VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës se Lartë i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
në datën 12.11.2015, në dhomë këshillimi, mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.03273/2012 që u përket palëve:
PADITËS: FAIK STAFA
PALË E PADITUR: DREJTORIA RAJONALE E SIGURIMEVE SHOQËRORE TIRANË
INSTITUTI I SIGURIMEVE SHOQËRORE TIRANË
OBJEKTI:
Rivendosjen e një të drejte që është shkelur.
Detyrimin e palës së paditur për rivendosjen e së drejtës së cenuar
duke më lidhur të drejtën e përfitimit të trajtimit të veçantë të minatorëve
nga data 16.12.2000 si dhe pensionin e pleqërisë nga data 20.07.2006 e në vazhdim.
Kamatëvonesat e arrira si dhe shpenzimet gjyqësore.
Baza Ligjore: Neni 86/3 i Ligjit nr.7703, datë 11.05.1993
“Për sigurimet shoqërore”, nenet 324 e vijues të K.Pr.Administrative.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.2529, datë 01.04.2011 ka vendosur:
Pushimin e gjykimit të çështjes civile me nr.3613 akti, me paditës Faik Stafa.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditësit.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.2189, datë 07.03.2012 ka vendosur:
Rrëzimin e padisë.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës paditëse.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1701, datë 11.09.2013, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.2189, datë 07.03.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala paditëse Faik Stafa, i cili kërkon ndryshimin e vendimit nr.1701, datë 11.09.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit nr.2189, datë 07.03.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe kthimin e çështjes për gjykim pranë gjykatës së shkallës së parë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Vendimet e të dyja gjykatave janë rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit.
-
Qëndrimi i gjykatës së rrethit gjyqësor është në kundërshtim me parimin kushtetues të ligjshmërisë, duke e bazuar vendimin vetëm mbi bazën e një rregulloreje dhe duke mos njohur vendimin gjyqësor të formës së prerë për vërtetimin e faktit juridik, i cili për nga fuqia juridike prevalon ndaj kësaj rregulloreje.
-
Kështu sipas nenit 388 dhe nenit 391 të K.Pr.Civile, tregohet fuqia provuese ndaj personit të tretë, që në rastin konkret është DRSSH Tiranë.
-
Referuar nenit 392 të K.Pr.Civile nga ana e DRSSH Tiranë nuk është ushtruar e drejta e ankimit ndaj vendimit për vërtetimin e faktit juridik, vendim i cili ka marrë formë të prerë, sipas përcaktimeve të K.Pr.Civile dhe është i detyrueshëm për zbatim nga gjykata e cila e ka dhënë, apo edhe nga institucione të tjera.
-
Edhe gjykata e apelit ka gabuar në zgjidhjen e çështjes duke mbajtur të njëjtin qëndrim me gjykatën e shkallës së parë.
-
Edhe sikur pala paditëse ti ishte drejtuar DRSSH për ta rivendosur në afat në lidhje me kërkesën për trajtimin e veçantë, prapë kjo e fundit nuk do të detyrohej pa ekzistencën e një vendimi gjyqësor.
-
Në rastin konkret, nuk jemi para këtij rasti, pasi paditësi i është drejtuar DRSSH Tiranë dhe është regjistruar në regjistrin për kërkesat për trajtim të veçantë me nr.690, fakt i cili vërtetohet nga kthim përgjigja e anës së paditur me shkresën nr.14027/1 prot, datë 06.12.2010.
-
Edhe sikur paditësi të kishte kërkuar rivendosjen në afat, sërish do të merrte përgjigje negative nga ana e paditur, për arsye të mosgjetjes së regjistrave nga ana e tyre.
-
Afati i fundit i përcaktuar nga ligji për të depozituar kërkesën për përfitim të trajtimit të veçantë ka qenë data 31.03.2001, ndërsa shkresa e grupit të punës së specialistëve të anës së paditur drejtuar ISSH, mban datën 26.03.2001, ç’ka nënkupton se, kërkesa e paditësit pranë DRSSH Tiranë është dorëzuar brenda afatit.
-
Është pikërisht kjo shkresë, ajo që detyruan palën e paditur të sqarojë dhe kërkojë nga ana e paditësit që të vërtetojë gjyqësish me vendim gjykate, periudhën e viteve të punës nga viti 1979 deri në datën 1983, pasi kjo e fundit nuk kishte mundësi verifikimi.
-
Nga korrespodenca e mbajtur midis DRSSH Tiranë dhe ISSH, konkretisht shkresës me nr.2760/2 prot, datë 23.03.2005, si dhe shkresës nr.2431/2 prot., datë 27.12.2005, provon faktin se përse procesi i marrjes në trajtim të kërkesës së paditësit për të përfituar trajtim të veçantë ka mbetur pezull. Pra, vetë institucioni nuk garanton dhe nuk gjen dot dosjen e invaliditetit të subjektit të interesuar, gjë e cila është plotësisht detyrë dhe përgjegjësi e organit shtetëror dhe jo e qytetarit.
-
Pala e paditur DRSSH Tiranë, edhe pasi ka marrë vendimin gjyqësor për vërtetimin e faktit juridik, i ka kthyer paditësit përgjigje negative, pasi është sërish në pamundësi për të verifikuar periudhën nga 1991-1994. Për këtë arsye, pala paditëse i është drejtuar direkt gjykatës për të marrë një zgjidhje shteruese dhe definitive.
-
Në këto kushte, jo vetëm që pamundësia e institucionit për të kryer verifikimet nuk mund të përdoret si argument, por ajo mund të klasifikohet si një inkopetencë e saj për të kryer detyra të cilat i ka të ngarkuara me ligj.
-
Si mund të kalojë trajtimi i një kërkese të tillë në gjithë këto procese dhe procedura administrative dhe gjyqësore pa thelb, dhe sërish paditësi të mos realizojë dot të drejtën e tij?
-
Në asnjë rast nuk është shprehur asnjë institucion, apo edhe vetë gjykata që paditësi nuk ka të drejtë për të përfituar këtë të drejtë, por janë mjaftuar me faktin se ana e paditur nuk mund të bëjë verifikimin e dokumentacionit.
-
Pra, paditësit i mohohet një e drejtë kaq thelbësore, vetëm për faktin e pamundësisë së organit për të kryer një detyrë, të cilën e ka të ngarkuar me ligj dhe për të cilin, mban përgjegjësi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Evelina Qirjako, verifikoi legjitimitetin e palës rekursuese Faik Stafa, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se, paditësi Faik Stafa i është drejtuar me kërkesë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, në bazë të Ligjit nr.8685, datë 09.11.2000 “Për një trajtim të veçantë të minatorëve që kanë punuar në minierë e nëntokë”, duke pretenduar se ka pasur një vjetërsi pune 23 vjet, nga të cilat në nëntokë 17 vjet. Bashkëlidhur kësaj kërkese, paditësi ka depozituar edhe dokumentacionin shkresor që dispononte.
2. Pala e paditur, nëpërmjet shkresës me nr.100 prot., datë 02.04.2003, i ka kthyer përgjigje paditësit se, ky i fundit, duhet të bëjë njohjen e vjetërsisë në punë në Minierën e Valiasit për periudhën nga data 04.05.1979 deri më datë 09.11.1983, pasi pranë palës së paditur nuk ka mundësi verifikimi për këtë periudhë.
3. Pala paditëse, bazuar në këtë përgjigje të dhënë nga DRSSH Tiranë, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për vërtetimin e faktit juridik të qenies së tij në punë në Minierën e Valiasit për periudhën nga data 04.05.1979 deri në datën 09.11.1983.
4. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.1827, datë 20.04.2004 ka vendosur: “-Pranimin e kërkesës. -Vërtetimin e faktit juridik të vjetërsisë në punë të kërkuesit Faik Jonuz Stafa nga data 04.05.1979 deri në datën 09.11.1983 si minator nëntoke”. Ky vendim është një vendim gjyqësor i formës së prerë.
5. Pala paditëse, ka pretenduar se pas marrjes së këtij vendimi gjyqësor formë të prerë, i është drejtuar sërish anës së paditur për t’i lidhur pensionin si ish-punonjës nëntoke, dhe me shkresën nr.2431/2 prot, datë 27.12.2005, ISSH i ka kthyer përgjigje duke i bërë me dije se: “...Meqenëse periudha 1991-1994 ku personi ka punuar në sipërfaqe në minierën e Valiasit, periudhë në të cilën ka përfituar edhe pension invaliditeti të pjesshëm, nuk mund të verifikohet për arsye të mosgjetjes së dosjes së pensionit të invaliditetit, i jemi drejtuar DRSSH Tiranë për të bërë verifikimin e kësaj periudhe te zyra e punës....Pasi të saktësohet kjo periudhë, do të merrni përgjigje nga DRSSH Tiranë...”.
6. Pala paditëse, i është drejtuar sërish DRSSH Tiranë për ti lidhur pensionin si ish-punonjës nëntoke, nëpërmjet shkresës me nr.6970 prot, datë 28.06.2010 për të cilën nuk ka marrë përgjigje nga ana e paditur. Gjithashtu, nëpërmjet shkresës me nr.8664 prot., datë 12.08.2010, i është drejtuar edhe ISSH Tiranë, duke pretenduar se i plotëson të dy kushtet e parashikuara nga Ligji nr.8685, datë 09.11.2000 për të përfituar trajtim të veçantë si punëtor nëntoke.
7. Në kushtet kur pala paditëse nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ana e palës së paditur, në datën 29.09.2010, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me padinë me objekt të sipërcituar, duke pretenduar detyrimin e palës së paditur për të detyruar të paditurit që ti lidhin trajtimin e veçantë të minatorëve nga data 16.12.2000, si dhe pensionin e pleqërisë nga data 20.07.2006 e në vazhdim.
8. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.2529, datë 01.04.2011 ka vendosur:
-Pushimin e gjykimit të çështjes civile me nr.3613 akti, me paditës Faik Stafa.
-Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditësit.
8/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “....Në seancën gjyqësore të datës 01.04.2011 nuk u paraqit paditësi Faik Stafa, megjithëse ka patur dijeni rregullisht nga prezenca në seancën e datës 28.03.2011 të përfaqësuesit të tij me prokurë të posaçme, konform Kodit të Proçedurës Civile. Në këtë seancë u paraqitën dhe palët e paditura, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore Tiranë dhe përfaqësuesja e tyre, kërkoi pushimin e gjykimit për mosparaqitje të paditësit. ...Gjykata si: 1) hetoi shkaqet e mosparaqitjes së paditëses dhe përfaqësuesit të saj, e konkludoi se nuk u paraqitën shkaqe të arsyeshme. 2) Respektoi një afat pritjeje relativisht të gjatë. 3) U interesua në kryesekretari nëse kishte raport mjekësor ose kërkesë për shtyrje seance, e rezultoi se nuk ekzistonte një e tillë për paditësin. Konkludoi se ndodhet përpara kërkesave të nenit 127, 179/1; 299/c, të K.Pr.Civile e për pasojë, gjykimi duhet të pushohet....”.
9. Pala paditëse, në datën 04.04.2011, i është drejtuar sërish Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me padinë me objekt të sipërcituar.
10. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.2189, datë 07.03.2012 ka vendosur:
-Rrëzimin e padisë.
-Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës paditëse.
10/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “....Gjatë hetimit gjyqësor rezultoi se, paditësi është i datëlindjes 20.07.1951 dhe ka një librezë pune, të cilës i mungojnë 2 vula të cilat nuk janë vendosur nga Dega e Kuadrit të Minierës së Valiasit. ...Në rregulloren nr.34, datë 01.02.2002, të ndryshuar, në kapitullin III, “Kontrolli i dokumenteve “pika 2 e saj, është parashikuar se: “Verifikimi i dokumenteve. Kur libreza e punës nuk është e qartë, ka korrigjime etj, ose kur libreza e punës është dublikatë ,ose pretendohet për pensione në kushtet e kategorisë së parë e të dytë të punës, do të bëhet verifikimi i tyre me regjistrat themeltare dhe/ose borderotë”. Në kohën e trajtimeve të veçanta të minatorëve, Ministria e Punëve Publike dhe Privatizimit rregullonte të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për përfituesit e trajtimeve të tilla. ... nga vërtetimi i datës 26.03.2001 lëshuar nga kjo Ministri, rezulton se, libreza e punës ka qenë me mangësi, pasi i mungonin 2 vula që nuk ishin vënë nga Dega e Kuadrit të Minierës së Valiasit. Si rezultat dokumentacioni për përfitimin e trajtimit të veçantë, nuk ka qenë i saktë. Pala e paditur me shkresën me nr.100 prot, datë 02.04.2003 i ka kthyer përgjigje paditësit se, kërkohet njohja e vjetërsisë në punë në Minierën Valias për periudhën 04.05.1979 – 09.11.1983, pasi pranë palëve të paditura nuk ka dokumente dhe rrjedhimisht nuk ka mundësi verifikimi. Përsa i përket pretendimit të paditësit mbi të drejtën e përfitimit të pensionit të pleqërisë, nuk rezultoi e provuar gjatë procesit gjyqësor që paditësi t’i jetë drejtuar me kërkesë dhe të ketë paraqitur dokumentacionin e nevojshëm pranë Agjencisë Lokale të DRSSH Tiranë. Për sa më sipër, nga i padituri DRSSH Dega Tiranë, bazuar në rregulloren e sipërcituar, ka bërë verifikimet e librezës së punës së paditësit ka mangësi dhe nga verifikimi, ka rezultuar se, të dhënat e pasqyruara në të nuk janë të sakta, pasi nuk konfirmohen me të dhënat e regjistrit nga ku pretendohet se janë marrë të dhënat, e pasqyruara më pas në librezën e punës që ka paditësi....”.
11. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1701, datë 11.09.2013, ka vendosur:
-Lënien në fuqi të vendimit nr.2189, datë 07.03.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
11/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “....Ligji 8685, datë 09.11.2000 ka përcaktuar një procedurë për përfitimin e këtij pensioni. Po në këtë ligj është përcaktuar edhe afati se deri kur duheshin plotësuar dokumentet që të përfitohej ky pension. Sipas nenit 4 të ligjit nr.9685, datë 09.11.2000, kjo e drejtë ishte e limituar deri në datën 31.03.2001. Pra, paditësi nuk ka paraqitur aktet e nevojshme në kohë për të përfituar këtë të drejtë. Kërkesat e ligjit janë të detyrueshme si për anën e paditur dhe për paditësin. Është detyrimi i tij që të plotësonte kërkesën me dokumentet përkatëse deri në datën e mbylljes së afatit, ose në rast se kishe shkaqe të ligjshme për mosparaqitjen e kërkesës, duhet ti kërkonte gjykatës rivendosjen në afat të paraqitjes së kërkesës. Ana e paditur nuk mund të pranoj kërkesa tej afatit të përcaktuar në ligj... Gjykata me të drejtë ka konstatuar se kërkesa e paditësit drejtuar anës së paditur ka qenë jashtë afatit dhe më të drejtë ka rrëzuar padinë.... Nga aktet rezulton se paditësi nuk ka paraqitur kërkesë pranë anës së paditur për pensionin e pleqërisë dhe nuk ka një akt nga ana e paditur që e ka refuzuar këtë kërkesë për lidhje pensioni....Në kushtet kur nuk ka një akt refuzimi të lidhjes së pensionit, me të drejtë gjykata e ka rrëzuar padinë dhe për këtë pjesë të saj....”.
12. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala paditëse Faik Stafa, i cili kërkon ndryshimin e vendimit nr.1701, datë 11.09.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit nr.2189, datë 07.03.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe kthimin e çështjes për gjykim pranë gjykatës së shkallës së parë, duke parashtruar ato shkaqe që citohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
13. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala paditëse, Faik Stafa, përmban shkaqe ligjore nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar, të cilat i bëjnë të cenueshme vendimet e gjykatave më të ulëta. Ky Kolegj, çmon se, vendimi nr.1701, datë 11.09.2013 i Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është marrë në zbatim të gabuar të ligjit procedurial dhe atij material dhe për rrjedhojë, ky vendim duhet të prishet.
14. Ky Kolegj, në referim të akteve të administruara në dosjen gjyqësore, që janë marrë në shqyrtim dhe janë analizuar nga gjykatat më të ulëta, vlerëson se, Gjykata e Apelit Tiranë ashtu dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kundërshtim me kërkesat e normave proceduriale nuk kanë kryer “një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjin” (neni 14 i K.Pr.Civile), duke mos u dhënë përgjigje pretendimeve dhe kërkimeve të palëve në proces; gjithashtu, të dyja këto gjykata nuk kanë bërë një analizë tërësore dhe objektive të provave (neni 12 i K.Pr.Civile) dhe si rezultat, nuk e ka zgjidhur “mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej tyre“ (neni 16 i K.Pr.Civile).
15. Në çështjen objekt shqyrtimi, rezulton se kërkimi i palës paditëse është: ”Rivendosjen e një të drejte që është shkelur. Detyrimin e palës së paditur për rivendosjen e së drejtës së cenuar duke më lidhur të drejtën e përfitimit të trajtimit të veçantë të minatorëve nga data 16.12.2000 si dhe pensionin e pleqërisë nga data 20.07.2006 e në vazhdim. Kamatëvonesat e arrira si dhe shpenzimet gjyqësore”, duke e mbështetur këtë pretendim në nenin 86/3 i Ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore”, nenet 324 e vijues të K.Pr.Administrative.
16. Referuar kërkimit të paditësit si dhe shkakut ligjor ku ai e mbështet këtë pretendim, ky Kolegj, vlerëson se, mosmarrëveshja objekt shqyrtimi përbën një mosmarrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore, e konkretisht, përfitimit të trajtimit të veçantë në formën e pensionit të një kategorie të caktuar subjektesh, sikundër janë ish-punonjësit e nëntokës, të cilët kanë vjetërsi pune, por nuk kanë mbushur moshën për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Kjo mosmarrëveshje rregullohet drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të posaçme nga Ligji nr.8685, datë 09.11.2000 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera nëntoke”, i ndryshuar.
17. Pala paditëse në këtë gjykim, ka vërtetuar se, i është drejtuar DRSSH Tiranë për të përfituar trajtimin e veҫantë si ish-punonjës miniere, duke u regjistruar edhe në regjistrin përkatës me nr.690, fakt i cili vërtetohet nga kthim përgjigja e anës së paditur me shkresën nr.14027/1 prot, datë 06.12.2010. Gjithashtu, pala paditëse ka vërtetuar se, ana e paditur pasi ka verifikuar dokumentacionin e depozituar prej tij për të përfituar trajtimin e veҫantë, i ka kërkuar atij të vërtetonte gjyqësish periudhën e viteve të punës nga viti 1979 deri në datën 1983, gjë të cilën ai e ka realizuar. Por, sipas pretendimeve të paditësit, edhe pasi ai e ka plotësuar këtë kërkesë, pala e paditur nuk i ka lidhur trajtimin e veçantë, duke i bërë me dije se, DRSSH Tiranë ishte në pamundësi për të verifikuar periudhën e punës nga viti 1991 deri në vitin 1994. Për këtë arsye, pala paditëse i është drejtuar direkt gjykatës për të marrë një zgjidhje shteruese dhe definitive.
18. Ndërsa pala e paditur në këtë gjykim, ka prapësuar se, padia e ngritur nga paditësi është parashkruar, referuar nenit 4, të Ligjit nr.8685, datë 09.11.2000. Gjithashtu, pala e paditur ka pretenduar se, dokumentacioni i paraqitur nga pala paditëse nuk ka qenë i plotë, pasi libreza e punës e depozituar nga paditësit ka qenë me mangësi (i mungonin dy vula të Degës së Kuadrit në Minierën e Valiasit), provuar kjo edhe nga vërtetimi i datës 26.03.2001. Për këtë arsye, paditësit i është kërkuar njohja e vjetërsisë në punë në Minierën Valias për periudhën 04.05.1979 – 09.11.1983, pasi DRSSH Tiranë nuk ka mundësi verifikimi. Po ashtu është pretenduar se ana e paditur nuk ka informacion dhe nuk mund të verifikojë edhe vitet e punës së paditësit për periudhën 1991-1994.
19. Të dyja gjykatat më të ulëta kanë rrëzuar padinë e ngritur nga ana e palës paditëse, me arsyetimin se: “...Ligji nr.8685, datë 09.11.2000 ka përcaktuar një procedurë për përfitimin e këtij pensioni. Po në këtë ligj është përcaktuar edhe afati se deri kur duheshin plotësuar dokumentet që të përfitohej ky pension, e cila ka qenë deri në datën 31.03.2001. Pra, paditësi nuk ka paraqitur aktet e nevojshme në kohë për të përfituar këtë të drejtë. Kërkesat e ligjit janë të detyrueshme si për anën e paditur dhe për paditësin. ...Ana e paditur nuk mund të pranoj kërkesa tej afatit të përcaktuar në ligj... Gjykata me të drejtë ka konstatuar se kërkesa e paditësit drejtuar anës së paditur ka qenë jashtë afatit dhe më të drejtë ka rrëzuar padinë....”. Këtë arsyetim të gjykatave më të ulëta, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, e gjen të gabuar dhe jo në përputhje me dispozitat ligjore të zbatueshme, si dhe me dokumentet shkresore që janë administruar në dosjen gjyqësore.
20. Në nenin 2 të Ligjit nr.8685, datë 09.11.2000 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera nëntoke”, i ndryshuar, është parashikuar se: “Punonjësit që kanë punuar në miniera për një periudhë jo më pak se 11 vjet e gjysmë në nëntokë dhe kanë një periudhë sigurimi jo më pak se 23 vjet, në rastet kur nuk ushtrojnë veprimtari ekonomike, trajtohen me përfitim”, ndërsa në nenin 4 të po këtij ligji, parashikohet se: “E drejta e ushtrimit të kërkesës për përfitime nga ky ligj mund të ushtrohet nga subjektet që përfitojnë deri më datë 31.3.2001. Kjo kërkesë paraqitet pranë degëve të agjencive të drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore”.
21. Në analizë të këtyre dispozitave ligjore, ligjvënësi ka përcaktuar saktësisht se, cilët janë subjektet që përfitojnë nga zbatimi i këtij ligji, si dhe kushtet që ata duhet të plotësojnë për të përfituar prej tij. Kështu, që një subjekt të përfitojë trajtim të veçantë në bazë të Ligjit nr.8685, datë 09.11.2000 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera nëntoke”, i ndryshuar, duhet të plotësojnë këto katër kushte kumulative: i) të ketë punuar në miniera; ii) të ketë punuar në nëntokë për një përiudhë jo më pak se 11 vjet e gjysmë; iii) të ketë një periudhë të përgjithshme sigurimi jo më pak se 23 vjet; iv) të mos përfitojë të ardhura nga veprimtaria ekonomike si i punësuar ose i vetëpunësuar, me përjashtim të ushtrimit të veprimtarisë ekonomike si i vetëpunësuar në bujqësi e blegtori. Vetëm në rast se subjektet pretendues, do të plotësojnë këto katër kushtet në mënyrë kumulative, do të mund të jenë subjekte përfitues të trajtimit të veçantë.
22. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon të theksojë se, qëllimi primar i këtij ligji, ka qenë për të trajtuar financiarisht të gjithë atë kategori punonjësish të minierave, të cilët kishin punuar për një periudhë të caktuar kohe në nëntokë, por që nuk kishin plotësuar kushtet dhe kriteret për të përfituar pensionin e pleqërisë, fakt i cili shprehet qartësisht në nenin 5 të këtij ligji, në të cilin përcaktohet se: “Përjashtohen nga përfitimet sipas këtij ligji, personat të cilët përfitojnë të ardhura nga skema e sigurimeve shoqërore. Të gjithë personat, që përfitojnë trajtim të veçantë, sipas këtij ligji, kanë të drejtë ta marrin atë deri në çastin që plotësojnë kushtet për një lloj përfitimi nga ligji nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë" ose deri kur ata bëhen ekonomikisht aktivë, me përjashtim të personave, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike si të vetëpunësuar në bujqësi e blegtori. Pagesa e trajtimit të veçantë ndërpritet për aq kohë sa personi përfiton të ardhura nga veprimtaria ekonomike si i punësuar ose i vetëpunësuar, me përjashtim të personave, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike si të vetëpunësuar në bujqësi e blegtori”.
23. Në kushtet kur legjislatori e ka parashikuar këtë skemë përfitimi, jo vetëm në formën e ndihmës ekonomike për një kategori të caktuar subjektesh, të cilët nuk realizojnë të ardhura nëpërmjet punësimit apo një veprimtarie ekonomike alternative, por edhe njohjen e saj si vjetërsi në punë për efekt pensioni pleqërie, e ka kushtëzuar depozitimin e kërkesave për përfitimin e këtij trajtimi të veçantë, me një afat të caktuar. Konkretisht në nenin 4 të ligjit të sipërcituar, përcaktohet se: “E drejta e ushtrimit të kërkesës për përfitime nga ky ligj mund të ushtrohet nga subjektet që përfitojnë deri më datë 31.3.2001. Kjo kërkesë paraqitet pranë degëve të agjencive të drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore”. Në këto kushte, subjektet të cilët pretendonin se përfitonin nga ky ligj, kanë qenë të detyruar që të depozitonin kërkesat e tyre pranë DRSSH-ve deri në datën 31.03.2001, në të kundërt, me humbjen e këtij afati referuar dispozitave të K.Pr.Civile, ata mund t’i drejtoheshin gjykatës me padi sipas parimeve të përgjithshme për tu rivendosur në afat.
24. Në ҫështjen objekt gjykimi, duke u nisur nga përmbajtja e vendimeve të gjykatave më të ulëta, pretendimeve të palëve në proces, si dhe përmbajtjes që pasqyrojnë aktet shkresore të administruara në dosje, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se, këto gjykata nuk kanë kryer një hetim të plotë e të gjithanshëm të dokumenteve shkresore të administruara në dosje, duke arritur në konkluzione të cilat bien në kundërshtim me ato që pasqyrojnë provat shkresore.
25. Të dyja gjykatat më të ulëta, nuk rezulton të kenë hetuar dhe as të kenë evidentuar qartësisht se, në cilën datë paditësi e ka depozituar kërkesën e tij për së pari, pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, për të përfituar trajtim të veçante sipas Ligjit nr.8685, datë 09.11.2000 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera nëntoke”, i ndryshuar, duke konkluduar se kjo kërkesë është depozituar jashtë afatit ligjor të përcaktuar. Në kushtet kur, sipas akteve të administruara në dosje, jepen të dhëna të tërthorta se, paditësi ka bërë kërkesë, e cila është regjistruar edhe në regjistrin themeltar të këtyre lloj kërkesave nga ana e paditur, por nuk përcaktojnë konkretisht kur ka qenë data e depozitimit të kësaj kërkese, ishte detyra e gjykatave që të hetonin dhe konkludonin saktë në lidhje m këtë moment, dhe jo të pranonin apriori se kërkesa e paditësit është depozituar jashtë afatit të përcaktuar në ligjin e sipërcituar.
26. Referuar të dhënave që pasqyrojnë aktet e dosjes gjyqësore, e konkretisht shkresës me nr.14027/1 prot, datë 06.12.2010 të lëshuar nga DRSSH Tiranë, në të cilin pasqyrohet se: “...Në regjistrin e kërkesave për trajtim të veçantë, minatori z. Faik Jonuz Stafa është i regjistruar me nr.690 të këtij Regjistri..” (referojuni fq. 8 të dosjes gjyqësore), rezulton se paditësi është regjistruar në regjistrin themeltar të trajtimit të veçantë në administrim të palës së paditur në këtë gjykim. Ndërsa në shkresën me nr.extr prot, datë 26.03.2001 të Drejtorisë së Përgjithshme të Minierave pranë Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, është pasqyruar se: “Ju njoftojmë se z. Jonuz Faik Stafa ka qenë minator i minierës së Valiasit, i ardhur nga Miniera e kromit Bulqizë. Në librezën që ka (dokument origjinal) i mungojnë 2 vula nga dega e kuadrit të Valiasit, të cilat janë harruar (neglizhuar). Ju lutemi, merrini në konsideratë, pasi tani nuk mund të rivihen” (referojuni fq. 21 të dosjes gjyqësore). Pra, konkluzioni i arritur nga ana e dy gjykatave më të ulëta, që pala paditëse e ka depozituar kërkesën për të përfituar trajtim të veçantë jashtë afateve të parashikuara në Ligjin nr.8685, datë 09.11.2000 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera nëntoke”, i ndryshuar, është i pambështetur në prova shkresore. Për më tepër, ky konkluzion i gjykatave vjen në kundërshtim me të dhënat që pasqyrojnë aktet shkresore të cituara më sipër dhe të administruara gjatë gjykimit të kryer në shkallët më të ulëta.
27. Këtë konstatim të gabuar të dy gjykatave më të ulëta, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë e mbështet edhe në të dhënat që pasqyron dokumenti shkresor me nr.100 prot., datë 02.04.2003 të lëshuar nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, me të cilën kjo e fundit ka kërkuar nga ana e paditësit se: “Kërkojmë njohje vjetërsie në punë me vendim gjykate për periudhën e punës Valias Tiranë sipas librezës, për arsye se nuk kemi mundësi verifikimi nga ana jonë, sepse në arkivin e rrethit nuk gjendet dokumentacioni për të verifikuar , si dhe nga z. Faik Stafa pretendon se nga Valiasi nuk i është hedhur në librezë periudha e vjetërsisë nga data 04.05.1979 deri në 09.11.1983 ...” (referojuni fq. 28 të dosjes gjyqësore). Ky dokument tregon qartësisht që pranë anës së paditur është depozituar një kërkesë nga ana e paditësit Faik Stafa për të përfituar trajtimin e veçantë si punonjës nëntoke. Në rast se kërkesa e paditësit do të ishte depozituar jashtë afateve të përcaktuara në ligj, atëherë ana e paditur në këtë gjykim do ta kishte refuzuar atë, si të depozituar jashtë afateve ligjore të përcaktuar në ligjin specifik.
28. Në vijim të sa më sipër, ky Kolegj, çmon të theksojë se, ana e paditur në këtë gjykim (DRSSH Tiranë dhe organi epror i saj ISSH), jo vetëm që nuk e kanë ngritur apo konstatuar këtë pretendim gjatë kohës që e kanë marrë çështjen në shqyrtim brenda juridiksionit administrativ, por edhe kanë mbajtur një korrespodencë shkresore me paditësin, duke e orientuar atë që të plotësojë dosjen me dokumentacion provues shtesë për të përfituar trajtimin e veçantë sipas dispozitave ligjore të Ligjit nr.8685/2000 i ndryshuar. Për këtë arsye, pala paditëse ka vërtetuar gjyqësish edhe punën e kryer në minierën e Valiasit si minator nëntoke për periudhën prej 04.05.1979 deri në datën 09.11.1983 (referojuni vendimit gjyqësor nr.1827, datë 20.04.2004 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, fq. 10-11 të dosjes gjyqësore), të cilën edhe e ka depozituar pranë anës së paditur.
29. Gjithashtu, me shkresën nr.2431/2 prot, datë 27.12.2005 të Institutit të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, kjo e fundit i ka kthyer përgjigje paditësit se: “Përsa kërkoni në letrën tuaj....për të përfituar trajtim të veçantë si punonjës i nëntokës në bazë të Ligjit nr.8685, datë 09.11.2000 ...dhe refuzimin e kërkesës suaj nga DRSSH Tiranë, sqarojmë: Meqenëse periudha 1991-1994 ku personi ka punuar në sipërfaqe në Minierën e Valiasit, periudhë në të cilën ka përfituar edhe pension invaliditeti të pjesshëm nuk mund të verifikohet për arsye të mosgjetjes së dosjes së pensionit të invaliditetit, i jemi drejtuar DRSSH Tiranë me shkresë për të bërë verifikimin për këtë periudhë të Zyra e Punës. Gjithashtu kemi kërkuar të verifikohet në arkën e Komunës Kamëz-Qendër urdhër pagesa e këtij përfitimi. Pasi të sqarohet kjo periudhë, do të merrni përgjigje nga DRSSH Tiranë për problemin e mësipërm” (referojuni fq 23 të dosjes gjyqësore). Pra, në referim të gjithë sa pasqyrojnë aktet shkresore të administruara në dosje, në asnjë rast pala e paditur nuk i ka bërë me dije paditësit se kërkesa e tij është depozituar jashtë afateve ligjore të përcaktuara në nenin 4 të Ligjit nr.8685, datë 09.11.2000 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera nëntoke”, i ndryshuar, fakt të cilin e ka pretenduar vetëm kur çështja është bërë konflikt gjyqësor.
30. Për sa më sipër, ky Kolegj, konstaton se, asnjëra nga gjykatat më të ulëta nuk rezulton që t’i ketë marrë në analizë këto dokumente shkresore të sipërcituara, duke i anashkaluar ato dhe duke arritur në përfundime, të cilat vijnë në kundërshtim me të dhënat që pasqyrojnë këto akte. Për këtë arsye, vlerësohet se gjykatat më të ulëta nuk kanë kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk kanë marrë në analizë të gjitha dokumentet shkresore të depozituara nga palët në këtë gjykim.
31. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon të theksojë se, referuar të drejtës proceduriale civile, vendimi gjyqësor duhet të jetë rrjedhojë e një analize të qartë, të plotë e të gjithanshme të pretendimeve të palëve ndërgjyqëse, në përputhje me provat e administruara gjatë procesit gjyqësor për këtë qëllim dhe në përputhje me ligjin e zbatueshëm.
32. Për sa më sipër, ky Kolegj, çmon se Gjykata e Apelit Tiranë, ndonëse i ka pasur të gjitha mundësitë ligjore që të konstatonte të metat e gjykimit në shkallë të parë dhe t’i ndreqte ato, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat proceduriale dhe materiale për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje, duke anashkaluar sqarimin plotësisht të rrethanave ligjore që lidhen me gjykimin e çështjes, si dhe nuk ka analizuar dhe kthyer përgjigje pretendimeve të paraqitura nga palët në proces. Pra, nuk ka analizuar vlerën e provueshmërisë së të gjitha provave që janë paraqitur, si dhe nuk ju ka dhënë zgjidhje pretendimeve që kanë ngritur palët në gjykim. Për këtë arsye, vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për t’u rishqyrtuar në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
33. Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, duhet të përsërisë hetimin gjyqësor në bazë të nenit 465 të K.Pr.Civile ku parashikohet se “Në shqyrtimin e çështjes në gjykatën e apelit mbahen parasysh për aq sa janë të zbatueshme dispozitat mbi procedurën e gjykimit në shkallë të parë”, si dhe dispozitat ligjore të parashikuara nga Ligji nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të vlerësojë dhe verifikojë të gjitha aktet shkresore që kanë depozituar palët në lidhje më vlerën e tyre të provueshmërisë, në mënyrë që t’i japë përgjigje kërkimeve të palës paditëse dhe prapësimeve të palës së paditur, të cilat janë ngritur në këtë gjykim (neni 225 i K.Pr.Civile).
34. Ky Kolegj, vlerëson të theksojë se, referuar nenit 35, pika 1 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i titulluar “Barra e provës”, në të cilin parashikohet se: “Organi publik ka detyrimin të provojë ligjshmërinë e aktit administrativ, kontratës administrative dhe të veprimit tjetër administrativ, të nxjerrë jo me kërkesë të paditësit, si dhe faktet që ai ka parashtruar dhe ka vënë në themel të veprimtarisë së kundërshtuar në gjykatë”, barra e provës i takon organit administrativ për të provuar faktet mbi të cilat ai mbështet kërkimet e veta. Pra, në gjykime të tilla, nëse DRSSH Tiranë pretendon se pala paditëse e ka depozituar kërkimin jashtë afatit të përcaktuar në ligj, është detyrimi i këtij organi administrativ, që të provojë para gjykatës se ky fakt është i vërtetë.
35. Kjo Gjykatë do t’u bëjë të qartë palëve që është detyrë e secilës prej tyre, që në përputhje me ligjin të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Palët ashtu siç kanë të drejta kanë dhe detyrime që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara me ligj. Gjykata duhet të lejojë palët që të paraqesin prova shkresore me anën e të cilave, ato të provojnë pretendimet e tyre bazuar në nenin 12 dhe 19 të K.Pr.Civile dhe t’i lejojë palët që t’ia nënshtrojnë këto prova hetimit e debatit gjyqësor. Kryerja e veprimeve të përmendura më sipër, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive lidhur me zgjidhjen e çështjes.
36. Gjykata e Lartë, si gjykatë ligji, nuk i hyn analizës së provave, gjë që duhet ta bëjnë dy gjykatat e tjera të niveleve me të ulëta, por ajo vetëm evidenton shkeljet ligjore që kanë lejuar këto dy gjykata, qoftë të normave procedurale dhe atyre materiale duke kërkuar respektimin e tyre.
37. Për sa më sipër, ky Kolegj, çmon se, ka vend për pranimin e rekursit të depozituar nga pala paditëse në këtë gjykim, pasi vendimi nr.1701, datë 11.09.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë, është marrë në zbatim të gabuar të ligjit procedurial dhe atij material dhe për këtë arsye, ky vendim duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rigjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.1701, datë 11.09.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 12.11.2015
Nr. 11243-02685-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4587 i Vendimit (607)
Do'stlaringiz bilan baham: |