VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Ardian Dvorani Anëtar
Ardian Nuni Anëtar
Arjana Fullani Anëtare
Tom Ndreca Anëtar
Mori në shqyrtim në seancë gjyqësore të datës 01.03.2016, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: PETRIT SULEJMANI
I PADITUR: ZYRA QENDRORE E PASURIVE TË PALUAJTSHME
ZYRA VENDORE E PASURIVE TË PALUAJTSHME DURRËS
OBJEKTI:
Shfuqizimi i pikës 3 të vendimit administrativ nr.79 datë 27.10.2009
lënien ne fuqi të pikës 1 e 3 të tij “Trualli me nr. hipoteke 103 dt 17.04.2003
të ZVRPP Durrës është pa mbivendosje”.
Të detyrohet ZVRPP Durrës të lëshojë vërtetimin e pronësisë
me nr hipoteke 103, dt 17.04.2003 të pastër pa mbivendosje.
Baza Ligjore: Nenet 324,325, 328, 331 pika 3 451/a të K.Pr.Civile,
Ligji nr.7843, datë 13.07.1994 “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”,
me ndryshimet e bëra.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.9536 datë 13.12.2010 ka vendosur:
“Pranimin e padisë së paditësit Petrit Sulejmani. Anulimin e pikës 3 të vendimit administrative nr.79 dt 27.10.2009 të Kryeregjistruesit të ZQRPP. Pala e paditur ZVRPP Durrës të pajisë paditësin dhe bashkëpronarët e tij me vërtetim pronësie për pasurinë me nr hipoteke 103 dt 17.04.2003 pa mbivendosje”.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.1149 datë 24.05.2011 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.9536 datë 13.12.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Kundër vendimit nr.1149 datë 24.05.2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë ka ushtruar rekurs pala e paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, e cila kërkon ndryshimin e vendimeve të gjykatave të faktit dhe rrëzimin e padisë duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Gjykatat kanë zbatuar keq ligjin;
-
Të dyja gjykatat nuk kanë vlerësuar drejt provat e dosjes gjyqësore;
-
Pala paditëse nuk vërteton se ka fituar titull pronësie me një mënyrë të ligjshme fitimi pronësie; vendimi gjyqësor 1623, datë 21.10.2002 për detyrimin e Bashkisë Durrës të njohë pronar paditësin nuk është i mjaftueshëm për regjistrim pronësie, pasi një titull i tillë duhej dhënë nga organet e kthimit dhe kompensimit të pronave;
-
Bashkia Durrës nuk figuron pronare e pronës në regjistrat e ZRPP dhe në kuptim të udhëzimit nr.1/2007 nuk mund të regjistrohet një pronë pa qenë i regjistruar pronari i mëparshëm;
-
Urdhri i kufizimit është një akt administrativ i vlefshëm, i marrë në përputhje me Ligjin nr.7843/1994, neni 44;
-
Ka patur një numër të madh transaksionesh mbi pronë dhe kufizimi është vënë që të parandalohen veprime të padrejta në vazhdim;
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Arjana Fullani, përfaqësuesin e palës paditëse Petrit Sulejmani, Av. Jetmir Bilali i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, në mungesë të palëve të paditura ZQRPP Tiranë dhe ZVRPP Durrës, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se paditësi është bashkëpronar së bashku me trashëgimtarët e tjerë të Sulejman Sulejmanit; Nadire, Idriz, Eqerem, Medine,Hysnije, Selim e Resul i një sipërfaqe trualli prej 2750 m2, pasuria nr 47/83, ZK 8518 e ndodhur në Plazh, me përshkrimin sipërfaqe trualli në parcelën nr.33. Kjo sipërfaqe është regjistruar në regjistrin hipotekor nr.103 datë 17.04.2003. Në vërtetimin hipotekor të lëshuar me dt 26.03.2003 shënohet se origjina e pronës është nr.hipotekor 1366 datë 14.04.1997.
2. Nga përmbajtja e vendimit nr.360 datë 07.03.2002 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës rezulton se Resul Sulejmani si përfaqësues i trashëgimtarëve të Sulejman Sulejmanit ka kundërshtuar vendimin nr.254 datë 03.11.1997 të KKKPr Durrës i cili ju ka kthyer në natyrë trashëgimtarëve të Xhemal Hasës (të thirrur në këtë gjykim si persona të tretë), sipërfaqen e truallit prej 5000 m2, nga të cilat 2750 m2 pretendoi se është pronë e babait të tij. Rezulton se Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Durrës me vendimin nr.1719 datë 28.11.1998 ka njohur Sulejman Sulejmanin si pronar të një sipërfaqeje toke prej 475 m2 truall duke jua kthyer trashëgimtarëve të tij. Paditësit kanë paraqitur një vërtetim kadastral duke pretenduar se Sulejman Sulejmani ka patur në pronësi 3225 m2 nga e cila 2750 m2 tokë arë dhe 475 m2 tokë truall.
3. Rezulton se, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Durrës me vendimin nr.254 datë 03.11.1997 ju ka kthyer trashëgimtarëve të Xhemal Hasës 5000 m2 tokë që përfshin edhe parcelën me numërtimin e vjetër 33 (sot 827), në të cilën shtrihej prona prej 2750 m2 e cila është pretenduar se ka qenë pronë e Sulejman Sulejmanit. Ky fakt rezulton prej vendimit nr.360 datë 07.03.2002 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Trashëgimtarët e Xhemal Hasës, pronën e fituar me Vendimin nr.245 të KKKP Durrës, e kanë regjistruar në Hipotekë, ZVRPP Durrës, dhe me kontratën nr.1480 rep., nr.635 kol., datë 06.06.1998 ata kanë pjesëtuar pasurinë prej 5000 m2. Me kontratën e shitjes nr.1572 rep., nr.1035 kol., datë 10.11.1998 Makbule Hasa, një nga trashëgimtarët e Xhemal Hasës, i ka shitur Hektor Bizbiqit një sipërfaqe prej 780 m2 truall të përfituar nga pjesëtimi i pasurisë së fituar me vendimin nr.245 datë 03.11.1997 të KKKP Durrës.
4. Gjatë gjykimit të çështjes që i përket vendimit nr.360 datë 07.03.2002 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës është vërtetuar se sipërfaqja prej 2750 m2 e shtrirë në parcelën nr 33 është përfituar padrejtësisht nga trashëgimtarët e Xhemal Hasës dhe konkretisht nga: akti i ekspertimit i ekspertit Njazi Ademi, vendimi nr.751 datë 21.02.1995 i KKKP Durrës i cili ka përcaktuar se prona e familjes Hasa është shtrirë në parcelat 34 e 68 dhe ka qenë kufitare me parcelën 33, si dhe nga vete pohimi gjyqësor i përfaqësuesit të personave të tretë të cilët në gjykim pohuan se nuk kanë asnjë pretendim për parcelën 33 dhe se edhe ata vetë kanë kërkuar ndreqjen e gabimit të bërë.
5. Në përfundim të gjykimit me vendimin nr.360 dt 07.03.2002 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës kjo gjykatë ka vendosur:”Pranimin e kërkesëpadisë së palës paditëse Resul Sulejmani duke anuluar vendimin nr.254 datë 03.11.1997 të KKKP Durrës me të cilin ju është kthyer familjes Hasa sipërfaqen prej 5000 m2 truall në parcelën nr.33 Plazh Durrës. Njohjen e pronësisë së Sulejman Sulejmanit mbi një sipërfaqe toke prej 2750 m2 të ndodhur në parcelën 33 në plazh Durrës ....me kufij të përcaktuar. .. Çregjistrimin e sipërfaqes së truallit prej 5000 m2 të regjistruar në regjistrat e ZRPP Durrës në bazë të Vendimit nr.254 datë 03.11.1997 të KKKP Durrës në favor të trashëgimtarëve të Xhemal Hasës...”.
6. Mbi bazën e ankimit të një nga trashëgimtarëve të Xhemal Hasës Gjykata e Apelit Durrës me vendimin nr.392 dt 24.07.2002 ka vendosur: Lënien në fuqi të vendimit përsa i përket anulimit vendimit nr.254 dt 03.11.1997 të KKKP Durrës dhe çregjistrimin e sipërfaqes së truallit prej 5000 m2 të regjistruar në regjistrat e ZRPP Durrës në bazë të Vendimit nr.254 dt 03.11.1997 të KKKP Durrës si dhe prishjen e vendimit dhe pushimin e gjykimit përsa i përket kërkimit për njohjen e pronësisë së Sulejman Sulejmanit mbi një sipërfaqe toke prej 2750 m2 të ndodhur në parcelën 33. Arsyetimi në këtë vendim është se: “në lidhje me kërkimin për njohje pronar të Sulejman Sulejmanit mbi sipërfaqen prej 2750 m2 ky kërkim nuk duhej të paraqitej në këtë gjykim pasi duhej të paraqitej më vete sepse në bazë të nenit 22 të Ligjit 7698 vërtetimi i faktit të pronësisë për efekt të kthimit dhe kompensimit të pronave bëhet me palë kundërshtare duke u thirrur si palë e paditur organi i pushtetit vendor në territorin e së cilës pretendohet pronësia”.
7. Me vendimin nr.1623 dt 21.10.2002 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës është vendosur: “Pranimi i padisë së paditësit Resul Sulejmani ndaj palës së paditur Bashkia Durrës për njohjen pronar të një sipërfaqe toke prej 2750 m2 të ndodhur në parcelën nr.33 plazh Durrës me kufizime të përcaktuara”. Nga përmbajtja e këtij vendimi del se paditësi për ngritjen e kësaj padie është orientuar nga Gjykata e Apelit Durrës me vendimin nr.392 dt 24.07.2002. Me vendimin nr.350 akti dt 12.12.2002 Gjykata Rrethit Durrës ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit dhe në bazë të nenit 511 të K.P.C ka vendosur urdhërimin e Zyrës së Përmbarimit Durrës që të ekzekutojë në mënyrë të detyrueshme vendimin nr.1623 datë 21.10.2002 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Zyra e Përmbarimit Durrës me datë 24.03.2003 ka urdhëruar ZVRPP Durrës që të bëjë regjistrimin e sipërfaqes prej 2750 m2 në regjistrat e ZVRPP Durrës mbi bazën e vendimit të formës së prerë datë 21.10.2002 të Gjykatës së Rrethit Durrës në emër te trashëgimtarëve të Sulejman Sulejmanit.
8. Nga përmbajtja e shkresës nr.46 prot., datë 09.04.2003 të ZVRPP Durrës del se sipërfaqja prej 5000 m2 e regjistruar në regjistrat e ZVRPP Durrës mbi bazën e Vendimit nr.254 datë 03.11.1997 të KKKP në favor të trashëgimtarëve të Xhemal Hasës është çregjistruar, ndërsa sipërfaqja prej 2750 m2 është regjistruar në emër të trashëgimtarëve të Sulejman Sulejmanit në bazë të Urdhrit të Zyrës së Përmbarimit. Mbi këtë bazë trashëgimtarët e Sulejman Sulejmanit janë pajisur me vërtetimin nga dokumenti hipotekor nr.103 datë 17.04.2003. Me kontratën nr.4073 rep., nr.420 kol., datë 06.05.2005 të lidhur para noteres Majlinda Lleshi pronarët e truallit: Nadire, Idriz, Eqerem, Petrit , Hysnije, Medine, Selim, e Resul Sulejmani kanë vënë në dispozicion të Shoqërisë ndërtuese 2A-L sipërfaqen prej 2756 m2 truall, parcela 33, dhe sipërfaqen prej 475 m2 truall, parcela 33 të ndodhura në Lagjen 13 me qëllim që kjo shoqëri të ndërtojë një kompleks banimi e shërbimesh sipas lejes së ndërtimit që do ti jepet nga Urbanistika Durrës. Nga përmbajtja e akteve të administruara në seancë gjyqësore rezulton se me Vendimin nr.6 datë 26.10.2006 është dhënë leja e ndërtimit për Shoqërinë 2AL.
9. Rezulton se mbi bazën e ankimit të Zijadin Hudës, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka filluar procedimin penal në ngarkim të Resul Sulejmanit dhe të disa personave të tjerë që kanë patur lidhje me regjistrimin dhe me dhënien e lejes se ndërtimit për ndërtesën e ndërtuar mbi truallin objekt gjykimi. Në përfundim të hetimit Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës me vendimin datë 07.12.2007 ka vendosur pushimin e gjykimit me arsyetimin se si në veprimet e Resul Sulejmanit ashtu edhe të punonjësve që kanë patur lidhje me regjistrimin dhe me dhënien e lejes së ndërtimit nuk ka elemente të veprës penale të falsifikimit apo të shpërdorimit të detyrës.
10. Me vendimin nr.3 datë 15.01.2009 “Për fshirjen e regjistrimit të paligjshëm të pasurisë së paluajtshme për shkak mbivendosje”, Regjistruesi i ZVRPP Durrës ka vendosur: “T’i kërkojë Kryeregjistruesit fshirjen e regjistrimit të kryer në kundërshtim me ligjin për pasuritë me: 1. nr.hip 12192 dt 23.11.1998 sipërfaqe 780 m2 ZK 8518 ndodhur në lagjen nr.13, Rr “Tre vëllezërit”, Plazh, Durrës në pronësi të Hektor Pandeli Biziqi... 2. nr.hip 1103 dt 17.04.2003 sipërfaqe 2750 m2 ZK 8518 ndodhur në lagen nr.13, Rr “Tre vëllezërit”, Plazh, Durrës në pronësi të trashëgimtarëve Sulejmani...’.
11. Me vendimin nr.79 datë 27.10.2009 “Për fshirjen e regjistrimeve të paligjshme të pasurive të paluajtshme” të Kryeregjistruesit është vendosur: Ndryshimin e vendimit nr.03 datë 15.01.2009 i Regjistruesit të ZVRPP Durrës duke urdhëruar: 1. Fshirjen e të gjitha transaksioneve të kryera në vijim të regjistrimit me nr hip 1500 dt 20.11.1997 duke përfshirë edhe atë të kryer në nr hip 12192 dt 23.11.1998 në favor të Hektor Pandeli Bizbiqi; 2. Të vendoset kufizimi i veprimeve në rregullimin e marrëdhënieve me truallin, mbi regjistrimin e kryer me nr hipotekor 138 dt 26.05.2003 në të cilën është regjistruar ndërtesa e ngritur mbi truallin e regjistruar në nr.hip 12192 datë 23.11.1998 në favor të Hektor Pandeli Bizbiqi; 3. Në Bazë të nenit 44 të Ligjit 7843 datë 13.07.1994 mbi regjistrimin e kryer nr.103 datë 17.04.2003 në favor të trashëgimtarëve Sulejmani duhet të vendoset kufizimi deri në paraqitjen e aktit të fitimit të pronësisë të parashikuar nga neni 193 të Kodit Civil dhe nenit 24/a të ligjit 7843 të ndryshuar”.
12. Ndodhur në këto kushte pala paditëse Petrit Sulejmani i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi.
13. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.9536 datë 13.12.2010 ka vendosur: “Pranimin e padisë së paditësit Petrit Sulejmani. Anulimin e pikës 3 të vendimit administrative nr.79 dt 27.10.2009 të Kryeregjistruesit të ZQRPP. Pala e paditur ZVRPP Durrës të pajisë paditësin dhe bashkëpronarët e tij me vërtetim pronësie për pasurinë me nr hipoteke 103 datë 17.04.2003 pa mbivendosje”.
13.1. Arsyetimi i Gjykatës: Nga provat e administruara në seancë gjyqësore nuk u vërtetua asnjë nga elementët e nenit 44 të Ligjit 7843. Pra nuk u vërtetua as se pala paditëse e ka regjistruar pasurinë objekt gjykimi mbi bazën e një mashtrimi, veprimi të padrejtë apo të pamjaftueshëm dhe as se e drejta e paditësit dhe e bashkëpronarëve të tij është e kufizuar. Siç u parashtrua më lart si rezultat i procedurave të shumta e gjata gjyqësore është vërtetuar se sipërfaqja prej 2750 m2 truall me pa të drejtë i është kthyer nga KKKPr Durrës fillimisht trashëgimtarëve të Xhemal Hasës të cilët e kanë regjistruar në ZVRPP Durrës. Me të drejtë mbi bazën e një vendimi gjyqësor kjo pronë është urdhëruar që të çregjistrohet nga trashëgimtarët e Xhemal Hasës. Nga përmbajtja e vendimit nr.360 dt 07.03.2002 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, atij nr.1623 dt 21.10.2002 të Gjykatës së Rrethit Durrës dhe indirekt edhe nga përmbajtja e vendimit nr 392 dt 24.07.2002 të Gjykatës së Apelit Durrës del e qartë se kjo sipërfaqe toke ka qenë pronë e Sulejman Sulejmanit. Pra nga arsyetimi logjik dhe nga analiza e te gjitha provave del se prona prej 2750 m2 që ka qenë e regjistruar në emër të trashëgimtarëve të Xhemal Hasës duhej që të regjistrohej në emër të trashëgimtarëve të Sulejman Sulejmanit, i cili ka qenë pronari i ligjshëm i saj para shpronësimit nga shteti komunist. Gjykata çmon se regjistrimi i kësaj prone nuk është bërë as me mashtrim apo falsifikim dhe as me ndonjë veprim të padrejtë. Rezultoi e provuar se regjistrimi është bërë mbi bazën e urdhrit të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor të bërë nga Gjyqtarja Majlinda Andrea dhe të urdhëruar nga Zyra e Përmbarimit Durrës, pra në kuptim të nenit 193/h të Kodit Civil. Pra veprimi për regjistrimin e sipërfaqes prej 2750 m2 në regjistrat hipotekorë të ZVRPP Durrës në emër të trashëgimtarëve të Sulejman Sulejmanit, vlerësohet nga gjykata se nuk ka qenë i pamjaftueshëm në kuptimin që i jep neni 44 i Ligjit 7843. Përderisa pronarët Sulejmani në vitin 2005 ( 2 vjet pasi vendimi gjyqësor që i ka njohur ata pronarë të truallit është ekzekutuar), kanë lidhur një kontratë sipërmarrje për ndërtim mbi truallin që ata kanë patur të regjistruar në ZVRPP, pra kanë mundur që të disponojnë mbi truallin e regjistruar në emër të tyre, gjykata çmon se e drejta e tyre e pronësisë nuk ka qenë dhe nuk është e kufizuar. Gjykata çmon se pasuria ne emër të Hektor Bizbiqit u provua se rrjedh nga nr hipotekor nr 1500 dt 23.11.1997 e trashëgimtarëve të Xhemal Hasës, e cila është çregjistruar me vendimin e Gjykatës së Apelit nr 392 dt 24.07.2002. Nga aktet që ndodhen në dosjen gjyqësore u provua se pas pjesëtimit vullnetar të pasurisë nga trashëgimtarët e Xhemal Hasës , Hektor Bizbiqi ka blerë 780 m2 truall nga Makbule Hasa dhe më vonë me Zijadin Hudën ka ndërtuar një ndërtesë 3 katëshe. Pra kjo pasuri, trualli me sipërfaqe 780 m2 i ndodhur brenda truallit prej 2750m2 , në ekzekutim të vendimit të gjykatës që në vitin 2003, nuk duhej që të figuronte më në regjistrat hipotekorë të ZVRPP Durrës dhe si e tillë në vitin 2009 kur është marrë vendimi objekt gjykimi, nuk duhej që të krijonte mbivendosje me pronën e paditësit. Gjykata çmon se vendimi nr 3 i palës së paditur ZVRPP Durrës nuk është akt administrative në kuptimin që i jep neni 105 i K Pr Administrative akteve administrative pasi ai në vetvete nuk sjell pasoja juridike ndaj paditësit por është një propozim që ky organ i bën organit të tij më të lartë, ZQRPP. Akti që sjell pasoja juridike mbi paditësin është vendimi nr 79 dt 27.10.2009 të Kryeregjistruesit të ZQRPP”.
14. Gjykata e Apelit Tirane me vendimin nr.1149, date 24.05.2011 ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.9536, datë 13.12.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
14.1. Arsyetimi i Gjykatës: “I njëjtë me atë të faktit”
15. Kundër vendimit nr.1149, datë 24.05.2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë ka ushtruar rekurs pala e paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, e cila kërkon ndryshimin e vendimeve të gjykatave të faktit dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
16. Dispozitat e ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
16.1 Neni 1/2: Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe.
16.2 Neni 17/2: Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.
17. Dispozitat e ligjit nr.7843/1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”;
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
18. Se rekursi i paraqitur nga pala e paditur, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë nuk përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” të cilat bëjnë të cenueshëm vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
19. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, pretendimeve e prapësimeve të palëve, vendimeve të gjykatave të faktit, shkaqeve të rekursit, arrin në përfundimin se vendimi nr.1149 datë 24.05.2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë, me të cilin është lënë në fuqi vendimi nr.9536 datë 13.12.2010, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është i drejtë dhe për këtë shkak ai duhet të lihet në fuqi.
20. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të gjykatave të faktit.
21. Në vlerësim të natyrës juridike të mosmarrëveshjes, shkakut të lindjes së saj, Kolegji Administrativ, çmon se në çështjen objekt shqyrtimi marrëdhënia krijohet midis paditësit Petrit Sulejmani dhe institucioneve shtetërore të ngarkuara nga ligji për të ndjekur dhe zbatuar procedurat për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Në këtë kuptim çështja objekt shqyrtimi përbën mosmarrëveshje administrative, dhe nga pikëpamja lëndore, në referim të nenit 7 të ligjit nr.42/2012, ky Kolegj është kompetent për shqyrtimin e kësaj mosmarrëveshje.
22. Në analizë të shkakut të ligjor të kërkimeve të paraqitura nga paditësi Petrit Sulejmani në kërkesë padi si dhe gjatë gjykimit, rezulton se në çështjen objekt shqyrtimi jemi përpara një konflikti për kundërshtimin e aktit administrativ, pikës 3 të vendimit nr.79 datë 27.10.2009 të Kryeregjistruesit për vendosjen e kufizimit të veprimeve mbi pasurinë e paditësit Petrit Sulejmani.
23. Rezulton se nga ana e regjistruesit të ZRPP Durrës është propozuar fshirja e regjistrimit të pasurisë në emër të paditësit, por nga ana e ZQRPP Tiranë është urdhëruar kufizimin e pasurisë së trashëgimtarëve Sulejmani, deri në paraqitjen e aktit të fitimit të pronësisë, bazuar në nenin 44 të ligjit nr.7843/1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.
24. Për zgjidhjen e drejtë të çështjes, Kolegji vlerëson të marrë në shqyrtim dispozitat e ligjit nr.nr. 7843/1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” që kanë qenë në fuqi të kohën e lindjes së mosmarrëveshjes, konkretisht në nenin 44 parashikohet shprehimisht se: “Për parandalimin e ndonjë mashtrimi, veprimi të padrejtë ose të pamjaftueshëm, regjistruesi lëshon urdhër për regjistrimin e kufizimit në seksionin përkatës të kartelës, me ose pa kërkesën e personit të interesuar për pasurinë e paluajtshme, kontratën e qirasë ose hipotekën pasi të ketë udhëzuar që të dëgjohen ata persona që ai i mendon të përshtatshëm. Ky urdhër ndalon ose kufizon veprimet me këtë pasuri të paluajtshme. Një kufizim mund të zgjasë: a) për një periudhë të caktuar; b) deri me realizimin e një ngjarje të caktuar; c) deri me nxjerrjen e një urdhri të dytë. Regjistruesi urdhëron që të regjistrohet një kufizim në rastet kur ai sheh se e drejta e pronarit për të vepruar mbi pasurinë e paluajtshme, kontratën e qirasë ose hipotekën është e kufizuar”.
25. Në interpretim të dispozitës ligjore të mësipërme, regjistruesi i ZRPP ka të drejtë të nxjerrë urdhër kufizimi të pronës në rastet kur ai sheh se e drejta e pronarit për të vepruar mbi pasurinë e paluajtshme, kontratën e qirasë ose hipotekën është e kufizuar, por duke dëgjuar paraprakisht palët e interesuara të cilave iu preken interesat pasurore nga ky veprim i organit shtetëror. Urdhri i kufizimit të pronës nga regjistruesi ka efekt parandalues dhe vendoset kur ndodhemi përpara ndonjë mashtrimi, veprimi të padrejtë ose të pamjaftueshëm ose përpara një konflikti të vërtetuar me anë të dokumenteve të mjaftueshme.
26. Në çështjen objekt shqyrtimi, sikurse me të drejtë ka arsyetuar Gjykata e Apelit, nuk është respektuar procedura e përcaktuar në këtë dispozitë për të dëgjuar pretendimet e palëve të interesuar si dhe nuk është vërtetuar asnjë nga rrethanat e mësipërme të cilat do të ligjëronin masën e vendosjes së kufizimit të veprimeve mbi pasurinë e paluajtshmet paditësit Petrit Sulejmani. I vetmi shkak i përdorur nga pala e paditur ZQRPP Tiranë, për nxjerrjen e urdhrit të kufizimit është paraqitja e aktit të fitimit të pronësisë, i cili i ishte paraqitur kësaj pale dhe gjithashtu kishte shërbyer për regjistrimin e kësaj pasurie në regjistrat e pasurive të paluajtshme, pra kjo palë e dispononte këtë titull në arkivin e saj.
27. Rezulton se pala paditëse zotëron një vendim gjyqësor të formës së prerë i cili e njeh pronar dhe sipas parashikimeve të nenit 24 të ligjit nr.7843/1994 dhe nenit 193/h të Kodit Civil përbën titull pronësie të detyrueshëm për regjistrim. Përsa kohë pala e paditur e dispononte këtë titull, ZQRPP nuk mund të vendoste kufizim mbi pronën e paditësit pasi titulli i pronësisë i palës së paditur është vlerësuar në momentin që është regjistruar dhe nuk mundet që pala e paditur të vendosë urdhër kufizimi me arsyetimin se duhet të sjellë titull të vlefshëm pronësie në kushtet kur kjo pronë është regjistruar në bazë të një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Në çdo rast jemi përpara një vendimi gjyqësor të formës së prerë të detyrueshëm për regjistrim i cili i ka njohur të drejtën e pronësie paditësit, ZQRPP nuk mund të pretendojë që pala paditëse të kufizohet në veprimet e saj për parandalimin e ndonjë mashtrimi apo veprimi të padrejtë përsa kohë ekziston një vendim gjyqësor i cili është titull pronësie i ligjshëm.
28. Vlen të evidentohet që pala e paditur ZQRPP Tiranë ka hetuar dhe ka rezultuar se pasuria e paditësit është regjistruar në bazë të një vendimi gjyqësor të formës së prerë, dhe në këto kushte pala e paditur në mënyrë të padrejtë ka marrë vendim për kufizimin e pasurisë duke ndaluar kryerjen e veprimeve të mëtejshme me këtë pasuri. Në këtë kuptim, këto veprime të ZQRPP Tiranë të detyrueshme për t’u aplikuar, janë në kundërshtim me parashikimet e nenit 44 të ligjit nr.7843/1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, në lidhje me vendosjen e kufizimit mbi një pasuri të paluajtshme. Në këto kushte kjo gjendje e mosrespektimit dhe aplikimit të parashikimeve ligjore dhe veprimeve të parashikuara shprehimisht nga ligji, ka sjellë si pasojë kundërligjshmërinë e veprimeve të ZQRPP Tiranë duke e kufizuar të gjitha veprimet e mundshme që mund të behën me këtë pasuri.
29. Nisur nga analiza e mësipërme, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson, Gjykata e Apelit ka vlerësuar drejtë kur ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor, i cili ka pranuar padinë, lidhur me shfuqizimin e pikës 3 të vendimit të Kryeregjistruesit për vendosjen e kufizimit mbi pasurinë e paditësit Petrit Suljmani, i cili gjendet në kundërshtim me ligjin.
30. Sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se vendimi nr.1149 datë 24.05.2011 i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.1149 datë 24.05.2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
Tiranë, më 01.03.2015
Nr. 11243-01914-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-538 i Vendimit (125)
Do'stlaringiz bilan baham: |