VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Aleksandër Muskaj Kryesues
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 11.11.2015, mori në shqyrtim çështjen civile me nr.11111-00167-00-2012, që u përket palëve:
PADITËS: OLIMBI GEGA.
E PADITUR: SHOQËRIA TREGTARE “STELLA” SH.P.K. BERAT.
PERSONA TË TRETË: MINISTRIA E EKONOMISË TREGTISË ENERGJITIKËS.
PREFEKTI I QARKUT BERAT.
BASHKIA BERAT.
SH.A “TEKSTILI” BERAT.
DREJTORIA E NJËSISË SË TENSIONIT TË LARTË FIER.
OBJEKTI:
Pushimi i cenimit të pronësisë e mospërsëritja në të ardhmen.
Rivendosjen e servitut kalimit
dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga i padituri
nga kundërshtimi i të drejtës së servitutit të kalimit.
Baza Ligjore: Nenet 292 e 302 i K.Civil.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, me vendimin nr.1277, datë 05.11.2007, ka vendosur:
“Pranimin e pjesshëm të padisë.
Detyrimin e të paditurit shoqëria tregtare “Stella” shpk të pushojë cenimin e pronësisë së paditëses Olimbi Gega mbi pronën e saj, pasuri e paluajtshme nr.19/246, Zona Kadastrale 8501, regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat dhe të mos e përsërisë këtë në të ardhmen.
Detyrimin e të paditurit shoqëria tregtare “Stella” shpk të hapë rrugën e bllokuar prej tij në hyrjen kryesore të ish Kombinatit Tekstileve Berat, duke lejuar kalimin nëpërmjet kësaj rruge të personave dhe mjeteve për në pronën e paditëses Olimbi Gega me nr.pasurie 19/246, zona kadastrale 8501 e ndodhur Brenda territorit të ish Kombinatit të Tekstileve Berat.
Pushimin e gjykimit për pjesën trjetër të objektit të padisë në lidhje me rivendosjen e servitutit të kalimit dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga kundërshtimi i së drejtës së servitutit të kalimit“.
Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.678, datë 05.07.2010, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.1277, datë 05.11.2007, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat”.
Kundër vendimit të gjykatës së apelit ka ushtruar rekurs pala e paditur shoqëria “Stella” shpk, depozituar në gjykatë më datë 04.08.2010 nëpërmjet shërbimit postar, me të cilin kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe të vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe pushimin e gjykimit, për këto shkaqe:
-
Vendimet e gjykatave janë rezultat i zbatimit të keq të ligjit dhe i shkeljeve procedurale që kanë ndikuar në dhënien e tyre.
-
Paditësja, sipas vërtetimit nga hipoteka, është pronare e pasurisë nr.19/246, z.k. 8501 me sipërfaqe totale 21.414 m2 prej së cilës 14.018 m2 sipërfaqe ndërtimi.
-
Në dokumentacionin e pronës të paraqitur nga paditësja ka mjaft pasaktësi dhe kontradikta në lidhje me kufitarët e kësaj prone. Kufitarët e pasqyruar në vërtetimin hipotekor nuk përputhen me ata të Hartës Treguese të Z.V.R.P.P., gjë që nuk e legjitimon atë në padinë objekt gjykimi.
-
Paditësja nuk mund të kërkojë pushimin e cenimit në pronësi kur tre kufitarë të pronës së saj, sipas dokumentacionit, janë të ndryshëm dhe kur sipërfaqja e pasurisë së saj nuk është e saktë.
-
Nga ana jonë kemi vërtetuar, me prova shkresore që në origjinë, se jemi pronarë të pasurisë që nga pala paditëse pretendohet se është rrugë.
-
Me “Raport dhe Vlerësim” të ekspertëve kemi provuar se sipërfaqja totale ndërtimore e të gjitha godinave, sipërfaqja truall i lirë dhe ajo nën objekte, sheshe, rrugë, gjelbërim etj. është 181.063 m2. Referuar provave shkresore rezulton se pasuria 19/164 nuk është rrugë por “godinë që kufizohet në jug me pasurinë 19/246 me sipërfaqe 16172 m2”.
-
Gjykata ka shkelur kërkesat e ligjit procedurial lidhur me marrjen e provës me ekspertë. Gjykata në kundërshtim me nenin 224/a të K.Pr.Civile refuzoi kërkesën tonë për marrjen e kësaj prove.
-
Po kështu, gjykata nuk pranoi kërkesën tonë datë 31.10.2007 për riçeljen e hetimit gjyqësor, parashikuar nga neni 304 i K.Pr.Civile, lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit për ndryshimin e masës së sigurimit të padisë.
-
Edhe zgjidhja në themel e çështjes është e paragjykuar. Masa e sigurimit të padisë është marrë në kundërshtim me vendimin njësues nr.10, datë 24.03.2004, pasi me të është vendosur ajo çka kërkohet me padinë në gjykim.
-
Gjykata nuk ka marrë parasysh asnjë nga provat lidhur me cilësimin e pasurive “rrugë”. Cilësimi i pasurisë nr.19/164 rrugë është i pavërtetë. Kjo pasuri është objekt në pronësi të shtetasit Arben Kazazi. Po kështu dhe pasuritë nr.19/155 dhe 19/156 nuk janë rrugë por objekte, ndërtesa 3 kat e drejtorisë me sipërfaqe 720 m2 dhe ndërtesë Roje&Farmaci me sipërfaqe 100 m2.
-
Paditësja nuk ka vërtetuar me asnjë dokument se rruga për në pronën e saj kalon nëpër pronën e të paditurit apo që i padituri e pengon dhe e cenon.
-
Fakti i cenimit është argumentuar gabim. Pasuritë e palëve janë të ndara me njëra tjetrën dhe secila ka rrugën e saj të lëvizjes. Nga ana jonë nuk pengohet paditësja për të kaluar për në pronën e saj, pasi ka mjaft rrugë për t’u futur në objektin e saj dhe, për më tepër ajo ka dalje direkte për në rrugën kryesore Berat-Ura Vajgurore.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Artan Broci, dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Se vendimi nr.678, datë 05.07.2010, të Gjykatës së Apelit Vlorë i cili ka lënë në fuqi vendimin nr.1277, datë 05.11.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat është marrë jo në zbatim të ligjit e si tillë duhet të prishet e çështja duhet të kthehet për rishqyrtim në Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat me tjetër trup gjykues.
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se paditësja ka të regjistruar pranë Zyrës Vendore të Pasurive të Paluajtshme në pronësi një pjesë të ish-Kombinatit të Tekstileve Berat individualizuar pasuria me nr.19/246, zona kadastrale 8501, vol. 17, faqe 149, datë 26.09.2006, me sipërfaqe 21.414 m2 truall nga të cilat 14.018 m2 sipërfaqe ndërtimore, ish-objekti “Tezgjah nr.1”, me kufizimet përkatëse.
Në origjinë kjo pasuri referon si pasuri shtetërore cila ka kaluar në pronësi të paditëses me kontratën nr.4513/1277, datë 28.08.2000.
Një pjesë të kësaj pasurie (ambiente), paditësja e ka dhënë me qira shoqërive “Mina Confezioni” sh.p.k, “Klejdi” shpk dhe “Italstyle” sh.p.k, të cilat, në ambientet e marra me qira ushtrojnë aktivitet privat.
Nga ana tjetër, në vitin 1996 është krijuar shoqëria “Tekstili” sha Berat, me aksionar Agim Matuka zotërues i 61% të aksioneve, shteti zotërues 19% dhe aksionarë të tjerë zotërues të 20% të aksioneve. Në kapitalin e kësaj shoqëria kanë qenë përfshirë trualli me sipërfaqe prej 181.043 m2 dhe disa objekte.
Në vitin 2002 shoqëria “Tekstil Berat” sha është ndarë, duke u shkëputur aksioneri zotërues i 61% të aksioneve e duke krijuar shoqërinë “AM Tekstili” sh.p.k. Pra, pas ndarjes janë dy shoqëri, ajo “Tekstil Berat” sha ku zotërues të aksioneve janë shteti dhe persona privatë, dhe ajo “AM Tekstili” sh.p.k me ortak të vetëm Agim Matuka. Secilës prej këtyre shoqërive iu kanë kaluar si kapital themeltar truaje dhe objekte përkatëse.
Në vitin 2004 shoqëria“AM Tekstili” sh.p.k është bashkuar me anë të përthithjes me shoqërinë “Stela” sh.p.k dhe pas bashkimit ka mbajtur emërtimin “Stela” sh.p.k, që është dhe pala e paditur në këtë gjykim.
Paditësja Olimbi Gega, me pretendimin se pala e paditur, shoqëria “Stela” SHPK ka mbyllur rrugën e asfaltuar dhe portën kryesore, duke: - moslejuar kalimin në to të punonjësve dhe mjeteve të saj, si dhe të shoqërive që u ka dhënë me qira pjesë nga pasuria e saj; - duke e bllokuar në ushtrimin e aktivitetit dhe - duke e cenuar në gëzimin e të drejtave të pronësisë, me padi ka kërkuar si në objektin e saj pasqyruar në pjesët hyrëse të vendimeve të gjykatave të faktit.
Nëpërmjet prapësimeve, pala e paditur, shoqëria “Stela” shpk ka parashtruar se ajo është pronare e pjesës që pretendohet si rrugë, që në fakt nuk është rrugë por truall, duke paraqitur për këtë pretendim hartën e rilevimit të ish-Kombinatit të Tekstileve Berat.
Gjatë gjykimit, paditësja ka hequr dorë nga kërkimi për rivendosjen e servitutit të kalimit dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga i padituri nga kundërshtimi i së drejtës së servitutit të kalimit.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, me vendimin nr.1277, datë 05.11.2007, ka vendosur: “Pranimin e pjesshëm të padisë.
Detyrimin e të paditurit shoqëria tregtare “Stella” shpk të pushojë cenimin e pronësisë së paditëses Olimbi Gega mbi pronën e saj, pasuri e paluajtshme nr.19/246, Zona Kadastrale 8501, regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat dhe të mos e përsërisë këtë në të ardhmen.
Detyrimin e të paditurit shoqëria tregtare “Stella” shpk të hapë rrugën e bllokuar prej tij në hyrjen kryesore të ish Kombinatit Tekstileve Berat, duke lejuar kalimin nëpërmjet kësaj rruge të personave dhe mjeteve për në pronën e paditëses Olimbi Gega me nr.pasurie 19/246, zona kadastrale 8501 e ndodhur Brenda territorit të ish Kombinatit të Tekstileve Berat.
Pushimin e gjykimit për pjesën tjetër të objektit të padisë në lidhje me rivendosjen e servitutit të kalimit dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga kundërshtimi i së drejtës së servitutit të kalimit“.
Në pranimin e pjesshëm të padisë Gjykata (a) ka pranuar të vërtetuar: - pronësinë e paditëses mbi pasurinë nr.19/246 të përbërë nga truall dhe objekte; - pronësinë e palës së paditur mbi sipërfaqe trualli dhe objekte të cilat nuk janë kufitare me pronën e palës paditëse; - sipërfaqja e individualizuar si pasuria nr.19/164 është rrugë midis pronave të palëve ndërgjyqëse dhe nuk është në pronësi të palës së paditur; (b) më tej gjykata, pasi citon nenet 149 e 302 të Kodit Civil, arsyeton: - “Rruga që pala e paditur pretendon se është pronare nuk u provua në gjykim”; - sipas akteve të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të sjella nga Prefektura Berat, e cila në gjykim është bashkuar me kërkimet e paditëses, “...rezulton se pasuritë me nr.pasurie 19/155, 19/164, 19/166 dhe 19/168 janë rrugë. Këto rrugë sipas listës së kapitalit themeltar të shoqërisë mëmë sha “Tekstili” Berat nuk përfshihen në kapitalin e asnjë shoqërie. Pra janë rrugë publike që mund të përdoren nga kush do dhe pronar kanë shtetin dhe meqë janë në territorin e Bashkisë Berat janë në administrimin e saj”; - po të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe METE; - “Në rastin konkret paditësja...nuk gëzon lirisht pronën e saj pasi i padituri..., ka bllokuar rrugën që të çon nga rruga kryesore nacionale për në ndërtesën e paditëses... I padituri konkretisht ka bllokuar portën kryesore në hyrje të Ish Kombinatit të Tekstileve Berat duke moslejuar presonat që punojnë në objektin e paditëses si dhe mjetet që duhet të shkojnë atje”; - “I padituri duke moslejuar paditësen, punëtorët dhe mjetet që shkojnë në objektin e saj ka cenuar në mënyrë të drejtpërdrejt paditësen...në të drejtën e pronësisë së saj mbi këtë pasuri të paluajtshme”; - “Porta kryesore dhe rruga që ka bllokuar i padituri ka qënë ekzistuese që në kohën kur është ndërtuar Kombinati... dhe ka funksionuar po kështu gjatë gjithë kohës dhe pas privatizimit të një pjese të ish Kombinatit”; - lidhur me pretendimin e palës së paditur se për përcaktimin e sipërfaqes së pronës, rrugëve, nëse pala paditëse ka apo jo rrugë tjetër kalimi duhet kryer akt ekspertimi gjykata ka parashtruar “se caktimi i ekspertit për të sqaruar çfarë kërkonte pala e paditur dilte jashtë objektit të gjykimit”.
Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.678, datë 05.07.2010, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.1277, datë 05.11.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat”.
Kjo Gjykatë ka arsyetuar ndërmjet të tjerash se:”...njëkohësisht në gjykim pala paditëse paraqiti edhe vendimin gjyqësor të Gjykatës së Apelit Vlorë me nr.563 datë 07.06.2010 midis po atyre palëve ndërgjyqëse me objekt “Pavërtetësi Dokumenti” ( hartë me titull plan nivelimi i Kombinatit të Tekstileve Berat), që është lënë në fuqi nga kjo Gjykatë (Apeli) vendimi nr.913 dt. 30.06.2009 ku në diapozitiv thuhet se “Deklarimin e pavërtetë të dokumentit hartë me titull Plani i rilevimit të ish kombinatit të Tekstileve Berat nënshkruar nga ish përgjegjësi i Zyrës Urbanistike Berat Valentin Zotkaj dhe ish drejtori i drejtorisë së Privatizimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme Sherif Hoxha si dhe me vulën e bashkisë Berat dhe Ministrisë së Ekonomisë. Pra edhe kjo prove e paraqitur nga pala paditëse (avokati i saj) në gjykimin në apel është në favor të paditësit dhe rrëzon tej arsyetimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Berat prapësimet e të paditurit Pronar i kësaj pasurie...”
Kundër vendimit të gjykatës së apelit ka ushtruar rekurs pala e paditur shoqëria “Stella” shpk, depozituar në gjykatë më datë 04.08.2010 nëpërmjet shërbimit postar, me të cilin kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe të vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe pushimin e gjykimit
II. LIGJI I ZBATUESHËM
Neni 42 i Kushtetutës, i cili shprehet se “1. Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor.
2. Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.”;
19. Neni 1 i Protokollit nr.1 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili shprehet se “Çdo person fizik apo juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pronës së tij. Asnjë person nuk do të privohet nga prona e tij me përjashtimin e interesave të publikut dhe kur u nënshtrohet kushteve të parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Dispozitat pararendëse, sidoqoftë, nuk do të cenojnë në asnjë mënyrë të drejtën e një shteti për të zbatuar këto ligje në mënyrën që e gjykon të nevojshme për të kontrolluar përdorimin e pronës në përputhje me interesin e përgjithshëm apo për të siguruar pagimin e taksave ose të ndonjë kontributi apo detyrimi tjetër”;
Neni 163 i Kodit Civil, i cili shprehet se “Pronësia fitohet nëpërmjet mënyrave të caktuara në këtë Kod dhe mënyrave të tjera të caktuara me ligj të veçantë.”;
Neni 296 i Kodit Civil, i cili shprehet se “Pronari ka të drejtë të ngrejë padi për të kërkuar sendin e tij nga çdo posedues ose mbajtës.
Këtë të drejtë e ka edhe çdo bashkëpronar për sendin e përbashkët, me qëllim që ai t’u dorëzohet gjithë bashkëpronarëve.”;
-
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON
Se pretendimet e parashtruara në rekursin e paraqitur nga pala e paditur shoqëria “Stella” shpk,, përbëjnë shkaqe ligjore në kuptim të Nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile që të motivojnë cenimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë që ka lënë në fuqi vendimin nr.1277 datë 05.11.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.
Nga shqyrtimi në tërësi i kësaj çështje, të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve nga gjykatat e faktit, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve, të vendimit të gjykatës, si dhe shkaqeve të rekursit të paraqitur nga pala e paditur, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se arsyetimi dhe përfundimi i arritur nga gjykatat e faktit është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit, duke cenuar procesin e rregullt ligjor, prandaj vendimi i kësaj gjykate duhet të prishet dhe çështja duhet të kthehet për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat me trup tjetër gjykues.
Shkaqet e parashtruara në rekurs, pasi u analizuan nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, kanë rezultuar të bazuara në ligj (Neni 472 i Kodit të Procedurës Civile) dhe si të tilla do të pranohen, duke pas sjellë edhe cenimin e vendimit.
Objekti kryesor i këtij gjykimi, është në tërësi marrëdhënia juridiko-civile e pronësisë dhe konkretisht e drejta e pronësisë dhe të drejtat reale sikurse është servituti i kalimit, dhe fakultetet që rrjedhin prej tyre, që ndërgjyqësit pretendojnë se janë ligjërisht titullar.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se nga ana e Gjykatës së Apelit është shkelur dispozita mbi çmuarjen e provave në dosje, pasi gjykatat janë bazuar në një provë shkresore Hartë me titull plan nivelimi i Kombinatit të Tekstileve Berat, shk. 1:2000, e cila nga ana e palës paditëse është bërë edhe objekt i një gjykimi të posacëm per “goditje për falsitet”.
Kështu rezultoi se Gjykata e Lartë me vendimin nr.00-2014-3553 (573), datë 06.11.2014, ka vendosur: “Prishjen e vendimit nr.563, datë 07.06.2010, të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues”.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, vlerëson se nga ana e Gjykatës së Apelit Vlorë duhet të ishin zbatuar dispozita e nenit 297 të Kodit të Procedurës Civile i cili parashikon se: “Gjykata vendos pezullimin e Gjykimit kur a) çështja nuk mund të zgjidhet para se të zgjidhet një çështje tjetër penale, civile ose administrative; b)...”, pasi ajo gjykatë nuk mund të zgjidhte mosmarrëveshjen që i ishte paraqitur pa u përfunduar më parë gjykimi në lidhje me Prishjen e vendimit nr.563, datë 07.06.2010, të Gjykatës së Apelit Vlorë, objekt i të cilit ishte fuqia provuese e një prove shkresore, në të cilën është bazuar vendimmarrja e gjykatës .
Gjykata ka detyrimin ligjor që, në funksion të shqyrtimit dhe zgjidhjes së drejtë të çështjes, “të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin” (neni 14), të bëjë një “cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen”, të çmojë “provat e marra gjatë gjykimit të çështjes, sipas bindjes së saj të brendshme, të formuar nga shqyrtimi i të gjitha rrethanave të çështjes në tërësinë e tyre” (neni 309) dhe “të zgjidhë mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj” (neni 16).
Gjykata, bazuar në nenet 223 dhe 224 të Kodit të Procedurës Civile, për verifikimin e fakteve, që kanë lidhje me mosmarrëveshjen në gjykim, mund të kërkojë zyrtarisht nga organet e administratës publike, të dhëna me shkrim për akte dhe dokumente që ndodhen pranë tyre dhe që vlerësohen të nevojshme të shqyrtohen në këtë proces gjyqësor, sikurse janë praktikat që janë përpiluar në momentin e transformimit të ish ndërmarrjes shtetërore në shoqëri aksionere dhe më pas të transferimit të së drejtës së pronësisë mbi aksionet nga shteti tek privati.
Kolegji Civil thekson se hetimi i plotë dhe i gjithanshëm i çështjes, në përputhje me ligjin i parashikuar nga neni 14 i K.Pr.Civile, është parim themeltar i gjykimit civil dhe përbën një detyrim për gjykatat në të gjitha shkallët e gjykimit.
Në ndryshim nga dy gjykatat më të ulëta, Gjykata e Lartë ka për objekt vetëm zbatimin e ligjit material e procedural nga ana e tyre, por pa patur të drejtën të zhvillojë hetimin gjyqësor në drejtim të marrjes së provave, apo vlerësimit e çmimit të atyre që janë vënë në bisedim nga gjykatat më të ulëta.
Për sa më sipër Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se në përputhje me Nenin 485/ç të K.Pr.Civile duhet të vendoset prishje e vendimit të Gjykatës së Apelit, dhe vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat me tjetër trup gjykues.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë thekson se nga ana e gjykatave duhet të mbahet parasysh edhe respektimi i afatit të arsyeshëm të zgjidhjes së konfliktit.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 485 germa “ç” të K.Pr.C.
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.678, datë 05.07.2010, të Gjykatës së Apelit Vlorë, dhe vendimit nr.1277, datë 05.11.2007, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 11.11.2015
Nr. 11115-00552-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3848 i Vendimit (477)
Do'stlaringiz bilan baham: |