VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Edmond Islamaj Kryesues
Ardian Dvorani Anëtar
Shkëlzen Selimi Anëtar
Artan Zeneli Anëtar
Tom Ndreca Anëtar
në seancën e datës 25.11.2015, mori në shqyrtim çështjen penale që i përket:
KËRKUES: PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË RRETHIT GJYQËSOR TIRANË
TË GJYKUAR: REDI RRJOLLI
KLODIAN MARTINI
A K U Z U A R:
Për kryerjen e veprës penale të “Vjedhje me armë”,
kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë,
parashikuar nga neni 140-25-22 i K.Penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.872, datë 01.07.2013, ka vendosur:
Deklarimin fajtor të pandehurit Redi Rrjolli, për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes me dhunë” kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 139 – 25 e 22 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
Në aplikim të Nenit 406/1 të K.Pr.Penale masës së mësipërme i zbritet 1/3 e saj dhe përfundimisht i pandehuri Redi Rrjolli dënohet me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
Vuajtja e këtij dënimi i fillon me datë 31.10.2012 dita arrestit në flagrance, duke urdhëruar që kjo vuajtje të kryhet në një nga Burgjet e Sigurisë së Zakonshme.
Deklarimin fajtor të pandehurit Klodian Martini, për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes me dhunë” kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 139 – 25 e 22 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
Në aplikim të Nenit 406/1 te K.Pr.Penale masës së mësipërme i zbritet 1/3 e saj dhe përfundimisht i pandehuri Klodian Martini dënohet me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
Vuajtja e këtij dënimi i fillon me datë 31.10.2012 dita arrestit në flagrancë, duke urdhëruar që kjo vuajtje të kryhet në një nga Burgjet e Sigurisë së zakonshme.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.296, datë 21.03.2014 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.872 datë 01.07.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kundër vendimit të mësipërm ka paraqitur rekurs, me datë 18.04.2014 Prokurori i Apelit Tiranë, duke kërkuar ndryshimin e tij për sa i përket cilësimit juridik të veprës penale dhe deklarimin fajtor të të pandehurve për veprën penale të “vjedhjes me armë” në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe dënimin e tyre përkatësisht me 14 dhe 13 vjet burgim, duke paraqitur këto shkaqe:
- Të dy të gjykuarit deklarojnë se gjatë vjedhjes kishin patur një armë zjarri, ngjyrë gri të errët, arma e gjetur në vendngjarje është me të njëjtat karakteristika që përshkruhen prej tyre. Një armë lodër nuk është gjetur në vendngjarje. Të gjykuarit asnjëherë nuk kanë deklaruar se kjo arnë lodër ka ekzistuar.
- E dëmtuara Olta Shllaku na përforcon bindjen se ata kanë patur armë dhe ajo armë është përdorur për të kryer vjedhjen, kur pohon të jetë goditur dhe si pasojë e goditjes në kokë me armë ajo është rrëzuar. Mungesa e një akti mjeko-ligjor mbi dëmtimet e mundshme, fakt të cili i është mëshuar shumë nga gjykata, nuk është një argument bindës.
- Nga ana e gjykatës nuk është vlerësuar drejt edhe këqyrja e vendit të ngjarjes në fshatin Domje.
- Në lidhje me ankimin e të gjykuarit Klodian Martini vlerësojmë se me të drejtë gjykata e apelit e gjen të pabazë pretendimin e tij.
KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Shkëlzen Selimi, prokurorin Arqilea Koca, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, kualifikimin e veprës në bazë të N.140-22 dhe 25 të K.Penal në lidhje me N.50/gj të K.Penal; mbrojtësen e të gjykuarit Redi Rrjoli, av.Blertë Kraja, e cila kërkoi lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së apelit; mbrojtësin e të gjykuarit Klodian Martini, av.Vladimit Meçi, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së apelit; dhe si shqyrtoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Se vendimi nr.296, datë 21.03.2014 i Gjykatës së Apelit Tiranë gjendet i bazuar në ligj dhe në prova dhe si i tillë do të lihet në fuqi për cilësimin ligjor të veprës penale, ndërsa do të ndryshohet përsa i përket masës së dënimit për të gjykuarit Redi Rrjolli dhe Klodian Martini.
-
Rrethanat e faktit
Nga gjykatat janë pranuar këto rrethana të faktit.
-
Të gjykuarit Redi Rrjolli dhe Klodian Martini janë banorë të qytetit të Tiranës dhe shokë ndërmjet tyre. Më datë 31.10.2012, rreth orës 13.10 është njoftuar Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, se dy persona të cilët lëviznin me një motor, me skafandra në kokë dhe nën kanosjen e një arme kanë vjedhur argjendarinë e shtetasve Edvin dhe Olta Shllaku, ndodhur në Rrugën e “Dibrës”, pranë Selvisë Tiranë dhe janë larguar me motor.
-
Në ndjekje të dy autorëve janë vënë shërbimet e policisë të Komisariateve të nr.3 dhe nr.5 Tiranë, të cilëve ju janë dhënë karakteristikat e autorëve dhe të mjetit motor me të cilin ata janë larguar. Autorët kanë lëvizur fillimisht drejt autostradës dhe pastaj kanë braktisur motorin e dëmtuar dhe kanë devijuar për t’u fshehur e humbur gjurmët në një rrugë dytësore në drejtim të fshatit Domje. Policia e vënë në ndjekje të tyre ka arritur të gjejë dhe kapë në flagrancë autorët e kësaj vjedhje, të cilët janë të gjykuarit Redi Rrjolli dhe Klodian Martini.
-
Sipas këqyrjes së vendit të ngjarjes më datë 31.10.2012, në dyqanin Argjendari nr.2 në pronësi të shtetasve Edvin dhe Olta Shllaku, ndodhur në Rrugën e “Dibrës” nuk është arritur të gjenden gjurmë daktiloskopike të vlefshme për identifikim dhe është vërejtur se kamera e sigurisë së dyqanit në momentin e ngjarjes ka qenë jashtë funksionit. Në vendngjarje, sipër banakut është gjetur dhe sekuestruar një çantë me ngjyrë të zezë, me mbishkrimin “Sports” e autorëve të veprës penale, në të cilën këta të fundit kishin futur bizhuteritë e floririt tentuar për të vjedhur, e cila i është marrë autorëve nga të dëmtuarit gjatë përleshjes me ta në momentin e largimit.
-
Provohet se autorët në ngjarje dhe gjatë përleshjes me të dëmtuarit apo largimit nuk kanë qëlluar me armë. Kurse nga të dëmtuarit Olta Shllaku dhe Edvin Shllaku është pohuar, se një nga autorët, ai që mbante në dorë dhe kanoste me armë me qytën e saj ka goditur në kokë, deklaruesen Olta Shllaku.
-
Po me datë 31.10.2012, në rrugën dytësore të asfaltuar të fshatit Domje, ku nga autorët është braktisur mjeti motor tip “Yamaha”, me të cilën ata kane lëvizur, pasi i ka plasur goma e parë e tij në vazhdim të rrugës së asfaltuar, në një distance rreth 200 m nga motori, në një kanal janë gjetur e sekuestruar dy skafandra si dhe 7.5 m larg tyre brenda një grope dhe afër një pusete, janë gjetur e sekuestruar dy doreza material rrobë dhe gomë dhe me tej dy doreza të tjera. Gjithashtu është gjetur dhe sekuestruar edhe një xhup me ngjyrë të errët me kuadrate. Sendet e mësipërme, dyshohet se janë të autoreve dhe janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale. Me datë 31.10.2012, për shkak të terrenit ku shtrihej vendngjarja dhe të një sasie uji në kanalin anës rrugës ku janë gjetur e sekuestruar provat e tjera materiale, nga policia nuk është gjetur e sekuestruar ndonjë armë pistoletë.
-
Në momentet e para pas kapjes së tyre është vendosur me vendim gjykate përgjimi i bisedave ambientale të të dyshuarve, brenda ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, ku dy të gjykuarit gjatë bisedës të transkiptuar, rezulton se janë në dijeni të ngjarjes, flasin dhe implikojnë veten e tyre në kryerjen e krimit, pohojnë se çfarë kërkuam gjetëm, se ata (të dëmtuarit) nuk kishin bërë denoncim, flasin lidhur me faktin se si ja mori e dëmtuara çantën me sendet e vjedhura, se duhet të ishin kthyer direkt nga Skënderbeu, të ishin futur në ndonjë rrugë tjetër dhe do kishin humbur gjurmët, se pistoleta që kanë pasur ka qenë plastike por edhe se shyqyr që shkoi ashtu e nuk u dëmtua kush, se kështu ka qenë rrisku i tyre dhe flasin për çarjen (plasjen) e shpërthimin e gomës së motorit etj.
-
Më datë 03.11.2012, është njoftuar policia se në fshatin Domje në kanalin anës rrugës automobilistike të këtij fshati, pranë vendit ku janë gjetur e fiksuar provat e tjera materiale të kësaj çështje gjendej e zhytur në ujë një pistoletë. Kjo armë është parë dhe gjetur nga shtetasi Albert Aliaj, i cili ka vënë në dijeni babain e tij, deklaruesin Misim Aliaj, me detyrë punonjës policie dhe ky i fundit ka njoftuar Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.
-
Nga shërbimet e policisë të cilat kanë kryer këqyrjen e vendit ku ndodhej arma shoqëruar me fotografi si dhe kanë kryer sekuestrimin e armës, një pistolete tip Beretta, kal.7.65 mm, me nr.EV 1236677 me 5 fishekë, e cila dyshohet se është arma e përdorur nga të dyshuarit gjatë kryerjes së veprës penale. Gjatë këqyrjes së kryer, nisur nga fakti se arma ka qenë e hedhur në ujë, nuk janë gjetur e fiksuar gjurmë daktiloskopike të vlefshme për identifikim. Është vendosur kryerja e ekspertimit teknik-balistik të armës dhe fishekëve, të sekuestruar, ku bazuar në aktin e ekspertimit nr.404 datë 08.11.2012, pistoleta dhe fishekët e mësipërm janë në gjendje të rregullt teknike dhe realizojnë qitje normalisht.
-
Në këto rrethana Prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë, ka përcjellë për gjykim çështjen në ngarkim të të gjykuarve Redi Rrjolli dhe Klodian Martini, duke i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vjedhje me armë”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 140-25-22 i K.Penal.
-
Të gjykuarit nëpërmjet përfaqësuesve të tyre kanë kërkuar ndryshimin e kualifikimit të veprës penale, dhe dënimin e tyre për veprën penale të “Vjedhja”, sipas neneve 134/2-22 të K.Penal dhe uljen e dënimit nën minimum.
-
Procedurat Gjyqësore
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.872, datë 01.07.2013, ka vendosur:
-
Deklarimin fajtor të pandehurit Redi Rrjolli, për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes me dhunë” kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 139 – 25 e 22 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
-
Në aplikim të Nenit 406/1 të K.Pr.Penale masës së mësipërme i zbritet 1/3 e saj dhe përfundimisht i pandehuri Redi Rrjolli dënohet me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
-
Vuajtja e këtij dënimi i fillon me datë 31.10.2012 dita arrestit në flagrance, duke urdhëruar që kjo vuajtje të kryhet në një nga Burgjet e Sigurisë së Zakonshme.
-
Deklarimin fajtor të pandehurit Klodian Martini, për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes me dhunë” kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 139 – 25 e 22 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
-
Në aplikim të Nenit 406/1 te K.Pr.Penale masës së mësipërme i zbritet 1/3 e saj dhe përfundimisht i pandehuri Klodian Martini dënohet me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
-
Vuajtja e këtij dënimi i fillon me datë 31.10.2012 dita arrestit në flagrancë, duke urdhëruar që kjo vuajtje të kryhet në një nga Burgjet e Sigurisë së Zakonshme.
-
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.296, datë 21.03.2014 ka vendosur:
-
Lënien në fuqi të vendimit nr.872 datë 01.07.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
-
Kundër vendimit të mësipërm ka paraqitur rekurs, me datë 18.04.2014 Prokurori i Apelit Tiranë, duke kërkuar ndryshimin e tij për sa i përket cilësimit juridik të veprës penale dhe deklarimin fajtor të të pandehurve për veprën penale të “vjedhjes me armë” në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe dënimin e tyre përkatësisht me 14 dhe 13 vjet burgim, duke paraqitur pretendimet e pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
-
Arsyetimi ligjor i vendimit të ankimuar
-
Gjykata e Apelit Tiranë e ka gjetur të drejtë dhe të bazuar në prova e në ligj vendimin e gjykatës së shkallës së parë, dhe ndër të tjera arsyeton se: “...Nga vetë mekanizmi i ngjarjes zhvilluar në argjendarinë në rrugën e “Dibrës” e finalizuar me kapjen në flagrancë të të pandehurve në fshatin Domje, pra nuk është gjetur armë as në vendin e ngjarjes dhe as të pandehurve gjatë kontrollit. Nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore është përfshirë në dosjen penale një armë tip “pistoletë Beretta” me ngjyrë të zezë, e cila është gjetur disa ditë me vonë pas ngjarjes në fshatin Domje, mirëpo edhe nga akti i ekspertimit që është kryer për armën nuk rezulton që të jenë gjetur gjurmë të ndonjërit prej të pandehurve apo të ketë lidhje arma me ta. Sipas deklarimeve të pronareve të argjendarisë, të cilët kanë deklaruar se të pandehurit kishin një armë me ngjyre gri si dhe bisedat ndërmjet të pandehurve “mirë që kishim armë lodër, se situata do të ishte me keq”. Të gjitha këto prova përforcojnë bindjen se të pandehurit kanë patur në dorë një armë imitacion, ngjyrë gri, me të cilën s’kanë dëmtuar askënd, as fizikisht dhe as të kenë prishur objekte të tjera në dyqan. Edhe dëshmitarja Olta Shllaku, e cila është goditur me këtë armë, nuk ka pësuar asnjë dëmtim nga kjo goditje ç’ka përforcon bindjen për mos qënien e një armë zjarri. Nëse ajo do ishte goditur me pistoletë të vërtetë luftarake e cila është metalike me një peshë relativisht të rëndë do të kishim dëmtime që do të evidentoheshin.
Gjykata e Apelit Tirane konkludon, se kur s’ka armë, në kuptim të ligjit “Për armët”, nuk jemi para konsumit të figurës së veprës penale të “Vjedhjes me armë” të parashikuar nga neni 140 i K.Penal. vetëm po të kapej armë dhe të provohej që këtë armë e kanë përdorur të pandehurit, atëherë mund të kualifikohej si vjedhje me armë. Me veprimet e kryera të pandehurit Redi Rrjolli dhe Klodian Martini kanë konsumuar të gjithë elementët e asaj vepre penale të “Vjedhjes me dhunë”, pasi kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj të dëmtuarve dhe ndaj duhet të përgjigjen penalisht për këtë. Vepra penale ka ngelur në fazën e tentativës së plotë pasi nuk është realizuar për shkaqe tërësisht të pavarur nga vullneti i të pandehurve...”
-
Në lidhje me rekursin e paraqitur nga Prokurori
-
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arrin në konkluzionin se rekursi i Prokurorit është i pabazuar në ligj (Neni 432 i Kodit të Procedurës Penale) dhe si i tillë nuk duhet të pranohet, por vendimi i gjykatës së apelit do të ndryshohet në lidhje me masat e dënimit ndaj të gjykuarve.
-
Vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, është rrjedhojë e zbatimit të drejtë të ligjit material e procedural penal në lidhje me lënien në fuqi të vendimit nr.872 datë 01.07.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Gjykata e Apelit Tiranë i ka vlerësuar provat në përputhje me N.152 të K.Pr.Penale1.
Në lidhje me pretendimin përsa i përket cilësimit juridik të veprës penale dhe deklarimin fajtor të të pandehurve për veprën penale të “vjedhje me armë” në bashkëpunim, mbetur në tentativë.
-
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë konkludon se lënia në fuqi e vendimit dhe deklarimi i të gjykuarve Redi Rrjolli dhe Klodian Martini fajtor për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë” kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 139 – 25 e 22 i K.Penal2, është i bazuar në ligjin procedural dhe material penal dhe si i tillë është i pacenueshëm, pasi me provat e administruara nuk u arrit të ngrihej përtej dyshimit pretendimi i paraqitur nga organi i akuzës se të gjykuarit kanë kryer veprën penale të “Vjedhje me armë”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 140-25-22 i K.Penal3; ky pretendim gjendet tërësisht i pabazuar nga ky kolegj.
-
Në bazë të provave të shqyrtuara rezulton e provuar se më datë 31.10.2012 dy të gjykuarit Redi Rrjolli dhe Klodian Martini, të cilët lëviznin me një motor, me skafandra në kokë dhe nën kanosjen e një “arme” kanë tentuar të vjedhin argjendarinë e shtetasve Edvin dhe Olta Shllaku, ndodhur në Rrugën e “Dibrës”, pranë Selvisë Tiranë. Ata janë larguar me motor. Gjatë përleshjes me të dëmtuarit apo largimit nuk kanë qëlluar me armë. Kurse nga të dëmtuarit Olta Shllaku dhe Edvin Shllaku është pohuar, se një nga autorët, ai që mbante në dorë dhe kanoste me armë me qytën e saj ka goditur në kokë, deklaruesen Olta Shllaku.
-
Të gjykuarit u kapën nga organet e policisë të cilët ishin në ndjekje të tyre pas ngjarjes në fshatin Domje; pranë vendit ku të gjykuarit braktisën motorin me të cilin lëviznin, u gjetën edhe disa sende të tjera të përdoruara nga të gjykuarit, por jo armë zjarri. Në datë 03.11.2012 pranë vendit ku janë gjetur e fiksuar provat e tjera materiale të kësaj çështje gjendet e zhytur në ujë një pistoletë, e cila dyshohej se është përdorur nga të gjykuarit; tek e cila nuk u arrit të gjendej asnjë gjurmë daktiloskopike e vlefshme për identifikim.
-
Siç rezulton e provuar në çështjen objekt gjykimi, edhe pse është pretenduar se të gjykuarit kanë përdorur armë zjarri, nuk është bërë e mundur të administrohet si provë asnjë armë, nuk është provuar dhe as pretenduar se në këtë rast është shtënë me armë, nga ku do të ishte e bërë e mundur të administrohen gëzhojat, të bëhej ekspertimi i tyre, të evidentoheshin shenjat e lëna nga qitja, etj., rrethana mbi të cilat do të krijohej bindja se mjeti i përdorur ka qenë armë. Madje edhe të dëmtuarit Olta dhe dhe Edvin Shllaku, kanë sqaruar në deklarimet e tyre se arma që mbante njëri nga autorët gjatë kryerjes së veprës penale, ka qenë me përmasa më të vogla sesa pistoletat “TT”, me ngjyrë gri në të zezë, që ka ngjashmëri me armën e gjetur e sekuestruar nga policia në vendngjarje më datë 03.11.2012; nga bisedat ndërmjet të gjykuarve të përgjuara me vendim gjykate, brenda ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë është transkriptuar dialogu ndërmjet të gjykuarve: “mirë që kishim armë lodër, se situata do të ishte më keq” të gjitha këto prova përforcojnë bindjen se të gjykuarit kanë patur në dorë një armë imitacion, ngjyrë gri, me të cilën s’kanë dëmtuar askënd, as fizikisht dhe as të kenë prishur objekte të tjera në dyqanin argjendari.
-
Ashtu siç pranojnë Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në vendimin nr.1, datë 03.02.2006, kur nga gjykimi i çështjes nuk është provuar ekzistenca e një arme dhe që kjo armë të ketë qenë teknikisht e rregullt, gjë që provohet nga mendimi shkencor i ekspertëve në këtë fushë, sjell si pasojë që kualifikimi ligjor i veprës penale në gjykimin objekt shqyrtimi, të cilësohet si “vjedhje me dhunë” dhe jo “Vjedhje me armë” siç me të drejtë kanë konkluduar gjykatat e faktit. Krijimi tek i dëmtuari i përshtypjes se mjeti që shoqëron autorin në kryerjen e vjedhjes është armë, ndërkohë që nuk provohet se ka qenë e tillë, dhe nën ndikimin e kësaj rrethane ai dorëzon pasurinë, e bën veprën të kryer si rezultat i dhunës psikike dhe të cilësohet si vjedhje me dhunë (psikike) dhe jo vjedhje me armë.
-
Vjedhja bëhet e cilësuar në kuptim të kërkesave të nenit 140 të K.Penal vetëm kur kryerja e saj është e shoqëruar me praninë apo përdorimin e armës. Për të kualifikuar veprën sipas kësaj dispozite, veç faktit që mjeti i mbajtur nga autori të jetë armë në kuptimin e mësipërm, kërkohet gjithashtu që kjo armë të jetë mbajtur prej tij pa lejen e organeve kompetente. Në rastin objekt shqyrtimi nuk u arrit të ngrihej në nivel provueshmëria mbajtja e armës apo përdorimi i saj nga të gjykuarit Redi Rrjolli dhe Klodian Martini.
-
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në lidhje me dënimin e caktuar ndaj të gjykuarve si element i zbatimit të ligjit penal material, arrin në konkluzionin se masa e dënimit e dhënë nga gjykata e apelit nuk është në përputhje me rrezikshmërinë e veprës dhe të autorëve dhe jo në vlerësim korrekt të neneve 481 e 492 të Kodit Penal të cilat ndikojnë në zbatimin e marzhit të dënimit të parashikuar nga dispozita penale në individualizimin e dënimit.
-
Vepra për të cilën janë dënuar të gjykuarit paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore pasi ka prekur dhe cenuar ato marrëdhënie juridike të vendosura për të siguruar paprekshmërinë e pasurisë dhe të shëndetit të personit të mbrojtura posaçërisht nga legjislacioni ynë penal. Edhe vete të gjykuarit Redi Rrjolli dhe Klodian Martini paraqesin rrezikshmëri shoqërore pasi veprën penale e kanë kryer në formën më të rëndë të fajit, me dashje dhe vetëdije të plotë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me qëllimin për të siguruar fitime pasurore, si edhe duke përdorur dhunën psikike tek të dëmtuarit.
-
Duke analizuar mënyrën e kryerjes së veprës penale, llojin dhe shkallën e dhunës së përdorur ndaj të dëmtuarve, faktin që kemi të bëjmë me një tentativë të plotë, rrethanat lehtësuese të tilla si pendimi i të gjykuarve, Neni 48/ç i K.Penal dhe rrethanat rënduese të tilla, si vepra është kryer në bashkëpunim N.50/gj i K.Penal, pasojat e rënda që mund të vinin nga vepra, e cila mbeti në tentativë për shkaqe të pavarura nga vullneti i të gjykuarve; faktin që tentuan t’i fshiheshin ndjekjes nga organet policore dhe duke u munduar të fshehin provat e ngjarjes; raporti ndërmjet rrethanave rënduese dhe atyre lehtësuese, e bëjnë tё pajustifikuar masën e dënimit tё dhёnё nga gjykatat e faktit.
-
Kolegji Penal vlerëson se identifikimi i rrethanave lehtësuese si një situatë ligjore nga ato të parashikuara nga norma penale dhe provueshmëria e tyre në lidhje me caktimin e llojit dhe masës së dënimit në arsyetimin e vendimit janë të detyrueshme për gjykatat që të evidentohen me qëllim që gjatë kontrollit gjyqësor të vendimit në shkallët e tjera të gjykimit të vlerësohet ligjshmëria e vendimit në lidhje me këtë aspekt esencial të vendimmarrjes së gjykatës; gjykata e apelit në caktimin e masës së dënimit ka marrë në vlerësim faktet që të gjykuarit nuk kanë qenë dënuar më parë, dhe që kanë shprehur pendim të thellë për veprimet e kryera prej tyre.
-
Siç ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese në vendimin nr.19, datë 01.06.2011, “Dënimi penal përmbush dy funksione të ndryshme, të cilat mund të konsiderohen si edukative. Nga njëra anë qëndron funksioni i parandalimit të përgjithshëm të veprave penale, pasi kërcënimi, se shteti do të zbatojë sanksione penale sa herë që shtetasit do të kryejnë veprime të dënueshme nga legjislacioni penal, funksionon si një mënyrë për të dekurajuar dhe parandaluar cilindo nga shtetasit që të ndërmarrë veprime që bien në kundërshtim me normat penale. Nga ana tjetër qëndron funksioni i parandalimit të posaçëm, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me autorin e veprës, pasi duke zbatuar sanksionin penal synohet riedukimi i tij në mënyrë që, pas kryerjes së dënimit, të mos ndërmarrë në të ardhmen veprime kriminale.”
-
Duke vlerësuar të gjitha më sipër, Kolegji Penal çmon se masa e dënimit e vendosur nga gjykata e apelit nuk është në përshtatje me veprën dhe autorët, dhe do të rritet duke u dënuar secili prej të gjykuarve me 7 (shtatë) vjet burgim për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë” kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 139 – 25 e 22 i K.Penal, dhe në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale dënimin përfundimisht të të gjykuarve Redi Rrjolli dhe Klodian Martini me 4(katër) vjet e 8(tetë) muaj burgim.
-
Në lidhje me zgjidhjen e çështjes
-
Bazuar në provat e administruara dhe, në aktet që ndodhen në fashikullin e gjykimit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arriti në përfundimin se pretendimet e parashtruara në rekursin e prokurorit në lidhje me cilësimin ligjor të veprës penale të kryer nga të gjykuarit Redi Rrjolli dhe Klodian Martini nuk janë të bazuara. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e gjen vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, të bazuar në prova e në ligj përsa i përket cilësimit ligjor, por në zbatim të gabuar të ligjit material përsa i përket masës dënimit ndaj të gjykuarve Redi Rrjolli dhe Klodian Martini dhe si i tillë duhet të ndryshohet në lidhje me këtë pjesë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 441/1, gërma “a” dhe “b” të K.Pr.Penale,
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.296, datë 21.03.2014, të Gjykatës së Apelit Tiranë përsa i përket kualifikimit ligjor të veprës penale për të gjykuarit Redi Rrjolli dhe Klodian Martini.
Ndryshimin e këtij vendimi, duke e dënuar të gjykuarin Redi Rrjolli me 7 (shtatë) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale ulet 1/3 e dënimit duke e dënuar përfundimisht të gjykuarin Redi Rrjolli me 4 (katër) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
Ndryshimin e këtij vendimi, duke e dënuar të gjykuarin Klodian Martini me 7 (shtatë) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale ulet 1/3 e dënimit duke e dënuar përfundimisht të gjykuarin Klodian Martini me 4 (katër) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
Tiranë më 25.11.2015
Nr.52102-00792-00-2014 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015- 2882 i Vendimit (192)
Do'stlaringiz bilan baham: |