VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:
Evelina Qirjako Kryesuese
Arjana Fullani Anëtare
Medi Bici Anëtar
Në datën 03.03.2016 mori në shqyrtim në Dhomën e Këshillimit çështjen administrative me nr.02475/2013 akti që iu përket palëve:
PADITËS: SOTIRAQ PLASARI
I PADITUR: BORDI I KULLIMIT KORÇË
OBJEKTI:
Pagim shume që buron nga faturat tatimore të shitjes
nr. 810, 811, 812 (pa datë) në shumën 193.500 lekë.
Baza Ligjore: Nenet 419, 705 dhe 733 të Kodit Civil.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin nr.826 (41-2013-1544), datë 09.04.2013, ka vendosur:
Pranimin e kërkesëpadisë të paditësit Sotiraq Plasari, person fizik me numër identifikimi (nipt) K 33925036 K.
Detyrimin e palës së paditur Bordi i Kullimit Korçë, ti paguaj paditësit Sotiraq Plasari, person fizik, shumën 193.500 lekë (njëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e pesëqind) lekë.
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.393, datë 12.07.2013 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.826, datë 09.04.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të ketë paraqitur rekurs Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Korçë, e cila kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.393, datë 12.07.2013 të Gjykatës së Apelit Korçë dhe vendimit nr.826, datë 09.04.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.
Shkaqet që Avokatura e Shtetit, Zyra Vendore Korçë paraqet në rekurs, janë:
-
Pala e paditur Bordi i Kullimit Korçë nuk ka dijeni përsa i përket faturave të thjeshta tatimore të sipërpërmendura, si dhe të mallrave për të cilat janë lëshuar këto fatura nga paditësi. Fatura tatimore është përmbyllja e aktit të shitblerjes dhe si e tillë prezumon ezaurimin e të gjitha procedurave që i paraprijnë këtij të fundit.
-
Në rastin në fjalë përderisa i padituri është institucion buxhetor, çdo blerje, shërbim i kryer apo punim i nënshtrohet ligjit të prokurimeve publike, si dhe VKM-ve të dala në zbatim të tij. Për shërbimet të cilat pretendohet se janë kryer në zbatim të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimet Publike”, i ndryshuar si dhe VKM nr.01, datë 10.01.2007 i ndryshuar, duke qenë se shuma është nën kufirin prej 400.000 lekësh, ligji parashikon procedurën e prokurimit të drejtpërdrejtë.
-
Në rastin e prokurimit me vlerë më të ulët se 400.000 lekë në vit, Autoriteti kontraktor planifikon në fillim të vitit natyrën, sasitë dhe llojet e kontratave, që do të prokurohen në këtë mënyrë. Në këtë rast Autoriteti Kontraktor, Bordi i Kullimit Korçë nuk ka parashikuar blerjen e mallrave të paraqitura në faturë.
-
Kur lind nevoja për punë, mallra ose shërbime, titullari i Autoritetit Kontraktor ose një zyrtar i autorizuar, lëshon një urdhër, ku përcaktohen natyra dhe sasitë e tyre. Autoriteti Kontraktor në këtë rast nuk ka lëshuar asnjë urdhër prokurimi për blerjen e mallrave të pretenduara.
-
Anëtarët e komisionit testojnë tregun për të marrë tregues për çmimet e punëve, mallrave ose të shërbimeve, të cilat i pasqyrojnë në një proces verbal të mbajtur dhe të nënshkruar nga të tre anëtarët. Bazuar në kriterin e çmimit më të ulët, komisioni përcakton fituesin. Anëtarët e komisionit i drejtohen operatorit ekonomik, që ka ofruar çmimin më të ulët dhe bëjnë blerjen e mallrave, kryerjen e punëve ose të shërbimeve.
-
Gjatë të gjithë kësaj procedure duhet të mbahet procesverbali, i cili nënshkruhet nga të gjithë zyrtarët e përfshirë në proces, duke i bashkëlidhur faturat përkatëse. Në këtë rast nuk ekziston asnjë procesverbal dhe për më tepër i firmosur nga anëtarët e Komisionit, sepse nuk ekziston asnjë ofertë e paraqitur nga operatorët ekonomikë për çmimin e mallrave, sepse nuk është kërkuar asnjë mall.
-
Në çdo rast faturat e mallrave apo të shërbimeve duhet të jenë të rregullta dhe sipas legjislacionit në fuqi, si dhe të nënshkruhen nga anëtarët e komisionit. Faturat e lëshuara kanë vlerën e kontratës së lidhur. Pra jo vetëm që fatura duhet të jetë e rregullt sipas legjislacionit në fuqi dhe të nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e komisionit, por duhet të ekzistojë paraprakisht dhe një kontrate shitblerje e firmosur nga palët në proces.
-
Fatura është e pa datuar, në kundërshtim me nenin 36 të ligjit nr.7928, datë 27.04.1995, i ndryshuar “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” gjë e cila lë shteg për abuzime të cilat janë kryer që në momentin kur këto fatura janë firmosur nga titullari i atëhershëm i institucionit pa pasur paraprakisht një procedurë korrekte të kryer madje pa qenë parashikuar nevoja të kryhen këto blerje.
-
Në lidhje me deklaratat e dëshmitarëve të thirrur gjatë gjykimit mendojmë se deklarimet e tyre ishin kontradiktore dhe nuk duhet të merren parasysh.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi çështjen në tërësi, në Dhomën e Këshillimit, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 18.09.2013 është regjistruar çështja administrative nr.11243-02475-00-2013 regj. them, që u përket palëve: paditës Sotiraq Plasari dhe i paditur Bordi i Kullimit Korçë, me objekt: Pagim shume që buron nga faturat tatimore të shitjes nr.810, 811, 812 (datë) në shumën 193.500 lekë.
2. Vendimi nr.826 (41-2013-1544), datë 09.04.2013 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe vendimi nr.393, datë 12.07.2013 i Gjykatës së Apelit Korçë janë marrë në zbatim të gabuar të ligjit, prandaj ato duhet të ndryshohen, duke u rrëzuar kërkesëpadia.
I. Rrethanat e çështjes:
3. Nga aktet ka rezultuar se paditësi Sotiraq Plasari person fizik me objekt veprimtarie shitje me shumicë dhe pakicë pjesë këmbimi për automjete, i ka shitur palës së paditur Bordit të Kullimit Korçë disa pajisje dhe për këtë palët kanë nënshkruar fatura të thjeshta tatimore, me nr.810, 811 dhe 812 (pa datë). Vlera e këtyre faturave është respektivisht: 96.000 lekë, 49.500 lekë dhe 48.000 lekë.
4. Për palën e paditur, Bordi i Kullimit Korçë faturat janë nënshkruar në kolonën “blerësi” nga Dhimitraq Buleci, por në pjesën hyrëse të tyre edhe nga drejtori Gentjan Pere. Këto fatura përkojnë me periudhën kohore 15.01.2010 - 26.01.2010.
5. Duke qenë se nuk është likuiduar, paditësi Sotiraq Plasari me cilësinë e personit fizik, i është drejtuar gjykatës, duke kërkuar pagimin e shumës që buron nga faturat tatimore të shitjes nr.810, 811 dhe 812 (pa datë), në shumën 193.500 lekë.
II. Vendimet e gjykatave dhe arsyetimi i tyre:
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin nr.826 (41-2013-1544), datë 09.04.2013, ka vendosur:
Pranimin e kërkesëpadisë të paditësit Sotiraq Plasari, person fizik me numër identifikimi (nipt) K 33925036 K.
Detyrimin e palës së paditur Bordi i Kullimit Korçë, ti paguaj paditësit Sotiraq Plasari, person fizik, shumën 193.500 (njëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e pesëqind) lekë.
7. Gjykata e rrethit gjyqësor ndër të tjera arsyeton se:
..... Gjykata çmon se pretendimet e ngritura nga përfaqësuesit e palës së paditur nuk lidhen me kërkimet e paditësit ndaj Bordit të Kullimit Korçë. Shitësin, në situatë të tilla, ligjvënësi nuk e ka ngarkuar me respektimin e ndonjë procedure paraprake, por detyrime të tilla të parashikuara në kuadër ligjor specifik, siç është ai i prokurimit publik lidhen vetëm me përfituesin e furnizimit, pra blerësin. Ndërsa shitësi ka detyrimin të respektojë detyrimet e përgjithshme që burojnë për të në Kodin Civil.
Pra gjykata, pa i hyrë faktit nëse është zbatuar drejtë ose jo procedura e blerjes së materialeve të pasqyruara në këto fatura, argumenton se pretendime të tilla pala e paditur Bordi i Kullimit Korçë mund të ngrejë në një gjykim kundër personit apo personave që ajo vlerëson përgjegjës për këtë mosrespektim të këtyre procedurave paraprake, që vetë pala e paditur konkludon se përfundojnë me nënshkrimin e një fature të thjeshtë tatimore.
Vetëm në një gjykim të tillë mund të merren në shqyrtim pretendimet e palës së paditur, por dhe prapësimet e personit apo personave që ajo do të vlerësojë përgjegjës për këtë mosrespektim procedurash paraprake në kuadër të zbatimit të legjislacionit në fushën e prokurimit.
Faturat tatimore mbi të cilat paditësi Sotriaq Plasari, person fizik, pretendon shumën e specifikuara në to, janë plotësuar në referim të nenit 36 të ligjit nr.7928, datë 27.04.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Pra paditësi ka lëshuar faturën tatimore, për të provuar furnizimin e Bordit të Kullimit me ato çka pasqyrohen në këto fatura, megjithëse këto fatura nuk kanë datën.
Gjykata vlerëson se mungesa e datës në këto fatura nuk i bën ato të pavlefshme në kuadër të të provuarit të faktit të furnizimit të kryer për llogari të Bordit të Kullimit Korçë, në kushtet kur këto fatura diponohen në zyrën e financës së këtij institucioni. Gjithashtu, vlera provuese e këtyre faturave nuk humbet as për faktin që materialet e përmendura në to nuk janë bërë hyrje në institucionin e Bordit të Kullimit Korçë, sikurse pretendojnë perfaqesueset e palës së paditur.
Sikurse deklaroi dhe dëshmitari Dhimtraq Buleci, në këtë rast, ai si përfaqësues i Bordit të Kullimit ka vërtetuar vendosjen e pjesëve të këmbimit në mjetet e Bordit të Kullimit Korçë, të pasqyruara në këto fatura dhe për pasojë nuk janë blerje për të cilat bëhen hyrje në magazinë.
Gjykata arsyeton se marrëdhënia e detyrimit të palës së paditur Bordit të Kullimit Korçë me paditësit Sotiraq Plasari, në kuptim të nenit 419 të Kodit Civil, është kontrata e shitjes të konkretizuar me faturat e thjeshta tatimore. Pra detyrimi ka lindur nga kontrata, si një ndër dy burimet e lindjes së detyrimeve : me ligj dhe me kontratë, sipas nenit 420 të Kodit Civil.
Referuar dispozitave të kontratave në përgjithësi, por dhe atyre të kontratës së shitjes në veçanti, konkretisht neneve 659, 662, 705 të Kodit Civil, kontrata e shitjes është një kontratë e dyanshme, pasi për të dyja palët lindin detyrime reciproke. Sipas nenit 705 e vijues të Kodit Civil, kontrata e shitjes së sendeve të paluajtshme nuk ka si kusht vlefshmërie formën e shkruar të saj. Këto detyrime specifikohen, për shitësin në nenin 710 të Kodit Civil, ku detyrimi bazë është ai i dorëzimit të sendit dhe për blerësin në nenet 730-733 të Kodit Civil.
Referuar nenit 476 të Kodit Civil, kreditorit, në këtë rast paditësit Sotiraq Plasari, person fizik, i lind e drejta të kërkojë përmbushjen e detyrimit, pra pagesën e shumës që përbën çmimin e kontratave të shitjes (dhe dëmin e shkaktuar, por që nuk është objekt i padisë). Përfundimisht, gjykata konkludon se pala e paditur duhet ti paguaj paditësit Sotiraq Plasari, person fizik detyrimin prej 193.500 lekë që buron nga kontratat e shitjes së konkretizuara me faturat tatimore të shitjes, duke u pranuar kështu padia si e bazuar në ligj dhe në prova.....
8. Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.393, datë 12.07.2013 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.826, datë 09.04.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.
9. Gjykata e apelit ndër të tjera arsyeton se:
.... Gjykata çmon se në ndryshim nga sa pretendohet në ankim se: Pala e paditur Bordi i Kullimit, nuk ka dijeni përsa i përket faturave të thjeshta tatimore të sipërpërmendura si dhe të materialeve për të cilat janë lëshuar këto fatura, nga gjykimi konstatohet se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka hetuar në këtë drejtim dhe ka provuar se janë marrë materialet që përmbajnë faturat dhe janë kryer punimet në mjetet e institucionit. Këtë fakt e ka pohuar dëshmitari Dhimitraq Buleci që është inxhinier mekanik në degën teknike të palës së paditur si dhe Gentjan Pere, i cili ka qenë Drejtor i Bordit të Kullimit Korçë për atë periudhë.
Të pabazuar e gjen gjykata e apelit dhe pretendimin se: Në rastin në fjalë përderisa i padituri është institucion buxhetor çdo blerje, apo shërbim i kryer duhet ti nënshtrohet ligjit për prokurimet publike si dhe VKM-ve të dala në zbatim të tij, pasi legjislacioni ynë shitësin në situata të tilla nuk e ngarkon me detyrimin që të respektojë ndonjë procedurë paraprake siç është dhe ai i prokurimit publik. Pretendime të tilla kanë të bëjnë vetëm me palën e paditur dhe se kjo, këto pretendime mund ti ngrejë karshi personave që kanë marrë pjesë në blerje dhe që i konsideron përgjegjës për mosrespektim të procedurave të prokurimit publik. Po kështu nuk qëndron dhe pretendimi se: Në rastin konkret nuk ekziston asnjë procesverbal i nënshkruar nga anëtarët e komisionit. Ato janë firmosur nga titullari i institucionit pa patur paraprakisht një procedurë korrekte, pasi konstatohet se faturat mbi të cilat paditësi Sotiraq Plasari kërkon shumën përkatëse, janë plotësuar në referim të nenit 36 të ligjit nr.7928, datë 27.04.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Pra paditësi ka lëshuar fatura tatimore për të provuar furnizimin e palës së paditur Bordit të Kullimit Korçë mbi atë ç’ka pasyrohet në fatura......
III. Ligji i zbatueshëm:
10. Neni 419 i Kodit Civil parashikon se:
Detyrimi është një marrëdhënie juridike me anën e së cilës një person (debitori) detyrohet të japë diçka ose të kryejë apo të mos kryejë një veprim të caktuar në dobi të një personi tjetër (kreditori), i cili ka, gjithashtu, të drejtë të kërkojë t’i jepet diçka, ose të kryhet apo të mos kryhet veprimi.
11. Neni 705 i Kodit Civil parashikon se:
Kontrata e shitjes ka për objekt kalimin e pronësisë së një sendi ose kalimin e një të drejte kundrejt pagimit të një çmimi.
12. Neni 733 i Kodit Civil parashikon se:
Blerësi duhet të paguaj çmimin në datën e caktuar ose të përcaktueshme në bazë të kontratës ose ligjit, pa qenë nevojë e kërkesës së shitësit.
13. Neni 34 i ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar parashikon se:
Autoriteti kontraktor mund të përdorë procedurën e kërkesës për propozim për kontrata me vlerë nën kufirin e ulët monetar. Në bazë të kësaj procedure, autoriteti kontraktor kërkon oferta nga një numër i kufizuar operatorësh ekonomikë të zgjedhur prej tij, ose mund të përdorë komunikimin elektronik të parashikuar në nenin 36 të këtij ligji dhe i vlerëson ato në bazë të cilësisë dhe çmimit. Për këtë përzgjedhje kërkohet të ftohen të paktën 5 operatorë ekonomikë, përveç rasteve kur kjo është e pamundur, për arsye teknike ose për mungesë të konkurrencës. Kjo procedurë nuk duhet të përdoret për të shmangur procedurat konkurruese të prokurimit.
Në çdo rast autoriteti kontraktor duhet të pranojë oferta nga çdo ofertues tjetër, veç atyre të ftuar nga vetë ai.
14. Në Kreun VI-të të VKM-së nr.01, datë 10.01.2007 është parashikuar se:
1. Kërkesa për propozime
a) Për kontratat nën vlerën e ulët monetare, por mbi 400 mijë lekë, autoriteti kontraktor mund të përdorë kërkesën për propozime, siç përcaktohet në nenin 34, të LPP-së. Titullari i autoritetit kontraktor apo zyrtari i autorizuar nxjerr një urdhër, ku përcaktohen punët e shërbimet, që do të kryhen, ose mallrat, që do të blihen, si dhe komisioni i vlerësimit e vlera limit, e vënë në dispozicion. Njësia e prokurimit, së bashku me specialistët e fushës, përgatit kërkesën, duke përcaktuar specifikimet teknike, kriteret për përzgjedhjen e fituesit (me preferencë për çmimin më të ulët), afatin kohor për dorëzimin e propozimeve dhe kushtet kryesore të kontratës. Njoftimi i kontratës botohet në Buletinin e Njoftimeve Publike, në përputhje me LPP-në dhe me këto rregulla.
b) Njësia e prokurimit ua dërgon ftesën të paktën 5 (pesë) operatorëve ekonomikë, për marrjen e propozimeve. Komisioni, i përbërë prej jo më pak se me 3 anëtarë, shqyrton propozimet dhe shpall fituesin, në bazë të specifikimeve dhe kritereve të përcaktuara në dokumentet e tenderit.
c) Gjatë veprimtarisë (përgatitja e kërkesës dhe vlerësimi i propozimeve) duhet të mbahet procesverbal i prokurimit, i cili duhet të nënshkruhet nga të gjithë zyrtarët e përfshirë në proces. Në çdo rast komisioni zbaton të njëjtat kërkesa për transparencën dhe barazinë siç zbatohet në procedurën e hapur dhe që, në çdo rast, përfshin hapjen ofertave në prani të pjesëmarrësve.
ç) Komisioni njofton klasifikimin ofertuesve jo më vonë se 5 ditë nga dorëzimi i ofertave. Komisioni, pas mbarimit të afateve të ankimit, përgatit një raport përmbledhës dhe ia dërgon për miratim titullarit. Pas miratimit nga titullari, autoriteti kontraktor dërgon njoftimin e fituesit dhe fton operatorin e përzgjedhur ekonomik të nënshkruajë kontratën, në përputhje me nenin 58, të LPP-së.
d) Kjo procedurë nuk duhet të përdoret për të shmangur procedura konkurruese të prokurimit. Autoriteti kontraktor duhet të përdorë kritere, që mundësojnë pjesëmarrje të gjerë të operatorëve ekonomikë.
2. Prokurimi me vlerë të vogël
a) Në rastin e blerjes me vlerë më të ulët se 400 000 lekë në vit, në fillim të vitit kalendarik, titullari i autoritetit kontraktor ose personi i autorizuar prej tij ngre një komision të veçantë, të përbërë prej 3 anëtarësh, nga të cilët njëri është kryetar, ose autorizon njësinë e prokurimit, për të zbatuar këtë procedurë. Autoriteti kontraktor planifikon në fillim të vitit natyrën, sasitë dhe llojet e kontratave, që do të prokurohen me këtë mnyrë. Kjo dispozitë nuk duhet të interpretohet si mundësi për të pjesëtuar vlerën e kontratës, për shmangien nga procedurat konkurruese të prokurimit. Si rrjedhim, për përcaktimin e kufirit monetar për këtë procedurë llogariten grup mallrash apo shërbimesh të ngjashme, të cilat zakonisht prokurohen njëherësh dhe që, në asnjë rast, nuk duhet të ndahen për përdorimin e kësaj procedure.
b) Kur lind nevoja për punë, mallra ose shërbime, titullari i autoritetit kontraktor ose një zyrtar tjetër i autorizuar, lëshon një urdhër, ku përcaktohen natyra dhe sasia e tyre.
c) Anëtarët e komisionit testojnë tregun për të marrë tregues për çmimet e punëve, mallrave ose të shërbimeve, të cilat i pasqyrojnë në një procesverbal të mbajtur dhe të nënshkruar nga të tre anëtarët. Bazuar në kriterin e çmimit më të ulët, komisioni përcakton fituesin. Anëtarët e komisionit i drejtohen operatorit ekonomik, që ka ofruar çmimin më të ulët dhe bëjnë blerjen e mallrave, kryerjen e punëve ose të shërbimeve. Gjatë të gjithë procedurës duhet të mbahet procesverbal, i cili nënshkruhet nga të gjithë zyrtarët e përfshirë në proces, duke i bashkëlidhur faturat përkatëse.
ç) Kjo procedurë, përveç rasteve të mësipërme, mund të përfshijë të gjitha shërbimet me vlerë të ulët dhe të paparashikueshme, si për shembull: riparime të tilla, si ndryshimi i bravës, riparimi i pajisjeve të ndryshme, i fotokopjeve, kompjuterave, dhe riparimi i defekteve të vogla të automjeteve gjatë udhëtimit, si dhe shërbime të tjera të së njëjtës natyrë . Në të tilla raste emergjence dhe ku prania e komisionit është e pamundur, shërbimet mund të kryhen edhe nga persona, që nuk janë anëtarë të komisionit. Pagesa për prokurimet me vlerë të vogël bëhet sipas legjislacionit në fuqi. Në çdo rast, faturat e mallrave apo të shërbimeve duhet të jenë të rregullta e sipas legjislacionit në fuqi, si dhe të nënshkruhen nga anëtarët e komisionit. Faturat e lëshuara kanë vlerën e kontratës së lidhur.
d) APP-ja autorizohet të nxjerrë udhëzimet dhe dokumentet përkatëse, që përdoren për këtë procedurë nga çdo autoritet kontraktor.
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
15. Rekursi i paraqitur nga pala e paditur Bordi i Kullimit Korçë përmban shkaqe nga ato që parashikohen në ligj, prandaj vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe vendimi i Gjykatës së Apelit Korçë bëhen të cënueshëm.
16. Në referim të dokumentacionit të administruar në dosje, objektit dhe shkakut ligjor të kërkesëpadisë dhe në analizë të vendimeve të gjykatave, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, gjykatat e shkallës së parë dhe gjykata e apelit, duke mos e përcaktuar saktë natyrën e mosmarrëveshjes ndërmjet palëve, kanë gabuar në zgjidhjen e çështjes, duke e konsideruar kontratën e shitjes ndërmjet palëve si një kontratë që i përket të drejtës private dhe duke e zgjidhur çështjen duke u mbështetur në dispozitat ligjore, të parashikuara nga Kodi Civil.
17. Duke qenë një marrëdhënie juridike, e cila i përket fushës të së drejtës publike dhe jo asaj të së drejtës private, ajo nuk duhet të trajtohet si një marrëdhënie kontraktore që ka lindur nga një kontratë e thjeshtë e lidhur ndërmjet palëve kontraktuese, por si një marrëdhënie kontraktore me natyrë krejtësisht administrative, prandaj mosmarrëveshjet që lindin ndërmjet palëve kontraktuese në këtë rast duhet të rregullohen nga ligji specifik që rregullon fushën përkatëse, i cili është ligji nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar dhe VKM-ja nr.01, datë 10.01.2007, i ndryshuar i dalë në zbatim të tij.
18. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë e gjen me vend të sqarojë se, sipas parimeve të përgjithshme kontraktore del se, kontrata duhet të ketë një shkak të ligjshëm (neni 678 i K. Civil) dhe nëse është lidhur rregullisht ajo ka forcën e ligjit mes palëve (neni 690 i K. Civil). Por duke qenë se kontrata në këtë rast është lidhur me një organ të administratës publike për kryerjen e shërbimeve publike (kontrata është administrative), në rregullimin e marrëdhënieve kontraktore mes palëve në këtë rast, normat juridike që gjejnë zbatim për veprimet juridike e kontratat, konkretisht të parashikuara nga Kodi Civil do të zbatohen vetëm atëhere kur ligji specifik që rregullon fushën përkatëse të së drejtës, që është ligji nr.9643/2006, i ndryshuar dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij nuk parashikojnë rregullimin e një çështje konkrete.
19. Nga citimi i nenit 3, pika 14 i ligjit nr.9643/2006, i ndryshuar evidentohet se: “Autoritet kontraktor” është çdo ent, që i nënshtrohet këtij ligji për zbatimin e kontratave të tij publike, që i vihen në dispozicion fonde publike për prokurim dhe në këtë rast cilësinë e autoritetit kontraktor e ka pala e paditur. Në rastin në gjykim del e provuar se, pala e paditur Bordi i Kullimit Korçës nuk ka patur në dispozicion as fonde publike për prokurim dhe as nuk ka vepruar me cilësinë e Autoritetit Kontraktor.
20. Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e apelit arsyetojnë se ligji nuk e ngarkon palën paditëse me përgjegjësi për shkak se nuk janë zbatuar procedurat e prokurimit publik, por pala e paditur duhet tu kthehet me kërkesëpadi personave përgjegjës që nuk e kanë zbatuar këtë procedurë. Ky arsyetim është i pabazuar në ligj, sepse pala paditëse e ka ditur se pjesët e këmbimit me të cilat furnizojë palën e paditur do të shlyheshin me fonde publike, për të cilat është i detyrueshëm prokurimi publik. Gjithashtu duhet theksuar se, kontrata në rastin përdorimit të fondit publik duhet të bëhet gjithmonë me shkrim, dhe jo ashtu siç me pa të drejtë arsyetojnë gjykatat më të ulëta.
21. Për të gjitha këto që u thanë më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, rekursi i paraqitur nga Bordi i Kullimit Korçë është i bazuar në ligj, prandaj si i tillë ai duhet të pranohet dhe për rrjedhojë vendimi i gjykatës së shkallës së parë dhe vendimi i gjykatës së apelit duhet të ndryshohen, duke u rrëzuar kërkesëpadia e paraqitur nga pala paditëse.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63/dh të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”.
V E N D O S I
Ndryshimin e vendimit nr.826 (41-2013-1544), datë 09.04.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, dhe vendimit nr.393, datë 12.07.2013 të Gjykatës së Apelit Korçë dhe rrëzimin e kërkesëpadisë.
Tiranë, më 03.03.2016
Nr. 11243-00883-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016- 1306 i Vendimit (132)
Do'stlaringiz bilan baham: |