VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në dhomën e këshillimit të datës 24.03.2016, mori në shqyrtim çështjen civile nr.11243-00824-00-2016 akti, që i përket:
PADITËS: PRENG LEKA
E PADITUR: AGJENSIA E KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE TIRANË
ME PJESËMARRJEN E AVOKATURËS SË SHTETIT
OBJEKTI:
Detyrimin e anës të paditur për Rivendosjen e të drejtës të kompensimit
të një sipërfaqe toke prej 4240 m2 pjesë e sipërfaqes 6000 m2,
të trajtuar me vendimin e ish-K.K.K.Pronave të Këshillit të Rrethit Lezhë,
nr.64/2, datë 16.08.1996 prej të cilave 1860 m2 kthim i pashprehur
për kompensimin e pjesës së pakthyer në pronësi të tonën.
Baza Ligjore: Neni 32/a i K.Pr.Civile.
Neni 11/d i Ligjit nr.9235, dt. 29.07.2004
“Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, i ndryshuar
lidhur me VKM nr.747, dt. 09.11.2006, pika 5.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.487, datë 28.01.2016, ka vendosur:
Shpalljen e moskompetencës tokësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shqyrtimin e çështjes civile nr.2114 Regj. Themeltar, regjistruar ne Gjykatë, në dt.04.09.2015.
Dërgimin e çështjes për gjykim, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Kundër vendimit të mësipërm ka ushtruar ankim të veçantë, bazuar në nenin 43 dhe 60 të K.Pr.Civile, pala e paditur Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila kërkon prishjen e vendimit nr.487, datë 28.01.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe vazhdimin e gjykimit të themelit të çështjes pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me shkaqet si më poshtë:
-
Gjykata në arsyetimin e saj në lidhje me referencën në Vendimin Unifikues nr.4, datë 10.12.2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ka bërë interpretim të gabuar të tij. Në këtë vendim është bërë arsyetimi se këto gjykime që përfshihen në rrethin e atyre çështjeve që i përkasin fushës administrative, por janë mosmarrëveshje të natyrës civile dhe është përcaktuar se në rastet kur zbatohen njëkohësisht dy ligje ai i përgjithshëm dhe ai i posaçëm ( material dhe procedural) atëherë do të zbatohet ligji i posaçëm, referuar parimit “lex specialis derogat generali”.
-
Vendimi i gjykatës vjen në kundërshtim me ligjin e posaçëm, Ligji nr.9235/2009, nenit 18, i cili cakton si gjykatë kompetente, lidhur me kompetencën tokësore, Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin përkates dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
-
Paditësi Preng Leka, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesë-padi, me objekt “detyrimin e palës së paditur për Rivendosjen e të drejtës së kompensimit të një sipërfaqe toke prej 4240 m2 pjesë e sipërfaqes 6000 m2, të trajtuar me vendimin e ish-K.K.K. Pronave të Këshillit të Rrethit Lezhë, nr.64/2, date 16.08. 1996 prej te cilave 1860 m kthim i pashprehur per kompensimin e pjeses se pakthyer ne pronesi te paditesit”.
-
Ne seancën përgatitore të datës 28.01.2016, nga ana e Avokaturës së Shtetit, iu kerkua Gjykates, shpallja e moskompetencës tokësore lidhur me gjykimin e çështjes objekt gjykimi, mbi bazen e Vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.4, dt. 10. 12. 2013.
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.487, datë 28.01.2016, ka vendosur:
“Shpalljen e moskompetencës tokësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shqyrtimin e çështjes civile nr.2114 Regj. Themeltar, regjistruar ne Gjykatë, në dt. 04.09.2015.;Dërgimin e çeshtjes për gjykim, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.”
Duke arsyetuar: “... omissis... Gjykata, duke pasur parasysh kërkesën e Avokaturës së Shtetit, në lidhje me shpalljen e moskompetencës tokësore të kësaj Gjykate, duke pasur parasysh faktin se objekti i këtij gjykimi është “Rivendosjen e të drejtës të kompensimit të palës paditëse, të një sipërfaqe toke prej 4240 m2 pjesë e sipërfaqes 6000 m2, të trajtuar me vendimin e ish-KKK Pronave të Këshillit të Rrethit Lezhë, nr.64/2, datë 16.08. 1996”, duke pasur parasysh faktin se KKPronave të Këshillit të Rrethit Lezhë, në vendimin nr.64/2, datë 16.08.1996, nuk është shprehur për kompensimin e sipërfaqes prej 4240 m2, duke pasur parasysh faktin se prona objekt gjykimi, ndodhet në Rrethin e Lezhës, duke pasur parasysh vendimmarrjen e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me Vendimin Unifikues, nr.4, dt.10.12.2013, si dhe duke pasur parasysh dispozitat ligjore të neneve 45, 52, 61 dhe 62 te K.Pr.Civile, Gjykata, çmon se për këtë çështje duhet të shpallë moskompetencën tokësore, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për gjykimin e kësaj çështje dhe dërgimin e çështjes për gjykim, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë, si Gjykatë kompetente.(...).”.
-
Kundër këtij vendimi ka paraqitur ankim të veçantë pala e paditur, Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me shkaqet sa më lart.
-
Ky Kolegj vlerëson të drejtë e të bazuar në ligj, vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për moskompetencën tokësore te kësaj gjykate, referuar vendimit unifikues nr.4, datë 10.12.2013, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
-
Ky Kolegj vlerëson se në rastin në gjykim Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka disponuar drejtë në pjesën e vendimit lidhur me kompetencën tokësore, kur ka vendosur dërgimin e akteve Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Lezhë, pasi ka zbatuar parashikimet e nenit 45 të Kodit të Procedurës Civile në të cilin parashikohet: “Paditë për të drejta reale mbi sende të paluajtshme, për pjesëtimin e sendeve të përbashkëta dhe për posedimin ngrihen në gjykatën e vendit ku ndodhen sendet ose pjesa më e madhe e tyre….”.
-
Për pasojë vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, që ka shpallur moskompetencën tokësore, duhet të lihet në fuqi, duke vendosur dërgimin e akteve për kompetencë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, si gjykata e vëndit ku ndodhet sendi i paluajtshëm.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatёs sё Lartё, mbёshtetur nё nenin 63 dhe 64 tё K.Pr.Civile
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.487, datë 28.01.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Tiranë, më 24.03.2016
Nr. 31003-00330-00-2016 i Regj.Themeltar
Nr. 00-2016-793 i Vendimit
Do'stlaringiz bilan baham: |