VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Evelina Qirjako Kryesuese
Arjana Fullani Anëtare
Medi Bici Anëtar
në datën 03.03.2016, në dhomë këshillimi, mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.00229/2015 që u përket palëve:
PADITËSE: IDAJETE GUMA
E PADITUR: DREJTORIA RAJONALE E SIGURIMEVE SHOQËRORE FIER
INSTITUTI I SIGURIMEVE SHOQËRORE TIRANË
OBJEKTI:
Kundërshtimin e vendimit nr.580, datë 28.03.2011 të DRSSH Fier
lënë në fuqi me vendimin nr.201, datë 25.11.2011 të KRA
dhe vendimit nr.86, datë 25.01.2012 të KQA Tiranë.
Detyrimin e palës së paditur të më paguajë pension pleqërie shteti
nga data e lindjes të së drejtës 04.03.2011.
Baza Ligjore: Neni 31, 92 e 86/3 të Ligjit nr.7703, datë 11.05.1993
“Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar,
si edhe nenet 154 e 324 të Kodit të Procedurës Civile.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin nr.2771/781, datë 18.04.2012 ka vendosur:
Rrëzimin e padisë.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës paditëse.
Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.602, datë 08.04.2014 ka vendosur:
Shpalljen e moskompetencës lëndore për shqyrtimin e çështjes civile nr.1657 regjistri, datë 21.05.2012 regjistrimi.
Dërgimin e akteve gjykatës kompetente, Gjykatës së Apelit Administrativ Tiranë.
Gjykata e Apelit Administrativ Tiranë me parashtresën nr.5736/1303/72 akti, datë 03.02.2016 ka pretenduar:
T’i parashtrojë Gjykatës së Lartë qëndrimin e saj në mosmarrëveshje me Gjykatën e Apelit Vlorë, lidhur me përcaktimin e kompetencës lëndore për shqyrtimin e kësaj çështje.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin përkatës të gjyqtares Evelina Qirjako, si dhe diskutoi çështjen në tërësi;
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore rezulton se paditësja Idajete Guma, ka pretenduar që ka mbushur kriteret për të përfituar pension të plotë pleqërie dhe për këtë arsye, i është drejtuar më kërkesën nr.405, datë 15.03.2011 DDRSSH Fier për ti caktuar pension shtetëror pleqërie, sipas parashikimeve të Ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
2. Pas shqyrtimit të kërkesës, DRSSH Fier me vendimin 580, datë 28.03.2011 ka vendosur ti caktojë paditëses Idajete Guma pension të pjesshëm pleqërie me periudhë sigurimi 32 vjet, me të drejtë pagese nga data 04.03.2011 e përgjithmonë në masën prej 8845 lekë.
3. Pala paditëse, duke mos qenë dakord me këtë vendim të dhënë nga Dega e Përfitimeve të DRSSH Fier e ka ankuar atë pranë Komisionit Rajonal të Ankimit po në DRSSH Fier, e cila, me vendimin nr.201, datë 25.11.2011 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.580, datë 28.03.2011 të Degës së Përfitimeve të DRSSH Fier.
4. Kundër këtij vendimi, pala paditëse ka ushtruar të drejtën e ankimit edhe ndaj vendimit nr.201, datë 25.11.2011 të dhënë nga KRA pranë DRSSh Fier, ankim të cilin e ka depozituar pranë Komisionit Qendror të Ankimit në Institutin Sigurimeve Shoqërore Tiranë. Ky i fundit, pasi ka marrë në shqyrtim kërkesën e paditëses ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të dhënë nga KRA të DRSSH Fier.
5. Për këtë arsye, pala paditëse në datën 29.02.2012, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier me padinë me objekt të sipërcituar, duke pretenduar se ana e paditur ka vepruar në kundërshtim me ligjin, duke i njohur pension të pjesshëm pleqërie, përsa kohë, ajo i plotëson të gjitha kriteret ligjore për të përfituar pension të plotë pleqërie.
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin nr.2771/781, datë 18.04.2012 ka vendosur:
-Rrëzimin e padisë.
-Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës paditëse.
6/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “....Paditësja e kundërshton periudhën e sigurimit në shtet dhe pretendon se përveç periudhës prej 17 (shtatëmbëdhjetë) vjet e 3 (tre) muaj, si e vetëpunësuar në bujqësi, e cila në këndvështrim të nenit 96 të ligjit nr.7703 datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, njihet si vjetërsi pune në marrëdhënie me shtetin, ajo ka edhe një periudhë tjetër si e punësuar në shtet, nga 01.12.1975 deri në 20.11.1976, periudhë në të cilën ajo ka punuar si shitëse në degën e shitblerjes, në Levan, Fier. ... Duke u kthyer në çështjen në shqyrtim, vlerësohet se paditësja për periudhën kohore 01.12.1975 deri në 20.11.1976 figuron se është paguar si punëtore e kooperativës bujqësore, mbështetur në aktin e verifikimit të mbajtur në arkivin e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, Fier si dhe vërtetimit për vjetërsinë në punë për efekt pensioni, të datës 07.04.2010. Nga ana tjetër, edhe pse nuk kundërshtohet fakti se paditësja ka punuar de facto si shitëse në degën e shitblerjes, në Levan, Fier, nuk u arrit të provohej nga ana e saj që të jetë paguar për këtë punë dhe për rrjedhojë të llogaritet si periudhë sigurimi. Fakti i punësimit në një punë nuk do të thotë automatikisht se personi paguhet për këtë punë, duke paguar edhe kontributet e sigurimeve shoqërore mbi këtë pagë dhe se periudha si i punësuar në të, të llogaritet si periudhë sigurimi. Pra periudha gjatë së cilës kryhet një punë nuk mund të njësohet me periudhën e sigurimit, në se nuk plotësohen kushtet e tjera të renditura më sipër. Në mënyrë që paditëses t’i njihej si periudhë sigurimi në shtet periudha kohore nga 01.12.1975 deri në 20.11.1976, duhej që ajo, nga njëra anë, të provonte pavërtetësinë e dokumenteve që konfirmojnë periudhën e sigurimit të saj si e punësuar në kooperativë dhe nga ana tjetër të vërtetonte faktin juridik e të qenit e siguruar në punën e shitëses në degën e shitblerjes, në Levan, Fier. Edhe pse paditësja nuk arriti ta realizonte vërtetimin e këtyre fakteve në këtë gjykim, ato mund të përbëjnë objektin e një padie të veçantë, pasi si vërtetimi i fakteve juridike ashtu edhe njohja e pavërtetësisë së dokumenteve mund të jenë jo vetëm objekt i të provuarit në mënyrë incidentale gjatë një gjykimi të një natyre tjetër, por të qëndrojnë edhe si objekte padie të mëvetëshme”.
7. Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.602, datë 08.04.2014 ka vendosur:
-Shpalljen e moskompetencës lëndore për shqyrtimin e çështjes civile nr.1657 regjistri, datë 21.05.2012 regjistrimi.
-Dërgimin e akteve gjykatës kompetente, Gjykatës së Apelit Administrativ Tiranë.
7/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “....Referuar neneve 4 dhe 7 të ligjit për gjykatat administrative, konstatohet se mosmarrëveshja hyn në juridiksionin e tyre dhe se janë këto gjykata, të cilave ligji u ka dhënë kompetencën për të gjykuar mosmarrëveshjet administrative, siç është edhe ajo e rastit në shqyrtim. ,,,Gjykatat administrative filluan funksionimin e tyre në datë 04 Nëntor 2013 dhe që nga kjo datë mosmarrëveshjet administrative janë në kompetencë të gjykatave administrative. Sa i përket çështjes së veprimit në kohë të ligjit, rezulton se në dispozitat tranzitore ligjvënësi nuk ka bërë asnjë parashikim lidhur me zhvillimin e gjykimit për çështjet tashmë të filluara. Një situatë e tillë është rregulluar nga vendimi unifikues nr.3, datë 06.12.2013 i Gjykatës së Lartë, i cili ka unifikuar praktikën gjyqësore. ...Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë arrijnë në interpretimin unifikues se: “Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me Ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatë të Lartë dhe deri në këtë datë shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma”. Në këto rrethana, Gjykata e Apelit, në përmbushje për të verifikuar kompetencën edhe kryesisht, konstatoi se ajo nuk është më kompetente për gjykimin e çështjes, pasi ligji ngarkon për këtë gjykatat administrative”.
8. Gjykata e Apelit Administrativ Tiranë me parashtresën nr.5736/1303/72 akti, datë 03.02.2016 ka pretenduar:
-T’i parashtrojë Gjykatës së Lartë qëndrimin e saj në mosmarrëveshje me Gjykatën e Apelit Vlorë, lidhur me përcaktimin e kompetencës lëndore për shqyrtimin e kësaj çështje.
8/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “... Gjykata e Apelit Administrativ Tiranë, në kuptim të nenit 13/5 të Ligjit nr.49/2012, parashtron qëndrimin e saj mbi konfliktin e kompetencës me Gjykatën e Apelit ..., duke vlerësuar se objekti i këtij konflikti përmbledh si kërkime të natyrës administrative (anullim aktesh administrative), ashtu edhe kërkime civile (detyrim lidhje pensioni nga momenti i lindjes së drejtës), ndërkohë që kërkesëpadia rezulton të jetë dorëzuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, para datës 04.11.2013, ç’ka në kuptim të vendimit unifikues nr.3/2014 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, i bën gjykatat administrative jokompetente nga pikëpamja lëndore në shqyrtimin e këtij konflikti. Ky qëndrim referon edhe në praktikën e Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, lidhur me kompetencën lëndore....”.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
9. Se vendimi nr.602, datë 08.04.2014 i Gjykatës së Apelit Vlorë, me anën e të cilit, kjo gjykatë ka vendosur shpalljen e moskompetencës për shqyrtimin e çështjes objekt shqyrtimi dhe dërgimin e saj për gjykim, Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, është një vendim i marrë në zbatim të drejtë të ligjit procedurial dhe atij material dhe për këtë shkak, ai duhet të lihet në fuqi.
10. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson të nënvizojë se, në kuptimin e së drejtës proceduriale, kompetenca lëndore është një kusht i domosdoshëm procedurial, që bën të vlefshëm procesin gjyqësor, si dhe të gjitha aktet e marra në administrim gjatë zhvillimit të tij, në kuptimin që një gjykatë jokompetente nuk mund të kryejë asnjë veprimtari proceduriale dhe një gjykatë jokompetente duhet të deklarojë moskompetencën e saj, (neni 61 K.Pr.Civile, neni 7 i Ligjit 49/2012).
11. Kompetenca lëndore, përcakton për çdo gjykatë të veçantë, se, në çfarë rastesh dhe në lidhje me çfarë mosmarrëveshjesh ajo ka pushtet për të gjykuar, duke përcaktuar qartë rrethin e mosmarrëveshjeve që i është njohur e dhënë asaj për ta gjykuar. Ndarja e kompetencës, është përcaktuar qartë në Ligjin nr.9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në Ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykata administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe në K.Pr.Civile.
12. Referuar Ligjit nr.49/2012, rezulton qartë që juridiksioni që i është dhënë nga ligji specifik Gjykatës Administrative, tregon në të njëjtën kohë dhe pushtetin që i është dhënë kësaj gjykate, për të marrë në shqyrtim vetëm ato çështje, të cilat parashikohen qartë në nenin 7 të këtij ligji.
13. Gjykata, në përcaktimin e kompetencës lëndore, i referohet natyrës së mosmarrëveshjes që i shtrohet për gjykim, nëse ajo është e natyrës civile apo administrative. Për identifikimin e saj, gjykata i referohet shkakut ligjor të kërkimeve të paditësit, të parashtruara si në kërkesë padi, ashtu dhe gjatë gjykimit, natyrës së mosmarrëveshjes, si dhe statusit juridik të palëve që marrin pjesë në këtë gjykim, si dhe bën lidhjen midis fakteve që pretendohen prej paditësit se kanë ngjarë, dhe të drejtave apo interesave që ai pretendon se i janë cenuar.
14. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut ligjor të kërkimeve të paditëses, të shprehura si në kërkesë padi ashtu dhe në pretendimet e saj gjatë gjykimit, vlerëson të drejtë dhe të bazuar në Ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, arsyetimin dhe vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit Vlorë, përsa i përket deklarimit të moskompetencës së saj lëndore për trajtimin e kësaj çështjeje, duke përcaktuar qartë se konflikti mes palëve është i natyrës administrative.
15. Siç citohet dhe më lart në këtë vendim, pala paditëse nëpërmjet padisë së saj ka kërkuar nga gjykata, anullimin e aktit administrativ të nxjerrë nga DRSSH Fier dhe Komisionit Qëndror të Ankimeve pranë ISSH Tiranë, me anën e të cilave, paditëses Idajete Guma nuk i është dhënë pensioni i plotë i pleqërisë, sipas saj në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, si dhe detyrimin e DRSSH Fier dhe ISSH Tiranë që t’i japi paditëses pension të plotë pleqërie nga data e lindjes të së drejtës 04.03.2011 e në vijim.
16. Në vlerësim të shkakut ligjor të kërkimeve të paditëses, të paraqitura si në kërkesë padinë e saj ashtu dhe në gjithë parashtrimet përpara gjykatave më të ulëta, rezulton se paditësi në këtë gjykim ka ngritur pretendime me natyrë administrative, të cilat konsistojnë në detyrimin e organit administrativ për të shprehur vullnetin e tij, në ushtrim të veprimtarisë shtetërore që ai kryen.
17. Është tashmë praktikë e konsoliduar gjyqësore se, është detyrë e gjykatës që shqyrton mosmarrëveshjen, të kuptojë drejt natyrën e konfliktit të krijuar mes palëve, shkakun ligjor të kërkimit, përcaktimin e drejtë të ligjit të zbatueshëm dhe si rezultat, të zgjidhë mosmarrëveshjen objekt gjykimi, në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej tyre.
18. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në çështjen objekt gjykimi, vlerëson se, kërkimet e paditëses për “Kundërshtimin e vendimit nr.580, datë 28.03.2011 të DRSSH Fier lënë në fuqi me vendimin nr.201, datë 25.11.2011 të KRA dhe vendimit nr.86, datë 25.01.2012 të KQA Tiranë. Detyrimin e palës së paditur të më paguajë pension pleqërie shteti nga data e lindjes të së drejtës 04.03.2011”, janë të natyrës administrative. Kjo pasi paditësja në këtë gjykim, ka kërkuar kundërshtimin e akteve administrative të nxjerra nga organi administrativ në zbatim të Ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe në ushtrim të kompetencave të tij që ky ligj i ka ngarkuar. Gjithashtu, edhe detyrimi i anës së paditur për të lidhur pension të plotë pleqërie është kërkim i qartë me natyre administrative (dhe jo me natyrë civile), pasi këtë të drejtë paditësja e kërkon pranë organeve kompetente shtetërore si DRSSH apo ISSH, të cilat janë organet e vetme shtetërore të ngarkuara nga ligji, që duke ushtruar pushtetin e tyre në respektim të ligjit specifik të përmendur më lart në këtë vendim, kanë detyrimin që ti japin paditëses pensionin në rast se ai i takon.
19. Në analizë të sa më sipër, nëse nga paditësja kërkohet që të trajtohet me pension të plotë pleqërie, pasi sipas saj pretendohet se përmbushen të dy kushtet ligjore që parashikon Ligji nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, pra a) kriteri moshë: si dhe b) kriteri i vjetërsisë në punë, dhe ana e paditur nuk ia jep këtë pension paditëses, është e drejta e kësaj të fundit që ti drejtohet gjykatës me padi, duke kërkuar zgjidhjen e këtij konflikti. Për sa më sipër, ky Kolegj, çmon se, mosmarrëveshja e krijuar mes këtyre palëve, për të rivendosur në vend të drejtën e pretenduar të shkelur nga paditësja, duhet gjykuar nga gjykatat administrative, sipas Ligjit nr.49/2012, pasi në rastin objekt shqyrtimi po kundërshtohen akte administrative të nxjerra nga organet administrative shtetërore, në ushtrim të kompetencës së tyre ligjore. Por, në të njëjtën kohë, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson të theksojë se, gjykatat në asnjë rast nuk duhet të ngatërrojnë zgjidhjen e themelit të çështjes (nese dokumentet e paraqitura nga paditësi janë apo jo të vlefshëm për të vërtetuar pretendimet për pension të plotë pleqërie), me natyrën e konfliktit objekt gjykimi dhe gjykatën kompetente që duhet ta shqyrtojë atë.
20. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, edhe përsa i takon kërkimit të paditëses për “Detyrimin e palës së paditur të më paguajë pension pleqërie shteti nga data e lindjes të së drejtës 04.03.2011”, ky është një kërkim me natyrë administrative, e cila buron direkt nga Ligji nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
21. Gjithashtu, qëndrimi i mësipërm, vjen në përputhje edhe me qëndrimin e unifikuar që kanë mbajtur Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilat në vendimin nr.3, datë 06.12.2013, në të cilën është pasqyruar se: ”Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatë të Lartë dhe deri në këtë datë, shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma...”.
22. Për sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, arrin në përfundimin se vendimi nr.602, datë 08.04.2014 i Gjykatës së Apelit Vlorë, është i drejtë dhe duhet të lihet në fuqi dhe çështja objekt shqyrtimi, duhet të gjykohet nga Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, si gjykata kompetente.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.602, datë 08.04.2014 të Gjykatës së Apelit Vlorë.
Tiranë më 03.03.2016
Nr. 31003-00336-00-2016 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-1257 i Vendimit
Do'stlaringiz bilan baham: |