VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 03.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: PAVLLO SOTA
E PADITUR: KËSHILLI I BASHKISË VLORË; BESNIK NELAJ; LINDITA NELAJ;
ZYRA E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME VLORË
OBJEKTI:
Shfuqizimin e vendimit nr.39, datë 21.08.2003
të Këshillit të Bashkisë Vlorë.
Detyrimin e ZRPP Vlorë që të çregjistrojë banesën 1+1
në favor të të paditurve Besnik dhe Lindita Nelaj.
Deklarimin e pavlefshmërisë absolute të kontratës së shitjes
nr.414 rep., datë 12.09.2003 lidhur midis të paditurit
Këshillit të Bashkisë Vlorë dhe të paditurve Besnik dhe Lindita Nelaj.
Baza Ligjore: Nenet 154, 192, 324 të K.Pr.Civile
dhe ligji nr.8122, datë 09.07.1996.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr.1083 datë 22.05.2007, ka vendosur:
“Rrëzimin e padisë....”.
Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.119 datë 04.04.2008, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.1083, datë 22.05.2007 të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë”.
Gjykata e Lartë me vendimin nr.133 datë 19.02.2013, ka vendosur:
“Prishjen e vendimit nr.119, datë 04.04.2008 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, por me tjetër trup gjykues”.
Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.19 datë 19.02.2014, ka vendosur:
“Shpalljen e moskompetencës së Gjykatës së Apelit Vlorë për gjykimin e çështjes civile me nr.66 regjistri themeltar datë 19.04.2013 dhe dërgimin e akteve për kompetencë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë”.
Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, bazuar në nenin 25 pika 1/ç, neni 13 pika 1 dhe 5 , të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i është drejtuar Gjykatës së Lartë duke ngritur çështjen e mosmarrëveshjes në lidhje me kompetencën lëndore të shqyrtimit të çështjes, duke pasqyruar shkaqet e mëposhtme:
-
Konstatohet se çështja është e natyrës administrative e civile dhe kompetencën lëndore për gjykimin e saj e ka Gjykata e Apelit Vlorë, në zbatim të vendimit unifikues nr.3, datë 28.04.2014 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
-
Gjykata Administrative e Apelit, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme, vlerëson se për kërkimin lidhur me shfuqizimin e aktit administrativ, Vendimi i Këshillit të Bashkisë Vlorë, nr.39 datë 21.08.2003, ndodhemi përpara një mosmarrëveshje administrative.
-
Gjykata Administrative e Apelit vlerëson se kërkimi për deklarimin e pavlefshmërisë absolute të kontratës së shitjes nr.414 rep., datë 12.09.2003 lidhur midis të paditurit Këshillit të Bashkisë Vlorë dhe të paditurve Besnik dhe Lindita Nelaj, është kërkim me natyrë civile dhe përbën mosmarrëveshje të natyrës civile.
-
Në rastin konkret, pavarësisht se në kontratën e shitjes njëra prej palëve është organ i administratës publike, ky fakt nuk ndikon në përcaktimin e statusit juridik të kësaj kontrate. Kontrata e shitjes, pavarësisht se është lidhur me një organ të administratës publike, në thelb përbën një veprim juridik, në kuptim të nenit 659 të Kodit Civil, në të cilin thuhet se: “Kontrata është veprimi juridik me anë të së cilës një ose disa palë krijojnë, ndryshojnë ose shuajnë një marrëdhënie juridike”.
-
Kontrata e shitjes objekt gjykimi, pavarësisht se është lidhur mes personave fizik dhe një organi shtetëror, nuk mund të vlerësohet si një kontratë e mirëfilltë administrative, për sa kohë që me lidhjen e saj palët nuk kanë synuar që të sjellin efekte juridike në fushën e të drejtës publike.
-
Me vendimin unifikues nr.3 datë 28.04.2014, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë ndryshuar praktikën unifikuese lidhur me gjykimet në të cilat janë paraqitur njëkohësisht kërkime si të natyrës civile dhe të asaj administrative. Në këtë vendim, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë përcaktuar sentencën unifikuese: “Çështjet të cilat në objektin e tyre kanë disa kërkime si të natyrës civile dhe administrative, kërkime të cilat janë paraqitur përpara datës 04.11.2013, do të vazhdojnë të gjykohen nga gjykata ku ato janë paraqitur”.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Arjana Fullani si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga rrethanat e çështjes, pala paditëse Kito Sota, në bazë të autorizimit nr.18, datë 21.11.1991 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Qytetit Vlorë paditësi Kito Sota ka marrë me qira apartamentin objekt gjykimi, për të cilin pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.7652, datë 23.12.1992 “Për Privatizimin e Banesave Shtetërore” ka lidhur kontratën e privatizimit me EKB-n Vlorë, duke u bërë pronar i saj.
2. Me vendimin nr.437, datë 10.05.1999 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vendosur rivendosjen në afat të parashkrimit të padisë dhe konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kontratës së privatizimit të lidhur ndërmjet paditësit Kito Sota dhe EKB-së Vlorë, duke kthyer palët në gjendjen e mëparshme.
3. Me kontratën e privatizimit të datës 25.07.2000 banesën objekt gjykimi e kanë privatizuar të paditurit Besnik dhe Lindita Nelaj, të cilët kanë bërë regjistrimin e saj në ZRPP Vlorë, por me vendimin nr.123, datë 26.03.2002 Gjykata e Apelit Vlorë ka vendosur ndryshimin e vendimit nr.306, datë 01.03.2001 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe deklarimin e pavlefshëm të kontratës së shitjes së lidhur ndërmjet Bashkisë Vlorë dhe të paditurve Besnik dhe Lindita Nelaj, duke i kthyer palët në gjendjen e mëparshme, vendim për të cilin Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e ankimit.
4. Këshilli i Bashkisë Vlorë me vendimin nr.39, datë 28.08.2003 ka vendosur që të miratojë privatizimin e banesës së pa privatizuar nga të paditurit Besnik dhe Lindita Nelaj dhe mbi bazën e këtij vendimi është lidhur kontrata e privatizimit e datës 12.09.2003.
5. Ndodhur në këto kushte pala paditëse Kito Sota i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi.
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr.1083 datë 22.05.2007, ka vendosur: “Rrëzimin e padisë....”.
7. Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.119 datë 04.04.2008, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.1083, datë 22.05.2007 të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë”.
7. Gjykata e Lartë me vendimin nr.133 datë 19.02.2013, ka vendosur: “Prishjen e vendimit nr.119, datë 04.04.2008 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, por me tjetër trup gjykues”.
8. Në rigjykim gjykata e Apelit Vlorë ka bërë zëvenësimin procedural duke sëvendësuar paditësin Kito Sota i cili kishte ndërruar jetë me trashëgimëlënësine tij Pavllo Sota.
9. Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.19 datë 19.02.2014, ka vendosur: “Shpalljen e moskompetencës së Gjykatës së Apelit Vlorë për gjykimin e çështjes civile me nr.66 regjistri themeltar datë 19.04.2013 dhe dërgimin e akteve për kompetencë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë”.
9.1 Arsyetimi i gjykatës: “Kolegjet e Bashkuara kanë arritur në interpretimin unifikues se: “Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatë të Lartë dhe deri në këtë datë, shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma”.
10. Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, bazuar në nenin 25 pika 1/ç, neni 13 pika 1 dhe 5 , të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i është drejtuar Gjykatës së Lartë duke ngritur çështjen e mosmarrëveshjes në lidhje me kompetencën lëndore të shqyrtimit të çështjes, duke pasqyruar shkaqet e parashtruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
11. Dispozitat e Kushtetutës në të cilat është parashikuar:
11.1 Neni 42/2 i Kushtetutës: “Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetuese dhe ligjore ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”.
11.2 Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile;
11.3 Dispozitat e ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” ;
11.4 Vendimi nr.3 datë 06.12.2013 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON SE:
12. Se vendimi nr.19, datë 19.02.2014 i Gjykatës së Apelit Vlorë, që ka shpallur moskompetencën lëndore për shqyrtimin e çështjes, duke i dërguar aktet për vazhdimin e gjykimit Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, është rrjedhojë e zbatimit të drejtë të ligjit dhe për këtë shkak ai duhet të lihet në fuqi.
13. Kolegji Administrativ në përcaktimin e kompetencës lëndore i referohet natyrës së mosmarrëveshjes natyrë shqyrtimi, nëse është e natyrës civile apo administrative. Kolegji e vlerëson të drejtë arsyetimin dhe përfundimin e arritur nga Gjykata e Apelit Vlorë. Kjo gjykatë ka përcaktuar drejtë natyrën juridike të mosmarrëveshjes dhe qëllimin e vërtetë të këtij gjykimi duke analizuar elementët dhe kriteret ligjore që shërbejnë për përcaktimin e kompetencës lëndore.
14. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, konstaton se natyra e saj është administrative, pasi aktet që kundërshtohen gjyqësisht nga paditësi janë të natyrës administrative. Rezulton se kërkimi është (i) shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Bashkisë Vlorë dhe (ii) konstatimi absolutisht i pavlefshëm i kontratës së shitjes e lidhur midis të paditurve në bazë të vendimit të mësipërm, të cilat kanë natyrë administrative.
15. Këto akte (vendimi i Këshillit Bashkiak dhe kontrata e privatizimit) nga pikëpamja formale janë akte me karakter administrativ, të nxjerra nga një organ publik gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative sipas funksionit publik të përcaktuar nga ligji i posaçëm dhe aktet nënligjore dalë në bazë dhe për zbatim të tij, dhe që krijon pasoja juridike mbi të drejta subjektive të palëve. Përcaktimi i natyrës së aktit që kundërshtohet në procesin gjyqësor, dikton dhe gjykatën që duhet të ushtrojë kontrollin gjyqësor së tij, e cila në rastin në shqyrtim duhet të jetë gjykata administrative.
16. Kolegji vlerëson se, gjykatat administrative janë krijuar si organe të specializuara për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, dhe në referim të nenit 7 pika a) dhe b) të Ligjit nr.49/2012, në kompetencën lëndore të tyre ndër të tjera, përfshihen mosmarrëveshje që lindin për aktet administrative individuale, akte nënligjore normative dhe kontratat administrative publike të nxjerra gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative të organe publike; si dhe mosmarrëveshjet që lindin për shkak të ndërhyrjes së paligjshme ose të mosveprimet të organit publik.
17. Duke u nisur nga analiza e mësipërme, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se kundërshtimi në një proces gjyqësor i kontratave të shitjes ku njëra palë është institucion shtetëror, për nga natyra e mosmarrëveshjes që krijohet, i përmbush kriteret për t’u gjykuar në bazë të ligjit nga gjykata administrative: Së pari, Këshillat e Bashkive, janë organe publike, dhe ushtrojnë veprimtari administrative të parashikuara nga ligje të posaçme; Së dyti, vendimet e nxjerra prej tyre dhe kontratat ku ato janë palë, janë veprime të natyrës administrative, pasi shprehin vullnetin e organit publik në ushtrimin e funksionit të tij publik ndaj një subjekti individualisht të përcaktuar të së drejtës duke krijuar një marrëdhënie juridike konkrete, që në rastin konkret i përkasin të drejtave të pronësisë mbi pasuritë shtetërore.
18. Sa më sipër është në përputhje të plotë dhe me përkufizimet e dhëna në nenin 2 të Ligjit nr.49/2012 lidhur me kuptimin që iu është dhënë veprimeve/mosveprime administrative si shprehje e një forme të njëanshme të veprimtarisë së organit publik/ apo mosveprimit të saj, të cilat krijojnë pasoja juridike mbi të drejtat subjektive apo interesat e ligjshme të shtetasve.
19. Në përfundim të analizës së mësipërme dhe në referim të nenit 7/a të Ligjit 49/2012, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson të drejtë arsyetimin dhe vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë që nga pikëpamja lëndore, mosmarrëveshja objekt gjykimi, është në kompetencë lëndore të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.19 datë 19.02.2014 i Gjykatës së Apelit Vlorë.
Tiranë, më 03.03.2016
Nr. 31003-00357-00-2016 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-1304 i Vendimit
Do'stlaringiz bilan baham: |