VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej :
Ardian Nuni Kryesues
Aleksandër Muskaj Anëtar
Mirela Fana Anëtare
në datën 17.03.2016 shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen civile me palë :
PADITËS: SHOQËRIA “KOMFORT” SH.P.K, (në mungesë)
I PADITUR: ENEA ZHEKU, (në mungesë)
PERSON I TRETË: BANKA KOMBËTARE E GREQISË DEGA TIRANË (559), (në mungesë)
OBJEKTI:
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Kontratës së Sipërmarrjes
datë 20.09.2006 dhe zgjidhje e pasojave të rrjedhura nga kjo kontratë.
Lirimi dhe dorëzimi i lokalit dhe detyrimi i të paditurit të kthejë
shumat e qirasë të marra pas datës së depozitimit të padisë.
Baza Ligjore: Neni 153 i K.Pr.Civile.
Nenet 64, 67, 78, 686, 850, 92/ç dhe 93/2 të Kodit Civil.
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.2098, datë 16.03.2010 ka vendosur:
“Pranimin e padisë.
Konstatimin e pavlefshmërisë së Kontratës së Sipërmarrjes datë 20.09.2006 të lidhur midis sipërmarrësit shoqërisë “Komfort” sh.p.k. dhe porositësit Enea Zheku, për shkak teë fiktivitetit të kësaj kontrate. Zgjidhjen e pasojave të rrjedhura nga kjo kontratë e mësipërme fiktive, duke detyruar të paditurin (porositësin) Enea Zheku për t’i liruar dhe dorëzuar paditësit (sipërmarrësit) shoqërisë “Komfort” sh.p.k. dy lokalet objekt të kësaj kontrate, përkatesisht me sipërfaqe 137 m2 dhe 258 m2. Pushimin e gjykimit për pjesën tjetër të mbetur të padisë që lidhet me kërkimin e shumave të qirasë pas datës së depozitimit të padisë në gjykim (me heqje dorë nga gjykimi nga pala paditëse) ...”.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendim nr.489, datë 01.03.2011 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.2098, datë 16.03.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Kundër këtyre vendimeve ka paraqitur rekurs pala e paditur Enea Zheku duke kërkuar: “Ndryshimin e vendimit nr.489, datë 01.03.2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit nr.2098, datë 16.03.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe rrëzimin e kërkesë padisë.”.
Më datë 23.07.2015 pala e paditur Enea Zheku ka paraqitur deklaratën noteriale nr.851 Rep., nr.273/2 Kol, datë 23.07.2015 duke kërkuar: “ Heqjen dorë nga rekursi”.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATЁS SЁ LARTЁ
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Aleksandër Muskaj; në mungesë të palëve pjesëmarrëse, si shqyrtoi në tërësi çështjen,
V Ё R E N
Se në Gjykatën e Lartë duhet të vendoset pushimi i shqyrtimit të çështjes për shkak të heqjes dorë nga rekursi.
I. RRETHANAT E FAKTIT
1. Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, nga aktet e dosjes gjyqësore i rezultojnë të pranuara nga gjykatat e faktit rrethanat si vijon :
-
Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se: Paditësi shoqëria “Komfort” sh.p.k. është person juridik i regjistruar në Gjykaten e Rrethit Gjyqësor Tirane me vendimin nr.18958, date 04.03.1998, objekt i kësaj shoqërie është aktivitet në fushen e ndërtimeve.
-
Në kuadrin e veprimtarisë së vet dhe pas dhënies së lejes nga organet kompetente, pala paditëse shoqëria “Komfort” sh.p.k. në periudhën 2000-2002 ka realizuar ndërtimin e një ndërtese polifunksionale 10-12 kate në Rrugen e Durrësit (Tiranë), ndërtim ky i cili rezulton të jetë regjistruar pranë Z.V.R.P.P. me nr.111 hipotekor, datë 29.12.2003; çka faktohet nga praktika e dhënies së lejes së ndërtimit si dhe vërtetimi hipotekor i vitit 2003, administruar në këtë gjykim.
-
Më datë 20.09.2006, mes palës paditëse shoqëria “Komfort” sh.p.k. dhe të paditurit Enea Zheku është lidhur një Kontratë Sipërmarrje sipas së cilës, Sipërmarrësi (shoqëria “Komfort” sh.p.k.) merr përsipër që t’i ndërtojë dhe dorëzojë porositësit (të paditurit Enea Zheku) dy lokale (respektivisht 137 m2 dhe 258 m2) me sipërfaqe të përgjithshme 395 m2 dhe porositësi deklaron se e ben këtë porosi dhe do t’a pranojë objektin e porositur. Po ashtu, ne këtë kontratë palët kanë përcaktuar se vlera e objektit të porositur (për të dy lokalet) do të jetë 212.000 Euro dhe se likuidimi i kësaj shume që përben vleftën e objektit do të bëhet njëherazi mbasi të bëhet kalimi i pronësisë. Veç sa më sipër, në nenin 4/a të kësaj kontrate, porositësit (d.m.th të paditurit Enea Zheku) i është dhënë e drejta të përdore lirisht lokalet objekt i kësaj kontrate.
-
Rezulton se i padituri Enea Zheku, bazuar në këtë Kontrate Sipërmarrje, të ketë lidhur më datë 19.04.2008 një kontratë qeraje me personin e tretë Banka Kombëtare e Greqisë Sh.a. - Dega Tiranë (559), objekt i së cilës ka qenë dhënia me qira e njërit prej ambienteve dhe pikërisht atij me siperfaqe 258 m2 për një afat 8 vjet dhe me çmim qiraje 13 Euro/m2.
-
Pala paditëse shoqëria “Komfort” sh.p.k me pretendimin se Kontrata e Sipërmarrjes datë 20.09.2006 e lidhur midis saj si Sipërmarres dhe te paditurit Enea Zheku si Porositës është një veprim juridik absolutisht i pavlefshëm sepse është fiktiv d.m.th ekziston një mospërputhje midis vullnetit të vërtetë të palëve dhe shfaqjes së tij të jashtme të materializuar në formën e kontratës së sipermarrjes, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesë padinë objekt gjykimi. Pala paditëse ka parashtruar se në rastin konkret palët nuk kanë pasur si qëllim që të sjellin (efekte) pasoja juridike (kalimin e pronësisë nga Sipërmarrësi tek Porositësi apo Porositësi të përfitonte të ardhurat e objektit në kontratën e qërasë); porse të krijojnë kundrejt të tretëve paraqitjen (dukjen) e transferimit të së drejtës nga njëra pale tek tjetra, për arsye që ato i kanë vlerësuar vetë gjatë marrëdhënies së posaçme – bashkëjetesës së faktit që kanë pasur (administratorja Laura Myslih me të paditurin Enea Zheku).
-
I padituri Enea Zheku duke prapësuar ka parashtruar faktin se në kundërshtim me sa parashtron pala paditëse, Kontrata e Sipërmarrjes datë 20.09.2006 nuk është fiktive dhe se ka prodhuar pasoja duke sjellë për këtë në vëmendje faktin se mes tij (të paditurit) dhe personit të tretë Banka Kombëtare e Greqisë - Dega Tiranë (559) është lidhur një kontratë qiraje (me hollësisht për këto shih aktet në dosje), ka kërkuar rrëzimin e kërkesë padisë.
II. PROCEDURAT GJYQËSORE
-
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.2098, datë 16.03.2010 ka vendosur: “Pranimin e padisë. Konstatimin e pavlefshmërisë së Kontratës së Sipërmarrjes datë 20.09.2006 të lidhur midis sipërmarrësit shoqërisë “Komfort” sh.p.k. dhe porositësit Enea Zheku, për shkak teë fiktivitetit të kësaj kontrate. Zgjidhjen e pasojave të rrjedhura nga kjo kontratë e mësipërme fiktive, duke detyruar të paditurin (porositësin) Enea Zheku për t’i liruar dhe dorëzuar paditësit (sipërmarrësit) shoqërisë “Komfort” sh.p.k. dy lokalet objekt të kësaj kontrate, përkatesisht me sipërfaqe 137 m2 dhe 258 m2. Pushimin e gjykimit për pjesën tjetër të mbetur të padisë që lidhet me kërkimin e shumave të qirasë pas datës së depozitimit të padisë në gjykim (me heqje dorë nga gjykimi nga pala paditëse) ...”.
-
Gjykata e Apelit Tiranë me vendim nr.489, datë 01.03.2011 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.2098, datë 16.03.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
-
Kundër këtyre vendimeve ka paraqitur rekurs pala e paditur Enea Zheku duke kërkuar:
“Ndryshimin e vendimit nr.489, datë 01.03.2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit nr.2098, datë 16.03.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe rrëzimin e kërkesë padisë”.
Në shkaqet e rekursit të pretenduara prej të paditurit veçohen:
-
Vendimet janë të pa rregullta dhe të pa drejta, mosrespektimi i normave parimore procedurale që kanë të bëjnë me hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të rrethanave të çështjes, të paraqitjes së provës dhe vlerësimit të drejtë e objektiv të tyre, përbëjnë pretendimin e të paditurit ndaj gjykimit.
-
Nga sa më sipër, kur shtrohet për diskutim gjyqësor fiktiviteti që determinon pavlefshmërinë e një veprimi juridik, provat janë të pa mjaftueshme vetëm për vërtetimin e simulimit (në rastin konkret edhe ky nuk provohet), pasi ato duhet shoqërohen dhe me provimin e qëllimit (veprim juridik) që palët kërkojnë të arrijnë nëpërmjet kontratës të simuluar.
-
Gjykatat lanë pa përgjigje thelbin e mosmarrëveshjes, atë që konkretisht palët kërkonin të realizonin nëpërmjet kontratës fiktive të sipërmarrjes. Paditësi vetëm pretendoi se e ka lidhur sa për sy e faqe kontratën e sipërmarrjes, por nuk shihet të ketë provuar qëllimin e vërtetë që donte të arrinte nëpërmjet saj. Pra shihet se padi pranohet pa u realizuar një verifikim apo hetim, mungesa e të cilit, passjell që qenia apo jo e veprim i simuluar nuk përbën provë thelbësore.
-
Gjykatat duke arsyetuar se vlera e çmimit është e konsiderueshme dhe nuk eshte paguar nga i Padituri, e konsiderojnë element fiktiv të kontratës së sipërmarrjes, pasi kjo e fundit eshte ne çdo rast me shpërblim.
-
Gjykatat me dashje "harruan" të zbatojnë ligjin civil lidhur me rregullimin e pasojave nga konstatimi i pavlefshëm i kontratave fiktive (neni 106/1 i KC), duke dëmtuar kështu rëndë dhe interesat pasurore të shtetit. Nëse për një çast kontratat sipas gjykatave, për të metat e tyre do të ishin fiktive, nga aktet në dosje rezulton se qëllimi i Paditësit përderisa nuk u vërtetua e kundërta, duhet të kenë qenë për të mbuluar një veprim të paligjshëm, si; shmangia nga tatimet, nga kreditoret, përfitimi qirave pa iu nënshtruar tatim mbi fitimin etj.. Në këtë rast gjykata duhet të aplikonte nenin 106/1 të KC . Edhe nëse do të replikohej për aplikimin e paragrafit të dytë të këtij neni, mirëbesimi i paditësit as që bëhet fjalë të ekzistonte në lidhjen e kontratës.
-
Më datë 23.07.2015 pala e paditur Enea Zheku ka paraqitur deklaratën noteriale nr.851 Rep., nr.273/2 Kol, datë 23.07.2015 duke kërkuar:
“ Heqjen dorë nga rekursi”.
III. ARSYETIMI LIGJOR I VENDIMIT TË ANKIMUAR.
-
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.2098, datë 16.03.2010 ndër të tjera se:
“… (omissis) …nuk kemi të bëjmë me kontratë sipërmarrje në kuptim të neneve 850 e vijues të K. Civil, pasi puna e marrë përsipër ka përfunduar para nënshkrimit të kësaj marrëveshje. Në këtë aspekt, mungesa e objektit të përcaktuar e bën këtë kontratë të pavlefshme për shkak të mungesës së elementit thelbësor të saj (pra, qëllimit të kontratës), fakt që vërteton fiktivitetin e saj. - Po ashtu, Gjykatës i tërheq vëmendjen edhe fiksimi i vlerës prej 419 Euro/m2, dukshëm ky çmim shumë herë më i ulët se ai real (fakt ky që u ngrit në kuadrin e pretendimeve edhe nga pala paditëse), për të cilin duhet thënë se bie ndesh me dispozitat e përgjithëshme e parimet lidhur me natyrën ekonomike të detyrimit, korrektesës së pjesëmarrësve në të, sanksionuar në nenin 422 të K. Civil… Gjithashtu dhe përcaktimi në kontratë i mënyrës sesi do të kryhej pagesa, tregon për fiktivitetin e saj dhe nuk shpreh vullnetin e palës paditëse, pasi kjo e fundit si shoqëri tregtare ka për qëllim fitimin dhe jo humbjen. Së dyti: Nga shqyrtimi gjyqësor (provat shkresore dhe pohimet e palëve) rezulton se Porositësi (i padituri) ndonëse sipas kontratës ka bërë një porosi me vlerë shumë të madhe (212.000 Euro e barazvlefshme me 419 Euro/m2) nuk i ka bërë asnjë pagesë palës paditëse në një kohë që kontrata e sipërmarrjes lidhet me shpërblim; çka do të thotë se nga pikëpamja volitive (e vullnetit të zbatimit të ligjit) vetë palët në lidhjen e kësaj kontrate kanë qënë të ndërgjegjshme për fiktivitetin e saj, prandaj nuk është realizuar pagesa dhe e kanë përshkruar sikur pala sipërmarrëse do të bënte ndërtimin e të dy lokaleve kur në fakt objekti ishte i regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë përfaqësuesja e shoqërisë ka dalë jashtë tagrave të saj të dhëna me prokurë, ky veprim i saj është në kundërshtim me nenet 64, 65, 70, 78 të K.Civil dhe se këtë veprim (kjo përfaqësuese) e ka kryer me pëlqimin e saj dhe të paditurit, të dy të ndërgjegjshëm për këtë veprim, duke patur si bazë “fiktivitetin e kësaj kontrate”, kontratë kjo që për shkak të fiktivitetit duhet thënë se nuk rezulton të jetë lidhur para një autoriteti të ngarkuar nga ligji siç është noteri.
Që kjo kontratë është fiktive buron edhe nga fakti që ajo është lidhur gjatë kohës që përfaqësuesja e palës paditëse Laura Myslih bashkëjetonte me të paditurin Enea Zheku, frut i së cilës siç dhe është cituar dhe më sipër ishte dhe pasja e një fëmijë.
Në këto kushte si dhe duke marrë për bazë edhe faktin se edhe të ardhurat (qëraja) që do “përfitonte” i padituri Enea Zheku nga kontrata me Bankën Kombëtare të Greqisë (me cilësinë e personit të tretë në gjykim) janë tërhequr (marrë) prej paditëses (fakt ky që për më tepër pohohet edhe nga vetë i padituri), përforcon dhe nxjerr në dukje faktin e mungesës së qëllimit të vërtetë të palëve në lidhje me kontratën e sipërmarrjes midis tyre….”.
-
Gjykata e Apelit Tiranë me vendim nr.489, datë 01.03.2011 ndër të tjera arsyeton se:
“...Gjykata drejt ka argumentuar se nga provat e paraqitura gjatë gjykimit arrihet në përfundimin se vetë palët me sjelljen e tyre si para dhe pas përfundimit të kontratës së sipërmarrjes u ka munguar vullneti dhe qëllimi i vërtetë për lidhjen e kësaj kontratë. Ka rezultuar i provuar fakti se ndërtesa ku përfshiheshin dhe dy lokalet objekt kontrate ishin ndërtuar më parë dhe se pala paditëse e kishte regjistruar pallatin…në këtë aspekt mungesa e objektit të përcaktuar e bën këtë kontratë të pavlefshme…gjykimi i çështjes me të drejtë nga ana e gjykatës është zhvilluar në mungesë të paditurit…dhe personit të tretë pasi … kanë patur dijeni rregullisht për ditën dhe orën e zhvillimit të seancës gjyqësore pa shkaqe të arsyeshme nuk janë paraqitur… që kjo kontratë është fiktive buron edhe nga fakti që ajo është lidhur gjatë kohës që përfaqësuesja e palës paditëse.. bashkëjetonte me të paditurin.. gjithashtu fakti se të ardhurat që do merrte i padituri nga kontrata me Bankën…janë tërhequr prej palës paditëse provojnë mungesën e qëllimit të vërtetë..”
IV. NË LIDHJE ME REKURSIN E USHTRUAR
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, ndodhemi përpara kushteve ligjore kur duhet të vendoset pushimi i gjykimit të çështjes në Gjykatën e Lartë.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mban në vëmendje dispozitat e neneve 442/b, 490 dhe të K.Pr.Civile, në lidhje me zgjidhjen e drejtë të çështjes.
-
Në nenin 442/b të Kodit Civil përcaktohet se: “Rekursi është akti me të cilin palët ose pjesëmarrësit e tjerë në proces parashtrojnë kundërshtimet e tyre ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë ose të gjykatës së apelit në Gjykatën e Lartë, sipas rregullave të përcaktuara në këtë Kod.”.
-
Në nenin 490 të Kodit të Procedurës Civile përcaktohet se: “Pala mund të heqë dorë nga rekursi derisa nuk është filluar relatimi në seancë gjyqësore. Heqja dorë nga rekursi bëhet me shkrim e nënshkruar nga vetë pala ose avokati i saj i pajisur me prokurë për këtë qëllim....”.
-
Duke interpretuar dispozitat e Kodit të Procedurës Civile në tërësinë e tyre shihet si i gjithë procesi gjyqësor civil përshkohet për gjatë gjithë fazave të tij prej parimit të disponibilitet.
-
Parimi i disponibilitetit është një parim bazë i së drejtës procedurale civile. Ky parim shprehet në disa drejtime dhe në faza të ndryshme të procesit gjyqësor, ai gjen reflektimin e tij edhe në dispozitat që trajtojnë rekursin, ku ligji procedural iu jep mundësi palëve, që të heqin dorë nga rekursi, duke përcaktuar edhe efektin që passjell kjo e fundit.
-
Gjykata e Lartë nuk mund të vazhdojë gjykimin në kushtet kur personit, i cili e ka vënë atë në lëvizje i mungon vullneti për ta vazhduar atë më tej.
-
Gjykata vetëm tregon kujdes që, në zbatim të ligjit, të sigurohet se vullneti i palës të mos jetë i vesuar dhe heqja dore nga rekursi të parashtrohet në përputhje me rregullat e parashikuara në ligj.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë konstaton se pranë Gjykatës së Lartë më datën 27.07.2015 (nr.E-137 prot.) është depozituar kërkesa për heqje dorë nga rekursi e nënshkruar nga i padituri Enea Zheku. Kërkesa për heqjen dorë nga rekursi është redaktuar përpara noteres Merita Prifti.
-
Sa më sipër Kolegji çmon te theksojë se, deklarata noteriale e realizuar përpara noterit përfshihet në kategorinë e akteve publike dhe se përbën provë të plotë në lidhje me faktet që kanë ngjarë në prani të noterit.
-
Detyrë e noterit referuar edhe ligjit për noterinë është që të vërtetojë identitetin e palës, si dhe faktin se vullneti i paraqitur është një vullnet i lirë.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë e vlerëson kërkesën për heqje dorë nga rekursi në pajtim me kushtet e parashikuara nga neni 490 i Kodit të Procedurës Civile, që përcakton se: “Pala mund të heqë dorë nga rekursi derisa nuk është filluar relatimi në seancë gjyqësore. Heqja dorë nga rekursi bëhet me shkrim e nënshkruar nga vetë pala ose avokati i saj i pajisur me prokurë për këtë qëllim....”.
-
Ky kolegj vëren se kërkesa me shkrim për heqje dore nga rekursi, e nënshkruar nga vetë pala e paditur, e redaktuar përpara noterit, përpara se të fillojë relatimi i çështjes në seancë gjyqësore, përbën heqje dorë të kësaj pale nga rekursi i paraqitur kundër vendimit nr.489, datë 01.03.2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
-
Lidhur me sa më sipër, gjykata konstaton se në rast se i paraqitet një kërkesë për heqje dorë nga rekursi, atëherë gjykatës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të konstatojë faktin dhe të vendosë si pas objektit të kërkesës, pasi zhvillimi apo jo i procesit gjyqësor, lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me konceptin e disponibilitetit.
-
Në këto rrethana, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, në kuptim të dispozitave të sipërcituara, duhet të vendoset pushimi i gjykimit të çështjes civile nr.1243-00549-00-2013 në këtë gjykatë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, bazuar në përcaktimet e nenit 490 dhe 491 të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Pushimin e shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Lartë për shkak të heqjes dorë nga rekursi.
Tiranë, më 17.03.2016
Nr. 11231-00632-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-913 i Vendimit (91)
Do'stlaringiz bilan baham: |