II. Vendimet e gjykatave dhe arsyetimi i tyre:
19. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.3169, datë 03.04.2012 ka vendosur:
Pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë.
Detyrimin e palës së paditur Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit t’i paguajë palës paditëse Shoqëria “Impresa Costruzioni Giuseppe MALTAURO” S.p.a shumën prej 6.079.536 Euro.
Rrëzimin e kërkesëpadisë për pjesën tjetër të saj.
20. Gjykata e rrethit gjyqësor ndër të tjera arsyeton:
....Nga hetimi gjyqësor rezultoi se fillimi i punimeve të zbatimit në vepër është bërë me datë 27.03.2006. Data e përfundimit të punimeve sipas kontratës është me 28.02.2009. Vepra është marrë në dorëzim në muaji Qershor të vitit 2009, dhe në ditët e azhurnimit në terren ishte në funksion në të gjithë segmentet e saj.
Gjatë gjykimit rezultoi i provuar fakti se për të gjitha problematikat pala paditëse ka njoftuar me shkrim palën e paditur dhe kjo e fundit ka pranuar propozimet e palës paditëse dhe ka nënshkruar 5 Shtojcë kontratat dhe 17 Variantet teknike. Fakti se kontrata fillestare ka pësuar disa ndryshime gjatë kohës së zbatimit të saj, tregon qartë se projekti fillestar i ofruar nga pala e paditur ka qenë difektoz.
Me të drejtë pala paditëse ka pretenduar se ka qenë detyrim i palës së paditur paraqitja e një projekti të saktë e të plotë, ashtu siç është detyrimi ligjor i palës paditëse për një zbatim të pavarur rë punimeve në realizim të këtij projekti, konform nenit 41 të ligjit nr.7971, datë 26.07.1995. Gjithashtu, sipas pikës 3.1/d të Udhëzimit nr.2, datë 13.05.2005 “Për zbatimin e punimeve të ndërtimit” është përcaktuar se menjëherë pas nënshkrimit të kontratës, sipërmarrësit i vihet në dispozicion përshkrimi teknik i punimeve dhe specifikimet e tjera teknike.
Pra sa sipër, rezulton e qartë se ka qenë detyrim ligjor i të paditurve për realizimin dhe vënien në dispozicion të Shoqërisë “Maltauro” Sh.a i një projekti të saktë, korrekt, ku të bëheshin të ditura në mënyrë përfundimtare të gjitha detajet e nevojshme për realizimin e punimeve sipas kritereve të kërkuara në dokumentat e tenderit. Pra ka qenë detyrim i palës së paditur që të garantonte vërtetësinë e projektit që kërkonte të zbatohej.
Në aktin e ekspertimit, grupi i ekspertëve ka konkluduar se: përjashtuar punimeve në Shkollën e Vajkanit, ndryshimet në projekt mendojmë se kanë qenë teknikisht të motivuara, kanë bërë që vepra teknologjikisht të jetë më cilësore, e përparuar e më jetëgjatë. Nëse nuk do të ishin realizuar këto ndryshime, vepra do të kishte probleme në qëndrueshmërinë e urave dhe në dëmtimin e shtresave.
Gjithashtu është i rëndësishëm të përmendet fakti i konkluduar nga ekspertët se nga propozimet e realizimet e 16 varianteve teknike nga pala paditëse, pala e paditur ka kursyer një vlerë monetare prej 9.502,45 €uro = (-1.309.609,4702 vlerë monetare e kursyer në variantet nr.1, 5, 8, 11, 15, + 1.300.107,02 vlerë monetare shtesë, në variantet nr.2, 4, 6, 7, 9, 10, 12, 13, 14, 17).
Nga akti i ekspertimit rezultoi gjithashtu i provuar fakti se të gjitha veprimet e palës paditëse për ndërtimin e veprës gjejnë pasqyrim dhe janë të deklaruar në librat përkatës dhe bilancet e shoqërisë.
Të gjitha rrethanat dhe arsyet që shkaktuan ndryshimet e projektit, volumet shtesë të punimeve dhe pagesat shtesë, që i korrespondojnë këtyre punimeve, i janë bërë të ditura dhe palës së paditur nëpërmjet korrespondencave shkresore të administruara në dosjen gjyqësore, bazuar në nenin 50 të Kushteve të Përgjithshme të Kontratës. Pala paditëse i ka paraqitur palës së paditur 6 objeksione me shkrim lidhur me situatën në fjalë deri me datë 31.03.2008.
Në nenin 422 të Kodit Civil parashikohet se: Kreditori dhe debitori duhet të sillen ndaj njëri-tjetrit me korrektesë, me paanësi dhe sipas kërkesave të arsyes.
Duke respektuar këtë dispozitë, pala paditëse në përmbushje të detyrimeve të saj kontraktore, krahas paraqitjes së objeksioneve të saj, ka vazhduar punimet për ndërtimin e rrugës, fakt ky që provohet edhe nga çertifikata përfundimtare e kolaudimit, me anë të së cilës vërtetohet përfundimi i suksesshëm i kontratës dhe mungesa e pretendimeve nga ana e palës së paditur për çfarëdolloj shkaku teknik apo ekonomik.
Gjatë gjykimit rezultoi i provuar edhe pretendimi tjetër i palës paditëse lidhur me vonesat e shkaktuara për realizimin e punimeve, të cilat kanë ardhur si rezultat jo vetëm i një faktori, por i disa faktorëve:
-
pengimin në realizimin e punimeve nga pronarët;
-
dalja e zonave të reja për shpronësim;
-
vonesa në dhënien e varianteve përfundimtare të projektit të urave;
-
vonesa nga ndryshimet e varianteve të ndryshme teknike;
-
pengimi në punime për të kompletuar kanalin vaditës;
-
dy kanalet e drenimit në segmentin “A”;
-
kompletimi i shtresën mbushëse në segmentin “B”;
-
ditët me shi me reshje më shumë se sa janë parashikuar në studimet mesatare vjetore të atyre viteve (shih aktin e ekspertimit).
Lidhur me problematikën e hasur me guroret, gjykata vëren se referuar nenit 852 të K.Civil dhe nenit 1 të Kontratës objekt gjykimi, palët kanë parashikuar se materialet që do të nxirreshin nga guroret ishin studiuar dhe ofroheshin nga pala e paditur. Në fakt, referuar provave dhe akteve të nënshkruara nga të dyja palët ka rezultuar se guroret e ofruara sipas projektit nuk ishin të përshtatshme dhe të mjaftueshme për ndërtimin e veprës. Ky pretendim i palës paditëse lidhur me guroret ka rezultuar i provuar dhe nga verifikimi që kanë kryer grupi i ekspertëve, të cilët në aktin e ekspertimit kanë konkluduar se: ...rezulton se nga karrierat e miratuara: Karbunarë (në dy zona), Gradisht, Vajkan, Patovë, ose Peshtan, për arsye të papërshtatshmërisë të materialit për formimin e tabanit të rrugës, mos plotësimit të sasisë së nevojshme, moslejimit të kalimit (hyrje-dalje) në karriera nga pronarët e pronave, etj. materialet mbushëse për realizimin e veprës, nuk janë marrë në Vajkan, Patovë ose Peshtan, Karbunarë, por janë marrë në karrierat e ndodhura në: Kampanella, Kaloshi 2, Gradisht, Frakull dhe Levan.
Në lidhje me sa u parashtrua më sipër, rezultojnë të provuara faktet e pretenduara se ka patur vonesa në ekzekutimin e punimeve kontraktore, për shkak të pa disponueshmërisë dhe pamjaftueshmërisë së guroreve të specifikuara në projektin e dhënë nga pala e paditur dhe se pala paditëse ka kryer shpenzime që kanë ardhur si pasojë e distancave më të mëdha të përshkuara për të siguruar materialin e nevojshëm. Në kushtet kur ky shpenzim nuk ka qenë i parashikuar në projekt, konsiderohet si një dëm i shkaktuar ndaj palës paditëse, i cili duhet të kompensohet nga pala e paditur. Gjykata vëren se rezultoi e provuar se problemi i shpronësimeve ka patur efektet e tij negative në zbatimin e punimeve, që nga momenti i parë i fillimit të zbatimit të tyre. Kjo çështje nuk ka të bëjë aspak me veprime apo mosveprime të palës paditëse, por me mospërmbushje të detyrimeve kontraktore nga pala e paditur. Pala paditëse ka njoftuar vazhdimisht drejtorin e punimeve se mosrealizimi i procedurave të shpronësimeve do të sillte vonesa në ekzekutim të punimeve, si dhe shpenzime të paparashikuara dhe të panevojshme për shkak të ndërprerjeve të përsëritura të punimeve, spostimeve të vazhdueshme të mjeteve të punës. Këto fakte provohen me shkresat e datës 22.06.2006, nr.040/CL/DC/06; datës 12.07.2006, nr.76/CL/RD/rd/07 dhe datës 12.07.2007, nr.127/CL/PI/RD/07. Problemet lidhur me shpronësimet kanë shoqëruar punimet edhe gjatë vitit 2007, 2008, si dhe gjatë vitit 2009. Ndërkohë që nga provat në dosje nuk rezultoi që nga pala e paditur të jetë marrë ndonjë masë konkrete për zgjidhjen e këtij problemi. Bazuar në sa u përshkrua e u argumentua më sipër, gjykata vëren se në rastin konkret, duke qenë se kemi të bëjmë me një marrëdhënie kontraktore sipërmarrje, ku rezulton se pala e paditur porositëse nuk ka zbatuar detyrimet e saj kontraktore, pala sipërmarrëse me të drejtë ka kërkuar të shpërblehet për shpenzimet e kryera tepër prej saj. Kjo e drejtë e palës sipërmarrëse parashikohet dhe fjalinë e dytë të paragrafit të parë të nenit 860 të K.Civil në të cilin thuhet se: Sipërmarrësi ka të drejtë të kompensohet për punimet kryesore të kryera, edhe pse çmimi i veprës është caktuar në total.
Bazuar në nenin 50 të Kushteve të Përgjithshme të Kontratës pala paditëse i ka paraqitur palës së paditur 6 kërkesa me shkrim për pagesa shtesë për shkak të punimeve dhe shpenzimeve të paparashikuara nga kontrata e lidhur midis palëve, si dhe dëme të tjera pasurore. Katër prej këtyre kërkesave janë paraqitur me datë 14.09.07 që i referohen situacioneve të punimeve deri me datë 30.06.2007, të dhënat e të cilave janë azhurnuar përsëri, sipas zërave përkatës me datë 29.10.2007, duke marrë parasysh situacionet e punimeve deri me datë 30.09.2007. Dy kërkesa të tjera janë paraqitur me datë 07.05.2008, bazuar në situacionet e punimeve deri me datë 31.03.2008. Këto të dhëna janë dërguar dhe me shkresën e datës 14.08.2008, nr.479 prot, të cilës i referohet në përgjigjen e saj dhe DPRR në shkresën e datës 20.08.2008, nr.AL/LF/163/08.
Kërkesat për pagesa shtesë të palës paditëse konsistojnë në:
-
Shpërblimin dhe kompensimin e shpenzimeve dhe kostove më të mëdha për shkak të anomalive në zbatimin e punimeve.
-
Shpërblimi (kompensimi) i kostove për zëvendësimin e trafikndarësve (New Jersey).
-
Shpenzimet shtesë për sigurimin e materialeve nga guroret (karrierat).
-
Kostot shtesë për ribërjen e disa pjesëve të rrugës të stabilizuara me gëlqere.
-
Shpërblim për përmirësimin e pjesëve të rrugës të shkatërruara.
-
Shpërblimi i shpenzimeve më të mëdha për shkak të rritjes së kostos së ndërtimit.
Gjykata vëren se me të drejtë pala paditëse ka pretenduar se problemet e përshkruara më sipër sollën si pasojë çrregullime të punës në kantier, e shoqëruar me shpenzime më të mëdha të pallogaritura e të paparashikuara në ofertën fillestare. Për shkak të nevojës për të përballuar këto probleme, pala paditëse në bashkëpunim të ngushtë me drejtorin e punimeve, ofruan ndihmë për zgjidhjen e situatave të reja, duke kryer studime në aspektin ekonomik dhe teknik, të cilat kërkuan kohën e tyre. Ndonëse gjetja e zgjidhjeve të reja dhe e modifikimeve përfshihen në aktivitetin e projektimit, si një kompetencë e palës së paditur, pala paditëse rezulton se është angazhuar totalisht me mjete, njerëz dhe kosto për të gjetur këto zgjidhje dhe modifikime.
Pala paditëse pretendoi se përveç problematikës së përmendur më sipër ka patur edhe një tjetër që lidhet me kohën e keqe me reshjeve të dendura të shiut për 66 ditë rresht të dimrit të vitit 2006-2007. Kjo kohë bëri të pamundur ekzekutimin e punimeve për 53 ditë të tjera.
Gjykata vëren se ky dëm është përllogaritur dhe pretenduar nga pala paditëse në shumën prej 10.479.678, 64 euro, mbi vlerën e parashikuar në kontratë, shumë kjo, e cila përbën dhe objektin e kësaj kërkesëpadie.
Pasi përllogaritja e kostove dhe vlerës së pretenduar i është bërë e ditur palës së paditur nëpërmjet drejtorit të punimeve, ky i fundit ka shprehur mendimin e tij përfundimtar me shkresën drejtuar DPRR, datë 16.06.2008, nr.AL/LF/11/08, të cilës i bashkëngjitet relacioni përkatës, ku konkludohet se pala paditëse ka të drejtën e një shpërblimi prej 2.363.715,94 Euro.
Pra, sa më sipër gjykata vëren se shuma totale e shpërblimit të kërkuar nga pala paditëse, duke përfshirë të gjitha pikat e mësipërme është 10.479.678,64 Euro. Ndërkohë, që nga drejtori i punimeve si përfaqësues i palës së paditur është njohur si i drejtë pjesërisht ky kërkim në shumën prej 2.363.715,94 euro.
Ndërsa referuar në mënyrë të përgjithshme aktit të ekspertimit të realizuar nga grupi i ekspertëve të caktuar nga gjykata, në përgjigje të kërkimeve të palës paditëse, ka përcaktuar në total vlerën prej 6.839.496 Euro, e cila është përllogaritur si vlerë detyrimi. Gjithashtu, nga akti i ekspertimit ka rezultuar shuma prej 830.387 Euro, e cila është përllogaritur si vlerë interesash mbi shumën e detyrimit, sipas depozitave bankare me afat një vjeçar (sipas kërkesës së palës paditëse) dhe shuma prej 27.979 Euro, e cila është përllogaritur si vlerë interesash mbi shumën e detyrimit sipas llogarive rrjedhëse (depozita bankare pa afat, sipas detyrës së lënë nga gjykata).
Gjykata vëren se bazuar në tërësinë e provave të administruara në dosjen gjyqësore, në faktet, rrethanat dhe dispozitat ligjore të sipërpërmendura, si edhe në aktin e ekspertimit të kryer nga grupi i ekspertëve të caktuar nga gjykata, pretendimet e palës paditëse duhen pranuar pjesërisht, jo vetëm përsa i përket shumës së shpërblimit të kërkuar kundrejt palës së paditur, por edhe pretendimeve konkrete referuar trajtimit të tyre juridik bazuar në prova e në ligj. Konkretisht, gjykata konkludon se duhen pranuar si të bazuara në ligj e në prova kërkimet e palës paditëse që përcaktohen në pikat 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7 dhe 10 të tabelës më sipër, duke iu referuar vlerave përkatëse të dala nga verifikimet dhe përllogaritjet e grupit të ekspertëve sa sipër, që në total janë në shumën 6.054.767 euro.
Ndërsa kërkimet e palës paditëse lidhur me pikat 8 dhe 9 të tabelës sa sipër, të cilat pasqyrojnë (sipas aktit të ekspertimit) përkatësisht: punimet e ribërjes në vlerën 383.850 Euro dhe punimet për ndreqjen e pjesëve të dëmtuara në vlerën 400.879 Euro, gjykata konkludon se nuk mund t’i ngarkohen si shpërblim palës së paditur dhe si rrjedhojë, nuk mund të pranohen. Kjo për shkak se lidhur me këto punime, shkak i kryerjes së tyre nuk kanë qenë veprimet apo mosveprimet në shkelje të detyrimeve kontraktore nga pala e paditur dhe si rrjedhojë, nuk sjellin përgjegjësi civile kundrejt saj.
Nga tërësia e provave në dosjen gjyqësore dhe nga akti i ekspertimit ka rezultuar se nga pala paditëse janë kryer në disa pjesë të veprës punime në ribërje. Referuar materialit “Relacione” datë 16.10.2007 dhe 16.06.2008 rezulton se prej palës paditëse janë kryer punime në ribërjen në disa segmente me shtresë stabilizanti dhe gëlqere. Sipas Rezervës 4 (trajtimi me gëlqere në një pjesë të rrugës), në segmentin “A” është bërë procesi i ribërjes të disa pjesëve të shtresës bazë të rrugës, në një gjatësi prej 5 km (5.000 m) dhe me gjerësi 9 m. Rezulton që këtij procesi ti jetë nënshtruar një sipërfaqe prej 45.000 m² = (5000 m x 9 m). Referuar sipërfaqes së mësipërme dhe çmimit të miratuar rezulton që vlera e këtij punimi, trajtim me gëlqere e kësaj sipërfaqe, është: 45.000 m² x 8.53 €/m² = 383.850 €.
Referuar “Relacionit të rezervuar”të datës 16.06.2008 dhe Rezervës 5, rezulton se pala paditëse ka kryer punime të ribërjes të trajtimit me gëlqere të një pjese të rrugës në segmentin “B”, në shumën 400.879,35 €.
Për sa sipër, grupi i ekspertëve ka konkluduar se për këto punime të ribërjes së trajtimit me gëlqere, nuk kanë qenë shkak kushtet atmosferike. Varianti i propozuar nga pala paditëse për stabilizim me gëlqere si dhe variantet e tjera është trajtuar me gjithë materialin e nevojshëm teknik të propozuar nga paditësi dhe të miratuara dhe në këshillin teknik të palës së paditur. Nga materialet e depozituara në dosje që i përkasin propozimit të paditësit të Variantit Teknik nr.1 “Stabilizimi me gëlqere i terrenit natyror”, dhe të miratuar me dy vendime të palës së paditur Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve në datat 18.07.2006 dhe 12.10.2006, vihet re se ndryshimi nuk është i kushtëzuar nga faktorët atmosferikë. Varianti i trajtimit me gëlqere është miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve me vendimet përkatëse.
Për sa më sipër, gjykata vëren se kryerja e këtyre punimeve për shtrimin me gëlqere të shtresës së rrugës ka qenë një detyrim kontraktor i palës paditëse dhe si rrjedhojë, nuk mund të konsiderohet si punim shtesë apo t’i ngarkohet si shpërblim palës së paditur.
Lidhur me kërkimin tjetër të palës paditëse, përsa i përket interesave bankare të llogaritura mbi shumën totale të dëmit të pësuar, gjykata vëren se gjen mbështetje në nenin 450 të Kodit Civil, sipas së cilit shpërblimi i dëmit si pasojë e vonesës së pagesës së një shume parash, përbëhet nga kamatat e maturuara, të cilat fillojnë nga dita që debitori ka qenë në vonesë. Vënia në vonesë e palës së paditur fillon që nga dita e njoftimit prej palës paditëse në lidhje me detyrimin. Në parim gjykata vëren se ky kërkim i palës paditëse është i bazuar në ligj e në prova. Por përsa i përket përllogaritjes së këtyre interesave, gjykata vëren se nuk mund të pranojë kërkesën e palës paditëse për t’iu referuar përllogaritjes së bërë në aktin e ekspertimit sipas depozitave bankare me afat një vjeçar, pasi përcaktimi i afatit kërkon një marrëveshje të posaçme. Në kushtet kur nuk ka një marrëveshje të tillë për përcaktimin e afatit, si edhe referuar praktikës gjyqësore në raste të ngjashme, gjykata konkludon se pala paditëse duhet të përfitojë interesat bankare referuar depozitave pa afat (ose llogari rrjedhëse), të cilat mbi shumën e detyrimit prej 6.054.767 Euro (të konkluduar më sipër) janë përllogaritur nga ekspertja kontabël në shumën prej 24.769 Euro, për periudhën 07.05.2008 - 30.11.2010. Në total detyrimi që pala e paditur Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit duhet t’i paguaj palës paditëse Shoqëria “Impresa Costruzioni Giuseppe Maltauro” S.p.a është në shumën prej 6.079.536 Euro.
Gjykata konkludon se ky detyrim duhet të paguhet nga pala e paditur Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, duke qenë se është palë kontraktore si porositëse në kontratën e sipërmarrjes objekt gjykimi, dëmi është konkluduar se është rrjedhojë e një marrëdhënie kontraktore, dhe mban përgjegjësi të drejtpërdrejta jo vetëm mbi veprimet apo mosveprimet e saj lidhur me këtë marrëdhënie kontraktore, por edhe të përfaqësuesve të caktuar apo të varur prej saj si financiarisht, ashtu edhe administrativisht, siç është në rastin konkret pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.....
21. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2611, datë 06.11.2012, ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.3169, datë 03.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
22. Gjykata e apelit ndër të tjera arsyeton se:
.... Gjykata e Apelit Tiranë çmon të theksojë se në seancën e datës 04.10.2012, përfaqësuesja me autorizim e palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve kërkoi zëvendësimin procedurial të këtij institucioni pasi nuk ekzistonte më dhe është shndërruar në një institucion tjetër që është Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Gjykata e apelit, me vendim të ndërmjetëm, bazuar në nenin 199/2 të K.Pr.Civile vendosi të bëjë zëvendësimin procedurial duke thirrur në gjykim në vend të palës së paditur Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, Autoritetin Rrugor Shqiptar, në cilësinë e palës së paditur. Prandaj që këtej e tutje në këtë vendim pala e paditur do të jetë Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe jo Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
Sa i përket pretendimit për shkelje proceduriale, ngritur nga ana e Avokaturës së Shtetit se gjykata ia ka ngarkuar detyrimin për shpërblimin e dëmit dhe fitimin e munguar vetëm MPPTT pavarësisht faktit se edhe nëse do të ekzistonte një detyrim ai duhej të ishte detyrim solidar për të dy subjektet e paditura, MPPTT dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, gjykata e apelit çmon se nuk qëndron e nuk duhet marrë parasysh, për faktin se ky vlerësim nuk ka të bëjë me shkelje proceduriale. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arsyetuar në vendimin e saj se për shkak të natyrës kontraktore të marrëdhënies, si dhe për shkak të varësisë administrativo financiare ndërmjet MPPTT dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, është caktuar MPPTT si pala që mban përgjegjësinë civile në këtë mosmarrëveshje.
Edhe pretendimi i ngritur në ankim nga palët e paditura se në kryerjen e aktit të ekspertimit gjykata ka mbajtur një qëndrim haptas të njëanshëm, duke rrëzuar kërkesën e palës së paditur Autoriteti Rrugor Shqiptar përjashtimin e ekspertëve për njëanshmëri nuk qëndron e nuk duhet marrë parasysh, për arsye se u provua gjatë gjykimit se akti i ekspertimit është kryer në respektim të dispozitave proceduriale, duke zhvilluar një proces të rregullt ligjor. Akti i ekspertimit, i cili është kryer nga një grup ekspertësh profesionistë, nuk është kryer vetëm mbi provat e palës paditëse, por mbi të gjitha provat e administruara në dosjen gjyqësore. Akti është ndërtuar në bazë të pyetjeve të përcaktuara nga gjykata dhe është hartuar në bazë të dokumentacionit që ndodhet në dosje. Siç rezulton nga aktet e dosjes, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka krijuar mundësinë palëve të paditura të paraqesin objeksionet e tyre në lidhje me aktin, si dhe të kërkojnë plotësime apo shtesa të tij. Sipas ekspertëve ndryshimet në projekt kanë qenë teknikisht të motivuara, kanë bërë që vepra teknologjikisht të jetë më cilësore, e përparuar e më jetëgjatë. Nëse nuk do të ishin realizuar këto ndryshime, vepra do të kishte probleme në qëndrueshmërinë e urave dhe në dëmtimin e shtresave. Po ashtu ka rezultuar e provuar se të gjitha ndryshimet dhe shtesat që i janë bërë kontratës fillestare janë miratuar nga të dyja palët pa kontestime....
III. Ligji i Zbatueshëm:
23. Në nenin 14 të Kodit Procedurës Civile parashikohet se:
Gjykata ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin.
24. Në nenin 2 të ligjit nr.7971/1995 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar parashikohet se:
“Ent prokurues” është çdo organ shtetëror qendror a lokal, si dhe çdo person juridik tjetër, që i vihen në dispozicion fonde publike për prokurim.
25. Në nenin 17 të ligjit nr.7971/1995 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar parashikohet se:
(1) Enti prokurues, me përjashtim të rasteve të parashikuara ndryshe në këtë kre, duhet të përdorë “Tenderin e hapur” si procedurë të preferuar të prokurimit.
(2) Enti prokurues mund të përdorë një procedurë tjetër, përveç tenderit të hapur, vetëm në rastet e parashikuara në nenet 18, 19, 20, 21 dhe 22.
(3) Këshilli i Ministrave, në raste të veçanta ose të forcave madhore, mund të lejojë përdorimin e një procedure prokurimi përveç tenderit të hapur, në situata të paparashikuara në nenet 18,19,20,21 dhe 22.
(4) Enti prokurues duhet të planifikojë prokurimet e tij në mënyrë racionale dhe asnjë kërkesë për prokurimin e një sasie të dhënë të mallrave, ndërtimeve dhe shërbimeve nuk duhet të ndahet me qëllim që të shmanget një procedurë e prokurimit, e përcaktuar në këtë ligj ose në rregullat e prokurimit.
26. Në nenin 3 të kontratës së sipërmarrjes të datës 01.11.2005 është parashikuar se:
Objekt i kontratës janë të gjithë punimet për ndërtimin e rrugës Lushnjë-Fier, të përshkruara në anekset e kësaj kontratë.
I gjithë dokumentacioni dhe korrespondenca përkatëse lidhur me ekzekutimin e kësaj kontratë duhet të jetë në gjuhën italiane.
27. Në nenin 4 të kontratës së sipërmarrjes të datës 01.11.2005 është parashikuar se:
Vlera kontraktuale përfshirë dhe shumat e sigurimit është në vlerën 17.545.255,32 Euro pa përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe taksat doganore që do t’i rimbursohen sipërmarrësit nga Ministria Shqiptare e Transportit dhe Telekomunikacionit.
Kontrata është hartuar me përpikëri dhe nuk është subjekt i asnjë rishikimi çmimesh.
Porositësi angazhohet të kryejë pagesat në llogarinë dhe vlerën sipas mënyrës së parashikuar në Kushtet e Përgjithshme në Aneksin A.
28. Në nenin 13 të kontratës së sipërmarrjes së datës 01.11.2005 është parashikuar se:
Administrata dhe Sipërmarrësi kryejnë çdo përpjekje për të zgjidhur miqësisht mosmarrëveshjet eventuale lidhur me Kontratën e Sipërmarrjes ndërmjet tyre ose ndërmjet Drejtorit të Punimeve dhe Sipërmarrësit.
Kushtet e Përgjithshme - neni 63 vendosin procedura për:
-
Zgjidhjen miqësore të mosmarrëveshjeve;
-
Marrëveshje eventuale përmes pajtimit, nëse procedura e zgjidhjes miqësore e adoptuar paraprakisht nuk ka dhënë fryte,
-
Arbitrazhi, ose
-
Paraqitja në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë.
29. Në nenin 2 të Kushteve të Përgjithshme të Kontratës (Aneksi A) është parashikuar se:
Legjislacioni që disiplinon sipërmarrjen është ai shqiptar.
30. Vendimi unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.03, datë 06.12.2013 në të cilin ndërmjet të tjerave thuhet se:
Gjykata Administrative të Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizmin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë të apelit, apo në Gjykatën e Lartë, dhe deri në këtë datë shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma.....
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
31. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga Avokatura e Shtetit, përmban shkaqe nga ato që parashikohen në ligj, prandaj ka arsye ligjore që vendimi i gjykatës së apelit të cënohet.
32. Duke u bazuar në nenin 199/2 të K.Pr.Civile, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë në seancën gjyqësore të datës 10.11.2015 me kërkesë të palës paditëse Shoqëria “Impresa Costruzioni Maltauro” S.p.a bëri kalimin procedurial, duke zëvendësuar palën e paditur Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, pasi ajo ka ndryshuar emrin për shkak të ristrukturimit. Ndërsa për palën e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, sot Autoriteti Rrugor Shqiptar, me kërkesë të palës së paditur është bërë kalimi procedurial nga gjykata e apelit në seancën gjyqësore të datës 04.10.2012 (faqe 148 e dosjes gjyqësore të gjykatës së apelit).
33. Megjithëse në pjesën arsyetuese të vendimit, gjykata e apelit thotë se, duke u bazuar në nenin 199/2 të K.Pr.Civile bëhet kalimi procedurial për palën e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, në pjesën hyrëse të vendimit ajo ka gabuar, duke vendosur përsëri si palë të paditur Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve.
34. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, gjykata e shkallës së parë dhe ajo e apelit në zgjidhjen e këtij konflikti nuk kanë kryer një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm, i cili është në kundërshtim me nenin 14 të K.Pr.Civile, pasi ato nuk u kanë dhënë përgjigje të gjitha kërkimeve të bëra nga palët në proces, sidomos pretendimeve të palës së paditur dhe për rrjedhojë ato nuk e kanë zgjidhur mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej tyre, të parashikuara nga neni 16 i K.Pr.Civile.
35. Në ndryshim nga gjykatat më të ulta, Gjykata e Lartë ka për objekt gjykimi vetëm kontrollin e zbatimit të ligjit material e procedurial nga ana e gjykatave, vendimet e të cilave janë objekt i rekursit, por pa patur të drejtën që ajo të zhvillojë hetimin gjyqësor të çështjes në drejtim të marrjes së provave. Hetimi gjyqësor i plotë dhe i gjithanshëm, për të provuar parashtrimet apo prapësimet e palëve, me mjetet provuese të lejueshme që parashikon Kodi i Procedurës Civile, është detyrë e gjykatës së shkallës së parë dhe asaj të apelit.
36. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, përfundimi i arritur nga gjykata e shkallës së parë dhe ajo e apelit janë të pabazuara në ligj, pasi gjykata që shqyrton mosmarrëveshjen duhet të shprehet mbi gjithçka që kërkohet dhe vetëm për atë që kërkohet, sipas nenit 6 i K.Pr.Civile, të kryejë një hetim të plotë e të gjithanshëm gjyqësor të çështjes, në përputhje me kërkesat e nenit 14 të K.Pr.Civile, të zgjidhë mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj, sipas nenit 16 i K.Pr.Civile.
37. Në nenin 4 të kontratës së sipërmarrjes të datës 01.11.2005 të lidhur ndërmjet palëve është parashikuar se, vlera e kontratës nuk është objekt i asnjë revizioni çmimesh, ndërkohë që më vonë nga palët janë nënshkruar pesë amendamente (kontrata shtesë) dhe shtatëmbëdhjetë variante teknike, ndërsa në nenin 2 të Kushteve të Përgjithshme të Kontratës është parashikuar se, legjislacioni që disiplinon sipërmarrjen është ai shqiptar.
38. Në zgjidhjen e çështjes në gjykim, gjykata e shkallës së parë dhe ajo e apelit nuk e kanë patur të qartë se kush është ligji me të cilin duhet të zgjidhjet mosmarrëveshja, pasi ato iu janë referuar dispozitave të përgjithshme të Kodit Civil, ndërkohë që ligji nr.7971, datë 26.07.1995 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, i cili ka qenë në fuqi në kohën që është lidhur kontrata e sipërmarrjes parashikon se, dispozitat e përgjithshme mbi kontratat, të parashikuara nga Kodi Civil zbatohen vetëm atëhere kur në ligjin që rregullon fushën përkatëse të prokurimeve publike nuk gjen rregullim çështja konkrete.
39. Në shqyrtimin e çështjes në gjykatën e shkallës së parë është kryer akti i ekspertimit për të cilin ka patur kontestime nga pala e paditur, e cila ka kërkuar edhe riçeljen e shqyrtimit gjyqësor në gjykatën e apelit, por kjo e fundit nuk është shprehur fare me vendim të ndërmjetëm në lidhje me këtë kërkim të palës së paditur (faqe 145 e dosjes gjyqësore të gjykatës së apelit), duke shkelur kështu kërkesat e neneve 6 dhe 14 të K.Pr.Civile, të cilët parashikojnë se, gjykata është e detyruar që të shprehet mbi gjithçka që kërkohet, duke respektuar parimin e një procesi të rregullt ligjor.
40. Nga shqyrtimi i çështjes në Gjykatën e Lartë rezulton se pretendimet e Avokaturës së Shtetit të ngritura në rekurs në lidhje me aktin e ekspertimit janë të bazuara në ligj, sepse nga ekspertimi kanë rezultuar 314, 2 ditë jo produktive (faqe 305 e dosjes gjyqësore të gjykatës së shkallës së parë). Një nga shkaqet që thuhet në ekspertim për ditët jo produktive kanë qenë edhe ditët me shi. Ditët jo produktive janë llogaritur edhe tek vlera e mosamortizimit të pajisjeve të kantierit, si edhe tek kostoja e punonjësve dhe mallrave për ditët jo produktive (janë llogaritur tre herë).
41. Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e apelit nuk arsyetojnë se ku e bazojnë qëndrimin e tyre se, kur puna e sipërmarrësit ndërpritet për shkak të kushteve të këqija atmosferike detyrimet i ngarkohen palës tjetër, pasi shkaktimi i dëmit kërkon në mënyrë të detyrueshme ekzistencën e elementit faj. Duhet theksuar se në pjesën që ka rrëzuar padinë për dy nga kërkimet e palës paditëse (pikat 8 dhe 9), gjykata e shkallës së parë arsyeton se, mungon faji i palës paditëse, prandaj ajo nuk duhet të përgjigjet për këto detyrime.
42. Pretendimi që ngrihet në rekurs nga Avokatura e Shtetit se, akti i ekspertimit duhej të merrte në konsideratë edhe shtojcën nr.5 të kontratës dhe më pas ekspertët duhet ta bazonin aktin e ekspertimit në këto dokumente zyrtare dhe jo të arrinin në konkluzione përfundimtare, duke u bazuar vetëm në pretendimet e palës paditëse është i bazuar në ligj, sepse nuk del e qartë nëse shuma prej afro 2.37 milion Euro e miratuar edhe nga pala e paditur në shtojcën nr.5 të kontratës së sipërmarrjes (faqe 275 e volumit IV) është përfshirë ose jo në detyrimin që gjykatat më të ulta i kanë vendosur palës paditëse dhe nuk del se çfarë përfaqësojnë pikat 5 dhe 6 të këtij amendamenti (shtese kontrate).
43. I ndodhur në këto rrethana, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, në rastin në gjykim ndodhemi përpara kërkesave të nenit 63/c të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative”, prandaj vendimi i gjykatës së apelit duhet të prishet dhe në zbatim të vendimit unifikues nr.03/2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, çështja duhet të dërgohet për tu rishqyrtuar nga Gjykata Administrative e Apelit.
44. Në rishqyrtimin e çështjes, Gjykata Administrative e Apelit, pasi të zbatojë kërkesat e nenit 465/2 të K.Pr.Civile, duke përsëritur pjesërisht shqyrtimin gjyqësor të çështjes duhet ta shtrijë hetimin gjyqësor në këto drejtime:
-
Të hetojë në lidhje me punimet shtesë dhe detyrimet e palëve që vijnë nga vonesa (mora), siç është vonesa në shpronësime, etj.
-
Të hetojë se çfarë përfaqësojnë pikat 5 dhe 6 të shtojcës nr.5 të kontratës së sipërmarrjes dhe është ose jo e përfshirë vlera e këtij amendamenti në detyrimin total.
-
Të urdhërojë rikryerjen e aktit të ekspertimit në zbatim të nenit 225 e vijues të Kodit të Procedurës Civile, nga një grup tjetër ekspertësh.
45. Vetëm pasi të kryhen veprimet e mësipërme hetimore dhe të tjera që Gjykata Administrative e Apelit do ti vlerësojë të domosdoshme gjatë rishqyrtimit të çështjes, atëhere mund të arrihet në një përfundim sa më të drejtë për zgjidhjen e çështjes.
46. Duke arsyetuar si më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, rekursi i paraqitur nga Avokatura e Shtetit është i bazuar në ligj, prandaj si i tillë ai duhet të pranohet dhe për rrjedhojë vendimi e gjykatës së apelit duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 63/c të ligjit nr.49, datë 03.05.2012 të “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative”.....
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.2611, datë 06.11.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit.
Tiranë, më 25.11.2015
MENDIM PAKICE
1. Ne gjyqtarët e Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani e Andi Ҫeliku të mbetur në pakicë, për çështjen objekt shqyrtimi gjyqësor, me palë paditëse Shoqëria “Impresa Costruzioni Giuseppe Maltauro” S.p.a, të paditur Ministria Transportit dhe Infrastrukturës (Ish-M.P.P.T.T), dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar (Ish-D.P.Rrugëve) me objekt: “Detyrimin e palës së paditur të shpërblejë paditësin për dëmin e pësuar, humbjet pasurore, si dhe fitimin e munguar, në kuadrin e ndërtimit dhe rehabilitimit të Rrugës Lushnjë-Fier, në vlerën 10.479.678,64 euro plus interesat e llogaritura mbi këtë shumë”, vlerësojmë se rekursi i paraqitur nga pala e paditur nuk përmban shkaqe ligjore nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilat të bëjnë të cënueshëm vendimin nr.2611 datë 06.11.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
2. Pakica e këtij Kolegji vlerëson se vendimi nr.2611 datë 06.11.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë, është një vendim i bazuar në interpretimin dhe zbatimin e drejtë të ligjit dhe në analizë tërësore të provave të administruara në gjykim.
3. Siç rezulton dhe nga rrethanat e faktit të parashtruara në vendimin e shumicës, në çështjen objekt shqyrtimi Shoqëria “Impresa Costruzioni Giuseppe Maltauro” S.p.a është një shoqëri aksionere italiane, e cila bazuar në ligjin nr.9342, datë 10.02.2005 me të cilin ratifikuar marrëveshja financiare e lidhur me datë 25.02.2004 ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, për financimin e programit për ndërtimin e segmentit rrugor Lushnjë-Fier dhe mbikëqyrjen e punimeve për dy segmente rrugore Lushnjë-Fier e Fier-Vlorë, është përfshirë dhe në përfundim të procedurave të prokurimit, nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i ngritur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve është shpallur fituese e garës.
4. Në datën 01.11.2005 ndërmjet Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të Republikës së Shqipërisë si porositës, dhe palës paditëse si sipërmarrës, është lidhur Kontrata e Shërbimit për Sipërmarrje Punimesh, me objekt kryerjen e punimeve për realizimin e veprave të nevojshme për shtrimin e rrugës Lushnjë-Fier, me një gjatësi prej rreth 22 km.
5. Në nenin 4 është përcaktuar vlera e kontratës prej 17.545.255, 32 Euro, nga e cila 557.000 Euro është detyrimi i sigurimit (ose 3.2787 %). Në pikën 2 të të cilit përcaktohet se kontrata është hartuar me përpikëri dhe nuk është subjekt i asnjë revizioni çmimesh.
6. Sipas nenit 7 të kontratës marrja në dorëzim e punimeve do të bëhej brenda 180 ditëve nga dita e nënshkrimit (datë 01.11.2005) dhe kohëzgjatja parashikohej të ishte 24 muaj nga data e procesverbalit të marrjes në dorëzim të punimeve. Referuar shkresës së datës 24.03.2006 të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, data e fillimit të punimeve është përcaktuar me datë 27.03.2006. Si rrjedhojë, dita e përfundimit të kontratës është me datë 26.03.2008.
7. Nga palët janë nënshkruar më pas si pjesë integrale e kësaj kontrate edhe pesë Shtojcë-Kontratat dhe 17 Variante Teknike të shoqëruara me shpjegimet përkatëse, të cilat kanë qenë rrjedhojë e rrethanave të mëvonshme që dolën gjatë ekzekutimit të kontratës fillestare.
8. Gjatë ekzekutimit të kontratës pala paditëse ka pasur probleme të pa parishikuara në kontratën fillestare, për të cilat ka vënë në dijeni palën e paditur e që kanë sjellë si pasojë çrregullime të punës në kantier, e shoqëruar me shpenzime më të mëdha të pallogaritura e të paparashikuara në ofertën fillestare. Pala paditëse pretendon se është angazhuar totalisht me mjete, njerëz dhe kosto për të gjetur këto zgjidhje dhe modifikime.
9. Pala paditëse ka kërkuar shpërblimit e dëmit, për të gjitha plotësimet kontraktore, kostot, vonesat për realizimin e veprës pa fajin e palës paditëse dhe kamatat mbi shumën e detyrimit në një shumë totale prej 10.479.678,64 Euro. Ndërkohë, që nga drejtori i punimeve si përfaqësues i palës së paditur është njohur si i drejtë pjesërisht ky kërkim në shumën prej 2.363.715,94 euro.
10. Për këtë kërkim pala paditëse i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
11. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.3169, datë 03.04.2012, ka vendosur: “Pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë. Detyrimin e palës së paditur Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ti paguaj palës paditëse Shoqëria “Impresa Costruzioni Giuseppe MALTAURO” S.p.a shumën prej 6.079.536 Euro. Rrëzimin e kërkesëpadisë për pjesën tjetër të saj”.
12. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.2611, datë 06.11.2012, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.3169, datë 03.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
13. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë për çështjen në gjykim, ka vendosur: “Prishjen e vendimit nr.2611, datë 06.11.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën Administrative të Apelit”.
14. Pakica e Kolegji Administrativ në ndryshim nga shumica vlerëson se, rekursi i paraqitur nga Avokatura e Shtetit, nuk përmban shkaqe nga ato që parashikohen në ligj që të bëjnë të cënueshëm vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë.
15. Së pari: Gjykatat kanë zbatuar drejt procedurën për gjykimin e çështjes. Gjykatat bazuar në nenin 199/2 të K.Pr.Civile kanë bërë kalimin procedurial, duke zëvendësuar palën e paditur Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, pasi ajo ka ndryshuar emrin për shkak të ristrukturimit. Ndërsa për palën e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve është bërë kalimi procedurial te Autoriteti Rrugor Shqiptar.
16. Së dyti: Pakica e Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, vlerëson se të dy gjykatat e faktit kanë konkluduar drejt përsa i përket pranimit pjesërisht të padisë për shpërblimin e dëmit që i është shkaktuar palës paditëse gjatë kryerjes së punimeve. Ky përfundim i arritur nga gjykatat e faktit është arritur pasi gjykata ka realizuar “një hetim gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjin” dhe ka kryer një analizë tërësore dhe objektive të provave të administruara në dosjen gjyqësore (neni 14, 16 i K.Pr.Civile). Gjykatat kanë evidentuar saktësisht faktet që pasqyrojnë provat shkresore të administruara në dosje, si dhe i kanë interpretuar ato në përputhje me dispozitat ligjore të zbatueshme.
17. Në zgjidhjen e çështjes në gjykim është i zbatueshëm ligji nr.7971, datë 26.07.1995 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, i cili ka qenë në fuqi në kohën që është lidhur kontrata e sipërmarrjes si dhe dispozitat e përgjithshme mbi kontratat, të parashikuara nga Kodi Civil tyë cilat zbatohen kur në ligjin që rregullon fushën përkatëse të prokurimeve publike nuk gjen rregullim çështja konkrete. Pra pavarësisht se jemi përpara një mardhëniejeje kontraktore sipas ligjit për prokurimin publik, janë të zbatueshme edhe rregullat e përgjithshme të K.Civil për atë lloj të posaçëm kontrate që na rastin konkret është kontratë sipërmarrjeje. Gjykata vëren se në rastin konkret, duke qenë se kemi të bëjmë me një marrëdhënie kontraktore sipërmarrje, ku rezulton se pala e paditur porositëse nuk ka zbatuar detyrimet e saj kontraktore, pala sipërmarrëse me të drejtë ka kërkuar të shpërblehet për shpenzimet e kryera tepër prej saj. Kjo e drejtë e palës sipërmarrëse parashikohet dhe fjalinë e dytë të paragrafit të parë të nenit 860 të K.Civil në të cilin thuhet se: Sipërmarrësi ka të drejtë të kompensohet për punimet kryesore të kryera, edhe pse çmimi i veprës është caktuar në total.
18. Palët kanë përcaktuar në kontratë të drejtat dhe detyrimet përkatëse, kushtet e zgjidhjes së kontratës, penalitetet e mundshme në rast vonesash, zgjidhjet për mosmarrëveshjet. Procedura e ndjekur në këtë prokurim publik është standarde, sipas kritereve të vendosura nga Manuali i Procedurave të Komisionit Evropian.
19. Pakica çmon se pala paditëse legjitimohet në kërkimin e saj, pavarësisht se në nenin 4/2 të kontratës përcaktohet se kontrata është hartuar me përpikëri dhe nuk është subjekt i asnjë revizioni çmimesh. Rezulton se për të gjitha problematikat pala paditëse ka njoftuar me shkrim palën e paditur dhe kjo e fundit ka pranuar propozimet e palës paditëse dhe ka nënshkruar 5 Shtojcë kontratat dhe 17 Variantet teknike. Të gjitha ndryshimet dhe shtesat që i janë bërë kontratës fillestare janë miratuar nga të dyja palët pa kontestime. Pra kemi një plotësim të kontratës fillestare me marrëveshje të të dy palëve dhe për rrjedhim nuk është i zbatueshëm ky kusht kontraktor.
20. Gjykatat e faktit drejt kanë konkluduar se përderisa kontrata fillestare ka pësuar disa ndryshime gjatë kohës së zbatimit të saj, tregon qartë se projekti fillestar i ofruar nga pala e paditur ka qenë difektoz. Me të drejtë pala paditëse ka pretenduar se ka qenë detyrim ligjor i të paditurve për realizimin dhe vënien në dispozicion të Shoqërisë “Maltauro” Sh.a i një projekti të saktë, korrekt, ku të bëheshin të ditura në mënyrë përfundimtare të gjitha detajet e nevojshme për realizimin e punimeve sipas kritereve të kërkuara në dokumentat e tenderit. Pra ka qenë detyrim i palës së paditur që të garantonte vërtetësinë e projektit që kërkonte të zbatohej.
21. Në aktin e ekspertimit, grupi i ekspertëve ka konkluduar se: përjashtuar punimeve në Shkollën e Vajkanit, ndryshimet në projekt mendojmë se kanë qenë teknikisht të motivuara, kanë bërë që vepra teknologjikisht të jetë më cilësore, e përparuar e më jetëgjatë. Nëse nuk do të ishin realizuar këto ndryshime, vepra do të kishte probleme në qëndrueshmërinë e urave dhe në dëmtimin e shtresave. Të gjitha veprimet e palës paditëse për ndërtimin e veprës gjejnë pasqyrim dhe janë të deklaruar në librat përkatës dhe bilancet e shoqërisë.
22. Të gjitha rrethanat dhe arsyet që shkaktuan ndryshimet e projektit, volumet shtesë të punimeve dhe pagesat shtesë, që i korrespondojnë këtyre punimeve, i janë bërë të ditura dhe palës së paditur nëpërmjet korrespondencave shkresore të administruara në dosjen gjyqësore, bazuar në nenin 50 të Kushteve të Përgjithshme të Kontratës. Duke respektuar këtë dispozitë, pala paditëse në përmbushje të detyrimeve të saj kontraktore, krahas paraqitjes së objeksioneve të saj, ka vazhduar punimet për ndërtimin e rrugës, fakt ky që provohet edhe nga çertifikata përfundimtare e kolaudimit, me anë të së cilës vërtetohet përfundimi i suksesshëm i kontratës dhe mungesa e pretendimeve nga ana e palës së paditur për çfarëdolloj shkaku teknik apo ekonomik.
23. Nga gjykimet e zhvilluara nga gjykatat e faktit, ka rezultuar i provuar edhe pretendimi tjetër i palës paditëse lidhur me vonesat e shkaktuara për realizimin e punimeve, të cilat kanë ardhur si rezultat i disa faktorëve si për shembull: pengimi në realizimin e punimeve nga pronarët; dalja e zonave të reja për shpronësim; distancat që duhet të përshkoheshin për furnizimin me lëndën e parë; variantet e ndryshme teknike apo ditët me shi. Pala paditëse ka njoftuar vazhdimisht drejtorin e punimeve se mosrealizimi i procedurave të shpronësimeve do të sillte vonesa në ekzekutim të punimeve, si dhe shpenzime të paparashikuara dhe të panevojshme për shkak të ndërprerjeve të përsëritura të punimeve, spostimeve të vazhdueshme të mjeteve të punës.
24. Gjykatat kanë përcaktuar se ekziston dëmi që duhet t’i shpërblehet palës së paditur dhe referuar aktit të ekspertimit të realizuar nga grupi i ekspertëve të caktuar nga gjykata, në përgjigje të kërkimeve të palës paditëse. Ky akt ka përcaktuar se detyrimi që pala e paditur Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit duhet t’i paguajë palës paditëse Shoqëria “Impresa Costruzioni Giuseppe Maltauro” S.p.a është në shumën prej 6.079.536 Euro.
25. Pakica e këtij kolegji çmon se gjykatat e faktit me të drejtë kanë përcaktuar dhe legjitimitetin pasiv. Ky detyrim duhet të paguhet nga pala e paditur Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, duke qenë se është palë kontraktore si porositëse në kontratën e sipërmarrjes objekt gjykimi. Dëmi është konkluduar se është rrjedhojë e një marrëdhënie kontraktore, dhe pala e paditur mban përgjegjësi të drejtpërdrejta jo vetëm mbi veprimet apo mosveprimet e saj lidhur me këtë marrëdhënie kontraktore, por edhe të përfaqësuesve të caktuar apo të varur prej saj si financiarisht, ashtu edhe administrativisht, siç është në rastin konkret pala e paditur Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
26. Pakica e këtij kolegji çmon se nuk janë kushtet për t’u kryer një akt ekspertimi i ri ashtu sikurse është lënë detyrë nga shumica. Akti i ekspertimit është kryer në respektim të dispozitave procedurale, nga një grup ekspertësh profesionistë, të cilët janë bazuar mbi provat e administruara në dosjen gjyqësore, në bazë të pyetjeve të përcaktuara nga gjykata. Palëve ju është dhënë mundësia të paraqesin kundërshtimet e tyre në lidhje me aktin, si dhe të kërkojnë plotësime apo shtesa të tij. Sipas ekspertëve ndryshimet në projekt kanë qenë teknikisht të motivuara, kanë bërë që vepra teknologjikisht të jetë më cilësore, e përparuar e më jetëgjatë. Nëse nuk do të ishin realizuar këto ndryshime, vepra do të kishte probleme në qëndrueshmërinë e urave dhe në dëmtimin e shtresave.
27. Rastet kur mund të vendoset përsëritja e ekspertimit janë të parashikuara nga neni 229 i K.Pr.Cvile i cili parashikon se: “Kur shihet se ekspertimi është i metë ose i paqartë, si dhe kur ka ndryshim mendimesh midis ekspertëve, gjykata, kryesisht ose me kërkesën e ndonjërës nga palët, mund të kërkojë sqarime plotësuese ose të urdhërojë kryerjen e një ekspertimi të ri, duke thirrur ekspertë të tjerë”.
28. Në lidhje me detyrën e lënë nga Kolegji që në rigjykim gjykata të hetojë në lidhje me punimet shtesë dhe detyrimet e palëve që vijnë nga vonesa (mora), siç është vonesa në shpronësime, çmojmë se nuk ka vend përcaktimi i kësaj detyre. Punimet shtesë, vonesat kostot, shpenzimet janë të evidentuara nga pala paditëse, i janë bërë të njohura palës së paditur, janë administruar si prova nga gjykata e faktit dhe vlerësimi i provave ka qenë detyrë e gjykatave të faktit.
29. Ne si pakicë nuk ndajmë të njëtin mendim me shumicën që i lë si detyrë gjykatës së Apelit që në rigjykim të hetojë se çfarë përfaqësojnë pikat 5 dhe 6 të shtojcës nr.5 të kontratës së sipërmarrjes dhe është ose jo e përfshirë vlera e këtij amendamenti në detyrimin total. Këto pika përfaqësojnë një parashikim kontraktor rregullues të marrëdhënies kontraktore ndërmjet palëve ndërgjyqëse dhe kolegji duhet t’i interpretonte vet në raport me dispozitat e ligjit material të zbatueshëm për çështjen konkrete. Pasi në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me çmuarje e vlerësim të provave por me interpretim të kushteve kontraktore në raport ne dispozitat ligjore të zbatueshme.
30. Pakica e Kolegjit Administrativ vlerëson se, rekursi i paraqitur nga Avokatura e Shtetit, nuk përmban shkaqe ligjore nga ato të parashikuara në nenin 58 të Ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të cilat ta bëjnë të cënueshëm vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë. Ky Kolegj, ҫmon gjithashtu se vendimi nr.2611 datë 06.11.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë, është marrë në zbatim të drejtë të ligjit procedurial dhe atij material e për rrjedhojë dhe ky vendim duhej të lihej në fuqi.
31. Për sa më sipër, mendoj se Vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë është i drejtë, i mbështetur në ligj dhe prova ndërsa rekursi i palës së paditur është bërë për shkaqe të ndryshme nga ato që lejon ligji.
32. Pakica e këtij kolegji thekson se Gjykata e Lartë në ndryshim nga gjykatat më të ulta, ka për objekt gjykimi vetëm kontrollin e zbatimit të ligjit material e procedurial nga ana e gjykatave, vendimet e të cilave janë objekt i rekursit, por pa patur të drejtën që të zhvillojë hetimin gjyqësor në drejtim të marrjes së provave. Gjykatat e shkallës së parë dhe ato të apelit janë gjykata të faktit dhe të ligjit, në ndryshim nga Gjykata e Lartë, e cila është gjykatë ligji. Në rastin konkret shumica i ka hyrë çmomit dhe vlerësimit të provave të administruara nga gjykata e faktit për të arritur në përfundimin e cënimit të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë.
33. Për arsyet e mësipërme dhe në rrethanat kur vendimi i gjykatës së apelit ka zgjidhur drejt çështjen pakica konkludon që vendimi nr.2611 datë 06.11.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë, është një vendim i bazuar në ligj dhe për këtë arsye duhej të lihej në fuqi.
Arjana Fullani Andi Çeliku
Do'stlaringiz bilan baham: |