VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i përbërë nga :
Xhezair Zaganjori Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Evelina Qirjako Anëtare
Guxim Zenelaj Anëtar
Admir Thanza Anëtar
në seancë gjyqësore datë 03.11.2015 mori në shqyrtim çështjen administrative nr.11243-00964-00-2012 Akti, që u përket:
PADITËS: PAVLI KIÇO
TË PADITUR: DREJTORIA E ADMINISTRIMIT DHE SHITJES SË PRONËS PUBLIKE,
MINISTRIA E EKONOMISË, TREGTISË DHE ENERGJETIKËS (METE).
NDËRHYRËS DYTËSOR: GËZIM ÇULLHAJ
OBJEKTI:
Detyrimin e të paditurve të më shesin truallin prej 2267.5 m2
(me çmimin sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi në kohën e ngritjes së padisë)
pjesë funksionale e lokalit të privatizuar prej meje paditësit.
Baza Ligjore: Nenet 1 dhe 4 e vijues të ligjit nr.7980, datë 27.07.1995
“Për shitblerjen e trojeve”.
Nenet 135 e vijues të ligjit nr.8485, datë 12.05.1999
“Kodi i Procedurave Administrative”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.1822 datë 04.04.2005, ka vendosur:
Pranimin pjesërisht të kërkesë padisë, detyrimin e anës së paditur t’i shesë paditësit truallin nën ndërtim, si dhe pjesën funksionale.
Rrëzimin e padisë kundër Bashkisë Tiranë.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.469, datë 25.04.2006, ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit dhe rrëzimin e kërkesë padisë.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.272 datë 29.04.2008 ka vendosur:
Prishjen e vendimit nr.1822, datë 04.04.2005 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe të vendimit nr.469, datë 25.04.2006 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, me tjetër trup gjykues.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.9518, datë 13.12.2010 ka vendosur:
Pranimin e padisë. Detyrimin e të paditurve Ministria e Ekonomisë, Tregëtisë e Energjetikës (METE) si dhe Drejtoria e Administrimit e Shitjes së Pronave Publike (DASHPP) t’i shesin (duke lidhur kontratën përkatëse të shitblerjes) paditësit Pavli Kiço truallin me sipërfaqe 2267.5 m2 që i përket objektit Bar Lulishte “Tekstilisti”, të ndodhur në lagjen nr.6, Rruga “Petraq Leka”, Tiranë, të privatizuar me kontratën nr.1977/391, datë 13.02.1993 dhe blerë prej paditësit Pavli Kico; sipërfaqe trualli kjo nga e cila 484.3 m2 përfaqëson truallin nën objekt, 690.9 m2 përfaqëson sipërfaqe ndërtimi ndihmëse (pistë dhe sipërfaqe e betonuar) dhe 1092.3 m2 janë sipërfaqe e gjelbër pjesë funksionale rreth objektit (sipas aktit të ekspertimit të ekspertit topograf Fatmir Braçe, Qershor 2010, të ndodhur në dosjen gjyqësore). Llogaritja dhe pagimi i çmimit të këtij trualli të bëhet me çmimet e trojeve shtetërore sipas akteve nën ligjore në fuqi në kohën e ngritjes së padisë në muajin nëntor të vitit 2002, duke bërë zbritjen përkatëse për sa i përket vlerës së paguar prej paditësit Pavli Kiço për sipërfaqen 541 m2.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.2724 datë 15.12.2011 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.9518, datë 13.12.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë nr.2724 datë 15.12.2011, ka ushtruar rekurs personi i tretë Gëzim Çullhaj, i cila ka kërkuar rrëzimin e padisë, duke parashtruar këto shkaqe:
-
Ndërhyrësi dytësor ka bërë kërkesë për ndërhyrje kryesore duke pretenduar vetë të drejtat e pronësisë mbi sendin objekt gjykimi. Gjykata pas asnjë lloj arsyetimi dhe sqarimi nuk ka pranuar dhe nuk është shprehet fare lidhur me kërkesën për ndërhyrje kryesore, megjithëse sqarimi i pozitës së personit të tretë ishte një ndër detyrat që kishte lënë Gjykata e Lartë.
-
Ne kemi pretenduar që gjykata e shkallës së parë ka shqyrtuar një kërkesëpadi që nuk ishte të përcaktuar vlerën e saj, nuk ishte paguar taksa mbi aktet dhe ndonëse vlera e objektit sikurse rezulton dhe nga akti i ekspertimit e kalonte disa herë vlerën prej 10 milion lekë, gjykata e shkallës së parë ka vendosur mbi kërkesëpadinë.
-
Gjykata ka shpallur pavlefshmërinë absolute të një akti administrative (të vendimit të KKK Pronave Tiranë) pa u kërkuar nga pala, por në mënyrë “ex officio”.
-
Nuk është e vërtetë se K.K.K.Pronave Tiranë është shprehur dy herë për të njëjtën pronë. Me vendimin nr.19 dtë 23.01.2001 KKK Pronave Qarku Tiranë ka disponuar me vendimin e tij të dytë vetëm për pjesën e lirë që ka rezultuar nga azhurnimi në vend i pronës. Nuk është i vërtetë argumenti i gjykatave se ndërhyrësi, duke mos kundërshtuar vendimin e parë të K.K.K.Pronave e ka pranuar faktin se trualli ishte i zënë. Ndërhyrësi Gëzim Çullhaj ka ushtruar të drejtën e tij përmes kontrollit të brendshëm administrativ, i cili ka sjellë si pasojë nxjerrjen e vendimit nr.19 datë 23.01.2001.
-
Paditësi asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është bërë pronar i sipërfaqes së truallit objekt gjykimi, për të cilën kërkon të lidhet kontrata me palën e paditur.
-
Vendimet e gjykatave të faktit janë mbështetur në një akt ekspertimi të pasaktë, pasi sikurse rezulton edhe nga fotot, objekti kryesor sot është tërësisht i rrënuar dhe aspak funksional. Nga ana tjetër edhe vlerësimi i vlerës së truallit, vlerës së objektit si dhe vlerësimi i sipërfaqes funksionale dhe ndihmëse nuk është bërë në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi. Ndryshe nga sa arsyetohet nga gjykata, sipërfaqja ish pista e vallëzimit, trotuaret, lulishtet dhe të gjitha sipërfaqet e tjera veç sipërfaqes prej 451 apo në rastin më të mirë 541 m2, nuk mundet të vlerësohen kurrsesi si sipërfaqe të domosdoshme.
-
Për më tepër gjykata kërkon nga eksperti që të përcaktojë sipërfaqet e domosdoshme për funksionimin e objektit, ndërkohë që ligji dhe vetë VKM nr.562 datë 09.10.1995 “Për shitjen e truallit të ndërmarrjeve që privatizohen”, ngarkon me këtë detyrë Komisionet e vlerësimit të Ndërmarrjeve apo Objekteve, Zyrat e Urbanistikës dhe organi i financës së pushtetit vendor, vlerësim i cili miratohet nga Drejtoria e Shoqërive Publike. Po kështu vlerësimi i sipërfaqes së domosdoshme duhet të jetë bazuar në gentplanin e dosjes së privatizimit dhe të ndërtimit fillestar.
-
Gjykata nuk ka arsyetuar se përse sipërfaqet që kalojnë katër herë sipërfaqen e objektit, të blerë janë të domosdoshme dhe sipërfaqe funksionale të tij.
-
Paditësi nuk është pronari i vetëm i ndërtesës, pasi tre nga ish pronarët që e kanë privatizuar atë nuk ia kanë shitur asnjëherë paditësit. Nga verifikimi edhe në ZVRPP rezulton se pronar të ndërtesës janë edhe tre ish pronarët, e po kështu nuk kuptohet sesi paditësi nga ana tjetër e ka regjistruar të gjithe ndërtesën, duke krijuar në këtë mënyrë edhe mbivendosje në regjistrimin e objektit. Në këtë mënyrë, paditësi nuk legjitimohet që të ngrejë padi dhe të kërkojë detyrimin e lidhjes së kontratës së shitjes për pjesën funksionale të truallit.
-
Përveç sa më sipër ekziston një ndalim ligjor për shitjen e truallit tej sipërfaqes që ka zënë objekti. Sipas ligjit 7980 datë 27.07.1995 “Për shitjen e trojeve”, ndalon shitjen e trojeve të lira tek personat privat derisa nuk ka përfunduar kompensimi fizik i ish pronarëve.
-
Paditësi ka paguar qiranë vetëm për një sipërfaqe prej 541 m2 dhe deri në vitin 2000. Këtë fakt, megjithëse Gjykata e Lartë ia ka lënë detyrë, gjykatat nuk e kanë hetuar.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e Gjyqtarit Xhezair Zaganjori, dëgjoi përfaqësuesin e palës paditëse av. Dashamir Kore, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimeve, si dhe përfaqësuesin e personit të tretë Av. Enkeleida Pulaj, e cila kërkoi ndryshimin e vendimeve dhe pushimin e çështjes, dhe Avokatin e Shtetit Abaz Deda, i cili kërkoi ndryshimin e vendimeve dhe rrëzimin e kërkesë padisë dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Rrethanat e çështjes
-
Lokali Bar Lulishte “Tekstilisti”, i ndodhur në truallin objekt gjykimi, është ndërtuar që në vitin 1983 dhe kishte një sipërfaqe prej 2267 (dymijë e dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë) m2. Ai ishte i përbërë nga një pistë vallëzimi (verandë); trotuare; lulishte; të tjera ambiente funksionale, të gjitha të rrethuara me një mur. Me anë të Urdhrit të përbashkët të Ministrisë së Tregtisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave, nr.25 datë 14.11.1992, “Bar – lulishte Tekstilisti” është përjashtuar nga ankandi, me qëllim që të privatizohej nga ish punonjësit. Mbi bazën e këtij urdhri, me shkresën nr.2761/1 datë 19.11.1992 të Drejtorisë së Privatizimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Bashkëpunimit me Jashtë, lokali i mësipërm është përjashtuar nga ankandi.
-
Mbështetur në ligjin nr.7512, datë 10.08.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronave private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit” dhe aktet e mësipërme, lokali Bar Lulishte “Tekstilisti” është privatizuar nga ish kolektivi i punonjësve (të lokalit të sipërcituar), më konkretisht 16 punonjësit e tij. Me anë të kontratës së shitjes së datës 18.12.1992, lidhur mes Ndërmarrjes Tregtare të Ushqimit Social dhe Bashkisë Tiranë, si shitës dhe 16 (gjashtëmbëdhjetë) ish punonjësve si blerës, përcaktohet se: “shitet Lokal “Bar lulishte Tekstilisti” Kombinat, i përbërë nga mjetet kryesore dhe mjetet e xhiros të kësaj njësie, që përbëjnë dhe objektin e kësaj kontrate. Blerësi ra dakord që për sipërfaqen e truallit prej 541 m2 që zë njësia të paguajë qiranë vjetore prej 138 295 lekë…”. Bashkëngjitur kësaj kontrate ndodhet dhe “Formulari i azhornimit fushor të njësisë”, ku përcaktohet sipërfaqja e objektit të blerë prej 422 m2 ndërtesë, si dhe gentplani përkatës i sipërfaqes së shitur, i cili pasqyron sipërfaqen e lokalit. Pas kësaj, Ndërmarrja Shtetërore e Ushqimit Social, ka miratuar shitjen e lokalit. Nga gentplani i privatizimit (i ndodhur në dosjen e privatizimit, administruar kjo e fundit në seancë gjyqësore), rezulton se (ish) AKP dega Tiranë, ka nxjerrë në shitje një sipërfaqe objekti prej 541 m2, e cila përfshinte ndërtesën kryesore të lokalit (barin, kuzhinën dhe magazinat). Në pasqyrën nr.2 ku pasqyrohet gjendja faktike e objektit që do të privatizohet, thuhet se sipërfaqja që do të shitet është 541 m2.
-
Më tej, mes po këtyre palëve është lidhur para noterit kontrata e shitjes nr.1977/391, datë 13.02.1993, në të cilën ndër të tjera përcaktohet se: “Ndërmarrja Tregtare e ish Ushqimit Social Tiranë nr.2 si pronare e një lokali të ndodhur në …, i quajtur bar – lulishte “Tekstili”, e përbërë nga një sipërfaqe prej 2267 m2, e kufizuar…pronësi të cilën e vërtetojnë me akt dorëzimin e datës 24.01.1993 dhe kontratën e shitjes me datë 25.01.1993, deklarojnë se me vullneti e tyre të lirë dhe të plotë këtë lokal ia shesin punonjësve të tij në shumën 889 064 lekë e cila sipas mandate arkëtimeve përkatëse… është likuiduar plotësisht nga ana e blerësve të cilët janë dakord me këtë shitje dhe çmimin e saj. .”. Në kontratën e shitjes datë 25.01.1993 ndër të tjera thuhet: “ ..Blerësi ra dakord që të blejë mjetet kryesore dhe mjetet e xhiros të kësaj njësie, që përbëjnë edhe objektin e kësaj kontrate…”Në këtë kontratë nuk është përcaktuar as sipërfaqja që shitet, e po kështu nuk është përcaktuar as sipërfaqja e truallit që jepet me qira. Ndërkohë, kjo kontratë nuk është nënshkruar nga blerësit dhe në vend të tyre gjendet shënimi “Kolektivi”. E njëjta situatë vërehet edhe në aktin e dorëzimit të datës 24.01.1993.
-
Gjykatat e faktit kanë pranuar se punonjësit e lokalit (në cilësinë e pronarit), i kanë shitur ose dhuruar, me anë të kontratave të ndryshme (të administruara në dosjen gjyqësore) pjesët takuese të tyre, paditësit Pavli Kiço. Në këto kontrata, në objektin e shitjes thuhet se lokali i privatizuar nga (ish) kolektivi i punonjësve ka një sipërfaqe prej 2267 m2 dhe jo 541 m2. Po kështu, nga gjykatat është pranuar se, paditësi ka paguar qiranë e truallit deri në vitin 2000, kohë në të cilën është kërkuar blerja e sipërfaqes së truallit funksional.
-
Në vitin 2000, pas kërkesës së paditësit, mbi bazën e kontratës së shitjes me ish punonjësit e ndërmarrjes, duke pranuar se paditësi Pavli Kiço është pronar vetëm i sipërfaqes së objektit prej 541 m2, (ish) AKP dega Tiranë, ka filluar procedurat e privatizimit të truallit të këtij objekti. Konkretisht, me shkresën nr.1187 datë 28.02.2000 të Bashkisë Tiranë, drejtuar Degës së AKP-së Tiranë, sipërfaqja e truallit që do të vlerësohej për shitje do të ishte 541 m2, që i korrespondonte edhe sipërfaqes nën objekt. Pasi janë kryer të gjitha procedurat e vlerësimit të truallit në Bashkinë e Tiranës, është lëshuar edhe autorizimi i kalimit të pronësisë nr.80, datë 03.03.2000 në emër të paditësit Pavli Kiço, për blerjen e truallit me sipërfaqe 541 m2, mbi të cilën është ndërtuar objekti i privatizuar, duke qenë se paditësi kishte paguar vlerën e shitjes së truallit (prej 541 m2) në Bashkinë e Tiranës (me cilësinë e pronarit të ndërtesës) në një shumë prej 432.800 lekë. Megjithëse vlera e këtij trualli është paguar në favor të Ministrisë së Ekonomisë, nuk është lidhur kontrata e shitblerjes.
-
Nga ana e paditësit i është kërkuar palës së paditur Ministrisë së Ekonomisë t`i shesë atij sipërfaqen e truallit objekt gjykimi në një sipërfaqe prej 2267.5 m2 (me çmimin sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi në kohën e ngritjes së padisë), e cila është pjesë funksionale e lokalit të privatizuar (përfshirë këtu edhe sipërfaqen 541 m2, për të cilën paditësi ka paguar çmimin e blerjes, por nuk është lidhur kontrata). Pala e paditur, Ministria e Ekonomisë ka pretenduar se sipërfaqja e truallit tej asaj prej 541 m2, është truall privat dhe nuk është më në pronësi të saj, pasi i është kthyer ish pronarëve e si rrjedhojë, nuk mund të dispononte mbi një truall të cilin nuk e kishte në pronësi.
-
Lidhur me truallin objekt gjykimi është pranuar nga gjykatat e faktit se, me vendimin nr.335, datë 23.11.1995 të KKK Pronave Qarku Tiranë midis të tjerave, është vendosur: “në bazë të nenit 21 të ligjit nr.7698, datë 14.04.1993….për klubin e kafe Tekstilistit me sipërfaqe 2100 m2, pronarëve Ibrahim, Sofije, Selman, Idriz, Mersin, Haxhi e Zeliha Cullhaj (trashëgimlënësve të Lutfi Cullhaj) iu është njohur e drejta e pronësisë dhe po kështu e drejta e parablerjes së këtyre lokaleve kur ato të privatizohen me çmimet e caktuara sipas dispozitave përkatëse…”. Më vonë, KKK Pronave Qarku Tiranë, me vendimin e tij nr.19, date 23.01.2001 ka vendosur kthimin e një sipërfaqeje prej 6632 (gjashtë mijë e gjashtëqind e tridhjete e dy) m2 ish-pronarëve, trashëgimlënës të Gëzim Çullhaj. Ky vendim është marrë mbështetur në kërkesën e trashëgimtarëve të ish pronarëve Çullhaj, të cilët kanë kërkuar kthimin e sipërfaqes së lirë të patrajtuar më parë. KKKP Qarku Tiranë pasi ka kryer azhornimin në vend të pronës, ka konstatuar se brenda zonës së njohur në pronësi të kërkuesve ndodhej një sipërfaqe e lirë prej 6632 (gjashtëmijë e gjashtëqind e tridhjete e dy) m2, të cilën Komisioni vendosi t’ua kthejë si të lirë trashëgimtarëve të ish pronarëve. Nga gjykimi ka rezultuar se një pjesë e kësaj sipërfaqe të kthyer, e përbërë nga 1613 (njëmijë e gjashtëqind e trembëdhjetë) m2, mbivendoset me lokalin Bar Lulishte “Tekstilisti”. Konkretisht, kjo sipërfaqe prej 1613 m2 përbën pjesën e truallit që i përket diferencës në mes sipërfaqes totale të ish “Bar lulishte Tekstilisti” prej 2267,5 m2 dhe sipërfaqes nën objektin e shitur ish punonjësve të këtij lokali prej 541 m2 (pa u përfshirë një sipërfaqe e vogël e cila rrethon objektin nga njëra anë). Konkretisht, në sipërfaqen prej 1613 m2, kthyer personit të tretë Gëzim Çullhaj, përfshihen pista e vallëzimit dhe sipërfaqe e betonuar, e po kështu edhe sipërfaqe e gjelbër.
-
Duke pretenduar se ka të drejtën e pronësisë mbi këtë sipërfaqe prej 1613 m2, personi i tretë Gëzim Çullhaj, ka ndërhyrë në gjykim duke parashtruar se kjo sipërfaqe trualli nuk mund t`i shitet paditësit, pasi i ishte kthyer atij me vendimin e mësipërm të K.K.K.P.Tiranë.
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.1822 date 04.04.2005, ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesë padisë, detyrimin e palës së paditur t’i shesë paditësit truallin nën ndërtim, si dhe pjesën funksionale. Rrëzimin e padisë kundër Bashkisë Tiranë. Në arsyetimin e saj, gjykata e shkallës së parë ka pranuar se privatizimi i objektit është kryer vetëm për një sipërfaqe prej 541 m2, megjithatë, duke u bazuar në ligjin mbi shitblerjen e tokës dhe në aktin e ekspertimit të kryer, ka arritur në përfundimin se duhet të pranohet pjesërisht kërkesë padia. Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.469, datë 25.04.2006, ka vendosur ndryshimin e vendimit dhe rrëzimin e kërkesë padisë. Gjykata e apelit arsyeton se sipërfaqja që paditësi pretendon se duhet t`i shitet si pjesë funksionale nuk mund të konsiderohet e tillë dhe se në mënyrë të padrejtë gjykata e shkallës së parë ka urdhëruar vullnetin e pronarit për të shitur pronën, duke u ndodhur para një padie që nuk mund të ngrihet. Sipas kësaj gjykate, sipërfaqja që paditësi kërkon të blejë nga pala e paditur dhe që tejkalon sipërfaqen prej 541 m2, nuk është pjesë funksionale e objektit të blerë nga paditësi.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.272 datë 29.04.2008 ka vendosur prishjen e vendimit nr.1822, datë 04.04.2005 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe të vendimit nr.469, datë 25.04.2006 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, me tjetër trup gjykues. Në këtë vendim është arsyetuar se, në përputhje me normat juridike mbi shitblerjen e trojeve, fillimisht është lejuar shitja e objektit dhe trualli jepej me qira. Nga pjesëmarrësit në proces jane bërë pretendime të ndryshme lidhur me sipërfaqen e dhënë me qira. Një rrethanë e tillë nuk është sqaruar gjatë gjykimit të çështjes. Në rigjykim palët duhet të provojnë nëse është dhënë më parë trualli me qira dhe sa ka qenë sipërfaqja e tij. Gjatë gjykimit është paraqitur nga ndërhyrësi dytësor një kërkesë për ndërhyrje në proces. Në rastin në gjykim ndërhyrësi ka pretenduar të drejta të tij të pronësisë mbi sendin objekt gjykimi. Pra i takon këtij subjekti të sqarojë pozitën e tij proceduriale, duke zënë vendin përkatës procedurial në përputhje me mënyrën e mbrojtjes së interesit të tij.
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.9518, datë 13.12.2010 ka vendosur pranimin e padisë. Detyrimin e të paditurve Ministria e Ekonomisë,Tregtisë e Energjetikës (METE) si dhe Drejtoria e Administrimit e Shitjes së Pronave Publike (DASHPP) t’i shesin paditësit Pavli Kiço truallin me sipërfaqe 2267.5 m2 që i përket objektit Bar Lulishte “Tekstilisti”; sipërfaqe trualli kjo nga e cila 484.3 m2 përfaqëson truallin nën objekt, 690.9 m2 përfaqëson sipërfaqe ndërtimi ndihmëse (pistë dhe sipërfaqe e betonuar) dhe 1092.3 m2 janë sipërfaqe e gjelbër pjesë funksionale rreth objektit dhe se llogaritja dhe pagimi i çmimit të këtij trualli të bëhet me çmimet e trojeve shtetërore sipas akteve nënligjore në fuqi në kohën e ngritjes së padisë në muajin nëntor të vitit 2002, duke bërë zbritjen përkatëse për sa i përket vlerës së paguar prej paditësit Pavli Kico për sipërfaqen 541 m2.
11. Në këtë vendim është arsyetuar se paditësi Pavli Kiço, nëpërmjet kontratave të shitjes apo dhurimit nga pronarët e mëparshëm (ish kolektivi i punonjësve) është bërë pronar i vetëm, i objektit prej 541 m2. Mbështetur edhe në nenin 4 të ligjit nr.7980, date 27.07.1995 “Per shitblerjen e trojeve”, paditësi Pavli Kiço legjitimohet për të kërkuar privatizimin e truallit të nevojshëm, për funksionimin e objektit që është privatizuar, blerë prej tij. Gjykata e shkallës së parë ka konkluduar se të gjitha veprimet juridike (kontratat e shitjes apo të dhurimit) të bëra më pas nga (ish) punonjësit (me cilësinë e pronarëve të lokalit), me anë të të cilave i kanë kaluar pjesën e tyre të pronësisë mbi lokalin me sipërfaqe 2267 m2, paditësit Pavli Kiço, janë të pavlefshme për pjesën e lokalit Bar Lulishte “Tekstilisti”, jashtë sipërfaqes prej 541 m2, të nxjerrë në privatizim dhe e shitur më pas nga (ish) AKP dega Tiranë. Kjo për faktin se këta punonjës nuk mund t’i kalonin paditësit një të drejtë pronësie mbi një send pa qenë vetë pronarë.
12. Nga akti i ekspertimit i kryer në shkallë të parë, rezultoi se lokali Bar Lulishte “Tekstilisti ka patur një rrethim që e ndante nga objektet e tjera publike, rrethim i cili në çastet e matjeve të bëra nga eksperti, ishte prishur, por ekzistonin gjurmët e tij. Lokali është i ndarë në pjesë ndërtimore objekt 1 kat, me sipërfaqe të mbuluar 484,3 m2; sipërfaqe ndërtimi ndihmëse (pista dhe sipërfaqja e betonuar) 690,9 m2; sipërfaqe trualli funksional për rreth objektit (sipërfaqe e gjelbër) 1092,3 m2. Sipas gjykatës së shkallës së parë, lokali për të realizuar qëllimin e tij (destinacionin ekonomik), kërkohet që të përdoret dhe të funksionojë me të gjitha ambientet e tij funksionale (pistë vallëzimi, trotuare, lulishte, etj), përveç ndërtesës qendrore të privatizuar nga paditësi, pasi ai si i tillë edhe është ndërtuar. Në këtë aspekt, sipas gjykatës së shkallës së parë, bie pretendimi i palës së paditur se sipërfaqe e domosdoshme është sipërfaqja sa ka qenë përcaktuar në gentlpan dhe që i është propozuar paditësit për blerje (541 m2).
13. Në këto kushte, gjykata e shkallës së parë ka verifikuar titullin e pronësisë së ndërhyrësit dytësor Gëzim Çullhaj dhe ka arsyetuar se ish pronarëve iu është njohur vetëm e drejta e parablerjes mbi sipërfaqen e tokës, ku ndodhet Bar Lulishte “Tekstilisti”, kur ky objekt të privatizohej, duke u konsideruar si truall i zënë nga Komisioni. Nga ana tjetër, KKK Pronave Qarku Tiranë (si një organ administrativ), jo vetëm që ka nxjerrë një vendim të pambështetur në fakt, por për më tepër është shprehur dy herë për të njëjtin objekt, duke dhënë dy vendime të ndryshme, gjë e cila është e ndaluar. Sipas kësaj gjykate, KKK Pronave Qarku Tiranë mund të marrë në shqyrtim kërkesa të ish-pronarëve vetëm për sipërfaqe të patrajtuara më parë prej tij dhe mund të kthejë sipërfaqe të cilat nuk konsiderohen të zëna. Sipas gjykatës së shkallës së parë, lokali Bar Lulishte “Tekstilisti” ka qenë dhe është në pronësi të shtetit, konkretisht të Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës dhe si rrjedhojë ka detyruar këtë të fundit t`i shesë paditësit në tërësi sipërfaqen prej 2267 m2.
14. Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.2724 datë 15.12.2011 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.9518, datë 13.12.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në këtë vendim, ndër të tjera kjo gjykatë ka arsyetuar Vendimi nr.19 datë 23.01.2001 i K.K.k.P Qarku Tiranë për sipërfaqen 1613 m2 e trajtuar më parë me vendimin nr.335 datë 23.11.1995 që mbivendoset me lokalin Bar Lulishte “Tekstilisti”, është akt absolutisht i pavlefshëm në kuptim të nenit 116 të K.Pr.Administrative, si një akt i nxjerrë në kapërcim të kompetencave ligjore dhe si i tillë nuk asjell asnjë pasojë që në momentin që është krijuar. Në këto kushte, sipas kësaj gjykate, regjistrimi hipotekor nr.13 datë 15.01.2007 i bërë në bazë të tij nga pala e tretë në gjykim është veprim i pavlefshëm. Po kështu, sipas kësaj gjykate, pjesët e tjera të lokalit si pista e vallëzimit, etj., janë pjesë përbërëse të këtij lokali dhe jo pjesë funksionale e tij (siç ka argumentuar gjykata e shkallës së parë). Si të tilla, ato i janë shitur që në vitin 1993 ish punonjësve (duke iu referuar edhe kontratës së shitblerjes së vitit 1993).
15. Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë nr.2724 datë 15.12.2011, ka ushtruar rekurs personi i tretë Gëzim Çullhaj, i cila ka kërkuar rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e përmendura në mënyrë të përmbledhur në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
Vlerësimi i Kolegjit Administrativ
16. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë pasi u njoh me aktet e dosjes gjyqësore, vendimet e gjykatave dhe shkaqet e parashtruara në rekurs vëren se vendimet e gjykatave të faktit janë marrë në zbatim të gabuar të ligjit procedural. Këto gjykata, në kundërshtim me nenin 14 të K.Pr.Civile, nuk kanë kryer një hetim të plotë e të gjithanshëm gjyqësor; pa marrë parasysh provat e administruara në gjykim nga vetë këto gjykata, në kundërshtim me nenet 20 dhe 29 të K.Pr.Civile; duke mos marrë në shqyrtim dhe kthyer përgjigje edhe problemeve për të cilat çështja u kthye për rigjykim nga Gjykata e Lartë, detyra të cilat janë të detyrueshme për gjykatat.
17. Kolegji konstaton se me vendimin nr.272 datë 29.04.2008 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, kjo çështje është kthyer për rishqyrtim për të sqaruar disa aspekte. Së pari, nga aktet e dosjes dhe hetimi gjyqësor nuk rezultonte e qartë se për çfarë sipërfaqeje ka paguar qira paditësi Pavli Kiço. Së dyti, pretendimet e personit të tretë në gjykim, korrespondonin me ato të një ndërhyrësi kryesor, ndërkohë që nga gjykatat nuk ishte bërë i qartë pozicioni i tij në gjykim.
18. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vëren se, çështjen e sipërfaqes së truallit për të cilën ishte paguar qira nga paditësi, si gjykata e shkallës së parë ashtu edhe ajo e apelit e analizojnë në mënyrë sipërfaqësore, pa i dhënë një përgjigje të qartë dhe për më tepër pa kryer një hetim të mirëfilltë gjyqësor. Kështu, gjykata e shkallës së parë, nuk është shprehur fare lidhur me çështjen se për çfarë periudhe është paguar qiraja e truallit, çfarë sipërfaqeje trualli i korrespondonte kjo qira, kur është paguar, etj. Po kështu, nisur nga fakti se të paditurit pranojnë se paditësit i është dhënë me qira vetëm pjesa e truallit nën ndërtesë, gjykata nuk ka hetuar se mbi bazën e cilit akt paditësi ka kryer pagesën e qerasë. Nëse ky i fundit pretendon se ka paguar qira mbi të gjithë sipërfaqen prej 2267 m2, gjykata në kuadër të kryerjes së një hetimi të plotë e të gjithanshëm gjyqësor, duhej të sqaronte sa ishte shuma e paguar, si dhe akti mbi bazën e të cilin është kryer dhe pranuar kjo pagesë. Ndërkohë, gjykata e apelit në arsyetimin se saj ka pranuar se ish punonjësit kanë paguar qira trualli për sipërfaqen prej 2267,5 m2, duke u mbështetur në shkresën nr.1 datë 11.01.2000 të AKP drejtuar Bashkisë Tiranë. Në pikën 5 të kësaj shkrese thuhet se: “Në pasqyrën e nivelit të qirasë është përcaktuar sipërfaqja prej 2267,5 m2”. Sipas gjykatës së apelit nga kjo shkresë është përcaktuar se paditësi ka paguar qira për të gjithë sipërfaqen prej 2267 m2.
19. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vëren se gjykata e apelit ka ardhur në përfundimin se paditësi ka paguar qira për sipërfaqen prej 2267 m2, vetëm nëpërmjet një shkrese, e cila në mënyrë të tërthortë tregon se sipërfaqja e përcaktuar për tu dhënë me qira paditësit ishte 2267 m2. Ndërkohë gjykatat e faktit nuk kanë pasur parasysh provat e tjera të administruara në dosje, e po kështu nuk e kanë zgjeruar hetimin e tyre në këtë drejtim, me qëllim sqarimin e rrethanave me rëndësi për zgjidhjen e çështjes. Për këtë arsye, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë është i detyruar të përmendë disa nga këto prova, pa i analizuar ato, me qëllim arsyetimin dhe arritjen e një konkluzioni se përse gjykatat e faktit kanë zgjidhur çështjen në mungesë të një hetimi të plotë e të gjithanshëm gjyqëor, që si rrjedhojë ka ndikuar dhe në vendimmarrjen e tyre.
20. Gjykatat e faktit nuk e kanë marrë parasysh se sipas kontratës së shitjes datë 18.12.1992, blerësit e objektit binin dakord që të paguanin qira vetëm për sipërfaqen 541 m2. Po kështu, ato nuk kanë mbajtur parasysh se vetë Bashkia e Tiranës ka vendosur shitjen paditësit të sipërfaqes prej 541 m2, duke përcaktuar edhe vlerën e truallit, e po kështu është shprehur për likuidimin e qirasë së truallit deri me datë 29.02.2000 (shkresa nr.1187 datë 28.02.2000 të Degës së AKP-së Tiranë). Pavarësisht se në shkresën e AKP-së nuk përcaktohet qartë sipërfaqja për të cilën është paguar qira, gjykata kishte detyrën dhe mundësinë ta verifikonte këtë fakt. Arsyetimi i gjykatës së apelit se paditësi ka paguar qira për të gjithë sipërfaqen prej 2267 m2, nuk është i mbështetur nga provat në dosje në tërësinë e tyre, por bazohet vetëm në një shkresë, përmbajtja e të cilës përveçse nuk është e qartë, bie në kundërshtim me provat e tjera të paraqitura në gjykim. Në këto kushte, ishte detyrë e gjykatave të faktit që të kërkonin nga palët ndërgjyqëse, të paraqisnin prova, në mënyrë që të saktësonin sipërfaqen për të cilën paditësi kishte paguar qira. Po kështu, me qëllim arritjen e një përfundimi të qartë, në varësi të rrjedhës së gjykimit, gjykata mund të kërkonte të dhëna edhe nga institucione të tjera, si Bashkia e Tiranës, etj.
21. Nga ana tjetër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, nga shqyrtimi i dosjes vëren se nga gjykatat e faktit nuk është qartësuar sipërfaqja e objektit të blerë nga paditësi. Nga provat e administruara në gjykim vërehet se sipërfaqja e objektit të blerë rezulton 541 m2. Ndërkohë sipas aktit të ekspertimit pjesa ndërtimore objekt 1 kat (që i referohet objektit të blerë nga ish punonjësit) ka një sipërfaqe prej 484,3 m2. Gjykatat duhej të sqaronin nëse sipërfaqja prej 484,3 m2 përfshinte të gjithë sipërfaqen e ndërtimit të lokalit të blerë nga ish punonjësit, apo vetëm një pjesë të tij. Po kështu, duhej të sqaronin se cfarë përbënte diferenca në mes sipërfaqeve prej 541 m2 dhe 484,3 m2 dhe pse ish punonjësve u ishte shitur sipërfaqe objekti 541 m2, ndërkohë që sipërfaqja e objektit përfshinte vetëm 484,3 m2. Nga aktet e dosjes gjyqësore një rrethanë e tillë mbetet e pasqaruar dhe nuk kuptohet se çfarë përfaqëson sipërfaqja 541 më dhe ajo prej 484,3 m2.
22. Ndërkohë, lidhur me kërkimin e paditësit për detyrimin e palës së paditur për shitjen e sipërfaqes totale prej 2267,5 m2, gjykata e shkallës së parë ka arsyetuar se kjo sipërfaqe përbëhej nga ajo prej 541 m2 që ndodhej nën objektin e blerë nga paditësi, ndërsa pjesa tjetër përbëhej nga ambiente funksionale, të cilat i shërbenin ushtrimit të aktivitetit të lokalit të blerë nga paditësi. Gjykata e apelit, nga ana tjetër, ndryshe nga gjykata e shkallës së parë ka argumentuar se kjo sipërfaqe i duhej shitur paditësit për shkak se pjesët e tjera (jashtë sipërfaqes prej 541 m2) si pista e vallëzimit etj, janë pjesë përbërëse të këtij lokali dhe jo pjesë funksionale, prandaj sipas kësaj gjykate ato i janë shitur që në vitin 1993 ish punonjësve (duke iu referuar edhe kontratës së shitblerjes së vitit 1993).
23. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vëren se këto përfundime të gjykatave janë të pambështetura në provat e administruara, e po kështu janë dhënë në interpretim të gabuar të tyre. Konkretisht, nga provat e administruara rezulton se nga gentplani i privatizimit i vitit 1992, AKP ka nxjerrë në shitje vetëm një sipërfaqe prej 541 m2, e cila përfshinte ndërtesën kryesore të lokalit (barin, kuzhinën dhe magazinat). Pasi janë bërë të gjitha procedurat e vlerësimit të truallit në Bashkinë e Tiranës, është lëshuar edhe autorizimi i kalimit të pronësisë nr.80 datë 03.03.2000, në emër të Pavli Kiço, për blerjen e truallit me sipërfaqe 541 m2, mbi të cilën është ndërtuar objekti i privatizuar. Paditësi ka kërkuar të blejë edhe sipërfaqen tjetër të përbërë nga pistë vallëzimi dhe siperfaqe e betonuar, me një sipërfaqe prej 690,9 m, si dhe sipërfaqen e gjelbër rreth objektit, si truall funksional, me një sipërfaqe prej 1092,3 m2.
24. Nga ekspertimi i kryer në gjykatën e shkallës së parë ka rezultuar qartë se objekti i shitur (lokali dhe magazina) me sipërfaqe 541 m2, është tërësisht i shkatërruar dhe nuk ka objekt ku zhvillohet ndonjë veprimtari ekonomike. Në këto kushte, pasur parasysh ligjin nr.7980, datë 27.07.1995 “Për shitblerjen e trojeve”, derisa nuk ka më një objekt i cili prej vitesh nuk funksionon më për qëllimet për të cilat është shitur, gjykata duhej të merrte në shqyrtim faktin nëse pasur parasysh rrethanat dhe gjendjen e faktit, mundet dhe ka kuptim që të shitet sipërfaqja e truallit që përbën diferencën mes 2267 m2 dhe asaj prej 541 m2. Kjo çështje duhej shtruar nga gjykatat për arsye se shitja e objektit është kryer për qëllim kryerjen e veprimtarisë ekonomike, ndërkohë që ajo veprimtari për të cilën objekti është shitur jo vetëm që nuk ushtrohet prej vitesh, por vetë objekti është i shkatërruar.
25. Po kështu, arsyetimi i gjykatës së apelit se në vitin 1993 ish punonjësve u është shitur sipërfaqja prej 2269 më është një përfundim i pambështetur si në ligj ashtu edhe në prova. Në vendimin nr.272 datë 29.04.2008, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i cili e ka kthyer këtë çështje për rigjykim në shkallë të parë, e ka argumentuar qartë se në përputhje me normat juridike në fuqi mbi shitblerjen e trojeve, në kohën kur është kryer shitja, fillimisht lejohej vetëm shitja e objekteve dhe trualli nën objekt jepej me qira. Për këtë arsye, ky Kolegj vlerëson se është e panevojshme të zgjatet në këtë drejtim, por i tërheq vëmendjen gjykatës së apelit e cila nuk ka argumentuar se mbi ç`bazë ligjore ka arritur në përfundimin se ish punonjësve u është shitur gjithë sipërfaqja e truallit prej 2267 m2. Ndërkohë, vë në dukje se në objektin e kontratës së shitblerjes ishte përcaktuar vetëm sipërfaqja ndërtimore prej 541 m2. Nga ana tjetër, asnjë nga kontratat e tjera të mëvonshme (të lidhura pas vitit 1992) mes ndërmarrjes dhe ish punonjësve, nuk e përcakton qartë se objekti i shitjes janë 2267 m2, pavarësisht se ish punonjësit e ndërmarrjes si blerës e kanë regjistruar këtë sipërfaqe në pronësi të tyre dhe më pas edhe e kanë pjestuar.
26. Në pretendimet e tij të parashtruara në rekurs, personi i tretë ka pretenduar se në rigjykim ai e ka përcaktuar pozicionin e tij si ndërhyrës kryesor, por gjykata nuk është shprehur për këtë kërkim të tij. Nga shqyrtimi i akteve të dosjes gjyqësore, Kolegji vëren se në fashikujt gjyqësor nuk ndodhet asnjë akt formal që të pasqyrojë pretendimet e personit të tretë se ai ka ndërhyrë në gjykim si ndërhyrës kryesor. Ndërhyrja kryesore, nga pikëpamja formale e paraqitjes së pretendimeve në të, është e njëjtë me padinë dhe kundërpadinë. Kjo do të thotë, se ajo është një padi më vete dhe si e tillë, ajo duhet të plotësojë të gjithë kriteret formale që duhet të plotësojë një padi, siç është paraqitja në formën e kërkuar, pagimi i taksës gjyqësore për të, etj. Madje, pretendimet që ngrihen në ndërhyrjen kryesore, mund të qëndrojnë si një padi më vete në një gjykim tjetër. Nga aktet e dosjes nuk ka asnjë të dhënë që personi i tretë ka plotësuar qoftë edhe një nga këto detyrime, të cilat do të tregonin se përpara gjykatës është ngritur një padi në formën e ndërhyrjes kryesore. Madje, vihet re se ai deri në fund të gjykimit ka dhënë shpjegime si ndërhyrës dytësor. Megjithatë, nisur nga fakti se përcaktimi i pozitës së ndërhyrësit kryesor në gjykim ka qenë një ndër detyrat e lëna nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë në kthimin e çështjes për rigjykim, ishte detyrë e gjykatës së shkallës së parë që të sqaronte se çfarë pozite dëshironte të mbante personi i tretë në gjykim, duke i bërë të ditur edhe plotësimin e kritereve formale në paraqitjen e padisë, në rast ndërhyrje në gjykim si ndërhyrës kryesor.
27. Nisur nga sa më lart, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se çështja duhet kthyer për rigjykim për shkaqet e përmendura më sipër. Pavarësisht që të dy vendimet e gjykatave të faktit nuk i kanë dhënë përgjigje problemeve për të cilat çështja është kthyer për rigjykim në shkallë të parë, Kolegji e gjen me vend prishjen vetëm të vendimit të gjykatës së apelit dhe kthimin e çështjes për rigjykim pranë kësaj gjykate. Këtu mbahet parasysh fakti se kjo çështje është kthyer një herë për rigjykim në shkallë të parë nga Kolegji Civil i gjykatës së Lartë, e po kështu edhe fakti se është detyrim i gjykatave kryerja e një procesi të rregullt ligjor brenda afateve të arsyeshme. Pasur parasysh natyrën, kompleksitetin e çështjes, sjelljen e palëve ndërgjyqëse, etj., gjykatat duhet të mbajnë parasysh standardin e afatit të arsyeshëm në dhënien e një përgjigje përfundimtare. Çështjet të cilat janë të nevojshme të sqarohen në këtë gjykim mund të kryhen përmes hetimit gjyqësor edhe nga gjykata e apelit, e cila duhet të gjykojë çështjen si gjykatë e shkallës së parë. Nga ana tjetër, personi i tretë në këtë gjykim, duhet të gjejë mjetet dhe format procedurale për të ushtruar mbrojtjen e të drejtave të tij, brenda kuadrit të ligjit procedural.
28. Nisur nga fakti se kërkimet në padi ngrenë pretendime lidhur me mosmarrëveshje të natyrës administrative, gjykata kompetente për rigjykimin e çështjes, do të jetë Gjykata Administrative e Apelit Tiranë. Në rigjykim kjo gjykatë, duke gjykuar si shkallë e parë, do mbajë parasysh kryerjen e një hetimi të plotë e të gjithanshëm gjyqësor në drejtim të: i) përcaktimit të sipërfaqes së truallit për të cilën paditësi ka paguar qira; periudhën për të cilën kjo qira është paguar e po kështu dhe aktin mbi bazën e të cilit është paguar dhe pranuar pagimi i qirasë; ii) verifikimin e sipërfaqes së objektit të blerë nga ish punonjësit e ndërmarrjes dhe përcaktimin e qartë se çfarë përfaqësojnë sipërfaqet prej 541 m2 dhe 484,3 m2, blerë nga ish punonjësit; iii) pasur parasysh gentplanin që shoqëron kontratën e shitblerjes mes ndërmarrjes dhe ish punonjesve, të drejtën e pasur prej këtyre të fundit ë momentin e privatizimit, të përcaktohet objekti dhe sipërfaqja që ka kaluar në pronësi të ish punonjësve të ndërmarrjes; si dhe çdo veprim tjetër që gjykata do ta konsiderojë të nevojshëm, me qëllim zgjidhjen e drejtë të çështjes. Përsa i përket pretendimeve të paditësit lidhur me pavlefshmërinë e vendimit të K.K.K.Pronave 19, datë 23.01.2001, lëshuar në favor të Gëzim Çullhaj, pavarësisht se nuk është shkak rekursi, Kolegji tërheq vëmendjen se palët duhet të gjejnë mënyrën dhe mjetin procedural për goditjen e tij.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 63/a të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.2724, datë 15.12.2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 03.11.2015
Nr.11243-03245-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr.00-2015-4581 i Vendimit (566)
Do'stlaringiz bilan baham: |