VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga :
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Në datën 05.11.2015 mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit çështjen administrative me nr.11243-00162-00-2012 akti që ju përket palëve :
PADITËS: PRANVERA HYSI
TË PADITUR: ZYRA QENDRORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME TIRANË.
ZYRA VENDORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME SARANDË.
OBJEKTI :
Anullimin e urdhrit nr.623, datë 03.08.2011 të Zyrës Qëndrore të
Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si e pa bazuar në ligj.
Anullimin e urdhrit nr.730, datë 27.07.2011 të Zyrës Vendore
të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë si të pabazuar në ligj.
Detyrimin e palës së paditur të më regjistrojë lejen e shfrytëzimit
për Objektin “Lokal Shërbimi” në lagjen nr.3 Sarandë
që shoqërohen me shkresën nr.798 prot. datë 03.06.2011
të Drejtorisë Urbanistikës të Bashkisë Sarandë
dhe kontratën e shitblerjes nr.480 rep.368 kol. datë 30.10.2006.
Baza Ligjore: Ligji 7843/1994
“Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” i ndryshuar.
Nenet 83, 192, 196 të K.Civil,
nenet 32/a, 153, 154 të K.Pr.Civile.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, me vendimin nr.23-2011-2079 (1172), datë 14.10.2011 ka vendosur:
Pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë me nr.21259-01357-23-2011 i Regj.Them.datë 05.09.2011 regjistrimi të paditëses Pranvera Hysi.
Shfuqizimin e aktit administrativ, urdhërit nr.623, datë 03.08.2011 të Zyrës Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Detyrimin e të paditurës, Zyrës vendore të Regjistrimit të Pasurive të Pluajtshme Sarandë të regjistrojë në regjistrin hipotekor të pasurive të paluajtshme në pronësi të paditëses Pranvera Hysi, pasurinë:
Objektin: lokal shërbimi ndodhur në lagjen nr.3, Sarandë, përcjellë me shkresën nr.798, datë 03.06.2011 nga Bashkia Sarandë dhe truallin me sipërfaqe 50 m.2 të përfituar nga kontrata e shitjes, datë 30.10.2006, nr.480 rep.nr.368 kol.
Pushimin e gjykimit të çështjes për kërkimin: “Anullimin e urdhërit nr.730, datë 27.07.2011 të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë.
Shpenzimet gjyqësore lihen në ngarkim të palës së paditur.
Gjykata e Apelit Gjirokastër, me vendimin nr.557, datë 06.12.2011 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit civil nr.23-2011-2079 ( 1172) datë 14.10.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, ka ushtruar rekurs pala e paditur, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, e cila kërkon ndryshimin e këtij vendimi dhe vendimin nr.23-2011-2079 (1172), datë, 14.1.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe vendosjen e rrëzimiz të padisë, duke parashtruar këto shkaqe:
Nga verifikimi i dokumentacionit të depozituar rezulton se një nga aktet thelbësore për regjistrimin e një pasurie të fituar sipas ligjeve te Urbanistikës është kontrata e shitjes nr.480/368, datë 30.10.2006 e lidhur midis shitësit Bashkia Sarandë dhe paditëses Pranvera Hysi me objekt shitjen e një sipërfaqeje për ndërtim 50 m.2 ku rezulton se pala shitëse nuk figuron të jete pronare e pasurisë së sipërpërmëndur në regjistrat që administron ZVRPP Sarandë.
Fakti i mësipërm është konstatuar dhe gjatë kontrollit të ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit i cili ka lënë rekomandimet të detyrueshme për zbatim.
Në bazë të nenit 38 të ligjit 7843, datë 13.07.1994 “ Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” i ndryshuar, Udhëzimit nr.1, datë 31.01.2007 i KM, neni 4,5/ë,f,i dhe 6 të tij dhe nenit 3 të ligjit 7980, datë 27.07.1995 “ Për shitjen e trojeve” ZVRPP ka vendosur refuzimin e këekesës se paditlses pasi mungojnë mardhëniet ligjore të ndërtesës me truallin mbi të cilin ngrihet kjo ndërtesë.
Gjithashtu pranë ZVRPP është depozituar vendimi gjyqësor nr.23-2011-220, datë 01.02.2011 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë me të cilin është marrë masa e sigurimit të padisëËPezillim i punimeve të ndërtimit të paditëses Pranvera Hysi, vendim i cili është lënë në fuqi me vendimin nr.245, datë 24.05.2011 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër.Kjo masë është akoma në fuqi, pasi po zhvillohet gjykimi në themel.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Ardian Dvorani dhe diskutoi çështjen në tërësi në dhomën e këshillimit,
V Ë R E N
Me kontratën e shitblerjes nr.480 rep.nr.368 kol.datë 30.10.2006 pala paditëse ka blerë nga Bashkia Sarandë një truall me sipërfaqe 50 m.2 kundrejtë vlerës 30 000 lekë.
Me vendim të Këshillit të Rregullimit të Teritorit të Bashkisë Sarandë nr.3/26, datë 24.03.2011 për paditësen Pranvera Hysi është miratuar leja për shesh ndërtimi për ndërtimin e një lokal shërbimi. Po më këtë datë është dhënë dhe Leja për Ndërtim të objektit.
Nga ana e Drejtorisë Urbanistikës, pranë Bashkisë Sarandë, më datë 03.06.2011 është konfirmuar përfundimi i punimeve dhe po në këtë datë është dhënë leja për shfrytëzimin e objektit.
Pala paditëse me kërkesën nr.3562, datë 19.07.2011 i është drejtuar Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë me objekt:”Regjistrimin e objektit, lokal shërbimi”, ndodhur në lagjen nr.3, Sarandë.
Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë, me Urdhërin nr.623, datë 03.08.2011 ka urdhëruar: “Refuzimin e kërkesës së znj.Vera Teki Hysi, me objekt:”Regjistrimin e objektit “ lokal shërbimi”, i ndodhur në lagjen nr.3, Sarandë”.
Pala paditëse duke mos qënë dakort me Urdhërin e ZVRPP Sarandë e ka ankimuar në ZQRPP Tiranë e cila me Urdhërin nr.623, datë 03.08.2011 ka urdhëruar:
“Refuzimin e kërkesës së znj.Vera Teki Hysi, me objekt:”Regjistrimin e objektit “ lokal shërbimi”, i ndodhur në lagjen nr.3, Sarandë”.
Në rrethana të tilla, paditësja Pranvera Hysi, ka ngitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë padi me shkak ligjor dhe objekt anullimin e akteve administrative, urdhërit nr.730, datë 27.07.2011 të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë dhe urdhërit nr.623, datë 03.08.2011 të Zyrës Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, si dhe detyrimin e palës së paditur ZVRPP Sarandë të kryej regjistrimin e objektit “Lokal Shërbimi “ të ngritur në lagjen nr.3 të qytetit të Sarandës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, pas shqyrtimit të të çështjes, ka vendosur pranimin e pjesshëm të padisë, ku për kërkimin për anullimin e urdhërit nr.730, datë 27.07.2011 të ZVRPP Sarandë ka vendosur pushimin e gjykimit.
Gjykata e Apelit Gjirokastër, e vënë në lëvizje vetëm mbi ankimin e palës së paditur ZVRPP Sarandë, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, duke konfirmuar arsyetimet e parashtruara në vendimin e dhënë nga kjo gjykatë.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, pala e paditur Zyra Qëndrore e Regjistrimit të Pasurive Tiranë ka paraqitur rekurs në Gjykatë të Lartë, ku në thelb pretendohet se gjykatat kanë gabuar në zbatimin e ligjit, pasi bie ndesh me nenin 193/h dhe 195 të K.Civil si dhe nenin 9 të ligjit nr.7843/1994 “Për regjistrimin e pasurive të Paluajtshme”.Kontrata e shitjes e lidhur midis palës shitëse, Bashkia Sarandë dhe paditëses Pranvera Hysi për shitjen e truallit për ndërtim 50 m.2 rezulton që pala shitëse të mos jetë pronare e pasurisë së sipërpërmëndur në regjistrat e ZVRPP Sarandë, fakt i konstatuar dhe nga një kontroll i ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.Në këtë mënyrë mungojnë mardhëniet ligjore ndërmjet objektit që është realizuar me leje të rregulltë ndërtimi me sipërfaqen e truallit ku është ngritur ky objekt.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në dhomë këshillimi, para se të shqyrtonte shkaqet e ngritura në rekursin e palës së paditur ZQRPP Tiranë, në përmbushje të detyrës së saj si gjykatë ligji, kryesisht, verifikoi aktet proceduriale që gjënden në dosjen gjyqësore, nga ku konstatoi se gjykimi si në shkallë të parë dhe atë të apelit është zhvilluar në shkelje të rëndë të normave proceduriale.Prandaj, është vëndi që vendimet e dhëna nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe Gjykata e Apelit Gjirokastër të prishen dhe çështja të rishqyrtohet nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër.
Ky Kolegj, vëren se me anë të padisë, paditësja Pranvera Hysi, ka kërkuar që palët e paditura ZVRPP Sarandë dhe ZQRPP Tiranë të detyrohen të kryejnë regjistrimin e pasurisë së paluajtshme, të objektit që ajo ka ndërtuar si dhe sipërfaqen e truallit mbi të cilin është ngritur.Mirëpo ky regjistrim është refuzuar nga palët e paditura me arsyetimin se shitja e truallit është kryer në kundërshtim me ligjin nga Bashkia Sarandë, e cila nuk figuronte që të ishte pronare e këtij trualli në ZVRPP Sarandë.
Në rrethana të tilla, mosmarrëveshja e krijuar midis paditëses, Bashkisë Sarandë dhe ZVRPP Sarandë nuk është e lidhur vetëm me të drejta subjektive dhe interesa midis subjekteve privat, por me pretendime që kërkojnë realizimin e tyre kundrejtë shtetit dhe nëpërmjet organeve shtetrore, pra është i dukshëm interesi që ka shteti për të mbrojtur në këtë gjykim.
Mirëpo, Gjykata e Rrethit Gjyqësor dhe ajo e apelit kanë shkelur në mënyrë flagrante ligjin procedurial, duke mos i,u garantuar palëve të paditura, si organe administrative mbrojtjen e interesave të shtetit sipas kushteve dhe mënyrës që parashikon shprehimisht ligji.
Në nenin 79/a të Kodit të Procedurës Civile thuhet: ”Avokatura e Shtetit ushtron përfaqësimin në rastet e parashikuara me ligj.Gjykata, që shqyrton çështje për të cilat me ligj përfaqësimi dhe mbrojtja kryhet nga avokatura e Shtetit, urdhëron njoftimin e akteve kësaj të fundit, me qëllim që ajo të ket mundësi të marrë pjesë në gjykim”.
Një interpretim të ligjit kanë bërë edhe Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ku midis të tjerave, në vendimin unifikues nr.13, datë 23.03.2004 janë shprehur se: “...Nga përmbajtja e kësaj dispozite( nenit 79/a të K.Pr.Civile), del se, kur shqyrton çështje për të cilat përfaqësimi dhe mbrojtja kryhet nga Avokatura e Shtetit, gjykata është e detyruar që të urdhërojë njoftimin e akteve kësaj të fundit.Vetëm këtu mund t,i krijohet mundësia reale Avokaturës së Shtetit që të marrë pjesë në gjykim me qëllim përfaqësimi dhe mbrojtje të interesave të shtetit, në rastet e parashikuara nga ligji...”
Sa më sipër, ky Kolegj, në dhomë këshillimi, arrin në përfundimin se vendimi i Gjykatës Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe vendimi i Gjykatës së Apelit Gjirokastër, duhen prishur dhe çështja duhet të dërgohet për vazhdimin e gjykimit në Gjykatën Administrative të Shkallës Parë Gjirokastër, si gjykatë kompetente nga pikëpamja lëndore, bazuar në ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “ Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”,
PËR KËTO ARSYE
Kolegji administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 gërma “ d “ të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 “ Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.557, datë 06.12.2011 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe të vendimit nr.23-2011-2079 (1172), datë 14.10.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Shkallës Parë Gjirokastër.
Tiranë, më 05.11.2015
Nr. 31001-00384-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 3779 i Vendimit (594)
Do'stlaringiz bilan baham: |