VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Aleksandër Muskaj Kryesues
Mirela Fana Anëtare
Admir Thanza Anëtar
në datën 12.11.2015, mori në shqyrtim në seancën gjyqësore çështjen civile nr.11241-00935-00-2012 Regj. Themeltar, që i përket palëve:
PADITËS: ESAT CAKA, (në mungesë).
E PADITUR: “ÇEZ SHPËRNDARJE” SH.A TIRANË. (në mungesë).
OBJEKTI:
Dëmshpërblim për zgjidhje të menjëhershme,
pa shkaqe të justifikuara të kontratës së punës.
Baza Ligjore: Neni 141, 143,144, 145, 153, 155 të Kodit të Punës.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, me vendimin nr.322 (539) datë 04.04.2011 ka vendosur:
“1. Të pranojë pjesërisht kërkesë-padinë me nr.59/674 Akti, me palë paditës Esat Caka dhe palë të paditur ÇEZ Shpërndarje sh.a.
2. Të detyrojë palën e paditur ÇEZ Shpërndarja sh.a të paguajë pagën palës paditëse Esat Caka nga data 05.07.2010 deri në datë 31.07.2010, si zbatim i afateve të njoftimit për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së punës, në zbatim të nenit 143 të Kodit të Punës për përfundimin e marrëdhënieve të punës.
3. Të detyrojë palën e paditur ÇEZ Shpërndarje sh.a të dëmshpërblejë palën paditëse Esat Caka me 12 paga mujore (neto) për zgjidhjen e kontratës së punës pa shkaqe të justifikuara.
4. Të detyrojë palën e paditur ÇEZ Shpërndarja sh.a të dëmshpërblejë
palën paditëse Esat Caka me 3-pesëmbëdhjetë ditësh pagë (neto) për vjetërsinë në punë.
5. Rrëzimin e padisë për pjesën tjetër të kërkimit si të pambështetur në ligj dhe në prova.
6. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës së paditur”.
Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.31 datë 17.01.2012 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.322 (539) dt. 04.04.2011 të Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë.”
Kundër vendimit nr.31 datë 17.01.2012 të Gjykatës së Apelit ka ushtruar rekurs pala e paditur “ÇEZ Shpërndarje” sh.a Tiranë, e cila kërkon prishjen e vendimeve dhe pushimin e gjykimit të çështjes, duke parashtruar këto shkaqe:
- Zgjidhja e kontratës së punës ka ndodhur për arsye të ristrukturimit dhe organizimit të shoqërisë, në bazë të vendimit të Këshillit Mbikqyrës dhe janë kryer të gjitha procedurat sipas të cilave janë njoftuar sindikatat, janë bërë diskutimet me këto të fundit, ku janë përcaktuar arsyet e pushimit, numri i punonjësve që do të pushohen si dhe është marrë përsipër detyrimi për të paguar punonjësit e larguar me pushimin kolektiv me 2 paga mujore për afatin e njoftimit dhe pagën për pushimet e pakryera për vitin 2009 dhe ato që i takonin për vitin 2010, detyrime që janë përmbushur prej palës së paditur në rastin konkret ndaj paditësit.
- Zgjidhja e kontratës së punës është e menjëhershme dhe për shkaqe të justifikuara, pasi jemi përpara rastit të pushimit kolektiv dhe nuk provohet asnjë lloj shkaku tjetër, për të cilin paditësit t’i jetë ndërprerë kontrata e punës.
- Motivacioni i zgjidhjes së kontratës është tërësisht i justifikueshëm, pasi ka të bëjë me ristrukturimin e organikës së kompanisë. Përveç zbatimit të gabuar të ligjit, gjykata i ka dhënë si dëmshpërblim paditësit 12 muaj pagë, ndonëse ai ka patur vetëm 3 vjet punë pranë palës së paditur.
- Gjykata ka gabuar që ka detyruar palën e paditur për t’i paguar paditësit shpërblimin për vjetërsi në punë, ndonëse punëmarrësi e humb këtë të drejtë ne rastin e pushimit nga puna për shkaqe të arsyeshme siç është rasti konkret objekt shqyrtimi.
- Nga sa më sipër, nga ana jonë si punëdhënës është realizuar njoftimi i organizatës së punëmarrësve mbi pushimin kolektiv nga puna, fakte këto të vërtetuara nga dokumentacioni i depozituar gjatë seancave gjyqësore.
- Vëmë në vëmendjen e gjykatës, se në kontratën kolektive të datës 26.11.2009, midis shoqërisë sonë dhe organizatave së punëmarrësve, në nenin 2, përcaktohet se: ”Kjo kontratë e shtrin fuqinë e veprimit të saj, duke filluar nga data e nënshkrimit të saj mes palëve, në të gjithë punonjësit e punësuar në OSSH sh.a, pavarësisht nëse janë ose jo anëtarë të organizatës/ave sindikale kontraktuese, nënshkruese të saj.” Pra kontrata kolektive e mësipërme e shtrin fuqinë e saj dhe mbi paditësin.
- Nga shpjegimet e dhëna nga paditësi si në kërkesë - padi ashtu dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor, nuk u provua prej tij asnjë lloj motivacioni i pajustifikuar konkret, i ndërmarrë nga pala e paditur si shkak për largimin e tij nga puna, kjo pasi motivacioni i përcaktuar në vendimin lidhet vetëm me ristrukturimin e organikës së shoqërisë dhe me asnjë lloj shkaku tjetër.
- Nisur nga sa më sipër, ne vërtetuam para jush se kemi respektuar tërësisht elementet e zgjidhjes së rregullt të kontratës së punës dhe arsyetimi i gjykatës se zgjidhja është e menjëhershme dhe e pajustifikuar nuk është i bazuar në ligj dhe në prova. Ky konkluzion vjen në harmoni dhe me argumentat ligjore të Vendimit Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Larte nr.19 datë 15.11.2007.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Mirela Fana, në mungesë të palëve ndërgjyqëse, si diskutoi e analizoi çështjen në tërësi;
V Ë R E N
Rrethanat e Faktit
-
Paditësi Esat Caka është banor i qytetit të Lushnjes dhe, bazuar në kontratën individuale të punës datë 01.01.2007, ka filluar punë pranë palës së paditur, (në atë kohë OSSH sh.a.), si “ndihmës-elektriçist” në Njësinë e Tensionit të Lartë Fier.
-
Pas privatizimit të palës së paditur OSSH sh.a., paditësi në datë 26.11.2009 ka lidhur një kontratë tjetër pune me afat të pacaktuar.
-
Pak muaj pas lidhjes së kontratës së re të punës, pala e paditur ÇEZ Shpërndarje sh.a. ka zgjidhur kontratën me paditësin nëpërmjet shkresës nr.6237/3 prot., datë 04.05.2010, në të cilën përcaktohej ndërprerja e marrëdhënieve financiare në datë 05.05.2010.
-
Në bazë të po kësaj shkrese, pala paditëse ka përfituar 2 muaj pagë për efekt të afatit të njoftimit, si dhe në bazë të nenit 154/4 të K.Punës, pala paditëse ka përfituar pagën për pushimet e pamarra. Në përmbajtje të kësaj shkrese, ka rezultuar se vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me paditësin është marrë në bazë të vendimit të Këshillit Mbikqyrës të OSSH sh.a. “Miratimi i Ndryshimeve Organizative në Kompani” nr.3 datë 21.01.210.
-
Në bazë të vendimit të mësipërm, pala e paditur ka pretenduar kryerjen e pushimeve kolektive nga puna në kuadër të ristrukturimit dhe për këtë qëllim, në bazë të shkresës nr.518 prot. datë 28.01.2010 i ka dërguar njoftim për takim përfaqësuesve të organizatave të punëmarrësve, takim ky i mbajtur në datën 04.02.2010. Kjo shkresë i është dërguar për dijeni edhe Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të barabarta dhe në përmbajtje të saj specifikohet se në kuadër të ristrukturimit, numri i punonjësve të palës së paditur do të shkurtohet nga 5928 në 5178 punëmarrës.
-
Po ashtu, në datën 04.02.2010 është zhvilluar takimi sipas njoftimit të sipërcituar sikurse ka rezultuar nga procesverbali i këtij takimi i së njëjtës datë. Më tej, pala e paditur me shkresën nr.518/2 datë 08.02.2010, ka njoftuar Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta mbi fillimin e pushimeve kolektive pranë palës së paditur, proces ky i cili do të zhvillohej gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2010.
-
Pala paditëse, me pretendimin se marrëdhënia e tij e punës është zgjidhur në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë me kërkesëpadinë objekt gjykimi. i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë me kërkesë padi, me objektin e cituar më sipër, në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
-
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, me vendimin nr.322 (539), datë 04.04.2011, ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesë-padinë me nr.59/674 Akti, me palë paditëse Esat Caka dhe palë të paditur ÇEZ Shpërndarje sh.a., të detyrojë palën e paditur ÇEZ Shpërndarja sh.a të paguajë pagën palës paditëse Esat Caka nga data 05.07.2010 deri në datë 31.07.2010, si zbatim i afateve të njoftimit për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së punës, në zbatim të nenit 143 të Kodit të Punës për përfundimin e marrëdhënieve të punës; të detyrojë palën e paditur ÇEZ Shpërndarje sh.a të dëmshpërblejë palën paditëse Esat Caka me 12 paga mujore (neto) për zgjidhjen e kontratës së punës pa shkaqe të justifikuara; të detyrojë palën e paditur ÇEZ Shpërndarja sh.a të dëmshpërblejë palën paditëse Esat Caka me 3 pesëmbëdhjetë ditësh pagë (neto) për vjetërsinë në punë, si dhe rrëzimin e padisë për pjesën tjetër të kërkimit si të pambështetur në ligj dhe në prova.
-
Në marrjen e këtij vendimi, gjykata ka arsyetuar se: ”...Gjykata në rastin objekt gjykimi arrin në përfundimin se, ndodhemi përpara pushimit kolektiv, të realizuar nga punëdhënësi, pala e paditur ÇEZ sh.a. për periudhën kohore janar-maj 2010, për shkak të ristrukturimit të ndërmarrjes së tij dhe se kjo palë ka respektuar pjesërisht detyrimet ligjore të parashikuara në nenin 148 të K.Punës, i cili në tërësinë e tij rregullon afatet dhe procedurën e pushimit kolektiv. Ndërkohë dispozita ligjore e nenit 148/5 të Kodit të Punës parashikon se, “pas përfundimit të afatit njëzetë ditor të parashikuar në pikën 4 të këtij neni, punëdhënësi njofton punëmarrësit që do të pushohen, si dhe për zgjidhjen e kontratës, duke respektuar afatet e njoftimit të parashikuara në nenin 143.”...Pala e paditur ka njoftuar për përfundimin e marrëdhënieve të punës palën paditëse më datë 04/05/2010 dhe vendimi për zgjidhjen e kontratës është më datë 21.01.2010, ndërsa marrëdhëniet financiare janë ndërprerë më datë 05/05/2010... në fakt [paditësit] i takon të merrte pagën deri në fund të muajit për shkak të zgjatjes së këtij afati sipas nenit 143/3 të Kodit të Punës, pra deri në datë 31.07.2010. Pra, afati i njoftimit për zgjidhjen e kontratës së punës për palën paditëse Esat Caka përfundon në datë 31.07.2010 dhe jo në datën 05.07.2010...Gjykata pavarësisht pretendimeve të palëve në këtë gjykim, më sipër vlerësoi se zgjidhja e kontratës së punës nga pala e paditur do të trajtohet si zgjidhje [e] menjëhershme, duke u zbatuar neni 153 e në vijim i Kodit të Punës...Në qëndrimin e palës së paditur në këtë gjykim gjithsesi mbetet një kontradiktë, pasi provoi se jemi në rastin e pushimit kolektiv nga puna, ku sipas nenit 148 të Kodit të Punës, konsiderohet “...përfundimi i marrëdhënieve të punës nga punëdhënësi për arsye që nuk kanë të bëjnë me punëmarrësin...” dhe plotësohen kriteret e përcaktuara në këtë dispozitë dhe në të njëjtën kohë kërkon që të trajtohet ristrukturimi i ndërmarrjes si shkak i justifikuar për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së punës, të cilat sipas nenit 153 konsiderohen kryesisht shkaqet që lidhen me zbatimin e detyrimeve kontraktuale prej punëmarrësit, pra që kanë të bëjnë me punëmarrësin...”
-
Mbi ankimin e palës së paditur, Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.31, datë 17.01.2012, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.322 (539), datë 04.04.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë.
-
Në marrjen e këtij vendimi, Gjykata e Apelit me të njëjtin argumentim, ka arsyetuar se: “...Ndonëse vendimi për ristrukturimin e ndërmarrjes dhe fillimin e procedurave ligjore për pushimin kolektiv të punonjësve është i datës 21.01.2010, pala e paditur ka njoftuar me datë 04.05.2010 se në datë 05.05.2010 i ndërpriten marrëdhëniet financiare dhe se do të përfitonte dy paga mujore për afatet e njoftimit, kur në fakt paditësit i takonte të merrte pagën deri në fund të muajit për shkak të zgjatjes së këtij afati sipas nenit 143/3 të Kodit të Punës, pra deri në datë 31.07.2010. Pra, afati i njoftimit për zgjidhjen e kontratës së punës për palën paditëse Esat Caka përfundon në datë 31.07.2010 dhe jo në datën 05.07.2010 e për rrjedhojë, pala e paditur në zgjidhjen e kontratës së punës duhet të respektonte afatin e njoftimit prej dy muajsh, detyrim të cilin nuk e ka përmbushur sipas përcaktimit të bërë në nenin 143/3 të K.Punës. Në nenin 153/2 dhe nenin 153/3 të Kodit të Punës përcaktohen se shkaqe të justifikuara janë "...të gjitha rrethanat e rënda që nuk lejojnë, sipas parimit të mirëbesimit, t'i kërkohet atij që ka zgjidhur kontratën, vazhdimin e marrëdhënieve të punës. Gjykata vendos nëse ekzistojnë shkaqe të justifikuara për zgjidhjen e menjëhershme të kontratës. Konsiderohen shkaqe të justifikuara rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të rëndë, si edhe rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të lehtë, në mënyrë të përsëritur, me gjithë paralajmërimin me shkrim të punëdhënësit.” Qëndrimi i palës se paditur në këtë gjykim është kontradiktor, pasi provohet se rasti konkret është zgjidhje e kontratës së punës për shkak të pushimit kolektiv nga puna, ku sipas nenit 148 të Kodit të Punës, përfundimi i marrëdhënieve të punës nga punëdhënësi në këtë rast bëhet për arsye që nuk kanë të bëjnë me punëmarrësin dhe jo ashtu siç pretendon pala e paditur se zgjidhja e kontratës është për shkak të ristrukturimit të ndërmarrjes. Për rrjedhojë, shkaku i ndërprerjes së marrëdhënieve të punës është i pajustifikuar...”
-
Kundër vendimit nr.31 datë 17.01.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë ka ushtruar rekurs pala e paditur “ÇEZ Shpërndarje” sh.a Tiranë, e cila kërkon prishjen e vendimeve të gjykatave të faktit dhe pushimin e gjykimit të çështjes për shkaqet e parashtruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
-
Dispozitat e Kodit të Punës, në të cilat është parashikuar:
-
Neni 143/1) “(1) Pas kohës së marrjes në provë, për të zgjidhur kontratën me periudhë të pacaktuar, palët duhet të respektojnë një afat njoftimi prej një muaji, gjatë vitit të parë të punës, prej dy muajsh për dy deri në pesë vjet pune, prej tre muajsh për më shumë se pesë vjet pune...”
-
Neni 145: “(1) Punëmarrësi përfiton shpërblim për vjetërsi, kur kontrata është zgjidhur nga punëdhënësi dhe marrëdhëniet e punës kanë zgjatur jo më pak se tre vjet. Punëmarrësi e humb të drejtën e shpërblimit për vjetërsi, nëse është pushuar me efekt të menjëhershëm, për shkaqe të arsyeshme…”
-
Neni 148: “1. Vlerësohet pushim kolektiv nga puna përfundimi i marrëdhënieve të punës nga punëdhënësi për arsye që nuk kanë të bëjnë me punëmarrësin, kur numri i pushimeve nga puna, brenda 90 ditëve, është të paktën 10 për ndërmarrjet me deri në 100 punonjës; 15 për ndërmarrjet me mbi 100 deri në 200 punonjës; 20 për ndërmarrjet me mbi 200 deri në 300 punonjës dhe 30 për ndërmarrjet me mbi 300 punonjës. 2. Kur punëdhënësi parashikon të bëjë pushime kolektive nga puna, ai duhet të njoftojë me shkrim organizatën e punëmarrësve, e njohur si përfaqësuese e punëmarrësve. Në mungesë të saj, punëdhënësi njofton punëmarrësit e tij nëpërmjet afishimit në mënyrë të dukshme, në vendin e punës. Njoftimi duhet të përmbajë veçanërisht arsyet e pushimit nga puna, numrin e punëmarrësve që do të pushohen, numrin e punëmarrësve të punësuar normalisht, si dhe kohën gjatë së cilës është parashikuar të kryhen këto pushime. Punëdhënësi i dorëzon Ministrisë së Punës dhe të Çështjeve Sociale një kopje të këtij njoftimi. 3. Punëdhënësi bën këshillime me organizatën e punëmarrësve, e njohur si përfaqësuese e punëmarrësve, me qëllim që të arrihet një marrëveshje. Në mungesë të saj, punëdhënësi u jep mundësi punëmarrësve të marrin pjesë në këshillime. Ato bëhen për marrjen e masave për të shmangur ose pakësuar pushimet kolektive nga puna dhe për të zbutur pasojat e tyre. Këshillimet bëhen brenda 20 ditëve, duke filluar nga data e njoftimit, e parashikuar në pikën 2 të këtij neni, përveç kur punëdhënësi pranon një kohëzgjatje më të madhe. 4. Punëdhënësi njofton me shkrim Ministrinë e Punës dhe të Çështjeve Sociale për përfundimin e këshillimeve. Ai i dërgon një kopje të këtij njoftimi palës së interesuar. Nëse palët nuk kanë rënë dakord, Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale i ndihmon ato të arrijnë një marrëveshje, brenda 20 ditëve, duke filluar nga data e njoftimit, e parashikuar në këtë pikë, përveç kur punëdhënësi pranon një kohëzgjatje më të madhe. Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale nuk mund t’i ndalojë pushimet kolektive. 5. Pas përfundimit të afatit njëzetditor, të parashikuar në pikën 4 të këtij neni, punëdhënësi njofton punëmarrësit që do të pushohen për zgjidhjen e kontratës, duke respektuar afatet e njoftimit të parashikuara në nenin 143. 6. Punëdhënësi, që nuk respekton procedurën e pushimit kolektiv nga puna, të parashikuar në pikat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni, detyrohet t’i japë punëmarrësit një dëmshpërblim deri në gjashtë muaj page, dëmshpërblim i cili i shtohet pagës gjatë afatit të njoftimit ose dëmshpërblimit që merret në rast mosrespektimi të këtij afati, të parashikuar në nenin 143. 7. Punëdhënësi duhet t’u japë përparësi në rimarrjen në punë punëmarrësve të pushuar nga puna për arsye që nuk kanë të bëjnë me punëmarrësit, nëse ai punëson punëmarrës me kualifikim të krahasueshëm...”
-
Neni 153 “(1) Punëdhënësi e punëmarrësi, në çdo kohë, mund të zgjidhin menjëherë kontratën për shkaqe të justifikuara. (2) Vlerësohen si shkaqe të justifikuara të gjitha rrethanat e rënda që nuk lejojnë, sipas parimit të mirëbesimit, t’i kërkohet atij që ka zgjidhur kontratën, vazhdimin e marrëdhënieve të punës. (3) Gjykata vendos nëse ekzistojnë shkaqe të justifikuara për zgjidhjen e menjëhershme të kontratës. Konsiderohen shkaqe të justifikuara rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të rëndë, si edhe rastet kur punëmarrësi shkel detyrimet kontraktuale me faj të lehtë, në mënyrë të përsëritur, me gjithë paralajmërimin me shkrim të punëdhënësit.”
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON
-
Se rekursi i paraqitur nga pala e paditur “ÇEZ Shpërndarje” sh.a Tiranë, përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile, që motivojnë cenimin e vendimit nr.31, datë 17.01.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, çmon se vendimi nr.31, datë 17.01.2012, i Gjykatës së Apelit Vlorë është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit material, e për këtë shkak ai duhet të prishet dhe çështja të kthehet për rishqyrtim në po atë gjykatë.
-
Për çështjen objekt gjykimi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, ka vendosur pranimin e padisë, duke detyruar palën e paditur të paguajë dëmshpërblimet për zgjidhje të menjëhershme të pajustifikuar të marrëdhënies së punës, për mosrespektim të afatit të njoftimit dhe shpërblimin për vjetërsi në punë. Në argumentimin e qëndrimit të saj, ajo gjykatë ka konkluduar se pavarësisht se ka rezultuar e provuar se ndodhemi përpara pushimit kolektiv, të realizuar nga punëdhënësi, për periudhën kohore janar-maj 2010, për shkak të ristrukturimit të ndërmarrjes dhe se kjo palë ka respektuar pjesërisht detyrimet ligjore të parashikuara në nenin 148 të K.Punës, sërish zgjidhja e marrëdhënies së punës së paditësit duhet konsideruar si një zgjidhje e menjëhershme e pajustifikuar, duke akorduar dëmshpërblimet përkatëse sipas nenit 155 të Kodit të Punës.
-
Gjykata e Apelit Vlorë, në vlerësim të pretendimeve të ngritura në ankim nga pala e paditur, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor, duke u mjaftuar me të njëjtin argumentim. Në vlerësimin e asaj gjykate, pavarësisht vërtetimit të faktit se zgjidhja e marrëdhënies së punës është kryer në kushtet e një pushimi kolektiv nga puna, për të cilin janë respektuar pjesërisht parashikimet e nenit 148 të K.Punës mbi procedurën e pushimit kolektiv, gjendemi përpara një zgjidhjeje të marrëdhënies së punës në mënyrë të menjëhershme të pajustifikuar në kuptim të nenit 153 të K.Punës, ç`ka passjell detyrimin për pagimin e dëmshpërblimeve sipas nenit 155 të K.Punës dhe shpërblimit për vjetërsi.
-
Kolegji Civil vlerëson se, vendimi i gjykatës së apelit i bazuar në argumentimin e mësipërm, është marrë në zbatim të gabuar të ligjit material, e konkretisht të nenit 148 të K. Punës, mbi pushimin kolektiv nga puna.
-
Fillimisht, Kolegji Civil vlerëson se, në kushtet kur të dyja gjykatat e faktit kanë pranuar të provuar se gjendemi përpara një pushimi kolektiv nga puna të kryer nga ana e palës së paditur, për shkak të ristrukturimit të saj, këto gjykata nuk mund të trajtonin zgjidhjen e marrëdhënies së punës, si të ishte një zgjidhje individuale e menjëhershme dhe e pajustifikuar e marrëdhënies së punës. Në interpretim të nenit 148 të K.Punës, në rastet kur vërtetohet se pala punëdhënëse ka kryer një pushim kolektiv nga puna, gjykata vlerëson nëse punëdhënësi ka respektuar procedurën e këtij pushimi kolektiv dhe në rast mosrespektimi të saj, detyron punëdhënësin të paguajë dëmshpërblimin e parashikuar në paragrafin 6 të nenit të sipërcituar.
-
Për sa më sipër, Kolegji Civil vlerëson se, sa kohë që ka rezultuar e provuar se pala e paditur ka qenë në kushtet e një pushimi kolektiv nga puna të punëmarrësve, por në vlerësimin e gjykatave të faktit, nuk ka arritur të respektojë me rigorozitet të gjitha kriteret e kërkuara nga neni 148 i K.Punës, atëherë në zbatim të duhur të paragrafit 6 të këtij neni, gjykata akordon një dëmshpërblim për punëmarrësit deri në 6 muaj pagë, i cili i shtohet dëmshpërblimit për mosrespektim të afatit të njoftimit.
-
Në vijim të kësaj analize, Kolegji Civil vlerëson gjithashtu se, pushimi kolektiv nga puna, edhe pse kryhet për shkaqe të pavarura nga punëmarrësit, ka një rregullim specifik të parashikuar në legjislacionin e punës, e për pasojë edhe dëmshpërblimet që u takojnë punëmarrësve në të tilla raste përbëhen nga dëmshpërblimi deri në gjashtë muaj pagë, për mosrespektim të procedurës së pushimit kolektiv nga puna, të analizuar më lart, dëmshpërblimi për mosrespektim të afatit të njoftimit dhe shpërblimi për vjetërsi në punë.
-
Po ashtu, në një kohë që dy dëmshpërblimet e para janë të parashikuara specifikisht në nenin 148 të Kodit të Punës, Kolegji Civil çmon të ndalet në analizimin e së drejtës së përfitimit të shpërblimit për vjetërsi në punë të punëmarrësit, në rastet e pushimit kolektiv nga puna.
-
Në lidhje me këtë pikë, Kolegji Civil çmon të theksojë se, në analizë të kritereve të specifikuara në nenin 145 të Kodit të Punës, duhet të plotësohen dy kushte për akordimin e shpërblimit për vjetërsi në punë. Kështu, kushti i parë i nevojshëm për t`u plotësuar, në mënyrë që një punëmarrës të përfitojë shpërblimin për vjetërsi në punë, është zgjatja e marrëdhënies së punës pranë punëdhënësit jo më pak se tre vjet. Ndërsa kushti i dytë i specifikuar në nenin 145 të Kodit të Punës konsiston në të mosqenurit përpara rastit të zgjidhjes së marrëdhënies së punës me efekt të menjëhershëm për shkaqe të arsyeshme.
-
Sa i takon këtij kushti të dytë, Kolegji Civil vlerëson se në rastin objekt gjykimi, fakti që arsyeja e zgjidhjes së marrëdhënies së punës ka qenë ristrukturimi i shoqërisë, i cili ka shkaktuar edhe pushimin kolektiv nga puna të paditësit sipas nenit 148 të Kodit të Punës, nuk sjell trajtimin e kësaj zgjidhjeje si të ishte një zgjidhje për shkak të justifikuar në kuptim të nenit 153 të Kodit të Punës, për efekt të përfitimit ose jo të shpërblimit për vjetërsi në punë. Në një kohë që ristrukturimi, i kryer për efekt të nevojave financiare apo operacionale të punëdhënësit, përbën shkak të justifikuar në kuptimin literal të fjalës, sa kohë që në mënyrë të kuptueshme dikton vendimmarrjen e punëdhënësit, qoftë edhe në formën e pamundësisë efektive të tij për të mbajtur në punë punëmarrësit, në kuptimin ligjor të fjalës, ai nuk përbën shkak të justifikuar apo të arsyeshëm të zgjidhjes së marrëdhënies së punës, i cili përjashton mundësinë e shpërblimit për vjetërsi në punë.
-
Kuptimi ligjor i shkakut të justifikuar gjendet dhe interpretohet vetëm në bazë të nenit 153 të Kodit të Punës, e konkretisht, në analizë të paragrafëve 2 dhe 3 të këtij neni, do të përbëjë shkak të justifikuar të zgjidhjes së marrëdhënies së punës shkelja e detyrimeve kontraktore nga ana e punëmarrësit me faj të rëndë, apo shkelja e këtyre detyrimeve me faj të lehtë në mënyrë të përsëritur, me gjithë paralajmërimin me shkrim të punëdhënësit, të cilat nuk lejojnë, në bazë të parimit të mirëbesimit, vazhdimin e marrëdhënies së punës ndërmjet palëve. Ristrukturimi si shkak i zgjidhjes së marrëdhënies së punës, qoftë edhe në rastet kur ai dikton pushimin kolektiv nga puna, nuk plotëson kushtet kumulative të shkakut të justifikuar për zgjidhjen e marrëdhënies së punës sipas nenit 153 të Kodit të Punës, pasi mungon elementi i parë i nevojshëm, që është shkelja e detyrimeve kontraktuale nga ana e punëmarrësit. Për rrjedhojë, ristrukturimi, duke mos përbërë në vetvete shkak të justifikuar të zgjidhjes së kontratës së punës, nuk përjashton përgjegjësinë e punëdhënësit për pagimin e shpërblimit për vjetërsi në punë, të garantuar nga neni 145 i Kodit të Punës.
-
Në mbështetje të analizës së mësipërme, ky Kolegj vlerëson të theksojë gjithashtu se, ka qenë pikërisht qëllimi i ligjvënësit që të garantojë të drejtën për shpërblim për vjetërsi në punë të punëmarrësve, në të gjitha rastet kur zgjidhja e kontratës së punës nuk është kryer në mënyrë të menjëhershme të justifikuar, pavarësisht nëse bëhet fjalë për zgjidhje individuale apo pushim kolektiv nga puna. Në rast se qëllimi i legjislatorit do të kish qenë përjashtimi nga ky përfitim i kategorive të punëmarrësve të cilët janë pushuar kolektivisht nga puna, atëherë, një parashikim i tillë do të ish kryer në mënyrë eksplicite. Përkundrazi, në interpretim të duhur të dispozitave të legjislacionit të punës, ligjvënësi në nenin 148 të Kodit të Punës, ka parashikuar në mënyrë të mëvetshme dëmshpërblimin deri në 6 muaj pagë për mosrespektim të procedurës së pushimit kolektiv nga puna, duke lënë të pandryshuar përfitimin e shpërblimit për vjetërsi në punë. Mos cenimi i së drejtës së punëmarrësve për shpërblimin për vjetërsi në punë në rast të pushimit kolektiv nga puna, bazohet në argumentin që, për nga vetë natyra e tij, ky shpërblim nuk varet nga fakti nëse zgjidhja e marrëdhënies së punës ka qenë individuale apo kolektive, por buron nga kohëzgjatja e marrëdhënies së punës së çdo punëmarrësi jo më pak se tre vjet, dhe është i përfitueshëm në çdo rast, sa kohë që zgjidhja e marrëdhënies së punës nuk është kryer në mënyrë të menjëhershme për shkaqe të justifikuara.
-
Për gjithë sa më sipër, Kolegji Civil vlerëson se Gjykata e Apelit, pavarësisht se i kishte të gjitha mundësitë e ndreqjes së të metave të gjykimit të kryer në shkallë të parë, edhe pse ka konkluduar se pala e paditur ka kryer pushim kolektiv nga puna, nuk ka zbatuar drejt parashikimet e nenit 148 të K.Punës, mbi dëmshpërblimet e përfitueshme nga punëmarrësi në këtë rast.
-
Në të tilla kushte, ky Kolegj çmon se, në rishqyrtim Gjykata e Apelit, me qëllim zgjidhjen e drejtë të mosmarrëveshjes objekt gjykimi, duhet të bazojë argumentimin e saj ligjor, mbi faktet që kanë rezultuar të provuara nga kryerja e një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në zbatim të duhur të ligjit material të aplikueshëm.
-
Kryerja e veprimeve të mësipërme, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të dalin gjatë rishqyrtimit, do ta lejojnë gjykatën e apelit, që në përputhje me kërkesat e ligjit procedural e atij material, garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin (neni 14 i K.Pr.Civile), cilësimit të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi (neni 16 i K.Pr.Civile), të mund të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive, lidhur me zgjidhjen e konfliktit ndërmjet palëve ndërgjyqëse.
-
Për gjithë sa më sipër, Kolegji Civil çmon se vendimi nr.31, datë 17.01.2012 i Gjykatës së Apelit Vlorë është marrë në zbatim të gabuar të ligjit material, e për këtë shkak ai duhet të prishet dhe çështja të kthehet për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mbështetur në Nenin 485/c të K.Pr.Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.31, datë 17.01.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim, në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
Tiranë më 12.11.2015
Nr. 11111-02283-00-2012 Rregj. Themeltar
Nr.00-2015 - 4060 i Vendimit (482)
Do'stlaringiz bilan baham: |