PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63, të Ligjit nr.49, datë 03.05.2012 të “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”.
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.1565, datë 19.06.2012, të Gjykatë së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit.
Tiranë, më 06.11.2015
Nr. 31001-03025-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3904 i Vendimit (599)
VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Evelina Qirjako Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Medi Bici Anëtar
në datën 10.11.2015, në seancën gjyqësore, mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.03025/2012 që u përket palëve:
PADITËS: STEFAN (SULO) ÇOBANI, në mungesë.
TË PADITUR: ZYRA VENDORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME SARANDË, në mungesë.
ZYRA QENDRORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME TIRANË, në mungesë.
Me pjesëmarrjen e Avokatit të Shtetit, Z. Abaz Deda.
OBJEKTI:
Anullimin e pavlefshëm të urdhërit nr.134, datë 17.02.2012,
të Zyrës Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë
dhe urdhrit nr.18, datë 18.01.2012 të Zyrës Vendore të Regjistrimit
të Pasurive të Paluajtshme Sarandë të marrë në kundërshtim me ligjin.
Detyrimin e palës së paditur Z.V.R.P. Paluajtshme Sarandë të kryejë
regjistrimin e objektit “Banesë me lokal” në lagjen nr.4 Sarandë,
ndërtuar sipas lejes së ndërtimit të miratuar me vendimin nr.6, datë 09.04.2000
të K.RR.T-së së Bashkisë Sarandë dhe lejes së shfrytëzimit datë 31.03.2011,
si dhe pajisjen me certifikatë pronësie.
Baza Ligjore: Nenet 32/a,, 153, 154, 328 të K.Pr.Civile;
Ligji nr.7843 datë 13.07.1997 “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme” i ndryshuar,
neni 38; Ligji nr.8405, datë 17.10.1998 “Për urbanistikën”
dhe ligji nr.8402, datë 10.09.1998
“Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”;
nenet 175 e 192 të Kodit Civil;
nenet 116 e vijues të K.Pr.Administrative.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, me vendimin nr.23-2012-1154 (533), datë 25.04.2012, ka vendosur:
-Pranimin e kërkesëpadisë së paditësit Stefan(Sulo) Çobani
-Anullimin e pavlefshëm të urdhrit nr.134, datë 17.02.2012, të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe urdhrit nr.18, datë 18.01.2012 të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë të marrura në kundërshtim me ligjin.
-Detyrimin e palës së paditur Z.V.R.P.Paluajtshme Sarandë të kryejë regjistrimin e objektit “Banesë me lokal” në lagjen nr.4 Sarandë, ndërtuar sipas vendimit të Këshillit Bashkiak Sarandë, nr.5, datë 25.06.1999, Vendimit nr.2, datë 18.03.1999 të K.RR.T-së Bashkisë Sarandë, lejes së ndërtimit nr.6, datë 09.04.2000 dhe lejes se shfrytëzimit datë 31.03.2011 në emrin e paditësit Stefan Çobani, si dhe pajisjen me certifikatë pronësie.
-Shpenzimet gjyqësore u ngarkohen palëve të paditura në pjesë të barabarta.
Gjykata e Apelit Gjirokastër me vendimin nr.392, datë 24.07.2012, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.23-2012-1154/533, datë 25.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë.
Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.392, datë 24.07.2012 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe vendimit nr.23-2012-1154/533, datë 25.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, si dhe rrëzimin e kërkesë padisë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Vendimet i dhënë nga Gjykata e Apelit Gjirokastër nuk është i bazuar në ligj dhe në prova.
-
Referuar informacionit të marrë nga ZVRPP Sarandë, pasuria objekt konflikti nuk rezulton e regjistruar në regjistrat hipotekorë.
-
Nga verifikimi i bërë në regjistrat e administruara nga ZVRPP Sarandë rezulton që pala shitëse Bashkia Sarandë nuk e ka rregjistruar pasurinë truall me sipërfaqe prej 96 m2 në emrin e saj, referuar nenit 195 të K.Civil në të cilin përcaktohet se: “Pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi ato janë fituar ose njohur sipas dispozitave të këtij kodi nuk mund të tjetërsohen dhe kur është rasti të ngarkohen me barrë në rast se nuk është bërë regjistrimi i tyre në regjistrat e pasurive të paluajtshme”. Ndodhur në këto kushte, kontrata e shitblerjes me nr.1345 rep. dhe nr.639 kol, datë 26.07.2000 lidhur midis Seksionit të Financave pranë Bashkisë Sarandë dhe palës paditëse Stefan (Sulo) Çobani është e paregjistrueshme.
-
Gjithashtu ka një mospërputhje përsa i përket lejes së sheshit e cila i referohet sip prej 96 më dhe studimit pjesor urbanistik dhe sip së ndërtimit, ku citohet një sip prej 100 m2.
-
Nga verifikimi i dokumentacionit rezulton se ka një mospërputhje midis emërtimit të akteve të miratuara nga bashkia. Në lejën e shfrytëzimit flitet për një banesë me loka, ndërsa te leja e ndërtimit është shprehur për një objekt “lokal shërbimi”.
-
Për sa më sipër, në kushtet e mungesës së plotë të dokumentacionit ligjor për regjistrimin e pasurisë objekt konflikti, ZVRPP Sarandë nuk mund të vazhdojë procedurat për regjistrimin e pasurisë dhe të pajisë me dokument pronësie paditësin.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Evelina Qirjako, Avokatin e Shtetit, Z. Abaz Deda, i cili kërkoi sa i takon shkeljeve proceduriale, prishjen e vendimeve të dy gjykatave dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër, ndërsa sa i takon themelit të çështjes ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe rrëzimin e padisë, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se, paditësi Stefan Çobani ka paraqitur aplikimin pranë ZVRPP Sarandë për të kryer regjistrimin e objektit “Banesë+lokal” në lagjen nr.4 Sarandë, për të cilën pretendon se ka dokumentacion të plotë pronësie.
2. Pala paditëse ka pretenduar se objektin 2 kat “banesë+lokal” në masën prej 80 m2 ndërtim, e ka ndërtuar mbi sipërfaqen e truallit prej 96 m2, bazuar në Vendimin nr.2, datë 18.03.1999 të KRRT-së Sarandë “Për miratimin e destinacionit të sheshit të ndërtimit prej 96 m2”, si dhe Vendimit nr.5, datë 25.06.1999 të Këshillit Bashkiak Sarandë “Për miratimin e sheshit të ndërtimit” shtetasit Sulo (Stefan) Çobani, me sipërfaqe 96 m2 me këto kufizime: Veriu - Shkolla “9 Tetori”; Jugu - truall shteti; Lindja – rrugë; Perëndim - truall shteti.
3. Mbi bazën e këtyre akteve, KRRT e Bashkisë Sarandë ka nxjerrë lejen e ndërtimit me nr.6, datë 09.04.2000, në favor të subjektit ndërtues Sh.P.K “Spartak Doraci” për të ndërtuar një objekt lokal në lagjen nr.4, Sarandë, me investitor subjektin Sulo Çobani, të cilët kanë lidhur edhe kontratën përkatëse të ndërtimit midis tyre.
4. Midis Seksionit të Financës pranë Bashkisë Sarandë (në cilësinë e shitësit) dhe palës paditëse Sulo Çobani (në cilësinë e blerësit) është lidhur para noterit publik Artan Mane Lulaj, kontrata e shit-blerjes me nr.1345 rep. dhe nr.639 kol, datë 26.07.2000, me të cilën Bashkia Sarandë i ka shitur palës paditëse një sipërfaqe trualli për ndërtim lokali, të ndodhur qytetin e Sarandës, Lagjja nr.4, prej 96 (nëntëdhjetë e gjashtë) metra katrorë dhe kufizime: Veriu - Shkolla “9 Tetori”; Jugu - truall shteti; Lindja – rrugë; Perëndim - truall shteti, kundrejt vlerës prej 69.120 (gjashtëdhjetë e nëntëmijë e njëqind e njëzet) lekë, bazuar në ligjin 7980, datë 27.07.1995, vendimin nr.2 dhe 5 të KRRT Bashkia Sarandë, si dhe nenet 80, 83 e 705 e vijues të K.Civil.
5. Pasi ka përfunduar ndërtimin e objektit, si dhe janë kryer të gjitha veprimet duke u bërë edhe kolaudimi i tij, pala paditëse i është drejtuar ZVRPP Sarandë për të kryer regjistrimin e objektit dhe truallit në pronësi të tij.
6. Me urdhërin nr.18, datë 18.01.2012, ZVRPP Sarandë ka vendosur refuzimin e kërkesës për regjistrimin e objektit “banesë+lokal” të përbërë prej tre kate mbi tokë e një nën tokë me sipërfaqe ndërtimi prej 80 m2 dhe trualli 96 m2, duke arsyetuar se: “1. Kontrata e shitblerjes nr.1345 rep. dhe nr.639 kol, datë 26.07.2000, lidhur midis Seksionit të Financës, Bashkia Sarandë në cilësinë e shitësit dhe Sulo Cobanit në cilësinë e blerësit nuk rezulton e regjistruar në regjistrat e pasurive të paluajtshme të ZVRPP Sarandë, ç’ka e bën këtë kontratë të paregjistrueshme në kuptim të përcaktimeve të bëra në nenin 24 të ligjit nr.7843, datë 13.07.1994.... Kjo kontratë është lidhur në kundërshtim me nenin 3 të ligjit nr.7890, datë 27.07.1995 “Për shitblerjen e trojeve”, fakt ky i konstatuar nga kontrollet e ushtruara në ZVRPP Sarandë nga KLSH duke lënë si detyrë mosregjistrimin e tyre... 2. Ka mospërputhje në dokumentacionin e lartpërmendur ku leja e shfrytëzimit është dhënë për banesë me lokal, leja e ndërtimit nr.6, datë 09.04.2000 është dhënë për lokal shërbimi, vendimi nr.2, datë 18.03.1999 i KRRT Bashkia Sarandë ka miratuar kondicionet për objektin Lokal shërbimi, SPU dhe planimetria e sheshit të ndërtimit janë dhënë për objekt ambient shërbimi dhe banesë. 3. .... Sipërfaqja e përgjithshme në SPU dhe planimetri është 100 m2, ndërkohë që vendimi i KRRT-së është dhënë për një sipërfaqe trualli prej 96 m2. Edhe me kontratën e shitblerjes 1345/639, datë 26.07.2000 është blerë sipërfaqja prej 96 m2. .. 5. Mungon akti i fitimit të pronësie për sipërfaqen e truallit prej 4 m2 (100-96)”.
7. Pala paditëse duke mos qenë dakord me këtë vendim, ka ushtruar të drejtën e ankimit pranë ZQRPP Tiranë, e cila me Urdhrin nr.134, datë 17.02.2012 të Kryeregjistruesit, ka vendosur refuzimin e kërkesës së paditësit për regjistrimin e pasurisë objekt shqyrtimi, duke përdorur të njëjtin arsyetim si edhe ZVRPP Sarandë.
8. Në këto kushte, pala paditëse në datën 05.03.2012, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë me padinë me objekt të sipërcituar, duke pretenduar regjistrimin e pasurisë së tij, ndërtim dhe truall me sipërfaqe 96 m2, bazuar në Ligjin nr.7843 datë 13.07.1994 “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme”, i ndryshuar, si dhe aktet nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij.
9. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, me vendimin nr.23-2012-1154 (533), datë 25.04.2012, ka vendosur:
-Pranimin e kërkesëpadisë së paditësit Stefan(Sulo) Çobani
-Anullimin e pavlefshëm të urdhrit nr.134, datë 17.02.2012, të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe urdhrit nr.18, datë 18.01.2012 të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë të marrura në kundërshtim me ligjin.
-Detyrimin e palës së paditur Z.V.R.P.Paluajtshme Sarandë të kryejë regjistrimin e objektit “Banesë me lokal” në lagjen nr.4 Sarandë, ndërtuar sipas vendimit të Këshillit Bashkiak Sarandë, nr.5, datë 25.06.1999, Vendimit nr.2, datë 18.03.1999 të K.RR.T-së Bashkisë Sarandë, lejes së ndërtimit nr.6, datë 09.04.2000 dhe lejes se shfrytëzimit datë 31.03.2011 në emrin e paditësit Stefan Çobani, si dhe pajisjen me certifikatë pronësie.
-Shpenzimet gjyqësore u ngarkohen palëve të paditura në pjesë të barabarta.
9/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “...Për sa arsyetohet në urdhërat e palëve të paditura, gjykata çmon se ato janë nxjerrë në kundërshtim me nenin 38 të ligjit nr.7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme »… Siç provohet paditësi ka fituar të drejtën e pronësisë me vendim të organit kompetent Këshilli Bashkiak Sarandë… Arsyetimi i urdhrit se shitja e truallit është kryer në kundërshtim me ligjin nr.7980, datë 27.07.1995 “Për shitblerjen e trojeve” është i vërtetë. Nuk është në fajin e paditësit që trualli që ka blerë me kontratë shitblerje nga Bashkia, Këshilli Bashkiak nuk ka qenë i regjistruar. Paditësi është bërë pronar i sipërfaqes së truallit dhe për faktin se ka mbi 10 vjet që e posedon atë me mirëbesim sipas nenit 168 të K.Civil, dhe nuk rezulton që të ketë pretendime pronësie mbi të ose të jetë i regjistruar në emër të personave të tjerë. Në momentin që është kryer kalimi i sheshit te ndërtimit te pronari, ka qenë në administrim të shtetit. Në lidhje me ndërtimin që ka kryer paditësi, është kryer studimi urbanistik, i cili është miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Sarandë, ky fakt provohet dhe nga akt ekspertimi. Arsyetimi i urdhërave se kalimi i sipërfaqes së truallit në pronësi paditësit është kryer në kundërshtim me ligjin nuk mund të pranohet, pasi ajo është shfrytëzuar për ndërtim dhe nuk ka patur kontestime nga shitësi... Paditësi ka kryer ndërtimin konform ligjit nr.8405 datë 17.10.1998 “Për urbanistiken”, nenit 55 dhe ligjit nr.8402, datë 10.09.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve te ndërtimit” nenit 13…. Nga ana e paditësit janë plotësuar të gjitha kërkesat e dispozitës së mësipërme. Zyra e Urbanistikës së Bashkisë Sarandë ia ka dërguar zyrtarisht Zyrës së Regjistrimit Sarandë, dokumentacionin sipas ligjit dhe kjo e fundit s’ka arsye që të mos kryejë regjistrimin e objektit. Arsyetimi në urdhër se mungon vendimi nr.113, datë 13.05.1994 i KRRT-së nuk është shkak për ti nxjerrë pengesë paditësit për regjistrim, se në rast se nuk do të ekzistonte ky vendim nuk do të kishte miratim të sheshit të ndërtimit, pasi kjo gjë është legjitimuar nga Bashkia. Arsyetimi në urdhëra se ka mospërputhje në lidhje me emërtimin e objektit nuk është shkak ligjor, pasi rëndësi ka studimi i miratuar dhe ndërtimi sipas projektit të miratuar që siç rezulton është kryer konform ligjit dhe sipas kondicioneve urbane. Pretendimi se ka 4 m2 më tepër në planimetrinë e ndërtimit, sipas ekspertimit rezulton se ndërtimi është kryer konform ligjit dhe se sipërfaqja 4 m2 është jashtë sipërfaqes faktike që ka në posedim paditësi. Në rast se shitja e truallit që është kryer do të ishte e pavlefshme, ligjvënësi do t’i trajtonte këto ndërtime me ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Pra gjen mbrojtje ligjore prona që është ndërtuar pa leje, jo kjo pronë që është ndërtuar me leje ndërtimi. Në rast se pala e paditur ka kontestime në lidhje me dokumentacionin dhe ndërtimin në fakt, …ka të drejtën e verifikimit dhe të kryej kontestimet përkatëse në rast se ka mospërputhje, por nuk ka arsye që të refuzojë kërkesën për regjistrim”.
10. Gjykata e Apelit Gjirokastër me vendimin nr.392, datë 24.07.2012, ka vendosur:
-Lënien në fuqi të vendimit nr.23-2012-1154/533, datë 25.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë.
10/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar njësoj si gjykata e rrethit gjyqësor.
11. Kundër këtij vendimi, ka paraqitur rekurs pala e paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, e cila kërkon ndryshimin e vendimit nr.392, datë 24.07.2012 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe vendimit nr.23-2012-1154/533, datë 25.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, si dhe rrëzimin e kërkesë padisë, duke parashtruar ato shkaqe, që pasqyrohen në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
12. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se rekursi i paraqitur nga ana e paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, përmban shkaqe ligjore nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilat i bëjnë të cenueshme vendimet e gjykatave më të ulëta.
13. Ky Kolegj, vlerëson se, vendimi nr.392, datë 24.07.2012 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, i cili ka lënë në fuqi vendimin nr.23-2012-1154/533, datë 25.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, është marrë në zbatim të gabuar të ligjës proceduriale dhe si i tillë ai duhet të prishet, duke u kthyer çështja për rigjykim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër.
14. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, para shqyrtimit të themelit të çështjes objekt gjykimi, vlerëson të shqyrtojë pretendimin e ngritur nga Avokatura e Shtetit në lidhje me shkeljet proceduriale të lejuara nga të dyja gjykatat më të ulëta. Ky Kolegj, vlerëson të theksojë se, Gjykata e Lartë, si gjykatë ligji ka të drejtë të shqyrtojë si zbatimin e ligjit material, ashtu dhe zbatimin e ligjit procedurial nga gjykatat më të ulëta, referuar kjo në nenin 58 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”. Por ndërkohë, ky Kolegj, thekson se ekzistenca e gabimeve në procedim dhe e shkeljeve proceduriale, pengon gjykatën që të shqyrtojë gabimet në zbatimin e ligjit material, (në rast se ka të tilla) ose të gjykojë themelin e çështjes.
15. Tashmë është praktikë e konsoliduar që gabimet e rënda në procedim dhe në mënyrë të veçantë, ato të parashikuara në nenin 467 të K.Pr.Civile, (të cilat konsiderohen dhe si shkelje të rënda të ligjës proceduriale), shqyrtohen paraprakisht nga ana e Gjykatës së Lartë, para se kjo e fundit të shqyrtojë themelin e çështjes. Në varësi të shkeljeve proceduriale të lejuara nga gjykatat më të ulëta, Gjykata e Lartë, në respektim të nenit 63/d të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, ka të drejtë të vendosë prishjen e vendimeve të gjykatave më të ulëta dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim, në gjykatën kompetente.
16. Në gjykimin e kësaj çështje, në rekurs është paraqitur pretendimi për shkelje të rëndë proceduriale në lidhje me mosrespektimin nga ana e gjykatave më të ulëta të nenit 79/a të K.Pr.Civile, që shprehimisht thotë: “Avokatura e Shtetit ushtron përfaqësimin në rastet e parashikuara me ligj. Gjykata që shqyrton çështje për të cilat me ligj përfaqësimi dhe mbrojtja kryhet nga Avokatura e Shtetit, urdhëron njoftimin e akteve kësaj të fundit, me qëllim që ajo të ketë mundësi të marrë pjesë në gjykim”, si dhe dispozitave të Ligjit nr.10018, datë 13.11.2008 “Për avokaturën e shtetit”, neni 2 i tij, në të cilën thuhet se: “1. Avokatura e Shtetit është person juridik publik, në varësi të Ministrit të Drejtësisë, me seli në Tiranë. 2. Avokatura e Shtetit është institucion qendror i administratës publike, i ngarkuar ekskluzivisht për dhënien e asistencës juridike për institucionet shtetërore dhe entet publike. Asistenca juridike përfshin shërbimin këshillimor dhe të përfaqësimit. Për institucionet dhe për çështjet juridike të përcaktuara në nenin 5 të këtij ligji, asistenca juridike e Avokaturës së Shtetit është e detyrueshme. Në Avokaturën e Shtetit, funksioni i këshillimit juridik kryhet ekskluzivisht nga avokatët e shtetit. 3. Avokatura e Shtetit organizohet dhe e ushtron veprimtarinë sipas përcaktimeve të këtij ligji. 4. Buxheti i Avokaturës së Shtetit është zë i veçantë në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë”.
17. Në analizë të dispozitave të mësipërme, në kuadrin e zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor, ishte detyrim i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë të njoftonte Avokaturën e Shtetit dhe t’i krijonte asaj mundësinë për të marrë pjesë në gjykim, me qëllim ushtrimin e funksioneve të saj për mbrojtjen e interesave të shtetit. Ky fakt, vlerësohet si i domosdoshëm për sa kohë, (i) palë në këtë mosmarrëveshje është Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme; (ii) objekti i konfliktit në këtë gjykim është një pronë truall, origjina e së cilës pretendohet se ka qenë pronë shtetërore; (iii) si dhe në kushtet kur ligji procedurial, urdhëron kryerjen e një veprimi të tillë nga gjykata. Këtë qëndrim mbajnë dhe Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin e tyre unifikues nr.13/2004, ku shprehimisht thuhet: ““Thirrja e palëve nuk duhet kuptuar si e drejtë e pakushtëzuar për gjykatën dhe aq më pak, si e drejtë, bazueshmëria në ligj e së cilës, të mund të konsiderohet e pakontrollueshme dhe e pa verifikueshme në shkallët pasardhëse të gjykimit. Përderisa ligjvënësi ka parashikuar edhe mundësinë e thirrjes dhe pjesëmarrjes së palëve në këtë lloj gjykimi, Kolegjet e Bashkuara çmojnë se, gjykatës i del për detyrë që në çdo rast gjykimi të padive me objekt kundërshtimin e veprimeve të përmbaruesit gjyqësor, të mbaje parasysh edhe faktin nëse është ose jo e nevojshme, rast pas rasti, thirrja e palëve në gjykim dhe kur ajo çmon se ekzistojnë shkaqe dhe rrethana që e bëjnë të nevojshme thirrjen e tyre, sikurse në rastin objekt gjykimi, urdhëron thirrjen e tyre. Në kuptim të nenit 79/a të K.Pr.Civile, gjykata kur shqyrton çështje për të cilat përfaqësimi dhe mbrojtja kryhet nga Avokatura e Shtetit, gjykata është e detyruar që të urdhërojë njoftimin e akteve kësaj të fundit. Vetëm kështu mund t’i krijohet mundësia reale Avokaturës së Shtetit që të marrë pjesë në gjyq, me qëllim përfaqësimi dhe mbrojtjeje të interesave të shtetit, në rastet e parashikuara nga ligji”.
18. Ndërsa, Gjykata Kushtetuese ka mbajtur qëndrimin që, jo çdo shkelje e rregullave procedurale e bën procesin të parregullt në aspektin e shkeljes së të drejtave kushtetuese. Ndikim të drejtpërdrejtë në një proces ligjor kanë ato shkelje thelbësore, vërtetimi i të cilave do të cenonte të drejtat dhe liritë themelore të individit (vendimi nr.21/2008 i Gjykatës Kushtetuese). Në këtë kuptim, si dhe referuar dispozitave të sipërcituara, Avokatura e Shtetit duhet të gëzojë të njëjtat të drejta dhe garanci që garantohen nga parimi i procesit të rregullt ligjor, si çdo palë tjetër në një proces të tillë. Shkelja nga ana e gjykatave të rregullave proceduriale për thirrjen e saj në procesin gjyqësor dhe mosdhënia e mundësisë Avokaturës së Shtetit për të siguruar mbrojtjen e interesit publik në këtë proces, konsiderohet nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, si cënim i parimit kushtetues të procesit të rregullt ligjor.
19. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson të theksojë për gjykatën më të ulët administrative që, pavarësisht se Gjykata e Lartë nuk shqyrtoi në këtë proces, zbatimin e ligjit material nga ana e gjykatave më të ulëta, thirrja në këtë gjykim e Avokaturës së Shtetit do të sjellë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes, si dhe një zgjidhje të drejtë dhe të bazuar në ligj të konfliktit gjyqësor.
20. Përfundimisht, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, çmon se, në kushtet kur vendimi i Gjykatës se Apelit Gjirokastër dhe vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë janë marrë në kundërshtim me rregullat proceduriale, këto vendime duhet të prishen dhe në zbatim të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe Dekretit nr.7818, datë 16.11.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, çështja duhet të dërgohet për rigjykim pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër.
21. Në rigjykim, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër, do t’u bëjë të qartë palëve që është detyrë e secilës prej tyre që, në përputhje me ligjin të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Palët ashtu siç kanë të drejta kanë dhe detyrime që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara me ligj. Gjykata duhet të lejojë palët që të paraqesin prova shkresore me anën e të cilave, ato të provojnë pretendimet e tyre bazuar në nenin 12 dhe 19 të K.Pr.Civile, t’i lejojnë palët që t’ia nënshtrojnë këto prova hetimit e debatit gjyqësor, si dhe të kërkojë nëse nevojitet zyrtarisht nga organet kompetente (neni 224 K.Pr.Civile) paraqitjen e provave dhe të dhënave të cilat ndihmojnë në zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të çështjes. Kryerja e veprimeve të përmendura më sipër, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive lidhur me zgjidhjen e çështjes.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O SI
Prishjen e vendimit me nr.392, datë 24.07.2012 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe të vendimit nr.23-2012-1154/533, datë 25.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër.
Tiranë, më 10.11.2015
Nr. 31002-03128-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4598 i Vendimit (600)
Do'stlaringiz bilan baham: |