PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63 të Ligjit nr.49, datë 03.05.2012 të “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”.
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.423, datë 03.03.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit, dhe dërgimin e çështjes në po atë gjykatë për vazhdimin e gjykimit.
Tiranë, më 12.11.2015
Nr. 11241-00071-00-2013 i Regj.Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 3854 i Vendimit (613)
VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Ardian Dvorani Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Evelina Qirjako Anëtare
Andi Çeliku Anëtar
Medi Bici Anëtar
Në datën 17.11.2015 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen administrative me nr.11241-00071-00-2013 akti që iu përket palëve ndërgjyqëse:
PADITËS: ARJAN ENGJËLLI, në mungesë.
I PADITUR: ZYRA QENDRORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME TIRANË, në mungesë.
ZYRA E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME KRUJË, në mungesë.
OBJEKTI:
Konstatimin e pavlefshmërisë dhe anullimin e vendimit
nr.493, datë 20.06.2011 të Zyrës Qendrore të Regjistrimit
të Pasurive të Paluajtshme Krujë "për lirim nga detyra".
Detyrimin e palës së paditur të me dëmshpërbleje për zgjidhje
të kontratës së punës pa shkaqe të justifikuara, në masën e një viti page,
shpërblim për vjetërsi në pune të llogaritur për çdo vit pune të punuar
pranë palës së paditur për periudhën nga 15.02.2008 deri me datë 20.06.2011
si dhe shpërblimin në masën e dy muajve page për mosrespektim të afatit të njoftimit.
Baza Ligjore: Nenet 31, 43/2 dhe 153 e vijues të K.Pr.Civile
dhe nenet 144, 145, 152, 153, 155/3 të Kodit Punës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, me vendimin nr.174, datë 06.04.2012 ka vendosur:
Pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë.
Detyrimin e palëve të paditura Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë të dëmshpërblejnë paditësin Arjan Engjëlli me 8 (tetë) paga mujore (sipas pagës në përfundim të marrëdhënies se punës) për shkak të zgjidhjes se menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës.
Detyrimin e palëve të paditura Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë të dëmshpërblejnë paditësin Arjan Engjëlli me 2 (dy) paga mujore (sipas pagës në përfundim të marrëdhënieve të punës) për shkak të mosrespektimit të procedurës se largimit nga puna.
Detyrimin e palëve të paditura Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë të dëmshpërblejë paditësin Arjan Engjëlli me 1.5 (një pikë pesë) paga mujore për vjetërsinë në punë (sipas pagës në përfundim të marrëdhënieve të punës).
Rrëzimin e padisë për pjesën tjetër.
Gjykata e Apelit Tiranë, me të njëjtin arsyetim me vendimin nr.2669, datë 14.11.2012, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.174, datë 06.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.
Ndaj vendimit të sipërcituar rezulton të ketë paraqitur rekurs pala e paditur ZQRPP Tiranë, e cila kërkon:
Ndryshimin e vendimit nr.174, datë 06.04.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, dhe të vendimit nr.2669, datë 14.11.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë, dhe rrëzimin e kërkesëpadisë.
Shkaqet që pala e paditur ZQRPP Tiranë paraqet në rekurs janë:
-
Ndryshe sa pretendon pala paditëse, jemi përpara njërës mënyrë të zgjidhjes së kontratës që parashikon ligji, dhe konkretisht mënyrës së jashtëzakonshme të saj që quhet zgjidhje e kontratës me efekt të menjëhershëm me shkaqe të justifikuara.
-
Ne interpretim të dispozitës 141 të K.Punës, në rastin konkret, kur punëdhënësi e zgjidh në mënyrë të njëanshme kontratën e punës me afat të pacaktuar, punëmarrësi jo në mënyrë të domosdoshme ka të drejte të përfitoje edhe dëmshpërblimin deri në një vit page.
-
Rezulton se lirimi i paditësit nga puna është kryer duke u bazuar në nenin 3 të ligjit nr.7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, si dhe të raportit të kontrollit dhjetor 2010 të Sektorit Kontrollit Tekniko-Ligjor pranë ZQRPP Tiranë.
-
Në përfundim të këtij raporti, për disa punonjës janë propozuar masa dhe për paditësin është propozuar ndërprerja e marrëdhënieve të punës, për shkak se nga kontrolli i ushtruar janë konstatuar shkelje të kryera gjate ushtrimit të detyrës. Për shkeljet e përmendura në raport mbajnë përgjegjësi paditësi dhe personat e tjerë të përmendur në raport dhe këto shkelje përbejnë shkaqe të justifikuara për palën e paditur.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Medi Bici dhe e diskutoi çështjen në tërësi në seancë gjyqësore,
V Ë R E N
Rekursi i paraqitur nga pala e paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë përmban shkaqe nga ato që i parashikon ligji.
Sipas vendimit të dhënë nga gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit, për sa i përket rrethanave të faktit, rezulton se paditësi Arjan Engjëlli, me urdhrin nr.58 date 31.01.2008 të Kryeregjistruesit, është punësuar pranë palës së paditur Zyra e Regjistrimit te Pasurive te Paluajtshme Krujë në detyrën e specialistit të sektorit të regjistrimit dhe hartografisë. Lidhja e kontratës së punës me afat të pacaktuar ndërmjet palës së paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe paditësit Arjan Engjëlli është konfirmuar me nënshkrimin e saj në datën 15.02.2008.
Me urdhrin nr.1026 datë 30.12.2009 të Kryeregjistruesit të palës së paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, paditësi Arjan Engjëlli është komanduar për të ushtruar detyrën e përgjegjësit të sektorit të regjistrimit dhe hartografisë.
Mbështetur në gjetjet dhe konstatimet e shkeljeve ligjore në veprimtarinë e paditësit Arjan Engjëlli, të paraqitura në Raportin e Kontrollit të kryer në muajin dhjetor të vitit 2010 nga Sektori i Kontrollit Tekniko-Ligjor, Kryeregjistruesi i palës së paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, me urdhrin nr.493 datë 30.12.2009, ka disponuar zgjidhjen e njëanshme të menjëhershme të kontratës së punës me paditësin Arjan Engjëlli, duke e larguar nga detyra.
Në rrethana të tilla, paditësi Arjan Engjëlli i është drejtuar me padi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, me shkak ligjor dhe objekt konstatimin e pavlefshmërisë dhe anulimin e Urdhrit nr.493, datë 20.06.2011 të palës së paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë për lirimin e tij nga detyra, si edhe detyrimin e palës së paditur ta dëmshpërbleje me pagën e një viti për zgjidhjen e kontratës së punës pa shkaqe të justifikuara, me pagën e dy muajve për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës dhe me shpërblimin për vjetërsinë në punë për periudhën e punësimit nga data 15.02.2008 deri në datën 20.06.2011.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, me vendimin nr.174 datë 06.04.2012, ka vendosur pranim pjesërisht të padisë, duke i detyruar palët e paditura Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë të dëmshpërblejnë paditësin Arjan Engjëlli me 8 (tete) paga mujore (sipas pagës në përfundim të marrëdhënies së punës) për shkak të zgjidhjes së menjëhershme e të pajustifikuar të kontratës së punës, me 2 (dy) paga mujore për shkak të mosrespektimit të procedurës së largimit nga puna, si edhe ta dëmshpërblejnë me 1.5 (një pikë pesë) paga mujore për vjetërsinë në pune, duke e rrezuar padinë për pjesën tjetër.
Kjo gjykatë, në thelb, arsyeton se procedura e zgjidhjes së kontratës së punës nuk është respektuar në kushtet kur nga gjykimi nuk rezulton që pala e paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë (në cilësinë e punëdhënësit) të ketë njoftuar paditësin Arjan Engjëlli (punëmarrësin) për takimin dhe bisedimin për vazhdimësinë e marrëdhënies së punës. Në këto kushte, paditësi Arjan Engjëlli legjitimohet në kërkimin e tij për dëmshpërblimin me 2 (dy) paga mujore për mosrespektim të procedurës së zgjidhjes së kontratës, sipas nenit 144 të Kodit të Punës.
Nga ana tjetër, për zgjidhjen e kontratës së punës, punëdhënësi duhet të respektoje edhe afatin e njoftimit sipas nenit 143 të Kodit të Punës. Paditësi Arjan Engjëlli ka punuar pranë palës së paditur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë për një periudhe mbi tre vjet dhe, për këtë shkak, për zgjidhjen e kontratës së punës duhet të respektohej afati i njoftimit. Në këto rrethana, zgjidhja e kontratës së punës konsiderohet si zgjidhje e menjëhershme e saj.
Gjithashtu, për tu pranuar se zgjidhja e kontratës së punës është bërë për shkaqe të justifikuara, duhet të përmbushen kushtet e parashikuara nga neni 153, pikat 2 dhe 3, të Kodit të Punës. Pra duhet të provohet se punëmarrësi ka shkelur një detyrim kontraktual, me faj të rëndë apo me faj të lehtë e në mënyrë të përsëritur, shkelje të cilat kanë cenuar raportin e besimit midis palëve.
Në vijim gjykata arsyeton se nga gjykimi ka rezultuar e provuar që paditësi Arjan Engjëlli nuk ka kryer shkelje të rëndë apo shkelje të lehta të përsëritura në kryerjen e detyrave që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, prandaj edhe zgjidhja e kontratës së punës është bërë për shkaqe të pajustifikuara. Pala e paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë ka ushtruar kontroll me objekt zbatimin e ligjshmërisë dhe të procedurave të miratuara për regjistrimin e pasurive të paluajtshme nga pala e paditur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë, për periudhën Janar 2007 - Dhjetor 2010. Nga ky kontroll janë evidentuar shumë shkelje lidhur me procedurat e mbajtjes së arkivit, kryerje të regjistrimeve të parregullta si pasojë e gabimeve materiale etj., duke mos pasqyruar saktë sipërfaqen e pasurive, mosvendosje të trashëgimtarëve në titullin e pronësisë e të tjera shkelje, një pjesë e të cilave janë rregulluar pas kontrollit dhe nuk kanë sjellë pasoja të rënda mbivendosjeje ose regjistrime nga persona jo pronarë. Në të tilla rrethana, nuk rezulton që paditësi Arjan Engjëlli të ketë kryer shkelje të tilla që të justifikojnë masën ekstreme të zgjidhjes së kontratës së punës e në mënyrë të menjëhershme.
Kundër vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, pala e paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka paraqitur ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë, duke parashtruar shkaqe konkrete mbi pabazueshmërinë në tërësi, në prova dhe në ligjin procedural e material, të vendimit të gjykatës së shkallës së parë.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2669 datë 14.11.2012, pasi ka shqyrtuar çështjen, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.174 datë 06.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.
Gjykata e Apelit Tiranë, në thelb, ka parashtruar në vendimin e saj të njëjtat argumente dhe përfundime mbi faktin e ligjin, sikurse gjykata e shkallës së parë.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, pala e paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë.
Në thelb, në rekurs parashtrohet se gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit kanë gabuar në zbatimin e ligjit për zgjidhjen e drejtë të çështjes. Zgjidhja e kontratës së punës është kryer bazuar në shkaqe ligjore dhe në një njërën nga mënyrat e parashikuara nga Kodi i Punës, sikurse është zgjidhja e kontratës së punës me efekt të menjëhershëm për shkaqe të justifikuara. Ky veprim është i bazuar në Kodin e Punës dhe në nenet 3 e vijues të ligjit nr.7843/1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, nisur nga shkeljet e konstatuara sipas raportit te kontrollit tekniko-ligjor, të hartuar në muajin dhjetor të vitit 2010, nga sektori i kontrollit tekniko-ligjor pranë palës së paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë mbi veprimtarinë e palës së paditur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë. Sipas këtij raporti kontrolli janë propozuar edhe masat disiplinore për punonjësit e palës së paditur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë, për shkak se nga kontrolli i ushtruar janë konstatuar shumë shkelje në ushtrimin e detyrës prej tyre. Për paditësin Arjan Engjëlli është propozuar zgjidhja e kontratës së punës nisur nga përgjegjësia e tij për shkeljet e kryera në ushtrimin e detyrës.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, lidhur me zbatimin e ligjit nga gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit, rekursi i palës së paditur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë përmban shkaqe të tilla që i bëjnë të cenueshme vendimet gjyqësore të dhëna prej tyre për zgjidhjen e çështjes objekt i këtij gjykimi.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vëren se gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit, nga njëra anë, pranojnë se në veprimtarinë e paditësit Arjan Engjëlli janë konstatuar një numër shkeljesh të ligjit dhe akteve nënligjore. Megjithatë,nga ana tjetër, këto gjykata konkludojnë se ato nuk janë shkelje të tilla që të justifikojnë masën ekstreme të zgjidhjes së kontratës së punës e në mënyrë të menjëhershme.
Gjykatat pranojnë të vërtetuar edhe se pala e paditur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë i ka pranuar shkeljet, si edhe identifikimin e paditësit Arjan Engjëlli si përgjegjës për veprimet e parregullta të kryera prej tij, madje duke mbajtur qëndrimin se janë marrë e po merren masat për korrigjimin e tyre.
Kolegji Administrativ, si gjykatë ligji, vlerëson se shkeljet e evidentuara në kryerjen e detyrës nga ana e paditësit Arjan Engjëlli, nisur nga natyra dhe shkalla e rëndesës së këtyre shkeljeve të legjislacionit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, Kodit Civil etj., nuk mund të konsiderohen si shkelje të kryera “me faj të lehtë“ në interpretim dhe zbatim të drejtë ligjit, e veçanërisht të nenit 153 të Kodit të Punës.
Nga Raporti i Kontrollit i kryer nga Sektori i Kontrollit Tekniko-Ligjor pranë palës së paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, i administruar dhe debatuar në gjykim, rezulton se paditësi Arjan Engjëlli, në ushtrimin detyrës së tij të specialistit pranë palës së paditur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë, nuk ka përmbushur detyrën, duke shkelur dispozitat ligjore në fuqi, si edhe rregullat e hollësishme nënligjore lidhur me rastet, procedurën dhe mënyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme duke kryer dhjetëra shkelje në praktikat e trajtuara dhe të përfunduara prej tij, të tilla si:
- Regjistrime të gabuara të pasurive të paluajtshme në favor vetëm të disa bashkëpronarëve në kundërshtim me dokumentacionin tekniko-ligjor të administruar dhe duke cenuar të drejtat e bashkëpronarëve të tjerë;
- Regjistrime të gabuara të sipërfaqeve ndërtimore, me mungesa dhe mangësi të dokumentacionit teknik e ligjor mbi pronësinë për të mbështetur veprimet e regjistrimit të ndërtesave në regjistër;
- Pranime të praktikave dhe procedime me veprime e regjistrime të pasurive të paluajtshme mbi dokumentacion të mangët apo të parregullt nga pikëpamja teknike dhe ligjore;
- Kryerje të veprimeve të “riregjistrimit” të pasurive të paluajtshme, të pajustifikuara ligjërisht, ndërkohë që këto veprime janë realizuar pa miratim e regjistruesit;
- Kryerje e veprimeve të regjistrimit të pasurive të paluajtshme ndërtesa pa verifikuar dhe vërtetuar marrëdhënien juridike me truallin;
- Regjistrime të objekteve polifunksionale, objekteve të banimit etj. në kundërshtim me kushtet dhe procedurat e parashikuar nga ligji për këto lloje të pasurive të paluajtshme e të tjera shkelje.
Kolegji Administrativ, si gjykatë ligji, vlerëson se shkelje të kësaj natyre, aq më tepër të ndodhura në një numër shumë të madh praktikash pune të paditësit Arjan Engjëlli, në interpretim dhe zbatim të drejtë të ligjit, përbëjnë në tërësi shkelje të rëndë të detyrimit kontraktual nga ana e tij, për të cilat, punëdhënësi, pala e paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, në ushtrim të kompetencës dhe diskrecionit që i ka dhënë vetë neni 153 i Kodi i Punës, me të drejtë ka vlerësuar se janë të tilla “që nuk lejojnë, sipas parimit të mirëbesimit, t'i kërkohet atij që ka zgjidhur kontratën, vazhdimin e marrëdhënieve të punës”.
Për këto arsye, Kolegji Administrativ vlerëson se gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit kanë zbatuar gabim ligjin material kur arsyetojnë se nuk jemi përpara shkeljeve të rënda në përmbushjen e detyrimit kontraktor nga ana e paditësit Arjan Engjëlli, duke e konsideruar si të pajustifikuar zgjidhjen e njëanshme dhe të menjëhershme të kontratës së punës nga pala e paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.
Prandaj, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vjen në përfundimin se vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë duhet të ndryshohet pjesërisht për shkak se është dhënë në zbatim të gabuar të ligjit procedural dhe material. Padia duhet të rrëzohet në të gjitha kërkimet e saj, me përjashtim të kërkimit të dëmshpërblimit me 2 (dy) paga mujore për mosrespektim të procedurës së bisedimit për zgjidhjen e kontratës së punës të parashikuar nga neni 144 i Kodit të Punës. Pavarësisht ekzistencës së shkaqeve të arsyeshme apo shkaqeve të justifikuara, procedura e parashikuar nga kjo dispozitë e Kodit të Punës duhet të respektohet nga punëdhënësi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në mbështetje të shkronjës “dh” dhe “e” të nenit 63 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I:
Lënien në fuqi të vendimit nr.2669 datë 14.11.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë për sa i përket pranimit të padisë dhe detyrimit të palës së paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe palës së paditur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë të dëmshpërblejnë paditësin Arjan Engjëlli me 2 (dy) paga mujore (sipas pagës në përfundim të marrëdhënieve të punës) për shkak të mosrespektimit të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës.
Ndryshimin e vendimin nr.174 datë 06.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe të vendimit nr.2669 datë 14.11.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë duke rrëzuar padinë për kërkimet e tjera.
Tiranë, më 17.11.2015
MENDIM PAKICE
Unë gjyqtari Medi BICI jam pjesërisht kundër vendimit nr.613, datë 17.11.2015 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, që i përket çështjes administrative nr.00071/2013 me palë: paditës Arjan Engjëlli dhe të paditur ZQRPP Tiranë e ZVRPP Krujë, me objekt shpërblim dëmi si pasojë e zgjidhjes së menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës nga punëdhënësi, etj, prandaj në përputhje me nenin 307/2 të K.Pr.Civile paraqes me shkrim mendimin tim kundër që ti bashkëngjitet vendimit të mësipërm.
Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes në Gjykatën e Lartë ka rezultuar si më poshtë:
Paditësi Arjan Engjëlli është komanduar pranë palës së paditur Zyra Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë në detyrën e specialist në sektorin e regjistrimit e hartografisë sipas Urdhrit nr.58, datë 31.01.2008 të Kryeregjistruesit, i cili është formalizuar me kontratën e punës së datës 15.02.2008.
Me Urdhrin nr.1026, datë 30.12.2009, paditësi është komanduar në detyrën e përgjegjësit të sektorit të regjistrimit dhe hartografisë, të cilën e ka kryer deri me datë 20.06.2011 kur ka dalë Urdhëri nr.493, për lirimin e tij nga detyra, në përputhje me nenin 3 të ligjit nr.7843, datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar, si dhe të raportin e kontrollit, dhjetor 2010 të sektorit kontrollit tekniko-ligjor të regjistrimit, pranë ZQRPP Tiranë.
Shkak për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës ka qenë fakti se emri i paditësit është përmendur në raportin e kontrollit për një numër të madh të praktikave, të cilat sipas palës së paditur bien ndesh me kërkesat e ligjit nr.7843, datë 13.071994, VKM-së nr.1025, datë 09.07.2008, Udhëzimit nr.1, datë 31.01.2007, Urdhrit nr.1031, datë 09.09.2008 dhe Rregullores nr.184, datë 08.04.1999.
Duke pretenduar se zgjidhja e marrëdhënieve të punës ka qenë e menjëhershme dhe e pajustifikuar nga punëdhënësi, pala paditëse i është drejtuar me kërkesëpadi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, e cila me vendimin nr.174, datë 06.04.2012 ka vendosur:
Pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë.
Detyrimin e palëve të paditura Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë të dëmshpërblejnë paditësin Arjan Engjëlli me 8 (tetë) paga mujore (sipas pagës në përfundim të marrëdhënies se punës) për shkak të zgjidhjes se menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës.
Detyrimin e palëve të paditura Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë të dëmshpërblejnë paditësin Arjan Engjëlli me 2 (dy) paga mujore (sipas pagës në përfundim të marrëdhënieve të punës) për shkak të mosrespektimit të procedurës se largimit nga puna.
Detyrimin e palëve të paditura Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë të dëmshpërblejë paditësin Arjan Engjëlli me 1.5 (një pikë pesë) paga mujore për vjetërsinë në punë (sipas pagës në përfundim të marrëdhënieve të punës).
Rrëzimin e padisë për pjesën tjetër.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2669, datë 14.11.2012, ka vendosur: Lënien në fuqi të vendimit nr.174, datë 06.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë. Me rekursin e palës së paditur ZQRPP Tiranë çështja është shqyrtuar nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i cili me vendimin nr.613, datë 17.11.2015 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.2669, datë 14.11.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, përsa i përket pranimit të padisë dhe detyrimin e palës së paditur Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe palës së paditur Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë të dëmshpërblejnë paditësin Arjan Engjëlli me 2 (dy) paga mujore (sipas pagës në përfundim të marrëdhënieve të punës) për shkak të mosrespektimit të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës.
Ndryshimin e vendimin nr.174, datë 06.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe vendimit nr.2669, datë 14.11.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, duke rrëzuar padinë për kërkimet e tjera.
Përsa i përket moszbatimit të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës nga punëdhënësi, e parashikuar nga neni 144 i Kodit Punës dhe mosrespektimit të afatit të njoftimit sipas nenit 143 të Kodit Punës, pakica është e të njëjtit mendim me shumicën, pasi pala e paditur në zgjidhjen e kësaj kontrate pune nuk ka zbatuar procedurën e zgjidhjes së saj dhe afatin e njoftimit, i cili ka qenë dy muaj, pasi paditësi ka mbi tre vjet punë pranë palës së paditur, prandaj zgjidhja e kësaj kontrate duhet të konsiderohet si zgjidhje e menjëhershme e kontratës së punës.
Pakica ndahet nga shumica në pjesën që kjo zgjidhje e menjëhershme e kontratës së punës nga punëdhënësi është bërë për shkaqe të arsyeshme, sipas parashikimeve të nenit 153 të Kodit Punës, apo ajo është një zgjidhje e menjëhershme, e pajustifikuar e kontratës së punës nga punëdhënësi, e parashikuar nga neni 155 i Kodit Punës.
Në vendim shumica arsyeton se: Kolegji Administrativ, si gjykatë ligji, vlerëson se shkeljet e evidentuara në kryerjen e detyrës nga ana e paditësit Arjan Engjëlli, nisur nga natyra dhe shkalla e rëndesës së këtyre shkeljeve të legjislacionit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, Kodit Civil, etj., nuk mund të konsiderohen si shkelje të kryera “me faj të lehtë“ në interpretim dhe zbatim të drejtë ligjit, e veçanërisht të nenit 153 të Kodit Punës.
Këtë përfundim të arritur nga ana e shumicës, pakica e konsideron të pabazuar në ligj, pasi në vendim nuk përmendet asnjë rast i cili të jetë kryer me faj të rëndë nga paditësi, por flitet në përgjithësi, sipas parimit “disa shkelje të lehta bëjnë një të rëndë”, sepse për disa nga shkeljet e konstatuara, gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e apelit kanë arritur në përfundimin se ka patur edhe gabime materiale, prandaj këto gabime materiale kurrsesi nuk mund të konsiderohen si veprime të kryera me faj të rëndë nga ana e punëmarrësit. Ligji nuk i jep definicionet e shkeljeve të disiplinës në punë me faj të rëndë, ose të lehtë të punëmarrësit, por gjithsesi këto shkelje si rregull kërkojnë medeomos dashjen, ose qëndrimin e pakujdesshëm në detyrë të punëmarrësit.
E parë në këtë këndvështrim, pakica vlerëson se shkeljet e kryera nga paditësi Arjan Engjëlli duhen konsideruar si shkelje të lehta të disiplinës në punë nga punëmarrësi, pasi nga këto shkelje nuk kanë ardhur pasoja të rënda. Gjithashtu ka rezultuar që këto shkelje janë të përsëritura, por ky shkak nuk është i mjaftueshëm në mënyrë që ti japë të drejtë punëdhënësit për të bërë zgjidhjen e menjëhershme dhe të justifikuar të kontratës së punës, sipas nenit 153 të Kodit Punës, sepse është e domosdoshme që krahas shkeljes së lehtë të disiplinës në punë, punëmarrësi të ketë kryer më parë të paktën edhe një shkelje tjetër me faj të lehtë të disiplinës në punë dhe për këtë shkelje punëdhënësi duhet ti kishte dhënë vërejtje me shkrim, gjë e cila në dosje nuk ekziston.
Duke u ndodhur në këto rrethana pakica arrin në përfundimin se me të drejtë gjykata e shkallës së parë dhe ajo e apelit e kanë konsideruar zgjidhjen e kontratës së punës nga pala e paditur si një zgjidhje të menjëhershme e të pajustifikuar të kontratës së punës të bërë nga punëdhënësi, parashikuar nga neni 155 i Kodit Punës, prandaj vendimi i gjykatës së apelit duke qenë një vendim i bazuar në ligj duhej të lihej në fuqi nga Kolegji Administrativ.
Për këto që u thanë më sipër, pakica vlerëson se vendimi nr.613, datë 17.11.2015 i Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë në pjesën që ndryshon vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe vendimin e gjykatës së apelit, duke rrëzuar kërkesëpadinë është i pabazuar në ligj, prandaj për këtë pjesë vota ime është kundër tij.
Medi Bici
Nr. 31001-01999-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3905 i Vendimit (614)
Do'stlaringiz bilan baham: |