VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Ardian Dvorani Anëtar
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
mori në shqyrtim në seancën gjyqësore të datës 12.11.2015, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: SHOQËRIA "F&L" SH.P.K. FIER
TË PADITUR: DEGA E DOGANËS FIER,
DREJTORI I PËRGJITHSHËM I DOGANAVE TIRANË
OBJEKTI:
Shfuqizimin si të pavlefshëm të vendimit nr.17 datë 20.08.2009
të Degës së Doganës Fier të lënë në fuqi me shkresën
nr.10379/4 prot. datë 15.10.2009 nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Tiranë
si akt i nxjerrë në kundërshtim me ligjin.
Detyrimin e të paditurve të na kthejnë shumën e depozituar
në favor të doganës në vlerën prej 232.878 lekë si detyrim doganor
si dhe gjobën në vlerën prej 698.634 lekë, në total vlerën prej 931.512 lekë.
Baza Ligjore: Nenet 31, 32 , 153 e 154 e vijues si dhe neni 324 e vijues të K.Pr.Civile,
nenet 115 dhe 118 të K.Pr.Administrative
si dhe neni 41, 65, 68, 87, 93, 97, 98 102 e vijues
si dhe neni 289 i Ligjit nr.8449 datë 27.01.1999 Kodi Doganor.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin nr.1319 datë 06.07.2010 ka vendosur:
"Rrëzimin e padisë së palës paditëse Shoqëria F&L sh.p.k. Fier kundër palëve të paditura Dega e Doganës Fier dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Tiranë me objekt "Shfuqizimin si të pavlefshëm të vendimit nr.17, datë 20.08.2009, të Degës së Doganës Fier dhe kthimin e detyrimit doganor dhe gjobës prej 931.512 lekë", si të pabazuar në ligj dhe në prova”.
Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.80 datë 02.02.2012 ka vendosur:
“Ndryshimin e vendimit nr.1319, datë 06.07.2010 të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier në këtë mënyrë: Pranimin e padisë. Anullimin e vendimit nr.17 datë 20.08.2009 të Degës së Doganës Fier lënë në fuqi me shkresën nr.10379/4 prot, datë 15.10.2009 të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave Tiranë. Detyrimin e të paditurve t'i kthejnë paditësit shumën e depozituar në vlerën 232.878 lekë si detyrim doganor dhe gjobën e paguar në vlerën 698.634 lekë, në total vlerën prej 931.512 lekë”.
Kundër vendimit nr.80 datë 02.02.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë, ka ushtruar brenda afatit ligjor rekurs, pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Dega e Doganës Fier dhe Avokatura e Shtetit, të cilët kanë kërkuar prishjen e vendimit nr.80 datë 02.02.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.1319, datë 06.07.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier duke parashtruar këto shkaqe:
Rekursi i Avokaturës së Shtetit:
-
Gjykata e Shkallës së Parë ka arsyetuar drejt kur ka konstatuar se praktika doganore IMP-4 nr.141, datë 14.01.2005 dhe llogaritja e detyrimit doganor palës paditëse është kryer në bazë të informacioneve të pasakta dhe se për pasojë, në vështrim të dispozitës së Kodit Doganor (neni 102, pika 3) ka detyrimin të vendosë sanksione përkatëse si dhe të marrë masa të nevojshme për të rregulluar situatën, në rastin konkret Dega e Doganës Fier në ushtrim të funksioneve të saj ka marrë vendimin nr.17, datë 20.08.2009.
-
Gjykata e Shkallës së Parë e vlerësoi si të pabazuar pretendimin e palës paditëse se vendimi i dhënë nga Dega e Doganës Fier është i pavlefshëm sepse nga ana e palës paditëse është deklaruar fatura e cila edhe kjo nga ana e saj është vlerësuar si autentike dhe se për këtë nuk mund të penalizohet për borxh doganor kur ky detyrim nuk njihej prej saj në pamundësi të dijenisë për faturën suplementare.
-
Po ashtu Gjykata e Shkallës së parë e çmoi si të pabazuar pretendimin e palës paditëse se akti administrativ objekt gjykimi duhet të anullohet pasi është nxjerrë tej afatit tre vjeçar nga data e lindjes së borxhit doganor.
-
Është i gabuar vlerësimi i Gjykatës së Apelit sipas të cilit në kushtet kur paditësi e ka paguar të plotë shumën e detyrimit si dhe gjobën, në vështrim të nenit 289, pika 6 të Kodit Doganor, autoritetet doganore duhet t'i kthejnë paditësit shumën e depozituar.
-
Gjykata e Lartë duhet të marrë parasysh vlerësimin e Gjykatës së Shkallës së Parë sipas të cilit ky pretendim është i pabazuar për faktin se vjelja e detyrimit është kryer nga pala e paditur si agjent tatimor në veshtrim të ligjit për procedurat tatimore dhe për llogari të një organi tjetër administrativ, jo palë ndërgjygjëse, Degës së Tatim Taksave Fier, këtij institucioni duhet t'i drejtohet pala paditëse për rimbursimin e diferences që mund të rezultoje nga shitja e këtij malli blerësve.
Rekursi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave:
-
Po të pranojmë faktin se shoqëria paditëse nuk ka dijeni mbi faturën suplementare, nënkupton të pranojmë faktin se shitësi ka lëshuar një faturë pa pasur interesin që kjo faturë të paguhej nga pala blerëse, çka e gjitha bie në kundërshtim me llogjikën ekonomike të ekzisitencës së një transaksioni tregtar.
-
Mbajmë parasysh faktin se, pak ditë pas nxjerrjes së faturës shtesë, shoqëria "F & L", me praktikën EX 1 R 3870, datë 28.06.2005, të Degës Doganës Kapshticë, ka kthyer mbrapsh një pjesë të mallit me arsyen e cilësisë së dobët të tij. Pra, transaksionet tregtare kanë vazhduar midis palëve dhe duke iu referuar edhe arsyetimit të dhënë në pikën 1, është e palogjikshme të supozojmë mugesën e informacionit të shoqërisë “F&L" për faturën shtesë.
-
Në rastin konkret nga momenti i konstatimit të borxhit doganor përmes shkresës nr.3716 Prot datë 02.04.2007 të Autoritetit Doganore Grek deri në momentin e nxjerrjes së vendimit objekt kundërshtimi në këtë proces gjyqësor, nuk ka kaluar afati 3 vjeçar dhe rrjedhimisht shkelja doganore nuk është e parashkruar siç pretendon paditësi dhe pranuar si arsyetim nga ana e Gjykatës së Apelit Vlorë.
-
Lidhur me pretendimin e paditësit për kthimin e shumës së paguar tepër sipas vendimit nr.17, datë 20.08.2009, të Degës Doganore Fier është i pa bazuar. Kthimi i TVSH- së paguar nuk mundet të bëhet nga Dogana pasi mbledhja dhe Arkëtimi i TVSH nga dogana bëhet për llogari të Tatimeve; Deklarimi në organet Tatimore Dega Tatimeve Fier lidhur me TVSH-në, përbën mekanizmin për rimbursim apo për t’u njohur si shpenzime apo humbje dhe jo në doganë.
-
Arsyetimi i Gjykatës së Apelit Vlorë se shuma 931 512 lekë duhet t’i kthehct shoqërisë paditëse mbështetur në nenin 289, pika 6 të Kodit Doganor është e gabuar. Gjykata e Apelit Vlorë nuk ka hetuar se cila është shuma që shoqëria F&L ka paguar për llogari të ankimimit administrativ por përkundrazi ka vendosur në mënyrë apriori të kthejë shumën totale të përcaktuar në vendimin nr.17, datë 20.08.2009 të Degës Doganore Fier.
Rekursi i Degës së Doganës Fier:
-
Po të pranojmë faktin se shoqëria paditëse nuk ka dijeni mbi faturën suplementare, nënkupton të pranojmë faktin se shitësi ka lëshuar një faturë pa pasur interesin që kjo faturë të paguhej nga pala blerëse, çka e gjitha bie në kundërshtim me llogjikën ekonomike të ekzsitencës së një transaksioni tregtar.
-
Mbajmë parasysh faktin se, pak ditë pas nxjerrjes së faturës shtesë, shoqëria "F&L", me praktikën EX 1 R 3870, datë 28.06.2005, të Degës Doganës Kapshticë, ka kthyer mbrapsh një pjesë të mallit me arsyen e cilësisë së dobët të tij. Pra, transaksionet tregtare kanë vazhduar midis palëve dhe duke iu referuar edhe arsyetimit të dhënë në pikën 1, është e palogjikshme të supozojmë mugesën e informacionit të shoqërisë “F&L" për faturën shtesë.
-
Në rastin konkret nga moment i konstatimit të borxhit doganor përmes shkresës nr.3716 Prot datë 02.04.2007 të Autoritetit Doganore Grek deri në momentin e nxjerrjes së vendimit objekt kundërshtimi në këtë proces gjyqësor, nuk ka kaluar afati 3 vjeçar dhe rrjedhimisht shkelja doganore nuk është e parashkruar sic pretendon paditësi dhe pranuar si arsyetim nga ana e Gjykatës së Apelit Vlorë.
-
Lidhur me pretendimin e paditësit për kthimin e shumës së paguar tepër sipas vendimit nr.17,datë 20.08.2009, të Degës Doganore Fier është i pa bazuar. Kthimi i TVSH- së paguar nuk mundet të bëhet nga Dogana pasi mbledhja dhe Arkëtimi i TVSH nga dogana bëhet për llogari të Tatimeve; Deklarimi në organet Tatimore Dega Tatimeve Fier lidhur me TVSH-në, përbën mekanizmin për rimbursim apo për tu njohur si shpenzime apo humbje dhe jo në doganë.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Arjana Fullani, përfaqësuesen e palës së paditur Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave znj.Ornela Biti, e cila kërkoi prishjen e e vendimit nr.80 datë 02.02.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.1319, datë 06.07.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier që ka rrëzuar padinë, në mungesë të paditësit dhe palëve të tjera, si dhe pasi bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1.Nga aktet e dosjes gjyqësore rezulton se, pala paditëse shoqëria "F&L" sh.p.k Fier ushtron aktivitetin e saj tregtar në Fier si person juridik rregjistruar me vendimin nr.30981 datë datë 11.02.2004 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Referuar ekstraktit të QKR, objekt i veprimtarisë së saj është importi, eksporti me shumicë dhe pakicë i mallrave të ndryshme, aktualisht me ortak të vetëm Artur Ferko dhe administratore Juliana Ferko.
2. Pala paditëse në vijim të ushtrimit të aktivitetit, me praktikën doganore DAV IMP 4 nr.141 datë 14.01.2005 ka zhdoganuar mallin lëndë e parë importi "shirita alumini" me peshë bruto 23 586 Kg dhe peshë neto 22 581 kg me origjinë shtetin grek. Shitëse e mallit rezulton shoqëria ELVAL Greqi, e cila ka shitur mallin sipas faturës nr.95010522 datë 05.01.2005 me vlerë 51 936(pesëdhjetë e një mijë e nëntëqind e tridhjetë e gjashtë) Euro.
3. Në datë 14.01.2005, pala e paditur Dega e Doganës Fier me shkresen nr.43 prot i ka kërkuar Departamentit Operativ Hetimor verifikimin e faturës nr.95010522 datë 05.01.2005. Pala e paditur ka ushtruar kontroll aposterior duke verifikuar faturat në vendin e blerjes nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Greke.
4. Me shkresën e autoriteteve greke nr.3716 prot, datë 02.04.2007 është kthyer përgjigje dhe është përcjellë pranë palës së paditur fatura nr.95010522 datë 05.01.2005 e cila ka rezultuar autentike me atë që pala paditëse ka paraqitur gjatë zhdoganimit me praktikën doganore IMP 4 nr.141 datë 14.01.2005.
5. Por palës së paditur i është vënë në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave Greke edhe një faturë suplementare nr.90012184 datë 28.02.2005 me vlerë 19.767.05 euro e cila është argumentuar nga shoqëria ELVAL Greqi se është lëshuar për shkak të llogaritjes gabim të kostos së produktit nga shitësi.
6. Dega e Doganës Fier, me arsyetimin se kjo faturë (suplementare) nuk është paraqitur nga subjekti me qëllim shmangien nga detyrimi doganor, bazuar edhe në shkresën nr.9202 prot. datë 24.07.2009 të Nëndrejtorit të Përgjithshëm të Doganave, ka marrë vendimin nr.17 datë 20.08.2009 "Mbi verifikimin e kontrabandës" duke shpallur palën paditëse debitor në shumën 232 878 (dyqind e tridhjetë e dy mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë në formën e detyrimit doganor dhe gjobë në shumën 653 634(gjashtëqind e pesëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e tridhjetë e katër) lekë, gjithsej në shumën 931.512 (nëntëqind e tridhjetë e një mijë e pesëqind e dymbëdhjetë) lekë.
7. Kundër këtij vendimi pala paditëse ka paraqitur ankim pranë Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave Tiranë me nr.kërkese ankimore 10379 prot. datë 28.08.2009 duke parapaguar vlerën e detyrimit doganor plus gjobat gjithsej shumën 931.512 lekë.
8. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Tiranë me shkresën nr.10379/4 prot, datë 15.10.2009, i ka vleresuar të pabazuara pretendimet e palës paditëse dhe ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.17 datë 20.08.2009 "Mbi verifikimin e kontrabandës" të Degës së Doganës Fier si të mbështetur në ligj dhe në prova”.
9. Kundr këtyre akteve pala paditëse i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi.
10. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin nr.1319 datë 06.07.2010, ka vendosur: "Rrëzimin e padisë së palës paditëse Shoqëria F&L sh.p.k. Fier kundër palëve të paditura Dega e Doganës Fier dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Tiranë me objekt "Shfuqizimin si të pavlefshëm të vendimit nr.17, datë 20.08.2009, të Degës së Doganës Fier dhe kthimin e detyrimit doganor dhe gjobës prej 931.512 lekë", si të pabazuar në ligj dhe në prova”.
10.1 Arsyetimi i gjykatës: “Gjykata çmon se kontrolli aposterior mbi praktikën doganore IMP -4 nr.141 datë 14.01.2005 për verifikimin e faturës së shitjes nr.95010522 datë 05.01.2005 deklaruar nga pala paditëse është ushtruar nga pala e paditur në përputhje me kompetencat e saj si autoritet doganor parashikuar në nenin 102 të K.Doganor.
Në vështrim të nenit 102 pika 3 autoriteti doganor ka konstatuar se praktika doganore IMP -4 nr.141 datë 14.01.2005 dhe llogaritja e detyrimit doganor palës paditëse është kryer në bazë të informacioneve të pasakta dhe se për pasojë, në vështrim të kësaj dispozite ka detyrimin të vendosë sanksionet përkatëse si dhe marrjen e masave të nevojshme për të rregulluar situatën.
Nga interpretimi i paragrafit 3 të Nenit 102 të K.Doganor, gjykata vlerëson se ushtrimi i kompetencës nga pala e paditur Dega e Doganës Fier nuk kushtëzohet me mundësinë e pasjes dijeni apo jo të palës paditëse për këtë faturë suplementare. Në këtë rast, parashikohet në paragrafin e parë se kontrolli pas çlirimit të mallrave mund të bëhet edhe me kërkesë të subjektit, ndërsa në rastin në gjykim rezultoi se nga kontrolli me iniciativë gjendja e deklaruar nuk i përgjigjet gjendjes së faktit cka e ka ligjëruar atë. Përsa i përket afatit 3 vjeçar gjykata çmon se nuk mund të merret si datë e lindjes së borxhit doganor, data e pranimit të faturës jo korrekte të deklaruar në datë 05.01.2005. Gjykata arrin në këtë përfundim në interpretim të Neneve 229 dhe 230 të K.Doganor sipas të cilave parashikohet se çasti që merret parasysh është çasti kur autoritetet doganore kanë mundësi të përcaktojnë, në bazë të informacionit që disponojnë nëse ka apo jo borxh doganor.
11. Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.80 datë 02.02.2012 ka vendosur: “Ndryshimin e vendimit nr.1319, datë 06.07.2010 të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier në këtë mënyrë: Pranimin e padisë. Anullimin e vendimit nr.17 datë 20.08.2009 të Degës së Doganës Fier lënë në fuqi me shkresën nr.10379/4 prot, datë 15.10.2009 të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave Tiranë. Detyrimin e të paditurve t'i kthejnë paditësit shumën e depozituar në vlerën 232.878 lekë si detyrim doganor dhe gjobën e paguar në vlerën 698.634 lekë, në total vlerën prej 931.512 lekë”.
11.1 Arsyetimi i gjykatës: “Gjykata e Apelit çmon se vendimi i gjykatës së shkallës së parë Fier nuk është marrë në interpretim të drejtë të ligjit dhe të provave dhe si i tillë ai duhet të ndryshohet duke u vendosur pranimi i padisë së paditësit për këto arsye:
Së pari, ka rezultuar se fatura e paraqitur për zhdoganim nga paditësi në datën 14.01.2005 është autentike me atë të lëshuar nga Firma greke ELVAL datë 05.01.2005. Pra sasia dhe çmimi i lëndës së parë shirita alumini të deklaruar nga paditësi kanë qënë reale. Fatura e datës 28.02.2005, nxjerrë nga firma ELVAL me arsyetimin se është llogaritur gabim kostoja e produktit, nuk mund të passjellë penalitet për paditësin, pasi nuk rezulton që ai të ketë dijeni për një fakt të tillë dhe t'ua ketë fshehur atë autoriteteve doganore shqiptare. Nuk rezulton as ndonjë diferencë në sasi të mallit të deklaruar midis faturave, për të aluduar mbi ndonjë dijeni eventuale të paditësit në momentin e bërjes së porosisë në firmen greke, dijeni e cila mund te passillte përpjekje për të fshehur sasinë e mallit dhe për të bërë deklarim doganor të rremë. Gjykata e apelit, krijon një bindje të ndryshme nga gjykata e shkallës së pare rreth këtij qëndrimi pasi rezulton së fatura është 45 ditë më vonë nga deklarimi doganor. Gjithashtu në rast se firma paditëse do të kishtë dijeni për një rrethanë të tillë nuk kishte përse të kthente mbrapsht një pjesë të mallit me cilësi të dobët dhe të pranontë një faturim më të lartë për mallin që ajo vet e ka konsideruar si pa cilësi.
Së dyti, fakti i pretenduar në ankim mbi parashkrimin e borxhit doganor rezulton i vërtetë. Neni 216, pika 2 e K.Doganor përcakton se: "Borxhi doganor lind në datën e pranimit të deklaratës doganore në fjalë." Po këtij afati i referohet edhe Udhëzimi nr.1 datë 19.11.2008 i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Pranimi i deklaratës doganore është bërë në datën 14.01.2005 kurse vendimi nr.17 është nxjerrë në datën 20.08.2009, pra jashtë afatit 3 vjeçar, për rrjedhojë borxhi edhe nëse do të pranohej se ekzistonte do të konsiderohej i parashkruar. Sa më sipër vendimi nr.17 i Degës së Doganës Fier është nxjerrë në kundërshtim me parashikimin e nenit 236 pika 3 e K.Doganor, prandaj ai është i anullueshëm. Pretendimi së akti është absolutisht i pavlefshëm pasi nuk i është njoftuar subjektit brenda 24 orëve, nuk mund të merret parasysh nga gjykata e apelit, pasi neni 289 pika 1 e Kodit Doganor, nuk parashikon ndonjë pasojë pavlefshmërie për mosnjoftimin e aktit brenda 24 orëve, nga nxjerrja e tij. Mosrespektimi i këtij afati nuk prodhon automatikisht pavlefshmërinë e aktit administrativ.
Së treti, në kushtet që paditësi e ka paguar të plotë shumën e detyrimit si dhe gjobën, në vështrim të nenit 289 pika 6 të K.Doganor, autoritetet doganore duhet t’i kthejnë apeluesit (paditësit) shumën e depozituar”.
12. Kundër vendimit nr.80 datë 02.02.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë, ka ushtruar brenda afatit ligjor rekurs, pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Dega e Doganës Fier dhe Avokatura e Shtetit, të cilët kanë kërkuar prishjen e vendimit nr.80 datë 02.02.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe lënien në fuqi të vendimit vendimit nr.1319, datë 06.07.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
13. Ligji nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
13.1 Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
13.2 Neni 17/2: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
14. Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë.
14.1. Neni 236: “1. Sapo te kontabilizohet, shuma e detyrimeve i komunikohet debitorit sipas procedurave përkatëse, te përshkruara ne aktet nënligjore ne zbatim te këtij Kodi. 2. Kur shuma e detyrimeve, qe duhen paguar, tashme është kontabilizuar, për ta treguar një gjë te tille ne deklaratën doganore, autoritetet doganore mund te shënojnë mbi deklarate qe nuk ka nevoje te behet njoftimi siç parashikohet ne paragrafin 1, me kusht qe shuma e përkatëse e detyrimeve te përputhet me shumën e përcaktuar nga autoritetet doganore. 3. Njoftimi i debitorit nuk mund te behet pas mbarimit te afatit trevjeçar nga data ne te cilin borxhi doganor ka lindur. Megjithatë, kur autoritetet doganore për arsye te një procedimi penal, nuk kane mundur te përcaktojnë shumën e sakte te detyrimeve qe realisht duhen paguar, njoftimi i debitorit behet edhe pas mbarimit te afatit trevjeçar”.
14.2. Neni 216: “1.Borxhi doganor i importit lind nëpërmjet: a) vendosjes në qarkullim të lirë të mallrave që u nënshtrohen detyrimeve të importit, ose b) vendosjes së këtyre mallrave nën regjimin e lejimit të përkohshëm me përjashtim të pjesshëm nga detyrimet e importit. 2. Borxhi doganor lind në datën e pranimit të deklaratës doganore në fjalë. 3. Debitor është deklaruesi. Në rastin e përfaqësimit të tërthortë, është gjithashtu debitor personi për llogari të të cilit bëhet deklarata doganore. Kur deklarata doganore lidhur me një nga regjimet e përmendura në paragrafin 1 hartohet në bazë të një informacioni që tregon se një pjesë ose e gjithë shuma e detyrimeve doganore që duhen paguar nuk është vjelë, personat që e kanë dhënë informacionin e nevojshëm për hartimin e deklaratës dhe ata që ishin në dijeni ose objektivisht duhej të ishin në dijeni se ky informacion ishte i rremë, mund të quhen, gjithashtu, debitorë në përputhje me dispozitat në fuqi”.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
15. Se rekurset e paraqitura nga të paditurit Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Dega e Doganës Fier dhe Avokatura e Shtetit, nuk përmbajnë shkaqe ligjore që motivojnë cënimin e vendimit nr.80 datë 02.02.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë.
16. Në shqyrtim të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve të parashtruara në këto akte, vendimit të gjykatës dhe parashtrimeve të rekursit, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Vlorë është marrë në interpretim dhe zbatim të drejtë të ligjit dhe për rrjedhojë duhet të lihet në fuqi.
17. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të gjykatave të faktit.
18. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon se arsyetimi dhe përfundimi i Gjykatës së Apelit Vlorë, i cili ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier dhe ka pranuar padinë është rrjedhojë e interpretimit të drejtë të dispozitave të Kodit Doganor, e akteve nënligjore të dala në bazë e për zbatim të tij.
19. Në vlerësim të natyrës juridike të mosmarrëveshjes, shkakut të lindjes së saj, çështja objekt shqyrtimi përbën një mosmarrëveshje administrative në fushën e doganave, e cila rregullohet në mënyrë specifike nga Kodi Doganor.
20. Kolegji Administrativ konstatoi se paditësi me praktikën doganore IMP-4 nr.141 datë 14.01.2005, ka paraqitur për zhdoganim mallin, shirita alumini, improtuar nga Greqia, sipas faturës së shitjes nr.95010522 datë 05.01.2005, të lëshuar nga Firma greke ELVAL. Rezulton se Dega Doganore Fier, për përcaktimin e vlerës doganore, për efekt të përllogaritjes së detyrimeve doganore të importit ka aplikuar çmimin e transaksionit të mallit të importuar. Por pala e paditur, në përputhje me kompetencat e saj si autoritet doganor parashikuar në nenin 102 të K.Doganor, ka ushtruar kontroll aposteriori për vërtetësinë e faturës së shitjes.
21. Nga kontrolli aposteriori ka rezultuar se fatura e paraqitur për zhdoganim nga paditësi e dates 05.01.2005 është autentike, pra pasqyron vlerën reale të mallrave të importuara mbi të cilat do të aplikoheshin tarifat përkatëse doganore me mbërritjen dhe deklarimin e mallrave në doganën shqiptare. Pra sasia dhe çmimi i lëndës së parë, shirita alumini, të deklaruar nga paditësi, kanë qënë reale.
22. Por pas kontrollit aposteriori të praktikës doganore, rezulton se ekziston gjithashtu një faturë tjetër suplementare e datës 28.02.2005, nxjerrë nga firma ELVAL dhe sipas palës së paditur mosparaqitja e kësaj fature të dytë ka bërë që paditësi të shmangë detyrimet doganore. Për shkak të kësaj fature pala e paditur, me vendimin nr.17 datë 20.08.2009, ka vendosur detyrimin e palës paditëse të paguajë detyrimet doganore dhe gjobë, për shkak të shmangies nga detyrimi doganor, por nuk arsyeton ku qëndron shkelja doganore.
23. Kolegji Administrativ çmon se në kushtet kur nga kontrolli aposteriori, i ushtruar nga autoritet doganore rezulton se fatura e shitjes nr.95010522 datë 05.01.2005 e paraqitur në momentin e zhdoganimit është autentike nuk mund t’i kërkohet subjektit që në momentin e zhdoganimit të paraqiste një faturë që nuk ka ekzistuar dhe është lëshuar 45 ditë më vonë deklarimit doganor(lëshuar në datën 28.02.2005).
24. Në momentin e zhdoganimit gjendja e deklaruar nga shoqëria sipas praktikës doganore ka qënë e njëjtë me gjëndjen e faktit. Detyrimi doganor llogaritur palës paditëse më datë 14.01.2005 është real, pasi vlera e mallit të importit "shirita alumini" është e njëjtë me atë të deklaruar dhe se nuk ka shmangie në sasi, cilësi apo vlerë.
25. Gjithashtu Kolegji Administrativ çmon se drejt ka aryestuar Gjykata e Apelit Vlorë kur ka konstatuar se edhë nëse ka ekzistuar borxhi doganor është parashkruar.
26. Në rastin konkret paraqet rëndësi përcaktimi i momentit të “lindjes së borxhit doganor”. Gjykata e Apelit Vlorë, në interpretim të neneve 216, 236 të K.Doganor, ka pranuar se momenti i lindjes së borxhit doganor, ka qenë data kur janë kryer procedurat e zhdoganimit, sipas rregullave të përcaktuara nga Kodi Doganor në fuqi.Pala e paditur ka pretenduar se momenti i lindjes së borxhit doganor nuk është ai i pretenduar nga pala paditëse dhe i pranuar nga gjykata, momenti i pranimit të deklaratës doganore, por ai i konstatimit të shmangies nga detyrimet doganore të palës paditëse prej saj. Sipas saj data kur fillon afati 3 vjeçar i parashikuar nga Kodi Doganor në fuqi, është data kur në autoritetet doganore ka arritur shkresa e autoriteteve greke.
27. Neni 216, pika 2 e K.Doganor përcakton se borxhi doganor lind në datën e pranimit të deklaratës doganore. Po këtij afati i referohet edhe Udhëzimi nr.1 datë 19.11.2008 i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Pranimi i deklaratës doganore është bërë në datën 14.01.2005 kurse vendimi nr.17 është nxjerrë në datën 20.08.2009, pra jashtë afatit 3 vjeçar, për rrjedhojë borxhi edhe nëse do të pranohej se ekzistonte do të konsiderohej i parashkruar. Sa më sipër vendimi nr.17 i Degës së Doganës Fier është nxjerrë në kundërshtim me parashikimin e nenit 236 pika 3 e K.Doganor. Pala e paditur ka pasur mundësi ta njoftonte debitorin brenda këtij afati. Përgjigja nga autoritet doganore greke ka rezultuar se i ka arritur palës se paditur me shkresën nr.3716 prot, datë 02.04.2007. Ndërkohë njoftimi i paditësit si debitor është 2 vjet më pas në datën 20.08.2009.
28. Kolegji çmon se në bazë të nenit 236/3 të K.Doganor njoftimi i debitorit duhet të bëhet brenda 3 vjetëve llogaritur nga dita në të cilin borxhi doganor ka lindur. Si përjashtim njoftimi i debitorit mund të bëhet dhe tej këtij afati por vetëm kur ka një procedim penal që e vë autoritetin doganor në pamundësi për të përcaktuar shumën e saktë të detyrimit që duhet paguar. Për paditësin është zhvilluar procesi hetimor administrativ i cili nuk është dhe nuk mund të barazohet me procedimin penal dhe për këtë shkak debitorit nuk mund t’i bëhet njoftimi i borxhit doganor tej këtij afati.
30. Kjo dispozitë ligjore parashikon shuarjen e detyrimit doganor me kalimin e afatit tre vjeçar, nga momenti i lindjes së borxhit doganor që është momenti i paraqitjes nga subjekti (palës paditëse) i deklaratës doganore pranë palës së paditur, në rastin tonë deklarata e datës 14.01.2005, me pasojë përcaktimin se detyrimi i vendosur ndaj paditësit është shuar për efekt parashkrimi.
31. Përfundimisht, nga sa u analizua më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në konkluzionin se detyrimi doganor nuk ekziston nga pikëpamja faktike dhe ligjore. Gjithashtu detyrimi nuk është kërkuar brenda afatit 3 vjeçar të parashikuar në nenin 236 të Kodit Doganor.
32. Kolegji Administrativ e vlerëson të drejtë dhe të bazuar qëndrimin e mbajtur nga Gjykatat e Apelit Vlorë me vendimin nr.80 datë 02.02.2012, e cila ka ndryshuar vendimin nr.1319, datë 06.07.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier dhe ka pranuar padinë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 të ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.80, datë 02.02.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë.
Tiranë, më 12.11.2015
MENDIMI I PAKICËS
Si gjyqtarë në pakicë kemi qëndrimin se Kolegji Administrativ nuk duhet të kishte vendosur lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së apelit me të cilin është pranuar padia, por duhet që ky vendim gjyqësor të prishej duke e lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë që e kishte rrëzuar padinë.
Shumica e Kolegjit Administrativ, ka arsyetuar se nga kontrolli aposteriori ka rezultuar se fatura e paraqitur për zhdoganim nga paditësi F&L shpk në momentin e mbërritjes dhe deklarimit të importimit të mallit ka rezultuar autentike duke pasqyruar vlerën reale të tij, mbi të cilat aplikoheshin tarifat përkatëse doganore. Fatura tjetër e shitësit të mallit është lëshuar pas kryerjes së veprimeve të deklarimit doganor të mallit nga ana e palës paditëse F&L shpk. Gjithashtu, në zbatim të nenit 236 të Kodit Doganor, njoftimi i borxhit doganor të kërkuar nga ana e palës së paditur Dega e Doganës Fier është parashkruar sepse është njoftuar pas afatit 3 vjeçar. Borxhi doganor ka lindur në kohën e deklarimit të mallit, pra në datën 24.01.2005, ndërkohë që akti administrativ i njoftimit të borxhit doganor që kundërshtohet me padi në këtë gjykim është nxjerrë në datën 20.08.2009. Nuk ka pasur ndonjë procedim penal ndaj paditësit për këtë praktikë doganore që justifikon njoftimin e borxhit doganor debitorit përtej afatit 3 vjeçar.
Si gjyqtarë në pakicë, nisur nga interpretimi i drejtë jo vetëm të nenit 216 e 236 të Kodit Doganor, por edhe të neneve 229, 230 etj., duke i zbatuar ato në rrethanat e faktit të çështjes objekt i këtij gjykimi, kemi mendimin se afati 3 vjeçar i njoftimit të shumës së detyrimit doganor të kontabilizuar nuk është parashkruar. Gjithashtu, me të drejtë pala e paditur ka vendosur detyrimin shtesë doganor dhe ndëshkimin me gjobë të paditësit për shkelje të normave doganore lidhur me deklarimin e saktë të vlerës së mallit të transaktuar.
Së pari, lidhur me respektimin e dispozitave të lidhura me afatin 3 vjeçar të njoftimit të shumës së detyrimit doganor të kontabilizuar sipas vlerës reale të transaktuar të mallit duhet të mbahet parasysh se neni 236 i Kodit Doganor gjendet në Kreun 3 Seksioni 1 “Kontabilizimi dhe komunikimi i shumës së detyrimeve debitorit” (neni 232 e vijues), ndërsa neni 216 e vijues gjenden në Kreun 2 “Lindja e borxhit doganor”. Këto dy Krerë rregullojnë çështje të ndryshme dhe që duke u interpretuar dhe zbatuar gabim nga gjykata e apelit dhe shumica e Kolegjit Administrativ, i kanë sjellë ato në përfundime të gabuara ligjore për zgjidhjen e çështjes. Afati 3 vjeçar i parashkrimit sipas nenit 236 ka lidhje me afatin brenda të cilit subjekti doganor debitor, duhet të njoftohet për detyrimin doganor të njohur përfundimisht dhe të kontabilizuar nga ana e autoritetit doganor, pas pranimit të kohës dhe vendit të saktë të lindjes së borxhit doganor, rrjedhojë e kontrollit të zakonshëm apo të kontrollit të rregullt aposteriori.
Koha, vendi dhe mënyra se si lind borxhi doganor parashikohen hollësisht nga Kreu 2 (nenet 216 e vijues). Në rastin objekt gjykimi, nëse deklarimi i llojit, sasisë dhe/ose vlerës së mallit të importuar do të ishin kryer në respektim të ligjit, atëherë, sipas nenit 216, borxhi doganor do të quhej se kishte lindur ditën e deklarimit të mallit përpara autoritetit doganor, palës së paditur Dega e Doganës Fier, pra në datën 14.01.2005. Por, në këtë Kre parashikohen edhe situata se si veprohet nëse deklarimet nuk janë të sakta apo nuk është e mundur të përcaktohet lindja e borxhit doganor.
Kështu, p.sh, për sa i përket kohës dhe vendit kur lind borxhi doganor, në nenin 229 dhe 230 të Kreun 2 “Lindja e borxhit doganor”, parashikohet se:
“Neni 229
1. Përveç rasteve të parashikuara shprehimisht nga ky Kod dhe pa rënë ndesh me paragrafin 2, shuma e detyrimeve të importit ose e detyrimeve të eksportit të zbatueshme mbi mallrat, përcaktohet në bazë të rregullave të taksimit që u përshtaten këtyre mallrave në çastin kur lind borxhi doganor përkatës.
2. Kur nuk është e mundur të përcaktohet me saktësi se kur ka lindur borxhi doganor, çasti që merret parasysh në përcaktimin e rregullave të taksimit të përshtatshme për mallrat në fjalë, është çasti kur autoritetet doganore arrijnë në përfundimin se mallrat janë në një gjendje të tillë që i nënshtrohen borxhit doganor. Megjithatë, kur informacioni në dispozicion të autoriteteve doganore u lejon atyre të arrijnë në përfundimin që borxhi doganor ka lindur përpara se ata të arrinin në këtë konstatim, shuma e detyrimeve të importit ose e detyrimeve të eksportit për mallrat në fjalë, përcaktohet në bazë të elementeve të taksimit të mallrave në çastin më të hershëm në kohë, të cilit mund t’i referohet borxhi doganor në bazë të informacioneve të disponueshme.......
Neni 230
1. Borxhi doganor lind në vendin ku ndodhin faktet që e krijojnë atë.
2. Kur nuk është e mundur të përcaktohet vendi i përmendur në paragrafin 1, borxhi doganor quhet se ka lindur në vendin ku autoritetet doganore arrijnë në përfundimin se mallrat janë në një situatë të tillë që bën të lindë borxhi doganor.......
Ndërsa, për sa i përket afatit 3 vjeçar brenda të cilit duhet të njoftohet debitori për borxhin doganor të lindur dhe të kontabilizuar, në Kreun 3 Seksioni 1 “Kontabilizimi dhe komunikimi i shumës së detyrimeve debitorit”, është neni 236 që parashikon se:
“Neni 236
1. Sapo të kontabilizohet shuma e detyrimeve, i komunikohet debitorit sipas procedurave përkatëse, të përshkruara në aktet nënligjore në zbatim të këtij Kodi.
2. Kur shuma e detyrimeve, që duhen paguar, tashmë është kontabilizuar, për ta treguar një gjë të tillë në deklaratën doganore, autoritetet doganore mund të shënojnë mbi deklaratë që nuk ka nevojë të bëhet njoftimi siç parashikohet në paragrafin 1, me kusht që shuma e përkatëse e detyrimeve të përputhet me shumën e përcaktuar nga autoritetet doganore.
3. Njoftimi i debitorit nuk mund të bëhet pas mbarimit të afatit trevjeçar nga data në të cilin borxhi doganor ka lindur. Megjithatë, kur autoritetet doganore për arsye të një procedimi penal nuk kanë mundur të përcaktojnë shumën e saktë të detyrimeve që realisht duhen paguar, njoftimi i debitorit bëhet edhe pas mbarimit të afatit trevjeçar.
Edhe në çështjen objekt gjykimi, pas veprimeve të kryera me deklarimin e mallit nga ana e palës paditëse F&L shpk, pala e paditur Dega e Doganës Fier ka ushtruar kompetencat e kontrollit aposteriori për të verifikuar saktësinë e këtyre deklarimeve doganore. Për këtë qëllim, ka qenë i domosdoshëm dhe është realizuar komunikimi me autoritetet doganore greke, nga shteti i së cilës ishte origjina e mallit të importuar në territorin doganor shqiptar. Komunikimi me autoritetin doganor grek dhe përfundimi i procedurës së kontrollit aposteriori, për rrjedhojë e të cilave quhet se autoritetet doganore (palët e paditura) kanë ardhur në dijeni dhe konstatuan lindjen e borxhit doganor, në rastin më të hershëm, është data 02.04.2007 ditë kur edhe ka mbërritur njoftimi zyrtar i autoritetit doganor grek.
Ndërsa kontabilizimi dhe njoftimi i borxhit real doganor debitorit, palës paditëse F&L shpk, është i datës 20.08.2009.
Prandaj, duke qenë se borxhi doganor i lindur pas kontrollit aposteriori, si rrjedhojë e konstatimit të deklarimit të pasaktë të mallit duet të pranohet që ka ndodhur në datën 02.04.2007, ndërsa njoftimi i borxhit real doganor debitorit ka ndodhur në datën 20.08.2009, atëherë, afati 3 vjeçar brenda të cilit duhet të bëhet njoftimi i debitorit mbi detyrimin doganor nuk është shkelur nga ana e palës së paditur Dega e Doganës Fier. Këtë qëndrim ka mbajtur Gjykata e Lartë edhe në vendime të tjera të dhëna prej saj si p.sh në vendimin nr.170 datë 05.05.2009.
Së dyti, si gjyqtarë në pakicë, ndryshe nga shumica e Kolegjit Administrativ, nuk jemi të mendimit se pala paditëse F&L shpk ka respektuar dispozitat e Kodit Doganor dhe ka kryer deklarime të sakta të vlerës së mallit të importuar prej saj në territorin doganor shqiptar. Nga rrethanat e faktit të pranuara në gjykim rezultonte e qartë se kjo palë paditëse ka kryer deklarimin doganor të mallit në datën 14.01.2005. Por, nga kontrolli aposteriori rezultoi se vlera e deklaruar e mallit të zhdoganuar ishte më e vogël se ajo e transaktuar realisht me palës shitëse të mallit. Ndryshe nga sa pranohet nga shumica dhe gjykata e apelit, pala paditëse F&L shpk ka qenë në dijeni të pasaktësisë së deklarimit të vlerës reale të mallit të importuar nisur nga vetë komunikimet dhe kontaktet me palës shitëse në shtetin grek që kanë pasuar ditën e deklarimit të mallit, arsye për të cilën shitësi grek i mallit i kishte lëshuar edhe një faturë plotësuese të çmimit real të transaktuar, çmim të cilin, megjithëse ishte në dijeni, pala paditëse nuk e ka deklaruar asnjëherë palës së paditur Dega e Doganës Fier.
Prandaj, si gjyqtarë në pakicë, kemi mendimin se shumica e Kolegjit Administrativ nuk e ka interpretuar dhe zbatuar drejt ligjin kur ka disponuar lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë. Kolegji Administrativ duhet të kishte vendosur prishjen e vendimit nr.80 datë 02.02.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.1319 datë 06.07.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.
Ardian Dvorani Xhezair Zaganjori
Nr. 31001-02209-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 -3907 i Vendimit (610)
Do'stlaringiz bilan baham: |