VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici nëtar
mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 5.11.2015, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: KËSHILLI I QARKUT GJIROKASTËR
I PADITUR: GENCI (GJENÇI) SHEHU
OBJEKTI:
Kundërshtim i vendimit nr.117 datë 20.07.2012
të Komisionit të Shërbimit Civil, Tiranë.
Baza Ligjore: Nenet 442,443 të K.Pr.Civile ,
Ligji nr.8549, datë 11.11.1999 "Statusi i Nëpunësit Civil".
Komisioni i Shërbimit Civil, me vendimin nr.117, datë 20.07.2012 ka vendosur:
“Pranimin e ankesës së z.Genci (Gjenci) Shehu. Shfuqizimin e Urdhërit nr.29, datë 11.06.2012 të Kryetarit të Këshillit të Qarkut Gjirokastër, për lirimin nga detyra të ankuesit. Anullimin e procedurave të konkurrimit për pozicionin e punës, Përgjegjës Sektori në sektorin e shërbimeve. Sistemimin e ankuesit në pozicionin e punës Përgjegjës Sektori në Sektorin e Shërbimeve dhe pagimin e pagës nga moment i ndërprerjes së marrëdhënieve financiare deri në zbatimin e këtij vendimi”.
Gjykata e Apelit Gjirokastër me vendimin nr.5 datë 01.11.2012, ka vendosur:
“Pranimin e padisë së Këshillit të Qarkut Gjirokastër. Anullimin e Vendimit nr.117, datë 20.07.2012 të Komisionit të Shërbimit Civil”.
Kundër vendimit nr.5 datë 01.11.2012 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, i paditur Genci (Gjençi) Shehu, i cili kërkon prishjen e vendimit nr.05 datë 01.11.2012 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe lënien në fuqi të vendimit nr.117, datë 20.07.2012 të Komisionit të Shërbimit Civil, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Argumentet ku Gjykata e Apelit mbështet arsyetimin e vendimit të saj nuk qëndrojnë dhe janë në kundërshtim me ligjin. Kjo gjykatë arsyeton gabim kur shprehet se Vendimi nr.1, datë 06.02.2008 i Gjykatës së Apelit Gjirokastër i cili lë në fuqi Vendimin nr.247, datë 07.12.2007 të KSHC, e vlerëson përfitimin e statusit të nëpunësit civil nga ana ime në kundërshtim me ligjin, pasi me vendimin nr.247, datë 07.12.2007, Komisioni i Shërbimit Civil shprehet vetëm për paligjshmërinë e urdhërit të largimit nga detyra të z.Besim Brahimi dhe nuk shprehet fare për ligjshmërinë e përfitimit të statusit nga ana ime. Vendimi i Kryetarit të Këshillit të Qarkut nr.38, datë 23.12.2008 me anë të cilit është konfirmuar statusi im i nëpunësit civil është një akt i vlefshëm i cili nuk është shpallur i pavlefshëm as me vendim të Komisionit të Shërbimit Civil dhe as me ndonjë vendim gjykate. Lirimi im nga detyra duke mos respektuar ligjin "Për statusin e nëpunësit civil është i pavlefshëm dhe bie në kundërshtim me ligjin.
-
Gjykata e Apelit pretendon se Këshilli i Qarkut me anë të largimit tim nga detyra ka zbatuar një vendim të mëparshëm gjykate, por ky arsyetim nuk qëndron pasi Këshilli i Qarkut nuk mund të zbatojë një vendim gjykate, duke shkelur për herë të dyte ligjin duke mos respektuar statusin tim të nëpunësit civil. Detyrimi i institucionit për zbatimin e vendimit të gjykatave, nuk mund të përmbushet duke shkelur ligjin dhe të drejtat e një punonjësi tjetër, i cili nuk ka përgjegjësi për veprimet e mëparshme të institucionit dhe që ka fituar "statusin e nëpunësit civil në rrugë ligjore dhe të vlefshme.
-
Vendimi i Gjykatës së Apelit nr.1, datë 6.02.2008 flet për kthimin e ankuesit Besim Brahimi, në pozicionin "Drejtor" në Drejtorinë e Shërbimeve dhe Emergjencave Civile, por ky pozicion në fakt është suprimuar, siç rezulton nga struktura e miratuar për vitin 2012. Pozicioni i punës ku do të duhej të kthehej shtetasi Besim Brahimi është suprimuar me strukturën e miratuar të vitit 2012.
-
Gjykata çmon se unë pas largimit nga detyra duhej të konkurroja për vendet e lira të punës të shpallura nga ana e Këshillit të Qarkut në mënyrë që të siguroja sistemimin tim në një vend tjetër pune pranë këtij institucioni. Në kushtet kur statusi im i nëpunësit civil është i vlefshëm, procedurat që duhej të ishin ndjekur nga ana e punëdhënësit në rastin e "ristrukturimit" janë ato të parashikuara nga ligji nr.8549, datë 11.11.1999 "Statusi i nëpunësit civil" dhe VKM nr.360, datë 14.07.2000 "Për lirimin nga shërbimi civil", por që në fakt nuk janë respektuar nga ana e punëdhënësit në rastin tim, pasi me gjithë vendet e lira të punës të shpallura nga institucioni, (mes tyre edhe pozicioni përgjegjës sektori, specialist i nivelit drejtues) nuk u ofrua asnjë vend i përafërt me pozicionin e mëparshëm.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Arjana Fullani, si dhe pasi bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore rezulton se paditësi Genci Shehu me urdhërin nr.36/l datë 31.08.2007 të Këshillit të Qarkut Gjirokastër është emëruar në pozicionin e Drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve dhe Emergjencave. Me vendimin nr.38, datë 23.12.2008 të Kryetarit të Këshillit të Qarkut paditësit i është konfirmuar statusi i nëpunësit civil.
2. Përpara se të emërohej, i padituri Genci Shehu në këtë detyrë, ka qenë shtetasi Besim Brahimi i larguar me aktin nr.36/2007 të Këshillit të Qarkut Gjirokastër, akt të cilin ky i fundit e ka kundërshtuar në Komisionin e Shërbimit Civil.
3. Gjatë kohës që paditësi ishte duke ushtruar detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve, në Këshillin e Qarkut Gjirokastër, me shkresën nr.329/1, datë 14.12.2007 është përcjellë vendimi nr.247, datë 07.12.2007 i Komisionit të Shërbimit Civil me të cilin është vendosur: “Pranimi i ankesës se z.Besim Brahimi duke shfuqizuar aktin administrativ nr.36 datë 20.08.2007 të Kryetarit të Këshillit të Qarkut Gjirokastër si akt i nxjerrë nga një organ administrativ në kapërcim të kompetencave të tij ligjore. Kthimin e ankuesit në pozicionin e mëparshëm të punës, Drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve në Këshillin e Qarkut Gjirokastër. Detyrimin e institucionit për të bërë pagesën e ankuesit nga momenti i ndërprerjes së marrëdhënieve financiare deri në zbatim të këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe është i detyrueshëm për palët. Efektet e tij fillojnë menjëherë pas komunikimit”.
4. Këshilli i Qarkut Gjirokastër e ka ankimuar vendimin e mësipërm, të Komisionit të Shërbimit Civil nr.247/2007 dhe Gjykata e Apelit Gjirokastër me vendimin nr.01, datë 06.02.2008 ka vendosur rrëzimin e kërkesëpadisë së Këshillit të Qarkut Gjirokastër duke lënë në këtë mënyrë në fuqi, vendimin e Komisionit të Shërbimit Civil nr.247/2007.
5. Për shkak të këtij vendimi gjyqësor të formës së prerë dhe vendimit nr.16, datë 28.05.2012 të Këshillit të Qarkut Gjirokastër për ristrukturimin e këtij këshilli është njoftuar i padituri Genci Shehu, me shkresën me nr.168 Prot, datë 3l.05.2012, se do të përfshihet në listpritjen pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore e Shërbimeve, me të drejta ligjore parashikuar në ligj.
6. Mbi kërkesën e shtetasit Besim Brahimi, me urdhërin nr.25/1, datë 04.06.2012 Këshilli i Qarkut Gjirokastër, ka urdhëruar zbatimin e vendimit nr.l, datë 06.02.2008 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, kthimin e përkohshëm në punë deri në përfundim të procedurave të konkurrimit në pozicionin e miratuar me vendimin nr.16, datë 28 Prill 2012, specialist i nivelit të mesëm drejtues për organizimin, kontrollin dhe politikat e përmirësimit të infrastrukturës rrugore rurale rajonale dhe emergjencave civile. Sipas këtij vendimi marrëdhëniet financiare për këtë shtetas (Besim Brahimi) fillojnë më datë 11.06.2012 .
7. Me Urdhrin nr.29, datë 11.06.2012 Këshilli i Qarkut Gjirokastër ka urdhëruar përfundimisht lirimin nga detyra të paditurit, Genci Shehu dhe ndërprerjen e marrëdhënieve financiare më datë 10.06.2012 sipas njoftimit me shkresën me nr.168 Prot, datë 31.05.2012. Sipas këtij urdhëri Genci Shehu i është njohur statusi i Nëpunësit Civil në një kohë që ka një vendim gjyqësor të formës së prerë për kthimin në punë të shtetasit Besim Brahimi.
8. I padituri Genci Shehu duke mos qenë dakord, me këtë urdhër, është ankuar në Komisionin e Shërbimit Civil dhe ka kërkuar shfuqizimin e këtij akti për lirimin nga detyra.
9. Komisioni i Shërbimit Civil, me vendimin nr.117, datë 20.07.2012 ka vendosur: “Pranimin e ankesës së z.Genci (Gjenci) Shehu. Shfuqizimin e Urdhërit nr.29, datë 11.06.2012 të Kryetarit të Këshillit të Qarkut Gjirokastër, për lirimin nga detyra të ankuesit. Anullimin e procedurave të konkurrimit për pozicionin e punës, Përgjegjës Sektori në sektorin e shërbimeve. Sistemimin e ankuesit në pozicionin e punës Përgjegjës Sektori në Sektorin e Shërbimeve dhe pagimin e pagës nga moment i ndërprerjes së marrëdhënieve financiare deri në zbatimin e këtij vendimi”.
10. Në vendimin nr.117, datë 20.07.2012 Komisioni i Shërbimit Civil ka arsyetuar se: Vendimi i ndërmarrë nga institucioni për të kthyer në punë nëpunësin që detyron gjykata është i drejtë por duke parë në tërësi procesin e ristrukturimit të këtij institucioni konstatojmë se lirimi i ankuesit nga detyra dhe zbatimi i vendimit të gjykatës nuk kanë lidhje me pozicionin e punës që ka patur ankuesi "Drejtor" në Drejtorinë e Shërbimeve dhe Emergjencave Civile pasi ky pozicion pune është suprimuar për shkak të ristrukturimit të institucionit. Nga ana e institucionit janë shpallur disa pozicione të lira pune gjë që nënkupton se ekziston mundësia e sistemimit të ankuesit i cili e ka fituar statusin e nëpunësit civil në rrugë ligjore por edhe e nëpunësit që është kthyer në detyrë nga gjykata me vendim të formës së prerë. Pozicioni i punës përgjegjës sektori në sektorin e shërbimeve është shpallur i lirë nga ana e institucionit ndërkohë që sipas kritereve që janë vendosur për këtë pozicion pune përgjegjës sektori specialist i nivelit të mesëm drejtues, kryen të gjitha detyrat që më parë i kryente ankuesi në pozicionin Drejtor. Pretendimi i ngritur se, në këtë pozicion pune është kthyer një punonjës me vendim gjykate, nuk qëndron pasi vendimi i gjykatës është për një pozicion pune specialist i nivelit të mesëm dhe jo përgjegjës sektori”.
11. Kundër këtij vendimi të Komisionit të Shërbimit Civil, ka paraqitur ankim në Gjykatën e Apelit Gjirokastër, Këshilli i Qarkut Gjirokastër, i cili pretendon se i padituri Genci Shehu nuk mund të sistemohej me lëvizje paralele pasi i padituri nuk mund të konsiderohet nënpunës civil, për shkak të vendimit të gjykatës me të cilin është vendosur kthimi në punë i shtetasit Besim Brahimi, ish punonjës në këtë detyrë. I padituri duhet të konkurronte si gjithkush në vend të lirë pune, shpallur në buletinin e datës 18.06.2012.
12. Gjykata e Apelit Gjirokastër me vendimin nr.5 datë 01.11.2012, ka vendosur: “Pranimin e padisë së Këshillit të Qarkut Gjirokastër. Anullimin e Vendimit nr.117, datë 20.07.2012 të Komisionit të Shërbimit Civil”.
12.1 Arsyetimi i Gjykatës: “Gjykata e Apelit vlerëson se shkaku për largimin nga puna të paditurit Genci Shehu ka qenë zbatimi i vendimit nr.01, datë 06.02.2008 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër me të cilin është urdhëruar kthimi në punë i shtetasit Besim Brahimi, pikërisht në atë detyrë, Drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve, në Këshillin e Qarkut Gjirokastër që ka qenë emëruar edhe i padituri. Ka rezultuar se i padituri G.Shehu ka filluar punë me urdhërin nr.38, datë 25.07.2007 por ky akt administrativ është konsideruar i pavlefshëm me vendimin nr.247, datë 07.12.2007 të Komisionit të Shërbimit Civil me të cilin është vendosur kthimi në funksionin e mëparshëm të shtetasit Besim Brahimi dhe paga që nga data e largimit të tij nga puna. Komisioni i Shërbimit Civil, ka pranuar se janë shpallur disa pozicione të lira pune dhe ekziston mundësia e punësimit të ankuesit i cili e ka fituar statusin e nëpunësit civil në rrugë ligjore. Ndryshe nga sa arsyeton ky komision, Gjykata e Apelit vlerëson se përfitimi i statusit të nëpunësit civil nga Genci Shehu është vlerësuar në kundërshtim me ligjin në kushtet kur me vendim gjyqësor është vendosur kthimi në këtë vend pune, të personit që ka qenë para të paditurit Genci Shehu i cili duhet të përfitonte edhe pagën që nga dita e largimit të tij. Gjykata e Apelit vlerëson se me miratimin e strukturës së re, të paditurit Genci Shehu i është dhënë e drejta për përfshirje direkt në konkurrim për vend të lire pune si dhe përfshirjen në listpritje për një afat kohor prej një viti. Paditësi Genci Shehu nuk ka pranuar të futet në këtë proces konkurimi për vend të lirë pune. Në kushte të tilla, i padituri Genci Shehu nuk mund të sistemohej në asnjë vend pune për të cilën ai vetë nuk ka pranuar të konkurrojë. Në analizë të shkaqeve të parashtruara në ankim nga Këshilli i Qarkut Gjirokastër dhe nga aktet që ndodhen në dosje, Gjykata e Apelit vlerëson se vendimi i Komsionit të Shërbimit Civil nr.117/2012, nuk është marrë në zbatim të drejtë të kërkesave të ligjit "Për nëpunësin Civil" dhe se shkaqet e parashtruara në ankimin kundër këtij vendimi, nga Këshilli i Qarkut gjenden të bazuara. Gjykata e Apelit vlerëson se ankimi i Këshillit të Qarkut duhet të pranohet dhe vendimi i Komisionit të Shërbimit Civil nr.117, datë 20.07.2012 duhet të anullohet duke u lënë në fuqi vendimi i Këshillit të Qarkut Gjirokastër për lirimin nga detyra të paditurit Genci Shehu”.
13. Kundër vendimit nr.5 datë 01.11.2012 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, i paditur Genci(Gjençi) Shehu, i cili kërkon prishjen e vendimit nr.05 datë 01.11.2012 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe lënien në fuqi të vendimit nr.117, datë 20.07.2012 të Komisionit të Shërbimit Civil, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
14. Ligji nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
14.1 Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
14.2 Neni 17/2: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
15. Ligji nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i Nëpunësit Civil”;
16. Kodi i Procedurës Civile,
16.1.Neni 467: “Gjykata e apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e dërgon çështjen për rigjykim kur:
a) gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën;
b) përbërja e trupit gjykues nuk ka qenë e rregullt apo vendimi nuk është nënshkruar nga anëtarët e tij;
c) gjykata ka vendosur pushimin e çështjes në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga ky Kod;
ç) çështja është gjykuar në mungesë të pjesëmarrësve në proces, pa pasur dijeni për ditën e gjykimit;
d) nuk është formuar drejt ndërgjyqësia;
e) kur mungojnë ose janë të pavlefshme padia, procesverbali gjyqësor, ankimi, si dhe çdo dokument tjetër që ka ndikuar në dhënien e vendimit.
ë) kur lind nevoja për marrjen e një prove vendimtare, marrja e së cilës është e vështirë në shkallë të dytë. ...”
17. Vendimi unifikues nr.3, datë 24.01.2007 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
18. Vendimi unifikues nr.1, datë 17.01.2011 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë;
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
19. Se rekursi i paraqitur nga paditësi Genci Shehu, përmban shkaqe ligjore që motivojnë cënimin e vendimit nr.5 datë 01.11.2012 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, me të cilin është ndryshuar vendimi nr.117, datë 20.07.2012 i Komisionit të Shërbimit Civil.
20. Kolegji Administrativ, pas shqyrtimit të akteve procedurale që ndodhen në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve të parashtruara në këto akte, vendimit të gjykatës dhe parashtrimeve të rekursit, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Gjirokastër është marrë në shkelje të ligjit procedural, në kushtet kur kjo gjykatë ka shkelur dispozitat ligjore për kompetencën dhe ndërgjyqësinë. Prandaj, për këtë motiv thelbësor, vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Gjirokastër duhet të prishet e çështja të dërgohet për gjykim pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
21. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të gjykatave të faktit.
22. Kolegji Administrativ konstaton se Gjykata e Apelit Gjirokastër nuk ka zbatuar drejtë dispozitat procedurale në lidhje me legjitimimin e palëve në proces dhe kompetencën tokësore si rezultat nuk e ka zgjidhur mosmarrëveshjen objekt gjykimi në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj.
23. Në analizë të akteve dhe provave të administruara në dosjen gjyqësore del e provuar se Këshilli i Qarkut Gjirokastër me padi i është drejtuar Gjykatës së Apelit Gjirokastër duke kundërshtuar vendimin nr.117 datë 20.07.2012 të Komisionit të Shërbimit Civil, Tiranë.
24. Gjykata e Apelit Gjirokastër, në përfundim të gjykimit ka vendosur të pranojë padinë e paditësit Këshilli i Qarkut Gjirokastër dhe të anullojë vendimin nr.117, datë 20.07.2012 të Komisionit të Shërbimit Civil.
25. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë pa i hyrë zgjidhjes në themel të çështjes konstaton se nga Gjykata e Apelit Gjirokastër janë lejuar shkelje të rënda të ligjit procedural që kanë lidhje me ndërgjyqësinë dhe kompetencën të cilat pasjellin zhvillimin e një procesi jo të rregullt ligjor.
26. Kolegji vlerëson se pikërisht përcaktimi i saktë i ndërgjyqësisë në një proces gjyqësor ka lidhje direkt si me zhvillimin e një procesi të rregullt gjithashtu dhe me ekzekutimin e vendimit. Referuar të drejtës sonë procedurale, që një proces ligjor të jetë i rregullt dhe i vlefshëm është mëse e domosdoshme që padia e paraqitur të jetë e rregullt në kuptimin formal dhe procedural.
27. Gjykata e Apelit Gjirokastër ka gabuar në përcaktimin e pozitës proceduriale të palëve ndërgjyqëse, referuar nenit 8/3 të ligjit 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”, dhe vendimit unifikues nr.3, datë 24.01.2007 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Gjykata, duhet të ketë në konsideratë se Këshilli i Qarkut Gjirokastër ka të drejtë të ushtrojë ankim kundër vendimit të Komisionit të Shërbimit Civil dhe kur e ushtron këtë të drejtë, sikurse është rasti konkret, palët në konflikt (palët ndërgjyqëse të gjykimit) do të mbeten po ato të momentit të krijimit të marrëdhënies juridike administrative-pra dhe të fillimit të procesit, pavarësisht nga instancat në të cilat kalon çështja. Në vendimin nr.3, datë 24.01.2007 Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë arrijnë në përfundimin unifikues se: “në rast ankimimi të vendimeve të Komisionit të Shërbimit Civil qoftë nga personi i interesuar në gjykatën e shkallës së parë, apo nga institucioni i administratës publike, në gjykatën e apelit, palët do të jenë po ato të fillimit të proçesit të zgjidhjes së mosmarrëveshjes, punëdhënësi dhe punëmarrësi”.
28. Nisur nga sa me sipër, pra nga objekti i gjykimit, akti që kundërshtohet në këtë gjykim, si dhe nga shkaku ligjor i kërkimeve të palës paditëse, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se në këtë proces pala paditëse Këshilli i Qarkut Gjirokastër nuk ka patur cilësinë e duhur proceduriale. Në rastin konkret paditës është Genci Shehu i cili ka vënë në lëvizje dhe ka iniciuar dhe procedurën përpara KSHC. Në zbatim të vendimit unifikues ky person duhet të rezultonte si paditës dhe në vendimin e Gjykatës së Apelit Gjirokastër.
29. Gjykata e Apelit Gjirokastër ka shkelur dhe dispozitat ligjore në lidhje me kompetencën e gjykatës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, pasi nuk ka qenë kompetente për të gjykuar çështjen. Në vendimin nr.1, datë 17.01.2011 Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë arrijnë në konkluzionin se: “Gjykata kompetente si nga pikëpamja territoriale, ashtu dhe nga pikëpamja lëndore për të marrë në shqyrtim ankimet që bëjnë institucionet e administratës qendrore dhe lokale kundër vendimeve të KSHC, është Gjykata e Apelit Tiranë, në territorin e së cilës është dhe KSHC”.
30. Në këto kushte Gjykata e Apelit Gjirokastër ka dhënë një vendim të pabazuar në ligj duke sjellë si pasojë zgjidhjen e çështjes nga gjykatat jo kompetente nga pikëpamja territoriale. Mosmarrëveshja sipas ligjit procedural në fuqi në kohën e shqyrtimit të mosmarrëveshjes, duhet të gjykohej nga Gjykata e Apelit Tiranë.
31. Për sa më sipër, Gjykata e Apelit Gjirokastër ka gabuar dhe vendimi i saj duhet të prishet pasi nga ana e kësaj gjykate nuk është zbatuar me korrektësi neni 467 i K.Pr.Civile, i cili në pikën “a dhe d“ parashikon se “Gjykata e Apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e dërgon çështjen për rigjykim kur: a) gjykata e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe kompetencën;..d) nuk është formuar drejt ndërgjyqësia...“.
32. Mbështetur sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin ne përfundimin se mosndërtimi i drejtë i ndërgjyqësisë dhe moskompetenca përbëjnë shkelje të rëndë procedurale, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në dhënien e vendimit. Gabimet në procedim, të cilat parashikohen në nenin 467/a dhe d të K.Pr.Civile dhe në nenin 54 të ligjit nr.49/2012, shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht, pikërisht për shkak të efektit të drejtpërdrejtë që ato kanë në vendimin e dhënë.
33. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson të theksojë se në çështjen objekt gjykimi, nuk mund të marrë në shqyrtim dhe të analizojë zbatimin e ligjit material, nëse ligji është zbatuar drejtë apo jo nga gjykatat e faktit.
34. Për sa më sipër, në kushtet kur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se Gjykata e Apelit Gjirokastër ka lejuar shkelje procedurale, e cila i bën të cenueshme vendimin e marr prej saj, çmon se ky vendim duhen prishur dhe çështja gjyqësore duhet dërguar për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
35. Në rigjykim është detyrim i gjykatës që në respektim të dispozitave të sipërcituara, të orientojë palët për të ndërtuar drejt ndërgjyqësinë sipas përcaktimeve të detyrueshme ligjore.
36. Në rishqyrtim, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, për një zgjidhje të drejtë të çështjes, në përputhje me ligjin material dhe procedural duhet t’u bëjë të qartë palëve që është detyrë e secilës prej tyre, të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet e tyre.
37. Kryerja e veprimeve si më sipër, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën qe të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive lidhur me zgjidhjen e çështjes objekt shqyrtimi.
38. Gjykata e Administrative e Apelit Tiranë është kompetente nga pikëpamja lëndore dhe tokësore për gjykimin e çështjes bazuar në vendimin unifikues nr.3, datë 06.12.2013 te Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe dekretin 7818, datë 16.11.2012.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.5, datë 01.11.2012 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 05.11.2015
Nr. 11243-00162-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3771 i Vendimit (593)
Do'stlaringiz bilan baham: |