Në rrethana të tilla, paditësi Arben Frroku, i është drejtuar me padi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me shkak ligjor dhe objekt anulimin e aktit administrativ “Akt-Verifikimi (pa datë), në përgjigje të kërkesës nr.563, datë 26 Mars 2008”, për kufizimin e veprimeve në regjistrin hipotekor nr.45, datë 06 Maj 1999, si edhe detyrimin e palës së paditur ZVRPP Tiranë, ta pajisë me vërtetim pronësie.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.2913 datë 14.04.2011, ka vendosur pranimin e padisë.
Kjo gjykatë, në thelb, arsyeton se nga provat e marra ne gjykim vërtetohet që paditësi Arben Frroku, është pronar i pasurisë me nr.6/165 me sipërfaqe 5000 m2 (me përmasa 95 x 52.6 m), e ndodhur në Rrugën e Durrësit, pronë e cila është e regjistruar në regjistrin hipotekor nr.45 datë 06.05.1999. Origjina e kësaj pasurie janë vendimi nr.817 datë 18.10.1994 i KKKP ish Pronarëve Tiranë, kontrata e pjesëtimit vullnetar nr.1429 rep/6258 kol datë 21.08.1996, kontrata e shitjes nr.9083 rep/1501 kol datë 24.09.1996 dhe kontrata e shitjes nr.988 rep/124 kol, datë 05.03.1999 të sipërcituara.
Me vendimin nr.2435 datë 14.07.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është anuluar vendimi nr.817 datë 18.10.1994 i KKKP ish Pronareve Tiranë, për sa i përket pikave 1/a dhe 1/b të tij, ku përfshihet edhe sipërfaqja e truallit të njohur dhe kthyer ish pronarit, me sipërfaqe 5000 m2 të cilën këta ish pronarë ia kanë shitur paditësit Arben Frroku. Nisur nga kjo rrethanë, pala e paditur ZRPP Tiranë ka mbajtur qëndrimin se prona objekt gjykimi ka mbetur pa origjinë pronësie, për rrjedhojë paditësi Arben Frroku nuk mund të pajiset me vërtetim pronësie. Por, ky vendim gjyqësor nuk rezulton të ketë disponuar mbi titullin e pronësisë së paditësit Arben Frroku, për sipërfaqen 5000 m2 të regjistruar në regjistrin hipotekor me nr.45 datë 06.05.1999. Po kështu, nga përmbajtja e këtij vendimi gjyqësor rezulton se paditësi Arben Frroku nuk ka qenë palë në atë gjykim, ndërkohë që titullin e pronësisë për pronën objekt gjykimi, ai e ka fituar kohë më parë se të jepej vendimi i mësipërm gjyqësor.
Gjykata e shkallës së parë, bazuar në nenin 451/a, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Civile, ka ardhur në përfundimin se vendimi nr.2435 datë 14.07.2000 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nuk mund të sjellë pasoja juridike mbi pronën e paditësit Arben Frroku. Gjithashtu, gjykata ka ardhur në përfundimin se nuk rezultoi ekzistenca e ndonjë pretendimi të personave të trete mbi pronën e paditësit Arben Frroku, ndërkohë që ky i fundit e posedon pa ndërprerje pronën e sipërcituar, i pa shqetësuar në këtë posedim nga persona të tretë. Titulli i pronësisë së paditësit Arben Frroku, mbi truallin objekt gjykimi me sipërfaqe 5000 m2 është i ligjshëm dhe pala e paditur ZRPP Tiranë duhet ta pajisë atë me vërtetim pronësie.
Kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë, pala e paditur ZRPP Tiranë dhe avokati i shtetit kanë paraqitur ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Gjykata e Apelit Tiranë, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, me vendimin nr.2259 datë 02.11.2011 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, pala e paditur ZRPP Tiranë dhe avokati i shtetit kanë paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë. Në rekurset e tyre, ato parashtrojnë duke i përsëritur, në thelb, të njëjtat pretendime konkrete mbi zbatimin e gabuar të ligjit dhe për çmimin e provave të cilat i kishin parashtruar njëherë në ankimet e paraqitura para gjykatës së apelit. Gjithashtu, në të dy rekurset evidentohet se Gjykata e Apelit Tiranë nuk ka arsyetuar e nuk ka dhënë ndonjë përgjigje mbi shkaqeve konkrete të paraqitura nga ana e tyre në ankim dhe në gjykimin para gjykatës së apelit.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vëren se, Gjykata e Apelit Tiranë, në vendimin e saj me të cilin ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të dhënë nga gjykata e shkallës së parë, përshkruan vetëm qëndrimin që ka mbajtur gjykata e shkallës së parë, duke u shprehur në fund të pjesës arsyetuese vetëm se ankimi i bërë në gjykatën e apelit gjendet i pabazuar në ligj e në prova dhe vendimi i dhënë nga gjykata e shkallës së parë duhet të mbetet në fuqi.
Prandaj, sikurse ka arsyetuar dhe konkluduar edhe për rastet e tjera të kësaj natyre në vendimet e tij, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të prishet dhe çështja të rishqyrtohet nga Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, për shkak se është dhënë në zbatim të gabuar të ligjit procedural.
Ky Kolegj vlerëson të evidentojë se gjykata e apelit vihet në lëvizje mbi ankimin palëve. Nga ana tjetër, Kushtetuta në pikën 1 të nenit 142 të Kushtetutës parashikon detyrimin që vendimet gjyqësore duhet të jenë të arsyetuara. Pra, gjykata e apelit ka detyrimin të arsyetojë qartë qëndrimin e saj për të gjitha dhe për aq sa janë pretendimet thelbësore e konkrete të parashtruara në ankim, për sa i përket zbatimit të ligjit material e procedural si dhe çmimit të provave nga ana e gjykatës së shkallës së parë.
Por, vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë që kundërshtohet me rekurs nga pala e paditur dhe avokati i shtetit, përsërit, thuajse në tërësinë e tij të renditjes dhe përmbajtjes, pjesën arsyetuese të vendimit të dhënë nga gjykata e shkallës së parë, por pa shprehur ndonjë qëndrim konkret të sajin mbi shkaqet e hollësishme dhe konkrete lidhur me pretendimet mbi zbatimin e ligjit dhe çmimin e provave të ngritura nga pala e paditur në ankimin e saj drejtuar gjykatës së apelit. Pra, në thelb, vendimit të gjykatës së apelit i mungojnë arsyet dhe përfundimet e vetë kësaj gjykate se përse nuk i gjen të mbështetura në ligj dhe prova pretendimet konkrete të ngritura në ankim, si edhe ligjin përkatës ku e mbështet ajo gjykatë qëndrimin e saj.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson të rikonfirmojë qëndrimet e mëparshme të saj se, në një vendim i tillë gjyqësor, nuk bëhet fjalë për mangësi që e bëjnë jo të plotë e të gjithanshëm hetimin gjyqësor të çështjes apo për ndonjë mangësi në plotësinë e cilësinë e arsyetimit të vendimit të dhënë nga gjykata e apelit. Nisur nga natyra e gjykimit në shkallë të dytë, ky është një vendim gjyqësor i dhënë nga një gjykate apeli por që nuk mund të konsiderohet si i arsyetuar.
Në një gjendje të tillë të gjykimit dhe arsyetimit të vendimit gjyqësor, palës ndërgjyqëse i është mohuar efektivisht e drejta për t’iu drejtuar gjykatës dhe për të pasur një gjykim të rregullt. Detyrimi kushtetues për arsyetimin e vendimit, për sa i përket gjykatës së shkallës së dytë, nuk përmbushet thjesht me përshkrimin e vendimit të dhënë nga gjykata më e ulët, nëse ajo vetë,si gjykatë më e lartë nuk parashtron në thelb qëndrimin e saj mbi shkaqet e ngritura në ankimin e paraqitur nga palët ndërgjyqëse. Në varësi të natyrës së mosmarrëveshjes, shkaqeve të ngritura në ankim dhe mënyrës së parashtrimit të tyre, gjykata ka jo vetëm të drejtën por edhe detyrimin të gjejë, rast pas rasti, arsyetimin e duhur që të krijojë bindjen se, në gjykim dhe në vendimin e saj, ajo gjykatë i ka dhënë përgjigje ezauruese pretendimeve të ngritura mbi kërkesën dhe ankimin e palës ndërgjyqëse.
Në të tilla rrethana, Kolegji Administrativ vlerëson se nuk është ezauruar gjykimi në apel dhe nuk është vendi që ky Kolegj të marrë në analizë dhe arsyetojë mbi shkaqet e ngritura në rekurset e palës së paditur dhe avokatit të shtetit. Prandaj, në rigjykim, në funksion të zgjidhjes së çështjes sipas ligjit dhe bindjes së saj të brendshme, gjykata e apelit duhet të marrë në shqyrtim e t’i japë përgjigje shkaqeve të ngritura në ankimin e palës së paditur ZRPP Tiranë dhe avokati i shtetit.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në mbështetje të shkronjës “c” të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I:
Prishjen e vendimit nr.2259 datë 02.11.2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 01.03.2016
Nr. 31001-00154-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2016 - 1292 i Vendimit (128)
Do'stlaringiz bilan baham: |