VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Artan Zeneli Kryesues Ardian Dvorani Anëtar
Guxim Zenelaj Anëtar
Shkëlzen Selimi Anëtar Tom Ndreca Anëtar në seancën gjyqësore të datës 11.11.2015, mori në shqyrtim çështjen penale që u përket:
KËRKUES: PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË RRETHIT GJYQËSOR ELBASAN.
I GJYKUAR: GËZIM MALOKU
A K U Z U A R:
Për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikeve”,
parashikuar nga neni 283/1 të Kodit Penal.
I GJYKUAR: EMBRAH PEQINI
A K U Z U A R:
Për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”,
parashikuar nga neni 300/1 të Kodit Penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr.544/13-2013-6738, datë 26.11.2013, ka vendosur:
“Deklarimin fajtor të të pandehurit Gëzim Met Maloku, për kryerjen e veprës penale të “ Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, në formën e mbajtjes dhe shitjes, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal, dhe në bazë të këtij neni dhe neneve 48/ç, 49 dhe 50/h të Kodit Penal dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.
Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin Gëzim Met Maloku të fillojë nga dita e arrestimit në flagrancë, datë 16/04/2013 dhe të kryhet në burg të sigurisë së zakonshme.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Embrah Artur Peqini, për kryerjen e veprës penale te “ Moskallëzimit te krimit”, parashikuar nga neni 300/1 i Kodit Penal , dhe në bazë të këtij neni dhe nenit 49 të Kodit Penal dënimin e tij me 3 (tre) muaj burgim.
Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin Embrah Artur Peqini, të fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit dhe të kryhet në burg të sigurisë së zakonshme”.
Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.10-2014-1907/386, datë 22.05.2014, ka vendosur:
Mospranimin e ankimit të vendimit nr.544/13-2013-6738, datë 26.11.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, të bërë nga i pandehuri Gëzim Maloku, i bërë nga av. i caktuar kryesisht Erind Nanushi, pasi nuk legjitimohet për të bërë ankim.
Kundër këtij vendimi, më datë 23.06.2014, ka paraqitur rekurs i gjykuari Gëzim Maloku, nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, me anë të të cilit kërkon:
Prishjen e vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor dhe të gjykatës së apelit dhe kthimin e çështjes për rigjykim pranë Gjykatës së Apelit Durrës, duke paraqitur këto pretendime:
-
Për sa i përket gjykatës së shkallës së parë, ai është i rëndë në krahasim me shkallën e fajësisë sime si dhe të kushteve ekonomike e sociale po ashtu edhe të nivelit arsimor.
-
Për sa i përket vendimit të gjykatës së shkallës së dytë, ai nuk është i drejtë dhe i bazuar në ligj, pasi avokati i vënë kryesisht nga gjykata për në favorin tim, pasi unë kisha lek që të merrja avokat me pagesë, unë i dhashë pëlqimin që më datë 26.11.2013, datë që dha vendimin gjykata e shkallës së parë.
KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Shkëlzen Selimi; prokurorin Arben Dollapaj, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës; në mungesë të mbrojtësit të të gjykuarit Gëzim Maloku; dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Vendimi nr.10-2014-1907/386, datë 22.05.2014 i Gjykatës së Apelit Durrës është marrë në zbatim të gabuar të ligjit procedural penal, dhe si i tillë duhet të prishet dhe çështja të kthehet për rigjykim, po pranë kësaj gjykate, me tjetër trup gjykues.
-
Rrethanat e faktit
Nga shqyrtimi gjyqësor rezulton të jenë provuar këto rrethana fakti:
-
Të gjykuarit Gëzim Maloku dhe Embrah Peqini janë akuzuar sipas dispozitave përkatëse dhe çështja penale në ngarkim të tyre është paraqitur për gjykim pranë gjykatës së rrethit gjyqësor Elbasan, pasi me datë16/04/2013, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Elbasan, kanë qenë duke kryer shërbimin në vendin e quajtur “Fabrika e Miellit Sulova”, ndodhur përgjatë aksit rrugor Elbasan-Tiranë. Rreth orës 17. oo, të kësaj date, punonjësit e policisë kanë ushtruar kontroll në automjetin e markës “Fiat Punto”, me targë AA 478 CD, i cili drejtohej nga shtetasi Dervish Rusta, në të cilin ndodheshin si pasagjerë dhe shtetasit Ervin Menkollari, Klaus Shehu dhe Embrah Peqini. Gjatë kontrollit, punonjësit e policisë kanë konstatuar se në pjesën e kroskotit të automjetit, ndodhej një qese plastike, brenda të cilës ndodhej një sasi lënde bimore, që nga karakteristikat, ngjasonte me lëndën narkotike të llojit “Cannabis Sattiva”, e mbi këtë bazë, shtetasit e përmendur më lart janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Elbasan.
-
Pas shoqërimit në polici, veprimet proceduriale kanë vijuar nga ana e punonjësve të Seksionit Kundër Narkotikëve, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan, ku është konstatuar se shtetasi Dervish Rusta, sasinë e lëndës narkotike e kishte blerë tek i gjykuari Gëzim Maloku.
-
Në kushtet e urgjencës, Policia Gjyqësore ka ushtruar kontroll në banesën e të gjykuarit Gëzim Maloku, banesë e ndodhur në lagjen “Beqir Dardha” të qytetit të Elbasanit, kontroll nga i cili u konstatua se në soletën e banesës, ndodheshin dy qese plastike, të mbushura me lëndë bimore, që për nga karakteristikat ngjasonte me lëndën narkotike të llojit “Cannabis Sattiva”, për të cilën i gjykuari Gëzim Maloku, si gjatë hetimit ashtu dhe në seancë gjyqësore pranon faktin që lënda narkotike i përkiste atij.
-
Mbi keto të dhëna është bërë këqyrja, marrja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të sasisë së lëndës, dyshuar si lëndë narkotike e llojit “Cannabis Sattiva”, që pas peshimit rezultoi se pesha e lëndës bimore të sekuestruar shtetasit Dervish Rusta është 1.5 (një pikë pesë) gram (bashkë me ambalazhin), ndërsa pesha e lëndës bimore të sekuestruar në banesën e të gjykuarit Gëzim Maloku, rezulton se është gjithsej 1.436,5 (njëmijë e katërqind e tridhjetë e gjashtë) gram (e ndarë në dy pjesë, respektivisht ne 106.5 gram dhe 1328. 5 gramë), fakte të pasqyruara në procesverbalin e kapjes në flagrancë, procesverbalin e kontrollit të mjetit, procesverbalin e kontrollit të vendeve, procesverbalet e kqyrjes, marrjes dhe sekuestrimit të provës materiale dhe procesverbalin e peshimit të provës materiale, datë 16/04/2013, akte të ndodhura në fashikullin gjyqësor.
-
Nga deklarimet e dhëna nga shtetasi Dervish Rusta ka rezultuar se ai, sasinë e lëndës prej 1, 5 (një pikë pesë) gramë e ka blerë tek i gjykuari Gëzim Maloku, kundrejt vlerës 200 (dyqind) lekë, për përdorim vetjak. Në momentin e blerjes, shoqërohej nga i gjykuari Embrah Peqini. Ky fakt është pohuar dhe në deklarimet e të gjykuarit Embrah Peqini, i cili gjithashtu është përdorues i lëndëve narkotike dhe rreth një muaj para ndodhjes së ngjarjes, ka blerë edhe ai lëndë narkotike të llojit “Cannabis Sattiva” tek i gjykuari Gëzim Maloku.
-
Faktin e të qenit përdorues të lëndëve narkotike e kanë përmendur edhe shtetasit Ervin Mankollari dhe Klaus Shehu, por nuk kanë pasur dijeni në lidhje me lëndën narkotike që mbante i gjykuari Dervish Rusta, në momentin e kontrollit nga punonjësit e policisë.
-
Në deklarimet e dhëna gjatë hetimit, si dhe në dëshmitë e dhëna në seancë gjyqësore, nga këta shtetas, (konkretisht në seancë gjyqësore dhanë deshmi shtetasi Klaus Shehu dhe Ervin Mankollari) kanë pohuar se nga ana e punonjësve të Policisë u gjet në automjetin që drejtohej nga i gjykuari Dervish Rusta, një sasi lënde që ai e kishte fshehur në kroskotin e automjetit.
-
Në vijim të kryerjes së veprimeve hetimore, në funksion të hetimit, është ushtruar kontroll dhe në banesat e shtetasve Dervish Rusta, Ervin Mankollari, Embrah Peqini dhe Klaus Shehu, kontroll nga i cili nuk është konstatuar asnjë send i kundërligjshëm.
-
Sipas Aktit të Ekspertimit Kimik nr.5325, datë 22/05/2013, është konkluduar se: “materiali bimor i sekuestruar të gjykuarit Gëzim Maloku, objekt ekspertimi, është i llojit Cannabis, produkt herbal i bimës Cannabis Sativa dhe pesha totale, pa ambalazh e materialeve bimore objekt ekspertimi është 1 356 gramë”. Sipas Aktit të Ekspertimit Toksikologjiko-Ligjor nr.555, datë 26/04/2013, rezulton se në mostrën e urinës së marrë të gjykuarit Gëzim Maloku u zbuluan njolla të produkteve të metabolizmit të kanabinoideve. Sipas Aktit te Ekspertimit Kimik nr.5328, datë 22/05/2013, është konkluduar se materiali bimor objekt ekspertimi i sekuestruar shtetasit Dervish Rusta, është Cannabis, produkt herbal i bimës Cannabis Sattiva. Pesha e përgjithshme e materialit bimor, pa ambalazh është 1, 194 gramë. Sipas Aktit të Ekspertimit Sasior nr.5327, datë 22/05/2013, është konkluduar se përqendrimi mesatar në lëndën narkotike të sekuestruar (objekt ekspertimi), është 6,30%. Vërtetohet se këtë lëndë narkotike, shtetasit Dervish Rusta ia ka shitur i gjykuari Gëzim Maloku.
-
Gjatë hetimit, pasi ishte regjistruar procedimi penal nr.606, datë 17.04.2013 në ngarkim të personit nën hetim Gëzim Maloku, me vendimin datë 28.06.2013 Prokurori i çështjes ka caktuar kryesisht mbrojtësin E.N për të ushtruar detyrën e tij në çështjen në shqyrtim. (faqe 177 e dosjes hetimore). Në të gjitha veprimet e mëtejshme hetimore të kësaj çështje në ngarkim të të pandehurit Gëzim Maloku, ky i fundit është përfaqësuar nga mbrojtësi i caktuar kryesisht av.E.N.
-
Gjatë gjykimit të çështjes në gjykatën e rrethit gjyqësor Elbasan, i gjykuari Gëzim Maloku është përfaqësuar që në seancën e parë, datë 26.09.2013 (procesverbale gjyqësore faqe 37-48 të dosjes gjyqësore) deri në seancën e shpalljes së vendimit datë 26.11.2013 po nga mbrojtësi i cili ishte caktuar kryesisht gjatë hetimeve paraprake.
-
Procedurat gjyqësore
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr.544/13-2013-6738, datë 26.11.2013, ka vendosur:
-
“Deklarimin fajtor të të pandehurit Gëzim Met Maloku, për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, në formën e mbajtjes dhe shitjes, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal, dhe në bazë të këtij neni dhe neneve 48/ç, 49 dhe 50/h të Kodit Penal dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.
-
Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin Gëzim Met Maloku të fillojë nga dita e arrestimit në flagrancë, datë 16/04/2013 dhe të kryhet në burg të sigurisë së zakonshme.
-
Deklarimin fajtor të të pandehurit Embrah Artur Peqini, për kryerjen e veprës penale te “ Moskallëzimit te krimit”, parashikuar nga neni 300/1 i Kodit Penal , dhe në bazë të këtij neni dhe nenit 49 të Kodit Penal dënimin e tij me 3 (tre) muaj burgim.
-
Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin Embrah Artur Peqini, të fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit dhe të kryhet në burg të sigurisë së zakonshme”.
-
Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.10-2014-1907/386, datë 22.05.2014, ka vendosur:
-
Mospranimin e ankimit të vendimit nr.544/13-2013-6738, datë 26.11.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, të bërë nga i pandehuri Gëzim Maloku, i bërë nga av. i caktuar kryesisht Erind Nanushi, pasi nuk legjitimohet për të bërë ankim.
-
Kundër këtij vendimi, më datë 23.06.2014, ka paraqitur rekurs i gjykuari Gëzim Maloku, nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, me anë të të cilit kërkon: Prishjen e vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor dhe të gjykatës së apelit dhe kthimin e çështjes për rigjykim pranë Gjykatës së Apelit Durrës, duke paraqitur pretendimet e pasqyruara në pjesën hyrëse të vendimit.
-
Arsyetimi ligjor i vendimit të ankimuar
-
Gjykata e Apelit Durrës, ka vlerësuar se ankimi kundër vendimit nr.544/13-2013-6738, datë 26.11.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, është bërë nga një person i palegjitimuar, dhe arsyeton ndër të tjera se: “...gjykata e apelit konstatoi se ankimi në gjykatën e apelit kundër vendimit nr.544/13-2013-6738, datë 26.11.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan është bërë nga avokati E.N, pa patur asnjë tagër ligjor të dhënë nga i pandehuri Gëzim Maloku, ka ushtruar ankim në emër të tij duke kundërshtuar vendimin në gjykatën e apelit. E drejta e ankimit ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë i përket vetëm të pandehurit ose mbrojtësit të tij të posaçëm...”
-
Në lidhje me rekursin
-
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arrin në konkluzionin se rekursi i të gjykuarit duhet të pranohet për shkelje të ligjit procedural, të kryer nga gjykata e apelit dhe çështja duhet të kthehet për rigjykim.
-
Gjykata e Apelit Durrës, ka gabuar kur ankimin e paraqitur nga mbrojtësi E.N, përfaqësues i të gjykuarit Gëzim Maloku, e ka vlerësuar si të paraqitur nga person i palegjitimuar. Rastet e mospranimit të parashikuara në nenin 420 të K.Pr.Penale1 i referohen vlerësimit të vetë ankimit si akt procedural dhe mënyrës se si është ushtruar kjo e drejtë nga secila palë pjesëmarrëse në procesin penal.
-
Siç rezulton nga aktet e ndodhura në dosje, avokati E.N pasi është caktuar me vendimin datë 28.06.2013 (faqe 177 e dosjes hetimore) nga Prokurori i çështjes, si mbrojtës kryesisht për personin nën hetim Gëzim Maloku, ka ushtruar detyrën e tij jo vetëm gjatë hetimit, por edhe gjatë gjykimit në gjykatën e shkallës së parë, gjykim i cili është zhvilluar edhe në prani të të gjykuarit Gëzim Maloku (procesverbalet gjyqësore faqe 37-48 të dosjes gjyqësore).
-
I gjykuari duke mos qenë dakord me vendimin e fajësisë së dhënë nga Gjykata e shkallës së parë Elbasan, e cila e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 7 (shtatë) vjet burgim për veprën penale të “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/1 i K.Penal nëpërmjet avokatit i cili e ka përfaqësuar si gjatë hetimit ashtu edhe në gjykimin në gjykatën e shkallës së parë ka ushtruar të drejtën e ankimit, në Gjykatën e Apelit Durrës. Ankimi rezulton të jetë nënshkruar vetëm nga avokati E.N, dhe jo nga i gjykuari Gëzim Maloku.
-
Gjykata e Apelit Durrës në vendimin nr.10-2014-1907/386, datë 22.05.2014, ka vlerësuar se nuk duhet t’i hyjë shqyrtimit të çështjes në themel dhe, për pasojë, ankimi i të pandehurit nuk duhet pranuar për shkak se është paraqitur nga një përfaqësues pa tagra.
-
Figura e mbrojtësit në procesin penal është e natyrës teknike. Ajo ushtrohet nëpërmjet dhënies së ndihmës juridike për të mbrojturin dhe përfaqësimit të tij në gjykim. Në funksion të autoritetit që jep tagrin e përfaqësimit, legjislacioni ynë procedural penal njeh dy lloje mbrojtësish, përkatësisht: i) atë të zgjedhur nga i pandehuri (neni 48 i K.Pr.Penale), dhe ii) mbrojtësin e caktuar nga organi që procedon, në rast se i pandehuri nuk ka zgjedhur mbrojtës, ose ka mbetur pa të, dhe gjithnjë nëse e kërkon një të tillë (neni 49 i K.Pr.Penale).
-
Kodi i Procedurës Penale ka përcaktuar qartë se: 1. I pandehuri ka të drejtë të zgjedhë jo më shumë se dy mbrojtës. 2. Zgjedhja bëhet me deklarim të bërë para organit procedues ose me akt të dhënë mbrojtësit ose të dërguar atij rekomande.2 Në çështjen objekt gjykimi, jemi përpara rastit kur mbrojtësi i caktuar nga organi procedues, është barazuar me mbrojtësin e zgjedhur nga i pandehuri me deklarim të bërë përpara organit procedues. I gjykuari Gëzim Maloku ka shprehur vullnetin e tij për t’u përfaqësuar nga avokati i caktuar fillimisht nga organi procedues (prokurori me vendimin datë 28.06.2013), dhe zgjedhur prej tij me deklarim në seancën gjyqësore datë 26.09.2013 përpara gjykatës së shkallës së parë;
-
Gjithashtu ligji ka përcaktuar se disa drejta, mund të shtrihen nga mbrojtësi tek i pandehuri, përveç atyre që i rezervohen personalisht këtij të fundit.3 Pra janë disa të drejta që i takojnë ekskluzivisht të pandehurit, të tilla si pranimi i kryerjes së veprës penale, kërkimi i gjykimit të shkurtuar, heqja dorë nga ankimi.
Janë pikërisht këto përcaktime të ligjit të cilat japin garanci për të pandehurin dhe zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor.
-
Duke mbajtur parasysh përfundimet e arritura nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në vendimin unifikues nr.1/2014 se: “ I pandehuri lejohet që personalisht të delegojë të drejtën për të bërë ankim tek mbrojtësi. Akti i delegimit mund të jetë në të njëjtin akt me të cilin bëhet zgjedhja e mbrojtësit, ose në një akt të veçantë....Mënyra dhe forma e përcaktuar nga ligji për këtë delegim është ajo e përcaktuar në pikën 2 të nenit 48 të K.Pr.Penale”, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i tërheq vëmendjen gjykatës së apelit e cila duhej të kishte verifikuar paraprakisht nëse vullneti i të gjykuarit Gëzim Maloku për tu përfaqësuar nga mbrojtësi E.N dhe për të paraqitur ankim, ishte i qartë dhe nëse të drejtën për të paraqitur ankim i gjykuari Gëzim Maloku ia delegon mbrojtësit E.N me qëllim që të jemi përpara një procesi të rregullt ligjor.
-
E drejta e ankimit garantohet nga neni 43 i Kushtetutës. E drejta e ankimit kundër një vendimi gjyqësor është një nga të drejtat themelore të individit, e cila mbi bazën e parashikimit kushtetues gjen zbatim edhe në dispozitat materiale e procedurale konkrete. Sipas jurisprudencës së konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, e drejta e ankimit duhet kuptuar si mundësi e çdo individi për të pasur mjete të caktuara procedurale për të kundërshtuar vendimin e dhënë nga një gjykatë më e ulët në një gjykatë më të lartë, duke i garantuar individit të drejtën për t’u përballur me drejtësinë në të gjitha nivelet e saj.1
-
Në funksion të garantimit të së drejtës për t’u ankuar ndaj një vendimi gjyqësor penal, neni 43 i Kushtetutës vihet në zbatim përmes parashikimeve të neneve 407-421 të Kodit të Procedurës Penale që disiplinojnë ushtrimin e ankimit. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në referim të kritereve që përcakton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Konventa Europiane mbi të Drejtat e Njeriut, Kodi i Procedurës Penale, çmon se vendimi i Gjykatës së Apelit është dhënë në shkelje të këtyre parashikimeve dhe si i tillë është i cenueshëm.
-
Në lidhje me zgjidhjen e çështjes
-
Duke pasur parasysh gjithë sa më sipër, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se Gjykata e Apelit Durrës, në vendimin nr.10-2014-1907/386, datë 22.05.2014, ka zbatuar në mënyrë të gabuar ligjin procedural penal.
-
Vendimi i gjykatës është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit, në lidhje me respektimin e kërkesave procedurale që kanë të bëjnë me të drejtat që i pandehuri ia delegon mbrojtësit. Në rrethanat e parashtruara ky vendim do të prishet dhe çështja duhet të rikthehet për rishqyrtim pranë Gjykatës së Apelit Durrës, me tjetër trup gjykues.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, bazuar në nenin 441/ç të Kodit të Procedurës Penale,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.10-2014-1907/386, datë 22.05.2014, të Gjykatës së Apelit Durrës dhe kthimin e akteve për rishqyrtim pranë kësaj gjykate, me një tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 11.11.2015
MENDIM PAKICE
Kam mendim kundër vendimit të shumicës, e cila ka vendosur prishjen e vendimit nr.10-2014-1907/386, datë 22.05. 2014 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe kthimin e çështjes për rigjykim, për këto arsye:
Me vendimin objekt rekursi, Gjykata e Apelit ka vendosur: Mospranimin e ankimit te vendimit nr.544/13-2013-6738, datë 26.11.2013 te Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Elbasan, të bërë nga i pandehuri Gëzim Maloku, i bërë nga av. i caktuar kryesisht Erind Nanushi, pasi nuk legjitimohet për të bërë ankim.
Nga aktet ka rezultuar se, të gjykuarit Gëzim Maloku dhe Embrah Peqini janë akuzuar për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikeve”, në formën e mbajtjes dhe shitjes, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal dhe çështja penale në ngarkim të tyre është paraqitur për gjykim pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në këto rrethana:
Më datë 16/04/2013, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Elbasan, gjatë kontrollit të automjetit “ Fiat Punto” , me targë AA 478 CD, i cili drejtohej nga shtetasi Dervish Rusta, në të cilin ndodheshin si pasagjerë dhe shtetasit Ervin Menkollari, Klaus Shehu dhe Embrah Peqini, kane gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale, në pjesën e kroskotit të automjetit, një qese plastike me sasi lënde bimore, me peshë 1 356 gram dhe sipas akt ekspertimit kimik nr.5325, datë 22/05/2013 ka rezultuar lëndë narkotike e llojit “ Cannabis Sattiva”.
Gjate kontrollit të banesës të të pandehurit Gëzim Maloku, në soletën e banesës, u gjeten dhe sekuestruan dy qese plastike, të mbushura me lëndë narkotike te llojit “ Cannabis Sattiva”, per te cilën i pandehuri Gëzim Maloku, si gjate hetimit ashtu dhe ne seance gjyqësore ka pranuar faktin qe lënda narkotike i përkiste atij.
Gjate gjykimit është vërtetuar se këtë lëndë narkotike, shtetasit Dervish Rusta ia ka shitur i pandehuri Gëzim Maloku.
Ndaj vendimit nr.544/13-2013-6738, datë 26.11.2013 te Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Elbasan, me te cilin i pandehuri Gëzim Maloku është deklaruar fajtor lidhur me akuzën e ngritur ndaj tij dhe është dënuar, ka ushtruar ankim ne emër te tij avokati i caktuar kryesisht Erind Nanushi.
Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.10-2014-1907/386, datë 22.05.2014, ka vendosur: Mospranimin e ankimit te vendimit nr.544/13-2013-6738, datë 26.11.2013 te Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Elbasan, të bërë nga i pandehuri Gëzim Maloku, i bërë nga av. i caktuar kryesisht Erind Nanushi, pasi nuk legjitimohet për të bërë ankim.
me këtë arsyetim: “...gjykata konstaton se ankimi është bërë nga av. E.N; pa patur asnjë tagër ligjore të dhënë nga i pandehuri Gezim Maloku, ky avokat ka ushtruar ankim në emër të tij duke kundërshtuar vendimin në gjykatën e apelit ...e drejta e ankimit ndaj vendimit të gjykatës se shkallës së parë i përket vetëm të pandehurit ose mbrojtësit të tij të posaçëm...”.
Vendimmarrja e Gjykatës së Apelit Durrës, e cila ka vendosur mospranimin e ankimit, është e drejtë, prandaj vendimi i asaj gjykate, i rekursuar nga i pandehuri Gëzim Maloku, duhej të lihej në fuqi.
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.1, datë 10.03.2014 përmes përfundimeve të tjera unifikuese kanë arritur edhe në përfundimin se: “E drejta për të bërë ankim, në vështrim të përcaktimit ligjor të bërë nga ligjvënësi në nenin 50 pika 1 e 410 të K.Pr.Penale, është një e drejtë e cila i rezervohet personalisht të pandehurit...”.
Neni 410 (1) i K.Pr.Penale përcakton se “I pandehuri mund të bëjë ankim vetë ose nëpërmjet mbrojtësit të tij, ndërsa qe neni 50(1) i K.Pr.Penale parashikon se “Mbrojtësi ka të drejtat që ligji i njeh të pandehurit, përveç atyre që i rezervohen personalisht këtij të fundit”.
Po kështu Kolegjet e Bashkuara në atë vendim kanë arritur në përfundimin unifikues se: “I pandehuri lejohet që personalisht të delegojë të drejtën për të bërë ankim tek mbrojtësi. Akti i delegimit mund të jetë në të njëjtin akt me të cilin bëhet zgjedhja e mbrojtësit, ose në një akt të veçantë.”.
Në çështjen në shqyrtim rezulton se i gjykuari Gëzim Maloku ka qenë i pranishëm ne gjykimin e çështjes në shkalle të parë dhe mbrojtja e tij në procesin penal te zhvilluar pranë asaj gjykate, është caktuar kryesisht që në fazën e hetimit të çështjes nga ana e prokurorit.
I gjykuari ka qenë dakord me këtë avokat, për ta përfaqësuar në seancat gjyqësore që do të zhvillohen në atë gjykatë, në prani dhe në mungesë të tij, por nuk rezulton që ti ketë dhënë tagra për të ushtruar ankim ndaj vendimit përfundimtar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndërkohë që ankimi ndaj vendimit përfundimtar te gjykatës, në emër te te pandehurit Gëzim Maloku, është nënshkruar dhe paraqitur vetëm nga avokati E.Nanushi.
Në këto rrethana, vendimmarrja e Gjykatës së Apelit Durrës, e cila ka konsideruar ankimin e paraqitur nga avokat E.Nanushi, si të paraqitur nga një mbrojtës i palegjitimuar dhe si të tillë nuk e ka pranuar, çmohet nga ana ime si e marrë në përputhje me ligjin procedural penal.
Për sa më sipër, ndryshe nga sa ka vendosur shumica, mendoj se vendimi nr.10-2014-1907/386, datë 22.05. 2014 i Gjykatës së Apelit Durrës duhej të lihej në fuqi.
Tom Ndreca
Nr. 71002-02185-00-2015 Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3340 Vendimi (186)
Do'stlaringiz bilan baham: |