VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 23.03.2016, mori në shqyrtim çështjen civile që u përket palëve:
PADITËS: A. S.
I PADITUR: M. S.
OBJEKTI:
Zgjidhje e martesës, lënien e fëmijës për rritje dhe edukim paditësit,
ushtrimin e të drejtës së takimit nga e paditura,
caktimin e pensionit ushqimor për fëmijën.
Baza Ligjore: Neni 32 i Kodit të Procedurës Civile
Neni 132, 154, 156, i Kodit të Familjes
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.1254 Regj.Them, datë 18.01.2016, ka vendosur:
Vazhdimin e gjykimit në respektim të vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme për të bërë të mundur paraqitjen e të paditurës dhe për të bërë të mundur plotësimin një pjesë të para-realizuar në raportin e psikologes.
Të paraqitet e paditura dhe paditësi bashkë me fëmijën për të realizuar detyrimet për verifikimin e marrëdhënies atashuese të fëmijës me të paditurën.
Për këtë shkak seanca shtyhet për më datë 15.02.2016, ora 12.00.
Palët e pranishme morën dijeni prezent.
Kundër vendimit nr.1254 Regj.Them, datë 18.01.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka paraqitur ankim të veçantë pala e paditur M. S., e cila kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për rrëzimin e kërkesës për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit të gjykatave shqiptare, duke parashtruar ndër të tjera se:
-
Çështja duhet të nxirret jashtë juridiksionit shqiptar dhe këtë të drejtë e ka gjykata italiane.
-
Sipas Konventës “Mbi juridiksionin, ligjin e zbatueshëm, njohjen ekzekutimin dhe bashkëpunimin në ligje me përgjegjësinë prindërore dhe masat për mbrojtjen e fëmijës”; Konventës “Mbi juridiksionin dhe njohjen e ekzekutimit të vendimeve në fushën e martesës: Rregullores së Këshillit të Ministrave të Komitetit Evropian 1347/2000, datë 29.05.2000 “Mbi juridiksionin njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të çështjeve familjare dhe të përgjegjësisë prindërore për fëmijët e të dy bashkëshortëve” për shqyrtimin e kësaj çështje duhet të ketë juridiksionin gjykata italiane.
-
Konventa dhe Rregullorja kanë të njëjtën fushë veprimi duke qenë se Rregullorja ka një deklaratë të mëvonshme aprovimi por edhe fuqi detyruese ajo duhet të vlerësohet se instrument i fuqishëm për legjislacionin shqiptar.
-
Fusha e veprimtarisë së kësaj rregullore është përcaktimi i juridiksionit, njohja dhe ekzekutimi i vendimeve në fushën e martesës i takon gjykatës se ku të dy bashkëshortët: (i) kanë vendqëndrimin e tyre të përhershëm; (ii) secili bashkëshort ka vendqëndrimin e përhershëm; (iii) apo juridiksioni i shqyrtimit që kanë për objekt përgjegjësinë prindërore.
-
Konventa mbi fëmijët e refugjatëve ose mbi fëmijët që sipas pasojave të turbullimeve civile që ndodhin në vendin e tyre janë vendosur në një shtet tjetër vepron rregulli i juridiksionit i shtetit të cilit këta fëmijë ndodhen si pasojë e zhvendosjes.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Majlinda Andrea; konstatoi mungesën e palëve ndërgjyqëse; si dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
-
Rrethanat e çështjes
1. Nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore rezulton se në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë pala paditëse A. S. ka paraqitur për gjykim kërkesë-padinë me objekt: “Zgjidhje e martesës, lënien e fëmijës për rritje dhe edukim paditësit, ushtrimin e të drejtës së takimit nga e paditura, caktimin e pensionit ushqimor për fëmijën”.
2. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.1254 Regj.Them, datë 18.01.2016, ka vendosur: “Vazhdimin e gjykimit në respektim të vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme për të bërë të mundur paraqitjen e të paditurës dhe për të bërë të mundur plotësimin një pjesë të para-realizuar në raportin e psikologes. Të paraqitet e paditura dhe paditësi bashkë me fëmijën për të realizuar detyrimet për verifikimin e marrëdhënies atashuese të fëmijës me të paditurën...(...)”
3. Në marrjen e këtij vendimi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë arriti duke arsyetuar (ndër të tjera) se: “....(omissis)...Nga ana e palës së paditur gjatë seancave gjyqësore ku ka qenë prezent nëpërmjet përfaqësuesit të saj është pretenduar që në Gjykatën Italiane po zhvillohet i njëjti gjykim për zgjidhjen e martesës dhe të pasojave të saj për palët ndërgjyqëse, ku e paditura në atë gjykim ka cilësinë e palës paditëse, fakt ky i pranuar edhe nga pala paditëse, gjykim i cili ka vazhduar edhe pas depozitimit të kërkesëpadisë së paditësit në këtë gjykatë. Në seancën gjyqësore të datës 18.01.2016 nga ana e palës së paditur u kërkua nxjerrja jashtë juridiksionit të kësaj çështje me pretendimin që ky gjykim nuk mund të realizohet nga gjykata shqiptare, pasi në kushtet kur palët ndërgjyqëse janë rezident në Itali gjykata e këtij shteti është kompetente për shqyrtimin e kësaj çështje...(...)...Gjykata pasi morri në shqyrtim kërkimin e palës së paditur me objekt të përcaktuar: “Mbi nxjerrjen jashtë juridiksionit; Pezullimin e çështjes deri në zgjidhjen e juridiksionit”, ku po në këtë seancë gjyqësore hoqi dorë nga kërkimi “Pezullimin e çështjes deri në zgjidhjen e juridiksionit”, me vendim të ndërmjetëm bazuar në nenet 36,37,38,51,59,61,125 të Kodit të Procedurës Civile, Ligjit nr.3920, datë 21.11.1964 “Për të drejtat e të huajve” dhe Ligjit nr.10428, datë 02.06.2011 “Për të drejtën ndërkombëtare private”vendosi rrëzimin e kërkesës të palës së paditur si e pambështetur në ligj dhe në prova dhe në referim të dispozitave të sipërcituara në kushtet kur kërkimi nuk është në përputhje me nenet 59-64 të Kodit të Procedurës Civile nuk ju dha e drejta e ankimit duke u vazhduar procesi gjyqësor me vendimmarrjet e ndërmjetme të lëna pa u realizuar në këtë hetim gjyqësor...(...)”
4. Kundër vendimit nr.1254 Regj.Them, datë 18.01.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka paraqitur ankim të veçantë pala e paditur M. S. , e cila kërkon prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për rrëzimin e kërkesës për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit të gjykatave shqiptare.
-
Ligji i zbatueshëm
5. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, në të cilat është parashikuar:
5.1 Neni 16§1 i K.Pr.Civile:“Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
5.2 Neni 37§1 i K.Pr.Civile: “Juridiksioni i gjykatave shqiptare për personat fizikë dhe juridikë të huaj rregullohet me ligj.”
5.3 Neni 38 i K.Pr.Civile: “Gjykata shqiptare nuk pushon as pezullon gjykimin e një mosmarrëveshjeje, kur kjo e fundit ose një çështje tjetër që ka lidhje me të ,është duke e gjykuar nga një gjykatë e huaj.”
5.4 Neni 59 i K.Pr.Civile: “Gjykata në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit, qoftë edhe kryesisht, merr në shqyrtim nëse çështja që shqyrton, bën pjesë në juridiksionin gjyqësor apo atë administrativ. Kundër vendimit të dhënë për një rast të tillë, mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën e Lartë.”
III. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson
6. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim e në vlerësim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimit, pretendimeve të palës ankuese, si dhe pjesës arsyetuese të vendimit gjyqësor, arrin në përfundimin se në marrjen e vendimit nr.1254 Regj.Them, datë 18.01.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë janë respektuar dispozitat e ligjit procedural civil duke bërë një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, si dhe duke e zgjidhur atë në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi (neni 16 i K.Pr.Civile).
7. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka përcaktuar drejt natyrën juridike të mosmarrëveshjes, kanë bërë një identifikim të elementeve dhe/ose kritereve ligjore që për rastin konkret shërbejnë për përcaktimin e një parakushti të rëndësishëm procedural siç është ai i verifikimit të juridiksionit të kësaj gjykate. Por në të njëjtën kohë, i tërheq vëmendjen kësaj gjykatë në lidhje me arsyetimin si dhe formulimin e dispozitivit të vendimit të ndërmjetëm të marrë në kuadër të rrëzimit të kërkesës për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit.
7.1. Kolegji Civil vlerëson se në rast se gjykata në përfundim të shqyrtimit të çështjes së juridiksionit, vendos rrëzimin e kërkesës për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit, gjykata duhet të shprehet për këtë fakt me vendim të ndërmjetëm dhe si i tillë ai duhet të përmbajë të gjitha elementët e përgjithshëm të vendimit dhe pjesën urdhëruese në lidhje me disponimin e gjykatës për çështjen e juridiksionit. Gjithashtu, ndaj vendimit të gjykatës në lidhje me juridiksionin palët kanë të drejtën e ankimit të veçantë në Gjykatën e Lartë.
8. Në nenin 59, të Kodit të Procedurës Civile parashikohet shprehimisht se: “Gjykata në çdo fazë dhe shkallë gjykimi, qoftë edhe kryesisht, merr në shqyrtim nëse çështja që shqyrton, bën pjesë në juridiksionin gjyqësor...(...)”. Në analizë të dispozitës së mësipërme konstatohet se çdo lloj gjykate dhe në çdo shkallë gjykimi ka të drejtë të marrë në shqyrtim, të analizojë dhe të vendosë në lidhje me juridiksionin e çështjes objekt gjykimi. Kjo e drejtë e gjykatës për të vepruar edhe kryesisht është e lidhur drejtpërsëdrejti me zbatimin dhe respektimin e parimit të një procesi të rregullt ligjor në mbështetje të nenit 42/1 të Kushtetutës dhe nenit 6/1 të K.E.D.NJ.
9. Në çështjen objekt gjykimi, ka rezultuar nga provat që janë administruar në dosjen gjyqësore dhe që i janë nënshtruar hetimit dhe debatit gjyqësor, se nëpërmjet kërkesë padisë, pala paditëse A. S. ka kërkuar zgjidhjen e martesës ligjore pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërsa pala e paditur M. S. ka paraqitur kërkesë përpara gjykatës italiane për ndarjen gjyqësore të bashkëshortëve.
10. Për rastin në shqyrtim, evidentohet se marrëdhënia civile e krijuar nga palët ndërgjyqëse është një marrëdhënie civile me elemente të huaj. Pikë së pari, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë e gjen me vend të parashtrojë se juridiksioni i gjykatave shqiptare në çështjet me elementë të huaj, për personat fizikë dhe juridikë të huaj rregullohet me ligj, (neni 37/1 i K.Pr.Civile).
11. Për rrjedhojë, referuar nenit 37§1 të Kodit të Procedurës Civile, për përcaktimin e juridiksionit për rastin konkret duhet t’i referohemi Ligjit nr.10428, datë 02.06.2011 “Për të drejtën ndërkombëtare private” i cili, ndër të tjera, përmban norma të karakterit procedural. Neni 1/1/b) i ligjit nr.10428, datë 02.06.2011, parashikon edhe juridiksionin dhe rregullat procedurale të gjykatave shqiptare për marrëdhëniet juridike civile, të cilat kanë elemente të huaj.
12. Gjykatat shqiptare kanë juridiksion në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve juridiko-civile me elemente të huaja, nëse pala e paditur ka vendqëndrimin e zakonshëm në Republikën e Shqipërisë (parim i përgjithshëm), por në të njëjtën kohë, gjykatat shqiptare kanë juridiksion ndërkombëtar ekskluziv dhe të veçantë edhe në rastet e parashikuara në Kreun IX, nenet 71-81, të ligjit nr.10428, datë 02.06.2011 “Për të drejtën ndërkombëtare private”.
12.1 Kolegji Civil vlerëson se “faktori lidhës” që, për rastin, përcakton juridiksionin ndërkombëtar të gjykatës shqiptare, evidentohet në harmoni me nenin 37, të Kodit të Procedurës Civile dhe nenin 75/1, shkronja (a) dhe (b), të ligjit nr.10428, datë 02.06.2011 “Për të drejtën ndërkombëtare private”.
12.2 Gjykatat shqiptare kanë juridiksion në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve juridiko-civile me elemente të huaja, në gjykimin e çështjeve që lidhen me martesën kur: (i) njëri nga bashkëshortët është ose ka qenë në kohën e lidhjes së martesës shtetas shqiptar; (ii) bashkëshorti, kundër të cilit është ngritur padia, apo paditësi, në rastin për zgjidhjen e martesës, ka vendqëndrimin e tij të zakonshëm në Republikën e Shqipërisë (neni 75, pika 1/a, 1/b të Ligjit 10428/2011). Pra, referuar këtij rregullimi ligjor del se për rastin konkret gjykata shqiptare ka juridiksion ndërkombëtar për shqyrtimin e kësaj çështje me objekt zgjidhje martese.
13. Në të njëjtën kohë, Kolegji Civil vlerëson se juridiksioni i gjykatave shqiptare në çështjet me elementë të huaj, për personat fizikë dhe juridikë të huaj rregullohet nga marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë dhe/ose nga marrëveshjet midis palëve kontraktuese.
13.1 Republika e Shqipërisë krahas legjislacionit kombëtar, i cili parashikon rregulla mbi juridiksionin ndërkombëtar të gjykatave shqiptare, zbaton gjithashtu edhe të drejtën ndërkombëtare. Republika e Shqipërisë është shtet palë i Konferencës së Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare Private.[1] Republika e Shqipërisë si dhe Republika e Italisë në kuadër të këtij anëtarësimi, kanë aderuar në Konventën e Konferencës së Hagës “Për procedurën civile”[1], si dhe në Konventën “Mbi njohjen e divorceve dhe ndarjeve ligjore”.[2]
13.2 Në analizë të përmbajtjes së nenit 20, të Ligjit nr.10182, datë 29.10.2009 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Konferencës së Hagës “Për procedurën civile”, rezulton se shtetet kontraktuese mund të refuzojnë një padi të paraqitur para tyre ose mund të shtyjnë në kohë shqyrtimin e kësaj padie kur procedime të tjera midis të njëjtave palë, bazuar në të njëjtat fakte dhe duke pasur të njëjtin qëllim, janë duke u shqyrtuar në një gjykatë të një shteti tjetër, vetëm në rast se shtetet kontraktuese kanë lidhur një marrëveshje plotësuese për njohjen dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore të dhëna në këto shtete kontraktuese (neni 21). Në këtë kuadër, ky Kolegj vlerëson se duke qenë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë nuk është nënshkruar asnjë një marrëveshje plotësuese për njohjen dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore sipas parashikimeve të nenit 20 dhe nenit 21 të Konventës së Hagës për Procedurës Civile, atëherë këto shtete kontraktuese nuk kanë asnjë detyrim ligjor për të shmangur gjyqvarësinë nëpërmjet proceseve gjyqësore, të cilat mund të zhvillohen në të njëjtën kohë në territorin e tyre.
13.3 Gjithashtu, në mbështetje të nenit 12, të Ligjit Nr 109/2012 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për njohjen e divorceve dhe ndarjeve ligjore”, procedimi për divorc ose ndarje ligjore i filluar në një shtet kontraktues mund të pezullohet, kur procedimi në lidhje me statusin martesor të dy palëve është në pritje të zgjidhjes në një shtet tjetër kontraktues. Nga interpretimi literal i kësaj dispozite, rezulton se kjo normë nuk ka karakter ndalues dhe nuk autorizon ndërprerjen e procesit gjyqësor, të iniciuar përpara gjykatës shqiptare as duke pushuar gjykimin as duke pezulluar atë, për shkak se palët e kanë çuar të njëjtën mosmarrëveshje para një gjykate të huaj e cila eventualisht mund të jetë shpallur kompetente, por është lënë si alternativë e mundshme, nga ana e gjykatës në varësi të çështjes gjyqësore që është duke u gjykuar pranë gjykatës shqiptare.
14. Kolegji Civil çmon se edhe pretendimi i paraqitur në rekurs nga ana e palës së paditur se vendimi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është në kundërshtim me parashikimet sistemit normativ të Bashkimit Evropian, Këshillit Evropian, nuk është i mbështetur në ligj.
14.1 Republika e Shqipërisë nëpërmjet Ligjit nr.9590, datë 27.07.2006, ka ratifikuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komuniteteve Evropiane e Shteteve të tyre Anëtare. Detyrimi për të përafruar legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Evropian buron nga nenet 6 dhe 70 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Të gjitha fazat e procesit legjislativ, duke nisur me formulimin e politikave dhe përcaktimin e instrumentit rregullues (ligj) deri tek hartimi i tekstit të aktit dhe miratimit të tij në Kuvend janë pjesë e procesit të adresimit të kërkesave të Acquis Communautaire (EU) në legjislacionin shqiptar.
14.2 Ky Kolegj, vlerëson se në vendet e Bashkimit Evropian gjykatat janë të autorizuara të marrin masat e nevojshme, përfshirë këtu masat për shmangien e gjyqvarësisë për çështje të cilat do të gjykohen nga gjykata e një shteti tjetër anëtar.[3] Rregulloret, janë aktet kryesore të Bashkimit Evropian me efekt të detyrueshëm dhe të drejtpërdrejtë në të gjithë territorin e vendeve të shtete anëtare. Pavarësisht se Republika e Shqipërisë ende nuk është bërë anëtar i Bashkimit Evropian me të drejta të plota, rregulloret e miratuara prej tyre janë udhërrëfyese në praktikën tonë ligjore, por zbatimi i sistemimit normativ të Bashkimit Evropian (acquis communitaire) nga ana e një shteti jo anëtar si Republika e Shqipërisë.
14.3 Aktualisht në fazën e para-anëtarësimit Republika e Shqipërisë nuk ka detyrimin për aplikimin e drejtpërdrejt të sistemit normativ të BE-së. Gjykatat kombëtare mund t`ì referohen legjislacionit komunitar në rastet e ometimeve ligjore apo kolizionit (praeter legem), por në asnjë rast ky interpretim nuk duhet të jetë në kundërshtim me parashikimet e legjislacionit të brendshëm kombëtar (contra legem).
14.4 Në rastin konkret, Kolegji Civil çmon se gjykimi i çështjeve gjyqësore para gjykatave shqiptare bëhet sipas ligjit procedural shqiptar. Mosmarrëveshja që ka lindur nga një marrëdhënie juridike civile do të zgjidhet sipas ligjit material të kohës kur kjo marrëdhënie është krijuar, ndërsa shqyrtimi gjyqësor i kësaj mosmarrëveshje bëhet sipas normave procedurale civile që janë në fuqi në kohën e shqyrtimit.
14.5 Në nenin 38, të Kodit të Procedurës Civile parashikohet shprehimisht se: “Gjykata shqiptare nuk pushon as pezullon gjykimin e një mosmarrëveshjeje, kur kjo e fundit ose një çështje tjetër që ka lidhje me të, është duke e gjykuar nga një gjykatë e huaj.” Në analizë të kësaj dispozitë, vlerësohet se Gjykata Shqiptare nuk kanë detyrimin për të pezulluar ose pushuar një proces gjyqësor nëse është nisur të gjykohet pranë një gjykate të huaj.
15. Për sa më sipër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, arrin në konkluzionin se vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është i mbështetur në ligj dhe duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 59 dhe 485/a të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.1254 Regj.Them, datë 18.01.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në lidhje me çështjen e juridiksionit.
Tiranë, më 23.03.2016
Nr. 11111-00291-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-821 i Vendimit (95)
Do'stlaringiz bilan baham: |