VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Ardian Dvorani Anëtar
Andi Çeliku Anëtar
Medi Bici Anëtar
mori në shqyrtim në seancën gjyqësore të datës 24.11.2015, çështjen administrative që i përket:
PADITËS: RESHAT STAFA,
E PADITUR: DREJTORIA E PËRGJITHSHME E TATIMEVE,
PERSON I TRETË: KOMISIONI I SHËRBIMIT CIVIL
OBJEKTI:
Anullimin e aktit administrativ, vendimit nr.2139, datë 17.08.2010,
të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve,
për dhënien e masës disiplinore “largim nga shërbimi civil”.
Kthimin në punën e mëparshme dhe pagimin e pagës nga momenti i ndërprerjes
së marrëdhenieve financiare datë 18.08.2010 deri në momentin e kthimit në punë.
Baza Ligjore: Nenet 31, 32, 153, 328, 331 e vijues të Kodit të Procedurës Civile;
Ligji nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”;
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.306, datë 13.06.2000,
“Për disiplinën në shërbimin civil”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.5436, datë 21.06.2011, ka vendosur:
“Anullimin e aktit administrativ të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, vendimit për dhënie mase disiplinore "Largim nga Shërbimi Civil" nr.2139, datë 17.08.2010. Rikthimin në punën e mëparshme të paditësit Reshat Stafa dhe pagimin e pagës që nga moment i largimit më datë 18.08.2010, deri në momentin e kthimit në punë”.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1371, datë 05.06.2012 vendosi:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.5436, datë 21.06.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Kundër vendimit nr.1371, datë 05.06.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve,e cila kërkon prishjen e vendimeve të gjykatave të faktit dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Vendimet e gjykatave të faktit janë të pabazuara në prova dhe ligj, ndërkohë që vendimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, për marrjen e masës disiplinore “largim nga shërbimi civil” ndaj paditësit është në përputhje me ligjin.
-
Në procedurën e dhënies së masës disiplinore ndaj paditësit janë respektuar të gjitha procedurat ligjore të përcaktuara në ligjin “Statusi i nëpunësit civil” dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.1184, datë 05.08.2008, “Për përcaktimin e procedurave të rekrutimit e të emërimit, të afateve të kalimit nga një nivel më i ulët në një nivel më të lartë karriere dhe për marrjen e masave disiplinore për punonjësit e administratës tatimore.
-
Shkaku i fillimit të ecurisë disiplinore dhe marrjes së masës disiplinore ndaj paditësit ka qënë se paditësi ka vepruar në kundërshtim me detyrat e lëna gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin “Rei” sh.p.k, ku në raportin e kontrollit të dorëzuar nuk kishte bërë rivlerimin e tatim fitimit sipas zbulimeve të bëra, nuk kishte analizuar dhe nuk kishte kërkuar deklarimin e llogarive të ortakeve, burimin e krijimit të shumës 28 milionë lekë, pra nuk kishte bërë një llogari të përgjithshme të shpenzimeve.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Arjana Fullani, në mungesë të palëve ndërgjyqëse, si dhe pasi bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Siç rezulton nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore, paditësi Reshat Stafa ka filluar punë në Administratën Tatimore në datën 15.09.2006, në Sektorin e Kontrollit në Ish-Degën e Tatimeve Kavajë, në pozicionin e punës "Inspektor Kontrolli”. Në këtë pozicion, "Inspektor i parë", ka punuar dhe në Sektorin Operacional në Drejtorinë Rajonale Tatimore Durrës deri më datën 18.08.2010, duke gëzuar statusin e nëpunesit civil sipas Ligjit nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil” dhe legjislacionit tatimor.
2. Mbi bazën e Programit të Kontrollit nr.7221, datë 18.03.2010, pranë subjektit tatimpagues, Shoqërisë “Rei” sh.p.k, është ushtruar kontroll nga një grup, në përbërje të të cilit ka qënë paditësi Reshat Stafa dhe inxhinierja Entela Beho. Objekt kontrolli ka qënë verifikimi i saktësisë së vetëdeklarimeve për llogaritjen dhe derdhjen e detyrimeve tatimore (tatimin mbi vlerën e shtuar për periudhën Janar 2006-Korrik 2007, tatim fitimin për vitet 2006, 2007 dhe 2008, por edhe kontributet e sigurimeve shoqërore për periudhën Janar 2006-Korrik 2007), si dhe saktësimin e rezultatit financiar dhe fiskal.
3. Në përfundim të kontrollit është përpiluar dhe Projekt Raporti i Kontrollit datë 31.03.2010, në të cilin janë evidentuar edhe gjetjet e kontrollit. Mbas përfundimit të procedurave të njoftimit të subjektit është nxjerr Raporti Përfundimtar i Kontrollit datë 14.04.2010. Referuar rezultateve të kontrollit është përpiluar dhe Njoftim Vlerësimi për Detyrimet nr.7221/5 prot., datë 27.04.2010, akt i cili nuk është konfirmuar nga Drejtori i DRT Durrës, në rrethanat kur nga eproret e paditësit (Përgjegjësi i Sektorit dhe më pas Drejtori i Drejtorisë së Kontrollit Tatimor) kanë patur vërejtje lidhur me Raportin e Kontrollit Përfundimtar. Sipas tyre inspektori (paditësi) nuk kishte pranuar, megjithëse i ishte sugjeruar të bënte rivlerësim edhe për tatim fitimin për periudhat tatimore të kontrolluara, por kishte bërë vetëm për tatimin mbi vlerën e shtuar, në rrethanat kur subjekti i kontrolluar ishte firmë ndërtimi dhe për vitin 2008 rezultonte me humbje, në një kohë që deklarimet për objektet në ndërtim janë në fazën 95% dhe 52%.
4. Nisur nga kjo, eprori i paditësit (Drejtori i Drejtorisë së Kontrollit) ka propozuar kryerjen e rikontrollit pranë subjektit “Rei” sh.p.k, si dhe fillimin e ecurisë disiplinore ndaj paditësit.
5. Në propozimin për kryerjen e rikontrollit (Shkresa nr.7221/6 prot., datë 18.06.2010), nga ana e eproreve të paditësit, lidhur me Raportin Përfundimtar të Kontrollit për subjektin “Rei” sh.p.k (përgatitur nga paditësi) janë evidentuar këto konstatime: për zbulimet e bëra ishte bërë rivlerësimi i tatim fitimit, por nuk ishte bërë për tatimin mbi vlerën e shtuar; subjekti në veprimtarinë e tij kishte si objekt ndërtimin e objekteve dhe aktualisht kishte në proces 3 objekte, të cilët ishin në fazën 95%, 80% dhe 52%, ndërkohë që rezultonte me humbje; nga inspektori nuk ishte analizuar dhe nuk ishte kërkuar deklarim për llogarinë e ortakëve, burimin e krijimit të shumës 28.000.000( njëzetë e tetë milionë) lekë; raport kontrolli ishte kontraditor dhe nuk kishte një analizë të përgjithshme të shpenzimeve.
6. Rezulton se propozimi për rikontrollin e subjektit “Rei” sh.p.k është konfirmuar nga Drejtori i DRT Durrës dhe është miratuar më pas me Aktin nr.12060/1 prot., datë 06.08.2010, të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.
7. Drejtori i DRT Durrës, me shkresën nr.18141 prot., datë 29.06.2010, i ka propozuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve fillimin e ecurisë disiplinore ndaj paditësit Reshat Stafa për shkeljet e mangësitë e konstatuara në moskryerjen e detyrës funksionale në rastin e kontrollit të subjektit “Rei” sh.p.k, si dhe marrjen ndaj tij si masë disiplinore “ulje kategorie, kalimin nga inspektor i parë kategoria III-b në inspektor i dyte kategoria IV-a”.
8. Në bazë të këtij propozimi të Drejtorit të DRT Durrës, me Aktin nr.12228/1 prot., datë 09.07.2010, Zv/Drejtori i Përgjithshem i Tatimeve, në mungesë dhe me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm, ka vendosur fillimin e ecurisë disiplinore ndaj paditësit Reshat Stafa, me arsyetimin se në rastin e kontrollit të subjektit “Rei” sh.p.k ishin verejtur shkelje e mangësi në kryerjen e detyrës, ku për këtë ishte propozuar rikontrolli i këtij subjekti dhe ishin konstatuar të meta dhe mangësi në kryerjen e detyrës funksionale nga ana e paditësit.
9. Në aktin e fillimit të ecurisë disiplinore, referuar nenit 25 të ligjit “Statusi i nëpunësit civil”, është propozuar që ndaj paditësit të merrej masa disiplinore “kalim në një detyrë të një niveli apo klase më të ulët për një periudhe 1-vjeçare”.
10. Me tej, në aktin e fillimit të ecurisë disiplinore, referuar pikës 4/a/b të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.306, datë 13.06.2000, “Për disiplinën në shërbimin civil”, si dhe pikes 16.3 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.1184, datë 05.08.2008, “Për përcaktimin e procedurave të rekrutimit e të emërimit, të afateve të kalimit nga një nivel më i ulët në një nivel më të lartë karriere dhe për marrjen e masave disiplinore për punonjësit e administratës tatimore”, paditësi është ftuar që brenda 3 ditëve nga marrja e njoftimit të paraqiste me shkrim sqarimet rreth shkeljeve të pretenduara, dhe i ka bërë të ditur të drejtën për t’u paraqitur dhe mbrojtur (personalisht apo me përfaqësues) para Komitetit Disiplinor të Tatimeve ditën që do të njoftohej, si dhe për të paraqitur dëshmitarë para tij.
11. Mbas komunikimit të aktit për fillimin e ecurisë disiplinore, duke mos qënë dakort me të, me datë 16.07.2010, paditësi Reshat Stafa ka paraqitur kundërshtimet e tij përsa parashtrohej në aktin e fillimit të ecurisë disiplinore dhe kryesisht vërejtja e bërë në fletën shoqëruese të Raportit Përfudimtar të Kontrollit datë 14.04.2010.
12. Më datë 04.08.2010, rezulton që Komiteti Disiplinor i Tatimeve ka zhvilluar seancën dëgjimore për shqyrtimin e ecurisë disiplinore të filluar ndaj paditësit Reshat Stafa, seancë në të cilën paditësi është paraqitur, duke parashtruar dhe në mënyrë verbale pretendimet e tij rreth shkeljeve të pretenduara në aktin e fillimit të ecurisë disiplinore.
13. Pas shqyrtimit të ecurisë disiplinore, Komiteti Disiplinor i Tatimeve ka arritur në përfundimin se qëndronin shkeljet dhe mangësitë e konstatuara në kryerjen e detyrës funksionale nga ana e paditësit.
14. Komiteti Disiplinor i Tatimeve, me arsyetimin se meqenëse në datën 03.12.2009 paditësi ishte penalizuar me masën disiplinore “vërejtje me shkrim”, i ka rekomanduar Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve marrjen ndaj paditësit të masës disiplinore “largim nga shërbimi civil” (sipas Procesverbalit nr.686, datë 04.08.2010).
15. Me vendimin nr.2139, datë 17.08.2010, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, në bazë të rekomandimit të bërë nga Komiteti Disiplinor i Tatimeve, ka vendosur që paditësit Reshat Stafa t’i jepet masa disiplinore “largim nga shërbimi civil”. Marredhëniet e punës dhe ato financiare të paditësit me palën e paditur janë ndërprerë menjëherë. Vendimi i është komunikuar paditësit më datën 20.08.2010 me shkresën nr.12228/3 Prot., datë 17.08.2010, “Dërgim vendimi”.
16. Paditësi duke mos qënë dakort me aktin e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve për “largimin nga shërbimi civil”, në datën 15.09.2010 ka depozituar ankim kundër vendimit nr.2139, datë 17.08.2010 "Për dhënie mase disiplinore”, të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve "Largim nga Shërbimi Civil" pranë Komisionit të Shërbimit Civil.
17. Ankimi i paditësit Reshat Stafa nuk është shqyrtuar nga Komisioni i Shërbimit Civil brenda afatit ligjor 30-ditor sipas nenit 8/2 të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”.
18. Paditësi, brenda afatit ligjor 30-ditor të ankimit, në datën 08.11.2010, ka paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkesëpadi, me të cilën, duke paditur Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve (me poshtë referuar si DPT), ka kërkuar anullimin e Vendimit nr.2139, datë 17.08.2010, të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, për dhënien e masës disiplinore “largim nga shërbimi civil”. Po kështu, paditësi ka kërkuar edhe rikthimin në punën e mëparshme dhe pagimin e pagës nga momenti i ndërprerjes së marrëdhënieve financiare (datë 18.08.2010) dhe deri në momentin e kthimit në punë.
19. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.5436, datë 21.06.2011, ka vendosur: “Anullimin e aktit administrativ të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, vendimit për dhënie mase disiplinore "Largim nga Shërbimi Civil" nr.2139, datë 17.08.2010. Rikthimin në punën e mëparshme të paditësit Reshat Stafa dhe pagimin e pagës që nga moment i largimit më datë 18.08.2010, deri në momentin e kthimit në punë”.
19.1 Arsyetimi i Gjykatës: “Në gjykim u provua se paditësi nuk ka kryer asnjë veprim që të ketë thyer dispozitat e legjislacionit tatimor apo akteve të tjera të dala në zbatim të tyre. Rezultoi e provuar ne gjykim se paditësi, i ngarkuar me detyrën për të kryer kontrollin e planifikuar në subjektin tatimor REI.Sh.p.k., kontroll të cilin e ka kryer në bazë të ligjit nr.9920, datë 19.05.2008, neni 83/3 ku thuhet se pasi kryet kontrolli :“Një kopje e raportit të kontrollit i jepet drejtorit të drejtorisë rajonale të tatimeve dhe një kopje i dërgohet me postë tatimpaguesit”, e në bazë të këtij neni paditësi ka paraqitur pranë Drejtorit të Drejtorisë Rajonale Tatimore Durrës, P/Raport Kontrollin ashtu siç e kërkon ligji. Drejtori i Drejtorisë Tatimore Durrës, nuk ka patur vërejtje për këtë projekt raport dhe në këto kushte ky projekt i është nisur subjektit R.E.I. Sh.p.k., kjo e provuar në bazë të shkresës me nr.7221/3 prot., datë 31.03.2010. Paditësi ka paraqitur pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Durrës, raport kontrollin ashtu siç e kërkon ligji. Pra, paditësi ka kryer në mënyrë korrekte detyrën e tij. Në këto kushte fillimi i procedimit disiplinor nga ana e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale Tatimore Durrës, është në kundërshtim me ligjin në kushtet kur paditesi nuk ka shkelur apo thyer asnjë prej dispozitave të legjislacionit tatimor dhe të akteve të tjera, dalë në zbatim të tij, e për pasojë marrja e masës disiplinore “Largim nga Shërbimi Civil“ është në kundërshtim me ligjin. Tendenca në largimin e paditësit nga Shërbimi Civil provohet dhe me faktin se nga vlerësimi i punës që ka bërë pala e paditur, paditësi Reshar Stafa për dy vitet e fundit 2008, 2009, është vlerësuar me notën “mirë“. Përfundimisht, Gjykata çmon se padia duhet pranuar si e bazuar në ligj dhe në prova.
20. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1371, date 05.06.2012, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.5436, datë 21.06.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
20.1 Arsyetimi i gjykatës: “Gjykata e apelit, ndryshe nga sa pretendohet në ankim, çmon të drejtë përfundimin e gjykatës së shkallës së parë se vendimi i Drejtorit të Përgjithshem të Tatimeve për largimin e paditësit nga shërbimi civil është i pabazuar në fakt dhe, për rrjedhojë, në kundërshtim me ligjin, ku për këtë shkak ai është një akt administrativ relativisht i pavlefshëm, duke u anuluar si i tillë. Kështu, ndryshe nga sa pretendohet në ankim, nuk rezulton e provuar shkelja e ligjit që i është atribuar paditësit dhe që ka përbërë shkelje disiplinore për procedimin e tij disiplinor dhe marrjen e masës disiplinore “largim nga shërbimi civil”. Lidhur me këtë, gjykata e apelit çmon të evidentojë faktin se, pavarësisht se në procedimin disiplinor ndaj paditësit bëhet fjalë për shkelje apo mangësi në kryerjen e detyrave funksionale nga ana e paditësit në rastin e kontrollit të subjektit “Rei” sh.p.k, në asnjë rast nuk referohet ndonjë dispozitë konkrete e legjislacionit tatimor e shkelur nga paditësi, duke mos u evidentuar kështu ndonjë veprim ose mosveprim konkret që paditësi kishte detyrimin ta kryente apo ta kryente në një mënyrë të caktuar sipas një përcaktimi konkret të ligjit (legjislacionit tatimor) dhe që nuk është kryer apo nuk është kryer në mënyrën e duhur prej tij. Po kështu, si gjatë ecurisë disiplinore, ashtu sikundër edhe në gjykimin në shkallë të parë, paditësi ka pretenduar se, referuar provave shkresore, nuk ishte i vërtetë fakti mbi të cilin ndaj tij ishte filluar ecuria disiplinore dhe ishte marrë masa disiplinore “largim nga shërbimi civil”, duke parashtruar për këtë fakt konkret sipas këtyre provave, pretendime të cilat nuk rezulton të jenë kontestuar nga pala e paditur, përfshirë këtu edhe pretendimin e paditësit se rezultatet e rikontrollit të subjektit “Rei” sh.p.k ishin të njëjta me ato të kontrollit të tij. Për rrjedhojë, përsa kohë nuk rezulton e provuar që paditësi të ketë kryer shkelje të ligjit gjatë kryerjes së detyrës, atëhere inicimi i procedimit disiplinor dhe marrja mase disiplinore kundër tij rezulton të jenë në kundërshtim me ligjin. Ndërkohe, fakti i pretenduar në ankim se në rastin e paditësit, në pikepamje formale, ishte respektuar procedura ligjore për dhënien e masës disiplinore, ndryshe nga sa pretendohet, nuk e bën të bazuar në ligj dhe fakt vendimin për dhënien ndaj paditësit të masës disiplinore, përderisa, sic u parashtrua më lart, nuk rezulton që paditësi të ketë kryer në rastin konkret ndonjë shkelje disiplinore, që të përligj ndëshkimin e tij disiplinor dhe, për më tepër, me masën më të rëndë të parashikuar nga ligji”.
21. Kundër vendimit nr.1371, datë 05.06.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs, brenda afatit ligjor, pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila kërkon prishjen e vendimeve te gjykatave te faktit dhe rrëzimin e padisë, duke parashtruar shkaqet e pasqyruar në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
22. Ligji nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”;
22.1 Neni 1/2: “Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe”.
22.2 Neni 17/2: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
23. Ligji nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
24. Se rekursi i paraqitur nga pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve Tiranë, përmban shkaqe ligjore që motivojnë cënimin e vendimit nr.1371, datë 05.06.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
25. Në shqyrtim të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve të parashtruara në këto akte, vendimit të gjykatës dhe parashtrimeve të rekursit, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në interpretim të dispozitave ligjore të zbatueshme për rastin konkret, arrin në konkluzionin se vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Tiranë është marrë në mosrespektim të ligjit procedurial dhe për rrjedhojë duhet të prishet dhe çështja të kthehet për rigjykim.
26. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar drejtë ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të gjykatave të faktit.
27. Kolegji Administrativ vëren se me anë të padisë në gjykim, paditësi Reshat Stafa ka kërkuar anullimin vendimit për dhënien e masës disiplinore të largimit nga shërbimi civil, rikthimin në vendin e punës dhe pagimin e pagës deri në momentin e rikthimit.
28. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përfundim të gjykimit ka vendosur të pranojë kërkesëpadinë e paditësit Reshat Stafa. Mbi ankimin e palëve Gjykata e Apelit Tiranë pasi ka marrë në shqyrtim ankimin ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
29. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë çmon të arsyetojë se nisur nga objekti i gjykimit si dhe nga shkaku ligjor i kërkimeve të palës paditëse çështja objekt konflikti është e natyrës administrative dhe ka të bëjë me zbatimin e dispozitave të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit Civil” dhe akteve nënligjore të dala në bazë dhe për zbatim të tij, në fuqi në kohën e mosmarrëveshjes.
30. Kolegji vlerëson se gjykatat, pa sqaruar plotësisht një sërë rrethanash që lidhen me gjykimin e çështjes, me natyrën juridike të shkakut të lindjes së mosmarrëveshjes e që kanë të bëjnë me elementet thelbësor të padisë objekt shqyrtim, gabon kur zgjidh çështjen në gjendjen në të cilën ndodhet hetimi gjyqësor.
31. Gjykatat nuk kanë shqyrtuar thelbin e mosmarrëveshjes nëse ekziton apo jo shkelja që i është atribuar paditësit e që ka shërbyer si shkak për ndërprerjen e mardhënieve të punës. Procedimi disiplinor ndaj paditësit ka filluar për shkelje apo mangësi në kryerjen e detyrave funksionale nga ana e paditësit në rastin e kontrollit të subjektit “Rei” sh.p.k. Shkaku i ndërprerjes së marrëdhënieve të punës ka qënë kontrolli i subjektit “Rei” shpk i materializuar në raportin përfundimtar të kontrollit 14.04.2010. Nga rikontrolli i ushtruar ndaj këtij subjekti sipas raportit të kontrollit datë 31.03.2011 kanë rezultuar diferenca në masën e detyrimeve tatimore të përllogaritura për të paguar subjekti. Gjykatat kanë analizuar vetëm anën procedurale të ushtrimit të detyrës të kontrollit, përpilimit dhe dorëzimit të raportit të kontrollit pa analizuar ekzistencën apo jo të shkeljes.
32. Gjykata e Apelit Tiranë dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kundërshtim me kërkesat e normave procedurale, nuk kanë kryer “një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjin” (neni 14 i K.Pr.Civile), nuk i kanë dhënë përgjigje një sërë pretendimeve dhe kërkimeve të palës së paditur, të ngritura si në gjykimin në shkallë të parë ashtu dhe në apel. Gjykatat nuk kanë bërë një analizë tërësore dhe objektive të provave (neni 126 i K.Pr.Civile) dhe si rezultat nuk e kanë zgjidhur “mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej tyre” (neni 16 i K.Pr.Civile).
33. Kolegji Administrativ vlerëson se Gjykata e Lartë nuk mund të disponojë për zgjidhjen në themel të çështjes, në kushtet kur kjo gjykatë konstaton cënim të parimit të hetimit të plotë dhe të gjithanshëm, sipas nenit 14 të K.Pr.Civile.
34. Ky Kolegj vlerëson të theksojë se hetimi gjyqësor për të përcaktuar ekzistencën ose jo të shkaqeve të justifikuara për dhënien e masës disiplinore ekstreme mund të bëhet vetëm nga gjykata e faktit. Gjykata e Lartë në ndryshim nga gjykatat më të ulta, ka për objekt gjykimi vetëm kontrollin e zbatimit të ligjit material e procedurial nga ana e gjykatave, vendimet e të cilave janë objekt i rekursit, por pa patur të drejtën që të zhvillojë hetimin gjyqësor në drejtim të marrjes së provave. Gjykatat e shkallës së parë dhe ato të apelit janë gjykata të faktit dhe të ligjit, në ndryshim nga Gjykata e Lartë, e cila është gjykatë ligji. Duke qënë të tilla, në gjykimin në shkallë të parë dhe në apel nuk ka asnjë pengesë, madje është detyrim, që gjykata të lejojë palët të paraqesin kërkimet e prapësimet, provat ku i mbështetin ato dhe të arrijnë në përfundimet përkatëse për zgjidhjen e çështjes, duke çmuar e vlerësuar provat e administruara(raportet e auditit) sipas ligjit që është i zbatueshëm për gjykatën.
35. Meqenëse gjykata e apelit nuk e ka konstatuar dhe riparuar shkeljen e rëndë të rregullave procedurale, të lejuar nga gjykata e shkallës së parë edhe vendimi i saj është pasojë e procesit të pa rregullt ligjor, prandaj vendimi i kësaj gjykate duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, si gjykatën kompetente, e cila të duhet të gjykojë çështjen në themel pasi të ketë kryer një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm.
36. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se në rigjykim, Gjykata Administrative e Apelit, duhet të zhvilloj një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes dhe t’i japë përgjigje pretendimeve dhe kërkimeve të palëve në proces, në lidhje me faktin nëse: (i) paditësi a e ka kryer detyrën e tij gjatë kontrollit të subjektit të kontrollit “Rei” shpk në përputhje me planin e kontrollit; (ii) të verifikohet nëse programi i rikontrollit të kësaj shoqërie ka qënë i njëjtë për të njëjtat detyrime tatimore apo janë shtuar llojet e detyrimeve objekt kontrolli (iii)të verifikoj nëse ndryshimet në vlerat e detyrimeve nga kontrolli i bërë nga paditësi dhe rikontrolli janë për shkak të metodologjisë së përdorur apo për shkak të veprimeve me faj të paditësit; (iv)Të verifikohet natyra dhe shkaku i dhënies së masës disiplinore të mëparshme e cila është marrë në konsideratë nga pala e paditur për dhënien e masës disiplinore largim nga shërbimi civil; (v) Të verifikohet nëse është dhënë masë disiplinore edhe për punonjësit e tjerë që kanë qënë pjesë e grupit të kontrollit apo vetëm për paditësin.
37. Në rigjykim, gjykata do t’u bëjë të qartë palëve që është detyrë e secilës prej tyre, që në përputhje me ligjin të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Palët ashtu siç kanë të drejta kanë dhe detyrime që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara me ligj. Gjykata duhet të lejojë palët që të paraqesin prova shkresore me anën e të cilave ato të provojnë pretendimet e tyre bazuar në nenin 12 dhe 19 të K.Pr.Civile dhe t’i lejojnë palët që t’ia nënshtrojnë këto prova hetimit e debatit gjyqësor, si dhe të kërkojë nëse nevojitet zyrtarisht nga organet kompetente (neni 224 i K.Pr.Civile) paraqitjen e provave dhe të dhënave të cilat ndihmojnë në zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të çështjes.
38. Në rigjykim, gjykata e apelit, për një zgjidhje të drejtë të çështjes, në përputhje me ligjin material duhet t’u bëjë të qartë palëve që është detyrë e secilës prej tyre, që në përputhje me ligjin të provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet, për të drejtat që kërkojnë. Palët ashtu siç kanë të drejtat, kanë dhe detyrimet që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara në ligj.
39. Kryerja e veprimeve si më sipër, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të lindin gjatë rigjykimit, do të lejojnë gjykatën të mund të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive lidhur me zgjidhjen e çështjes objekt shqyrtimi.
40. Kolegji Administrativ vlerëson të mos marrë në analizë pretendimet e ngritura në rekurs për shkelje të tjera ligjit nga gjykatat e faktit në shqyrtimin gjyqësor dhe në zgjidhjen e çështjes, pretendime të cilat, sipas diskrecionit dhe disponimit të palëve, mund të paraqiten prej tyre përpara Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë që do të rishqyrtojë çështjen.
41. Për sa më sipër, në kushtet kur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se Gjykata e Apelit Tiranë ka lejuar shkelje procedurale që e bën të cenueshme vendimet e marr prej saj, çmon se ky vendim duhet prishur dhe cështja gjyqësore duhet dërguar për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
42. Gjykata e Administrative e Apelit Tiranë është kompetente nga pikëpamja lëndore dhe tokësore për gjykimin e çështjes bazuar në vendimin unifikues nr.3, datë 06.12.2013 Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe Dekretit të Presidentit të Republikës nr.7818, datë 16.11.2012.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O SI
Prishjen e vendimit nr.1371 datë 05.06.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Tiranë, më 24.11.2015
Nr. 31001-01238-00-2013 Regj.Themeltar
Nr. 00-2015-4606 Vendimi (631)
Do'stlaringiz bilan baham: |