VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 16.03.2016, mori në shqyrtim çështjen civile që u përket palëve:
PADITËS: EMILIAN JAKUBINI
I PADITUR: AGJENSIA QËNDRORE E KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE TIRANË
BASHKIA SARANDË
OBJEKTI:
Saktësimi i Vendimit të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave
të Bashkisë Sarandë me nr.320, datë 09.08.1996
duke e përshtatur sipas studimit të ri urbanistik
miratuar me Vendimin e K.RR.T.R.SH-së nr.3, datë 19.02.1999.
Baza Ligjore: Nenet 32/a, 153, 154 të Kodit të Procedurës Civile,
ligji nr.7698, datë 15.04.1993, neni 16
“Për kthimin dhe kompensimin e pronës” me ndryshimet përkatëse, neni 18.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, me vendimin nr.23-2012-1467 (639), datë 17.05.2012, ka vendosur:
“Pranimin e kërkesë padisë me numër 11232-00768-23-2012 Regj. Them., datë 19.03.2012 regjistrimi të paditësit Emilian Jakubini.
Ndryshimin e vendimit numër 320 datë 09.08.1996 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish Pronarëve Bashkia Sarandë, për kompensimin fizik të pronës me sipërfaqe 575 m2, të ndodhur në Zonën Turizëm Kanali i Cukës, në bllokun numër “Kurora e Re”, parcela numër 139, duke e përshtatur atë me studimin urbanistik të ri të miratuar me vendimin nr.3 datë 19.02.1999 të K.RR.T.R.SH.-së, në Bllokun nr.6 Parcela nr.41, nr.55 me sipërfaqe 575 m2.
Shpenzimet gjyqësore lihen në ngarkim të palës paditëse.”
Gjykata e Apelit Gjirokastër, me vendimin nr.464, datë 09.10.2012, ka vendosur:
“Prishjen e vendimit nr.23-2012-1467 (639), datë 17.05.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë si gjykatë kompetente.”
Kundër vendimit nr.464, datë 09.10.2012, të Gjykatës së Apelit Gjirokastër ka paraqitur rekurs pala paditëse Emiljan Jakubini, nëpërmjet të cilit kërkon: Prishjen e vendimit nr.464 datë 09.10.2012, të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe dërgimin e çështjes po kësaj gjykate për vazhdimin e gjykimit, për këto shkaqe:
-
Gjykata e Apelit ka gabuar dhe nuk ka zbatuar drejt ligjin kur ka vendosur mbi kompetencën tokësore të çështjes, duke e dërguar atë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Gjykata e Lartë në një sërë vendimesh, sikurse dhe vendimet nr.00-2009-223 apo 00-2012-1586 (314) ka mbajtur qëndrimin se kompetente në këtë rast është gjykata e vendit ku ndodhet pasuria e paluajtshme.
-
Ndryshe nga sa ka pretenduar AKKP në lidhje me thirrjen e Bashkisë Sarandë, ne jemi koshientë që KKK Pronave pranë bashkive janë suprimuar dhe janë centralizuar nëpërmjet AKKP Tiranë, por ne kemi renditur Bashkinë Sarandë si palë të paditur veç AKKP Tiranë, për shkak të faktit se është pikërisht Bashkia Sarandë që ka shpërndarë sheshet e ndërtimit sipas studimit të ri urbanistik.
-
Edhe sikur kjo çështje të mos ishte në kompetencën e Gjykatë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, sërish në respektim të nenit 467/b të K.Pr.Civile, sa kohë që çështja ishte zgjidhur drejt, edhe nëse do të mungonte kompetenca tokësore, Gjykata e Apelit kish të drejtën të mos prishte vendimin e shkallës së parë, por thjesht t’i vinte në dukje gjykatës pasaktësinë përkatëse.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Majlinda Andrea, dëgjoi përfaqësuesin e palës paditëse, av.Zhyljen Ristani, që kërkoi prishjen e vendimit nr.464, datë 09.10.2012 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe kthimin e çështjes për rigjykim në po këtë gjykatë me tjetër trup gjykues; dëgjoi Avokatin e Shtetit, Abaz Deda që kërkoi prishjen e vendimit nr.23-2012-1467 (639), datë 17.05.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe vendimit nr.464, datë 09.10.2012, të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe kthimin për rigjykim pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë; si dhe bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
-
Rrethanat e Çështjes
1. Nga aktet e dosjes rezulton se paditësi Emilian Jakubini i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë me kërkesëpadinë me objekt “Saktësimi i Vendimit të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish Pronarëve të Bashkisë Sarandë me nr.320, datë 09.08.1996, duke e përshtatur sipas studimit të ri urbanistik ..”
2. Paditësi është njëri nga trashëgimtarët ligjorë të radhës së parë ish pronarit Andrea Jakubini. Në emër të këtij të fundit, KKK Pronave pranë Bashkisë Sarandë, me vendimin nr.320, datë 09.08.1996, ka vendosur t’i njohë të drejtën e pronësisë mbi një sipërfaqe prej 2308 m2, duke i dhënë të drejtën e parablerjes për një sipërfaqe prej 1773 m2, i cili ishte i zënë me stadiumin e lojërave me dorë dhe duke i kompensuar fizikisht një sipërfaqe prej 575 m2 në studimin urbanistik Turizëm Kanali i Cukës, blloku “Kurora e Re”, parcela 139.
2.1. Këtë truall pala paditëse e ka regjistruar në ZVRPP Sarandë , në librin 4, fq, 38 datë 16.08.1996 dhe e ka poseduar për një kohë të gjatë.
3. Më pas, sipas Studimit Urbanistik të Ri të miratuar me vendimin nr.3, datë 19.02.1999, të KRRTRSH sipërfaqja e truallit në ndodhur në bllokun “Kurora e Re”, parcela 139 prej 575 m2 është përshtatur në Bllokun nr.6 parcela nr.41 nr.55 me të njëjtën sipërfaqe. Kjo përshtatje është kryer nga vetë Drejtoria e Urbanistikës së Bashkisë Sarandë dhe planvendosja e re e pronës, i është përcjellë me shkresën nr.14/9 prot, datë 29.10.2009 ZVRPP Sarandë.
4. Paditësi ka pretenduar se edhe pse është dakord me vendimin e KKKPronave Sarandë, pas daljes së tij, ka lindur një rrethanë e re, e konkretisht është miratuar një studim urbanistik i ri, i cili ndryshon vendndodhjen e pronës, ndaj dhe ai kërkon të përshtatet vendimi i KKKPronave me këtë planvendosje të re, në përputhje me studimin e ri urbanistik.
5. Në përfundim të hetimit gjyqësor, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë me vendimin nr.23-2012-1467 (639), datë 17.05.2012, ka vendosur:
“- Pranimin e kërkesë padisë me numër 11232-00768-23-2012 Regj. Them., datë 19.03.2012 regjistrimi të paditësit Emilian Jakubini.
- Ndryshimin e vendimit numër 320 datë 09.08.1996 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish Pronarëve Bashkia Sarandë, për kompensimin fizik të pronës me sipërfaqe 575 m2, të ndodhur në Zonën Turizëm Kanali i Cukës, në bllokun numër “Kurora e Re”, parcela numër 139, duke e përshtatur atë me studimin urbanistik të ri të miratuar me vendimin nr.3, datë 19.02.1999, të K.RR.T.R.SH.-së, në Bllokun nr.6 Parcela nr.41, nr.55 me sipërfaqe 575 m2.
- Shpenzimet gjyqësore lihen në ngarkim të palës paditëse...”
5.1. Gjykata ka arsyetuar se: “…gjykata çmon se në kushtet kur me Studimin e Ri Urbanistik ka ndryshuar dhe planvendosja e pronës së palës paditëse, palës paditëse në këtë rast i mohohet një e drejtë më se legjitime, sikurse është e drejta e pronës, të cilën ajo nuk mund ta ushtrojë, pasi vendimi nr.320 datë 09.08.1996 mbetet efektivisht i pazbatueshëm. Ky vendim mbetet i pazbatueshëm për palën paditëse, sepse sipas tij sipërfaqja e truallit prej 575 m2 shtrihet në Zonën Turizëm Kanal i Cukës ndërsa sipas studimit të ri urbanistik, kjo pronë duhet të shtrihet në Bllokun nr.6, Parcela nr.41, nr.55.
Sigurisht që kjo kontradiktë e krijuar në këtë rast nuk ka ardhur për faj të palës paditëse, por për një shkak objektiv, miratimit të një studimi të ri urbanistik nga organi kompetent…”
6. Mbi ankim të palës së paditur AKKP Tiranë, Gjykata e Apelit Gjirokastër, me vendimin nr.464, datë 09.10.2012 ka vendosur:
“Prishjen e vendimit nr.23-2012-1467 (639), datë 17.05.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë si gjykatë kompetente.”
6.1. Gjykata e Apelit ka arsyetuar se: “…Gjykata e Apelit çmon se Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë ose gjyqtari i vetëm në kryerjen e veprimeve përgatitore bazuar edhe në kërkesat e neneve 42, 43, 61, e 158/a të K.Pr.Civile, duhej të kishte vendosur për moskompetencën e gjykatës sepse kjo çështje hyn në kompetencën e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë …”
7. Kundër vendimit nr.464, datë 09.10.2012 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër ka paraqitur rekurs pala paditëse Emiljan Jakubini, nëpërmjet të cilit kërkon: “Prishjen e vendimit nr.464, datë 09.10.2012 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe dërgimin e çështjes po kësaj gjykate për vazhdimin e gjykimit, për shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
-
Ligji i zbatueshëm
8. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile dhe vendimi unifikues nr.4, datë 10.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në të cilat është parashikuar:
8.1. Neni 16§1 i K.Pr.Civile: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
8.2. Neni 45§1 i K.Pr.Civile: “Paditë për të drejta reale mbi sende të paluajtshme, për pjesëtimin e sendeve të përbashkëta dhe për posedimin ngrihen në gjykatën e vendit ku ndodhen sendet ose pjesa më e madhe e tyre”.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson
9. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim e në vlerësim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, pretendimeve në rekurs, si dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore, çmon se rekursi i paraqitur nga pala paditëse Emiljan Jakubini, përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472§1 të Kodit të Procedurës Civile, që e bëjnë të cenueshëm vendimin nr.464, datë 09.10.2012 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër.
10. Vendimi nr.464, datë 09.10.2012, i Gjykatës së Apelit Gjirokastër, që ka prishur vendimin nr.23-2012-1467 (639), datë 17.05.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë vetëm për shkak të moskompetencës tokësore të kësaj gjykate dhe ka dërguar çështjen për rigjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është dhënë në zbatim të gabuar të ligjit procedural dhe për këtë shkak duhet të prishet.
11. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se Gjykata e Apelit Gjirokastër, në kundërshtim me nenin 16 të K.Pr.Civile, nuk ka përcaktuar drejt natyrën juridike të mosmarrëveshjes dhe shkakun e lindjes së saj. Sikurse pretendohet në rekurs, por është pranuar në seancën gjyqësore në Gjykatën e Lartë edhe nga Avokatura e Shtetit, gjykata e apelit ka arsyetuar në mënyrë të gabuar dhe në kundërshtim me neni 45 të Kodit të Procedurës Civile për moskompetencën e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë.
12. Nga shqyrtimi i përmbajtjes së padisë, objektit dhe shkakut të saj, evidentohet se me anë të kësaj padie, paditësi kërkon saktësimin e Vendimit të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish Pronarëve të Bashkisë Sarandë me nr.320, datë 09.08.1996, për shkak të nevojës së përshtatjes së planvendosjes së pronës me studimin e ri urbanistik miratuar me Vendimin e K.RR.T.R.SH-së nr.3, datë 19.02.1999. Pra marrëdhënia juridike për shkak të së cilës ka lindur konflikti ka në themel probleme që lidhen me të drejta reale mbi sende të paluajtshme, ndaj ky Kolegj vlerëson se në përcaktimin e kompetencës tokësore duhet referuar në nenin 45 të Kodit të Procedurës Civile, sipas të cilit, paditë për të drejta reale mbi sende të paluajtshme, ngrihen në gjykatën e vendit ku ndodhen sendet ose pjesa më e madhe e tyre.
13. Sendi i paluajtshëm objekt gjykimi, kundrejt të cilit drejtohen kërkimet e palës paditëse, ndodhet në qytetin e Sarandës, ndaj Kolegji Civil vlerëson se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë ka qenë kompetente nga pikëpamja tokësore për gjykimin e çështjes.
14. Për më tepër, ndërkohë që kjo çështje ka qenë në pritje për shqyrtim, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë me vendimin unifikues nr.4, datë 10.12.2013, kanë trajtuar për efekt të unifikimit të praktikës gjyqësore konfliktet e kompetencës territoriale në çështjet me objekt kundërshtim të vendimit të K.K.K.Pronave apo të A.K.K.Pronave, duke përcaktuar se këto çështje janë të natyrës civile dhe gjykohen nga gjykatat civile. Sipas këtij vendimi: “ ... në përcaktimin e kompetencës tokësore për shqyrtimin e këtyre çështjeve në varësi të natyrës së këtij gjykimi, objektit dhe shkakut ligjor të padisë, ... duhet të zbatohen parashikimet e nenit 45 të Kodit të Procedurës Civile lidhur me kompetencën tokësore ... dhe jo parashikimet e nenit 327 të K.Pr.Civile, që thotë se: “Padia kundër një akti administrativ shqyrtohet nga seksioni përkatës i gjykatës, në zonën e së cilës ka qendrën organi administrativ, ndaj të cilit drejtohet padia” (…)”..
15. Ky Kolegj, çmon të theksojë se referuar parimeve të së drejtës (ratio iuris), në përcaktimin e kompetencën tokësore të gjykatave për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve civile, në Kodin e Procedurës Civile është patur parasysh, midis të tjerave, edhe që palëve të mos u bëhet i vështirë aksesi në drejtësi. Në këtë kontekst i vlerësueshëm është fakti se për kategori të caktuara mosmarrëveshjesh procesi duhet të zhvillohet përpara një gjykate, vendndodhja e së cilës të ndihmojë që ai të zhvillohet në mënyrë sa më efektive dhe brenda një afati të arsyeshëm (Neni 6 i Konventës Europiane të së Drejtave të Njeriut, neni 42 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 4 i Kodit të Procedurës Civile).
16. Duke mbajtur në parasysh sa më sipër, nisur nga fakti që çështja ka qenë për gjykim në apel dhe veçanërisht referuar parimit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i tërheq vëmendjen Gjykatës së Apelit Gjirokastër se duhet të ishte më e kujdesshme në vlerësimin e çështjes së kompetencës, për më tepër kur sipas nenit 467/b të Kodit të Procedurës Civile, gjykatës së apelit i njihet e drejta të mos e prishë vendimin, kur gjykata për çështjen që nuk ishte në kompetencën e saj ka dhënë një vendim të drejtë dhe, nga ana tjetër, nuk janë kapërcyer kompetencat e gjykatës së cilës i takonte çështja.
17. Në përfundim, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.464, datë 09.10.2012 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër duhet të prishet dhe çështja të kthehet për rigjykim në po këtë gjykatë me tjetër trup gjykues.
18. Përsa i përket kërkimit të Avokaturës së Shtetit për kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësore Sarandë, me pretendimin se gjykata e shkallës së parë ka lejuar shkelje procedurale, se gjykimi është zhvilluar në mungesë të palës së paditur dhe pa njoftuar Avokaturën e Shtetit, Kolegji Civil çmon se nuk mund ta marrë në konsideratë këtë pretendim, përsa kohë që nga pala paditur nuk ka paraqitur rekurs dhe i vetmi rekurs, ai i palës paditëse ka lidhje me çështjen e kompetencës territoriale të gjykatës.
19. Kolegji Civil, megjithatë çmon se Gjykata e Apelit Gjirokastër, në rigjykim, ka për të detyrë të vlerësojë gjithë pretendimet e palëve, problemet e ngritura nga Avokatura e Shtetit, si dhe të marrë në shqyrtim gjithë rrethanat që kanë rëndësi për zgjidhjen e drejtë të çështjes.
19.1. Gjykata t’u bëjë të qartë palëve se është detyrë e secilës prej tyre, që në përputhje me ligjin, të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm e provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Në zgjidhjen e drejtë e ligjore të mosmarrëveshjes, ashtu si palët kanë të drejta, ato kanë dhe detyrime që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara në Kodin e Procedurës Civile (neni 3).
19.2. Gjykata e Apelit Gjirokastër, në rigjykim, duhet të mbajë në konsideratë se “... ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin (neni 14 i K.Pr.Civile) dhe, të bëjë një “cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen” në mënyrë që ta zgjidhë atë “në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi” (neni 16 i K.Pr.Civile).
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 485/c të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.464, datë 09.10.2012, të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 16.03.2016
Nr. 11243-01812-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-761 i Vendimit (83)
Do'stlaringiz bilan baham: |