VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Ardian Nuni Kryesues
Aleksandër Muskaj Anëtar
Mirela Fana Anëtare
në datën 17.03.2016, mori në shqyrtim në seancën gjyqësore çështjen civile nr.11243-01516-00-2013 Regj. Themeltar, që i përket palëve:
KËRKUES: PETER PHILIPS, (në mungesë).
GEORGE PHILIPS, (në mungesë).
OBJEKTI:
Njohjen dhe dhënien fuqi të Vendimit Letrës testamentare datë 11.05.2007,
të Gjykatës Harris Lwis të Gjykatës së Probateve (Probate Court),
të kontesë Chatam të Shtetit të Georgia të SHBA,
që shqyrtoi testamentin e së ndjerës Tefta Kotta Philips, datë 02.06.1997.
Baza Ligjore: Neni 393-398 të Kodit të Procedurës Civile.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.63 datë 09.04.2013 ka vendosur:
“Rrëzimin e kërkesës së kërkuesave Peter Philips dhe George Philips me objekt dhënie fuqie letrës testamentare.”
Kundër vendimit nr.63 datë 09.04.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë ka paraqitur rekurs pala kërkuese Peter Philips dhe George Philips, nëpërmjet të cilit kërkon:
Prishjen e vendimit nr.63 datë 09.04.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe pranimin e kërkesës për dhënie fuqi vendimit, Letrës Testamentare datë 11.5.2007, të Gjykatësit Harry Lwis, të kontesë Chatam të shtetit Georgia të SHBA, që shqyrtoi testamentin e së ndjerës Tefta Kotta Philips, datë 02.06.1997, që caktonte si trashëgimtarë të saj, të dy djemtë Peter Philips dhe George Philips, për këto shkaqe:
- Arsyetimi i Gjykatës së Apelit është i gabuar, i padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin. Gjatë gjykimit nuk u vërtetua asnjë pengesë ligjore në kuptim të nenit 394 për zbatimin e vendimeve të Gjykatës së huaj.
- Në kreun IX të Kodit të Procedurës Civile (nenet 393-399) nuk ka dispozita që të parashikojnë dhënien fuqi vetëm të vendimeve të ashtuquajtura të mirëfillta ose të vendimeve që zgjidhin vetëm mosmarrëveshje ndërmjet personave. Për më tepër, çelja e dëshmisë së trashëgimisë dhe në vendin tonë është dhe do të jetë në juridiksionin gjyqësor deri në datën 01.09.2013 bazuar në ligjin nr.121/2013.
- Gjykata e Apelit nuk ka patur parasysh Ligjin nr.9060 datë 08.05.2003 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në “Konventën për heqjen e kërkesës për legalizimin e dokumentave zyrtare të huaja”.
- Po ashtu, Gjykata e Apelit nuk mundi të shqyrtonte si duhet përmbajtjen e rëndësishme të certifikimit të dokumenteve të paraqitura si prova të nënshkruara dhe vulosura nga autoriteti i nëpunësve të Gjykatës së Lartë të shtetit SHBA, të kryera në bazë dhe në pajtim të Konventës së Hagës ku vendi ynë ka aderuar me Ligjin nr.9060, datë 08.05.2003. Të gjitha dokumentet e paraqitura kanë qenë në përputhje me ligjin shqiptar, Konventën e Hagës dhe shtojcën e kësaj Konvente të bashkëlidhur me ligjin e sipërpërmendur.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Mirela Fana, në mungesë të palëve ndërgjyqëse, si diskutoi e analizoi çështjen në tërësi
V Ë R E N
Rrethanat e Faktit
-
Kërkuesit Peter Philips dhe George Philips janë fëmijët e së ndjerës Tefta Kotta Philips.
-
Ka rezultuar se kjo e fundit, e cila ka qenë bija e ish-kryeministrit shqiptar Koço Kotta, ka ndërruar jetë në SHBA më datë 09.04.2007.
-
Në testamentin e saj datë 02.06.1997, ndër të tjera, në pikën 6 të saj ajo specifikon në cilësinë e “Ekzekutorëve” (“Trustees”), bashkëshortin e saj dhe dy djemtë e saj (bashkë-ekzekutorë). Po ashtu, në pikën 3 (b) të testamentit, trashëgimlënësja është shprehur se të gjithë pasurinë e saj personale të luajtshme ia linte me testament bashkëshortit të saj Andro Peter Philips dhe nëse ai vdiste më parë se ajo, ia linte në mënyrë të barabartë dy djemve të saj Peter Philips dhe George Philips. Në përmbajtje të testamentit, testamentlënësja gjithashtu ka specifikuar mënyrën konkrete të kalimit të pasurisë së saj trashëgimore tek trashëgimtarët testamentarë në formë të detajuar.
-
Bashkëshorti i së ndjerës Tefta Kotta Philips, ka ndërruar jetë para saj më datë 07.07.2004, sikurse vërtetohet nga certifikata përkatëse e vdekjes. Për pasojë, ekzekutorë të testamentit të së ndjerës, janë bërë dy djemtë e saj, kërkuesit në këtë proces, Peter Philips dhe George Philips, të cilët gjithashtu përfitojnë edhe pjesë sipas specifikimeve të testamentit.
-
Më datë 11.07.2007 Gjykata e Probateve (Probate Court) e kontesë Chatam, të shtetit të Georgia-s së SHBA-së, (gjykatë e cila ka kompetencë të limituar, ndër të tjera, për shqyrtimin e vlefshmërisë së testamenteve dhe administrimin e pasurive të paluajtshme, me qëllim edhe likuidimin e detyrimeve të të ndjerit ndaj shtetit apo subjekteve të tjera), pasi ka shqyrtuar testamentin e së ndjerës Tefta Kotta Philips datë 02.06.1997, ka urdhëruar që dy djemtë e saj Peter Philips dhe George Philips, të emëruar si ekzekutorë të testamentit, të lejohen ligjërisht të kryejnë gjithë detyrat sipas vullnetit të së ndjerës dhe ligjit, për ekzekutimin e testamentit.
-
Kjo letër është shoqëruar me apostilen përkatëse dhe çertifikuar sipas legjislacionit të SHBA-së, në përmbajtje të të cilave referohet Konventa e Hagës e 5 tetorit 1961 dhe në këto kushte, pala kërkuese i është drejtuar Gjykatës së Apelit Tiranë me kërkesë për njohjen dhe dhënien fuqi vendimit gjyqësor, Letrës Testamentare datë 11.05.2007 të Gjykatës së Probateve të shtetit të Georgia-s në SHBA.
-
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.63 datë 09.04.2013 ka vendosur rrëzimin e kërkesës së kërkuesave Peter Philips dhe George Philips me objekt dhënie fuqie letrës testamentare.
-
Në marrjen e këtij vendimi, Gjykata e Apelit Tiranë ka arsyetuar se: “...sikurse theksoi dhe përfaqësuesi i palëve në gjykim kërkohej që ti jepej fuqi Letrës Testamentare 11.05.2007 të Gjykatës Harris Leëis të shtetit Georgia të SHBA ku janë caktuar si ekzekutues të testamentit dhe cilësuar trashëgimtarë kërkuesit Peter Philips dhe George Philips. Gjykata e Apelit Tiranë pasi dëgjoi shpjegimet e përfaqësuesit të palëve kërkuese e administruar provat bashkangjitur kësaj kërkese konkludon se nuk ndodhemi para rasteve të parashikuara nga nenet 393 -397 të K.Pr.Civile. Në rastin konkret nuk kemi një vendim të mirëfilltë, ku gjykata të ketë vendosur për një mosmarrëveshje të lindur, mes personave. Sipas nenit 396 të K.Pr.Civile: Kërkesës për t’i dhënë fuqi vendimit të gjykatës së huaj duhet t’i bashkëngjiten: a. Kopja e vendimit që duhet të zbatohet dhe përkthimi në gjuhën shqipe i legalizuar nga noteri. b. vërtetim nga gjykata që e ka nxjerrë vendimin se ai ka marrë formë të prerë, si edhe përkthimi e legalizimi noterial i tij. Si kopja e vendimit ashtu dhe vërtetimi se vendimi ka marrë formë të prerë, duhet të jenë vërtetuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë. c. Prokura, në rast se kërkesa paraqitet nga përfaqësuesi i të interesuarit, e përkthyer dhe e legalizuar te noteri.” Duke iu referuar kësaj dispozite, nuk plotësohen në rastin konkret pika a dhe b të saj. Në rrethana të tilla ky këshill gjyqësor vlerëson se kërkesa e kërkuesve Peter Philips dhe George Philips nuk duhet të pranohet pasi nuk pajtohet me parimet bazë të legjislacionit shqiptar...”
-
Kundër vendimit nr.63 datë 09.04.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë ka paraqitur rekurs pala kërkuese Peter Philips dhe George Philips, nëpërmjet të cilit kërkon prishjen e vendimit nr.63 datë 09.04.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe pranimin e kërkesës për dhënie fuqi vendimit, Letrës Testamentare datë 11.05.2007, të Gjykatësit Harry Lwis, të kontesë Chatam të shtetit Georgia të SHBA, që shqyrtoi testamentin e së ndjerës Tefta Kotta Philips, datë 02.06.1997, që caktonte si trashëgimtarë të saj, të dy djemtë Peter Philips dhe George Philips, për shkaqet e parashtruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
-
Dispozitat e K.Pr.Civile në të cilat është parashikuar:
10.1 Neni 393 “Vendimet e gjykatave të shteteve të huaja njihen dhe zbatohen në Republikën e Shqipërisë , në kushtet e parashikuara në këtë Kod ose në ligje të veçanta.
Kur për këtë qëllim ka marrëveshje të posaçme ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shtetit të huaj zbatohen dispozitat e marrëveshjes.”
10.2 Neni 394“Vendimit të një gjykate të shtetit të huaj nuk i jepet fuqi në Republikën e Shqipërisë kur:
a) sipas dispozitave që janë në fuqi në Republikën e Shqipërisë, mosmarrëveshja nuk mund të jetë në kompetencën e gjykatës së shtetit që ka dhënë vendimin;
b) kërkesëpadia dhe letërthirrja për në gjyq nuk i është njoftuar të paditurit në mungesë, në mënyrë të rregullt e në kohë, për t’i dhënë atij mundësi që të mbrohet;
c) midis po atyre palëve, për të njëjtin objekt e për të njëjtin shkak, është dhënë një vendim tjetër i ndryshëm nga gjykata shqiptare;
ç) është duke u shqyrtuar nga gjykata shqiptare një padi që është ngritur përpara se vendimi i gjykatës së shtetit të huaj të ketë marrë formë të prerë;
d) i është dhënë forma e prerë në kundërshtim me legjislacionin e tij;
dh) nuk pajtohet me parimet bazë të legjislacionit shqiptar.”
10.3 Neni 395 “Kërkesa për t’i dhënë fuqi vendimit të gjykatës së huaj i paraqitet gjykatës së apelit. Kërkesa mund të paraqitet edhe në rrugë diplomatike, kur ajo është e lejueshme nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe mbi bazën e reciprocitetit.
Në këto raste, në qoftë se pala e interesuar nuk ka emëruar përfaqësues, kryetari i gjykatës së apelit emëron një avokat për të paraqitur kërkesën.”
10.4 Neni 396 “Kërkesës për t’i dhënë fuqi vendimit të gjykatës së huaj duhet t’i bashkëngjiten:
a) kopja e vendimit që duhet të zbatohet dhe përkthimi i tij në gjuhën shqipe i legalizuar nga noteri;
b) vërtetim nga gjykata që e ka nxjerrë vendimin se ai ka marrë formë të prerë, si edhe përkthimi e legalizimi noterial i tij. Si kopja e vendimit ashtu edhe vërtetimi se vendimi ka marrë formë të prerë, duhet të jenë vërtetuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë;
c) prokura, në rast se kërkesa paraqitet nga përfaqësuesi i të interesuarit, e përkthyer dhe e legalizuar te noteri.”
10.5 Neni 397“Gjykata e apelit nuk e shqyrton çështjen në themel, por vetëm kontrollon nëse vendimi i paraqitur nuk përmban dispozita që vijnë në kundërshtim me nenin 394.
Për kërkesën e paraqitur gjykata e apelit jep vendim.”
10.6 Neni 398“Vendimi i gjykatës së shtetit të huaj zbatohet në Republikën e Shqipërisë vetëm në bazë të vendimit të gjykatës të apelit që i jep fuqi këtij vendimi dhe ekzekutohet në përputhje me dispozitat përkatëse të këtij Kodi.”
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON
-
Se rekursi i paraqitur nga kërkuesit Peter Philips dhe George Philips nuk përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile, që motivojnë cenimin e vendimit nr.63 datë 09.04.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili ka vendosur rrëzimin e kërkesës për dhënien fuqi ndaj letrës testamentare në favor të kërkuesve.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, çmon se vendimi 63 datë 09.04.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë, është rrjedhojë e respektimit të ligjit procedural, ndaj për këtë shkak ai duhet të lihet në fuqi.
-
Për çështjen objekt gjykimi, Gjykata e Apelit Tiranë, ka konkluduar se kërkesa e kërkuesve Peter Philips dhe George Philips për dhënien fuqi ndaj letrës testamentare të lëshuar në SHBA në favor të tyre, nuk duhet të pranohet pasi nuk pajtohet me parimet bazë të legjislacionit shqiptar. Në argumentimin e qëndrimit të saj, gjykata e apelit ka arsyetuar se, në zbatim të neneve 393-398 të K.Pr.Civile, të cilat rregullojnë njohjen e vendimeve të shteteve të huaja, nuk gjendemi përpara një vendimi të mirëfilltë të huaj, ku gjykata t`i ketë dhënë zgjidhje nëpërmjet vendimmarrjes së saj, një mosmarrëveshje të lindur mes personave. Në të tilla rrethana, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se nuk janë plotësuar kriteret e përcaktuara në pikat a) dhe b) të nenit 396 të K.Pr.Civile, sipas së cilës kërkesës për t’i dhënë fuqi vendimit të gjykatës së huaj duhet t’i bashkëngjiten kopja e vendimit që duhet të zbatohet dhe përkthimi në gjuhën shqipe i legalizuar nga noteri, si dhe vërtetimi nga gjykata që e ka nxjerrë vendimin se ai ka marrë formë të prerë, së bashku me përkthimin e legalizimin noterial të tij, dokumenta këto të cilat, duhet të jenë vërtetuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë.
-
Kolegji Civil vlerëson se, përfundimi i arritur nga Gjykata e Apelit Tiranë, është i drejtë, i dhënë në kushtet e respektimit të neneve 393-398 të K.Pr.Civile mbi procedurën e njohjes dhe dhënies fuqi ligjore të vendimeve të shteteve të huaja dhe mbi pengesat e vendosura nga legjislacioni shqiptar që passjellin rrëzimin e një kërkese për njohje dhe ekzekutim të vendimit gjyqësor të huaj.
-
Ky Kolegj vlerëson se drejt ka arsyetuar Gjykata e Apelit Tiranë, kur ka konkluduar se, në kuptim të neneve të sipërcituara, në çështjen objekt gjykimi, nuk gjendemi përpara një vendimi gjyqësor themeli të gjykatës së huaj, ku gjykata t`i ketë dhënë zgjidhje përfundimtare nëpërmjet disponimit të saj, një mosmarrëveshje të lindur mes palëve në atë gjykim. Vendimi i cili kërkohet të njihet dhe t`i jepet fuqi ligjore, pra të ekzekutohet në territorin e Republikës së Shqipërisë, përbën një vendim deklarativ, i cili ka atestuar vërtetësinë e një testamenti të përpiluar dhe çelur në SHBA, sipas ligjeve të po atij shteti. Në këtë kuptim, dhënia fuqi ligjore nëpërmjet një vendimi njohjeje dhe ekzekutimi në Republikën e Shqipërisë, humbet kuptimin e saj, sa kohë që vendimi deklarativ nuk përbën një vendim detyrues i cili më pas të shndërrohet në një titull ekzekutiv, i aftë për t`u ekzekutuar në territorin e Republikës së Shqipërisë.
-
Në vijim të analizës së mësipërme, Kolegji Civil vlerëson se, njohja dhe dhënia fuqi ligjore ndaj letrës testamentare sipas pretendimit të kërkuesve në këtë proces, nuk mund të kryhet në formën e njohjes dhe zbatimit të vendimit të huaj, sa kohë që vetë ky vendim për nga natyra e tij është i paekzekutueshëm.
-
Thënë kjo, Kolegji Civil vlerëson se, pala kërkuese gëzon të gjitha mjetet procedurale të nevojshme për realizimin në Republikën e Shqipërisë, të interesave të saj ligjore, nëpërmjet përdorimit të Letrës Testamentare të lëshuar në SHBA në formën e provës në një proces të mëvetshëm gjyqësor, apo thjesht për të vërtetuar informacionin e përmbajtur në të pranë institucioneve përkatëse.
-
Së fundmi, Kolegji Civil thekson se argumentimi i Gjykatës së Apelit Tiranë në lidhje me natyrën e vendimit gjyqësor të gjykatës së huaj ka qenë i mjaftueshëm për të mbështetur vendimmarrjen e asaj gjykate, pa qenë i nevojshëm arsyetimi i mëtejshëm në lidhje me formën dhe legalizimin e dokumenteve mbështetëse e provuese të kërkesës së paraqitur.
-
Në vlerësim të kësaj analize, ky Kolegj çmon se në çështjen objekt gjykimi, nga ana e Gjykatës së Apelit Tiranë, janë respektuar parashikimet përkatëse të ligjit procedural civil, në lidhje me njohjen dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore të huaja, ndaj dhe ndryshe nga sa parashtrohet në rekursin e palës kërkuese, nuk ka shkak ligjor për cenimin e këtij vendimi.
-
Për sa më sipër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se vendimi nr.63, datë 09.04.2013, i Gjykatës së Apelit Tiranë, duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 485/a të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.63 datë 09.04.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Tiranë më 17.03.2016.
Nr.11243-02264-00-2013 Rregj. Themeltar
Nr.00-2016 - 915 i Vendimit (93)
Do'stlaringiz bilan baham: |