VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 11.11.2015, mori në shqyrtim çështjen civile me nr.31001-01652-00-2012,që u përket palëve:
PADITËS: AVOKATURA E SHTETIT.
TË PADITUR: AGJENCIA E KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE TIRANË.
PERSON I TRETË: ZYRA E REGJISTRIMIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME TIRANË.
LEMONTOV GJOKA.
OBJEKTI:
Shfuqizimin e vendimit nr.40, datë 21.01.2010, të AKKP Tiranë.
Pezullimin e zbatimit të vendimit të mësipërm.
Baza Ligjore: Neni 31, 32, 324 e vijues, neni 32 i K.Pr.Administrative,
Neni 115/b,118 e vijues i Ligjit nr.9235, datë 29.07.2004,
“Për Kthimin e Kompensimin e pronës” i ndryshuar, nenet 8/3, 18,
VKM nr.200, datë 19.02.2009,“Për përcaktimin e kushteve dhe procedurave
të tjetërsimit të oborreve në përdorim, për llogari të fondit të kompensimit financiar;
Ligji nr.7652, datë 23.12.1992, “Për Privatizimin e banesave shtetërore;
Ligji nr.10018, datë 13.11.2008 “Për avokaturën e shtetit”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.1510, datë 01.03.2011, ka vendosur:
“Rrëzimin e kërkesë padisë, nr.1494 Akti, datës 26.02.2011”.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.512, datë 08.03.2012, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.1510 datë 01.03.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ”.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs pala paditëse Avokatura e Shtetit, e cila ka parashtruar këto shkaqe:
-
Duhet theksuar fakti se nuk është rregulluar drejt ndërgjyqësia nga gjykata pasi në cilësinë e palës së paditur duhet të thirrej edhe Bashkia Tiranë e cila administron të gjithë pronësitë e paluajtshme brenda juridiksionit të saj ku përfshihet dhe prona e subjektit që ka tjetërsuar oborrin në fjalë.
-
Gjykata në interpretim të gabuar të ligjit, i ka ngarkuar shpenzimet gjyqësore palës paditëse megjithëse neni 19 i ligjit nr.10018, datë 13.11.2008 “Për Avokaturën e Shtetit” përjashton nga pagimi taksave Avokaturën e Shtetit, në rastet kur padia ngrihet prej saj si subjekt procedural dhe jo nga palët që ajo përfaqëson.
-
Çertifikata për vërtetim pronësie, lëshuar nga ZVRPP Tiranë, më datë 31.05.2001, për numrin e pasurisë 7/72+1-55, zk 8270 lëshuar në emër të z. Lemontov Gjoka, me anë të të cilit subjekti kërkues provon pronësinë e tij tregon qartë se ky subjekt është pronar për llojin e pasurisë: “apartament me sip. 37.6 m2”. Gjithashtu sipas Vërtetimit nga dokumentet hipotekorë nr.23627 datë 4.10.2000 lëshuar nga ZVRPP Tiranë rezulton se z. Lemontov Gjoka dhe Sabina Gjoka janë bashkëpronarë të një apartamenti me sip. 37 m2. Nga këto certifikata pronësie rezultojnë se subjekti kërkues është pronar i një apartamenti banimi, dhe jo të sipërfaqes së truallit rreth e qark ndërtesës.
-
Sipas formularit tip që shoqëron kërkesën për kalimin e oborreve në pronësi, vëmë re se nuk plotësohet kërkesa e pikës 3 të dokumenteve që shoqërojnë kërkesën e subjektit. Sipas shkresës nr.11318/1 prot. datë 08.10.2009 të ZVRPP Tiranë, rezulton se ZVRPP-ja nuk garanton gjendjen juridike të pronësisë përpara përfundimit të regjistrimit fillestar dhe futjes së kësaj ZK-je në sistem sipas Ligjit nr.7843 datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Këto të dhëna janë mbështetur në Librin e Ngastrave që nuk përbën dokument ligjor. Libri i Ngastrave është një dokument i hartuar sipas azhurnimeve të pasurive në terren në momentin kur kanë vajtur grupet e regjistrimit të Projektit për regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme dhe nuk garanton gjendjen juridike lidhur me pronësinë mbi një pasuri të caktuar.
-
Në kundërshtim me kriterin e VKM nr.200, pika II/b, nga dokumentet e depozituara në dosjen e AKKP lidhur me këtë praktikë, nuk rezulton në mënyrë shkresore e konfirmuar, se kjo pronë nuk bën pjesë në inventarin e pronave të paluajtshme të organeve të qeverisjes vendore. Në dosje si dhe në arsyetimin e Vendimit të AKKP rezulton të jetë një konfirmim nga Bashkia me shkresën nr.6759 prot. datë 09.09.2009. Në këtë shkresë thuhet se nr.pas. 7/74 nuk figuron në librin e ngastrave të pronës “shtet” por meqenëse libri i ngastrave nuk është dokumentacion ligjor, vazhdon ende procesi i verifikimit dhe inventarizimit” Pra kjo shkresë nuk konfirmon në mënyrë të qartë nëse kjo pronë ka kaluar në inventarin e Bashkisë apo është në pronësi Shtet. Vëmë re se nuk kemi asnjë konfirmim mbi sipërfaqen e truallit që kërkohet të tjetërsohet e cila figuron me nr.7/142 dhe jo 7/74 për të cilën është përgjigjur Bashkia. Nga arsyetimet e mësipërme sipas paragrafit 2 dhe paragrafit 3 nuk rezulton e qartë nëse kjo sipërfaqe toke është në pronësi të Bashkisë apo të Shtetit. Nga ana e AKKP duhej të bëheshin verifikime më të sakta.
-
4. Po t’i referohemi Hartës Treguese të Regjistrimit si dhe planvendosjes së pronës vëmë re se kjo pronë është vendosur pranë rrugës kryesore Marco Boçari (ish. Rruga Sami Frashëri). Duket qartë se sipërfaqja që kërkon të tjetërsohet nga ana e subjektit Lemontov Gjoka është një sipërfaqe funksionale e rrugës, dhe që i përgjigjet një interesi publik, pasi kemi të bëjmë me hapësira përreth ndërtesave të cilat lejojnë kalimin e qytetarëve dhe janë të planifikuar për ndërtimin e trotuareve, hapësira publike si lulishte parkingje etj. Ashtu edhe nga provat shkresore të administruara në dosje, nuk rezulton se këto sipërfaqe të jenë funksionale vetëm dhe ekskluzivisht për subjektin kërkues. Me anë të këtij Vendimi AKKP ka vendosur në mënyrë të gabuar, duke zbatuar keq parimin, sipas të cilit interesi publik prevalon mbi atë individual. Aq më tepër që kërkuesi nuk ka arritur të provojë se e ka poseduar në mënyrë të qetë dhe pa ndërprerje këtë sipërfaqe trualli, pasi siç e kemi theksuar edhe më sipër duket qartë se është një sipërfaqe trualli hapësirë publike e cila shërben për kalimin e qytetareve dhe shërbime të tjera publike. Jo çdo sipërfaqe përreth banesave private do të konsiderohet funksionale.
-
Në rast se kjo sipërfaqe trualli, si dhe sipërfaqe të tilla do të tjetërsoheshin pa pasur në konsideratë interesat publik përsa më sipër, do ndodheshim përpara një zhvillimi kaotik urban që do të sillte zënien e të gjitha hapësirave publike.
-
Ndodhemi përballë rastit kur përmbajtja e aktit nuk përputhet me qëllimin e ligjit. Vetë akti ka një qëllim i cili duhet të jetë në përputhje me qëllimin e ligjit. Kur përmbajtja e aktit nuk i përgjigjet qëllimit të ligjit, atëherë pavlefshmëria relative është e qartë në veprimin konkret administrativ.
-
Për të gjitha çka arsyetuam sa më sipër kërkojmë ndryshimin e vendimeve dhe pranimin e kërkesë padisë.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Artan Broci, dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Se vendimi nr.512, datë 08.03.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe Vendimi nr.1510 datë 01.03.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, janë marrë në zbatim të gabuar të ligjit, dhe në bazë të nenit 485 pika “d” të K.Pr.Civile, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i ndryshon këto vendime duke vendosur pranimin e padisë.
-
RRETHANAT E ÇËSHTJES
Me kërkesën me nr.181 datë 23.07.2009, personi i tretë Lemontov Gjoka i është drejtuar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, duke kërkuar “Tjetërsimin e pronës së poseduar si oborr në përdorim në lidhje funksionale me banesën të ndodhur në Rruga “Marko Boçari” Tiranë, dhe kalimin në pronësi me shpërblim, të këtij trualli oborr në përdorim me sipërfaqe 42.4 m2”, duke u bazuar në Ligjin nr.9235, datë 29.07.2004, “Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës” i ndryshuar dhe në VKM nr.200, datë 19.02.2009 “Për caktimin e kushteve dhe për procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim për llogari të fondit të kompensimit”.
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, me vendimin nr.40, datë 21.01.2010, pasi ka shqyrtuar dhe dokumentacionin bashkëngjitur kësaj kërkese e ka pranuar atë duke vendosur: ”Pranimin e kërkesës. Tjetërsimin e sipërfaqes 42.4 m2 të ndodhur në Rrugën “Marko Boçari” Tiranë, dhe kalimin në pronësi me kundërshpërblim të saj në favor të subjektit Lemontov Gjoka. Këtij vendimi i bashkëngjitet planvendosja sipas shkronjave konvencionale përkatëse…”
Ky vendim i është dërguar Zyrës së Avokaturës së Shtetit me kërkesën nr.5511/5 prot, datë 21.01.2010, të A.K.K.P dhe kjo zyrë ka marrë dijeni më datë 25.01.2010 me shkresën nr.196 prot. Duke pretenduar se kërkuesi, personi i tretë nuk i përmbush kriteret e parashikuara në VKM nr.200 datë 19.02.2009 “Për caktimin e kushteve dhe për procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim për llogari të fondit të kompensimit”, dhe se vendimi nr.40, datë 21.01.2010 është i paligjshëm dhe i pabazuar në aktet normative në fuqi i është drejtuar gjykatës me padinë me objekt të sipërcituar.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.1510, datë 01.03.2011, ka vendosur: “Rrëzimin e kërkesë padisë, nr.1494 Akti, datës 26.02.2011”.
Kjo gjykatë ndër të tjera ka arsyetuar se: “...vendimi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave Tiranë, e cila sipas akteve nënligjore është autoriteti i autorizuar për kalimin e pronësisë së oborreve në përdorim, është i ligjshëm dhe i bazuar në aktet nënligjore dhe në dokumentacionin e paraqitur. Pala paditëse nuk provoi gjatë gjykimit ndonjë parregullësi përsa i përket paraqitjes së dokumentacionit apo edhe shqyrtimit të kësaj kërkese. Pala paditëse u bazua në një shkresë të ZRPP Tiranë e cila paraqet truallin si pronë shtetërore por e cila nuk garanton gjendjen juridike përpara regjistrimit fillestar dhe futjes së kësaj ZK në sistem sipas ligjit nr.7843 datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, pra përpara kësaj datë, duke pranuar po ashtu nga e njëjta shkresë, se për arsye se kjo pronë truall figuron në pronësi të shtetit nuk është pjesë e inventarit të pasurive të paluajtshme të qeverisjes vendore sipas pikës c) pjesa III e VKM nr.200, datë 19.02.2009. Për sa i përket provimit të posedimit të qetë të pandërprerë të kësaj prone, personi i tretë ka paraqitur në mënyrë të rregullt të gjithë dokumentacionin që e provon tjetërsimet e ligjshme në favor të tij. Gjithashtu gjykata konstatoi se nga ana e palës së paditur janë zbatuar me rigorozitet të gjitha kushtet e kërkuara nga ligji dhe aktet nënligjore, dhe se është nxjerrë në përputhje të plotë më qëllimin për të cilin ka dalë.”
Kundër këtij vendimi ka ushtruar të drejtën e ankimit pala paditëse dhe Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.512, datë 08.03.2012, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.1510, datë 01.03.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ”.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs pala paditëse Avokatura e Shtetit, e cila ka kërkuar ndryshimin e vendimeve të mësipërme dhe pranimin e kërkesë padisë.
-
LIGJI I ZBATUESHËM
10. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, ligjit nr.9235, datë 29.07.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar, VKM nr.200, datë 19.02.2009, “Për përcaktimin e kushteve dhe procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim, për llogari të fondit të kompensimit financiar”, në të cilat është parashikuar:
10.1. Neni 14 i K.Pr.Civile: “Gjykata ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin”.
10.2. Neni 16§1 i K.Pr.Civile: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
10.3. Neni 7 i ligjit nr.9235/2004: “1. Nuk kthehen pronat e paluajtshme, që i shërbejnë një interesi publik dhe ato që:
a) shërbejnë për realizimin e detyrimeve të shtetit shqiptar, që rrjedhin nga traktatet dhe konventat, në të cilat shteti ynë është palë;
b) janë të zëna sipas akteve ligjore, paraqitur në shtojcën 1 të ligjit.”
10.4. Pika II. Kushtet për tjetërsim të VKM nr.200/19.02.2009: “1. Oborret në përdorim tjetërsohen, sipas këtij vendimi, nëse:
a) Brenda tyre ose në lidhje funksionale me to gjendet ndërtim:
i) i regjistruar në regjistrat e ZRPP-së, në pronësi të kërkuesit;
ii) i ngritur para datës 10.8.1991.
b) janë në pronësi të shtetit, ndonëse të paregjistruara si të tilla, por të pa transferuara në inventarin e pronave të organeve të qeverisjes vendore, në përputhje me ligjin nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar.”
-
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON
Se pretendimet e parashtruara në rekursin e paraqitur nga pala paditëse Avokatura e Shtetit përbëjnë shkaqe ligjore në kuptim të Nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile që të motivojnë cenimin e vendimit të gjykatës së apelit Tiranë, e cila ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë Tiranë, dhe në bazë të nenit 485 pika “d” të K.Pr.Civile, dhe Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se vendimet janë dhënë në kundërshtim me ligjet e për këtë shkak duhen ndryshuar këto vendime duke vendosur pranimin e padisë.
Nga shqyrtimi në tërësi i kësaj çështje, të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve nga gjykatat e faktit, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve, të vendimeve të gjykatave, si dhe shkaqeve të rekursit të paraqitur, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se arsyetimi dhe përfundimi i arritur nga Gjykata e Apelit Tiranë është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka disponuar për rrëzimin e padisë, me arsyetimin e pasqyruar si më sipër në këtë vendim.
Kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë ka bërë ankim pala paditëse dhe Gjykata e Apelit Tiranë ka shqyrtuar shkaqet e ankimit pa çmuar nevojën e përsëritjes së hetimit gjyqësor, duke arritur në përfundimin se vendimi është i drejtë.
Kundër vendimit të gjykatës së apelit ka paraqitur rekurs pala paditëse, duke parashtruar pretendime të cilat kanë të bëjnë me shkelje të ligjit procedurial dhe atij material, të lejuara nga ana e gjykatës së apelit Tiranë.
Kolegji Civil çmon se, në analizë të natyrës së mosmarrëveshjes, referuar objektit dhe shkakut të padisë, ka arritur në përfundimin se vendimi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nr.40, datë 21.01.2010 është i pavlefshëm, pasi nuk ka respektuar kërkesat e ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar, dhe VKM nr.200, datë 19.02.2009 “Për përcaktimin e kushteve dhe procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim, për llogari të fondit të kompensimit financiar”.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë ka bërë një identifikim të elementeve dhe/ose kritereve ligjore që për rastin konkret shërbejnë për tjetërsimin me kundërshpërblim të “oborrit në përdorim” duke arsyetuar se : “... Sipas formularit tip që shoqëron kërkesën për kalimin e oborreve në pronësi, vihet re se nuk plotësohet kërkesa e pikës 3 të dokumenteve që shoqërojnë kërkesën e subjektit. Sipas shkresës nr.11318/1 prot. datë 08.10.2009 të ZVRPP Tiranë, rezulton se ZVRPP-ja nuk garanton gjendjen juridike të pronësisë përpara përfundimit të regjistrimit fillestar dhe futjes së kësaj ZK-je në sistem sipas Ligjit nr.7843 datë 13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.
Në kundërshtim me kriterin e VKM nr.200, pika II/b, nga dokumentet e depozituara në dosjen e AKKP lidhur me këtë praktikë, nuk rezulton në mënyrë shkresore e konfirmuar, se kjo pronë nuk bën pjesë në inventarin e pronave të paluajtshme të organeve të qeverisjes vendore. Në dosje si dhe në arsyetimin e Vendimit të AKKP rezulton të jetë një konfirmim nga Bashkia me shkresën nr.6759 prot. datë 09.09.2009. Në këtë shkresë thuhet se nr.pas. 7/74 nuk figuron në librin e ngastrave të pronës “shtet” por meqenëse libri i ngastrave nuk është dokumentacion ligjor, vazhdon ende procesi i verifikimit dhe inventarizimit”
Po t’i referohemi Hartës Treguese të Regjistrimit si dhe planvendosjes së pronës vëmë re se kjo pronë është vendosur pranë rrugës kryesore Marco Boçari (ish “Rruga Sami Frashëri”) dhe rezulton se sipërfaqja që kërkon të tjetërsohet nga ana e subjektit Lemontov Gjoka është një sipërfaqe funksionale e rrugës, dhe që i përgjigjet një interesi publik, pasi kemi të bëjmë me hapësira përreth ndërtesave të cilat lejojnë kalimin e qytetarëve dhe janë të planifikuar për ndërtimin e trotuareve, hapësira publike si lulishte parkingje etj. Ashtu edhe nga provat shkresore të administruara në dosje, nuk rezulton se këto sipërfaqe të jenë funksionale vetëm dhe ekskluzivisht për subjektin kërkues.
Nëpërmjet këtij Vendimi AKKP ka vendosur në mënyrë të gabuar, duke zbatuar keq parimin, sipas të cilit interesi publik prevalon mbi atë individual. Aq më tepër që kërkuesi nuk ka arritur të provojë se e ka poseduar në mënyrë të qetë dhe pa ndërprerje këtë sipërfaqe trualli, pasi siç e kemi theksuar edhe më sipër duket qartë se është një sipërfaqe trualli hapësirë publike e cila shërben për kalimin e qytetareve dhe shërbime të tjera publike. Jo çdo sipërfaqe përreth banesave private do të konsiderohet funksionale.
Në rast se kjo sipërfaqe trualli, si dhe sipërfaqe të tilla do të tjetërsoheshin pa pasur në konsideratë interesat publik përsa më sipër, do ndodheshim përpara një zhvillimi kaotik urban që do të sillte zënien e të gjitha hapësirave publike.
Ndodhemi përballë rastit kur përmbajtja e aktit nuk përputhet me qëllimin e ligjit. Vetë akti ka një qëllim, i cili duhet të jetë në përputhje me qëllimin e ligjit. Kur përmbajtja e aktit nuk i përgjigjet qëllimit të ligjit, atëherë pavlefshmëria relative është e qartë në veprimin konkret administrativ.
Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nuk ka respektuar ligjin nr.9235, datë 29.07.2004 dhe VKM nr.200, dt.19.09.2009, vendim i cili ka dalë pikërisht në zbatim të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004.
Qëllimi i ligjit “ Për kthimin dhe kompensimin e pronave” ka qenë kthimi për aq sa është e mundur e trojeve apo ndërtesave që kanë qenë në pronësi të ish pronarëve dhe të marra padrejtësisht nga shteti. Ka qenë parësore gjatë viteve pas ndryshimit të sistemit në Shqipëri që pronat ti kthehen ish pronarëve. Pikërisht edhe vendimi nr.200, dt.19.09.2009, i dalë në zbatim të ligjit të pronave ka patur për qëllim që pikërisht oborret e banesave private të ndërtuara para vitit 1991 dhe të konsideruara si troje në përdorim nga ligjet e kohës, tu jepej mundësia personave që posedonin që nga ndërtimi apo blerja e ndërtesës, trojet (oborret në përdorim) që ishin në funksion të ndërtimeve, ti përfitonin ato.
Në rastin konkret, personi i tretë Lemontov Gjoka e ka blerë nga shteti, nëpërmjet privatizimit të banesës, në zbatim të ligjit 7652, dt.23.12.1992 “ Për privatizimin e banesave shtetërore”, banesën që ndodhet afër truallit për të cilin i është drejtuar Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Pra banesa e personit të tretë vërtet është banesë e vjetër e ndërtuar në vitin 1950, por kjo banesë ka qenë apartament banimi, në vazhdim të apartamenteve të tjera të ndërtuara nga shteti, të cilët janë privatizuar në zbatim të ligjit të lartpërmendur. Sipas ligjit nr.7652, dt.23.12.1992, ata persona, përfshirë dhe Lemontov Gjokën, të cilët kanë privatizuar banesat pronë shtetërore, kanë privatizuar edhe truallin nën banesë dhe përreth saj siç përcaktonte ligji, pra në përqindjen e lejuar.
Në këto kushte, banesa e privatizuar nga personi i tretë nuk ka qenë banesë private e veçuar e ndërtuar prej tij apo dikush tjetër, që oborri i saj ti nënshtrohej zbatimit të VKM nr.200, dt.19.09.2009, në të cilin përcaktohet ndër të tjera qartësisht se: “3. Bashkë me kërkesën duhet të paraqiten:......
ç) Dokumentet, që provojnë faktin se ndërtimi, i cili gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, është kryer përpara datës 10.8.1991. Këto dokumente mund të jenë një leje ndërtimi, e lëshuar nga organi përgjegjës i kohës, një akt zyrtar, i lëshuar nga arkivi teknik i ndërtimit, një akt, i nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit, vendimi gjyqësor, për vërtetimin e faktit të ndërtimit dhe të kohës së ndërtimit, aktnjoftimi përkatës ose dokumente zyrtare, të lëshuara nga organet e pushtetit vendor (lagjja ose rrethi), brenda kompetencave të tyre;
d) Dokumentin, që provon pronësinë e mëparshme mbi oborrin në përdorim, që, për shkak të ligjeve të kohës, i ka kaluar në përdorim, pa kundërshpërblim, nëse kërkuesi aplikon për tjetërsimin e tij pa kundërshpërblim.
Përsa arsyetuam më lart, Kolegji arrin në konkluzionin se vendimi nr.40, datë 21.01.2010 të AKKP Tiranë është i kundërligjshëm pasi nuk ka respektuar kriteret e VKM nr.200, datë 19.02.2009, dhe se tjetërsimi në këtë rast bie ndesh me interesin publik (ligjin nr.9235, datë 29.07.2004, neni 7), e në këto kushte padia e palës paditëse që ka kërkuar anullimin e tij është e bazuar.
Për sa më sipër është vlerësuar, ky Kolegj çmon të theksojë se arsyetimi dhe konkluzionet e nxjerra nga gjykatat e faktit janë të gabuara dhe të pambështetura në ligj dhe në aktet nënligjore.
Kolegji Civil çmon se gjykatat nuk kanë bërë një cilësim të drejtë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, në përputhje me nenin 16 të Kodit të Procedurës Civile, dhe nuk kanë marrë në vlerësim e analizë kriteret ligjore për tjetërsimin e oborreve në përdorim, sikundër parashikohen në dispozitat e ligjit nr.9235, datë 29.07.2004, dhe VKM nr.200, datë 19.02.2009, duke konkluduar në bazë të analizës së provave se këto kritere plotësohen.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 485 pika “d” të K.Pr.Civile.
V E N D O S I
Ndryshimin e vendimit nr.512, datë 08.03.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe të vendimit nr.1510, datë 01.03.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në këtë mënyrë;
Pranimin e kërkesë padisë.
Shfuqizimin e vendimit nr.40, datë 21.01.2010, të AKKP Tiranë.
Shpenzimet gjyqësore i përkasin të paditurit.
Tiranë, më 11.11.2015
MENDIM PAKICE
Jam i mendimit kundër, pasi pas vlerësimit në tërësi vendimeve të gjykatave më të ulëta si dhe në vlerësim të pretendimeve të palës paditëse të ngritura në rekurs, mendoj se nuk ka vend për ndryshimin e vendimeve.
Personi i tretë, duke pretenduar se është subjekt i Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.200, datë 19.02.2009, “Për përcaktimin e kushteve dhe për procedurën e tjetërsimit të oborreve në përdorim, për llogari të fondit të kompensimit financiar”, në zbatim të përcaktimeve të këtij akti normativ, i është drejtuar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me kërkese për tjetërsimin me kundërshpërblim të sipërfaqes “oborr në përdorim” dhe kalimin në pronësi të tij të truallit nën ndërtim dhe oborrit funksional duke paraqitur edhe dokumentacionin si vijon.
Dokumentacioni si më lart, i marrë në shqyrtim nga Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave u konsiderua se plotëson kushtet ligjore për tjetërsimin e oborrit në përdorim duke ju pranuar kërkesa personit të tretë.
Si gjyqtar në mendimin e pakicës vlerësoj paraprakisht se procesi i kundërshtimit në gjykatë të vendimeve të AKKP-së për të cilin është investuar në mënyrë institucionale Avokatura e Shtetit është një proces i rëndësishëm si nga pikëpamja administrative por ashtu edhe nga pikëpamja e pronësisë. Avokatura e Shtetit duhet të paraqesë një informacion të plotë dhe zyrtar në lidhje me vendimin objekt gjykimi. Goditja gjyqësore e këtij vendimi është në kufijtë e cënimit të sigurisë juridike në lidhje me pronësinë të fituar tashmë nga vendimmarrja e palës së paditur AKKP-së. Pala paditëse nuk mundet vetëm të kundërshtojë këto vendime të cilët kanë disponuar pasuri të paluajtshme në favor të subjekteve përfitues dhe me kundërshpërblim. Por kjo palë duhet të paraqesë argumenta të plota të mbështetura në prova për të kërkuar kundërshtimin e këtij vendimi.
Këtu, mbaj në vëmendje parimin e prezumimit te ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve shtetërore, si një nga parimet kryesore të së drejtës administrative, pranuar nga sistemi jonë i së drejtës. Kështu, pala që i drejtohet gjykatës për të kundërshtuar një vendimmarrje të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka detyrimin procedurial “onus probandi” që të paraqesë argumentet dhe provat mbi bazën e të cilave mbështet pretendimet e saj. Në aspektin procedurial ky detyrim rezulton edhe nga neni 12 i K.Pr.Civile, ku parashikon se: “Pala që pretendon një të drejtë, ka detyrim që, në përputhje me ligjin, të provojë faktet mbi të cilat bazon pretendimin e saj.”.
E drejta për të pasur akses për t`iu drejtuar gjykatës për mbrojtjen e pretendimeve përkatëse është e drejtë themelore, por kjo nuk do të thotë se thjesht duhet kërkuar pavlefshmërinë apo shfuqizimin e një vendimmarrje të një organi shtetëror, më pas të mbahet një pozicion pasiv, duke i kërkuar palës së paditur apo personit të tretë në favor të të cilit është disponuar të vërtetojë se akti është i vlefshëm. Në këtë mënyrë nga ana e Gjykatave cënohet parimi i kontradiktorialitetit apo edhe i barazisë së armëve, pasi pala e paditur apo personi i tretë vendoset në një pozitë të disfavorshme, pa asnjë shkak të ligjshëm.
Gjatë gjykimit, Avokatura e Shtetit pretendoi vetëm faktin se ky vendim është dhënë në mungesë të një konfirmimi nëse prona “oborr në përdorim”, është në pronësi shtet apo i ka kaluar pushtetit vendor.
Si gjyqtar në pakicë vlerësoj të theksoj se bazuar edhe në parimet si më lart evidentuar, kam bindjen se pala paditëse nuk ka sjellë pretendime apo prova të plotë dhe të mjaftueshme për anullimin pjesërisht apo plotësisht të vendimit. Për aq kohë, sa kjo palë nuk ka bindur procedurialisht për pretendimet e saj, gjykata nuk e cënon vendimmarrjen e AKPP-së.
Gjithashtu theksoj se në interpretim të pikës 2 të ndarjes I të VKM, AKKP-ja ka të drejtë të vlerësojë rast pas rasti në lidhje me sipërfaqen e tokës që konsiderohet oborr në përdorim. Është vetë akti nënligjor që i jep të drejtë AKPP-së për të shqyrtuar dhe vendosur rast pas rasti. Kontrolli që ushtrohet nga ana e gjykatës mbi veprimtarinë e AKKP-së, veprim i cili konsiston në faktin e shfaqjes së vullnetit nga ana e këtij organi të administratës shtetërore, lidhur me rregullimin e atyre raporteve që në bazë të ligjit i janë lënë, është një kontroll i cili fokusohet në ligjshmërinë e veprimit. Paligjshmëria i referohet dispozitave konkrete të cilat janë shkelur nga organi i administratës shtetërore në nxjerrjen e aktit administrativ.
Kam mendimin se vendimi i Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, e cila sipas akteve nënligjore është autoriteti i autorizuar për kalimin e pronësisë së oborreve në përdorim, është i ligjshëm dhe i bazuar në aktet nënligjore dhe në dokumentacionin e paraqitur. Pala paditëse nuk provoi gjatë gjykimit ndonjë parregullsi përsa i përket paraqitjes së dokumentacionit apo edhe shqyrtimit të kësaj kërkese.
Për të gjitha arsyet e mësipërme, jam i mendimit se vendimet e gjykatave më të ulëta duhet të ishin lënë në fuqi si vendime të drejta.
Pavarësisht si më sipër, shumica në rast se do të kishte rezerva në lidhje me zgjidhjen e dhënë nga dy gjykatat më të ulta, duhet të kishte vendosur Prishjen e vendimit, dhe dërgimin e cështjes për rishqyrtim, për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm, sipas neneve 12 dhe 14 të K.Pr.Civile.
Si gjyqtar në pakicë, jam i mendimit se Kolegji Civil vlerëson se Gjykata e Lartë nuk mund të disponojë për zgjidhjen në themel të çështjes, nëse gjykata e apelit ka dhënë një vendim përfundimtar të ndryshëm nga ai që e zgjidh në themel çështjen. Gjykimi në apel është shkalla e dytë e gjykimit, në të cilën, sikurse në shkallë të parë, palët kanë të drejtën të debatojnë për provat dhe ligjin e zbatueshëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.
Në dallim nga gjykata e apelit, Gjykata e Lartë, edhe nëse arrin në përfundimin se hetimi gjyqësor nuk është i plotë dhe i gjithanshëm, ka të drejtën vetëm të prishë vendimin e gjykatës më të ulët dhe të kthejë çështjen për rishqyrtim duke i caktuar edhe detyrat përkatëse. Gjykata e Lartë nuk mund të përsërisë vetë tërësisht a pjesërisht hetimin gjyqësor, për shkakun e thjeshtë se, duke qënë vetëm gjykatë ligji, nuk i lejohet të marrë prova të reja apo të lejojë palët të debatojnë mbi provat, duke hetuar e çmuar ndryshe provat e debatuara në gjykimin në apel e shkallë të parë (vendimi nr.160, datë 06.04.2010 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë).
Vlerësoj gjithashtu se ndërgjyqësia e përcaktuar sipas padisë është e parregullt, pasi duke qenë se me vendimmarrjen e palës së paditur, personit të tretë i janë njohur të drejta pronësie, atëherë duhet të ishte thirrur në pozitën e të paditurit dhe jonë atë të personit të tretë.
Në rekursin e palës së paditur ngrihen edhe pretendime që lidhen zgjidhjen në themel të çështjes, për të cilat, në rigjykim, duhet të shprehet në mënyrë ezauruese gjykata e apelit, duke çmuar ajo vetë mbi nevojën dhe shkallën e përsëritjes së hetimit gjyqësor në funksion të dhënies përgjigje mbi shkaqet që ngrihen në ankimin e palës paditëse.
Artan Broci
Nr. 11243-03100-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-4040 i Vendimit (479)
Do'stlaringiz bilan baham: |