VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 05.11.2015, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: EFIGJENI NGJELA
E PADITUR: DREJTORIA E PËRGJITHSHME E BURGJEVE TIRANË.
OBJEKTI:
Detyrimin e palës së paditur në bazë të nenit 155/1 të Kodit të Punës
të më paguajë pagën e tetë muajve deri në përfundim të kontratës së punës.
Detyrimin e palës së paditur në bazë të nenit 144 të Kodit të Punës
të më paguajë pagën e dy muajve për mosrespektim të procedurës.
Detyrimin e palës së paditur në bazë të nenit 155/3 të Kodit të Punës
të më paguajë pagën e një viti.
Baza Ligjore: Nenet 149/1, 144, 153, 155, 143 të Kodit të Punës
dhe nenet 32, 47/1 i K.Pr.Civile.
Gjykata e Rrethit Gjyqesor Korçë, me vendimin nr.2766, datë 02.11.2012, ka vendosur:
“Pranimin e pjesshëm të padisë së paditëses Efigjeni Ngjela, e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve Tiranë me objekt “Pagim shpërblime dhe dëmshpërblime që rrjedhin nga zgjidhja e marrëdhënieve të punës”, duke u detyruar pala paditur, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve Tiranë të paguajë në favor të paditëses Efigjeni Ngjela dëmshpërblimet si më poshtë: pagën prej datës së ndërprerjes së marrëdhënieve të punës 01.05.2012 e deri në datën 31.12.2012 që do të përfundonte rregullisht kontrata e punës, llogaritur si pagë bruto 32 604 lekë në muaj, në masën 8 muaj page, konform nenit 155/1 të Kodit të Punës. Pagën e tre muajve në shumën 32 604 lekë në muaj, konform nenit 155/3 të Kodit të Punës si dëmshpërblim për zgjidhje të menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës me afat të caktuar. Rrëzimin e padisë për pagimin e dy muajve pagë për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës, sipas nenit 144 të Kodit të Punës si të pabazuar në ligj. Rrëzimin e padisë për pagimin edhe të 9 muajve të tjerë dëmshpërblim sipas nenit 155/3 të Kodit të Punës si të pabazuar në prova dhe në ligj”.
Gjykata e Apelit Korçë me vendimin nr.118, datë 07.03.2013, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.2766, datë 02.11.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë”.
Kundër vendimit nr.118, datë 07.03.2013 të Gjykatës së Apelit Korçë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve Tiranë, e cila kërkon prishjen e vendimit nr.118, datë 07.03.2013 të Gjykatës së Apelit Korçë, i cili ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.2766, datë 02.11.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe rrëzimin e kërkesëpadisë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Gjykata në vendimin e saj ka dalë mbi palët duke mos marrë parasysh kontratën individuale të lidhur mes palëve. Në nenin 149/1 të Kodit të punës parashikohet që "Kontrata e punës me afat të caktuar përfundon në fund të kohës së parashikuar. Pra ligjvënësi duket qartë që shprehet për përfundim dhe jo zgjidhje dhe duke qënë që i referohet afatit të kontratës atëhere logjikisht përfundimi ose zgjidhja e saj duhet t’ju referohet edhe pikave për të cilat palët kanë rënë dakord.
-
Gjykata në vendimin e saj ka marrë parasysh vetëm dispozitat që përmirsojnë pozitën e punëmarrësit duke u treguar e njëanshme në vendimin e saj pamvarsisht që në arsyetim pranon faktin që palët kanë rënë dakord për zgjidhjen e marrëdhënieve të punës në rast ristrukturimi organik të institucionit referuar kontratës së lidhur mes palëve.
-
Gjykata në arsyetimin e saj ka pranuar faktin se vazhdimi i marrëdhënieve juridike të punës ka qënë i pamundur në kushtet e mungesës së vendit të punës si pasojë e ristrukturimit organik të institucionit dhe përsëri ajo ka vendosur një dëmshpërblim për t’u paguar nga ana jonë duke dalë jashtë frymës së arsyetimit.
-
Zgjidhja e kontratës së punës mes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe paditëses Znj.Efigjeni Ngjela është bërë në përputhje me nenin 12 pjesa e parë pika 1 të Kontratës individuale të punës të lidhur mes palëve ku është parashikuar qartë se marrëdhëniet e punës mund të zgjdhen në rast ristrukturimi organik të IEVP Penale Korçë. Nga ana jonë u vërtetua gjatë gjykimit fakti se IEVP Korçë kishte pësuar një ristrukturim organik dhe si pasojë e këtij ristrukturimi ishte e pamundur vazhdimi i marrëdhënieve të punës pasi vendi i punës si llogaritar-arkëtar në IEVP Korçë nuk ekzistonte. Si pasojë gjykata duhet të dilte në përfundimin se zgjidhja e marrëdhënieve të punës ishte bërë me shkak të justifikuar.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Arjana Fullani, si dhe pasi bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore rezulton se, paditësja Efigjeni Ngjela është emëruar në detyrën e “Llogaritar-Arkëtar” pranë IEVP Korçë me Urdhërin nr.1645/1 prot datë 27.02.2009 të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, në të cilin është ngarkuar Drejtoria e IEVP Korçë për lidhjen e kontratës së punës.
2. Marrëdheniet e saj të punës janë rregullur se fundmi me “Kontratë individuale pune” me afat një vjeçar lidhur në datën 04.01.2012, e cila perfundonte në datën 31.12.2012.
3. Me shkresën nr.2375 datë 17.04.2012 në IEVP Korçë është dërguar struktura e re organike e miratuar me urdhërin nr.50, datë 13.04.2012 të Kryeministrit dhe pasi është konstatuar shkurtimi i pozicionit të punës “llogaritar-arkëtar”, është urdhëruar lirimi nga detyra i paditëses me motivacionin si efekt i “ristrukturimit organik”.
4. Me urdhërin nr.2550, datë 23.04.2012 “Për lirimin nga detyra të një punonjësi” ka urdhëruar lirimin nga detyra të zj.Efigjeni Ngjela, si efekt i ristrukturimit organik. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka ngarkuar për zbatimin e këtij urdhëri dhe kryerjen e procedurave të zgjidhjes së marrëdhënieve të punës, Drejtorinë e IEVP Korçë.
5. Me urdhrin nr.1276, datë 26.04.2012 Drejtori i IEVP Korçë, në zbatim të ketij urdhëri, ka ndërprerë marrëdhëniet administrative dhe financiare të paditëses në datën 30.04.2012 duke i njohur vetëm 7 dite leje vjetore.
6. Paditësja, duke pretenduar se zgjidhja e kontratës së punës nga ana e punëdhënësit është e menjëhershme dhe pa shkaqe të justifikuara, ka kërkuar nga Gjykata që të vendoset detyrimi i palës së paditur, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve Tiranë që të paguajë në favor të saj shpërblimet dhe dëmshpërblimet që rrjedhin nga zgjidhja e marrëdhënieve të punës, sipas përcaktimeve të nenit 144 dhe 155/1/3 të Kodit të Punës.
7. Gjykata e Rrethit Gjyqesor Korçë, me vendimin nr.2766, datë 02.11.2012, ka vendosur: “Pranimin e pjesshëm të padisë së paditëses Efigjeni Ngjela, e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve Tiranë me objekt “Pagim shpërblime dhe dëmshpërblime që rrjedhin nga zgjidhja e marrëdhënieve të punës”, duke u detyruar pala paditur, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve Tiranë të paguajë në favor të paditëses Efigjeni Ngjela dëmshpërblimet si më poshtë: pagën prej datës së ndërprerjes së marrëdhënieve të punës 01.05.2012 e deri në datën 31.12.2012 që do të përfundonte rregullisht kontrata e punës, llogaritur si pagë bruto 32 604 lekë në muaj, në masën 8 muaj page, konform nenit 155/1 të Kodit të Punës. Pagën e tre muajve në shumën 32 604 lekë në muaj , konform nenit 155/3 të Kodit të Punës si dëmshpërblim për zgjidhje të menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës me afat të caktuar. Rrëzimin e padisë për pagimin e dy muajve pagë për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës, sipas nenit 144 të Kodit të Punës si të pabazuar në ligj. Rrëzimin e padisë për pagimin edhe të 9 muajve të tjerë dëmshpërblim sipas nenit 155/3 të Kodit të Punës si të pabazuar në prova dhe në ligj”.
7.1 Arsyetimi i gjykatës: “Në rastin konkret ndodhemi para zgjidhjes së menjëhershme të kontratës së punës me afat të caktuar dhe për rregullimin e pasojave që rrjedhin prrej saj do të referohet në nenet 153-156 të Kodit të Punës.
Pra në ndryshim nga sa pretendon paditësja, pala e paditur nuk kishte detyrimin ligjor të zbatonte procedurën e parashikuar nga neni 144 i Kodit të Punës, pasi kjo dispozitë gjen zbatim vetëm në kontratat pa afat të caktuar. Në rastin konkret, në aktet e palës së paditur nuk specifikohet si shkak për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës shkelja e ndonjë detyrimi kontraktual nga ana e paditëses me faj të rëndë apo të lehtë të përsëritur, megjithë paralajmërimin me shkrim nga punëdhënësi, gjë që do t’i jepte palës së paditur të drejtën për t’a zgjidhur kontratën në çdo kohë, atëhere vlerësohet se shkaku i largimit të paditëses nga puna nuk është i justifikuar në kuptim të nenit 153 të këtij Kodi.
Pala e paditur gjatë gjykimit ngriti pretendimin se vetë palët në nenin 12 të kontratës së punës kanë parashikuar se zgjidhja e marrëdhënieve juridike të punës bëhet kur ndryshon struktura e institucionit dhe sipas tij ndryshimi i strukturës përbën shkak të justifikuar. Por gjykata, në respektim të sa më sipër vlerëson se kontrata e punës lidhet në bazë dhe për zbatim të Kodit të punës dhe referuar hierarkisë së akteve, janë të vlefshme vetëm dispozitat që përmirësojnë pozitën e punëmarrësit.
Në interpretim të nenit 155/1 të Kodit të Punës, punëmarrësi ka të drejtën e pagës që do kish fituar nëse marrëdhëniet e punës do të kishin përfunduar në përfundim të kontratës me afat të caktuar, pra paditësja duhet të përfitojë pagën nga momenti i ndërprerjes 01.05.2012 e deri në përfundim të kontratës individuale 31.12.2012. Po kështu në respektim të nenit 155/3 të Kodit të Punës, (i cili gjen zbatim në të dy llojet e kontratave), meqënëse jemi në rastet e zgjidhjes së menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës, gjykata, duke vlerësuar të gjitha rrethanat, çmon që ti jepet dhe një dëmshpërblim prej 3 muaj page. Gjykata, siç u analizua edhe me lart çmon se duhet të rrëzohet padia edhe lidhur me kërkimin për pagimin e 2 mujave page si dëmshpërblim për mosrespektim të procedurës sipas nenit 144 të Kodit të Punës pasi kjo dispozitë gjen zbatim te kontratat pa afat dhe nuk parashikohet në dispozitat që rregullojnë kontratën me afat, qëndrim që e ka shprehur dhe Gjykata e Lartë në Vendimin e saj Unifikues”.
8. Gjykata e Apelit Korçë me vendimin nr.118, datë 07.03.2013, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.2766, datë 02.11.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë”.
8.1 Arsyetimi i gjykatës: “I njëjtë me të faktit”
9. Kundër vendimit nr.118, datë 07.03.2013 të Gjykatës së Apelit Korçë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve Tiranë, e cila kërkon prishjen e vendimit nr.118, datë 07.03.2013 të Gjykatës së Apelit Korçë, i cili ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.2766, datë 02.11.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe rrëzimin e kërkesëpadisë, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
10. Ligji nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
10.1 Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
10.2 Neni 17/2: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
11. Kodi i Punës
11.1. Neni 149: “1) Kontrata me afat të caktuar përfundon në fund të kohës së parashikuar, pa zgjidhje paraprake.
2) Kur, mbas përfundimit të afatit të caktuar, kontrata zgjatet në heshtje tej këtij afati, ajo konsiderohet si kontratë me afat të pacaktuar”.
11.2. Neni 155: “1) Punëmarrësi ka të drejtën e pagës që do të kish fituar, nëse marrëdhëniet e punës do të kishin përfunduar në fund të afatit të njoftimit të parashikuar në ligj ose me kontratë ose në përfundim të kontratës me afat të caktuar.
2) Punëdhënësi mund të zbresë nga paga të ardhurat që punëmarrësi ka kursyer si rezultat i ndërprerjes së punës, të ardhurat nga një punë tjetër ose të ardhurat prej të cilave ai ka hequr dorë qëllimisht.
3) Në rastet e zgjidhjes së menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës nga punëdhënësi, gjykata, duke vlerësuar të gjitha rrethanat, vendos detyrimin e punëdhënësit ndaj punëmarrësit me një dëmshpërblim jo më shumë se paga e një viti pune. Për punëmarrësit në administratën publike, kur ka një vendim të formës së prerë për kthimin në vendin e mëparshëm të punës, punëdhënësi është i detyruar të zbatojë këtë vendim.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
12. Se rekursi i paraqitur nga pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve Tiranë, nuk përmban shkaqe ligjore që motivojnë cënimin e pjesshëm të vendimit nr.118, datë 07.03.2013 të Gjykatës së Apelit Korçë, por vetëm për llojet e dëmshpërblimit që gjykatat i kanë njohur paditëses Efigjeni Ngjela.
13. Në shqyrtim të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve të parashtruara në këto akte, vendimit të gjykatës dhe parashtrimeve të rekursit, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se gjykatat e faktit kanë gabuar pjesërisht në zbatimin e ligjit material në zgjidhjen e mosmarrëveshjes objekt shqyrtimi dhe si pasojë vendimet e tyre duhet të ndryshohen pjesërisht.
14. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të gjykatave të faktit.
15. Nga provat e marra nga gjykatat e faktit rezulton se me datë 04.01.2012, në mes të palëve ndërgjyqëse është lidhur një kontratë pune me afat njëvjeçar, me datë përfundimi datën 31.12.2012. Kjo kontratë është zgjidhur nga pala e paditur përpara përfundimit të afatit kontraktor, në datë 23.04.2012.
16. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, konstatoi se marrëdhëniet e punës ndërmjet palëve ndërgjyqëse rregullohen me kontratë pune me afat të caktuar. Për rregullimin ligjor të kontratës me afat të caktuar Kodi i Punës parashikon rregullime të posaçme në nenet 149-152 të tij.
17. Në nenin 149 të K.Punës parashikohet se kontrata me afat të caktuar përfundon në fund të kohës së parashikuar, pa zgjidhje paraprake. Kjo do të kuptohet se, në rastet kur kontrata zgjidhet njëanshmërisht nga punëmarrësi, përpara mbarimit të afatit të caktuar të kontratës, punëdhënësi i shlyen punëmarrësit pagat që i takojnë ti përfitojë deri në përfundim të këtij afati kontraktor. Ky detyrim nuk ekziston vetëm nëse vërtetohet që zgjidhja para afatit e kontratës së punës është bërë për “fajin” e punëmarrësit.
18. Në referim të nenit 153 të Kodit të Punës, punëdhënësi mundet që në çdo moment, në mënyrë të menjëhershme, të zgjidhë marrëdhënien e punës, kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme dhe të tilla janë ato rrethana të rënda, të cilat sipas parimit të mirëbesimit nuk e lejojnë vazhdimin e marrëdhënieve të punës, pasi e kanë shkatërruar besimin e punëdhënësit tek punëmarrësi. Të tilla rrethana kanë të bëjnë me shkeljen e detyrimeve kontaktuale të punës ose detyrimeve që rrjedhin nga rregullimi ligjor specifik që rregullon atë marrëdhënie pune, shkelje e cila duhet të jetë kryer me faj të rëndë ose edhe me faj të lehtë pas një paralajmërimi të mëparshëm të punëdhënësit, për shkelje të tjera të lehta në kryerjen e detyrës.
19. Në rastin konkret kontrata e punës është zgjidhur në mënyrë të njëanshme nga ana e punëdhënësit (pala e paditur) në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkak të justifikuar në kuptim të nenit 153 të K.Punës.
20. Pala e paditur ka pretenduar se zgjidhja është bërë për shkak ristrukturimit dhe ky shkak parashikohet në nenin 12 të kontratës si një ndër rastet se kur mund të zgjidhej kontrata. Kolegji administrativ çmon se pretendimi për zbatimin e nenit 12 të kontratës së punës së lidhur në mes të palëve, nuk është i bazuar në ligj. Neni 11/3/4 i K.Punës parashikon se: “Çdo dispozitë që shkel një dispozitë të një shkalle më të lartë, është e pavlefshme. Megjithatë, janë të vlefshme, vetëm ato dispozita që përmirësojnë pozitën e punëmarrësit. 4)Punëmarrësi nuk mund të heqë dorë nga të drejtat, që rrjedhin nga dispozitat urdhëruese të këtij Kodi ose të kontratave kolektive të punës.” Përsa kohë që ligji i ka përcaktuar qartë dhe në mënyrë shteruese shkaqet për të cilat kontrata e punës mund të zgjidhet në mënyrë të menjëhershme, palët në kontratë nuk mund të përcaktojnë shkaqe të tjera për të cilat të zgjidhin në mënyrë njëanshme dhe të menjëhershme marrëdhënien e punës, shkaqe të cilat çojnë në rëndimin e pozitës së punëmarrësit.
21. Kolegji Administrativ çmon se të dy gjykatat kanë interpretuar dhe zbatuar gabim ligjin material kur i kanë njohur paditëses dëmshpërblim prej 8 (tetë) muaj pagë deri në përfundim të kontratës me afat 1 vjeçar parashikuar nga neni 155/1 i K.Punës, si dhe 3 (tre) muaj dëmshpërblim për zgjidhje të menjëhershëm të pajustifikuar të marrëdhënies së punës në bazë të nenit 155/3 i K.Punës.
22. Nga interpretimi i këtyre dispozitave të Kodit të Punës nuk parashikohen as procedura dhe as afate njoftimi për zgjidhjen e kontratës së punës me afat të caktuar. Për rrjedhim punëmarrësi nuk mund të pretendojë dhe përfitojë dëmshpërblime për mosrespektim të afatit dhe/ose të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës. Nëse zgjidhja është bërë pa shkaqe të arsyeshme ose të justifikuara, punëmarrësi përfiton pagat që i takojnë deri në përfundim të afatit të kontratës, por jo dëmshpërblimet apo shpërblim për vjetërsi pune sikurse në rastet e kontratave pa afat të caktuar(neni 151 e 152).
23. Nga interpretimi i nenit 155 paditëses i takon vetëm një dëmshpërblim për zgjidhjen e menjëhershme dhe të pajustifikuar të marrëdhënies së punës, ai i parashikuar nga neni 155/1 i K.Punës, që është paga deri në përfundim të kontratës me afat një vjeçar, pra 8 paga mujore. Nuk mund të parashikohet dy herë ky dëmshpërblim edhe në kuptim të nenit 155/3 të K.Punës, që parashikon situatën e zgjidhjes së menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratave pa afat të caktuar.
24. Për sa më sipër u arsyetua, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimet e gjykatave janë të drejta për pjesën që kanë disponuar lidhur me detyrimin e palës së paditur për të shpërblyer paditësen me pagën që do të merrte deri në përfundim të kontratës së saj të punës. Nga ana tjetër, gjykatat e faktit kanë interpretuar në mënyrë të gabuar ligjin material lidhur me dhënien e dëmshpërblimit për paditësen në mbështetje të nenit 155/3 të K.Punës dhe si rrjedhojë këto vendime duhen ndryshuar, duke u vendosur rrëzimi i padisë lidhur me këtë kërkim.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në mbështetje të shkronjës “dh” të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I:
Ndryshimin e vendimit nr.2766, datë 02.11.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë dhe të vendimit nr.118, datë 07.03.2013 të Gjykatës së Apelit Korçë në këtë mënyrë:
Pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë.
Detyrimin e palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve Tiranë t’i paguajë paditëses Efigjeni Ngjela pagat që i takojnë deri në fund të afatit të kontratës së punës në masën 8 (tetë) paga mujore.
Rrëzimin e padisë për kërkimet e tjera.
Tiranë, më 05.11.2015
Nr. 31001-01580-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-4637 i Vendimit (596)
Do'stlaringiz bilan baham: |