VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 11.11.2015, mori në shqyrtim çështjen civile me nr.1243-03203-00-2015, që u përket palëve:
PADITËS: ZAIM HOXHA, në mungesë,
E PADITUR: DREJTORIA RAJONALE E SIGURIMEVE SHOQËRORE DURRËS, në mungesë,
OBJEKTI I PADISË:
1. Detyrimi e të paditurit të më njohë vjetërsinë në punë për këto vite:
-Periudhën 18.02.1963 deri më 24.12.1964 pranë NBSH “Çlirimi” Fier.
-Periudhën 19.01.1970-01.08.1971 në NISH Tulla Durrës.
-Periudhën nga data 11.08.1972 deri në 19.03.1977 pranë Parkut të Portit Durrës.
-Periudhën nga 01.03.1991 deri 31.12.1991 në Ndërmarrjen Tregtare Shijak.
-Periudhën 01.01.1993 deri në 31.07.1994
në Shkollën Mekanike 2 vjeçare në Shkozet, Durrës.
2. Detyrimin e të paditurit të më japë pensionin
duke mi llogaritur edhe këto vite si vite punë nga momenti i paraqitjes
së kërkesës për marrje pensioni pranë Degës së Përfitimeve Durrës.
Baza Ligjore: Nenet 32, 388 e vijues të K.Pr.Civile.
Ligji 7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.(11-2015-4297) 1491, datë 23.09.2015, ka vendosur:
“Të nxjerrë jashtë juridiksionit gjyqësor çështjen civile me paditës Zija Hoxha me të paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore me objektin e përshkruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditësit”.
Kundër këtij vendimi, ka ushtruar ankim të veçantë me datë 25.09.2015, pala paditëse Zaim Hoxha, i cila kërkon: prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për vazhdimin e gjykimit në këtë gjykatë për këto shkaqe:
-
Gjykata ka gabuar tërësisht në dhënien e këtij vendimi sepse paditësi nuk ka kërkuar anullimin e vendimit të caktimit të pensioni por ka kërkuar njohjen e viteve të vjetërsisë në punë që ai ka punuar.
-
Gjykata në vendimin e saj ka pranuar se para gjykatës janë provuar të gjitha faktet që ne kërkojmë, është provuar dhe me dëshmitarë periudha e punës që kërkojmë, por nga ana e saj gjykata në interpretim të gabuar të ligjit e ka nxjerrë çështjen jashtë juridiksionit gjyqësor.
-
Paditësi e ka tërhequr pensionin e pjesshëm gjatë kësaj periudhe dhe tashmë kërkon njohjen e atyre viteve që nuk i janë njohur për efekt vjetërsie në punë.
-
Pranimi i pensionit të pjesshëm nuk mund t’i heqë të drejtën paditësit për të kërkuar njohjen e viteve të qenies në marrëdhënie pune për efekt të masës së pensionit të ndryshëm nga ajo e përfituar.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË,
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Admir Thanza; në mungesë të palëve ndërgjyqëse; si dhe pasi diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
I. Rrethanat e çëshjtes.
1. Paditësi Zaim Hoxha është trajtuar me pension të pjesshëm nga i padituri Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Durrës me vendimin nr.2567, datë 25.01.2013.
2. Paditësi duke pretenduar se ka pasur dhe vite vjetërsie të punës në ish ndërmarrje apo institucione të shtetërore në Durrës i është drejtuar gjykatës së shkallës së parë me padinë me dy kërkime: së pari, njohjen e vjetërsisë në marrëdhënie pune në këto ish ndërmarrje apo institucione në Durrës dhe së dyti, detyrimin e të paditurit të mi llogarisë këto vite që nga momenti i paraqitjes së kërkesës për marrje pensioni.
3. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.(11-2015-4297) 1491, datë 23.09.2015, ka vendosur:
Të nxjerrë jashtë juridiksionit gjyqësor çështjen civile me paditës Zija Hoxha me të paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore me objektin e përshkruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditësit.
-
Gjykata në këtë vendim ka arsyetuar se: “...omissis... paditësi duhet të kishte konsumuar juridiksionin administrativ, përpara se ti drejtohej Gjykatës sikurse i ka sugjeruar edhe pala e paditur me shkresën e datës 245 prot. datë 13.05.2015 dhe nr.3804, datë 18.06.2015. Në këto shkresa pala e paditur i ka bërë të ditur paditësit se sipas nenit 86 të ligjit 7703, datë 11.05.1993, ka të drejtë që të ankohet administrativisht në Komisionin Rajonal të Ankimit kundra vendimit për caktimin e pensionit të pjesshëm nr.2567, datë 25.01.2013.
Detyrimi për të ezauruar rekursin administrativ buron nga neni 86 i ligjit të posaçëm i cili përcakton:“1.Ankimi kundër vendimeve të përfitimeve bëhet në Komisionin e Ankimit pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore; 2.Ankimi kundër vendimeve të Komisionit të Ankimit të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore bëhet në Komisionin e Ankimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore; 3. Ankimet e zgjidhura në mënyrë të pafavorshme bëhen në Gjykatë, vendimi i të cilës është përfundimtar; Këshilli Administrativ përcakton përbërjen, numrin dhe procedurën e funksionimit të Komisionit të Ankimit pranë Drejtorive Rajonale dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.” Pra sipas kësaj dispozite, vetëm nëse paditësi konsumon rrugën administrative të ankimit, dhe përgjigjia e dhënë nuk është e favorshme për të, atëherë ai legjitimohet që ti drejtohet gjykatës.
Në rrethana të tilla Gjykata vlerëson se është rasti i parashikuar nga neni 59 i K.Pr.C. sipas të cilit çështja duhet nxjerrë jashtë juridiksionit, me qëllim që paditësi të bëjë përpjekje që ta zgjidhë fillimisht mosmarrëveshjen në rrugë administrative. Kjo dispozitë përcakton: “Gjykata në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit, qoftë edhe kryesisht, merr në shqyrtim nëse çështja që shqyrton, bën pjesë në juridiksionin gjyqësor apo atë administrativ. Kundër vendimit të dhënë për një rast të tillë, mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën e Lartë.(...).”
-
Kundër këtij vendimi, ka ushtruar ankim të veçantë me datë 25.09.2015, pala paditëse Zaim Hoxha i cila kërkon, prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për vazhdimin e gjykimit në këtë gjykatë me shkaqet e lartpërmendura.
II. Ligji i zbatueshëm.
5. Dispozitat Kodit të Procedurës Civile
5.1. Nenit 36§1: Në juridiksionin e gjykatave hyjnë të gjitha mosmarrëveshjet civile e mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta.
5.2. Neni 59: Gjykata në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit, qoftë edhe kryesisht, merr në shqyrtim nëse çështja që shqyrton, bën pjesë në juridiksionin gjyqësor apo atë administrativ.
Kundër vendimit të dhënë për një rast të tillë, mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën e Lartë.
5.3. Neni 63: Me depozitimin e ankesës, sipas nenit 62 të këtij Kodi, pezullohet gjykimi i çështjes dhe gjykata mund të kryejë vetëm veprime procedurale që nuk presin.
Gjykata e Lartë shqyrton ankimin jo më vonë se tridhjetë ditë nga dita e ardhjes së çështjes.
Gjykata e Lartë në vendimin e saj për rregullimin e kompetencës jep udhëzimet e nevojshme për procesin gjyqësor të zhvilluar dhe për vazhdimin e tij nga gjykata që deklarohet kompetente.
5.4. Neni 388: Kur nga një fakt varet lindja, ndryshimi ose shuarja e të drejtave personale apo pasurore të një personi dhe akti që vërteton atë është zhdukur, ka humbur dhe nuk mund të bëhet përsëri ose nuk mund të merret me ndonjë rruge tjetër, personi i interesuar ka të drejtë të kërkojë që fakti të vërtetohet me vendim të gjykatës së shkallës së parë.
Kërkesa për vërtetimin e fakteve paraqitet në gjykatën e shkallës së parë, në territorin e së cilës ka banimin kërkuesi...
Në mënyrën e treguar më sipër mund të kërkohet edhe korrigjimi i gabimeve të akteve të treguara në paragrafin e parë të këtij neni.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se:
-
Vendimi nr.(11-2015-4297) 1491, datë 23.09.2015, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës është marrë në zbatim të gabuar të ligjit dhe për këtë shkak duhet prishur dhe çështja t’i dërgohet asaj gjykatë për vazhdimin e gjykimit.
-
Siç rezulton nga analiza e akteve të administruar në dosje, gjykata ka disponuar kryesisht për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit me arsyetimin se: paditësi duhet të kishte konsumuar juridiksionin administrativ, përpara se ti drejtohej Gjykatës sikurse i ka sugjeruar edhe pala e paditur me shkresën e datës 245 prot. datë 13.05.2015 dhe 3804 datë 18.06.2015. Në këto shkresa pala e paditur i ka bërë të ditur paditësit se sipas nenit 86 të ligjit 7703, datë 11.05.1993, ka të drejtë që të ankohet administrativisht në Komisionin Rajonal të Ankimit kundra vendimit për caktimin e pensionit të pjesshëm nr.2567, datë 25.01.2013.
Detyrimi për të ezauruar rekursin administrativ buron nga neni 86 i ligjit të posaçëm, i cili përcakton se ankimi kundër vendimeve të përfitimeve bëhet në Komisionin e Ankimit pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore; Ankimi kundër vendimeve të Komisionit të Ankimit të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore bëhet në Komisionin e Ankimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, vendimi gjyqësor që disponon mbi juridiksionin është një moment i rëndësishëm procedural për procesin në tërësi, për të garantuar të drejtat themelore të individit për t’iu drejtuar gjykatës dhe për tu dëgjuar prej saj për themelin e kërkimit. Duke konsideruar rëndësinë e këtij momenti procedural në garantimin e të drejtave të individit për një proces të rregullt ligjor, është parashikuar ushtrimi i ankimit të veçantë në Gjykatën e Lartë, pa qenë e nevoja e ankimit në gjykatën e apelit (neni 59/2 i Kodit të Procedurës Civile).
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë referuar çështjes konkrete, konstaton se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës sipas shkakut dhe objektit të padisë ka gabuar duke mospranuar juridiksionin e gjykatës për shqyrtimin e mosmarrëveshjes në gjykim. Në rastin në gjykim gjykatës i është paraqitur për shqyrtim padia me dy kërkime:
Së pari, Njohje e vjetërsisë në marrëdhënie pune, duke u detyruar pala e paditur ta pranojë këtë fakt;
Së dyti, detyrimin e të paditurit të mi llogarisë këto vite që nga momenti i paraqitjes së kërkesës për marrje pensioni.
-
Gjykatës së shkallës së parë lidhur me kërkimin e dytë të padisë i ka rezultuar se kjo çështje ti jetë caktuar paraprakisht për zgjidhje organit administrativ dhe për pasojë duke qenë se paditësi nuk ka ushtruar ankim administrativ në Komisionin Rajonal të Ankimit pranë të paditurit ka vendosur që çështja objekt gjykimi në tërësi të nxirret jashtë juridiksionit gjyqësor.
-
Në nenin 36 të Kodit të Procedurës Civile, parashikohet se: “Në juridiksionin e gjykatave shqiptare hyjnë të gjitha mosmarrëveshjet civile dhe mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta. Juridiksioni gjyqësor civil ushtrohet sipas dispozitave të këtij Kodi dhe ligjeve të veçanta. Asnjë institucion tjetër nuk ka të drejtë të pranojë për shqyrtim një mosmarrëveshje civile që është duke u shqyrtuar nga gjykata”.
-
Kolegji Civil vlerëson se, në kuptim të përmbajtjes së dispozitave të cituara sa sipër neneve 36, 59, 60 e vijues të Kodit të Procedurës Civile, gjykata e shkallës së parë ka vendosur në zbatim të gabuar të ligjit procedural duke mospranuar juridiksionin gjyqësor. Gjykata ka në juridiksionin e saj zgjidhjen e çështjes konkrete lidhur me kërkimin e paditësit për njohjen e vjetërsisë në marrëdhënie pune.
-
Në të tilla rrethana, ky Kolegj vlerëson se ankimi i paditësit për mohimin e aksesit të tij për shqyrtimin e çështjes në juridiksionin gjyqësor është i mbështetur në ligjin procedural civil.
-
Kolegji konstaton se gjykata në pjesën arsyetuese të vendimit ka pranuar mospërputhjen në aspektin formal të objektit të padisë si padi detyrimi dhe bazës ligjore të saj, nenit 388 të Kodit të Procedurës Civile. Sipas gjykatës, duke ju referuar bazës ligjore të padisë, ndërgjyqësia duhej formuar me kërkues dhe person të tretë.
-
Kolegji vlerëson se parimi i përgjithshëm i legjislacionit procedural civil është se palët në një gjykim, objektin dhe shkakun e padisë e përcaktojnë që me fillimin e gjykimit dhe mund ta ndryshojnë vetëm në kushtet që parashikojnë dispozita te veçanta te tij. Përcaktimi i natyrës juridike të mosmarrëveshjes është ajo qe përcakton se cilat do te jenë palët e kësaj mosmarrëveshje.
-
Në vendimin Unifikues nr.3, datë 29.03.2012, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë vlerësuar se: përcaktimi i objektit të mosmarrëveshjes që i paraqitet gjykatës për zgjidhje është në disponibilitetin ekskluziv të palëve dhe gjykata nuk mund të ndërhyjë në formulimin e tij. Janë palët ato që parashtrojnë kërkimet para gjykatës dhe që i kërkojnë asaj dhënien e një vendimi të caktuar (detyrimi, njohje apo transformues). Gjykata nuk ka të drejtë të dalë tej kërkimeve të palëve, që përbëjnë objektin e mosmarrëveshjes, pasi ajo zgjidh mosmarrëveshjen që i paraqitet për gjykim dhe nuk e zgjeron ex officio fushën e gjykimit. Nga ana tjetër, gjykata, konform nenit 154/a të K.Pr.Civile, ka të drejtë të vlerësojë padinë prima facie, duke parë nëse ekzistojnë në dukje kushtet paraprake për ekzistencën e padisë (interesi, pranueshmëria hipotetike dhe mundshmëria juridike, si dhe legjitimimi në dukje i palëve). Kolegjet e Bashkuara vlerësojnë se termat “objekt i mosmarrëveshjes” dhe “objekt i padisë” të përdorura në mënyrë jo koherente në nenet 5 dhe 185 (1) të Kodit të Procedurës Civile, i referohen të njëjtës gjë. Ato janë tërësia e pretendimeve të bëra nga paditësi në padi, për të cilat gjykata duhet të shprehet me vendim (neni 31 (1) i K.Pr.Civile)
-
Për sa sipër gjykata e shkallës së parë, e cila ka juridiksion përsa i takon kërkimit për vërtetimin e vjetërsisë në punë duhej të orientonte palën paditëse për ndërtimin e ndërgjyqësisë dhe në përputhje me qëndrimin e mbajtur nga ajo palë të jepte zgjidhje përfundimtare lidhur me këtë objekt gjykimi dhe jo ta nxirrte çështjen jashtë juridiksionin gjyqësor pas përfundimit të hetimit gjyqësor në dhënien e vendimit përfundimtar.
-
Kolegji Civil çmon gjithashtu, se vendimi nr.1491, datë 23.09.2015, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës nuk është në koherencë me praktikën e ndryshuar nga ana e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë me vendimin unifikues nr.3, datë 28.04.2014.
-
Nga aktet e ndodhura në dosjen gjyqësore rezulton se kërkesë padia e paraqitur pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës në datën 11.05.2015 ka pasur dy kërkime. Ky Kolegj vlerëson se qëllimi i ligjvënësit me miratimin e ligjit 49/2012 nuk ka qenë zvarritja e gjykimeve, por përkundrazi përshpejtimi i tyre, duke pasur parasysh vetë procedurën dhe afatet kohore të shkurtra në lidhje me gjykimet administrative.
-
Për sa më sipër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në interpretim të dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, Ligjit nr.49/2012, datë 03.05.2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, si dhe Vendimit Unifikues nr.3, datë 28.04.2014, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, arrin në përfundimin se vendimi nr.1491, datë 23.09.2015, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës duhet të prishet dhe për këtë shkak dhe çështja duhet të dërgohet në po atë gjykatë për vazhdimin e gjykimit.
-
Gjykata e shkallës së parë në vazhdim të gjykimit të çështjes pasi të përcaktojë natyrën e kërkimeve duhet të veçojë kërkimin me natyrë administrative, duke ja dërguar gjykatës kompetente dhe të zgjidhë përfundimisht kërkimin me natyrë civile në kompetencë të saj.
-
Në përfundim, ky Kolegj vlerëson se vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor duhet të prishet si vendim i marrë në zbatim jo të drejtë të ligjit procedural, duke e dërguar çështjen në po atë gjykatë për vazhdimin e gjykimit .
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 59 dhe 485 të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.(11-2015-4297) 1491, datë 23.09.2015, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe dërgimin e çështjes në po atë gjykatë për vazhdimin e gjykimit.
Tiranë, më 11.11.2015
Nr. 11243-03223-00-2015 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3845 i Vendimit (474)
Do'stlaringiz bilan baham: |