VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Xhezair Zaganori Kryesues
Ardian Dvorani Anëtar
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Medi Bici Anëtar
mori në shqyrtim në seancën gjyqësore të datës 10.11.2015, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: FUAT GRABOVA
TË PADITUR: ZYRA VENDORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME VLORË
ZYRA QENDRORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME TIRANË
OBJEKTI:
Detyrimin e palës së paditur Zyra Vendore
e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë
të bëjë regjistrimin e pasurisë së paluajtshme.
Baza Ligjore: Nenet 5, 24/a, 28, 32, 46/2 të ligjit nr.7843, datë 13.07.1994
“Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr.2172, datë 21.10.2010, ka vendosur:
“Pranimin e padisë duke shfuqizuar aktin administrativ, urdhër nr.20 datë 18.08.2009 të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe urdhrit nr.838 datë 03.11.2009 të Zyrës Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe detyrimin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë për të regjistruar në pronësi të paditësit Fuat Grabova pasurinë e llojit truall me sipërfaqe 300 m2 sipas kufijve dhe planimetrisë përkatëse të aktit të ekspertimit përpiluar gjatë gjykimit”.
Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.491, datë 15.05.2012, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.2172 datë 21.10.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë”.
Kundër vendimit nr.491, datë 15.05.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Zyra Qëndrore e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, Zyra Vendore e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe Avokatura e Shtetit, të cilat kërkojnë ndryshimin e vendimit gjyqësor nr.2172, datë 21.10.2010, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe vendimit gjyqësor nr.491, datë 15.05.2012, të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
Rekursi i Zyrës Qëndrore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.
-
Paditësi nuk disponon titull pronësie, sepse vendimi i KP të qytetit Vlorë flet për një leje ndërtimi dhe me anë të kësaj leje nuk mund të pretendohet pronësia edhe mbi truallin.
-
As akti i vlerësimit të truallit nuk përbën titull pronësie pasi është kontrata noteriale e shitjes mënyra e fitimit të pronësisë, që në rastin konkret mungon dhe mungon dokumentacioni i nevojshëm për regjistrimin sipas nenit 24/a të ligjit nr.7843 datë 13.07.1994 dhe nenit 193 të K.Civil.
-
Dokumentacioni i paraqitur nuk përbën titull të detyrueshëm për regjistrim dhe nuk rezulton të jetë lidhur kontratë shitblerjeje trualli ndërmjet Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Qytetit të Vlorës në cilësinë e shitësit dhe Fuat Grabovës në cilësinë e blerësit është në kundërshtim me nenin 26 të ligjit 7843. Paditësi nuk mund të merrte një leje ndërtimi pa mbaruar ndërtimi i pallateve 8-9 katëshe që duhet të ndërtoheshin pranë truallit në pronësi të tij pasi kishte një studim urbanistik dhe leja e sheshit të ndërtimit duhet të ishte respektuar.
Rekursi i Avokaturës së Shtetit.
-
Vendimi nr.6, datë 17.02.1992 lëshuar nga Komiteti Ekzekutiv Pluralist i Rrethit Vlorë vendim me të cilin është miratuar dhënia e sheshit të ndërtimit për objekt "lokal tregtie" me sipërfaqe prej 300 m2 vendim i cili nuk është i shoqëruar me kontratë shitblerjeje trualli midis të dy palëve.
-
Dokumentacioni i paraqitur nga paditësi nuk përbën titull të detyrueshërn për regjistrim sipas përcaktimeve të bëra në nenin 24/a të ligjit nr.7843, datë 13.07.1994 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme" dhe sipas nenit 193 të Kodit Civil.
-
Nga verifikimi i dokumentacionit të paraqitur në ZVRPP Vlorë rezulton se pasuria objekt gjykimi është e regjistruar në hipotekë me nr.156, datë 11.05.1992 por kërkesat për regjistrimin fillestar të pasurisë për kalimin në sistemin e ri të regjistrimit janë të ndryshme nga ato të bëra në sistemin e vjetër hipotekor dhe regjistrimi i pasurisë do të bëhet vetëm duke plotësuar kërkesat e nenit 24/a të ligjit nr.7843, datë 13.07.1994 "Përrregjistrimin e pasurive të paluajtshme"
-
Vetëm pas kryerjes së procedurave të regjistrimit fillestar ZVRPP Vlorë identifikon pasurinë tashmë të regjistruar në regjistrat hipotekor në HTR duke verifikuar ligjshmërinë e akteve ligjore që përbëjnë titull të detyrueshëm, për regjisrtrim.
-
Pra në kushtet kur nga ana e paditësit nuk është paraqitur dokumentacioni që duhet për regjistrimin e pasurisë objekt konflikti ZVRPP Vlorë nuk mund të pajis paditësin me dokument pronësie për sipërfaqen prej 300 m2 truall ndodhur ne ZK 8603.
-
Mungesa e dokumentacionit ligjor të parashikuar nga neni 24/a të ligjit nr.7843, datë 13.07.1994 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme" nuk është marrë parasysh nga gjykata në dhënien e vendimit duke e bërë këtë vendim të padrejtë dhe të pambështetur në ligj.
Rekursi i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme:
-
Paditësi nuk disponon titull pronësie në kuptim të ligjit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme si dhe dispozitave të K.Civil të përbëjë titull pronësie të detyrueshëm per regjistrim.
-
Paditësi disponon leje ndërtimi të Komitetit Ekzekutiv Pluralist të qytetit Vlorë, leje e cila nuk mund të regjistrohet pasi mungon mardhënia me truallin.
-
As akti i vlerësimit të truallit nuk përbën titull pronësie pasi është kontrata noteriale e shitjes mënyra e fitimit të pronësisë, që në rastin konkret mungon dhe mungon dokumentacioni i nevojshëm për rregjistrimin sipas nenit 24/a të ligjit nr.7843 datë 13.07.1994 dhe nenit 193 të K.Civil.
-
Dokumentacioni i paraqitur nuk përbën titull të detyrueshëm për regjistrim dhe nuk rezulton të jetë lidhur kontratë shitblerjeje trualli ndërrnjet Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Qytetit të Vlorës në cilësinë e shitësit dhe Fuat Grabovës në cilësinë e blerësit. Kjo është në kundërshtim me nenin 26 të ligjit 7843. Paditësi nuk mund të merrte një leje ndërtimi pa mbaruar ndërtimi i pallateve 8-9 katëshe që duhet të ndërtoheshin pranë truallit në pronësi të tij pasi kishte një studim urbanistik dhe leja e sheshit të ndërtimit duhet të ishte respektuar.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Arjana Fullani, Avokaten e Shtetit zj.Lorana Kasapi, e cila kërkoi ndryshimin e vendimit nr.2172, datë 21.10.2010, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe vendimit gjyqesor nr.491, datë 15.05.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe rrëzimin e padisë, në mungesë të palëve të paditura, si dhe pasi bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore rezulton se, paditësit Fuat Grabova me vendimin nr.6 datë 17.02.1992 të Ish-Komitetit Ekzekutiv Pluralist Vlorë i është dhënë një sipërfaqe trualli prej 300 m2 ndodhur në Skelë Vlorë për të ndërtuar lokal tregtie, ZK 8603.
2. Sipas paditësit në këtë vendim përmbahet leja e ndërtimit dhe sheshi i ndërtimit. Për këtë pasuri është përpiluar aktvlerësimi i datës 14.04.1992, i nënshkruar nga paditësi dhe përfaqesuesi ish-Komitetit Ekzekutiv Pluralist, nga ku rezulton si vlerë shuma 48.000 (dyzet e tetë mijë) Lekë. Paditësi pretendoi se është shlyer vlera e truallit sipas mandatit të arkëtimit nr.402552, datë 09.05.1992 për shlyerjen e të gjithë shumës përkatëse të vlerës së sendit. Kjo pasuri figuron e regjistruar në Zyrën e Hipotekave Vlorë në rregjistrin e transkriptimeve me nr.rendor 156 datë 11.04.1992.
3. Paditësi Fuat Grabova i është drejtuar palës së paditur Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë për rregjistrimin e kësaj pasurie të paluajtshme ndodhur në ZK 8603.
4. Me urdhrin nr.20 datë 18.08.2009 Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë ka vendosur: “Refuzimin e kërkesës të bërë nga z.Fuat Grabova, për pajisjen me çertifikatë pronësie pasi mungon dokumentacioni ligjor për regjistrimin e pasurisë”.
5. Kundër këtij vendimi paditësi ka paraqitur ankim në rrugë administrative. Me vendimin nr.838 datë 03.11.2009 të Zyrës Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë paditësit i refuzohet kërkesa e bërë për regjistrimin e kësaj pasurie.
6. Pala paditëse duke mos qënë dakord me këtë vendim i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë me padinë objekt gjykimi.
7. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr.2172, datë 21.10.2010, ka vendosur:“Pranimin e padisë duke shfuqizuar aktin administrativ, urdhër nr.20 datë 18.08.2009 të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe urdhrit nr.838 datë 03.11.2009 të Zyrës Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe detyrimin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë për të regjistruar në pronësi të paditësit Fuat Grabova pasurinë e llojit truall me sipërfaqe 300 m2 sipas kufijve dhe planimetrisë përkatëse të aktit të ekspertimit përpiluar gjatë gjykimit”.
7.1. Arsyetimi i Gjykatës: “Neni 21 i ligjit 7512 datë 10.08.1991 "Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit", parashikon se: "Personave fizike a juridike vendas u jepet në pronësi truall për ndërtim me pagesë, duke pasur edhe të drejtën e shitblerjes..." dhe në këtë kuptim nënkuptohet se nga ana e shtetasit Fuat Grabova është përfituar e drejta e pronësisë mbi këtë siperfaqe trualli prej 300 m2 të destinuar për ndërtim. Pra, pasuria që Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë duhet të rregjistrojë në regjistrat e pasurive të paluajtshme është një sipërfaqe trualli prej 300 m2, pasqyruar sipas aplikimit përkatës të kësaj pasurie në planvendosjet përkatëse që shoqërojnë aktin e ekspertimit, për të cilin rezulton të jetë paraqitur titull i vlefshëm për fitimin e pronësisë nga ana e palës paditëse në këtë gjykim duke u fituar me anë të vendimit nr.6 datë 17.02.1992 të Ish-Komitetit Ekzekutiv Pluralist Vlorë. Kjo pasuri e llojit truall prej 300 m2 përfituar prej paditësit Fuat Grabova duhet të rregjistrohet pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë sepse nuk krijon mbivendosje me pasuri të tjera dhe ekziston një regjistrim i mëparshem në regjistrat hipotekore i kësaj pasurie. Regjistrimi përfundimtar i pasurive të paluajtshme, paraprihet nga një regjistrim fillestar, fazë gjatë të cilës nga ana e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bëhet zgjidhja e të gjithë mosmarrëveshjeve që mund të kenë kufitarët lidhur me vendodhjen e kësaj pasurie apo ndonjë pasaktësi të mundshme lidhur me sipërfaqen apo kufijtë e pronës, dhe ne rastin konkret rezulton të mos këtë mosmarrëveshje midis pronarëve kufitarë. Nga ana tjetër është detyrë e Zyrës Vendore për Regjistrimin e Pasurisë së Paluajtshme që të bëjë azhornimin e një zone kadastrale duke përgatitur Hartën Treguese të kësaj zone dhe planet përkatëse të rilevimit për çdo pasuri që rezulton të ketë pasaktësi në sipërfaqen dhe gjendjen e faktit të saj në raport me atë të titullit të pronësisë dhe nuk është një kërkesë që duhet të plotësohet prej subjektit që aplikon për regjistrimin e pasurisë së tij që ai t’i drejtohet gjykatës”.
8. Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.491, datë 15.05.2012, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.2172 datë 21.10.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë”.
8.1 Arsyetimi i gjykatës: “I njëjtë me të faktit”.
9. Kundër vendimit nr.491, datë 15.05.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Zyra Qëndrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe Avokatura e Shtetit, të cilat kërkojnë ndryshimin e vendimit gjyqësor nr.2172, datë 21.10.2010, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe vendimit gjyqësor nr.491, datë 15.05.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
10. Ligji nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
10.1 Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
10.2 Neni 17/2: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
11. Ligji nr.7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.
12. Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
13. Se rekursi i paraqitur nga të paditurit Zyra Qëndrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe Avokatura e Shtetit, përmban shkaqe ligjore që motivojnë cënimin e vendimit nr.491, datë 15.05.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë.
14. Në shqyrtim të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve të parashtruara në këto akte, vendimit të gjykatës dhe parashtrimeve të rekursit, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Vlorë është marrë në interpretim të gabuar të ligjit procedurial dhe material dhe për rrjedhojë duhet të prishet dhe çështja të kthehet për rigjykim.
15. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të gjykatave të faktit.
16. Kolegji Administrativ vëren se me anë të padisë, paditësi Fuat Grabova ka thirrur në gjykim si të paditur Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë dhe Zyrën Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, duke pretenduar se duhet të rregjistrohet në regjistrat e pasurive të paluajtshme sipërfaqe trualli prej 300 m2 e ndodhur në Lagjen “Skelë” Vlorë.
17. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, në përfundim të gjykimit ka vendosur të pranojë kërkesëpadinë e paditësit Fuat Grabova. Mbi ankimin e palëve Gjykata e Apelit Vlorë pasi ka marrë në shqyrtim ankimin ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
18. Arsyetimi dhe përfundimi i gjykatave të faktit është rrjedhojë e keqinterpretimit të dispozitave të ligjit nr.7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, ç’ka e bën vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe atë të Gjykatës së Apelit Vlorë të pambështetur në ligj.
19. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon të arsyetojë se nisur nga objekti i gjykimit si dhe nga shkaku ligjor i kërkimeve të palës paditëse çështja objekt konflikti është e natyrës administrative dhe ka të bëjë me regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme të parashikuar nga neni 24 i ligjit nr.7843/1994 (i ndryshuar) “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme” të ndryshuar, në fuqi në kohën e mosmarrëveshjes.
20. Nga dispozitat e ligjit nr.7843, datë 13.07.1994, del e qartë se regjistrimi i titujve të pronësisë dhe të të drejtave të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme, bëhet në bazë të dokumenteve ligjore që vërtetojnë pronësinë mbi pasuritë e paluajtshme. Pranë ZRPP bëhet çdo regjistrim fillestar i pronësisë dhe pronësia dokumentohet dhe përcaktohet nga aktet e fitimit të pronësisë, sipas nenit 193 të Kodit Civil.
21. Gjykata e Apelit Vlorë dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, në kundërshtim me kërkesat e normave procedurale, nuk kanë kryer “një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjin” (neni 14 i K.Pr.Civile), nuk i kanë dhënë përgjigje një sërë pretendimeve dhe kërkimeve të palës së paditur, të ngritura si në gjykimin në shkallë të parë ashtu dhe në apel. Gjykatat nuk kanë bërë një analizë tërësore dhe objektive të provave (neni 126 i K.Pr.Civile) dhe si rezultat nuk e kanë zgjidhur “mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej tyre” (neni 16 i K.Pr.Civile).
22. Nga tërësia e akteve të administruara nga gjykatat e faktit rezulton se në momentin e shqyrtimit gjyqësor të çështjes objekt gjykimi ka ekzistuar një procedim penal. Nga shkresa nr.3810 prot, datë 19.05.2009 e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë drejtuar ZRPP Vlorë rezulton se ka filluar procedimin penal nr.349, i vitit 2008 për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve parashikuar nga nenet 248, 186 dhe 192/a të K.Penal. Praktika e regjistrimit të pasurisë së këtij shtetasi ndodhet e sekuestruar në fashikullin hetimor të kësaj prokurorie në kuadrin e procedimit penal nr.349/2008.
23. Me shkresën nr.854/1 prot, datë 03.03.2010 Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë i është drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë duke kërkuar kopje të njësuar me origjinalin e dosjes së dokumentave që i përket paditësit e të sekuestruara nga Prokuroria. Gjithashtu pala e paditur kërkon informacion nëse çështja penale ka kaluar në shqyrtim gjyqësor.
24. Nga këto shkresa provohet se është regjistruar një procedim penal i cili ka lidhje me çështjen objekt gjykimi. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe Gjykata e Apelit Vlorë që ka shqyrtuar çështjen mbi ankimin e palës së paditur nuk kanë kërkuar informacion për procedimin penal të regjistruar.
25. Marrja e një informacioni të tillë ka qënë e nevojshme pasi mënyra e përfundimit të procedimit penal ka lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen objekt gjykimi. Nëse do të rezultojë ekzistenca e falsitetit ose jo të dokumenteve të paraqitura nga paditësi për regjistrim do të zgjidhet drejtë dhe çështja objekt i këtij gjykim. Regjistrimi i pasurisë së paluajtshme nga pala e paditur mund të bëhet kur ka një titull të detyrueshëm për regjistrim.
26. Me vendimin nr.974, datë 09.09.2008 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është vendosur “Konstatimi si absolutisht i pavlefshëm i vendimit nr.115, datë 29.10.1996 të K.K.K.P Vlorë për të njëjtën sipërfaqe trualli që kërkon të regjistrojë paditësi. Po ashtu në shkresën 1627/1 prot, datë 22.04.2010 të ZVRPP Vlorë drejtuar ZQRPP shprehet se në vendimin e saj nr.2, datë 17.02.2010 “Për fshirjen e regjistrimeve të paligjshme dhe atyre që krijojnë mbivendosje” është bazuar në vendimin nr.974, datë 09.09.2008 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me anë të të cilit është vendosur “Konstatimi si absolutisht i pavlefshëm i vendimit nr.115, datë 29.10.1996 të K.K.K.P Vlorë si dhe gjithë dokumentacioni që përmban dosja e këtij vendimi ndodhen pranë kësaj zyre.
27. Gjykata, nuk ka kryer një hetim gjyqësor të plotë e të gjithanshëm pavarësisht se sipas këtyre dokumenteve ka qënë në djeni se për pasurinë e paluajtshme truall për të cilën paditësi kërkon regjistrimin ka pretendime nga persona të tjerë. Gjykata duhet të hetonte nëse vendimi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është bërë objekt kundërshtimi në rrugë gjyqësore.
28. Gjykatat e faktit nuk kanë verifikuar nëse paditësi ka paguar vlerën e pasurisë së paluajtshme sipas akt vlerësimit datë 14.04.1992. Akt vlerësimi nuk nënkupton shitjen e objektit. Në dosje ndodhet mandati i arkëtimit nr.402552, datë 09.05.1992 në të cilën është shënuar 50 (pesëdhjetë) lekë. Pra nuk provohet të jetë likuiduar vlera e truallit sipas akt vlerësimit.
29. Meqenëse gjykata e apelit nuk ka konstatuar dhe riparuar shkeljet e mësipërme procedurale, për hetimin gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes, të lejuara nga gjykata e shkallës së parë edhe vendimi i saj është pasojë e procesit të pa rregullt ligjor, prandaj vendimi i gjykatës duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
30. Çështja duhet të dërgohet për shqyrtim në gjykatën kompetente që është Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, e cila të duhet të gjykojë çështjen në themel pasi të ketë kryer një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm.
31. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se në rigjykim, Gjykata Administrative e Apelit, duhet të zhvilloj një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes dhe t’i japë përgjigje edhe kërkimeve të palëve në proces, në lidhje me faktin nëse: (i) nëse paditësi ka apo jo një titull pronësie të ligjshëm të vlefshëm për regjistrim; (ii) të verifikohet nëse për çështjen që po gjykohet ekziston më procedimi penal; (iii)të verifikoj nëse për këtë pasuri të paluajtshme ka pretendime për të drejta pronësie nga persona të tjerë (iv) të verifikohet nëse paditësi ka paguar vleftën e pasurisë së paluajtshme sipas aktit të vlerësimit të kësaj pasurie; (v) të verifikohet nëse paditësi ka lidhur kontratë për blerjen e truallit(vi) të përcaktohet nëse paditësi ka realizuar ndërtimin sipas kushteve të përcaktuara në lejen e ndërtimit për të cilin është dhënë ky truall.
32. Në rigjykim, gjykata do t’u bëjë të qartë palëve që është detyrë e secilës prej tyre, që në përputhje me ligjin të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Palët ashtu siç kanë të drejta kanë dhe detyrime që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara me ligj. Gjykata duhet të lejojë palët që të paraqesin prova shkresore me anën e të cilave ato të provojnë pretendimet e tyre bazuar në nenin 12 dhe 19 të K.Pr.Civile dhe t’i lejojnë palët që t’ia nënshtrojnë këto prova hetimit e debatit gjyqësor, si dhe të kërkojë nëse nevojitet zyrtarisht nga organet kompetente (neni 224 i K.Pr.Civile) paraqitjen e provave dhe të dhënave të cilat ndihmojnë në zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të çështjes.
33. Kryerja e veprimeve si më sipër, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën qe të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive lidhur me zgjidhjen e çështjes objekt shqyrtimi.
34. Kolegji Administrativ vlerëson të mos marrë në analizë pretendimet e ngritura në rekurs për shkelje të tjera ligjit nga gjykatat e faktit në shqyrtimin gjyqësor dhe në zgjidhjen e çështjes, pretendime të cilat, sipas diskrecionit dhe disponimit të palëve, mund të paraqiten prej tyre përpara Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë që do të rishqyrtojë çështjen.
35. Për sa më sipër, në kushtet kur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se Gjykata e Apelit Vlorë ka lejuar shkelje procedurale që e bën të cenueshëm vendimin e marr prej saj, çmon se ky vendim duhet prishur dhe cështja gjyqësore duhet dërguar për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
36. Gjykata e Administrative e Apelit Tiranë është kompetente nga pikëpamja lëndore dhe tokësore për gjykimin e çështjes bazuar në vendimin unifikues nr.3, datë 06.12.2013 Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë si dhe në bazë të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe Dekretit të Presidentit të Republikës nr.7818, datë 16.11.2012.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O SI
Prishjen e vendimit nr.491 datë 15.05.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 10.11.2015
Nr. 31001-02604-00-2010 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4579 i Vendimit (603)
Do'stlaringiz bilan baham: |