ndryshe provat e debatuara në gjykimin në apel e shkallë të parë.
-
Duke e parë në tërësinë e vet gjykimin e çështjes, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vëren se, vendimi Gjykatës së Apelit Tiranë, është rrjedhojë e një hetimi të pamjaftueshëm.
-
Gjykata e apelit, në gjykimin dhe vendimin saj është mjaftuar vetëm me përsëritjen e rrethanave të faktit të pasqyruara në vendimin e gjykatës së shkallës së parë, duke ometuar fakte dhe rrethana të tjera të domosdoshme për t’u verifikuar, të cilat do ta orientonin drejt një zgjidhje ligjore të konfliktit.
-
Vendimi i Gjykatës është mbështetur në një hetim jo të plotë, nuk i është referuar në mënyrë korrekte konkluzioneve të ekspertit, duke arritur në vendimmarrje të gabuar.
-
Nga aktet dhe vendimet del që, të dyja pretendojnë të jenë pronarë në pronat e tyre, për të cilat të dyja kanë vendime gjyqësore vërtetimi fakti, por nga ana tjetër, në aktin e ekspertimit ekspertja shprehet për mbivendosje të pronave dhe për posedim të të paditurit të më shumë sipërfaqe sesa ka të njohur me vërtetimin e faktit, përfundime të cilat nuk janë analizuar nga gjykata.
-
Nga gjykimi nuk janë sqaruar disa paqartësi, të tilla si: pala paditëse në aktin e ekspertimit nuk ka dalë kufitar i të paditurit Veip Tahiri, siç rezulton në vërtetimin e faktit të vitit 1992; Gjykatat duhet të kishin hetuar, në lidhje me këto paqartësi, duke kërkuar dhe sqaruar konfigurimin e pronave ndër vite.
-
Një hetim më i plotë mund të arrinte në konkluzione më të qarta për sqarimin e mosmarrëveshjes, ndërkohë që edhe vendimi i gjykatës së apelit është thjeshtë përsëritje e atij të shkallës së parë dhe pa i dhënë përgjigje pretendimeve të palës paditëse të ngritura në ankim.
-
Nga sa më sipër Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, me qëllim kryerjen e një hetimi të plotë në lidhje me rrethanat e faktit, vendimi nr.2268, datë 03.10.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë do të prishet dhe çështja do të kthehet për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
-
Në rekursin e palës paditëse ngrihen edhe pretendime të tjera që lidhen zgjidhjen në themel të çështjes, për të cilat, në rigjykim, duhet të shprehet në mënyrë ezauruese gjykata e apelit, duke çmuar ajo vetë mbi nevojën dhe shkallën e përsëritjes së hetimit gjyqësor në funksion të dhënies përgjigje mbi shkaqet që ngrihen në ankimin e palës paditëse.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 485, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.2268, datë 03.10.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 10.03.2016
Nr. 11243-00248-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-722 i Vendimit (77)
Do'stlaringiz bilan baham: |